Qendra Shëndetësore nr. 1 në Tiranë është transformuar totalisht dhe ofron tashmë shërbim në kushte dinjitoze. Kjo qendër është pjesë e zinxhirit të 300 qendrave të reja shëndetësore me standarde europiane, në vend të karakatinave 50 e 60 vjeçare ku personeli shëndetësor dhe qytetarët vuanin mungesën e kushteve.
Kryeministri Rama, bashkë me ministren e Shëndetësisë Oferta Manastirliu ishin në ambientet e rinovuara totalisht të kësaj qendra ku marrin shërbim mbi 100.000 banorë. Puna për rehabilitimin e qendrave shëndetësore vijon pavarësisht periudhës së pandemisë në të cilën jemi, ndërkohë që, sipas ministres Manastirliu, “në Tiranë janë 52 qendra shëndetësore të rehabilituara”.
Drejtoresha e kësaj qendre nënvizoi se “prej mbi 20 vitesh kanë dhënë shërbim në ambiente rreth 400 metra katror, gjithsej dhe 100 veta staf. Prej vitesh kemi bërë kërkesë pas kërkese që të mund të kishim mundësi të shërbenim në ambiente më dinjitoze dhe pas 20 vitesh, sot realizohet një ëndërr”.
Kjo qendër, ashtu si dhe qendrat e tjera shëndetësore kanë bërë një punë të konsiderueshme dhe thelbësore në ndjekjen e pacientëve me COVID. “Mjekët e familjes që kanë qenë të angazhuar që në krye të herës, kanë vijuar dhe me të gjithë ndjekjen, qoftë sa i përket diagnostikimit, rasteve të dyshuara, por dhe dhënien e paketës së rimbursimit për barnat për trajtimin ambulator. Kjo qendër ka ndjekur që prej marsit mbi 4700 të dyshuar dhe të konfirmuar COVID. Tashmë me vendosjen nga ana jonë për testimin në komunitet, gjithë banorët e njësisë administrative 1 dhe 2 testohen pranë pikës sonë tek Qyteti Studenti. Është lehtësi shumë për të gjithë banorët, qytetarët që plotësojnë indikacionet për kryerjen e testimit të shpejtë dhe ndjekjen nga mjeku i familjes. Po bëhet një punë shumë e madhe dhe mjekët e familjes kanë një rol thelbësor në menaxhimin e rasteve dhe për të parandaluar më pas vajtjet në spital. Ajo që është për t’u theksuar është ofrimi i shërbimit në familje nga qendra shëndetësore, pra, vendosja e qendrave brenda komuniteteve krijon lehtësim për të ofruar shërbimin në familje, një induksion apo një terapi të thjeshtë”, – tha ministrja Manastirliu.
Kryeministri Rama, teksa takoi disa nga banorët që po merrnin shërbim mjekësor në qendër, shkëmbeu një bisedë të shkurtër me ta dhe me mjekët aty mbi situatën shëndetësore në vend dhe ngjarjet e fundit në këtë sektor.
“Unë jam mirënjohës për të gjithë mjekët dhe infermierët, sidomos për ata që punojnë në kushte, siç punonit edhe ju para pak kohësh e në këtë situatë kaq të ngatërruar dhe problematike jam shumë i keqardhur për historinë e asaj sanitares që faktikisht cënon imazhin, reputacionin dhe punën e zakonshme të mjekëve dhe infermierëve. Krijon edhe perceptimin që kjo është një mënyrë të punuari e shumë njerëzve, apo është pjesë e sistemit të punës. Realisht, e vetmja gjë që më ka pëlqyer apo më ka ngrohur në atë ngjarje ka qenë puna e bërë nga gazetarët investigativë, sepse kanë nxjerrë në pah një llum, natyrisht, tejet të papërtypshëm, por njëkohësisht nuk kanë provuar, përkundrazi, do thoja që në gjithë investigimin e tyre nuk ka rezultuar që ajo sanitare të ishte e lidhur me një mjek dhe ky të ishte një zinxhir. Kjo duhet të jetë një kambanë alarmi për të gjithë dhe në rradhë të parë për njerëzit që janë në nevojë që nuk duhet të ndjekin rrugë të tilla, sepse ne jemi të gjithë në dispozicion. Ju e dini shumë mirë vetë që, siç nuk ka pyll pa derra, nuk ka asnjë sistem dhe asnjë sektor ku të mos gjenden fundërrina të tilla që mund të jenë edhe mjekë, por kjo nuk e zhbën kurrë gjithë sakrificën dhe madje, në këtë rast të pandemisë, edhe heroizmin e mjekëve, sepse disa nga kolegët tuaj kanë humbur jetën. E faktikisht ju jeni më të ekspozuarit e jo vetëm që nuk keni lënë njeri rrugëve apo pa trajtuar, përkundrazi, keni vënë jetën tuaj në rrezik në mënyre të përditshme, pavarësisht se janë garantuar mjetet mbrojtëse, por kjo flamë nuk pyet ndonjëherë për asgjë. Besoj me gjithë këto ndryshime që po bëhen, edhe nga pikëpamja e infrastrukturës, edhe nga pikëpamja e pagave, edhe në këtë aspekt do ketë përmirësime, patjetër që nuk do ndalemi këtu. Ne jemi në diskutim për të kaluar në një fazë tjetër me sistemin dhe për lejuar më shumë pavarësi administrative nga ana e struktura shëndetësore, për t’i dhënë mundësi atyre që punojnë më shumë edhe brenda sistemit të paguhen me bonuse për shkak të performancës, pra, nuk mund të paguhet njësoj një mjek që bën 100 vizita me një mjek që bën 20 vizita. Duke parë edhe sa thellë e ka bërë Turqia kapërcimin nga një fazë kur ishte goxha e ngjashme me ne situata atje në raport me popullsinë, si ofertë dhe si kërkesë dhe se si gjithë problemet pastaj të ryshfetit janë zgjidhur me sistem, duke fuqizuar trupën e mjekëve dhe duke fuqizuar autonominë e sistemit, besoj që edhe nga ajo eksperiencë dhe nga një grup i përbashkët pune që kemi ngritur, do arrijmë ta çojmë në një nivel më të konsoliduar këtë që kemi arritur. Tani, një pjesë e konsiderueshme e qendrave shëndetësore janë kështu, ka një pjesë që duan akoma patjetër dhe të gjitha qendrat do bëhen kështu. 300 nuk janë pak dhe janë në pikat më intensive nga ana e banorëve. Ka akoma të tjera plot, por prandaj jemi këtu. Është luftë me plagë që nuk shërohen shpejt dhe që në shumë aspekte janë kronike”, – u shpreh Kryeministri.