Vendime të Këshillit të Ministrave, datë 06 Prill 2020:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E GARANCISË SHTETËRORE TË HUAS ME BANKAT E NIVELIT TË DYTË PËR PAGAT E TREGTARËVE OSE SHOQËRIVE TREGTARE, AKTIVITETI I TË CILAVE ËSHTË PREKUR NGA VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, NË KUADËR TË MENAXHIMIT TË SITUATËS SË KRIJUAR NGA COVID-19, SI EDHE PËR PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE E TË KRITEREVE TË MARRËVESHJES SË GARANCISË DHE MARRËVESHJES SË MIRËKUPTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3 dhe 38, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e linjës së garancisë shtetërore, në vlerën 11 000 000 000 (njëmbëdhjetë miliard) lekë, në favor të bankave të nivelit të dytë, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, pjesë e skemës së garancisë që do të mundësojë huadhënien për të përballuar pagat e tregtarëve ose të shoqërive tregtare, aktiviteti i të cilave është mbyllur ose është ndikuar me ulje të xhiros, si pasojë e vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe urdhrave të nxjerra nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19.
2. Linja e garancisë shtetërore lëshohet në favor të secilës bankë të nivelit të dytë, si më poshtë vijon:
⦁ “Raiffeisen Bank”, sh.a., Albania, në vlerën 1 900 000 000 lekë;
⦁ “⦁ Banka Tirana”, sh.a., në vlerën 600 000 000 lekë;
⦁ “⦁ Banka Union”, sh.a., në vlerën 600 000 000 lekë;
⦁ “⦁ Banka Intesa Sanpaolo Albania”, sh.a., në vlerën 900 000 000 lekë;
⦁ “⦁ Banka Kombëtare Tregtare”, sh.a., në vlerën 1 900 000 000 lekë;
⦁ “⦁ Banka OTP Albania”, sh.a., në vlerën 1 100 000 000 lekë;
⦁ “⦁ Banka Procredit”, sh.a., në vlerën 400 000 000 lekë;
⦁ “⦁ Banka Alpha Albania”, sh.a., në vlerën 700 000 000 lekë;
⦁ “⦁ Banka Amerikane e Investimeve”, sh.a., në vlerën 500 000 000 lekë;
⦁ “⦁ Banka Credins”, sh.a., në vlerën 2 000 000 000 lekë;
⦁ “⦁ Banka e Bashkuar e Shqipërisë”, sh.a., në vlerën 100 000 000 lekë;
⦁ “⦁ Banka e Parë e Investimeve, Albania”, sh.a., në vlerën 300 000 000 lekë.
3. Ministri i Financave dhe Ekonomisë ka të drejtë që, pas 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e nënshkrimit të marrëveshjeve përkatëse, nëse është e nevojshme, sipas raportit të strukturës së posaçme ndërinstitucionale, i propozon Këshillit të Ministrave rialokimin e shumës së garancisë, nga huadhënësi që nuk e ka ezuaruar shumën e garancisë në favor të tij te huadhënësi që e ka ezauruar atë plotësisht.
4. Në skemën e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, nuk përfshihen tregtarët ose shoqëritë tregtare, të cilat para miratimit të tij janë subjekt i përfitimit nga skema e subvencionimit të pagës sipas vendimit nr.254, datë 27.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë, ndihmës ekonomike dhe të pagesës të së ardhurës nga papunësia gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore, të shpallur si pasojë e COVID-19”.
5. Marrëveshjet e garancisë janë sipas kushteve dhe kritereve të marrëveshjes tip që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Autorizohet ministri i Financave dhe Ekonomisë për nënshkrimin e marrëveshjeve të garancisë me secilën nga bankat e nivelit të dytë.
7. Marrëveshja e mirëkuptimit, e cila nënshkruhet nga huamarrësi, do të përmbajë kushtet sipas marrëveshjes tip të integruar si aneks në marrëveshjen tip të përmendur në pikën 5, të këtij vendimi.
8. Struktura e posaçme ndërinstitucionale, e cila do të monitorojë, shqyrtojë dhe raportojë, periodikisht, pranë ministrit të Financave dhe Ekonomisë në lidhje me ecurinë e garancisë shtetërore, miratohet me urdhër të Kryeministrit.
9. Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KONTRATËS ME OBJEKT “BLERJE MATERIALE MJEKËSORE NË KUADËR TË MASAVE PËR PARANDALIMIN E PËRHAPJES SË VIRUSIT COVID-19”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 1, të kreut VII, të vendimit nr.203, datë 26.2.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat që përdoren për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesa thelbësorë të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e kontratës me objekt “Blerje materiale mjekësore në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19”, me palë Ministrinë e Drejtësisë dhe operatorin ekonomik “FEDOS”, sh.p.k., të zhvilluar me procedurën e drejtpërdrejtë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA