“Ndërtimi i besimit – Rruga e Shqipërisë në BE drejt qeverisjes transparente.” – ishte eventi i organizuar sot, në kuadër të javës së Integritetit, ku u bë prezantimi i platformës “Transparent Albania”, një portë unike për akses të shpejtë dhe të lehtë në informacion, që vendos transparencën buxhetore si prioritet.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni informoi se “Platforma synon të jetë një mjet i vlefshëm në shërbim të çdo qytetari, që kërkon të dijë në çdo moment dhe me shumë saktësi pa burokraci të tepërta se ku shkojnë paratë e tij, sesi bëhen politikat në emër të tij dhe sesi institucioni publik angazhohet për të tashmen dhe për të ardhmen e Shqipërisë. As më pak dhe as më shumë “Transparent Albania” synon në kuptimin e parë të fjalës të garantojë shtetin e aksesueshëm përmes telefonit.”
Ndërsa Kryeministri Rama e cilësoi platformën e transparencës si “një urë të re lidhëse mes qeverisë dhe qytetarëve për të garantuar një shpejtësi shumë më të madhe dhe një gjerësi shumë më të madhe në marrëdhënien e qytetarit me informacionin nga aktiviteti i përditshëm i qeverisë”.
* * *
Më lejoni që të kem kënaqësinë të ndaj me ju një lajm shumë të mirë që sapo kemi marrë që Shqipëria është kandiduar për të qenë vendi mikpritës i World Law Congress një forum botëror me një reputacion të jashtëzakonshëm dhe me një prestigj të jashtëzakonshëm, ku zgjedhja e vendit mikpritës është padiskutim, jo thjeshtë pjesë e nevojës për të patur një infrastrukturë mikpritje të denjë, por lidhet me çfarë vendi mikpritës përfaqëson në aspektin përmbajtësor të këtij forumi dhe zgjedhja e Shqipërisë si një ndër kandidatët për të marrë mikpritjen e World Law Congress lidhet padiskutim me imazhin tërësisht të ri të Shqipërisë dhe me vlerësimin botërisht konsensual të gjithçkaje që Shqipëria ka bërë në këtë dekadë në drejtim të shtetit të së drejtës.
Unë jam shumë shpresëplotë që ne nuk jemi thjesht një vend kandidat, por që do të jemi vendi mikpritës i World Law Congress vitin e ardhshëm.
Sot kemi ardhur për të ndarë me publikun një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën drejt Shqipërisë 2030 dhe faktikisht një hap që lidhet edhe me angazhimet e marra nga Shqipëria në kuadrin e planit të ri të rritjes së Bashkimit Europian dhe nuk bëhet fjalë për një faqe të re ose një faqe më shumë në internet për informimin publik, por bëhet fjalë për një instrument të ri, bëhet fjalë për një platformë të re, bëhet fjalë për një urë të re lidhëse mes qeverisë dhe qytetarëve për të garantuar një shpejtësi shumë më të madhe dhe një gjerësi shumë më të madhe në marrëdhënien e qytetarit me informacionin nga aktiviteti i përditshëm i qeverisë.
Është një platformë e cila padiskutim shkon në përputhje me ambicien tonë për ta bërë Shqipërinë një vend të denjë europian në aspektin e standardeve të një shteti europian të së drejtës dhe është nga ana tjetër një mundësi e re për të krijuar një bazë shumë më të gjerë informacioni në kohë reale edhe për të gjithë punonjësit e informacionit, domethënë, për të gjitha mediat.
Besoj që është një platformë, e cila ka edhe një vlerë të vetën të veçantë në kohën që jetojmë ku fluksi i të pavërtetave, fluksi i gjysmë të vërtetave që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha, fluksi i dezinformimit të qëllimshëm apo të paqëllimshëm dhe shpejtësia e shpërndarjes së informacioneve të paverifikuara vetëm rriten. Është një fenomen global nga i cili ne nuk bëjmë asnjë dallim.
Kjo është një platformë që do t’i mundësojë të gjithëve të ndjekin në kohë reale shpenzimet e qeverisë shqiptare që do të thotë të dinë në kohë reale sesa të ardhura shpenzohen dhe për çfarë shpenzohen. Besoj që është një platformë, e cila do të rrisë edhe shkallën e përgjegjësisë së vetë institucioneve qendrore dhe të gjithë sistemit të pushtetit ekzekutiv sepse përballja dhe ekspozimi do të jetë shumë i lartë, që do të thotë që edhe nevoja për të performuar në kohë reale shumë më mirë do të jetë e vetvetishme për të gjithë institucionet.
Tjetra që është një risi dhe një sfidë e kësaj platforme është përditësimi i saj në kohë reale. Duke marrë parasysh volumin e informacionit që duhet përditësuar dhe duke marrë parasysh që edhe pse, siç e tha Komisioneri, janë bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, prapë se prapë administrata nuk e ka instinktin e shpejtësisë në këtë aspekt.
Kjo do të jetë një sfidë e vërtetë, por me siguri që hap pas hapi ne do t’ia dalim që ta kthejmë përditësimin e çdo informacioni në një rutinë.
Tjetra që është një risi shumë e rëndësishme e platformës është interaktiviteti i saj që do të thotë që, nëse sot apo deri sot, një qytetar apo një përfaqësues i medias i drejtohet një institucioni të caktuar dhe nuk merr përgjigje në kohë, pastaj i drejtohet Komisionerit, Komisioneri i drejtohet institucionit.
Në 70% të rasteve, përgjigja jepet në sekondë që do të thotë që bëhet fjalë për vonesa tërësisht të palidhura me asnjë qëllim, por thjesht të lidhura me atë që thashë pak më parë, me nënvlerësimin apo me mungesën e këtij zakoni të administratës që të përgjigjet në kohë reale, që të përgjigjet në afat. Ndërkohë që 30% i mos përgjigjeve të tjera është pak më kompleks. Me platformën, çdonjëri që i drejtohet cilido institucion me një kërkesë për të marrë një informacion do të mund të ndjekë vetë në kohë reale statusin e kërkesës dhe nga ana tjetër, platforma ka një mekanizëm që sinjalizon institucionin se kjo kërkesë është duke shkuar drejt djegies së afatit dhe kështu vendos përpara përgjegjësisë këdo në atë institucion që është zyra apo institucioni që duhet të përgjigjët por nga ana tjetër, i jep institucionit dhe i jep lidershipit në institucion, sekretarit të përgjithshëm, zyrës së sekretarit të përgjithshëm apo zyrës së ministrit apo zyrës së drejtuesit të cilitdo institucion pasqyrën e performancës në raport me këtë detyrim parësor dhe elementar të ekzekutivit ndaj qytetarit. Dhe kështu besoj, ky element i transparencës që ka të bëjë me procesimin brenda sistemit të qeverisjes të çdo kërkese do të ndihmojë në rritjen e shkalles së përgjegjësisë dhe të ndjenjës së detyrimit për t’u përgjigjur dhe për të mos u vendosur përballë një pasqyre ku faktikisht vihet në dyshim aftësia apo motivimi yt për t kryer detyrën, që mund të pasohet pastaj dhe me sanksione përkatëse sipas ligjit të administratës.
Një tjetër element që platforma do të ketë dhe për të cilin kemi diskutuar gjerë e gjatë, sepse dua ta theksoj diçka që Adea e tha nëpër rreshta pak a shumë, që edhe vetë publikimi i kësaj platforme, është publikim për konsultim, nuk është platformë që ne e konsiderojmë përfundimtare dhe një mekanizëm që ne e konsiderojmë të padiskutueshëm, sepse dëshirojmë të marrim opinione dhe sugjerime dhe ide nga cilido dhe cilado që është i/e interesuar për tu përfshirë në përmirësimin e platformës dhe ky element për të cilin po flas, aktualisht nuk është ende në platformë, por është një element që besoj është i dobishëm dhe madje për mua, i domosdoshëm që ka të bëjë me çështje të aktualiteti të cilat zënë një vend të caktuar në debatin publik, lidhur me shpenzimet, lidhur me prokurimet, lidhur me partneritetet publike-private, lidhur me qasjen e një institucioni apo një institucioni tjetër ndaj një veprimtarie të caktuar dhe që hedhin dyshime apo që krijojnë shqetësim.
Atëherë, besoj që është e udhës që institucioni përkatës të shprehet në mënyrë transparente dhe t’i japë publikut mundësinë që teksa dëgjon dhe ndjek një debat të caktuar midis palësh, të ketë edhe versionin që është version i institucionit, gjë që për shkak të shpejtësisë së madhe që ka sot bota e informacionit, nga njëra anë rëndom nuk kërkohet nga burimet e informacionit, pra media nuk e kërkon opinionin zyrtar lidhur me një çështje, por edhe më keq se kaq nga ana tjetër, vetë institucionet nuk e bëjnë. Po kjo është shumë e rëndësishme për tu bërë sepse vendosja përballë e opinioneve të ndryshme që lidhen me interesa të ndryshme, politike, ekonomike etj, është pjesë e pandashme e debatit demokratik, por ama detyrimi për t’ i dhënë opinionit publik versionin zyrtar, është në radhë të parë një detyrim i vetë institucionit të përfshirë në debat pavarësisht pastaj se si përdoret ky version dhe sa përdoret ky version nga burimet e informacionit.
Unë besoj që duke pasur parasysh edhe shkallën e lartë të digjitalizimit të qeverisjes që ne e kemi arritur dhe duke patur parasysh edhe çfarë kemi bërë deri më sot me sistemin e bashkëqeverisjes dhe duke patur parasysh edhe çfarë ka bërë deri më sot zyra e Komisionerit, kemi një bazë më shumë sesa të mjaftueshme për të pretenduar që “Transparent Albania” të bëhet pasqyra kuptimplotë dhe e prekshme nga çdokush e një Shqipërie që të meritojë plotësisht anëtarësimin në BE dhe jam i bindur që do të duhet punë ekstra, në radhë të parë në mendjen e të gjithë atyre që do të kenë detyrimin shtetëror, institucional që t’i japin jetë përditë kësaj platforme, jam i bindur që do të ketë mësime për të marrë dhe boshllëqe për të përmbushur apo të meta për t’u korrigjuar rrugës, por nuk kam asnjë dyshim që me daljen përfundimtare në jetën publike të platformës pasi të përmbushet kjo fazë konsultimi dhe kur gjithë ekipet që janë pas ekranit të jenë plotësisht të përgatitur për t’iu përgjigjur të gjitha atyre dritareve që do të ketë platforma përfundimtare, ne do të jemi në një nivel tërësisht të ri të transparencës, në një nivel tërësisht të ri të llogaridhënies, në një nivel tërësisht të ri të cilësisë së marrëdhënies së shtetit me publikun dhe të institucioneve me qytetarin dhe ma ha mendja që ky nivel i ri, në këtë aspekt do të krijojë një energji të re dhe do të jetë një shtysë e re për të përmirësuar perfomancën e të gjitha institucioneve.
Dua të falënderoj Adean në mënyrë të posaçme që siç e pohon pa dyshim ambasadori BE, është një garanci për ne dhe dua të falënderoj edhe të gjithë skuadrën që ka punuar për këtë risi në këndvështrimin tim shumë të rëndësishme për vendin tonë; dua të falënderoj Komisionerin dhe zyrën e tij që me pak njerëz dhe me mbështetje të pamjaftueshme financiare nga qeveria, bën një punë që jo nga qeveria, por nga vetë Komisioni Evropian konsiderohet shumë e mirë, dhe përshtypja ime është se pikërisht pse janë pak njerëz dhe se nuk kanë fonde mjaftueshëm, edhe puna është kaq e mirë se kam frikë se po të kenë më shumë njerëz dhe më shumë fonde, do bjerë vigjilenca dhe do fillojë loja e lënies së fajit njëri tjetrit, kurse kështu janë aq pak sa s’kanë kujt t’ia lënë fajin dhe bëjnë punë shumë të mira. Kështu që, shumë faleminderit edhe urime për drejtoren e cila është zgjedhur në atë dhjetëshen e Këshillit të Europës dhe është një tjetër ngjarje shumë pozitive për administratën shqiptare sepse së fundmi po shohim me shumë kënaqësi që edhe administrata shqiptare përmes përfaqësuesve të denjë të saj, po i kalon kufijtë e Shqipërisë në aspektin e vlerësimit dhe patjetër dua të falënderoj edhe gjithë të tjerët që janë këtu të pranishëm që me shumë qetësi duruan dhe një tjetër fjalim të gjatë timin.
Faleminderit BE! Faleminderit dhe ambasadores së Francës e cila na ndjek në të gjitha veprimtaritë tona, që na jep një kënaqësi të veçantë. Edhe patjetër faleminderit njeriut më të rëndësishëm në këtë sallë, që edhe nga emri kuptohet pse, Avokates së Popullit, që është këtu e gjitha veshur me të kuqe dhe na ndihmon që të arrijmë në horizontin tërësisht blu.
Shumë faleminderit!