Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e kryeministrit Edi Rama në prezantimin e uniformave të reja të Policisë së Shtetit:

Përshëndetje që të gjithëve!

Është me krenari dhe kënaqësi të veçantë që ju uroj juve dhe të gjithë kolegëve dhe kolegeve tuaja, t’i gëzoni këto uniforma të reja, që janë jo thjeshtë veshje të reja, por janë një instrument i ri dhe plotësisht funksional për punën e vështirë dhe fisnike të policisë së shtetit.

Dua që qysh në fillim, t’i shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim qeverisë së Turqisë dhe personalisht Presidentit të Turqisë, që na mbështetën në këtë kërkesë dhe bënë të mundur që sot, policia jonë e shtetit të jetë njësoj si të gjitha policitë e zhvilluara ku pjesa e uniformave operacionale është tanimë në dispozicion të të gjithë atyre që në punën e përditshme të terrenit, e kanë të domosdoshme këtë uniformë, ndryshe nga e shkuara e afërt, kur pikërisht mungesa e uniformave operacionale, përbënte një ndër shumë problemet me të cilat përballej punonjësi i policisë së shtetit.

Shumëkush mund të priret të thotë se në fund të fundit kjo është thjeshtë një tjetër pjesë e fasadës së policisë së shtetit, por kushdo që e thotë këtë nuk kupton dhe nuk do të kuptojë se në fakt, kjo është pjesë e pazëvendësueshme e të qenit punonjës dhe drejtues në një polici shteti të suksesshme që i përgjigjet në kohë reale në gjithë territorin e Shqipërisë, sfidave të saj të përditshme.

Nuk ka qenë as 100 e as 10 vjet më parë, por vetëm 3 vjet më parë, kur policia e shtetit edhe për shkak të uniformës ishte bërë objekt barsaletash. Nuk ka qenë as 100  e as 10 vjet më parë, por vetëm 3 vjet më parë, kur policia e shtetit perceptohej në të gjitha anketimet e publikut, si një prej tre institucioneve më të korruptuara të Shqipërisë. E është vetëm në 3 vjet që ky perceptim i shqiptarëve është përmbysur plotësisht, e siç tregojnë të gjitha anketimet, – por mbi të gjitha, anketimet e bëra nga institucionet prestigjioze ndërkombëtare, – sot policia e shtetit është institucioni më i besuar i qytetarëve të Shqipërisë. E janë jo pak, por janë mbi 50% e shqiptarëve që e rendisin policinë e shtetit, jo vetëm në vendin e parë të besueshmërisë së tyre ndaj institucioneve të këtij vendi, por dhe me notat më pozitive.

Nuk ka qenë as 100, as 10 vjet më parë, por vetëm 3 vjet më parë, koha kur policia e shtetit shikohej si një “refugium peccatorum” për ata që nuk dinin të bënin asgjë tjetër dhe që vinin në radhët e kësaj policie drejtpërdrejtë nga kanalet e klientelave partiake. Ndërkohë që për të rejat e të rinjtë me ambicie, policia e shtetit ishte zgjedhja e fundit për një karrierë në jetën e tyre.

Sot, vetëm 3 vjet më vonë, janë gjithmonë e më shumë të rinj që e shohin të ardhmen e tyre me krenari në policinë e shtetit, pasi tanimë policia e shtetit nuk është një zyrë pune për ata të pashkollë, për ata jashtë moshe apo për ata që nuk dinë të bëjnë asnjë punë tjetër. Por është në radhë të parë, një detyrë ku kushdo që ka privilegjin të zgjidhet për ta bërë, ndihet me dinjitet të plotë si qytetar dhe si shërbëtor i këtij vendi, i këtij shteti, i këtij populli.

Nuk është as 100 dhe as 10 vjet më parë, por vetëm 3 vjet më parë, koha kur policia e shtetit ishte e tradhtuar, e braktisur dhe e pafinancuar. Ndërkohë që sot, ju këtu e të gjithë kolegët e koleget tuaja jeni dëshmitarë, jo vetëm të rritjes si asnjëherë më parë të rrogave tuaja, por dhe të një modernizimi të përditshëm të policisë së shtetit, përmes investimesh të vazhdueshme, në infrastrukturë, në teknologji, edukim e trajnim të vazhdueshëm të të gjithëve ju.

Nga sot, në rrugët e qyteteve, qytetarët do të shohin një polici të ripërtërirë edhe nga pikëpamja e dukjes, një dukje që në fakt, pasqyron besnikërisht përmbajtjen e re të punës dhe të moralit të policisë së shtetit.

Ju jeni të gjithë dëshmitarë që në momentin kur ne na u desh të marrim detyrën përballë një krize kërcënuese financiare dhe për arsye të domosdoshmërisë së kapërcimit të asaj krize, të firmosim dhe një program shtrëngues me Fondin Monetar Ndërkombëtar, – pagat e punonjësve të policisë u rritën sidoqoftë me 25%. Ndërkohë që me buxhetin e vitit të ardhshëm, duke filluar nga 1 marsi i vitit 2017, pagat tuaja, jo vetëm do të rriten përsëri, por tanimë ato do të kapin nivelin e lartë të rajonit tonë, duke mishëruar edhe zotimin tonë që të kemi një polici shteti ndër me të mirat në rajon dhe ndër më të mbështeturat financiarisht dhe moralisht në rajon.

Sigurisht që ky është objektivi vetëm i 4 viteve të para, ndërkohë që ambicia jonë e shpallur botërisht është që në një 10 vjeçar, policia e shtetit shqiptar të jetë ndër policitë më të mira të BE. Ne jemi të vendosur që të ecim drejtë këtij objektivi, ashtu siç jemi 100 % të bindur, përditë e më shumë të bindur që ky objektiv është jo vetëm i mundshëm, por edhe tërësisht në mundësitë tona për t’u arritur edhe më parë sesa afati i 10 vjetëve, duke u nisur nga viti 2013.

Ne jemi të vendosur që të vazhdojmë të implementojmë një reformë, e cila e ka kthyer policinë e shtetit pranë qytetarit, pranë komunitetit dhe ka përmbysur një raport absurd të deri tre viteve më parë ku shumica e policisë së shtetit ishte nëpër zyra dhe një pakicë e tradhtuar dhe e braktisur jepte dhe merrte në terren, duke shtyrë makinat që mbeteshin pa naftë dhe me uniforma që siç e thashë, ishin më shumë frymëzim për barsaleta sesa motiv për të respektuar figurën e policisë së shtetit.

Nga ana tjetër, ndërkohë që mbaj këtë fjalë shoh pas jush në një sfond shumë domethënës edhe murin e yjeve të të rënëve në krye të detyrës, në radhët e policisë së shtetit. Nuk është as e rastit dhe as e tepërt që në çdo herë, ne qysh ditën e parë kemi nënvizuar me vepra, jo me fjalë, jo vetëm respektin për punonjësit e policisë së shtetit në detyrë, por edhe mirënjohjen për ata që kanë rënë në krye të detyrës. Sot familja e një dëshmori të policisë së shtetit përfiton pension të përjetshëm dhe mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për fëmijët ndërkohë që në momentin pas rënies në krye të detyrës shpërblehet menjëherë me 10 paga. Nuk ka paga, nuk ka pensione, nuk ka shpërblime që mund të kompensojnë boshllëkun që lë një dëshmor në familjen e vet dhe në zemrën e kolegëve të tij, por nga ana tjetër nuk ka sesi të mos e kujtojmë sot se nuk ishte 100 vjet, nuk ishte as 10 vjet më parë, por ishte vetëm 3 vjet më parë koha kur familjet e dëshmorëve të policisë së shtetit ishin të braktisura, të harruara dhe madje ndjeheshin rëndom edhe të poshtëruara për shkak se jo vetëm nuk gjenin një dorë për t’u mbështetur, por nuk gjenin një dere që hapej pasi trokisnin.

Shumë të nderuar punonjës dhe punonjëse të policisë së shtetit!

Ne sot jemi në një periudhë me rëndësi të madhe, në një betejë që vazhdon përditë, më saktë në një luftë për të ndarë, jo vetëm një herë e mirë nga e shkuara policinë e shtetit, por edhe një herë e mirë kufijtë që në një vend modern, në një vend të zhvilluar, në një vend të sigurtë ndajnë shtetin me krimin, kufij që ne i gjetëm 3 vjet më parë, këtu brenda dhe që prej tre vitesh falë përkushtimit tuaj janë shtyrë përditë, duke zgjeruar përditë hapësirën e veprimit të ligjit dhe të shtetit dhe duke e ngushtuar përditë hapësirën e veprimit të krimit dhe të pasojave të kriminalitetit. Por ka ende shumë luftë për të bërë. Krimi asnjëherë, askund nuk zhduket njëherë e përgjithmonë, por ne kemi një ambicie të shpallur si detyrim ndaj qytetarëve të këtij vendi dhe ndaj gjeneratës tjetër që kufirin me krimin ta vendosim aty ku krimi mbetet njëherë e mirë, në cep, jo në qendër të jetës sonë të përbashkët, siç ishte deri tre vjet më parë.

Nuk dua të zgjatem më tutje me sa shumë kemi bërë sëbashku, por dua t’ju them se edhe këto uniforma të reja, secili prej jush duhet t’i kuptojë ndër të tjera, si shprehjen kuptimplotë të vetëdijes tonë se kemi ende shumë më tepër për të bërë sëbashku. Ne do bëjmë çmos, në çdo hap që ju të ndjeheni gjithmonë e më të mbështetur, të ndjeheni gjithnjë e më të respektuar dhe që çdo mëngjes kur dilni nga shtëpitë për t’i shërbyer shtetit dhe qytetarëve, të ndjeheni mirë dhe të lini pas shpinës suaj prindër, fëmijë që ndjehen mirë dhe që ju presin plot dëshirë dhe krenari kur ju ktheheni në darkë pas punës suaj.

Mirënjohje për gjithçka që ju keni bërë dhe bëni!

Respekt për punën tuaj të vështirë dhe për arritjet tuaja shumë të rëndësishme të këtyre tre vjetëve!

Kurajë e suksese të përditshme në përpjekjen e gjithanshme për ta bërë policinë e shtetit gjithmonë e më shumë një pikë referimi të komuniteteve dhe të qytetarëve që ata të ndihen më të sigurtë dhe që ata ta ndjejnë këtë uniformë, aleat të përditshëm në jetën e tyre dhe të familjeve të tyre.

Shumë faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.