Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e datës 23 prill 2014
V E N D I M
PËR
KALIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT TË DISA MJEDISEVE NGA MINISTRIA E KULTURËS TE KOMITETI SHTETËROR I MINORITETEVE DHE AGJENCIA PËR MBËSHTETJEN E SHOQËRISË CIVILE 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin e përgjegjësisë së administrimit të disa mjediseve në katin e tretë të godinës së ish-shtëpisë botuese “Naim Frashëri’, Tiranë, të cilat janë në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Kulturës, te Komiteti Shtetëror i Minoriteteve dhe Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile për t’u përdorur si mjedise pune nga këto institucione, sipas planimetrisë bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Këtyre institucioneve u ndalohet ta ndryshojnë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë ose t’ua japin në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen ministri i Kulturës, Komiteti Shtetëror i Minoriteteve, Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile dhe kryeregjistruesi i Zyrës për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË DOKUMENTEVE NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUASË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN E ZHVILLIMIT TË RRUGËVE BASHKIAKE TË TIRANËS 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371,   datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, dhe të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të dokumenteve ndryshuese të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e zhvillimit të rrugëve bashkiake të Tiranës, sipas teksteve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUASË DHE ASISTENCËS TEKNIKE (GRANT), NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS ISLAMIKE PËR ZHVILLIM (IDB), PËR PJESËMARRJE NË FINANCIMIN E PROJEKTIT TË MIKROFINANCËS NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huasë dhe asistencës teknike (grant), ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB), për pjesëmarrje në financimin e projektit të mikrofinancës në Shqipëri, nëpërmjet një kredie që jepet nga Fondi Islamik i Solidaritetit për Zhvillim (ISFD), në shumën prej 1 000 000 (një milion) USD-sh; një kredie nga vetë fondet e IDB-së, në vlerën 2 670 000 (dy milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë mijë) ID (dinarë islamikë), dhe një granti të IDB-së, në vlerën 200 000 (dyqind mijë) ID (dinarë islamikë), sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES KUADËR, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR BASHKËPUNIMIN NË NXITJEN DHE LEHTËSIMIN E TREGTISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin në nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KROACISË, pËr PARTNERITETIN EVROPIAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kroacisë, për partneritetin evropian, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROTOKOLLIT PËR ZBATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MOLDAVISË, PËR RIPRANIMIN E PERSONAVE ME QËNDRIM TË PAAUTORIZUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të  ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e protokollit për zbatimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Moldavisë, për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.718, DATË 29.10.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LISTËN E PERSONAVE TË SHPALLUR SI FINANCUES TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 14, pika 1, 18, pika 1, 25, pika 1, e 28, pika 1, të ligjit nr.157/2013, datë 10.10.2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në listën e personave të shpallur sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit (“Lista e OKB-së”), që i bashkëlidhet vendimit nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
a) Në fund të shkronjës “A”, “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë me talibanët”, shtohet inidividi i renditur në shkronjën “a” të listës, “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë me talibanët”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues për talibanët.
b) Në fund të shkronjës “C”, “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën AI-Qaida”, shtohen individët e renditur në shkronjën “b”, “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues për organizatën Al-Qaida.
c) Nga lista e shkronjës “C”, “Lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën AI-Qaida”, çregjistrohet individi i renditur në shkronjën “c”, “Lista e individëve të çregjistruar nga lista e individëve, anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si persona të çregjistruar nga anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues për organizatën Al-Qaida me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MBYLLJEN E KONSULLATËS SË PËRGJITHSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË NJU JORK DHE HAPJEN E ZYRËS KONSULLORE PRANË MISIONIT TË PËRHERSHËM TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PRANË ORGANIZATËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA NË NJU JORK TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 15, të ligjit nr.9095, datë 3.7.2003, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
2. Hapjen e Zyrës Konsullore pranë Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
3. Vendimi nr.585, datë 23.8.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË ORGANIKËS PËR SHËRBIMIN GJEOLOGJIK SHQIPTAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.8366,     datë 2.7.1998, “Për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH)”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Struktura e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar të jetë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Organika e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar të jetë sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Numri i punonjësve të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar të jetë, gjithsej, 133 veta.
4. Vendimi nr.465, datë 13.2.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe organikës për Shërbimin Gjeologjik Shqiptar”, shfuqizohet.
5. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI
***
V E N D I M
PER
MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR TRANSFERIMIN E MBETJEVE JO TË RREZIKSHME DHE INFORMACIONIT QË DUHET TË PËRFSHIHET NË DOKUMENTIN E TRANSFERIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 11, të nenit 21, të  ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave për transferimin në mënyrë profesionale të mbetjeve jo të rrezikshme nga një person te një tjetër brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe të informacionit që duhet të përfshihet në dokumentin e transferimit.
2. Mbetje jo të rrezikshme klasifikohen mbetjet që nuk shënohen me shenjën yll “*”, të miratuara me vendimin nr.99, datë 18.2.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e katalogut shqiptar të mbetjeve”, të cilit më poshtë i referohemi me emërtimin “Katalogu i mbetjeve”.
3. Të gjithë termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me atë të dhënë nga ligji nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar.
4. Transferimi i mbetjeve jo të rrezikshme bëhet sipas formatit të  dokumentit të transferimit të mbetjeve jo të rrezikshme, të përcaktuar në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi.
5. Dokumenti i transferimit të mbetjeve jo të rrezikshme plotësohet për të gjitha hallkat që ndiqen për transferimin e mbetjeve që nga krijimi deri në destinacionin përfundimtar.
6. Dokumenti i transferimit të mbetjeve jo të rrezikshme plotësohet dhe nënshkruhet nga krijuesi i mbetjeve, grumbulluesi, transportuesi dhe pritësi që merr në dorëzim mbetjet, sipas aneksit 1 bashkëlidhur në aq kopje sa janë personat që nënshkruajnë dokumentin.
7. Dokumenti i transferimit të mbetjeve jo të rrezikshme është i vlefshëm edhe në formë elektronike nëse është i plotësuar dhe i nënshkruar nga personat e përcaktuar në pikën 6, të këtij vendimi.
8. Përjashtohet nga procedura e zbatimit të këtij vendimi vetëm gjenerimi i mbetjeve shtëpiake.
9. Transporti i mbetjeve jo të rrezikshme bëhet në bazë të kontratës ndërmjet palëve, në të cilën përcaktohet detyrimisht përgjegjësia për rastin e kthimit mbrapsht pjesërisht ose plotësisht të mbetjeve nga pritësi duke plotësuar seksionin C të aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi.
10. Çdo transfertë e mbetjeve jo të rrezikshme shoqërohet me dokumentin e transferimit të mbetjeve deri në destinacionin përfundimtar dhe të dhënat regjistrohen në Regjistrin e Transfertave Individuale që krijohet për këtë qëllim.
11. Agjencia Kombëtare e Mjedisit krijon Regjistrin Kombëtar të Transfertave të Mbetjeve jo të Rrezikshme.
12. Mënyra e administrimit dhe formati i Regjistrit të Transfertave Individuale dhe formati i Regjistrit Kombëtar të Transfertave të Mbetjeve jo të Rrezikshme miratohen me urdhër të ministrit përgjegjës për mjedisin.
13. Krijuesi, grumbulluesi dhe pritësi i mbetjeve dërgojnë pranë Agjencisë  Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave informacion në lidhje me mbetjet jo të rrezikshme të transferuara, të paktën 1 (një) herë në vit.
14. Dokumenti i transferimit përmban kodin unik, i cili përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë e kodit unik miratohet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, pas paraqitjes së kërkesës me shkrim nga personi që transferon mbetjet jo të rrezikshme te pritësi. Kërkesa shoqërohet me kopje të ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.
15. Agjencia Kombëtare e Mjedisit miraton pjesën e parë të kodit unik brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e paraqitjes së kërkesës.
16. Pjesa e parë e kodit unik është individuale dhe e papërsëritshme për çdo subjekt që transferon mbetje jo të rrezikshme, ndërsa pjesa e dytë e këtij kodi vendoset nga vetë personi që transferon mbetjet te pritësi dhe ndryshon për çdo transfertë.
17. Përcaktimi i kodit unik bëhet sipas metodologjisë së dhënë në aneksin 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
18. Agjencia Kombëtare e Mjedisit krijon një bazë të dhënash për kodet unike, si pjesë të Regjistrit Kombëtar të Transfertave të Mbetjeve jo të Rrezikshme.
19. Mospërmbushja e detyrimeve të përcaktuara në këtë vendim dhe në aneksin 1, bashkëlidhur këtij vendimi, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen sipas përcaktimeve të nenit 62, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar.
20. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave për zbatimin e këtij vendimi.
        Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRBËRJEN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË SEKRETARIATIT TEKNIK  TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË UJIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 1, shkronja “b”, e 11, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Ujit, si organ ekzekutiv i Këshillit Kombëtar të Ujit, është institucion juridik publik, me seli në Tiranë.
2. Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Ujit, si një nga organet kombëtare të administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore, ka objekt të veprimtarisë së tij projektimin dhe ngritjen e sistemit total të integruar të ujit dhe monitorimin e garantimin e funksionimit efikas të menaxhimit të integruar të këtij sistemi.
3. Funksionet dhe kompetencat e Sekretaritatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit janë ato të përcaktuara në ligjin nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”.
4. Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Ujit financohet nga buxheti i shtetit dhe nga çdo burim tjetër financiar i ligjshëm.
5. Drejtuesi i Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të Kryeministrit, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Ujit.
6. Rregullorja e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit miratohet nga Këshilli Kombëtar i Ujit, sipas përcaktimeve të shkronjës “d”, të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.111/2012.
7. Vendimi nr.910, datë 30.12.1996, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit”, shfuqizohet.
8. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.945, DATË 9.10.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË MJEDISIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika V, e vendimit nr.945, datë 9.10.2013, të Këshillit të Ministrave shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË AMENDAMENTIT NR.1 TË MARRËVESHJES FINANCIARE TË SHËRBIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KORPORATËS NDËRKOMBËTARE FINANCIARE (IFC), PËR ZBATIMIN DHE PJESËMARRJEN E SEKTORIT PRIVAT NË AUTOSTRADËN MILOT- MORINË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 16, të ligjit nr.125/2013,   datë 25.4.2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, dhe të neneve 5, 7 e 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të amendamentit nr.1 të marrëveshjes financiare të shërbimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), për zbatimin dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në autostradën Milot – Morinë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.239, DATË 27.3.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E MËNYRËS SË RE TË PËRDORIMIT TË FONDEVE KUNDËRPARTI, TË MBLEDHURA NGA GRANTET JAPONEZE PËR SEKTORIN E BUJQËSISË DHE TË USHQIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 1, e vendimit nr.239, datë 27.3.2013, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Fondet kundërparti, të dhëna nga qeveria japoneze dhe të mbledhura nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, si agjenci e pagesave, në shumën 116 350 000 (njëqind e gjashtëmbëdhjetë milionë e treqind e pesëdhjetë mijë) lekë, të trajtohen si të ardhura jashtë limitit dhe të përdoren nëpërmjet llogarisë së thesarit brenda vitit 2014.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NUMRIT TË PRAKTIKANTËVE PËR KRYERJEN E PRAKTIKËS PROFESIONALE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR PERIUDHËN 1 JANAR – 15 QERSHOR 2014  DHE 15 SHTATOR 2014 – 31 DHJETOR 2014, PËR MINISTRINË E ARSIMIT DHE SPORTIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.10171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i praktikantëve për  kryerjen e praktikës profesionale me kontratë të përkohshme, për sistemin arsimor parauniversitar, për vitin shkollor 2013-2014, për periudhën 1 janar – 15 qershor 2014 dhe periudhën 15 shtator 2014 – 31 dhjetor 2014, të jetë 1 500 veta.
2. Numri i praktikantëve për kryerjen e praktikës profesionale me kontratë të përkohshme sipas drejtorive arsimore rajonale/zyrave arsimore dhe afati kohor i kontraktimit të punonjësve jepen sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Praktikantët, gjatë periudhës së kryerjes të praktikës profesionale, përfitojnë çdo muaj nga punëdhënësi, drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në masën 16.7%,  të përllogaritur mbi pagën bazë minimale mujore 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë, miratuar me vendimin nr.573, datë 3.7.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”.
Ndryshimet e pagës minimale mujore, të miratuar me vendim të Këshillit    të Ministrave, reflektohen në masën e pagesës që punëdhënësi paguan çdo muaj për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
4. Efektet financiare për pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për vitin 2014, në shumën 49 599 000 (dyzet e nëntë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë) lekë, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të mbulohen nga fondet e miratuara për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në buxhetin e vitit 2014.
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2014.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË VEPRIMIT PËR ZBATIMIN E VENDIMIT PILOT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT “MANUSHAQE PUTO DHE TE TJERË KUNDËR SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të veprimit për zbatimin e vendimit pilot të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore për të cilat në planin e veprimit janë përcaktuar detyra të veçanta për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË ORGANIKËS SË POLICISË SË MBROJTJES NGA ZJARRI DHE TË SHPËTIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 2, të ligjit nr.8766, datë 5.4.2001, “Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri limit i punonjësve të shërbimit të PMNZSH-së pranë prefektit të qarkut të jetë, gjithsej, 739 veta, sipas lidhjes nr.1 që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.646, datë 30.9.2004, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit”, i ndryshuar, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe prefekti i qarkut për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO  PELESHI 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.