Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj dhe Ambasadorin amerikan në Tiranë Alexander Arvizu, përuruan sot, sallat e reja të pritjes në Spitalin Rajonal të Lezhës. Një nisme, kjo, e financuar nga qeveria amerikane, si pjesë e projektit “Mbështetje Reformës në Shëndetësi”.
Kryeministri Rama vlerësoi se ky projekt është një tjetër shembull i qasjes që qeveria ka për ndërtimin e marrëdhënieve cilësisht të reja të shtetit me qytetarët.
“Ky projekt i realizuar është ndër shembujt më të parë të një transformimi në vijim të të gjitha pikave të kontaktit me shtetin, në spital, në çdo zyrë të shtetit. Meqë jemi tek spitalet, qoftë njerëzit në nevojë për kurë, qoftë familjarët e tyre, meritojnë të mikpriten në kushtet më optimale, ashtu siç mikpriten qytetarët e një vendi normal evropian,” – u shpreh Kryeministri.
Teksa shprehu kënaqësinë që ky përurim përkon edhe me nisjen e taksimit të ri lehtësues ndaj pagave të personelit mjekësor, Kryeministri garantoi për vijimësinë e mbështetjes ndaj tyre.
“Është kënaqësi, – nënvizoi, – që kjo ditë përkon me ditët, kur gjithë personeli i spitaleve po merr rrogat me taksimin e ndershëm. Pashë infermiere shumë të gëzuara, shoh mjekë të buzëqeshur. Kjo do të vazhdojë. Jam i bindur se kjo do të ndikojë shumë edhe në forcimin e marrëdhënieve mes personelit spitalor, Ministrisë së Shëndetësisë, qeverisë si e tërë, pushtetit vendor, komunitetit, por po ashtu do të ndikojë më tutje që ne të vazhdojmë të rrisim mundësitë e gjithë atyre që shërbejnë në spitale, për të pasur më shumë para nga puna e tyre e ndershme dhe sigurisht për të jetuar më mirë.”
Nga ana e tij, Ambasadori Arvizu shprehu mbështetjen ndaj qasjes së qeverisë shqiptare për rritjen e bashkëpunimit me komunitetin dhe përmirësimit të praktikave për shërbime gjithnjë e më cilësore.
“Jemi të kënaqur që jemi pjesë e këtij projekti dhe gjithashtu, shumë krenarë që USAID-i ka qenë pjesë e kësaj mundësie. Mendoj që kjo është një mundësi e shkëlqyer e të punuarit së bashku me qeverinë, në mënyrë që të mund t’i ofrohen qytetarëve shërbimeve më cilësore, veçanërisht është shumë e rëndësishme për sa i përket ofrimit të shërbimeve në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe të gjitha këto ndihmojnë në një qeverisje më të mirë. Diçka për të cilën jemi shumë krenarë, këtu në Lezhë, është fakti i krijimit të një paneli konsultativ me komunitetin që do të punojë së bashku me komunitetin. Shtetet e Bashkuara vërtet janë shumë krenarë që qeveria ka zgjedhur këtë qasje, për sa i përket i bashkëpunimit me komunitetin, siç është bërë për shembull në fushën e arsimit dhe e njëjta gjë që po zbatohet në fushën e shëndetësisë,” – u shpreh ambasadori Arvizu.
Spitali Rajonal i Lezhës është një nga tre spitalet ‘pilot’, të përfshira në projektin e USAID-it, për të mbështetur ngritjen e një sistemi më të mirë menaxhimi dhe shërbimi. Këtë model, ministri Beqaj premtoi se do ta shtrijë në të gjitha spitalet e vendit.
“Jemi angazhuar që spitalet t’i kemi jo vetëm qendra kurimi, por si qendra ku ngjizet solidariteti njerëzor. Ky projekt ka pacientin, në qendër të kujdesit shëndetësor. Është detyra ime dhe e bashkëpunëtorëve të mi që ndihmën e vyer dhe eksperiencën e fituar në këtë spital ta shtrijmë në gjithë spitalet e Shqipërisë,” – u shpreh ministri Beqaj.