Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.5, DATË 6.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR PËRFITIMET NGA PROGRAMI I GRANTEVE TË RINDËRTIMIT DHE PROJEKTET MODEL”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 18, 19, 20 e 25, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në kreun IV, të vendimit nr.5, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a) Pikat 4 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“4. Përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit edhe individët ose familjet:

a) shtëpitë individuale ose banesat e të cilëve kanë pësuar dëmtime thelbësore deri në të mëdha, që konsistojnë në çarje të moderuara në strukturë ose çarje të mëdha në mure ndarëse dhe mbushëse ose dëmtim i mureve ndarëse dhe perimetralë, siç përcaktohet nga aktekspertiza e thelluar;
b) shtëpitë individuale ose banesat e të cilëve kanë pësuar dëmtime të lehta strukturore ose dëmtime të moderuara jostrukturore ose çarje në muret ndarëse dhe perimetralë, siç përcaktohet nga aktkonstatimi ose aktekspertiza e thelluar;
c) shtëpitë individuale ose banesat e të cilëve nuk kanë dëmtim strukturor ose kanë dëmtim të papërfillshëm deri në të lehtë jostrukturor, si çarje të lehta në mure ndarëse dhe perimetralë, siç përcaktohet nga aktkonstatimi ose aktekspertiza e thelluar.

5. Masa e vlerës së rikonstruksionit ose riparimit, mënyra e përdorimit dhe monitorimi, sipas pikës 4, të këtij vendimi, përcaktohen me vendim të këshillit bashkiak të njësisë së vetëqeverisjes vendore, e cila, në të gjitha rastet, nuk duhet të jetë më shumë se:

a) 500 000 (pesëqind mijë) lekë, sipas parashikimeve të shkronjës “a”, të pikës 4, të kreut IV, të këtij vendimi;
b) 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë, sipas parashikimeve të shkronjës “b”, të pikës 4, të kreut IV, të këtij vendimi;
c) 100 000 (njëqind mijë) lekë, sipas parashikimeve të shkronjës “c”, të pikës 4, të kreut IV, të këtij vendimi.

Brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e nënshkrimit të kontratës përkatëse të grantit, shuma e grantit të përfituar, sipas përcaktimeve të kësaj pike, i kalon përfituesit në një llogari bankare pranë një banke të nivelit të dytë.”.

b) Pika 6 shfuqizohet.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, bashkitë Tiranë, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Kamzë, Vorë, Shijak, Krujë, Kurbin, Mirëditë dhe Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.