Fjala e Kryeministri Edi Rama në takimin e Kryetaret e Bashkive dhe Prefektët e vendit:
Mirëdita dhe mirëserdhët!
Mbase ju ka rënë në sy që në ditët e fundit kemi pasur disa takime me grupe dhe faktorë të ndryshëm, lidhur me sezonin turistik, i cili ende nuk ka përfunduar, por sidoqoftë besojmë që është momenti i duhur për të bërë disa komunikime, transmetuar disa konkluzione dhe sigurisht hedhur bazat për të çuar më tej punën e mirë të nisur, ku dua ta them, një rol të rëndësishëm ka pasur edhe bashkëpunimi me njësitë e qeverisjes vendore.
Pa asnjë diskutim, në pikëpamja e shifrave dhe të të hyrave në ekonomi, ky është një vit që mund të konsiderohet me plot gojën, shumë domethënës dhe që përbën një pasqyrë kuptimplotë të asaj që është arritur, por mbi të gjitha të asaj që mund të arrihet duke fokusuar përpjekjet tona tek turizmi.
Mjafton të kemi parasysh se kemi një rritje të rëndësishme të numrit të turistëve dhe afro gjysmë miliardi euro më shumë, të futura në ekonomi nga turizmi se sa vitin e kaluar.
Pa diskutim që edhe impakti në ekonominë vendore ka qenë shumë i rëndësishëm dhe sidomos gjatë muajve qershor dhe korrik, kemi parë me vëmendje se janë regjistruar një numër i konsiderueshëm biznesesh të reja dhe ka pasur një përfshirje të konsiderueshme në punë të shumë vajzave dhe djemve posaçërisht studentë, studente, nxënës e nxënëse që dua t’i përgëzoj e t’i inkurajoj për vitin shkollor që fillon, pasi kanë kaluar një eksperiencë pune me shumë vlerë.
Rritja e numrit të të punësuarve, rreth 6% ose më saktë 6.1%, krahasuar me muajin maj, në muajin qershor, në tërësi është domethënëse. Në disa zona turistike, shifrat zyrtare, shifrat formale – nuk flasim për një pjesë të tregut të punës, ku ka ende informalitet, – janë shumë domethënëse, 22% më shumë punësime në Sarandë dhe deri 7% në Vlorë dhe në Lezhë.
Po ashtu, më vjen shumë mirë të theksoj se pavarësisht ndonjë mungese ose boshllëku të paevitueshëm ma ha mendja në procesin e kontrolleve, ka pasur një rritje të konsiderueshme të shitjeve me TVSH që do të thotë, një rritje të konsiderueshme të formalizimit në procesin e transaksioneve. Saranda është përsëri me një rritje shumë domethënëse. Durrësi ka një rritje shumë domethënëse dhe po ashtu Vlora, Lezha, Shkodra e kështu me radhë.
Jemi përballë një situate ku kemi shumë për të mësuar, kemi shumë për të kuptuar sepse ajo që duket qartësisht në shifra e që reflektohet qartësisht në realitetin e përditshëm të zonave ku ka interes dhe zhvillim turistik, na tregon që kemi goxha shumë hapësirë akoma për të bërë gjërat e duhura dhe për të pasur realisht një bazë shumë të fortë të ekonomisë sonë tek turizmi.
Natyrisht që rritja e formalizimit dhe rritja e numrit të shitjeve me kupon do të thotë edhe më shumë të ardhura për njësitë vendore dhe patjetër do të thotë edhe më shumë investime për to, por nga ana tjetër dua të theksoj, dhe nuk dua këtu të bëj polemikë, më vjen shumë keq që një pjesë e kryetarëve të bashkive të opozitës, sot nuk janë të pranishëm. Kryetarët e bashkive të PD nuk janë të pranishëm, ndërkohë që këtu flasim për një temë që është një temë e interesit të përbashkët, nuk ka pasur e nuk do ketë absolutisht asnjë ndarje në këtë aspekt të natyrës politike dhe shembulli i atij sipërmarrësit në Velipojë që tha shprehimisht se reduktimi i taksës nga 20% e TVSH-së në 6%, ka qenë një ndihmë shumë e madhe, por nga ana tjetër asnjë lopatë asfalt nuk ka për të, – është një kambanë për bashkinë e Shkodrës, por secili mund të gjejë ose mund të dëgjojë kambana të tilla në të gjithë territorin.
Ajo që unë them dhe duke e pasur dhe eksperiencën e bashkisë, duke pasur edhe vetëdijen se sa shumë nga nevojat tuaja dhe se gjithmonë nevojat janë më shumë se sa mundësitë, është që duhet të shikojmë bashkërisht mundësinë për të bërë ndërhyrje të zgjuara në mënyrë të vazhdueshme e për të mos spostuar investimet për qëllime të tjera, qoftë dhe të natyrës banale, elektorale, për një rrugë që nuk ka impaktin që kanë ndërhyrjet e infrastrukturës, në infrastrukturën turistike.
Më tutje, dua të theksoj vendosmërinë për të vazhduar bashkërisht punën në dy aspekte. Në aspektin e rritjes së investimeve në infrastrukturën turistike. Një program i ri i rëndësishëm për ujësjellësit nis së shpejti dhe do të jetë i gjithi i fokusuar tek turizmi. Nga ana tjetër, do t’ju lutesha shumë e do t’ju përgjërohesha që të fokusoheni tek agroturizmi, sepse më lejoni t’ju them, është e pamundur, është e pajustifikueshme, është e papranueshme, që ndërkohë që potenciali për agroturizmin është kaq i madh e të ardhurat që agroturizmi sjell për njësitë vendore janë potencialisht kaq të mëdha, ne detyrohemi të shtyjmë, të anulojmë e të ri përsërisim thirrjen për aplikime, për agroturizëm, për të dhënë para, grant për familjet e për sipërmarrësit. Është e pakonceptueshme, në vend që të kemi problemin që ju të vini e të na trokisni e të ankoheni se granti duhet të jetë më i madh, se ka më shumë aplikime, se ka nevojë për më shumë para, ne patëm problemin që nuk patëm aplikime nga bashkitë tuaja, kur them bashkitë, kam parasysh subjektet në bashkitë tuaja. Ndërkohë që absolutisht, në çdo bashki të Shqipërisë ka potencial të madh për agroturizëm dhe ju e dini vetë këtë punë. Ju e shikoni vetë. Më tregoni një bashki në Shqipëri që nuk ka turistë të huaj, një. Më tregoni një copë Shqipërie që nuk është atraktive për vizitorët e huaj. Nuk ka një. Atëherë?
Agroturizmi është një përgjigje spektakolare, qoftë për të luftuar varfërinë, qoftë për t’i dhënë një rrugë atyre zonave dhe atyre komuniteteve dhe atyre familjeve në fshat që nuk mund të zhvillojnë dot bujqësi intensive, nuk mund të merren dot me eksporte të volumeve të mëdha, që nuk kanë akses të lehtë në treg për shkak të pozitës gjeografike, për shkak të rrugës, sepse nëse për produktet bujqësore është dalja e fermerit në treg, për agroturizmin është ardhja e turistit tek fermeri. Pra, nuk ka asnjë filozofi të veçantë dhe asnjë shkencë të veçantë për të kuptuar këtë. Ju lutem, e ne jemi në dispozicion, pa dallim, nuk ka intereson fare ngjyra politike. Na intereson vetëm kjo. Të mbështesim aplikimet në agroturizëm dhe kini parasysh që thirrja e dytë pati një përmirësim, por ndërkohë në vjeshtë hapet thirrja e programit të Komisionit Europian dhe kemi aty jo pak, por rreth 75 milionë euro nga të cilat 11 milionë euro janë vetëm për agroturizëm, për bujtina, për hotele turistike në fshat, ndërkohë që duhet t’jua përcillni njerëzve dhe faktin që ka një ndryshim, ka një paketë komplet të re fiskale për agroturizmin, është vetëm 6% TVSH-ja. Është vetëm 5% tatim-fitimi. Nuk ka taksë për infrastrukturën, nuk ka taksë për pronën. Pra është një mundësi fantastike dhe për emigrantët për të investuar në agroturizëm në shtëpitë e tyre në fshat e kjo do të na ndihmojë jashtëzakonisht shumë.
Më tutje, dua të theksoj që edhe falë bashkëpunimit me ju, kemi pasur një sezon turistik më të pastër, por prapë jemi shumë larg, jemi shumë larg pastërtisë që na duhet në këtë vend për të qenë në lartësinë e duhur. Jemi shumë larg dhe është vërtetë e patolerueshme që për gjëra nganjëherë të vogla, ne të bëhemi gazi i botës në aspektin e pastërtisë. Do të punojmë me mësimet e nxjerra nga ky sezon, por unë do dëshiroja që kryetarët e bashkive, sidomos të zonave bregdetare ku ka një rritje të madhe të numrit të turistëve gjatë verës dhe ku është e pamundur që me forcat e bashkisë, me taksat e bashkisë të përballohet gjithë ai fluks, të jenë shumë më të vëmendshëm dhe shumë më aktivë edhe për të propozuar zgjidhjet e duhura në mënyrë që ne të kemi pastërti, të mos kemi grumbullime plehrash e të mos kemi mbeturina rrugëve gjatë sezonit turistik. Ndërkohë që jemi të gjithë të vetëdijshëm që kemi të bëjmë dhe me një problem të madh të trashëguar të vetë njerëzve që i hedhin mbeturinat ku tu dali e ku të munden, por të paktën ta bëjmë pjesën tonë edhe shumë më mirë se sa e bëmë këtë vit.
Është vërtetë e udhës që të reflektojmë edhe mbi festat, mbi festat lokale, mbi gjithë aktivitetet kulturore, artistike, sportive që ishin një risi e këtij sezoni. Kemi pasur rreth 500 aktivitete, por mund të kemi shumë më tepër dhe festat lokale, festat e fshatrave, festat e komuniteteve, sipas gjithë atyre elementëve të traditës mund të jenë shumë më tepër dhe ju takon ju t’i nxisni, t’i organizoni e pastaj të kërkoni dhe mbështetjen tonë, ne jemi të gatshëm. Por ajo që është më e rëndësishme është që festat janë një mundësi për komunitetet, për fermerët, për fshatin, për biznesin për të bërë para, për të shitur produktet e tyre tek turistët. Ndërkohë edhe një element tjetër për të cilin duhet menduar sot për vitin e ardhshëm është krijimi edhe i eventeve tradicionale siç ka pa fund në Itali, në Francë, në Spanjën, në Portugali, në gjithë Mesdheun. Evente, çmime të dedikuara të bashkive për fusha të caktuara për personalitete të caktuara të zonës apo për personalitete të vendit apo për personalitete të huaja që kanë një lidhje të caktuar me atë zonë, me atë qytet, janë evente ku mblidhen njerëz, janë evente ku promovohet qyteti, ku promovohet bashkia, ku promovohet tradita, ku promovohet historia, e kështu me radhë. Na duhet të bëjmë më shumë akoma përpjekje për të pasur më shumë ide e për të pasur më shumë organizim në këtë aspekt.
Dua ta mbyll, duke nënvizuar edhe një herë faktin se ne jemi shumë të vetëdijshëm për mangësitë ende jo të vogla të infrastrukturës. Për mangësitë ende jo të vogla të sistemeve të furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe nga kjo pikëpamje kemi pasur sezonin më të mirë. Ka qenë i pari sezon turistik ku në plazhin e Durrësit nuk ka pasur ujëra të zeza në det. I pari, historik, për shkak se projekti i madh i ujësjellës kanalizimeve të Durrësit është në një proces të avancuar dhe zona e plazhit është mbyllur.
Ka qenë i pari sezon turistik ku një sërë njësish hoteliere pasi kemi vendosur detyrimin për të vendosur depuratorët, pra për të mos derdhur ujërat e zeza në det, kanë instaluar depuratorët, por ka ende shumë që nuk i kanë. Kemi problem të madh ende me njerëzit, me qytetarët, me të drejtë, për administrimin e rërës, kemi situata të pa tolerueshme si në Lezhë ku rërës i kanë dalë pronarë. Rëra është kthyer, ju është kthyer pronarëve dhe në letrat përkatëse thuhet se i kthehet X-it se dikur gjyshi mbillte hudhra apo i kthehet Y-it se dikur kooperativa mbillte qepë, në rërë! Aty është një ekstrem me të cilin ne do merremi. Ministri i Turizmit është i ngarkuar për të bërë një padi penale të përgjithshme dhe për ta çliruar rërën, por ama kemi situatat të tjera në vijën bregdetare ku kemi konflikte për mënyrë se si administrohet rëra e plazhit. Natyrisht kjo nuk është çështje e qeverisë pavarësisht se ne i marrim të gjitha ankesat, është çështje e bashkive, por këtu duhet të bëjmë shumë kujdes e të kemi shumë vëmendje që të kemi një plan përpara, të qartë, transparent e të kemi rregull, ndarje të qartë midis zonave private, midis zonave publike e midis vetë privatëve.
Është e kotë që të vazhdojmë të themi se sa më mirë është, se ç’ishte se kjo dihet, këtë e dinë të gjithë, por e rëndësishëm është të themi se sa më mirë mund të jetë akoma në krahasim me çfarë është. Unë duke e mbyllur dua t’ju ftoj të gjithëve që të bëni reflektimet tuaja lidhur me sezonin, të nxirrni konkluzionet tuaja që janë konkluzione edhe më të thella se ato tonat sepse ju jeni në terren përditë dhe të bëni propozimet tuaja e kërkesat tuaja pa humbur kohë për sezonin e ardhshëm, pavarësisht se në qershorin e ardhshëm janë zgjedhjet. Shumë nga ju mund të jenë në fushatë, të tjerë mund të mos jenë, kjo nuk ka rendësi, përgatitja për sezonin duhet të bëhet e të fillojë sa më parë. Me këtë eksperiencë që kemi krijuar, me këto që kemi parë, me të mirat që kemi vënë re dhe që duhet ti konsolidojmë dhe me të metat e boshllëqet dhe defektet dhe gabimet që na takon të adresojmë për t’i korrigjuar.
Falenderoj edhe prefektët për punën që kanë bërë, janë këtu të pranishëm, në bashkëpunim me kryetarët e bashkive.
Dua t’ju siguroj të gjithëve pa përjashtim pa asnjë dallim politik, se ne jemi në dispozicion dhe e vetmja gjë që duam, është që të bëjmë maksimumin për çdo komunitet, për çdo bashki e të forcojmë sa të mundemi këtë komponent të ekonomisë sonë që është turizmi, një komponent jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Këtu mbaron fjala ime dhe me shumë vëmendje dhe kënaqësi jemi në dispozicion për të dëgjuar prej jush nëse ka shqetësime, sugjerime, gjëra për të tërhequr vëmendjen tonë.