Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Nga nisja e fushatës së vaksinimit janë 230 mijë të vaksinuar në gjithë vendin, ndërsa janë mbi 10 mijë vaksinime vetëm në qarkun e Gjirokastrës njoftoi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu nga qendra e vaksinimit në Gjirokastër, ku Kryeministri Rama ndoqi sot ecurinë e procesit në këtë bashki.

“Në Gjirokastër kemi filluar të ulim moshën, edhe pse në fakt presim që gjatë kësaj jave të kemi ulje të moshës në gjithë vendin, plus 65 dhe plus 60 për ata me sëmundje kronike. Kemi pasur vështirësi se në fakt, pezullimi i linjave ajrore ka bërë që vaksinat që prisnim të pezullohen. Ne duam të rrisim ritmin e vaksinimeve dhe të jemi tek 20 apo 30 mijë vaksinime në ditë”, – u shpreh ministrja Manastirliu.

Lidhur me problemin e krijuar me pezullimin e fluturimeve dhe shtyrjes së  ardhjes së dozave të parashikuara të vaksinës, Kryeministri Rama u shpreh: “Ajo që është e patolerushme dhe e pajustifikueshme është se kemi humbur faktikisht, ngarkesën e djeshme të vaksinave. Kjo është realisht e dhimbshme në një kohë lufte, kur çdo sekondë dhe çdo minutë vlen e kur ne nuk po lëmë sekondë dhe minutë pa shfrytëzuar. Sidoqoftë, një gjë është mbase pak, por e sigurt, që nuk ka shans që forca destruktive, forca absolutisht të verbra, forca të së shkuarës që duan me çdo kush të marrin peng të ardhmen të na ndalin në këtë proces. I kanë bërë llogaritë gabim dhe kanë marrë përsipër të sfidojnë qeverinë dhe kryeministrin më të gabuar”.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.