Fjala e Kryeministrit Edi Rama në përurimin e impiantit të ri të përpunimit të ujërave të zeza në Vlorë:
Përshëndetje të gjithëve!
Është e rëndësishme që sot ne dëshmojmë këtu fillimin e vënies tërësisht dhe përfundimisht në punë të impiantit të përpunimit të ujërave të zeza të njërit prej qyteteve më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe qytetit me potencialin më të madh të zhvillimit turistik, por njëkohësisht është e rëndësishme që të reflektojmë mbi faktin se, për shumë e shumë vite, i gjithë ky potencial kishte mbetur në mëshirë të fatit.
Ja ku jemi sot, këtu dhe shumë pak metra nga këtu kemi një tjetër dëshmi rrënqethëse të kësaj të vërtete, fushën e plehrave, e cila falë përpjekjes sonë dhe nënshkrimit të një marrëveshjeje shumë të rëndësishme financimi do të zhbëhet njëherë e mirë dhe edhe plehrat do të trajtohen më në fund, sipas standardeve të duhura higjienike dhe mjedisore. Vlora do të shpëtojë edhe nga një tjetër plagë shumë e rëndë e të shkuarës. Patjetër ka shumë akoma për të bërë për Vlorën dhe për të gjithë Shqipërinë, por, hera-herës nuk është keq që të kthejmë kokën pas dhe të reflektojmë mbi sesa shumë është bërë në kaq pak vite, në raport me dekadat e lënies së gjërave në rrjedhje të lirë dhe e lënies së plagëve të vjetra të tranzicionit në degradim të vazhdueshëm.
Ky është një investim i madh dhe shumë i rëndësishëm, por nuk është i fundit edhe përsa i përket përpunimit të ujërave të zeza, sistemit të kanalizimeve, sepse ne e dimë shumë mirë, që çka e pengon të gjithë vijën bregdetare të qytetit, Lungomaren, që të kthehet edhe në një vijë ranore të frekuentuar ashtu siç duhet, është fakti se prej dekadash e dekadash të tëra, ujërat e zeza të Vlorës derdhen pikërisht aty, drejtpërdrejtë në det. Pas kryerjes së investimit që tanimë po i jep në mënyrë shembullore frytet e veta në të gjithë vijën urbane të Lungomares, është koha për të nisur dhe ne do të nisim në muajt në vijim investimin për sistemimin përfundimtar edhe të ujërave të zeza, në mënyrë që vitin e ardhshëm, vija ujore dhe ranore e Lungomares të jenë përfundimisht në kushte optimale mjedisore dhe uji i detit të mos jetë më i ndotur nga ujërat e njerëzve.
Ajo që vlen të theksohet është edhe zgjatimi i të gjithë këtij procesi transformimi infrastrukturor nëntokësor në zonën e Orikumit, ku në 2-3 muajt e ardhshëm do të vihet përfundimisht në punë impianti i përpunimit të ujërave të zeza dhe sëbashku me investimet që do të bëjmë në vijimësi në të gjithë zonën bregdetare në ujësjellës dhe në kanalizime, flas këtu për të gjithë zonën e bregdetit nga Shëngjini deri në Ksamil dhe jo thjesht për zonën e bregdetit të Vlorës, si dhe me investimet e mëtejshme në energji për të gjithë zonën e bregdetit do t’i përgjigjemi në mënyrë adekuate nevojës në rritje për shërbim më cilësor turistik në të gjitha aspektet dhe rritjes së vazhdueshme në mënyrë progresive të turistëve në Shqipëri.
Kjo është njëra anë e medaljes së investimeve për Vlorën dhe për vijën bregdetare. Nga ana tjetër janë investimet në infrastrukturën rrugore. Sot, Bulevardi i Vlorës është më në fund një kantier. Rruga është ngushtuar përsëri, siç u ngushtua për Lungomaren, por është vërtet për t’u mbajtur shënim, që, ndryshe nga siç ndodhi me Lungomaren, në raport me rrugën e Bulevardit, vlonjatët janë të gjithë të heshtur dhe nuk kanë fare ankesa. Kjo tregon që kanë kuptuar që projektet duhen gjykuar në fund dhe se ne e dimë çfarë duam dhe e dimë çfarë bëjmë për ta transformuar cilësisht infrastrukturën e Vlorës. E dimë çfarë duam dhe e dimë çfarë bëjmë dhe në Bulevardin e Vlorës, që, duke e ngushtuar rrugën për makinat dhe duke zgjeruar hapësirën për këmbësorët, do të jetë një tjetër pikë referimi jo vetëm për Vlorën, por për të gjithë Shqipërinë në aspektin e zhvillimit cilësor urban dhe në aspektin e krijimit të hapësirave cilësore urbane për njerëzit.
Për të ardhur deri këtu, të gjithë kaluam segmentin e ri të rrugës së Pyllit të Sodës, por na u desh të futemi për disa qindra metra në shtegun e dhive të tranzicionit, siç e gjetëm Vlorën në të gjithë infrastrukturën e saj vetëm 4 vite e gjysmë më parë. Brenda këtij viti është në proces gare dhe pastaj do të nënshkruhet kontrata për të rindërtuar edhe segmentin rrugor nga Pylli deri tek tregu i fruta-primeve dhe në këtë mënyrë, të gjithë infrastrukturën bazike të rrugëve kryesore të qytetit e kemi të mbyllur, por na mbetet të futemi më thellë dhe të përmirësojmë infrastrukturën brenda blloqeve të banimit, në lagje të caktuara të qytetit, ku ende dhitë e tranzicionit janë të gjitha rrugëve.
Po ashtu jemi në proces për të filluar investimin për fazën e dytë të Lungomares, që aty ku ndalet sot dhe deri poshtë tek tuneli. Është një tjetër pjesë spektakolare për nga pikëpamja urbane, që do t’i zërë vendin të gjithë asaj rrëmuje që mbizotëron sot e gjithë ditën në atë zonë dhe kemi filluar po ashtu, procedurën për rrugën shumë të rëndësishme të Orikumit deri në Llogara, nga porti i jahteve deri te pika ku do të jetë edhe tuneli i Llogarasë. Ndërkohë që pjesa tjetër e rrugës, nga Radhima deri në Ujë të Ftohtë është një projekt që po e dizenjojmë sëbashku me Bashkinë e Vlorës dhe besoj do të fillojmë ta financojmë duke nisur nga viti i ardhshëm. Sikundër besoj që vitin e ardhshëm do të jemi gati për të financuar edhe shëtitoren e Orikumit, që është kaq e domosdoshme dhe kaq e munguar për kaq shumë vite.
Ma ha mendja që e gjithë kjo infrastrukturë e transformuar, sidoqoftë nuk i thotë të gjitha dhe është e paplotë në impaktin e madh ekonomik dhe social mbi Vlorën, nëse nuk llogarisim edhe aeroportin e Vlorës, që do të jetë një investim masiv në funksion të zhvillimit të ekonomisë përmes turizmit dhe jo vetëm, sepse ne i themi – dhe kështu do i themi se s’kemi si i themi ndryshe, – aeroporti i Vlorës, por në fakt, siç tregojnë edhe studimet që kemi bërë për aeroportin, siç tregojnë dhe shifrat e lëvizjes së njerëzve dhe këtu kam parasysh jo turistët e huaj, por kam parasysh shqiptarët në të gjithë zonën e jugut për në Greqi dhe për në Itali, ai do të jetë aeroporti jugut të vendit, që do të garantojë një fluks të madh udhëtarësh, do të garantojë lëvizjeje drejt Greqisë dhe drejt Italisë nga Vlora, me çmime shumë më të arsyeshme dhe në një kohë shumë më të shpejtë sesa çfarë ndodh sot. Ne e dimë sa shumë udhëtojnë vlonjatët në mënyrë të veçantë dhe sa shumë udhëtime ndodhin gjatë një periudhe kohore prej një viti nga Greqia dhe për në Greqi, gjë që do të jetë një vlerë e shtuar nga pikëpamja sociale, por edhe nga pikëpamja e fluksit të turistëve, që do të sjellë dhe një fluks të ri investimesh për sa i përket hoteleve, për sa i përket biznesit dhe të gjitha atyre investimeve që hap perspektiva e një aeroporti të ri.
Ka edhe të tjera investime dhe të tjera projekte që ne kemi për Vlorën dhe për zonën bregdetare, por dua të nënvizoj në mbyllje, se vëmendja tek transformimi mjedisor përmes investimeve që lidhen me ujërat e zeza, përmes investimeve që lidhen me përpunimin e mbetjeve, përmes investimeve që lidhen me transformimin e të gjithë zonës kryesore turistike në një pasqyrë të pastërtisë dhe të bukurisë së këtij vendi është një vëmendje e vazhdueshme, qysh prej fillimit dhe do të jetë një vëmendje e vazhdueshme dhe e pandërprerë edhe në vazhdim të mandatit tonë të dytë qeverisës.
Shumë faleminderit!