Sistemi i ujësjellës-kanalizimeve në Librazhd, pas më shumë se 40 vitesh pa asnjë investim po rinovohet i gjithi falë programit kombëtar “Ujë 24 orë”.
Kryeministri Rama inspektoi këtë kantier të hapur të ujit në qytetin e Librazhdit, për të parë punimet që po kryhen në të gjithë rrjetin e shpërndarjes.
Programi “Ujë 24 orë” përmbyll rindërtimin me themel të infrastrukturës për furnizimin me ujë të pijshëm e me cilësi, si edhe kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza. “Më vjen shumë mirë që po shkojnë drejt përfundimit shumë punë në shumë kantiere. Janë 120 e kusur kantiere të hapura sot në gjithë territorin e Shqipërisë. Objektivi është që brenda vitit 2021, të gjitha zonat urbane të kenë ujë 24 orë dhe në ndërkohë ka filluar shtrirja edhe drejt njësive të mëdha administrative në zonën rurale. Është një përmbysje e një historie dhjetëravjeçare të ndërtimit të ujësjellësve një tufë këtu një tufë atje, dhjetë vota këtu, dhjetë vota atje”, – u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi se do t’i jepet fund historisë 50 vjeçare të mungesës së ujit në rubinetat e çdo familjeje nga Bajram Curri në Konispol. “Në aktin normativ që kemi aprovuar në qeveri ditën e mërkurë, kemi një volum të madh financimi tjetër për ujësjellësat dhe kam bindjen që ky është mandati i fundit i një qeverie në këto 30 vjet ku do të mund të diskutohet akoma uji i pijshëm për zonat urbane në tërësi e ndërkohë do vazhdojë shtrirja edhe në zonat rurale ku ka filluar dhe ka pjesë të tëra të tyre që ka furnizim. Mos harrojmë që uji i pijshëm me sistem nuk ka qenë asnjëherë në historinë e Shqipërisë në gjithë territorin dhe sigurisht këto kanë kërkuar kohën e tyre, por është interesante shumë kur thonë, pse akoma flisni për ujin. Ne nuk flasim për ujin sepse kemi dëshirë të flasim për ujin, por flasim për ujin sepse është pjesë e asaj trashëgimie të llahtarshme që ne morëm para 7 vitesh. E nëse të tjerët nuk e bënë për 30, 40 e për 50 vjet, dikush duhet ta bëjë. Ne po e bëjmë dhe fushatat e ardhshme nuk do jenë më fushata ku do shkohet nëpër qytete e do thuhet këtu do ju sjellim ujin, sepse uji do jetë 24 orë për të gjithë nga Bajram Curri deri në Konispol”, – theksoi Kryeministri.
Sistemi i ujësjellës – kanalizimeve i Librazhdit nga një rrjet krejtësisht i amortizuar, ndërtuar në vitet ‘70-të, po transformohet në 43 kilometra rrjet të ri të brendshëm ujësjellësi dhe sistem kanalizimesh, me 12 kilometra linjë kryesore e dytësore, sipas standardeve bashkëkohore, monituar në kohë reale nëpërmjet sistemit modern SCADA.