Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Kryeministri Edi Rama, në Tushemisht, Pogradec për projekte konkrete të  Programit “100 fshatra”:

Përshëndetje! Nuk mbetet shumë për të thënë. Prezantimet e bëra ishin goxha shteruese lidhur me bazat që tanimë janë hedhur për të çuar përpara programin e 100 fshatrave me projekte konkrete. Ndërkohë që, ne kemi dedikuar dhe një buxhet të posaçëm për këtë program, përtej buxheteve që do të vendosen edhe nga ministri të ndryshme sipas zonës së përgjegjësisë dhe tani jemi në fazën kur duhet t’i zhvillojmë këto projekte me një rend të caktuar prioritetesh.

Projekti që sapo u prezantua në mbyllje është një projekt i jashtëzakonshëm për nga ambicia edhe për nga potenciali.

Sigurisht që ka nevojë për shumë më tepër detajime, ka një hark kohor ekzekutimi të shtrirë në më shumë se sa një vit padiskutim dhe nga ana tjetër, duke qenë se ne kemi pasur paraprakisht një diskutim për këtë projekt, dua të nënvizoj se kemi rënë dakord edhe me arkitektët e urbanistët e angazhuar që projekti i sapo prezantuar të jetë pjesa fundore e një zhvillimi që duhet të lidhë, jo vetëm aksin që sapo u pa këtu të shëtitores, por shëtitoren nga hyrja në Pogradec, deri këtu. Pra të kemi një Lungogjol, siç e ka pagëzuar i paepuri Eduard Shalsi, që të karakterizojë fort nga pikëpamja e identitetit turistik të gjithë bregun e anës sonë të liqenit, duke pasur parasysh pastaj edhe faktin që një segment i posaçëm, natyrisht i shkëputur, i kësaj linje identitare do të jetë dhe segmenti që do të ndërtohet në Lin.

Për sa i takon të tjerave, thashë që jemi në një proces shumë kreativ, shumë intensiv, është bërë një punë jashtëzakonisht voluminoze nga akademia e 100 fshatrave dhe tani nuk mbetet gjë tjetër, veçse këtë punë ta avancojmë konkretisht duke krijuar në çdo aspekt të programit, modelet, prototipet dhe pikat e referimit që do të krijojnë gravitet të ndryshme për të garantuar një ecuri të programit që të marrë atë trajtën e kërkuar të një rilindjeje rurale të shtrirë në të gjithë komponentët e zhvillimit të qëndrueshëm rural.

Në mbyllje, dua t’i falënderoj të gjithë ata që u angazhuan në prezantime këtu e të gjithë ata që pavarësisht se nuk janë këtu, janë angazhuar në akademinë e 100 fshatrave. Jam shpresëplotë që sëshpejti, ne do të rikthehemi, jo më për të prezantuar projektet, por për të nisur realizimin konkret të tyre sipas pikave që do të përcaktohen si pikënisje e këtij programi në të gjithë fshatrat.

Ajo që është e rëndësishme të kuptohet është që, së pari, ky nuk është një program i zakonshëm. Së dyti, nuk është një program ndërtimi rrugësh rurale, por është një program energjizimi i të gjitha atyre pikave dhe të gjithë atyre komponentëve që e bëjnë të veçantë fshatin shqiptar dhe që përkthejnë ambicien tonë për të pasur një zhvillim turistik të shtrirë në Shqipërinë rurale në destinacione konkrete për arsye të mirëfillta të eksplorimit në shumë dimensione të organizmit shumë të pasur të Shqipërisë.

Shumë faleminderit edhe një herë të gjithëve dhe i siguroj të gjithë ata që na ndjekin këtu e që janë qytetarë të kësaj zone, të Pogradecit, se përndryshe nga sa mund të duket për shkak se ne nuk kemi edhe drejtimin e bashkisë së Pogradecit, kemi qenë e jemi shumë të vëmendshëm dhe shumë të angazhuar që, jo vetëm kjo zonë e bekuar të mos mbetet mbrapa, por përkundrazi dhe rruga e hyrjes në Pogradec është vetëm një shprehje e këtij angazhimi, ndërkohë që të gjitha këto projekte presin edhe fundin e qershorit për të marrë dhe atë si të thuash fuqinë e domosdoshme ekzekutive të një sinergjie të re, mes qeverisë dhe pushtetit vendor. Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.