Ulza, një nga zonat me natyrë mbresëlënëse të vendit, do ketë së shpejti një lidhje moderne me rrugën nacionale. Rruga drejt Ulzës është një mundim jo vetëm për banorët, por edhe për vizitorët, për shkak të gjendjes së degraduar. Rindërtimi i saj pas më shumë se 40 vitesh ishte një premtim që Kryeministri Edi Rama u bëri banorëve të saj, si një kërkesë e kahershme e tyre, por e pazgjidhur. Tanimë është hapur kantieri për rindërtimin e rrugës dhe në pranverë, rruga pritet të jetë funksionale dhe me të gjithë standardet europiane të infrastrukturës. Kryeministri Rama ishte në kantierin e sapohapur të ndërtimit.
“Parametrat janë shumë të mirë. Nga tre metra që është tani do jetë 6 deri në 9 metra, me ndriçim në hyrje të qytetit, me kanalizime. Është një rrugë me standarde europiane”, – shpjegoi projektin, Benet Beci, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Rruga e re dhe transformimi që ka ndodhur në Ulzë falë programit të Rilindjes Urbane do të tërheqë edhe më shumë vizitorë, duke i dhënë një shtysë më të madhe zhvillimit të zonës e sidomos turizmit.
“Tani rruga është një shteg. Duke qenë se është bërë gjithë ai transformim aty në Ulzë, – u shpreh Kryeministri Rama, – rruga lidhëse me rrugën kryesore do t’i japi shumë më tepër mundësi edhe që njerëzit të vijnë e ta shijojnë atë bukuri atje. Do keni më shumë vizitorë, shërbime dhe turizëm se ajo zonë mund të bëhet shumë më e bukur nga ana turistike dhe me shumë vlerë dhe gjithë ai transformimi që është bërë atje duhet të lidhet”.
Banorët i kujtuan Kryeministrit një tjetër premtim: “Na keni dhanë një llaf, që do rregulloni çatitë e disa shpive, që janë t’u na zënë.”
Vija liqenore e Ulzës, nënvizoi Kryeministri, do të jetë një ndër projektet në të ardhmen për Ulzën dhe bashkë me të, edhe rregullimi i çative të shtëpive që brenda saj. “Po bëjmë projektin për bregun e liqenit dhe aty ishin edhe ato çatitë e lodhme. Do t’i bëjmë edhe ato patjetër.”