Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e datës 07 Tetor 2015​     

        V E N D I M      

PËR

DHËNIE NDIHME FINANCIARE FAMILJES TË TË NDJERIT, SIMON GJON GJETA, ISH-PUNONJËS POLICIE, I VRARË NË KRYE TË DETYRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Dhënien e ndihmës financiare, prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, familjes të të ndjerit, Simon Gjon Gjeta, ish-punonjës policie në Komisariatin e Policisë të Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër, i vrarë në krye të detyrës.

2.    Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

3.    Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I 

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË MENAXHIMIT TË QENDRAVE PËR HAPJE DHE DIALOG (AMQHD)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 13, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e Agjencisë së Menaxhimit të Qendrave për Hapje dhe Dialog (në vijim AMQHD), si një institucion juridik publik, në varësi të Kryeministrit. AMQHD-ja ka selinë në Tiranë dhe ka vulën e stemën e saj.

2. AMQHD-ja ka mision mbështetjen e projekteve e të programeve për një shoqëri të hapur dhe institucione më pranë qytetarëve, shoqërisë civile dhe aktorëve të ndryshëm të fushës së shkencës e të artit.

3.    AMQHD-ja, për të realizuar misionin, përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, kryen detyrat e mëposhtme:

a)    Bashkëpunon me ministritë, institucionet e tjera, shoqërinë civile, institucione ndërkombëtare të shkencës e të artit në mbështetje dhe promovim të projekteve, aktiviteteve, nismave, bashkëpunimeve për një shoqëri të institucioneve të hapura dhe dialogut të gjerë.

b)    Bashkëpunon me ministritë, institucionet e tjera, shoqërinë civile, institucione ndërkombëtare të shkencës dhe artit në mbështetje dhe për promovimin e një imazhi të ri për vendin tonë e rajonin, si simbole të bashkëjetesës paqësore dhe udhërrëfyes në ndërtimin e saj.
c)    Bashkëpunon me ministritë, institucionet e tjera, shoqërinë civile, institucione e përfaqësi të huaja, institucione ndërkombëtare të shkencës e të artit për krijimin, mbështetjen dhe promovimin e nismave e të praktikave kundër ekstremizmit të dhunshëm.
ç)    Realizon dhe financon projekte inovative të studentëve, studiuesve, artistëve, kuratorëve, gazetarëve e aktivistëve të shoqërisë civile, për sigurimin e mjeteve e të mundësive për ndikimin e politikave publike dhe krijimin e një dialogu të gjerë që siguron institucione të hapura, transparente e më pranë qytetarëve.
d) Zbaton dhe kontribuon në strategjitë dhe politikat e qeverisë në mbështetje të studiuesve, artistëve, qendrave të ekselencës, qendrave të hulumtimit dhe komunikimit.
dh)    Zbaton strategjitë qeveritare dhe strategjitë e politikës së jashtme shqiptare dhe kontribuon për mbështetjen e dialogut mes grupeve sociale, kulturore, etnike, fetare e politike duke e kthyer atë në pjesë natyrale të kulturës demokratike në të gjithë rajonin tonë.
e)    Zbaton strategjitë qeveritare për krijimin e mjeteve dhe kontribuon për mbështetjen e nismave inovative të dialogut, bashkëpunimit e të bashkëjetësës në rajonin tonë.
ë)    Vlerëson dhe ofron mbështetje teknike për hartimin dhe përputhshmërinë  e strategjive qeveritare me misionin e përcaktuar në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 3, të këtij vendimi.
f)    Promovon bashkëpunim me sektorin privat në mbështetje të misionit të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, dhe të iniciativave inovative për hapje e dialog në fushën e artit, shkencës dhe kërkimit.
g) Zhvillon bashkëpunime dypalëshe dhe shumëpalëshe me sektorin publik e privat, vendas dhe të huaj, në shërbim të misionit të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi.
gj) Kontribuon në krijimin e kushteve për bashkëpunim dhe intensifikimin e bashkëpunimit mes politikëbërësve dhe akademikëve, ekspertëve të shquar ndërkombëtarë, personaliteteve në fushën e artit e të kulturës.
h) Kontribuon në zhvillimin e politikave, legjislacionit, strategjive për inovacionin, transparencën, artin, arsimin, rininë, grupet vulnerabël.
i) Propozon e inicion nisma dhe menaxhon qendra në përmbushje të misionit të përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, brenda dhe jashtë vendit, mbështetur në legjislacionin shqiptar ose në bazë të marrëveshjeve  dy- ose shumëpalëshe.

4. AMQHD-ja është institucion buxhetor dhe financohet nga:

a) buxheti i shtetit;
b) burime të tjera të ligjshme.

5.    AMQHD-ja përdor buxhetin për fondin e pagave të punonjësve dhe për shpenzime të tjera në funksion të përmbushjes së funksionimit e të realizimit të detyrave të agjencisë.

6. Organet e AMQHD-së janë:

a)    Drejtori i Përgjithshëm (organ drejtues);
b)    Bordi Këshillimor.

7.    Drejtori i Përgjithshëm i AMQHD-së është titullar i institucionit, i cili emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Kryeministri dhe e përfaqëson agjencinë në marrëdhënie me të tretë.

8. Bordi Këshillimor është organ kolegjial këshillimor që drejtohet me rotacion 6-mujor nga anëtarët e tij.

8.1.     Bordi Këshillimor miratohet me urdhër të Kryeministrit dhe përbëhet nga 15 anëtarë, shqiptarë dhe të huaj, të njohur për veprimtari në lidhje me misionin dhe fushat e veprimit të AMQHD-së.

8.2. Në përbërje të Bordit Këshillimor janë:

  • anëtarë/drejtues  të organizatave shqiptare të shoqërisë civile;
  • pjesëtarë të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri;
  • anëtarë/drejtues të dhomave/unioneve të tregtisë shqiptare dhe të huaja;
  • ekspertë, akademikë, profesorë të universiteteve prestigjoze, shqiptare dhe të huaja;
  • përfaqësues të institucioneve të ngjashme, publike ose private, të vendeve të tjera;
  • ekspertë të njohur, të huaj dhe vendas, me kontribut ose potencial për kontribut në misionin e AMQHD-së.

9. Funksionet kryesore të Bordit Këshillimor janë:

a)    Propozon ndryshime në kalendarin e aktiviteteve të AMQHD-së dhe miraton raportin e veprimtarisë së kësaj agjencie, që i dërgohet Kryeministrit dhe bëhet publik.
b)    Propozon aktivitete, programe, projekte për AMQHD-në.
c)    Ka drejtë të sugjerojë ndryshime në programet, financimet dhe projektet në të cilat përfshihet AMQHD-ja.
ç)     Ka drejtë të japë vlerësime për stafin e AMQHD-së dhe për të gjitha llojet e kontratave në të cilat përfshihet kjo agjenci.
d)    Ka drejtë të japë sugjerime për përfaqësimin e AMQHD-së pranë palëve të treta.
dh)    I sugjeron AMQHD-së angazhime në marrëdhënie dypalëshe dhe shumëpalëshe me palë të treta, brenda dhe jashtë vendit.

10.    AMQHD-ja, për çështjet e përmbajtjes dhe vlerësimit të programeve e të projekteve mbështetet në ekspertizën e anëtarëve të Bordit Këshillimor ose në ekspertizën e komisioneve të programeve e të projekteve që propozohen nga drejtori i Përgjithshëm në konsulencë me bordin dhe në përputhje me rregulloren e funksionimit të kësaj agjencie.

11. Struktura e kësaj agjencie miratohet, me urdhër të Kryeministrit, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

12.    Funksionimi i AMQHD-së rregullohet në përputhje me rregulloren e funksionimit të kësaj agjencie e cila përgatitet nga drejtori i Përgjithshëm, në bashkëpunim me Bordin dhe miratohet me urdhër të Kryeministrit.

13.    Marrëdhëniet e punës së nëpunësve/punonjësve të AMQHD-së rregullohen me Kodin e Punës.

14. Drejtori i Përgjithshëm dhe anëtarët e bordit emërohen/caktohen brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

15.    Për vitin 2015, AMQHD-ja financohet nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë.

16. Kryeministrisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2015, zëri “Investime,” t’i shtohen fondet për financimin e AMQHD-së, si më poshtë vijon:

a)    1 5000 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë për rikonstruksionin dhe pajisjen e mjediseve të punës të kësaj agjencie;
b)    3 000 000 (tre milionë) lekë për paga e shpenzime të tjera të nevojshme për veprimtarinë e AMQHD-së;
c)    1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë për investime.

17. Fondet e përmendura në pikën 16, të këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

18. Ngarkohen Kryeministria dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Halil Hyseni të emërohet zëvendësministër i Punëve të Jashtme.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR 

PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, KRITEREVE DHE AFATEVE PËR NDJEKJEN E PROGRAMEVE TË FORMIMIT E TË KUALIFIKIMIT PROFESIONAL PËR INDIVIDËT QË USHTROJNË PROFESIONIN E PUNONJËSIT SOCIAL PËR NJË PERIUDHË TË CAKTUAR KOHE, POR NUK KANË FORMIMIN DHE KUALIFIKIMIN PROFESIONAL MINIMAL PËR PUNONJËS SOCIAL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 2, të nenit 19, të ligjit nr.163/2014, “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Çdo person, i cili në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nr.163/2014, “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”, ushtron ose ka ushtruar profesionin e punonjësit social dhe zotëron diplomën e studimeve të ciklit të parë ose të ciklit të dytë ose ekuivalentet me to të punonjësit social, përjashtohet nga detyrimi për dhënien e provimit të shtetit. Atij i lind e drejta e menjëhershme e anëtarësimit në Urdhrin e Punonjësve Socialë.

2.    Çdo person, i cili, në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nr.163/2014,   “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”, ushtron ose ka ushtruar profesionin e punonjësit social dhe ka përfunduar me sukses provimin e shtetit në një nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Zvicër, Lihtenshtein, Norvegji, Islandë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Japoni ose vendet me të cilat Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje dypalëshe për këtë qëllim, përjashtohet nga detyrimi për dhënien  e provimit të shtetit. Atij i lind e drejta e anëtarësimit në Urdhrin e Punonjësve Socialë, me qëllim që të ushtrojë profesionin si rezident në Shqipëri apo i atashuar në një institucion ku vjen periodikisht për ushtrimin e profesionit.

3.    Çdo person, i cili në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nr.163/2014, “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”, ushtron ose ka ushtruar profesionin e punonjësit social për një periudhë të pandërprerë prej jo më pak se 10 vjetësh dhe zotëron diplomën e studimeve të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë në një fushë tjetër, është i detyruar të ndjekë kursin e kualifikimit 1-vjeçar pranë Departamentit të Punës dhe Politikës Sociale, të Fakultetit të Shkencave Sociale, në Universitetin e Tiranës. Ky kurs kualifikimi duhet të ndiqet brenda 2 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Çdo person, i cili përfundon kursin e sipërpërmendur të kualifikimit, përjashtohet nga detyrimi për dhënien e provimit të shtetit.

4.    Profesionisti i përcaktuar në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij vendimi, aplikon për regjistrim për ushtrim të profesionit të punonjësit social në Republikën e Shqipërisë pranë Urdhrit të Punonjësve Socialë. Pas shqyrtimit të aplikimit, kur plotësohen kriteret e pikave 1, 2 dhe 3, të këtij vendimi, Urdhri i Punonjësve Socialë kryen regjistrimin e profesionistit.

5.    Çdo person, i cili në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nr.163/2014, “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”, ushtron ose ka ushtruar profesionin e punonjësit social për një periudhë të pandërprerë prej 5 vjetësh dhe zotëron diplomën e studimeve të ciklit të dytë të punonjësit social dhe diplomën e studimeve të ciklit të parë në një fushë tjetër, është i detyruar të japë provimin e shtetit, brenda 2 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

6.    Çdo person, i cili në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit nr.163/2014, “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”, ushtron ose ka ushtruar profesionin e punonjësit social për një periudhë të pandërprerë prej     5 vjetësh dhe zotëron diplomën e studimeve të ciklit të parë dhe të ciklit të dytë në një fushë tjetër, është i detyruar të ndjekë ciklin e dytë të studimeve në punë sociale, brenda 3 vjetësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Pas përfundimit të këtyre studimeve, ai jep provimin e shtetit.

7.    Personat e përcaktuar në pikat 3, 5 dhe 6, të këtij vendimi, aplikojnë pranë Urdhrit të Punonjësve Socialë dhe regjistrohen në një regjistër të posaçëm të tij deri në përfundim të periudhës së detyruar për kryerjen e kursit të kualifikimit profesional apo dhënien e provimit të shtetit.

8.    Urdhri i Punonjësve Socialë, menjëherë pas përfundimit të periudhës së përcaktuar në pikat 3, 5 dhe 6, të këtij vendimi, pasi verifikon se individi nuk ka kryer kursin e kualifikimit profesional apo nuk ka dhënë provimin e shtetit, njofton institucionin publik ose privat, pranë të cilit është punësuar individi, për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me individin.

9.    Ngarkohet Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M 

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.649, DATË 14.9.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E LISTËS SË SPECIALITETEVE, NËNSPECIALITETEVE APO SPECIALITETEVE PLOTËSUESE PËR PROFESIONET
E RREGULLUARA”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 13, të ligjit nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.163/2014, “Për Urdhrin e Punonjësve Socialë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Në vendimin nr.649, datë 14.9.2011, të Këshillit të Ministrave, në   shtojcën 1 “Lista e specialiteteve, nënspecialiteteve apo specialiteteve plotësuese për profesionet e rregulluara”, pas ndarjes X shtohet ndarja XI, me këtë përmbajtje:

“XI. Profesioni i punonjësit social (diplomë e ciklit të parë ose ekuivalente me të apo diplomë e ciklit të dytë ose ekuivalente me të).

2.    Ngarkohet Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES SË SHËRBIMIT TË JASHTËM TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 58, të ligjit nr.23/2015, “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Miratimin e rregullores së Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2.    Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i kësaj rregulloreje, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Punëve të Jashtme.

3.    Vendimi nr.839, datë 17.12.2004, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e dokumentit “Rregullorja e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, shfuqizohet.

4.    Ngarkohet ministri i Punëve të Jashtme për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

***

V E N D I M 

PËR

KRIJIMIN, ADMINISTRIMIN DHE PËRDORIMIN E SISTEMIT ELEKTRONIK PËR REGJISTRIMIN DHE GJURMIMIN E TË DHËNAVE MBI RASTET E KORRUPSIONIT DHE STATISTIKAVE TË HARMONIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Krijimin, funksionimin dhe administrimin e Sistemit Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara, në formatin web-based.

2.    Baza e të dhënave të Sistemit Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara ngrihet, administrohet dhe përditësohet pranë ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, si Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit dhe institucioni administrues, në kuptim të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”.

3.    Sistemi Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara ngrihet për:

a)    mbledhjen e të dhënave dhe harmonizimin e statistikave të rasteve të korrupsionit në kohë reale, nëpërmjet gjurmimit të të dhënave të ndjekjes penale dhe procedurave gjyqësore;
b)    lehtësimin e veprimtarisë së Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit në monitorimin dhe analizën e të dhënave të mbledhura për rastet e korrupsionit;
c)    përmirësimin e cilësisë së statistikave të harmonizuara, të gjeneruara nga Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit;
ç) unifikimin dhe kompjuterizimin e të dhënave për rastet e korrupsionit.

4.    Sistemi Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara, si bazë të dhënash shtetërore, hostohet në serverat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

5.    Dhënës të informacionit në Sistemin Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara janë institucionet shtetërore, në nivel qendror dhe vendor, si dhe institucionet e tyre të varësisë, si më poshtë vijon:

a)    Kryeministria;
b)    Të gjitha ministritë
c)    Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
ç) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
d)    Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme;
dh) Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave;
e)    Agjencia e Prokurimit Publik;
ë) NJKBA-ja, njësia antikorrupsion, pranë Kryeministrisë;
f)    Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat;
g)    Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe të gjitha drejtoritë rajonale të Policisë.

6.    Dhënësit e informacionit, të cilët janë institucione kushtetuese të pavarura, përfshirë, por pa u kufizuar te prokuroritë, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykata e Lartë, bashkëpunojnë, në bazë të marrëveshjeve të ndërsjella, për hedhjen e të dhënave, lidhur me veprimtarinë e tyre në kuadër të qëllimit të Sistemit Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara, sipas pikës 3, të këtij vendimi.

7.    Sistemi Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara përmban të dhëna parësore, të përditësuara, për:

a)    njoftimet dhe kallëzimet e kryera pranë organeve të ndjekjes penale nga institucionet shtetërore në nivel qendror dhe vendor, si dhe institucionet e tyre të varësisë, në zbatim të pikës 5, të këtij vendimi,  për një vepër penale të dyshuar korrupsioni të ndodhur në atë institucion: datën e kallëzimit; prokurorinë ku bëhet kallëzimi; numrin dhe pozicionin e të kallëzuarve; veprën penale të korrupsionit të dyshuar;
b)    marrëveshjet e bashkëpunimit dhe dakordësinë ndërinstitucionale, të dhëna për ndjekjen penale të ushtruar nga prokuroritë për veprat penale të korrupsionit, sipas këtyre marrëveshjeve, në zbatim të pikës 6, të këtij vendimi;
c)    veprat penale të korrupsionit, të marra nga gjykata, në zbatim të pikës 5, të këtij vendimi,: të dhënat mbi akuzën e ngritur nga prokuroria; datën dhe numrin e regjistrimit të çështjes; llojin e gjykimit; vendimin e gjykatës; numrin dhe pozicionin e personave të dënuar, nëse ka; llojin e dënimit;
ç) të dhëna që merren nga institucionet e pavarura kushtetuese, në zbatim të pikës 6, të këtij vendimi, sipas marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe dakordësisë ndërinstitucionale.
8.    Sistemi Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara nuk përmban të dhëna personale, për veprat penale të korrupsionit, në kuptim të ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar.

9.    Çdo përdorues i Sistemit Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara, pajiset, nga Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, me emrin e përdoruesit, “user name”, fjalëkalimin, “password”, dhe me manualet për hedhjen e të dhënave në sistem, operimin dhe përdorimin e faqes web.

10.    Me qëllim grumbullimin e të dhënave në Sistemin Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara, brenda njëzet e katër orëve, nga momenti i krijimit të informacionit të kërkuar, sipas këtij vendimi, përdoruesit plotësojnë në formë elektronike, nëpërmjet llogarisë së tyre në sistem dhe personave të autorizuar rregullisht, për këtë qëllim, të dhënat përkatëse.

11.    Institucionet e varësisë dhe/ose drejtoritë rajonale të institucioneve, të cilët nuk kanë akses të drejtpërdrejtë në sistem, sigurojnë që informacioni t’i dërgohet organit epror të menjëhershëm, i cili ka llogari në sistem. Organi epror, nëpërmjet llogarisë së tij, plotëson sistemin në emër të institucionit që ka dërguar të dhënat. Institucionet e varësisë dhe/ose drejtoritë rajonale dhe institucionet eprore marrin të gjitha masat që komunikimi i të dhënave mes tyre dhe hedhja e të dhënave në sistem të përfundojë brenda njëzet e katër orëve, nga momenti i krijimi të informacionit nga institucioni dërgues.

12.    Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit ka detyrë të:

a)    vendosë në dispozicion të organeve shtetërore përdoruese të sistemit programin e sistemit për hedhjen e të dhënave në formatin “web-based”;
b)    bashkëpunojë dhe bashkërendojë punën me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për hostimin e sistemit;
c)    mbikëqyrë dhe ofrojë asistencë teknike për përdorimin e sistemit, mbledhjen e kallëzimeve dhe të dhënave të tjera në sistem nga institucionet shtetërore, subjekt i këtij  vendimi;
ç)    vendosë në dispozicion të organeve shtetërore mundësinë e gjenerimit automatik të statistikave nga sistemi, për të dhënat e hedhura nga secili institucion;
d)    trajnojë përdoruesit e sistemit në lidhje me raportimin, hedhjen e të dhënave dhe përditësimin e tyre si dhe për administrimin e përshtatshëm të sistemit, sipas qëllimit të përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi;
dh) propozojë masa për rritjen e efikasitetit të sistemit dhe përmirësimin e tij në të ardhmen.

13.    Dhënësit e informacionit në Sistemin Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara kanë akses të hapur dhe pa pagesë për përdorimin, printimin dhe përpunimin e të dhënave të hedhura në llogarinë e tyre në sistem. Statistikat  e harmonizuara, të gjeneruara nga sistemi, në bazë të të dhënave të hedhura nga të gjithë përdoruesit, u vihen në dispozicion përdoruesve nga Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, sipas afateve dhe mënyrave të përcaktuara në Manualin e Përdorimit të Sistemit.

14.    Të gjithë përdoruesit janë përgjegjës për saktësinë dhe koherencën e të dhënave të hedhura nëpërmjet llogarisë së tyre në Sistemin Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara.

15.    Rregullorja e përdorimit të Sistemit Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara dhe niveli i aksesit për përdoruesit përcaktohen në Manualin e Përdorimit të Sistemit, të miratuar nga Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit.

16.    Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si Autoriteti Rregullator Koordinues i Bazave të të Dhënave Shtetërore, garanton funksionimin, në mënyrë të vazhdueshme, të Sistemit Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara, mbrojtjen nga viruset e sulmet e ndryshme të kësaj faqeje dhe informacionit që gjendet në të, kryerjen periodike të back-up-it etj. AKSHI, sipas nevojave, përgjigjet për zhvillimin periodik të Sistemit Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara.

17.    Përdorimi i Sistemit Elektronik për Regjistrimin dhe Gjurmimin e të Dhënave mbi Rastet e Korrupsionit dhe Statistikave të Harmonizuara fillon nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

18.    Ngarkohen institucionet shtetërore të hedhin të dhënat që disponojnë, duke filluar nga viti 2014, me qëllim përditësimin e këtij sistemi.

19.    Ngarkohen Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, institucionet shtetërore të listuara në pikën 5, të këtij vendimi, dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.545, DATË 11.8.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE TË NËPUNËSVE CIVILË/NËPUNËSVE, ZËVENDËSMINISTRIT DHE NËPUNËSVE TË KABINETEVE, NË KRYEMINISTRI, APARATET E MINISTRIVE TË LINJËS, ADMINISTRATËN E PRESIDENTIT, KUVENDIT,  KOMISIONIT QENDROR TË ZGJEDHJEVE, PROKURORINË E PËRGJITHSHME, DISA INSTITUCIONE TË PAVARURA, INSTITUCIONET NË VARËSI TË KRYEMINISTRIT, INSTITUCIONET NË VARËSI TË MINISTRAVE TË LINJËS DHE ADMINISTRATËN E PREFEKTIT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të ligjit nr.9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, dhe ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në shkronjën “a”, të pikës 1/3, të vendimit nr.545, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të shtohet emërtesa “Agjencia e Zhvillimit të Territorit”.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të fillojnë nga momenti i emërimit në detyrë të nëpunësve/punonjësve të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe, për vitin 2015, të përballohen nga fondet e miratuara për këtë institucion për vitin 2015.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF019164, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD), QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT, TË SIGURUARA NGA FEDERATA RUSE, NË KUADËR TË FONDIT TË MIRËBESIMIT PËR MENAXHIMIN E FINANCAVE PUBLIKE PËR EVROPËN DHE AZINË QENDRORE, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “PËRMIRËSIMI I KONTROLLIT TË PAJTUESHMËRISË DHE RRITJA E TRANSPARENCËS NË PROKURIMIN PUBLIK NË SHQIPËRI”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit nr.TF019164, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), që vepron si Administratore e fondeve grant, të siguruara nga Federata Ruse, në kuadër të Fondit të Mirëbesimit pёr Menaxhimin e Financave Publike pёr Evropёn dhe Azinё Qendrore, për financimin e projektit “Pёrmirёsimi i kontrollit tё pajtueshmёrisё dhe rritja e transparencёs nё prokurimin publik nё Shqipёri”, me një grant në shumën 270 000 (dyqind e shtatëdhjetë mijë) dollarë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjёherё.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE TË NDËRTIMIT TË KAPACITETEVE TË REJA PRODHUESE TË ENERGJISË ELEKTRIKE, QË NUK JANË OBJEKT KONCESIONI 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 49, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I: 

1.    Miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

2.     Vendimi nr.1701, datë 17.12.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për procedurat e dhënies së autorizimeve për ndërtimin e objekteve të reja gjeneruese të energjisë, që nuk janë objekt koncesioni”, të ndryshuar, shfuqizohet.

3.     Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE TË KRIJIMIT DHE ADMINISTRIMIT TË REGJISTRIT ELEKTRONIK PËR NJOFTIMET  DHE KONSULTIMET PUBLIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.146/2014, “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Krijimin, funksionimin, administrimin dhe monitorimin e Regjistrit Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike (RENJK) dhe publikimin e tij në formën e një portali elektronik, faqeje web-i, me adresë elektronike: 1.    http://www.konsultimi publik.gov.al.

2.    Ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike drejton procesin e krijimit, funksionimit, administrimit dhe monitorimit të vazhdueshëm të Regjistrit Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike.

3.    Regjistri Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike do të hostohet në serverat e Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI).

4.    Regjistri Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike përfshin:

a)    si të dhëna parësore, të gjitha njoftimet dhe projektaktet që publikohen për herë të parë në RENJK, siç përcaktohet në pikën 9, të këtij vendimi;
b)    si të dhëna dytësore, të gjitha projektaktet që tërhiqen nga databaza e organit publik ku janë të publikuara për herë të parë sipas legjislacionit të posaçëm/sektorial të funksionimit të organit publik.

5.    Të gjitha organet publike të ngarkuara për zbatimin e ligjit nr.146/2014,  “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, janë dhënës të informacionit për Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike.

6.    AKSHI, si autoritet rregullues e koordinator për bazat e të dhënave shtetërore, rast pas rasti, përcakton shkallën e ndërveprimit me bazat e tjera të të dhënave për publikimin e projektakteve.

7.    Regjistri Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike ofron akses të hapur dhe pa pagesë për informim, printim dhe ripërdorim të dokumenteve të publikuara në të për të gjithë përdoruesit, grupet e interesit.

8.    Të gjitha organet publike të ngarkuara për zbatimin e ligjit nr.146/2014,  “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, kanë akses në hedhjen dhe editimin e të dhënave respektive në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike dhe mbajnë përgjegjësi për përmbajtjen e informacionit të publikuar prej tyre.

9.    Regjistri Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike përmban në bazën e tij të të dhënave:

a)    të gjitha projektdokumentet strategjike, kombëtare dhe vendore, si dhe të politikave me interes të lartë publik;
b)    të gjitha projektaktet, njoftimet për konsultim dhe të dhënat e lidhura me konsultimin e projektakteve;
c)    planet vjetore të organeve publike që lidhen me procesin e vendimmarrjes, në kuptim të ligjit nr.146/2014, “Për njoftimin dhe konsultimin publik”;
ç) informacionin në lidhje me procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik në të gjitha fazat, duke filluar nga publikimi i projektaktit, marrja e komenteve dhe rekomandimeve për përmirësimin e tij, organizimi i debateve publike e deri te miratimi i aktit përfundimtar.

10.    Të gjitha projektaktet në faqen web duhet të jenë të plota. Çdo projektakt duhet të publikohet si një dosje/file e veçantë në format elektronik të përshtatshëm, për t’u ruajtur, shkarkuar dhe ripërdorur sipas rregullores së miratuar nga AKSHI për të dhëna të hapura.

11.    Çdo organ publik i ngarkuar për zbatimin e ligjit nr.146/2014, “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, duhet të caktojë një punonjës të administratës, përgjegjës për të grumbulluar, sistemuar, përshtatur dhe hedhur në formatin e duhur, në faqen e web-it, të gjitha projektaktet e iniciuara nga të gjitha strukturat dhe departamentet e institucionit përkatës, si edhe për të bërë përditësimin e vazhdueshëm të regjistrit. Kjo detyrë duhet të përfshihet në përshkrimin e punës së personit të caktuar.

12.    Personi i caktuar nga çdo organ publik ka detyrimin për të pasqyruar të dhënat e kërkuara në Regjistrin Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike, jo më vonë se 48 orë nga momenti i miratimit të dokumentit nga organi publik, përveçse kur me urdhër të organit publik ose nisur nga natyra e informacionit, regjistrimi duhet të kryhet brenda një afati më të shkurtër.

13.    Personi i caktuar nga çdo organ publik duhet të pajiset nga administratori i Regjistrit Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike me emrin e përdoruesit “user name” dhe fjalëkalimin “password”, si dhe me manualet për hedhjen e të dhënave në sistem, operimin, përdorimin e faqes web etj.

14.    Çdo organ publik, që përfshihet në hedhjen e projektakteve në http://www.konsultimipublik.gov.al, është përgjegjës për tërësinë dhe llojshmërinë e akteve të hedhura, cilësinë, integritetin, formatin dhe renditjen hierarkike dhe lidhjen e akteve ndërmjet tyre, vendosjen sipas fushës së veprimtarisë, institucionit etj.

15.    Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) është përgjegjës për hostimin e Regjistrit Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike dhe garanton funksionimin në mënyrë të vazhdueshme të tij, mbrojtjen nga viruset dhe sulmet e ndryshme të kësaj faqeje dhe informacionit që gjendet në të, kryerjen periodike të back-up-it etj. AKSHI, sipas nevojave, përgjigjet dhe për zhvillimin periodik të RENJK-së.

16.    Deri në krijimin dhe bërjen funksional të Regjistrit Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike, konsultimi sipas përcaktimeve të ligjit nr.146/2014, “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, bëhet përmes faqes zyrtare të çdo institucioni.

17.    Ngarkohen ministri për Inovacionin dhe Administratën Publike, të gjitha organet publike të ngarkuara për zbatimin e ligjit nr.146/2014, “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, si dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFRASRUKTURËS SË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMA HIDROGRAFIA”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, pika 1, 13, pikat 1 e 4, e 16, pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të infrastrukturës së informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – tema hidrografia”, sipas tekstit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2.    Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Sipërfaqet maksimale, për të cilat miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën e ndërtimit pa leje, të jenë sipas listës emërore dhe evidencës që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2.    Numri i parcelave ndërtimore dhe sipërfaqja e përgjithshme e truallit për secilin qark janë, si më poshtë vijon:

a)    Qarku Fier, 70 (shtatëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 21 219 (njëzet e një mijë e dyqind e nëntëmbëdhjetë) m²;
b)    Qarku Tiranë, 78 (shtatëdhjetë e tetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 17 762 (shtatëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e dy) m²;
c)    Qarku Vlorë, 45 (dyzet e pesë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 12 574 (dymbëdhjetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e katër) m²;
ç)    Qarku Gjirokastër, 16 (gjashtëmbëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 5 597 (pesë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e shtatë) m²;
d)    Qarku Dibër, 38 (tridhjetë e tetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 9 744 (nëntë mijë e shtatëqind e dyzet e katër) m²;
dh)    Qarku Shkodër, 72 (shtatëdhjetë e dy) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 16 637 (gjashtëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e shtatë) m²;
e)    Qarku Elbasan, 25 (njëzet e pesë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 7 474 (shtatë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e katër) m²;
ë)    Qarku Berat, 4 (katër) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 1 300 (një mijë e treqind) m²;
f)    Qarku Korçë, 23 (njëzet e tre) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 2 886 (dy mijë e tetëqind e tetëdhjetë e gjashtë) m²;
g)    Qarku Lezhë, 38 (tridhjetë e tetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 9 518 (nëntë mijë e pesëqind e tetëmbëdhjetë) m²;
gj) Qarku Durrës, 28 (njëzet e tetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 9 684 (nëntë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër) m²;
h)    Qarku Kukës, 48 (dyzet e tetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 13 985 (trembëdhjetë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e pesë) m².

3.    Ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë së parcelave ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesit e ndërtimeve pa leje.

4.    Deri në momentin e regjistrimit të ndërtimit të legalizuar, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të mos kryejnë ndryshime të gjendjes juridike të pasurive të listuara në këtë vendim.

5.    Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË VENDIMIT TË KOMITETIT TË PËRBASHKËT TË KRIJUAR NGA MARRËVESHJA E TREGTISË SË LIRË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR NDRYSHIMET  E PROTOKOLLIT II TË MARRËVESHJES NË LIDHJE ME PËRKUFIZIMIN E KONCEPTIT “PRODUKTE ORIGJINUESE” DHE METODAT E BASHKËPUNIMIT ADMINISTRATIV

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të vendimit të Komitetit të Përbashkët të krijuar nga marrëveshja e tregtisë së lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, për ndryshimet e protokollit II të marrëveshjes në lidhje me përkufizimin e konceptit “produkte origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ, sipas tekstit dhe aneksit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.82, DATË 28.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION DHE ZGJERIM I RRUGËS “DON GJON BUZUKU”, KORÇË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të Aktit Normativ, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.185/2013, “ Për buxhetin e vitit 2014”, të ndryshuar”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.82, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1.    Në pikat 3 dhe 4, vlera 88 587 210 (tetëdhjetë e tetë milionë e pesëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e dhjetë) lekë bëhet 76 380 873 (shtatëdhjetë e gjashtë milionë e treqind e tetëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e tre) lekë.
2.    Tabela, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI

EDI RAMA 

***

V E N D I M

 PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË EMIRATEVE TË BASHKUARA ARABE, PËR NXITJEN DHE MBROJTJEN E INVESTIMEVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.