Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare:
Seanca e projektbuxhetit është një seancë ku rregullisht çdo vit kur vjen radha e këtij diskutimi, kryeministri i radhës thotë se sa i mirë, se sa më i mirë se herë të tjera, është projektbuxheti i ri.
Unë sot nuk dua t’ju them se sa i mirë, apo se sa më i mirë, është ky projektbuxhet.
Dua vetëm të vendos përpara syve që duan të shohin një pasqyrë besnike të realitetit të këtyre dy viteve;
Ku ishim dy vite më parë, përpara se sa të sillnim këtu projektbuxhetin e parë të kësaj shumice qeverisëse dhe ku jemi sot, kur po paraqesim projektin e vitit të tretë buxhetor të mandatit tonë qeverisës.
E di që ka njerëz që e kanë zët të dëgjojnë se ku ishim dy vite më parë. Ka të tjerë që duan të dëgjojnë se ku jemi me zotimet tona, jo në krahasim me paraardhësit tanë. Ka të tjerë akoma që duan të dëgjojnë se ku mbërrijmë kështu si po ecim dhe mbi të gjitha, kur do të mbërrijmë aty ku duam. Mirëpo, të gjitha këto janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe cilido që do të përqendrohet vetëm te njëra pikë e ka të pamundur të mbërrijë në një përfundim pak a shumë të vërtetë për të gjykuar të sotmen dhe parafytyruar të nesërmen. Prandaj do të mundohem t’i lidh gjërat bashkë në këtë pasqyrë për t’ia lënë pastaj secilit vlerësimin e besnikërisë së pasqyrës.
Sigurisht, ka dhe plot njerëz që s’duan hiç të dëgjojnë por as unë dhe askush s’ka të drejtë t’ua mohojë këtë të drejtë. Si mund t’ua mohojmë në fakt të drejtën kundërshtarëve që të gënjejnë për borxhin, të shpifin për të ardhurat, të akuzojnë për punësimin, të sajojnë për të varfrit, apo të llafollogojnë për të ikurit?! Por natyrisht që s’mund t’i përdorin pehlivanllëqet propagandistike të atyre që s’duan t’u referohen të vërtetave për t’i dhënë të gjithë thellësinë e nevojshme pasqyrës së realitetit të gjërave, të fakteve, shifrave.
Si mund t’ia mohojmë, fjala vjen, dikujt të drejtën t’u thotë shqiptarëve: “Ngrihuni në revolucion, sepse këtë vit janë vjedhur çdo ditë 1 milion dollarë nga doganat dhe tatimet”?! Por, sigurisht që, s’mund të mos e përdorim këtë thirrje për t’u treguar shqiptarëve të vërtetën se këtë vit janë mbledhur shumë më shumë të ardhura se vitin e shkuar, dhe ende më shumë akoma se në të gjitha vitet e qeverisjes së kundërshtarëve tanë të marra së bashku. Faktikisht, vitin e shkuar u mblodhën më shumë të ardhura se në 5 vitet paraardhëse të mbledhura së bashku.
Është fakt po ashtu se për këtë vit kishim parashikuar të mblidhnim më shumë se sa ç’po mbledhim. Por pse parashikimi ynë nuk u realizua;
Së pari, të ardhurat tatimore mesatare, në raport me Prodhimin e Brendshëm Kombëtar për periudhën 2006-2013 janë 23.3% dhe 23.1% nëse nuk përfshijmë vitin e famshëm 2008 kur u hap edhe gropa e madhe në arkën e shtetit shqiptar me gjithë atë procedurë, ende sot për t’u gjykuar nga drejtësia, që çoi në ndërtimin e Rrugës së Kombit.
Në periudhën 2009-2013 treguesi shkon në 23%, duke arritur në vitin 2013 minimumin prej 22.2% të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar.
Në vitet 2014, 2015 të ardhurat tatimore në raport me Prodhimin e Brendshëm Kombëtar janë 24% e këtij prodhimi. Kjo është besoj më e rëndësishme për t’iu afruar të vërtetës se sa shifrave nominale, më shumë sesa në të gjithë vitet e qeverisjes së mëparshme të marra së bashku.
Në vitet 2014-2015 të ardhurat shtesë në krahasim me 2013-ën janë 598 milionë dollarë, pra më shumë se gjysmë miliardi dollarë. Nëse nga viti 2008 në vitin 2013 të ardhurat janë shtuar me rreth 359 milionë dollarë është shumë e thjeshtë të bëhet krahasimi.
Të ardhurat nga tatimet-doganat për periudhën 2014-2015, – me 2015 kuptojmë deri tani, -janë 330 milionë dollarë më të larta.
Jemi në kushtet kur krahasimi me ku ishim është fare i qartë.
Nga ana tjetër, i detyrohem shqiptarëve edhe njëherë një shpjegim pse parashikimi nuk u realizua. Ka një sërë faktorësh që do t’i rendis, të cilët nuk kanë lidhje as me qeverinë shqiptare as me administrimin e tatimeve e doganave.
– Rënia e çmimit të karburanteve në bursat ndërkombëtare. Kjo gjë ndodhi gjatë këtij viti dhe askush nuk mund të ngarkojë me përgjegjësi qeverinë, apo shumicën qeverisëse në Parlament që nuk parashikoi një rënie në bursë të çmimit të karburanteve.
-Rënia e të ardhurave nga renta dhe të ardhurat nga Tatimi i Vlerës së Shtuar për importin e karburantit dhe gazit të lëngët, pati një efekt në parashikimin tonë prej 42 milionë dollarësh.
-Përgjysmimi i importit të energjisë eklektike, edhe ky me një efekt të konsiderueshëm për periudhën janar-tetor prej 16 milionë dollarësh më pak në të ardhura, por sigurisht një e dhënë pozitive sa i përket miradministrimit të burimeve tona të energjisë.
-Rënia e sasisë së importit të cigareve, ishte një rënie më e madhe sesa parashikimi ynë i mëparshëm kur vendosëm me vetëdije të rrisim akcizën për të dekurajuar konsumin e duhanit dhe efekti është 35 milionë dollarë më pak në raport me parashikimin.
-Politika jonë e rritjes së përjashtimeve, me qëllim stimulimin e sipërmarrjes pas heqjes së taksës për importet e makinerive, mbi barnat, si dhe rimbursimet e akcizës për industrinë e peshkimit me efekt 13 milionë dollarë.
-Rënie të sasive të importit të fruta-perimeve për shkak të rritjes së prodhimit vendas përtej parashikimeve tona, si rezultat i procesit të ndryshimit të modelit tonë ekonomik që stimulon rritjen e ekonomisë prodhuese dhe edhe kjo ka një efekt të konsiderueshëm në të ardhurat buxhetore, por ka një efekt të konsiderueshëm pozitiv në ekonominë tonë.
Këtyre faktorëve gjatë 2 muajve të fundit i është shtuar edhe efekti i rënies së kursit të këmbimit të euros me lekun që do të sjellë më pak të ardhura për njësi për mallra që importohen nga vende të zonës së euros.
Pra në tërësi, duhet gjetur një arsye më e mirë për të luajtur luftash me qeverinë. Me siguri ka më shumë se një arsye për ta bërë këtë edhe me këtë qeveri, por s’është detyra ime t’i gjej se cilat janë arsyet. Unë thjesht mund të tregoj se cilat nuk janë dhe kjo e propagandës së shfrenuar, shpifëse dhe gënjeshtare për t’u treguar shqiptarëve një të pavërtetë të madhe se rënia e të ardhurave nga parashikimi, jo nga fakti konkret se të ardhurat janë rritur ndjeshëm edhe këtë vit, sipas kundërshtarëve tanë, sepse këto para vidhen, është tërësisht e pavërtetë.
Ne s’mund t’ia mohojmë askujt të drejtën që të na qepet pas edhe me ulërima duke na u kundërvënë për gjoja rritjen e borxhit, a thua se po e mban vetë në kurriz të tërë barrën e borxhit të Shqipërisë, por padyshim nuk mund të prekemi nga të tillë lotë krokodili, ndërkohë që faktet flasin troç për këdo që ka dëshirën t’i dëgjojë.
Faktet flasin se borxhi i marrë në këto 2 vite është ulur ndjeshëm, në raport të atë të 4 apo 8 viteve që pararendën ardhjen tonë në detyrë.
Në këta 2 vjet janë marrë borxh vetëm 2.8% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Faktet flasin se në asnjë prej 8 viteve që i paraprinë ardhjes tonë në detyrë, borxhi i marrë nuk është ulur nën 3% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Mesatarja e atyre 8 viteve është 4.2%, pa llogaritur detyrimet të prapambetura që u kthyen në një borxh të fshehur dhe përfshirë borxhin e fshehur, mesatarja mbërrin në 4.6% borxh çdo vit, në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar. Është më shumë se dyfishi i faktit të cilit kundërshtarët i janë qepur me qëllimin që të krijojnë pakënaqësi, madje edhe panik.
Ndërkohë që me këtë projekt që sot do të miratojmë për vitin 2016 borxhi do të ulet në një minimum historik 2.2% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Me çmimet e 2014-ës kjo do të thotë konkretisht që ne kemi borxh vetëm 280 milionë euro në vit, ndaj mesatarisht 460 milionë eurove në vit që u morën borxh në 8 vite.
8 vitet që e çuan kërcënimin serioz të stabilitetit makroekonomik të vendit në kulm, e që krijuan të gjithë mishmashin fiskal që e trashëguam 2 vite më parë.
Këtë vit, 2015-ën, kostoja e borxhit u ul në 2.8% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, krahasuar me një kosto që në mesataren e vet në 8 vjet ka qenë 3.2%. Janë shifra kokëforta që flasin vetë, sepse të gjithë këta të cilët vetëm flokët kanë lënë pa shkulur në publik për t’i dhënë emfazë maksimale kujës së tyre propagandistike për borxhin, janë thjesht një çetë spekulantësh që kanë vetëm një qëllim: “shpif, shpif, shpif, gënje, gënje, gënje, akuzo, akuzo akuzo, se diçka do të mbetet”. Por, sigurisht, që notën për punën serioze që kemi bërë ne me borxhin dhe për vënien nën kontroll të llogarive të shtetit, nuk mund ta vënë dot jo vetëm kundërshtarët e verbuar nga gjakimi për pushtet, por as ne vetë që në fakt s’kemi pse e marrim këtë mundim, për t’i vënë notë vetes, pasi mjafton t’i referohemi këtu agjencive ndërkombëtare të vlerësimit, të cilat ia kanë rritur notën Shqipërisë dhe po ashtu t’i referohemi provës për vërtetësinë e kësaj note pozitive që u shndërrua në interesin e lartë të investitorëve për eurobondin.
Më duhet të nënvizoj gjithashtu rëndësinë e faktit se çfarë do të bëjmë ne me borxhin, -jo se kjo do t’u mbyllë gojën llafollogëve që flenë djathtas, gdhihen majtas e pas drekës nuk ngrihen dot nga gostitë sa majtas-djathtas të cilat përfundojnë me bejte social-ekonomike në një mexhelis ku mjafton një sy xhami për t’u dukur largpamës mes qorrave që këqyrin punët e ekonomisë, – por sepse ka një shifër që flet troç, që bërtet, që thotë se ne kemi shpenzuar për investimet publike, dyfishin e borxhit që kemi marrë, ose mbi 5% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar.
Nuk duhet një diplomë në ekonomi për të kuptuar se ndryshe nga 8 vite rresht kur Shqipëria dhe shqiptarët jetonin me borxhe që nuk kishin kapacitetin t’i paguanin, sot borxhi jo vetëm është nën kontroll, por sasia e investimeve publike është sa dyfishi i borxhit të marrë.
Për t’i parë investimet duhen sy, jo xhama në vend të syve.
Pretendojnë kundërshtarët e politikave tona se niveli i borxhit në shtatorin e 2013-ës paska qenë 64.6% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Por harrojnë, – ose bëjnë sikur harrojnë, sepse në tërësi bëjnë vetëm sikur, jo vetëm për borxhin, por për të gjitha ato për të cilat flasin e paguhen këtu nga taksat e popullit, -dy detaje të vockla, por me peshë të madhe: 99.8 milionë dollarë fatura të regjistruara në sistemin e Thesarit, por të palikuiduara nga mungesa e likuiditetit, – me të cilën u përballën si mos më keq në periudhën e fundit të sundimit të tyre rrënues për ekonominë, dhe 720 milionë dollarë borxhe të fshehura. Me këto dy detaje në vëmendje, niveli real i borxhit në shtator të 2013-ës nuk ishte 64.6%, saç e shkruanin dhe e deklaronin, por 70.5%.
Ne nuk e rritëm borxhin nga 64.6% në 70.5%, ne e legalizuam, sepse ne nuk mund të vazhdonim politikën e pushtetit të dhunshëm në raport me kontraktorët e vetë. Ne nuk mund të hynim në procesin e shtetndërtimit, ku kemi hyrë, duke u kërkuar shqiptarëve një për një detyrimet pa shlyer më parë detyrimet që shteti u kishte atyre të cilët në 2013-ën u gjendën të bllokuar, pasi me kontratat e marra për punët dhe shërbimet shkuan nëpër banka, financuan dhe shërbimet publike duke marrë kredi nga bankat dhe erdhën në momentin kur nivelin e kredive të këqija e çuan në tavanin kërcënues 25% dhe kur bankat nuk jepnin më kredi.
Pra, i gjithë zinxhiri i ekonomisë dhe i financimit të ekonomisë u bllokua. Kështu që atë llogarinë e rritjes së borxhit e kemi shumë të thjeshtë. Rritja e borxhit është rezultat i njohjes së borxhit, nga një qeveri që vendosi që ditën e parë parimin që të punojë e të shërbejë më forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës. Forca e shembullit detyrimisht duhej materializuar në radhë të parë tek pagesa një për një nga ana e shtetit e detyrimeve që iu kishte kompanive, apo individëve, të cilët deri në shtator 2013 i kishte trajtuar si pengje. Pengje zakonisht marrin organizata të një profili tjetër, jo qeveritë. Sjellja e qeverisë si organizatë e një profili tjetër, nuk ka lidhje fare me një Republikë që vepron në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe të zgjedhjes së lirë të popullit të vet.
Edhe dy fjalë për të shkuarën dhe të ardhmen në këtë aspekt.
8 vitet famëkëqija të rrumpallës në librat e llogarive të shtetit e çuan nivelin e borxhit, – dhe këtë dëshiroj ta nënvizoj, – nga 468.1 miliardë në 2005-ën, në 956 miliardë në 2013-ën. Pra një rritje e borxhit, 103%. Mbi atë borxh 103% e gjithë ngrehina e ekonomisë shqiptare ishte e kërcënuar nga shembja.
Niveli i borxhit në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar shkoi nga 57.4 në 2005, në 70.5 % në 2013. 13 pikë përqindja e rritjes e borxhit në 8 vjet. Duhet një pafytyrësi lapidare që pasi ke bërë këtë të dalësh në mexhlis dhe të kërkosh llogari për atë që ke bërë vetë. Ka vetëm një ndryshim, nga i fshehur doli në dritën e diellit. Ne nuk jemi përgjegjës pse nxorëm në dritën e diellit një mëkat që ju e mbanit të fshehur.
Ndërsa kostoja e interesave të borxhit nga 26 miliardë në 2005, kërceu në 43.3 miliardë në 2013. Pra, kostoja e interesave të borxhit që është pjesa tjetër e problemit kërceu në 66%.
Kështu që, duhet ajo lloj pafytyrësie që mund ta ketë vetëm politika e konceptuar si fuqi për të gënjyer, shpifur, akuzuar dhe si mjet për të goditur, prishur dhe rrafshuar me një qëllim të vetëm, le të shkatërrohet dhe pastaj të na vijë rradha mbi gërmadha.
Duhet kjo pafytyrësi që të bërtasësh sot për rritje borxhi, kur deri dje, e çove borxhin në kufirin e kërcënimit të stabilitetit makro-ekonomik të vendit dhe të shkatërrimit të perspektivës të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe sociale.
Por kjo është e shkuara, sic është shkuar dhe partia që ka zënë vendin e opozitës në këtë sallë. Politika jonë me borxhin dhe projekti ynë për periudhën 2016-2019 është ulja e vazhdueshme e borxhit drejt nivelit 60 %.
Por ne nuk jemi as gërshërologë shiritash elektoralë, as mllefologë ligjërimesh ndërelektorale. Kjo do të thotë se ne jetojmë ditë-natë me problemet reale të vendit, në një përpjekje të pandërprerë për t’i lidhur politikat tona me realitetin, me qëllimin që çdo problemi t’i japim zgjidhjen e duhur, pa mbetur për asnjë çast peng i përkufizimeve ideologjike të politikave tona, me koston që problemet, jo vetëm të mos zgjidhen, por siç ka ndodhur në të shkuarën të gjenerojnë probleme të tjera.
Prandaj është e kuptueshme që përderisa trajektorja e uljes së borxhit është e varur nga zhvillimet e rritjes ekonomike, e ndikueshme dhe nga të gjithë faktorët e brendshëm ose të jashtëm që lidhen me rritjen ekonomike, edhe trajektorja e uljes së borxhit nuk do të jetë një qëllim në vetvete, por pjese e operacionit kompleks të shërimit të organizmit të ekonomisë sonë, që e gjetëm të kancerizuar, në të gjithë aspektet dhe me metastaza në të gjithë sektorët.
Nëse dikush do të çohet dhe do të thotë një sektor të vetëm të ekonomisë që nuk ishte i prekur nga metastazat e këtij kanceri të verbërisë së pushtetit dhe të qëndrimit në pushtet me çdo kusht, atëherë mund të hapet ndonjë diskutim.
Ne, në vitin 2016 do të përmirësojmë me këtë projekt që kemi këtu përpara, deficitin primar. Që do të thotë se për herë të parë pas vitesh të tëra ne nuk krijojmë borxh të ri për shqiptarët. Deficiti primar në vitin 2013 ka qënë minus 2%. Pra, përveç rritjes së vazhdueshme të borxhit, rritjes së vazhdueshme të kostos së interesave të borxhit, çdo vit ishte akumulim i një borxhi të ri për shqiptarët.
Viti 2016 bazuar në programin e miratuar bashkërisht me FMN, pra një dokument që nuk është unilateral i yni, por që ka një palë, kompetenca dhe transparenca e së cilës në këtë aspekt, as nuk mund të vihen në dyshim, – do të jetë një vit i parë me suficit primar, plus 0.3%.
Nëse ne nuk do të kishim marrë si barrë që ditën e parë borxhet e papaguara 720 milionë dollarë, për të cilat në vitin 2014 buxheti financoi 2.4% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar do të rezultonim me suficit primar, që në vitin tonë të parë të qeverisjes, që në 2014. Sepse filozofia jonë dhe politikat tona në raport me borxhin dhe deficitin, na ndajnë siç ndan dita natën. Sepse vizioni ynë për zhvillimin dhe rritjen e qëndrueshme ekonomike na ndan siç ndan dita natën. Sepse nëse ju i jepnit vetes të drejtën që të merrnit vazhdimisht borxh, në emër të shqiptarëve, jo për të zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme ekonominë dhe për të rritur fuqinë e strukturave sociale të shqiptarëve, por për të zgjatur jetën e pushtetit tuaj, ne kemi parasysh njerëzit e zakonshëm dhe vetëm ata, kur mendojmë për borxhin. Kemi parasysh se edhe nëse një politikë dritëshkurtër dhe afatshkurtër, mund të marrë votën e një prindi të dëshpëruar, kjo është një politikë që mbyt të ardhmen e fëmijës së atij prindi.
Kjo do të thotë që në vitin 2016 qeveria do të mbledhë në buxhet, më shumë të ardhura se sa financon për nevoja korente dhe shpenzime kapitale, përjashtuar pagesat e borxheve të kaluara dhe interesat.
Ulja e deficitit primar është sinjali kuptimplotë i angazhimit dhe i besueshmërisë së një qeverie, që po jua rikujtoj prapë, nëse do ta kishte gabim, nuk do të kishte patur, as rritjen e vlerësimit në notën e agjencive vlerësuese ndërkombëtare, as suksesin që pati me interesin e lartë të investitorëve tek eurobondi dhe nuk do të kishte marrë as konstatimin e agjencive vlerësuese ndërkombëtare. Edhe me projektin e 2016, gjë që ndodh sot, do të vazhdojë në këtë rrugë vitin e ardhshëm, do të ketë një tjetër rritje të vlerësimit në notën e agjencive vlerësuese ndërkombëtare, të cilat nuk iu mbetet gjë tjetër veçse t’i shpallni një arsye më shumë për të thirrur revolucionin. Futini dhe agjencitë ndërkombëtare të vlerësimit, -se Komisionin Europian e futët, – në paketën e arsyeve përse duhet një revolucion. Pastaj pijini lëngun revolucionit që nuk do të ndodhë.
Në 2016, ne projektojmë një suficit primar që do të thotë që efekti i të gjithë aktivitetit që parasheh dhe ky projekt, shkon për uljen e borxhit. E sot, në vetëm 2 vjet, jemi në gjendje të themi me plot gojën, që është shmangur çdo lloj mundësie, për krizë nga borxhi. Ndërkohë që para dy vitesh, mundësia ishte te pragu i derës. Mjaftonte që shqiptarët të votonin ata që i përzunë me një milion shpulla, që kriza e borxhit të ishte bërë krizë e çdo familje shqiptare, jo në kuptimin e krizës që mund të ketë sot në familjet në nevojë, por në kuptimin e krizës që do të kishte prekur çdo familje, të varfër ose të pasur, pa dallim.
0.3 % plus, e suficitit të programuar është shifra më e lartë pozitive, në raport me këtë tematikë e këtyre 25 viteve.
Në hapësirën afatmesme, ne jemi të bindur se do të arrijmë të kemi një suficit primar fiskal për 4 vite rresht në vazhdim. Pa u zgjatur më tutje në këtë pikë se as arsyeja e borxhit nuk është një arsye e mirë për të luajtur luftash me këtë qeveri, dhe arsyet e mira nuk gjenden për këtë lloj lufte, kur politikën e bën “me sikur” dhe kur njerëzit i merr për budallenj që do të shkojnë pas berihait, – sepse duhet vërtetë t’i marrësh për budallenj njerëzit, kur flet për këto tema dhe ke mbrapa flamurin e partisë që për 8 vite e çoi qeverinë në të atë pikë ku rrezikonte të hynte në një fazë pa kthim krize ekonomike dhe financiare, – duhet po ashtu t’i marrësh për budallenj njerëzit që t’i thuash sot në Shqipëri vazhdojnë rriten taksat.
Edhe në këtë projekt vazhdon ulja e taksave. Ne kemi bërë një progres të konsiderueshëm. Unë besoj sinqerisht se ju takon një mirënjohje dhe një falënderim shumë i sinqertë shqiptarëve, të cilët kanë kuptuar sensin e qeverisjes sonë, e cila nuk është e përsosur, e cila mund të ketë plot të meta, por që ka një vijë të drejtë, të kuqe, plotësisht të dallueshme: Shtetndërtimin!
E duke kuptuar sensin janë bërë pjesëmarrës, gjithnjë e më shumë në një proces shtetndërtimi, që bazohet në parimin e thjeshtë, që detyrimet janë detyrime dhe njerëzit nuk kanë vetëm të drejta, por kanë dhe detyrime.
Falë kësaj përfshirjeje, ne arritën të bëjmë këtë progres në 2 vjet, duke kaluar edhe kufirin e parashikimit tonë, kur vjen puna tek biznesi i vogël dhe duke vënë bazat për të ndërtuar një sistem taksimi të ndershëm, që gjeneron të ardhura për interesin publik, mbi parimin e shpallur pa marrë akoma mandatin; kush fiton më shumë paguan më shumë, kush fiton më pak paguan më pak. Jo si parimi i taksës së sheshtë, “aq më shumë e hanë ata që nuk fitojnë”.
Asnjëherë më pare, dhe ky është fakt, shqiptarët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, nuk kanë përfituar nga vota për një shumicë qeverisëse, ulje të taksave, si uljet që kanë përfituar në këto dy vjet. Shqiptarët me të ardhura të larta e kanë ditur që ditën e parë që na votojnë apo s’na votojnë, do të kenë rritje taksash.
Ashtu sikurse asnjëherë në të shkuarën, stimulimi i sektorëve të veçantë të ekonomisë nuk ka qënë i strukturuar në funksion të zgjedhjeve të radhës dhe nuk ka patur zgjedhjet e rradhës si arsye për të hapur vrima pas vrimash në arkën e shtetit, por në funksion të nxitjes së një procesi, të rritjes së qëndrueshme të një ekonomie prodhuese. E megjithatë sot e gjithë ditën vazhdon avazi i taksës së sheshtë, vazhdon propaganda se taksa e sheshtë ishte një nga çlirimet e radhës së Shqipërisë, -unë nuk e di sesa data çlirimi keni ju, se keni shumë-, pra çlirimi i radhës së Shqipërisë, që tani e ka ‘ripushtuar regjimi i rritjes së taksave’.
Por ja se ç’thotë pasqyra e këtyre shifrave dhe fakteve. Pak në në shkuarën.
Në 2010 është miratuar në këtë kuvend në mënyrë skuthe, si gjithmonë, se të propagandosh parajsën dhe të mbash pushtetin duhet të kesh dy aftësi; aftësinë për të hapur vrima në mënyrë të verbër arkës së shtetit dhe aftësinë për të qënë skuth dhe për t’ia u futur nga mbrapa njerëzve atë që medemek ia u heq nga përpara.
Në 2010, 40 milionë dollarë taksa më shumë janë miratuar në këtë kuvend.
Në 2011, janë miratuar 50 milion më shumë.
Të ardhurat totale të buxhetit, në 2013 nga detyrimet ishin 24.3 %.
Të ardhurat totale të buxhetit në 2014, shkuan në 26.4% dhe në 2016 do të jenë 27.3 %. Por do të jenë kaq, jo duke rritur taksat, por duke ulur taksat dhe rritur luftën kundër informalitetit dhe duke marrë rezultatet e një beteje që asnjë qeveri më parë, nuk pati kurajën ta nisë. Sepse të gjitha qeveritë më parë, sidomos në 8 vitet e fundit, menduan zgjedhjet e radhës, nuk menduan shtetin e fëmijëve tanë.
-Nga taksa e ndershme qysh në momentin e parë dhe në kushtet e një buxheti të shtrënguar me 720 milionë dollarë borxhe në kurriz, me 99 milionë dollarë histori të shënuara atje gati për likuidim, në thesar përfituan 421 mijë të punësuar. 97% e shqiptarëve që paguajnë taksa përfituan ulje taksash, përfshirë punonjës buxhetorë dhe jobuxhetorë.
Sot, shifra e përfituesve ka shkuar 627 mijë, sepse janë 156 mijë të punësuar më shumë. Këtë thonë librat e shtetit, këtë thonë librat e llogarive të shtetit, ndërkohë që ju predikoni ikjen nga Shqipëria. Vini dhe këtu dhe i thoni njerëzve, “ikni, se jemi ne këtu”. Se në mënyrë të pavetëdijshme ju thotë nëndërgjegjja se duhet të ikë populli që këtu, që t’ju vijë rradha ju.
Ajo që dua të nënvizoj, – pasi thoni shpesh se nuk rriten rrogat dhe pensionet, – vetëm nga kalimi prej taksës së sheshtë që i merrte frymën shqiptarëve me të ardhura të ulëta dhe të mesme, që i merrte frymën atyre 421 mijë që u çliruan nga barra e taksës së sheshtë, të ardhurat neto në rrogë janë mesatarisht 7.5%. Kjo shifër do të thotë një rritje e të ardhurave e barabartë me sa i rritët ju në 4 vite të mbledhura së bashku, duke llogaritur vitet tuaja më të mira. Ndërkohë që rritjen e rrogave në mandatin e dytë dhe të pensioneve e di sa e keni patur?! 1.5%. Që të jem shumë luajal me ju 1.502. Pra 1.5% i keni rritur rrogat ju në 4 vitet e fundit. Ndërkohë që, vetëm nga ky ndryshim, rrogat janë rritur mesatarisht 7.5% si fuqi blerëse, jo nominalisht. Pra, kemi lënë në xhepat e shqiptarëve 7.5% më shumë para, mesatarisht, nga të ardhurat e tyre.
Vijmë tek biznesi i vogël dhe tek “kopja”. Po ju kopjojmë ju, a thua se ju nuk ju kemi parë, e na erdhët ndërkohë që ne jemi këtu e na sollët ide kaq ndjellëse, sa që ne duhet t’u kopjojmë ju. Por ju këtu ishit deri para dy vjetësh.
Këtu ishit dhe ia nxitë jetën biznesit të vogël. Me tatim të dyfishtë, antikushtetues, me një taksë të biznesit të vogël dhe me tatimin mbi fitimin. Taksa e sheshtë. Sa ç’paguante furra e bukës në Surrel, aq paguante dhe Sheratoni dhe nga xhepi paguante më shumë furrxhiu i Surrelit, sesa Sheratoni. Kjo ishte politika juaj e biznesit të vogël, që sot e kërkoni për revolucion.
-Ne e hoqëm taksën e biznesit të vogël që ditën e parë. Pra, ia hoqëm barrën e tatimit të dyfishtë. Ne, taksën e sheshtë e zhbëmë.
Hapeni pak programin e qeverisë, meqë i ndiqni këmba-këmbës premtimet tona, se ju ka mbetur ora tek shëndetësia falas. Hapeni programin e qeverisë sepse ne do t’i bëjmë të gjitha ato që kemi shkruar, por secila ka radhën e vet dhe shikoni çfarë kemi thënë ne për biznesin e vogël:
-Kemi thënë “heqje e taksës për biznesin e vogël dhe përgjysmim i tatim fitimit”.
Tatim fitimin, nga 10% e bëmë 7.5%, me idenë që në procesin e reformës do të mund të kishim mundësinë dhe të ardhurat që të shkonim në 5%.
Nuk e kishim thënë kurrë ne, që do të mund të arrinim tani të shkonim përtej kësaj. Por çfarë ndodhi? Ajo lufta kundër informalitetit që nuk patët këllqe ta mendoni, jo ta bënit, sepse ju politikat e shtetit i lidhnit me zonat, “Lërini ata aty se janë tanët”, “ Le ta marrin energjinë se janë tanët.” Më doli një i yni dhe më tha pse doni taksa nga unë? Unë ju jap vota. Është i yni ai. E bëtë Shqipërinë çorap. Prandaj nuk bëtë ju as luftë kundër informalitetit, as shtet.
-Ne, pikërisht sepse lufta kundër informaliteti po sjell rezultatet mbresëlënëse, të cilat do t’i shikoni qartë në fillim të vitit të ardhshëm, shkuam më tutje.
0% taksë për biznesin e vogël, 0% taksë për 83 mijë e disa qindra familje të vetëpunësuara në biznes të vogël. Tani ju kapët tjetrën, atë që kapin gjithmonë deformatorët, kapen pas të varfërve, bëjnë sikur mbrojnë të varfrit dhe kur s’kanë ç’thonë më, thonë “po gjobat pse janë kaq të larta”? Por gjobat nuk janë për të varfrit, janë për shkelësit e ligjit. Gjobat janë të larta, sepse janë për ata që shkelin ligjin. Pse burg? Por burgu për çfarë është bërë?! Që të rrijë bosh.
I vetmi pushtet që keni në dorë është thjesht dhe vetëm të qeshni. Ti jepni urdhër gojës që të qeshni pa arsye.Ky është pushteti juaj që ne nuk ua kontestojmë dot. Edhe kur e shqyeni për të shpifur, edhe kur e shqyeni për të qeshur.
-Revolucioni fiskal vazhdon dhe të gjithë ata që kanë të ardhura deri në 50 milionë dhe që janë të vetëpunësuar, ne e kemi thënë qartësisht, nuk janë biznesmenë të vegjël, janë të vetëpunësuar, njerëz të vetëpunësuar që ne duam t’i stimulojmë, – jo vetëm ekonomikisht, por edhe si një shembull i mirë për të gjithë ata që rrinë nëpër kafe dhe rrinë në “Facebook” dhe kërkojnë punë drejtor dhe po s’u bënë drejtor thonë: “në Shqipëri s’ka punë”, – ata do paguajnë zero taksa dhe kanë 3 detyrime: detyrimi i parë është që të sigurohen dhe sigurimet nuk janë taksa, janë garanci për pensionin dhe shëndetin e tyre; detyrimi i dytë është që të gjithë mallin që blejnë nga të mëdhenjtë ta kenë me faturë tatimore; detyrimi i tretë është që të japin kuponin.
Për çfarë arsye në botë, duhet që këta njerëz që jetojnë me punën e tyre të ndershme t’ju dëgjojnë juve?
Për çfarë arsye në botë këta njerëz duhet t’ju dëgjojnë juve, nuk duhet të sigurohen, pra duhet të ngelen pa pension, se kështu i latë ju, kështu i latë njerëzit. Mijëra e mijëra gjyshër e gjyshe të vetmuara, që po të ishte për politikën tuaj të pensioneve, sot nuk do kishin asnjë lek. U desh reforma jonë e pensioneve që ata të kenë pensionin social. Kështu i latë ju, pa fatura, pa kuponë. Edhe kasat që i vutë, i vutë njësoj si kompjuterët nëpër shkolla, që i mbanit si televizorët “Iliria” që nuk ndizeshin kurrë, e tani u thoni: “Mos i bëni këto”. Po pse mos i bëjnë këto, çfarë janë ata, budallenj, siç i kujtoni ju?
Pse i thoni mos i bëni? Doni që ata të marrin ato gjobat apo të shkojnë të kërkojnë avokat, këtë doni ju? Që pastaj të dilni ju! Prandaj i thoni, i nxisni që të shkelin ligjin! Që t’i ktheni në viktima të luftës për demokraci! Ndërkohë që kjo e juaja vetëm demokraci s’ka qenë, s’është dhe s’mund të jetë, se ju s’keni lidhje me demokracinë, ju keni lidhje me anarkinë.
-Për sa i përket atyre që kanë një xhiro nga 50-80 milionë, me ta kemi shlyer përfundimisht detyrimin kontraktual të 23 Qershorit 2013; heqje e taksës së biznesit të vogël, përgjysmim i tatimit mbi fitimit. 5% do të paguajnë ata vetëm, me 3 kushte; të sigurohen për pensionin dhe shëndetin; të kenë në gjendje aty në njësinë e tyre tregtare çdo mall me faturë tatimore dhe të japin kuponin. Pse mos i zbatojnë këto 3 kushte ata? Apo për t’i dhënë zjarr revolucionit tuaj, një zjarr që mund të ndizet vetëm në pantallona të lagura.
Dua të sqaroj dhe një mjegull të madhe që keni përhapur: “ju kanë hequr taksën”, shiko çfarë flake në pantallona, “ju kanë hequr taksën se do t’u rrisin sigurimet 10 herë”, njëri thotë 10 tjetri 20, se këta bëjnë garë kush gënjen më shumë, sa më shumë të gënjesh aq më shumë i afrohesh të zotit të shtëpisë që është pastaj gjenerator i zjarrit në pantallona. Jo! Ka vetëm 1 kategori. Si mendoni ju? Mund ta pranojë dot një shtet dhe mund ta pranohet dot si princip i trajtimit të drejtë e të barabartë të qytetarëve, që avokatë, dentistë të deklarojnë rrogë minimale sikur punojnë fason?! Studio avokatie që deklarojnë fitime si fason?! Ka ndonjë logjikë që pranohet kjo?! Nuk ka! Atëherë të jenë të qetë dhe të qartë të gjithë. Kush merret me biznes të vogël në Republikën e Shqipërisë, qoftë nga 0-50 milionë, qoftë nga 50-80 milionë, nuk ka asnjë qindarkë më shumë rritje sigurimesh, sepse ka bërë zgjedhjen e duhur në 23 Qershor, ka zgjedhur “Aleancën për Shqipërinë Europiane”.
Kurse avokatët, dentistët e disa profesione të tjera ne nuk mund të pranojmë që të sigurohen sikur janë fasonistë. Jo fasonistë që hapin fason, por fasonistë që punojnë fason. Nuk mund të jetë një avokat në mes të Tiranës me një rrogë sa një nënë që shkon e paketon peshk në Lezhë. Për këtë kemi vendosur një pagë mesatare si referencë, e cila është një pagë mesatare e një nëpunësi të Republikës së Shqipërisë, dhe do të paguajë sigurime mbi atë pagë. Plus kësaj, në vendimin që do të bëjë qeveria, do të zonohen, pra nuk do të jenë njësoj sigurimet e një avokati në bulevard, apo të një dentisti në Tiranë, me sigurimet e një avokati apo dentisti në një zonë më të varfër apo në Tropojë.
Nga ana tjetër, kemi falur 23 milionë dollarë gjoba, gjoba elektorale që i vutë ju kur po ju ikte karrigia dhe po ju linte pantallonat me ajër poshtë, – i kemi falur.
Ashtu sikundër 20 milionë dollarë kanë përfituar shqiptarët nga heqja e taksës për ilaçet dhe shërbimet shëndetësore. Ashtu sikundër – po ju them një shifër dhe merreni dhe vërtetojeni, – nga kjo qeveri dhe nga politikat lehtësuese për njerëzit e punës në këtë vend, qofshin të vetëpunësuar, qofshin të punësuar, ne kemi hequr nga buxheti dhe kemi lënë në xhepat e shqiptarëve 150 milionë dollarë. E keni të qartë se ç’do të thotë 150 milionë dollarë për buxhetin e shtetit shqiptar?! E pra i kemi hequr në formën e 50 masave fiskale lehtësuese, qoftë për të stimuluar biznesin e vogël, qoftë për të stimuluar investimet në bujqësi, qoftë për të stimuluar rritjen e ndihmës ekonomike, e me radhë.
Ka një aspekt shumë të qartë, shumë të rëndësishëm që ndan në formën më të papajtueshme këtë qeveri dhe këtë shumicë qeverisëse nga gjithë konglomerati që ka si materie bazë opozitën e sotme zyrtare, por që përbëhet nga një shumëllojshmëri materiesh të prodhuara nga një lloj dembelizmi horizontal ideologjik i të shkuarës. Dembelizmi ideologjik i të shkuarës: “bjeri shkurt se s’ka problem, këtu jemi prapë”.
Është një vijë e kuqe mes vullnetit tonë, vullnetit të kësaj shumice për shtetndërtim dhe bam-bumeve propagandistike që kërkojnë vetëm pushtet, apo zona interesi në pushtet, përmes shtetrrënimit dhe siç ndodh gjithmonë, – në Shqipëri kjo ndoshta ndodh për herë të parë, por ndodh kudo, – në këto lloj përplasje mes reformatorësh dhe deformatorësh, në mes futen gjithmonë të varfrit, ata janë “mishi për top” në mes. Të varfrit që abuzohen nga hipokrizia, cinizmi, nga skizofrenia politike edhe më keq se ç’abuzohen nga varfëria, që i mban prej vitesh në kurthin e kësaj lloj politike abuzive që flet për të varfrit dhe mendon vetëm veten. Veten, vendin që ka në zonën e interesave të garantuara nga krijimi i një rrethimi që ndan politikën nga njerëzit dhe sigurisht luftën pa asnjë parim, pa asnjë vlerë morale, pa asnjë raport me të vërtetën, pa asnjë lloj kimie që skuq lëkurën e njeriut me kundërshtarin.
Lumenjtë dhe përrenjtë e abuzimit politik me të varfrit shpërthejnë si rregull me tërbim gjithmonë, kudo dhe kurdoherë që ndërmerren reforma reale.
Unë e marr si vlerësimin më të madh të kësaj qeverie, thirrjen që i bëhet për revolucion. Edhe pse revolucioni, siç ju thashë, është thjesht një përsiatje nën mesin e gjatësisë trupore mesatare të elementëve që përbëjnë opozitën.
Faktikisht, është një vlerësim për reformat që ne po i marrim me largpamësi, me kurajë dhe me vullnet, që është vullneti i një qeverie që nuk ka qëllimin pervers të pararendëses vet, që të zgjasë bishtin e pushtetit si litar në qafën e fëmijëve të këtij vendi dhe ta tërheqë litarin në qafën e fëmijëve, duke përfituar nga fakti se ai litar është ende i padukshëm dhe duke ua lënë të gjitha në kurriz njerëzve, të cilët pretendon se i ndihmon, siç i latë në kurriz njerëzve të gjitha borxhet dhe kamatëvonesat në raport me konsumin e energjisë dhe nuk patët kurrë kurojën t’iu thoni në sy: “Shikoni këtu, po të jetë për ne, mos paguani fare se ne kështu e duam Shqipërinë”. Por kini parasysh se ndoshta ndonjëherë ndryshon kjo punë dhe borxhet e kamatëvonesat i keni aty”. Ua latë aty, nuk ua hoqët, nuk ia u fshitë nuk ua bëtë zero, ju që sot pretendoni se po ju kopjojmë ne. Nuk kopjoheni ju, jeni të pakopjueshëm, jeni të papërsëritshëm në llojin tuaj, për arsyen e thjeshtë sepse ju vetëm flisni për atë që s’dini dhe s’dini atë që flisni.
Le të vijmë tek raporti i kësaj qeverie me varfërinë dhe me të varfrit, në shifra dhe në fakte.
Si mund të luftohet varfëria me rritje ekonomike zero?! Vetëm ju mund ta kishit pretendimin ta luftonit varfërinë, duke e çuar Shqipërinë poshtë e më poshtë dhe rritjen ekonomike në zero.
Si mund të luftohet varfëria duke iu marrë paratë kompanive dhe kontraktorëve dhe duke u thënë: “bëjini me lekët tuaja” dhe duke bllokuar gjithë sistemin bankar, duke e bërë buxhetin e shtetit rrush dhe kumbulla? Si mund të luftohet varfëria?!
Faktikisht sot që flasim, a u dyfishua rritja ekonomike në vitin e parë të qeverisjes tonë? A është, apo nuk është dyfish? Po u marr shifrën tuaj, nuk po e kontestoj, megjithëse po të marrim gjithë ato historitë që përmenda më parë, nuk është 1%. Por, po ua marr 1%. A e latë 1%? A u dyfishua vitin e parë? A shkoi 2.1%? A është sot rritja ekonomike, sot, sepse, s’dini gjë fare ju, por dihet që do të jetë në fillim, madje, në mes të 6-mujorit të vitit të ardhshëm shifra reale, por a jemi sot në 2.7%? Tani kjo rritje ekonomike për kë është, për të mbajtur fjalime përpara jush?
Fjalimet përpara jush janë kohë e humbur. Këtu ju flasim njerëzve që na ndjekin. Ja ku e keni projektbuxhetin, rritja ekonomike e programuar është 3.4%. A jemi ne të kënaqur me këtë rritje ekonomike? Ne duam shumë tepër se kaq. Por nga tjetër, dua edhe njëherë të kujtoj se ka shumë rëndësi ku ishim, për të kuptuar se çfarë po bëjmë dhe për të besuar se jemi në rrugën e duhur për të shkuar aty ku duhet. Faktikisht, të mos harrojmë se kemi një rritje ekonomike e cila është e qëndrueshme dhe është solide. Edhe pse e përsëris, ne synojmë dhe po punojmë me këmbëngulje që të kapërcejmë parashikimet, duke rritur numrin e një sërë projektesh të mëdha që janë në proces.
Rritja ekonomike zhvillohet në kushte tërësisht të pafavorshme të konjukturës së përgjithshme, dihet kjo, përfshirë edhe rënien e kërkesës nga tregjet rajonale, si pasojë e rënies së çmimeve të karburanteve, mineraleve etj. Megjithatë, rritja jonë ekonomike ka qëndrueshmëri dhe minimalisht vitin e parë e dyfishuam, këtë vit shkojmë në të paktën në 2.7% dhe në 2016-ën e projektojmë 3.4%.
Ky është një minimum që kush ka një fije ndërgjegje nuk i jep urdhër gojës që të shqyhet për të nxjerrë produkte të cilat zakonisht goja nuk i ka për detyrë t’i nxjerrë, ka të tjera territore që zhvillojnë atë veprimtari.
Ne kemi ruajtur një nivel të moderuar të inflacionit. Inflacioni është në një nivel të moderuar rreth 2%.
Në projektin e paraqitur sot për miratim, edhe në bazë të të gjitha analizave të bëra së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar, parashikimi është për një rritje prej 3.4%.
Dua të rrëzoj këtu edhe një mit tjetër, të ngritur në vazhdën e gjithë propagandës së bam-bumeve, që ka të bëjë me çmimet. Faktikisht, jo për meritë të qeverisë, por për faktin se ka një rënie tërësore të çmimeve në konjukturën e përgjithshme, e gjithë propaganda që synon t’u fusë në kokë shqiptarëve që janë rritur çmimet rrëzohet nga indeksi mesatar i çmimeve të konsumit, ku të gjitha të dhënat statistikore tregojnë se sot blihet më lirë se në vitin 2013, një gamë e gjerë artikujsh ushqimorë dhe të konsumit të gjerë për njerëzit si buka, drithërat, vaji, sheqeri, pijet e buta, veshjet, këpucët, mobilet, një sërë pajisjesh elektronike, si dhe medikamentet mjekësore dhe shërbimet spitalore. Kjo e medikamenteve mjekësore është e lidhur drejtpërdrejtë me heqjen që i bëmë taksës së ilaçeve.
Duke vijuar në këtë aspekt të projektit, që ka të bëjë me mbështetjen për pjesën më të varfër, ka disa shifra shumë kuptimplota që janë lehtësisht të verifikueshme e të referueshme, përtej çfarë mund të themi me fjalë. Nisur që nga pagesa e papunësisë, mesatarja e viteve të qeverisjes së mëparshme është 895 milionë lekë, ndërsa mesatarja e këtyre 3 buxheteve, përfshirë edhe buxhetin që paraqesim sot, është 904 milionë lekë. Pra, ne e kemi rritur pagesën e papunësisë.
Së dyti, mesatarja e viteve të qeverisjes së mëparshme për ndihmën ekonomike është 153 milionë dollarë, ndërsa mesatarja e 3 buxheteve tona, përfshirë edhe buxhetin që paraqesim sot, është 212 milionë dollarë. Çka thotë se ka pasur një rritje të konsiderueshme të ndihmës ekonomike, duke marrë parasysh si të konsiderueshme jo çfarë me të drejtë njerëzit do të donin të kishin sot dhe çfarë me dëshirë ne do të donim që ata të merrnin sot, por ku ishim vetëm 2 vite më parë dhe kushtet shumë të shtrënguara prej ku filluam gjithë operacionin tonë.
Kompensimi i të përndjekurve politikë, temë kjo e preferuar, për të nxitur derdhjen e lotëve të krokodilit nga ana e një partie që sot është në opozitë, por që dje në qeveri u dha mesatarisht 17 milionë dollarë në vit, ndërkohë që mesatarja jonë për të përndjekurit politikë në 3 buxhete, përfshi edhe buxhetin e këtij viti që vjen, është 19.2 milionë dollarë. Një shifër kjo më e lartë sesa çfarë prodhoi si kontribut të drejtpërdrejtë për të përndjekurit, qeverisja e atyre që për politikë kanë aftësinë të derdhin gjithë llojet e lëngjeve dhe lotët e krokodilit, në radhë të parë.
Kompensimi i pronarëve. Dje u bë një debat absurd, hileqar, një debat skuth për një çështje që ka 25 vjet që u rri litar mbi qafë shqiptarëve; Për një çështje që për 25 vjet rresht jo që nuk e zgjidhën dot, ligje e pas ligjeve të miratuara në këtë Kuvend, jo që nuk e zgjidhën dot, ata që thjesht dhe vetëm se ju kujtohet se dikur për arsye konjukture i thanë vetes të djathtë, e që medemek përfaqësojnë pronarët, por përkundrazi, e stërkomplikuan, duke e kthyer në një lesh e li të madh. Një lesh e li nga ku jo vetëm pronarët nuk përfituan çka mund të kishin përfituar me kohë, po ku Shqipëria, populli shqiptar, gjeneratat e tjera u morën peng dhe ku vendimmarrjen e përcaktoi thjesht e vetëm barbaria klienteliste e korruptive. Faktikisht, mesatarja për kompensimin e pronarëve e qeverisjes së mëparshme, në 8 vite është 17 milionë dollarë në vit. Mesatarja jonë, duke përfshirë dy buxhete të deritanishme, është 21 milionë dollarë në vit dhe në projektin e ri është 30 milionë dollarë.
Ligji i ri për pronat është një ligj që i jep zgjidhje jo ideale, por realiste, një problemi që kush pati në dorë ta zgjidhte më parë, vetëm e shtyu, duke e lënë të komplikohet e të kthehet në një pjesë krejtësisht të kalbur nga kanceri që përfshiu të gjithë organizmin tonë të jetës ekomomike e sociale. Një çmenduri nga pikëpamja e hipokrizisë dhe e abuzimit politik. Një çmenduri nga pikëpamja e përgjegjshmërisë në raport me interesat kombëtare, interesat publike dhe me detyrimin për të respektuar liri dhe të drejta jo vetëm për 1% të popullsisë, por për të gjithë, pa harruar edhe 99%-shin tjetër. Dhe jo vetëm të popullsisë që është sot mbi këtë tokë, por edhe të gjithë atyre gjeneratave që do të vijnë, të cilave ne nuk mund t’u trashëgojmë këtë litar në qafë.
Angazhimi që kemi marrë me ligjin që do të miratohet sot është që për 10 vjet, problemi i pronës nuk do të ekzistojë më si i tillë. E përsëris, zgjidhja nuk është ideale, sepse zgjidhje ideale jo vetëm që nuk ka në teori, por zgjidhje ideale, kur një qeveri si e jona merr përsipër të merret me një çështje që për 25 vjet është komplikuar, ngatërruar, mbingarkuar, nuk mund të ketë. Zgjidhja është realiste. Kjo zgjidhje na krijon kushtet që të mos vazhdojmë në të njëjtën kohë, – përveçse të mbajmë një faturë hipotetike prej disa herësh më të lartë sesa i gjithë Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar i Shqipërisë në dispozicion të pronarëve, – me një qasje hipokrite që ka vetëm një rezultat, që zgjidhjen e problemit të pronave ta shtyjë për 4.568 vitet e ardhshme, por ta zgjidhim për 10 vjet. Kështu, duke ndërprerë edhe ngarkesën e jashtëzakonshme që vjen nga Gjykata e Strasburgut që vazhdon, bazuar në ligjin aktual, ngarkon taksapaguesit shqiptarë, ngarkon buxhetin e shtetit me detyrime të papërballueshme.
Kjo është qasja që po të ishte marrë parasysh dhe po të kishte pasur në krye të qeverisë, njerëz që do të kishin kurajë të bëjnë punën që ka qeveria, që nuk është të mendojë se si do të rivotohet, por se si do t’i shërbejë popullit të vet, sot ky problem do të ishte zgjidhur prej vitesh.
Më e bukura është se sot vijnë këtu e na kërkojnë llogari, – nuk po them formën e kërkesës së llogarisë, se këta e marrin për keq kur ua thua në sy sesi duken, – për të gjitha të pabërat, të gjitha horrllëqet dhe të gjitha budallallëqet që i kanë bërë vetë. Duke bërë të rënin nga qielli, sikur nuk ishin këtu, deri dy vite më parë, vijnë sot dhe na tregojnë neve me gisht, për të gjithë rrumpallën e këtyre viteve.
30 milionë dollarë janë në buxhet dhe janë 500 milionë dollarë të angazhuara për 10 vitet e ardhshme, për ta zgjidhur këtë problem përfundimisht, në mënyrë realiste, që edhe ata pronarë që shikojnë ëndrra në diell, duke u nisur nga abuzimi, hipokrizia, pabesia politike e atyre që medemek i përfaqësojnë, të marrin diçka, por edhe Shqipëria të mos jetë më peng i një historie pafund. E një historie që pengon zhvillimin, pengon investimet, pengon qetësinë e pjesës më të madhe të familjeve që jetojnë sot në fshat, që nuk e dinë se ç’do bëhet nesër me pronën që e kanë dhe s’e kanë, që e gëzojnë dhe s’e gëzojnë. Ndërkohë u bënë burra, fëmijët e tyre.Në vitin 1991, ky parlament ka votuar një ligj me konsensus të të dy palëve, për t’u dhënë njerëzve tokën. Sot e gjithë ditën, ata nuk e kanë tokën, por kanë vetëm ajrin dhe shpresën se një ditë do të kenë tokën. Ndërkohë mbahen peng nga ata që kanë votuar këtu, prej 25 vitesh, duke ju treguar përrallën e virgjërisë dhe të idealizmit, që nuk e kanë pasur as ditën e parë. Sepse po ta kishin pasur ditën e parë, do të vinin nga radhë të tjera, nuk do vinin nga radhët e Partisë së Punës. Me po atë hipokrizi mbajnë peng gjithë këtë histori. Një histori që është një litar në qafën e fëmijëve, nipave, stërnipave të këtij vendi.
Ne, këtë litar iu heqim me këtë ligj. Të tjerat janë përralla. Kanë edhe kurajën të përmendin vitin ’44 dhe ’46-të. Viti ’44 dhe ’46-të bënë gjakderdhje dhe rrëmbyen me ideologji dhe drejtpërdrejtë, sy për sy e dhëmbë për dhëmbë, pronat e shqiptarëve. Kurse nga viti 1991 e deri tani që vijmë tek ky ligj, tjetër është thënë dhe tjetër është bërë. Fjalën e bukur në sy, thikën pas shpine. Më keq se në vitin ’44, se është pas shpine dhe se ta bën dikush që të ofron zgjidhjen përfundimtare, ta bën dikush që të thotë se respekton pronën, të drejtën tënde të trashëgosh pronën, por, ndërkohë që thotë këtë, inkurajon një popull të tërë të ndërtojë ku të mundet, se pretekstin se ndërtimi është bereqet. Dhe, me “ku të mundet” u zunë të gjithë pronat e pronarëve. Madje filloi ndërtimi edhe nëpër lumenj. Katragjyshërit tanë, katragjyshërit e katragjyshërve tanë, shkoni sa të doni thellë në histori, mund të kenë pasur shumë më pak dije për botën sesa kemi ne sot, mund të kenë pasur shumë më pak sesa kultura që pretendojmë se e kemi ne sot, por kurrë nuk shkuan të ndërtojnë në lumë. U desh të vinte kjo lloj mortje hipokrite, që t’i bënte shqiptarët të çmendeshin deri në pikën që të ndërtojnë në mes të lumit dhe që u thotë “do t’ju legalizoj në mes të lumit” dhe që u thotë kur lumi vjen dhe ju merr shtëpinë “e kanë fajin etërit”. Etërit e kujt? Cilët etër? Etërit që ju çonin këta, kartolina, se nuk i takonin dot, edhe pse vdisnin për t’i takuar.
Vijmë tek punësimi. Debati është përsëri abuziv dhe hipokrit. Ne e kemi thënë shumë qartë se çdo të thotë për ne, një vend pune në një republikë demokratike, në një shtet demokratik. Vend pune nuk është një vend pune që ti e prezumon se është aty dhe ndërkohë, personi që ti prezumon se po punon, është një skllav që s’ka absolutisht asgjë në dorë. Ai nuk ka as sigurime shoqërore, nuk ka mundësi të paguajë as për pensionin e vet dhe nuk ka asnjë mundësi të paguajë, nëse sëmuret.
Edhe zotimi ynë për 300 mijë vendet e punës është i lidhur, siç e kemi thënë atëherë, më vende të reja pune që krijohen në investimet prodhuese dhe me përfshirjen në radhën e njerëzve të punësuar në diellin e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, jo me skllevër.
Në vitin 2012, në Shqipëri rezultonin të punësuar në regjistrat e shtetit, njerëz që merrnin rrogë në sektorin publik e privat dhe që paguanin taksa, 447 mijë njerëz. Në 2013-ën, 471 mijë. E bëjmë llogarinë si të doni, edhe me vitin 2012. Po të jetë me vitin 2012, i cili nuk përfshin 4 muajt që ne filluam intensivisht formalizimin e vendeve të punës, del më shumë. Por sot kemi 627 mijë njerëz të punësuar, që janë 156 mijë vende pune të reja, të krijuara nga investimet prodhuese dhe nga procesi i formalizimit.
I kam dëgjuar kur thonë po mbyll qepenat biznesi. Dërgojnë dhe emisarë se kanë hallin e revolucionit dhe që t’i japin revolucionit një spunto, i lënë njerëzit edhe pa punë, i lënë edhe pa regjistruar, i lënë edhe në shpresën se kushedi do bëhet revolucioni, do vijnë këta dhe nuk do ketë kasa fiskale, nuk do ketë kuponë, fatura tatimore, nuk do ketë asgjë, por do ketë vetëm një taksë të sheshtë 9%. E kishin 10, tani e bëjnë 9% se thellojnë zullumin, në pamundësi për t’u ndarë nga ajo që ishin.
Numri bizneseve aktive të regjistruara në këtë proces dhe që lidhet me rezultatet e para të politikave tona, është nga 142 mijë biznese, saç lanë këta, që janë të shkruara, sot janë 192 mijë biznese të regjistruara. Atëherë ka rënë apo është ngritur numri, janë mbyllur apo janë hapur biznese? Po ikin, apo po punojnë? Ajo që është më e rëndësishmja janë c ‘regjistrimet. Nëse dje bëheshin “ç’regjistrohu që të fshihet”, sot çdokush që c’regjistrohet dhe riregjistrohet e bën në mënyrë formale.
I kemi dëgjuar përditë të thonë se nuk ka investime të huaja, se po ikin të gjithë investitorët, se nuk ka ngel njeri në Shqipëri; “Ikni, ikni, ikni!” – thërrasin. Siç duket është ajo “ikni ju të gjithë, se ndoshta na vjen radha ne”.
Investimet e huaja për periudhën 2005-2013 kanë qenë 7% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Për periudhën 2014-2015, nuk kemi çfarë t’i bëjmë, duan, s’duan këta, shifra është 9.1% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Pra, investimet e huaja janë rritur, nuk kanë rënë, sepse përqindja në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar është rritur.
E dyta, shikoni historikun në shifra: Në vitin 2012, 665 milionë euro investime të huaja. Në vitin 2013 nuk po përfshijmë në vlerë privatizimet, ndonëse ju i përfshinin te investimet e huaja. I morën hidrocentralet, ia dhanë vetes, edhe pse hidrocentralet ishin në rregull dhe nuk kishin nevojë as për privat, as për investime, merrnin ujë, prodhonin energji, ishin ndërmarrje me fitim. Por e kishin arkën copë-copë dhe teoria e këtyre ishte që të rregullosh bilancin, mos mbyll vrimat, hap vrima të reja. Pa llogaritur këto, në vitin 2013, 834 milionë. Në vitin 2014, 878 milionë euro investime të huaja. 6-mujori i parë i 2015-ës, 48 milionë euro, që prezumohet se do të jetë në finale më i lartë se viti 2014.
Ne nuk jemi të lumtur me këto shifra dhe jemi larg së qeni të rehatuar me idenë se jemi më mirë se këta. Të jesh më mirë se këta është gjëja elementare për të menduar se merresh me administrim publik apo me politikë. Të jesh më i mirë se këta, mjafton të kesh respekt për veten dhe për gojën dhe ta përdorësh gojën në funksion të interesit kombëtar dhe interesit publik. Kjo nuk mjafton. Edhe ajo rritje ekonomike prej 3.4%, e projektuar për vitin e ardhshëm, neve nuk na mjafton.
E dua ta përsëris këtu edhe njëherë për të gjithë ata që na dëgjojnë jashtë kësaj salle, se gjithçka po bëjmë dhe gjithçka themi mbi atë që bëjmë, nuk ka të bëjë me asnjë ndjenjë vetëmjaftueshmërie ose vetëkënaqësie, por ka të bëjë vetëm me nevojën për të komunikuar faktin që vizioni funksionon, që drejtimi funksionon dhe që kurajoja dhe vullneti për t’i bërë këto reforma janë kyç.
Rritja e investimeve të huaja për ne është e domosdoshme, mbi shifrat që na bëjnë më të mirë se këta. Në qoftë se do të krahasohemi kështu në mënyrë progresive vit pas viti, nuk arrijmë dot ta çajmë rrethimin e varfërisë së akumuluar 20 e kusur vite rresht. Të akumuluar nga politika skuthe e abuzimit me të varfrit, nga politika e lëmoshës që nuk e lufton varfërinë, por e riciklon varfërinë. Politika sociale e këtyre dhe në përgjithësi politika jonë sociale në 25 vjet ka qenë njësoj si lëmosha e të pasurit tek dera e kishës kur i hedh qindarkën të varfrit. E pastaj vazhdon, futet në kishë dhe merret me mëkatet e veta.
Ne këtë po ndryshojmë. Kjo do të ndryshojë rrënjësisht, besojmë, duke rritur numrin e investimeve të huaja. Janë një sërë projektesh të mëdha që janë në proces. Shqipëria, 2 vjet më parë ishte në kushtet kur nuk kishte asnjë lloj besimi dhe reputacioni ndërkombëtar, as në nivelin politik, as në nivelin e raportit të investitorëve me këtë vend.
Kam dëgjuar që të thonë këtu “ikën jashtë shtetit ky shpesh”. Së pari numri i vizitave të mia jashtë shtetit është mesatarisht po aq, sa i paraardhësit tim. Ka vetëm një ndryshim shumë të madh, cilësia e vizitave. Kë takonte ai, kush e takonte atë, që dy vitet e fundit vinte vërdallë dhe takohej me veten jashtë shtetit, si dhe pse bëhen vizitat që bëj unë sot.
Po ju them që edhe këto janë rezultat i besueshmërisë së rritur të këtij vendi, i dinjitetit që ka fituar ky vend në marrëdhëniet ndërkombëtare, i faktit që nuk është më parjaja e Europës dhe Ballkanit, që kush i dilte përpara i thoshte ngri pantallonat, ul pantallonat. E në këtë aspekt, sigurisht investimet janë ato që vijnë më pas. Kredibiliteti dhe besueshmëria politike është ajo që krijohet fillimisht.
Kanë bërë shumë zhurmë këta për shpenzime, për lukse, për makina, etj. E dini ju raportin e totalit të shpenzimeve operative? Janë shifra, nuk ka nevojë të bëjmë polemikë artistike këtu. Se këta nuk e durojnë dot as humorin, as ironinë, punojnë me mjete të tjera, punojnë me mjete të forta, ballë për ballë, drejtpërdrejtë, ose me të sharë si te cepi i lagjes, ose forma të tjera.
Shpenzime operative në 2013 ishin 83.4% të shpenzimeve totale. Shpenzimet operative në këtë vit 80.4%. Tani, kujt i tregoni shpenzimet e luksit. Sepse ju konsideroni luks pastërtinë. Po patë dikë që pastron, ju thoni pse merret ky me punë luksoze? Pse pastrohet? Pisllëku është më dinjitoz. Rrëmuja, pluhuri, balta është më dinjitoze, ndërsa pastërtia dhe rregulli janë luks për ju.
Këto janë shifrat. Pastaj të mos i hymë se ç’i keni bërë ju benzinës, ç’i keni bërë ju makinave, sepse është raport tjetër. I keni trajtuar makinat si kuaj dhe benzinën si ujë.
Nga ana tjetër, do të vlente shumë të bëhej një diskutim për cilësinë e investimeve për qëndrueshmërinë e investimeve, sepse është shumë e vërtetë që ju në volum keni investuar shumë në rrugë, por ma thoni një rrugë të vetme që e mbaruat, një rrugë që e mirëmbajtët dhe një rrugë që sot nuk ka nevojë për investime për t’u mbaruar dhe për shpenzime ekstra për t’u mirëmbajtur. Një më thoni. Më e mira dhe e vetmja rrugë që bëtë që mund të quhet e standardeve normale, – jo europiane sepse nuk e merr certifikatën e BE as ajo, – është Rruga e Kombit. Aty keni lënë akoma ura pa bërë, keni lënë ura me një këmbë, keni bërë korsi që shkojnë pastaj dhe futen në tub të shishes dhe keni lënë amanet 160 milionë euro plus që duhen për të mbaruar Rrugën e Kombit.
Cilën rrugë bëtë ju?! Bëtë rrugën që shkon deri në Shkodër? Keni shkuar natën në Lezhë, kur shkoni për të përgatitur revolucionin? Si e gjeni rrugën për në Lezhë? E gjeni me hamëndje. Kujdes se jeni dhe shumë këtu që i jepni makinës, humbni dhe baste, po ju humbet dhe vështrimi dhe po përfundoni në spital. Sepse rruga është një mizerabilitet afrikan në mes të Europës.
Cila është rruga që bëtë ju? Rruga që shkon nga Tirana në Durrës? E që pastaj thonit pse mbjell pemë ky? Po çfarë të bënim?! Të linim ato kanalet e ujërave të zeza që dilnin në rrugë? E t’i ftonim njerëzit që vinin në Shqipëri nga aeroporti në shtegun e dhive që hapët ju?
Rrugë që kishte kope me dele, me qen, me mace, me karroca nga të dy anët? Kë rrugë bëtë ju? Apo bëtë rrugën që shkuat me vrap dhe hapët dhe tunelin? Se i kishit qejf të madh tunelet. E keni lënë atë rrugën e Elbasanit gropë në buxhet. Ajo idiotësia që thoni “a bëni ju rrugë”. E para, rrugët bëhen me lekë. E dyta, rrugët bëhen me projekte. E treta, rrugët bëhen me cilësi.
Ju e bëtë buxhetin e shtetit copë-copë për të prerë shirita. E dini si është situata? Rrugën e Elbasanit e bëtë pa projekt. Se ashtu ishte urdhri, me telefon, “nisu bëj rrugën se do futem në tunel dhe më duhet tuneli para se të votohet në Elbasan”. Rrugë pa projekt, rrugë pa studim gjeologjik. Çfarë quani ju projekt? Ju nuk dini asgjë, se midis jush dhe projektit është në mes një shekull. Midis rrugës, jush dhe projektit, ka në mes një shekull zhvillim. Ju jeni akoma tek kali, tek shtegu dhe tek horizonti.
Së pari, çka bëjmë ne, është që për paratë që shpenzojmë dhe që edhe në investime publike bëjmë investime më tepër se ju, nominalisht, ne bëjmë projekte më cilësore, ne bëjmë punë më cilësore. Në atë lloj shtegu që latë ju për rrugën më të rëndësishme të vendit, rrugën nga Tirana në Vlorë, rrugën turistike, ne kemi bërë investime për ta sjellë në standarde normale që të paktën kur të vijnë njerëzit të mos thonë “ku zbritëm këtu, se zbritëm me avion në mes të Europës dhe si erdhëm në Afrikë? Mos kemi ngatërruar stacion.” E dini ju se sa e keni lënë gropën për të mbaruar të gjithë rrugët tuaja? Është akoma 280 milionë euro edhe sot.
Kështu është kur bën rrugë pa prioritete dhe prioritet ke vetëm ku do pres me gërshërën e radhës. Ndërkohë, mos hymë tek pjesa tjetër, kush i ka bërë rrugët, me çfarë tenderësh janë bërë rrugët. Ju bëtë rrugë për bërdungllat që keni në kokë.
Po ju them vetëm shifrën për shpenzimet kapitale. Në 2013, për shpenzime kapitale, pra për investime publike, ju keni harxhuar 4.8% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar. Në 2015 kemi shpenzuar 5 %. Në 2016 parashikojmë 5,1 %.
Është hera e parë që bëhet një projektbuxhet i kësaj Republike dhe nuk fillon biseda për projektbuxhetin, “ku do gjejmë dhe si do t’i gjejmë dhe nga do t’i heqim lekët që do të kompensojmë lekët e hajdutërisë së energjisë elektrike”. Nuk fillon biseda siç fillonte biseda mes atij që iku dhe ish ministrit të financave që është këtu, që para se të fillojmë se ç’rrugë do të bëjmë, na duhet që të mbyllim humnerën që në 2013 ishte 230 milionë dollarë humnerë hajdutërie. Nuk është më. Nga një barrë në buxhet, energjia sot është një sektor i cili është funksional dhe kompania e shpërndarjes së energjisë, nga një fantazmë që vetëm gllabëronte paratë e buxhetit, sot ka filluar të paguajë rregullisht taksat.
Dëgjoni çfarë shprehje përdor ky, “ia more njerëzve”. Po pse energjinë kush e konsumonin?! Ujqit?! Kujt t’ia merrnim ujqërve? Ajo çka nuk shkon më si barrë që ditën e parë të buxhetit na lehtëson në pjesën tjetër. Për here të parë kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike, investon në një rrjet, i cili në 85% të tijin është në moshën që ishte Saliu kur u fut në Partinë e Punës. Kur u fut Saliu në Partinë e Punës u bë elektrifikimi. Që atëherë 85% është e paprekur.
Nga ana tjetër vazhdojmë më të varfrit meqë thua ia u morët njerëzve. Pse nuk e shtoni në paketën e revolucionit çmimin e energjisë? 6 muaj ju rrokanisët kokën shqiptarëve “do rritet çmimi, do rritet çmimi”. Pse nuk e keni çmimin e energjisë në këtë paketën e revolucionit?! Sepse gënjyet. E gënjyet kaq trashë e duke harruar që fatura e energjisë elektrike do të shkonte në shtëpi. Nuk është si doganat dhe tatimet që flisni ju dhe njerëzit shpesh nuk e dinë çfarë bëhet, por është një faturë që shkon në shtëpi. Kështu që ju gënjyet.
Faktikisht çmimi i shitjes së energjisë elektrike për konsumatorët familjarë u ul nga 9.7 lekë që ishte mesatarja juaj në 9.5 lekë. Pra çmimi i energjisë u ul. E kemi thënë që në fillim, synimi ynë është të mos ketë më fatura aforfe dhe të ulet TVSH-ja e energjisë për familjarët. Viti 2016 do të jetë viti kur do të marrë fund historia e turpshme e faturave aforfe, sepse aforfeja ishte produkt i politikës qorre, politikës pa drita tuaja, sepse dritat duhen në kokë njëherë, para se të vijnë në shtëpi, – ku asnjë investim, as matësa, as sistem, çoji faturën aforfe dhe kaq. Më pyete ku janë investimet, dhe pikërisht se investimet po bëhen do hiqet fatura aforfe. Vitin e ardhshëm, në 2016, kur të vijmë këtu prapë, si sot një vit, se zgjedhje të parakohshme nuk ka, meqë ju e shihni në ëndërr, atëherë do të flasim.
205 mijë familje shqiptare morën kompensimin që ju takonte për heqjen e fashës 300 kilovat.
16 milion dollarë që janë pjesë e gjithë atij 150 milion dollarëshi që ne nuk i marrim në arkën e shtetit, por i kemi lënë në xhepat e shqiptarëve, shkuan për ato familje.
E meqë je prej Shkodre dhe meqë po më flet, pse nuk i kompensove ti me qeverinë tënde 2.870 familje të përmbytura në zonën e nën Shkodrës apo të duhej që të t’i nxirrje në rrugë për revolucion?
Kemi dëmshpërblyer 2.870 familje të Shkodrës që duhet t’i kompensoje ti. Të çoheshe ti, këtu në parlament, si deputet i Shkodrës dhe t’i thoje kryeministrit që ishte këtu përpara, kompenso Shkodrën se i ke dhënë fjalën. Të gjithë ata i kompensuam ne. Mbaruam me ta dhe do të vazhdojmë me të tjerët. E sa për dijeninë tënde, nga përmbytjet në zonën e jugut janë dëmshpërblyer kokë më kokë, për çdo pule, për çdo dele, për çdo lopë që në fillim, të gjithë. Tani, përveç kësaj, ne po kompensojmë me lekë në dorë të gjitha dëmet e shkaktuara nga prodhimi.
60 milionë dollarë borxh që ia u latë shqiptarëve në kurriz për koncesionet për hidrocentralet private, i shlyem të gjitha.
Nuk do t’ju marr kohë me arsimin se kjo është një temë që nuk ka lidhje me ju fare. T’ju flas ju për arsimin, është njësoj si të predikosh kulturë në stallë. Kështu që unë nuk do të flas për arsimin. Në qoftë se keni pyetje për arsimin, bëjini dhe do t’i japim përgjigje. Për shëndetësinë do t’u lë juve që të thoni çfarë keni për të thënë, pastaj t’ju japim përgjigje.
Po ashtu për sportin është e kotë të zgjatem, sepse ju krijuat disa lloje sportesh në Shqipëri, ndërtimin pa leje, mitingun, ulërimën dhe “shaj e shaj që të mbetet diçka”. Në 8 vjet kanë investuar për sportin 80 milionë lekë të vjetra. 80 mijë dollarë i keni dhënë ju sportit.
Ndërkohë që ne, vetëm në 2 vjet kemi investuar për sportin 25 milionë dollarë. Ju do të thoni ç’na duhet sporti, se ne kemi miting. Mitingun ta bëni, revolucionin ta ëndërroni, por për sa kohë do të vazhdoni të bëni mitingje, duke ëndërruar revolucionin, do të mbeteni tek llojet e vjetra të sportit që në fund të ditës do t’i luani vetëm. Se që t’u vijnë shqiptarët mbrapa në atë lloj sporti, ajo kohë iku.
Faleminderit!