Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e mbajtur sot në ceremoninë përkujtimore në varrezat e Dëshmorëve të Kombit:

Në kalendarin e kombeve të qytetëruar ka disa data të rëndësishme. Ndër to ajo e dëshmorëve të atdheut zë përherë një vend të veçantë; në një ditë të veçantë; për një kujtim të veçantë.

Shumë vende kanë zgjedhur të shenjojnë në kalendarin e përkujtimit të dëshmorëve ditën e ndonjë fitoreje të rëndësishme. Tek ne ka mbetur e shenjuar dita e rënies së një shëmbëlltyrë të idealizmit rinor në rrugën e historisë sonë, Qemal Stafës, simboli i gjeneratës së re në kërkim të një bote të re. Një gjeneratë që i’u kundërvu hordhisë më të organizuar pushtuese që bota ka njohur deri më sot për forcën e shkatërrimit të saj. Fashizmit. I cili u lëshua edhe mbi Shqipërinë e vogël e të këputur, me të gjithë egërsinë e gjithpushtetshmërisë së tij. Dhe ndeshi në Shqipëri të gjithë forcën e rezistencës së atdhedashurisë.

5 maji i sotëm ka veçantinë se përkon me 70 vjetorin e fitores së rezistencës mbi fashizmin. E cila u kurorëzua pas një lufte të tmerrshme botërore me kapitullimin e Gjermanisë naziste më 8 maj 1945. Dhe ky përkim na jep një pamje kuptimplotë të përputhshmërisë së sakrificës shqiptare gjatë asaj lufte me sakrificën e liridashëse të të gjithë popujve që u rreshtuan në anën e duhur të historisë.

Rrjedha e mëtejme e historisë në drejtimin e gabuar dhe në kundërshti gjithnjë e më të thellë me lirinë e me të drejtat e qytetarëve shqiptarë, jo vetëm nuk e zbeh, por e bën ende më të fortë shkëlqimin e dritës shpirtërore që u bë fuqia e brendshme e Qemal Stafës dhe e të gjithë të rinjve shqiptarë në zgjedhjen e rëndë por të drejtë të anës së duhur së historisë; në momente tragjike kur dukej se historinë ishin të destinuar ta shkruanin me zjarr e hekur armiqtë e fuqishëm të Shqipërisë e të mbarë njerëzimit dhe kur kundërvënia ndaj tyre i ngjante një marrëzie vetëvrasëse.

Por historinë e shkruan në fakt, mijëra vajza e djem shqiptarë që kishin me vete vetëm një armë përballë armiqve të zbarkuar në tokën tonë me armatimin më modern që bota njihte deri atëherë. Kishin të drejtën. Të drejtën që i bëri t’i hyjnë detit më këmbë dhe të ecin në drejtimin e duhur pa e humbur rrugën prej gjakut, plagëve, dhimbjeve e përqeshjeve po ashtu.

Pa dallim feje, krahine e ideje ishin pesë fjalë që bashkuan në një Shqipërinë e vogël dhe bënë që sot e gjithë ditën e për të gjitha gjeneratat që do të vijnë, populli i Shqipërisë të gjendet mes çlirimtarëve të botës ku jetojmë. Pesëdhjetë vjetët që e pasuan çlirimin dhe sollën ferrin e një ideologjie që idealet e Qemal Stafës e të gjeneratës së tij i shndërroi në formulën diabolike të diktaturës së proletariatit, nuk i kanë hequr megjithatë asgjë fuqisë frymëzuese të atyre pesë fjalëve.

Pa dallim feje, krahine e ideje, mbetet sot e gjithë ditën pika më e patundshme e referimit për të ecur në drejtimin e duhur duke luftuar me tundimet përçarëse që kërcënojnë bashkëjetesën tonë fetare, shoqërore dhe politike në rrugën e vështirë por të vetme të Shqipërisë Europiane në Europën e Bashkuar.

Ne vijmë sot këtu me përulësinë e njerëzve të zakonshëm përballë kujtimit të njerëzve që me jetën e tyre bënë diçka të jashtëzakonshme, por edhe me krenarinë e të qenit pjesë e një përpjekjeje politike e shoqërore për ta bërë atdheun e Qemal Stafës e të dëshmorëve tanë, një vend të denjë për sakrificën e tyre sublime.

Të nderuar pjesëmarrës,

Winston Churchill thoshte se “Problemet e fitores janë më të pranueshme, por jo më të lehta se sa ato të humbjes”.

Kjo fjalë e njërit prej njerëzve më influentë në historinë e njerëzimit, vlen për çdo fitore në historinë e botës, popujve, komuniteteve dhe në vetë jetën e një individi. Është një e vërtetë e madhe që vlen edhe në rrugën e përpjekjes sonë pas fitores politike si Aleancë për Shqipërinë Europiane dhe qeverisjes në emër të vlerave, ideve dhe aspiratës së lartë për të rilindur Shqipërinë e rrënuar nga problemet e pazgjidhura e të papranueshme njëzet e pesë vjet pas çlirimit nga diktatura e proletariatit. Por ne sot jemi krenarë për faktin që s’kemi ndenjur asnjë çast symbyllur përpara problemeve dhe jemi munduar me mish e me shpirt ta ndalim rrjedhjen e lirë të dy dekadave që shkuan. Dhe jemi besimplotë se çka kemi arritur të bëjmë në një kohë shumë të shkurtër për numrin e për thellësinë e problemeve të papranueshme që u trashëguan duke u rënduar vit pas viti, po shënon kthesën e Shqipërisë në drejtimin e duhur.

Rruga përpara nesh është ende e gjatë. Ende fort e mundimshme për shumëkënd që përpiqet t’ia dalë duke shkuar në drejtimin e duhur të punës së ndershme e të respektit për ligjin. Ende shumë e pasigurtë për këdo që prej vitesh jeton në varfërinë e prodhuar prej varfërisë së aspiratave të atyre që premtuan parajsën kapitaliste për të gjithë dhe në vend të saj, ndërtuan ferrin e shkatërrimit urban, rrënimit ekonomik, dëshpërimit social në pjesë të tëra të trupit të Shqipërisë së keqtrajtuar nga pushteti i injorancës së babëzitur.

Varfëria e aspiratave të të pushtetshmëve që i lanë problemet e mëdha të fitores së demokracisë në rrjedhje të lirë, bëri që të rrjedhë shumë kohë në favor të varfërisë, papunësisë, korrupsionit dhe që plagët e vjetra të rrënimit që solli diktatura e proletariatit, të mos shëroheshin po të gjeneronin plagë të reja degraduese për Shqipërinë e dalë nga ferri ideologjik. Politika e rrjedhjes së lirë krijoi borxhe të mëdha duke marrë hua të ardhmen për të shtyrë të tashmen dhe duke i’a lënë të nesërmes zgjidhjen e problemeve të së sotmes. Interesi i të qëndruarit me çdo kusht në pushtet, u bë forca madhore që i mohoi Shqipërisë ilaçet e hidhura të të vërtetave në ekonomi, financa, arsim, shëndetësi e me radhë dhe në vend të tyre u serviri shqiptarëve mjaltin e ëmbël të gënjeshtrave. Në vend të reformimit rrënjësor përmes operacioneve të domosdoshme e sado të dhimbshme të kancerit që preku çdo sektor jetik të organizmit të vendit, u zgjodh deformimi që prodhon të qeverisurit sot për sot, për t’i shtuar jetën pushtetit duke i shkurtuar rrugën e të ardhmes vendit.

E prandaj edhe shteti nuk u bë dot shtet në asgjë, po në gjithçka mbeti vetëm në tentativë.

Sot që është radha jonë për të thënë fjalën tonë përmes punës në drejtimin e vendit, ne kemi zgjedhur të udhëheqim vendin në rrugën e të ardhmes përmes reformimit rrënjësor, pavarësisht kostove të pashmangshme, jo t’i shtojmë jetën pushtetit tonë, pavarësisht tundimit të pashmangshëm.

Ne kemi vendosur të jemi mishërimi i luftës ndaj varfërisë së aspiratave në radhë të parë, prej së cilës kanë buruar e burojnë kaq shumë populizma, ide dritëshkurtra, receta të gabuara zgjidhjesh të shpejta, nga ato që vetëm shtyjnë për nesër zgjidhjen reale të problemeve të rënda për njerëzit, për të fituar pushtet vetëm për vete sot.

Ne jemi të gatshëm të japim mishin e shpirtin në këtë përpjekje që askush përpara nesh nuk tentoi ta bënte me të gjithë fuqinë e dashurisë së prindit që nuk e fut fëmijën në një operacion për jetë a vdekje, sepse do ta torturojë po sepse do ta shpëtojë; që nuk i jep fëmijës ilaçe të hidhura sepse do ta dëshpërojë po sepse do ta shërojë.

Ky është drejtimi i duhur për Shqipërinë. Ky është drejtimi i duhur që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja për ata që sot janë më keq se dje. Ky është drejtimi i duhur për të bërë realitet ëndrrën e shtetit europian të shqiptarëve. Për të cilën dhanë jetën edhe ata që sot meritojnë përuljen tonë më të thellë dhe mirënjohjen tonë më të madhe, dëshmorët e Luftës Antifashiste.

Lavdi të përjetshme dëshmorëve të Atdheut!

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.