Vendime të miratuara në mbledhjen e datës 19 shkurt 2014:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË KONFEDERATËS ZVICERANE, PËR PROJEKTIN “ARSIMI DHE FORMIMI PROFESIONAL ALTERNATIV” (CEFA), FAZA VI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit tё Mirёqenies Sociale dhe Rinisё dhe ministrit tё Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për projektin “Arsimi dhe formimi profesional alternativ” (CEFA), faza VI, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjёherё.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMET E KËSHILLITTË MINISTRAVE NR.1466, DATË 5.11.2008, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE NË KOMUNËN LIBOFSHË TË QARKUT TË FIERIT”, DHE NR.558, DATË 7.5.2008, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE, PYJE DHE KULLOTA, QË DO TË TRANSFEROHEN NË PRONËSI TË NJËSISË SË QEVERISJES VENDORE, KOMUNA LIBOFSHË E QARKUT TË FIERIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2, 3 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimet e mëposhtme të Këshillit të Ministrave bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Lista, që i bashkëlidhet vendimit nr.1466, datë 5.11.2008, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me listën e inventarit sipas shtojcës 1, që bashkëlidhet këtij vendimi. Lista ka 6 (gjashtë) fletë me numër rendor nga 1 deri 54.
2. Listës, që i bashkëlidhet vendimit nr.558, datë 7.5.2008, të Këshillit të Ministrave, i shtohet lista e dhënë në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Lista ka 2 (dy) fletë me numër inventari 1-3, 34, 36-37, 40, 43-54.
3. Lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet vendimit nr.558, datë 7.5.2008, të Këshillit të Ministrave, i shtohet lidhja sipas shtojcës 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1010, DATË 13.11.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PER EMËRIMIN E BORDIT TË MENAXHIMIT PËR AUTORITETIN RRUGOR SHQIPTAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.10164, datë 15.10.2009, “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në shkronjën “a”, të pikës 1, të vendimit nr.1010, datë 13.11.2013, të Këshillit të Ministrave, fjalët “Z. Erjon Luçi, Ministria e Financave” zëvendësohen me “Z. Gentian Opre, Ministria e Financave”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1135, DATË 5.8.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 88, të ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, të ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.1135, datë 5.8.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit përcaktohen, si më poshtë vijon:
a) Për punonjësit e Policisë së Shtetit në strukturat për krimin e organizuar dhe krimet e rënda dhe Policinë Shkencore, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
b) Për punonjësit e Policisë së Shtetit në strukturat për sigurinë publike dhe rendin publik, sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
c) Për punonjësit e Policisë së Shtetit në strukturat për kufirin dhe migracionin, sipas lidhjes nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
d) Për punonjësit e Policisë së Shtetit në struktura të tjera policore dhe administrative e mbështetëse, sipas lidhjes nr.4, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
b) Pika 5/1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5/1. Punonjësi i Policisë së Shtetit, që pranohet në shkollën bazë të policisë, gjatë kohës së qëndrimit në shkollë përfiton trajtim me pagë, në masën 8 000 (tetë mijë) lekë kur ka përfunduar arsimin e mesëm dhe 9 000 (nëntë mijë) lekë kur ka përfunduar arsimin e lartë.”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi për politikat e reja të pagave për Policinë e Shtetit, të parashikuara në buxhetin e vitit 2014.
3. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2014.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2014, MIRATUAR PËR KUVENDIN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2014, miratuar për Kuvendin e Shqipërisë, të bëhet rishpërndarja e fondeve ndërmjet programeve, si më poshtë vijon:
a) Në programin buxhetor 01110, “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”, llogaria ekonomike 606, të shtohet fondi prej 25 000 000 (njëzet e pesë milionë) lekësh.
b) Në programin buxhetor 01120, “Veprimtaria ligjvënëse”, llogaria ekonomike 602, të zbritet fondi prej 25 000 000 (njëzet e pesë milionë) lekësh.
2. Ngarkohen administrata e Kuvendit të Shqipërisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.42, DATË 16.1.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR KRITERET, PROCEDURAT E DHËNIES SË LICENCAVE PROFESIONALE TË ZBATIMIT, KLASIFIKIMIT DHE DISIPLINIMIT TË SUBJEKTEVE JURIDIKE QË USHTROJNË VEPRIMTARI NDËRTIMI”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 18, të ligjit nr.8402, datë10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në rregulloren për kriteret, procedurat e dhënies së licencave profesionale të zbatimit, klasifikimit dhe disiplinimit të subjekteve juridike që ushtrojnë veprimtari ndërtimi, që i bashkëlidhet vendimit nr.42, datë 16.1.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Paragrafi i dytë, i pikës 2, të kreut I, “Përkufizime, ndryshohet, si më poshtë vijon:
““Komision”, struktura e posaçme administrative që krijohet sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të kreut II, të kësaj rregulloreje e që asistohet nga stafi përgjegjës për veprimtaritë e licencimit në ministri, që ka autoritetin e vetëm për dhënien, ndryshimin a revokimin e licencave profesionale të shoqërive apo vendosjen e penaliteteve për subjekte që kryejnë veprimtari në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi brenda sferës së përgjegjësive, që i janë dhënë sipas kësaj rregulloreje në fushën e zbatimit në ndërtim.”.
2. Shkronja “a”, e pikës 1, të kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“a) Komisioni i Posaçëm i dhënies së licencave profesionale përbëhet nga pesë anëtarë:
– Një përfaqësues nga Kryeministria, i cili do të jetë kryetar i Komisionit.
– Një përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.
– Dy përfaqësues nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës.
– Një përfaqësues nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë.
Detyrën e sekretariatit teknik të Komisionit e kryen drejtoria përgjegjëse për licencimin në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës.”.
3. Kudo në rregullore, emërtimi “… Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit …” zëvendësohet me “… Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës…”, ndërsa emërtimi “… sekretari teknike …” zëvendësohet me “… sekretariati teknik …”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.