Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË SISTEMIT INFORMATIK TË PLANIFIKIMIT TË INTEGRUAR (SIPI/IPSIS)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, 7 e 8, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Krijimin e bazës të të dhënave shtetërore të Sistemit Informatik të Planifikimit të Integruar (SIPI/IPSIS). Sistemi Informatik i Planifikimit të Integruar (SIPI/IPSIS) është sistemi kryesor për planifikimin, analizën, përgatitjen e të gjitha tipologjive të dokumenteve strategjike, si dhe për monitorimin e performancës së arritur kundrejt politikave dhe objektivave të planifikuar.

2. Ky vendim zbatohet nga të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme që marrin pjesë në hartimin e kuadrit të politikave publike afatgjata për Republikën e Shqipërisë.

3. Portofoli i Sistemit Informatik të Planifikimit të Integruar përbëhet nga modulet e mëposhtme:

a) Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim;
b) Prioritetet qeveritare;
c) Dokumentet strategjike, ku përfshihen:

i. Strategjitë kombëtare sektoriale dhe ndërsektoriale;
ii. Programet e zhvillimit;
iii. Dokumenti i zhvillimit të politikës;
iv. Plani Kombëtar për Integrimin Evropian;
v. Dokumenti i politikave prioritare;
vi. Planet e veprimit.

ç) Korniza e treguesve të performancës;
d) Programi vjetor ligjor i qeverisë;
dh) Masat kombëtare prioritare:

⦁ Paketa Kombëtare e Projekteve Strategjike.

e) Kalendari i planifikimit të integruar;
ë) Analiza e treguesve;
f) Raportet e monitorimit;
g) Dokumentet e arkivuara.

4. Sistemi Informatik i Planifikimit të Integruar ndërvepron me sistemet/platformat qeveritare të përmendura më poshtë:

a) Sistemin Informatik të Menaxhimit Financiar (SIMF), në administrim të ministrisë përgjegjëse për financat;
b) Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë (SIFQ), në administrim të ministrisë përgjegjëse për financat;
c) Sistemin Informatik të Menaxhimit të Ndihmës së Huaj (SIMNH), në administrim të ministrisë përgjegjëse për financat;
ç) Regjistrin Elektronik të Njoftimeve dhe Konsultimeve Publike (RENKP), në administrim të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit;
d) Sistemin e Arkivit të Akteve të Qendrës së Botimeve Zyrtare (Sistemi i QBZ) në administrim funksional të ministrisë përgjegjëse për botimet zyrtare;
dh) Bazën e të Dhënave Statistikore, në administrim të Institutit të Statistikave;
e) Platformën për të Dhëna të Hapura.

5. Sistemi Informatik i Planifikimit të Integruar përmban të dhëna, që ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore, si më poshtë vijon:

a) Të dhënat parësore konsiderohen të dhënat e krijuara në SIPI/IPSIS, që përfshijnë të dhënat mbi dokumentet strategjike kombëtare, prioritetet, programet dhe projektet qeveritare, të tilla si:

i. Versioni i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim;
ii. Kodi, emërtimi, struktura, përmbajtja e dokumenteve strategjike;
iii. Të dhënat për nivelet e kuadrit të politikave si shtyllat strategjike, objektivat strategjikë, qëllimet e politikave, objektivat specifikë dhe masat e lidhura me to, referencë me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe treguesit standardë të tjerë;
iv. Të dhënat për masat prioritare lidhur me programet zhvillimore dhe projektet kombëtare strategjike;
v. Lidhja hierarkike dhe funksionale midis të gjitha niveleve të kuadrit të politikave të krijuar në SIPI/IPSIS, sipas nënndarjeve “iii” dhe “iv”, sa më sipër;
vi. Të dhënat e treguesve të performancës (të impaktit dhe rezultatit) dhe lidhja e tyre me çdo nivel të kuadrit të politikave;
vii. Lidhja e politikave, objektivave specifikë dhe masave me programet buxhetore;
viii. Krijimi i listës së institucioneve që nuk ekzistojnë në sistemin SIFQ- kod, emërtim.

b) Të dhëna dytësore përfshijnë informacionin, si më poshtë vijon:

i. Të dhënat buxhetore mbi projektet e investimeve të buxhetit afatmesëm;
ii. Të dhënat buxhetore mbi produktet e planifikuara të buxhetit afatmesëm;
iii. Emërtimin dhe kodet e njësive të qeverisjes së përgjithshme;
iv. Listën e programeve buxhetore – kod, emërtim;
v. Klasifikimin buxhetor në nivel kapitulli dhe artikulli në përputhje me ligjin nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të gjitha aktet nënligjore në zbatim të tij;
vi. Lidhjen e produkteve me treguesit e performancës SIPI/IPSIS;
vii. Lidhjen e projekteve të investimeve me masat prioritare;
viii. Të dhënat për buxhetin faktik për projektet e investimeve;
ix. Të dhënat për buxhetin faktik për produktet në nivel artikulli ekonomik;
x. Të dhënat mbi komentet e marra nga konsultimi publik i dokumenteve strategjike;
xi. Të dhënat mbi aktet e hyrjes në fuqi të dokumenteve strategjike;
xii. Të dhënat mbi objektivat, produktet dhe treguesit e krijuar jashtë kuadrit të planifikuar strategjik.

6. Sistemi Informatik i Planifikimit të Integruar shkëmben informacion me institucionet publike, sipas parashikimeve të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, lidhur me shërbimet që ofrohen në bazë të legjislacionit përkatës, nëpërmjet Platformës Qeveritare të Ndërveprimit.

7. Bazat e të dhënave shtetërore të institucioneve publike, nga të cilat
SIPI/IPSIS merr të dhëna, janë, si më poshtë vijon:

a) Sistemi Informatik i Menaxhimit Financiar (SIMF):

i. Të dhënat buxhetore mbi projektet e investimeve të buxhetit afatmesëm;
ii. Të dhënat buxhetore mbi produktet e planifikuara të buxhetit afatmesëm;
iii. Lista e programeve buxhetore – kod, emërtim;
iv. Klasifikimi buxhetor në nivel kapitulli dhe artikulli në përputhje me ligjin nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të gjitha aktet nënligjore në zbatim të tij;
v. Lidhja e produkteve me treguesit e performancës SIPI;
vi. Lidhja e projekteve të investimeve me masat prioritare;
vii. Të dhëna për buxhetin faktik për projektet e investimeve;
viii. Të dhëna për buxhetin faktik për produktet në nivel artikulli ekonomik;
ix. Të dhëna mbi objektivat, produktet dhe treguesit e krijuar jashtë kuadrit të planifikuar strategjik.

b) Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë (SIFQ):

⦁ Emërtimi dhe kodet e njësive të qeverisjes së përgjithshme.

c) Regjistri Elektronik i Njoftimeve dhe Konsultimeve Publike (RENKP):

⦁ Të dhëna mbi komentet e marra nga konsultimi publik
i dokumenteve strategjike.

ç) Sistemi i Arkivit të Akteve të Qendrës së Botimeve Zyrtare (Sistemi i
QBZ):

– Të dhëna mbi aktet e hyrjes në fuqi të dokumenteve strategjike;

d) Baza e të Dhënave Statistikore:

⦁ Të dhëna për vlerat aktuale të treguesve të performancës.

8. Bazat e të dhënave shtetërore të institucioneve publike, te të cilat SIPI/IPSIS jep të dhëna, janë, si më poshtë vijon:

a) Sistemi Informatik i Menaxhimit Financiar (SIMF), që administrohet nga ministria përgjegjëse për financat:

i. Versioni i Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim;
ii. Të dhëna lidhur me qëllimin e politikave të programeve buxhetore;
iii. Të dhëna lidhur me objektivat specifikë të programeve buxhetore;
iv. Masat prioritare strategjike lidhur me programet zhvillimore dhe projektet kombëtare strategjike;
v. Të dhëna për treguesit e performancës në nivel qëllimi dhe objektivi specifik.

b) Sistemi Informatik i Menaxhimit të Ndihmës së Huaj (SIMNH), që administrohet nga ministria përgjegjëse për financat:

i. Shtyllat dhe objektivat strategjikë të SKZHI-së;
ii. Treguesit e SKZHI-së dhe të strategjive sektoriale;
iii. Masat prioritare lidhur me programet zhvillimore dhe projektet kombëtare strategjike;
iv. Referenca me standardet dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.

9. Përbërësit e arkitekturës software dhe hardware të sistemit miratohen nga Autoriteti Rregullator Koordinues.

10. Institucioni administrues i sistemit SIPI/IPSIS është njësia përgjegjëse për sistemet e mirëqeverisjes në Kryeministri.

11. Dhënës të informacionit janë njësitë e qeverisjes së përgjithshme, që operojnë me akses të drejtpërdrejtë në SIPI/IPSIS.

12. Niveli i aksesit në sistemin dhe bazën e të dhënave të SIPI/IPSIS është, si më poshtë vijon:

a) Administratorët e SIPI/IPSIS kanë të drejtë leximi, shkrimi dhe modifikimi të të dhënave në SIPI/IPSIS në lidhje me menaxhimin e përdoruesve, procesin e hartimit, të menaxhimit dhe të monitorimit të dokumenteve strategjike;
b) Njësitë e qeverisjes së përgjithshme kanë të drejtë leximi, shkrimi/modifikimi ose anulimi vetëm për të dhënat që regjistrojnë në SIPI/IPSIS;
c) Njësia përgjegjëse për sistemet e mirëqeverisjes në Kryeministri, e cila koordinon, udhëzon dhe monitoron përgatitjen e të gjitha tipologjive të dokumenteve strategjike, ka të drejta administrative në SIPI/IPSIS në këto role:

i. Administrator;
ii. Raportues;
iii. Auditues;
iv. Lexues i informacionit.

13. Organizimi dhe funksionimi i brendshëm i sistemit dhe bazës të të dhënave të SIPI/IPSIS përcaktohen dhe miratohen me rregullore të brendshme të institucionit administrues, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”.

14. Dokumentet strategjike do të përgatiten paralelisht në sistemin SIPI/IPSIS dhe atë shkresor, deri në përfundim të rishikimit të tyre, për një periudhë kohore jo më shumë se një vit.

15. Ngarkohen njësia përgjegjëse për sistemet e mirëqeverisjes në Kryeministri, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat operojnë me akses të drejtpërdrejtë në SIPI/IPSIS, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I 

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.