Zëdhënësja e Qeverisë, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, deklaratë për problematikën e shfaqur me disbursimin e fondit të studentëve në disa universitete:
Përshëndetje të gjithëve!
Kryeministri dhe të gjithë ne jemi të shqetësuar në lidhje me vonesat e shkaktuara për disbursimin e fondit të studentëve, sipas vendimeve të Këshillit të Ministrave.
Duke i ndjekur me shumë vëmendje shqetësimet e ngritura nga studentët, përmes Platformës së Bashkëqeverisjes, por edhe përmes analizës së mijërave mesazheve që kanë dërguar studentët gjatë kësaj kohe në Whats App na rezulton se ka një kakofoni në lidhje me informacionin që marrin studentët në universitete dhe nga tjetër, ka një zvarritje të panevojshme nga sekretariatet e fakulteteve.
Nuk është plotësuar dokumentacioni për studentët në ndihmë ekonomike, të cilët, sipas vendimit të Qeverisë, do të përfitojnë pagesën e plotë të tarifës, si dhe bursë 100 mijë lekë të vjetra për secilin student.
Studentët me mesatare 9 – 10, e theksojmë, sipas mesatares së një viti më parë, përfitojnë disbursim të tarifës dhe bursë 100 mijë lekë të vjetra, sikundër edhe disa kategori të tjera studentësh të cilët përfitojnë bursë dhe tarifa të lehtësuara, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave.
Njëkohësisht, ka një kakofoni në lidhje me bashkitë. Në shumë raste, sekretaritë e universiteteve nuk i orientojnë saktë studentët për procedurat e përcaktuara, por i drejtojnë drejt bashkive të cilat nuk kanë asnjë punë me këtë proces.
Studentët të mos shqetësohen!
Tarifat do të paguhen en bloc për të gjithë studentët në universitete, kurse disbursimi i bursës do të kryhet për çdo student, sipas kritereve të përcaktuara.
Pasojat më të shëmtuara të këtij zaptimi absurd të disa fakulteteve janë pikërisht bllokimi i këtij procesi dhe bllokimi i studentëve që në 31 janar duhet ta kishin përfituar bursën dhe rimbursimin e tarifës.
Ja se ç’po bën ndërhyrja politike në protestë, duke i bllokuar studentët në të drejtën e tyre dhe duke ua mohuar këtë të drejtë fund e krye.
Shqetësimi për studentët me rezultate të larta që aplikojnë për punë, të cilët nuk marrin dot informacione nga sekretaritë;
Kemi shpallur 800 vende të lira pune në administratë.
Vetëm rreth gjysma e studentëve me mesatare 9 – 10 kanë arritur ta marrin dokumentacionin.
Jam këtu sot për t’u komunikuar djemve dhe vajzave studente të mos shqetësohen, sepse ne afatin për aplikimin për punë, në www.puneembare.al po e shtyjmë dhe do ta shtyjmë për ta.
Përsërisim thirrjen për Rektorin, të bëjë detyrën dhe të garantojë të drejtën e studentëve për mësim dhe marrjen e informacionit të plotë në kohë.
Iu garantojmë studentëve se jemi me ta, pranë tyre dhe do e kapërcejmë edhe këtë vështirësi të fundit.
Faleminderit!