Kryeministri Rama mori pjesë sot në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili bëri bashkë liderët e Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke riafirmuar partneritetin strategjik dhe angazhimin e përbashkët për ecurinë e procesit të integrimit europian të rajonit.
Samiti shërben gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e pikëpamjeve mbi sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni dhe Europa, si dhe për forcimin e bashkëpunimit në funksion të sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Në mbërritjen e tij në Samit, Kryeministri Rama u shpreh për mediat e pranishme:
* * *
Kryeministri Edi Rama: Shtypi i mrekullueshëm gjerman!
-A do të jeni të lumtur me integrimin gradual?
Kryeministri Edi Rama: Dëgjoni, kam kohë që e them këtë. Më në fund po dëgjohet, por nuk mjafton tani. Besoj që Europa mbi gjitha për vetveten duhet të jetë më e guximshme, duhet të ruajë procesin bazuar në meritë. Duhet të shkojë në drejtimin e integrimit gradual, por duhet të gjeje këllqet për një moment të ri të llojit Helmut Kohl.
Kur muri ra, ky njeri i madh nuk iu tha gjermano-lindorëve “tani keni 35 kapituj për t’i përfunduar përpara se të bëhemi bashkë dhe pastaj do t’ju ndihmojmë që ju të përmbushni. Pra nëqoftëse BE kërkon t’i përçojë botës një mesazh shumë të fortë e t’i japë vetes energji të mëdha duhet të thotë “kështu siç jeni sot rreth tryezës, duhet të jemi gjithmonë rreth kësaj tryeze, por gjithsecili me statusin e vet derisa të bëhemi anëtarë me të drejta të plota. Mendoj që është më e lehtë ndaj është më e komplikuar për t’u kuptuar.
-Pse thoni që është shumë vonë, ndoshta kjo është tani për shkak të Ukrainës?
Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk thashë që është shumë vonë, thashë që nuk është mjaftueshëm
-Si mendoni për këtë proces në Ballkanin perëndimor?
Kryeministri Edi Rama: Ajo çfarë duhet të bëjmë nga ana jonë është t’u japim ca kurajë që të shtyjnë më fort përpara dhe iu takon atyre pastaj
Folët për momentin Kohl. Po momenti Merz, si mendoni?
Kryeministri Edi Rama: Kancelari Merz ka folur për statuse të ndryshme. Kjo ishte për të nisur diskutimin, jo për të përfunduar diskutimin. Diskutimi tashmë ka nisur të zhvillohet me një dokument të ri, me dokumentin franko – gjerman, kështu që, me shpresë dy miqtë e mi të mëdhenj dhe udhëheqës fort të respektuar të Francës dhe të Gjermanisë do të gjejnë më shumë stamina që të jenë më tepër si Kohl dhe Mitterrand.
-Mendoni që Gjermania kërkon t’ju lërë në sallën e pritjes ju dhe vendin tuaj?
Kryeministri Edi Rama: Jo, ideja apo argumenti rrezikut ka marrë fund, e kam dëgjuar për shumë vite me radhë sepse po bëhem gjithmonë e më i vjetër. Kam parë të ikin e të vijnë dhe ata që janë larguar kur na kanë thënë është e rrezikshme, ne ju duam brenda, duam t’ju marrim brenda ndërkohë që kanë dalë jashtë. Pra, nuk është sallë pritjeje, është integrim. Ja pse them që BE tashmë duhet të gjejë këllqe që të krijojë një moment Helmut Kohl, pra të gjithë ne, rreth një tryeze si sot gjithmonë, por gjithsecilit i duhet të bëjë punën e vet, të përmbushë detyrat e veta për të marrë më shumë nga tryeza. Nuk ju thua fëmijëve “shko rri te komshiu derisa të jesh gati të vishet hash me ne” sepse pastaj një nga fëmijët njeh një gangster rus aty në lagje, tjetrit fillojnë t’i pëlqejnë kukullat kineze e kështu me radhë. Jo, i mban fëmijët të gjithë bashkë.
-Kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE?
Kryeministri Edi Rama: Ka tre gjëra që nuk i parashikoni dot, tre, Zotin, seksin dhe BE-në.
-Protesta për resortin. A ka kërkesa për të diskutuar?
Kryeministri Edi Rama: Nuk ka kërkesa për të diskutuar sepse nuk ka ende një projekt të miratuar. Kështu, së pari duhet të kemi projektin dhe pastaj ta shohim projektin e pastaj ta diskutojmë projektin. Por, nuk diskutojmë dot diçka që nuk ekziston, por që po paraqitet në të gjithë median sociale në një luftë hibride kundër Shqipërisë me narrativa të rreme se ky projekt nuk është projekt, por “diçka e gatuar midis meje dhe Bibi Netanyahu përmes Jared Kushnerit për të sjellë palestinezët në Zvërnec”. Dhe mendoj që media perëndimore duhet të jetë shumë më e kujdesshme sepse faktet kanë rëndësi dhe duhet të kenë rëndësi gjithmonë sepse nuk ka një projekt, sepse nuk ka arsye për t’u shqetësuar për aq sa ka të bëjë me projektin dhe sepse arkitektët më të mirë, më të mirët në botë, inxhinierët më të mirë, arkitektët më të mirë të peizazhit janë angazhuar dhe synimi nuk është që të bëjmë dëm në natyrë, por të bëjmë diçka unike që do të jetë e jashtëzakonshme për shqiptarët, por do të jetë edhe një dhuratë nga shqiptarët për të gjithë Europën. E mira është që të kemi një moment të ri Helmut Kohl. Udhëheqësi i madh i Gjermanisë nuk doli pas rënies së murit për t’ju thënë gjermano-lindorëve “tani keni 35 kapituj që t’i përmbushni para se të uleni rreth tryezës me ne, por tha jemi të gjithë të ulur rreth një tryeze dhe pastaj duhen edhe përpjekje”. Pra, duhet të jemi të gjithë rreth një tryeze si sot gjithmonë, jo vetëm një herë në vit. Gjithsecili me bagazhin e vetë të detyrave të shtëpisë dhe pastaj të gjithë bazuar në meritë të bëhen anëtarë me të drejta të plota. Por anëtarë me të drejta të plota, jo në kuptimin çfarë mund të marrësh nga Europa, por menjëherë anëtarë me të drejta të plota për atë çfarë mund t’i japësh Evropës, në të kundërt është si t’i thuash fëmijëve derisa të rritesh apo derisa të rriteni rrini te komshinjtë e njëri prej tyre njihet me një gangster, një tjetër mahnitet nga kukullat kineze dhe pastaj kur rriten nuk janë gati më që të vijnë te prindërit.
-Çfarë po bën qeveria që të sigurojë ambientalistet për projektin, resortit?
Kryeministri Edi Rama: Në fakt pik së pari kjo nuk ka të bëjë me ambientalistët ose po themi nuk ka të bëjë vetëm me ambientalistët, ka të bëjë pik së pari me një luftë hibride.
Armiq të vendit të cilët i njohim, të gjithë ata që e dinë historinë tonë, i njohin ata, iranianët, të cilët janë angazhuar në sulme kibernetike kundër nesh qysh prej një kohe të gjatë dhe që na kanë bërë kaq shumë dëme sa na kanë detyruar që t’i nxirrnim nga vendi, janë pjesë e kësaj për të nxitur narrativën se projekti nuk është ajo që thuhet, por është një marrëveshje midis meje dhe Bibi Netanyahu gatuar nga Jared Kushneri për të sjellë palestinezët nga Gaza në Shqipëri. Kjo është një prej narrativave dhe ka tërhequr shumë vëmendje.
Keni parë shumë video të rreme me qindra mijëra njerëz që bërtasin “Izrael shko në shtëpi”. Është e gjitha e rreme sepse nuk ka asgjë të tillë në Shqipërinë reale dhe është turp për ata që i bëjnë të gjitha këto gjëra.
Nga ana tjetër ka njerëz mirëfilli të shqetësuar me qëllime të mira dhe ju kam thënë e ju them nuk keni asgjë për t’u shqetësuar sepse projekti nuk është gati. Nuk e kemi projektin. T’i siguroj për çfarë? Ne kemi qenë të parët që kemi vendosur standardet për projektin që do të vijë dhe do të presim projektin. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, në qoftë se nuk sheh që numri i llogarive apo i shqiptarëve në mjedisin digjital është rritur që në ditët e parë të këtyre sulmeve. Është një sulm hibrid.