Vendime të miratuara në mbledhjen e datës 9 prill 2014
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUASË DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, E OPERATORIT TË SISTEMIT TË TRANSMETIMIT, SH.A., SI AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “LINJA UNAZORE 110 KV E SHQIPËRISË SË JUGUT”, NËPËRMJET NJË HUAJE 37 750 000 EURO
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5, 7 e 27, të ligjit nr.8971, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huasë dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave (huamarrësi), e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a., si agjencia e zbatimit të projektit, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Linja unazore 110 kV e Shqipërisë së Jugut”, në vlerën 37 750 000 (tridhjetë e shtatë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë mijë) euro, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2014, MIRATUAR PËR MINISTRINË E KULTURËS, PËR PËRFAQËSIMIN E SHQIPËRISË NË BIENALEN E ARKITEKTURËS QË DO TË MBAHET NË VENECIA, ITALI, NË PERIUDHËN 7.6.2014 – 23.11.2014
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Kulturës, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, zëri 604, aparati “Projekte në art”, t’i shtohet fondi prej 7 740 900 (shtatë milionë e shtatëqind e dyzet mijë e nëntëqind) lekë, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të qirasë për përfaqësimin e Shqipërisë në Bienalen e Arkitekturës që do të mbahet në Venecia, Itali, në periudhën 7.6.2014 – 23.11.2014.
2. Ky fond të përballohet nga buxheti i vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Kulturës, deri në momentin e rimbursimit nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, në çastin e bërjes efektiv të tij.
3. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË KRYETARIT TË QENDRËS KOMBËTARE TË KINEMATOGRAFISË
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.8096, datë 21.3.1996, “Për kinematografinë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Artan Minarolli, kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Ilir Butka emërohet kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE, FAZAT I DHE II, NË BASHKINË E SHKODRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zgjerimi i varrezave publike, fazat I dhe II, në bashkinë e Shkodrës, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Shkodrës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen sipas vlerave të mëposhtme:
a) Për fazën I, për sipërfaqen 4 395 (katër mijë e treqind e nëntëdhjetë e pesë) m², tokë arë, në vlerën 1 643 730 (një milion e gjashtëqind e dyzet e tre mijë e shtatëqind e tridhjetë) lekë;
b) Për fazën II, për sipërfaqen 4 189 (katër mijë e njëqind e tetëdhjetë e nëntë) m2, tokë arë, në vlerën 1 566 686 (një milion e pesëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e gjashtë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 3 210 416 (tre milionë e dyqind e dhjetë mijë e katërqind e gjashtëmbëdhjetë) lekësh të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Shkodrës, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia e Shkodrës.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas miratimit të projektit.
7. Afati i përfundimit të punimeve të objektit: “Zgjerimi i varrezave publike”, fazat I dhe II, në bashkinë e Shkodrës të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
8. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 8 584 (tetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e katër) m², tokë arë, të bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkia e Shkodrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMITETIT TË SIGURISË NË ANIJE DHE PORTET E HAPURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 37, të ligjit nr.168/2013, “Për sigurinë në anije dhe porte”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e komitetit të sigurisë në anije dhe portet e hapura të Republikës së Shqipërisë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe organet që kryejnë aktivitet në portet detare për kontrollin dhe zbatimin e kësaj rregulloreje.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.53, DATË 21.1.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGARKIMIN E MINISTRISË SË BRENDSHME PËR KRYERJEN E PROCEDURAVE TË PROKURIMIT PUBLIK, NË EMËR DHE PËR LLOGARI TË KRYEMINISTRISË, MINISTRIVE DHE INSTITUCIONEVE TË VARËSISË, PËR DISA MALLRA DHE SHËRBIME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 3, e 75, të ligjit nr.9643, datë 21.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në fund të pikës 1, të vendimit nr.53, datë 21.1.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Përjashtimisht për vitin 2014, lejohet Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit të realizojë vetë procedurat e prokurimit për blerjen e pajisjeve për mobilim zyrash. Në procedurat e prokurimit përfshihen lidhja e kontratave përkatëse dhe botimi i njoftimit të kontratës së nënshkruar në Buletinin e Njoftimeve Publike.”.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Agjencia e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË NJË ANËTARI TË BORDIT MBIKËQYRËS TË AGJENCISË PËR MBËSHTETJEN E SHOQËRISË CIVILE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.10093, datë 9.3.2009, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Znj. Elira Kokona, anëtar i bordit mbikëqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, përfaqësues i institucioneve të administratës qendrore, lirohet nga kjo detyrë.
2. Znj. Albana Koçiu emërohet anëtar i bordit mbikëqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, përfaqësues i institucioneve të administratës qendrore.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I OBJEKTIT “FURNIZIMI ME UJË I PLAZHEVE DURRËS – KAVAJË (NGA PUSSHPIMET E ÇERMËS, DEGËZIMI NË KAVAJË, DERI NË DEPON E RE, ARAPAJ, LOTI III)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i objektit “Furnizimi me ujë i plazheve Durrës – Kavajë (nga pusshpimet e Çermës, degëzimi në Kavajë, deri në depon e re, Arapaj, loti III)”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës – Kanalizimeve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë bujqësore me sipërfaqe 5 482 (pesë mijë e katërqind e tetëdhjetë e dy) m2, me vlerë të përgjithshme prej 1 858 229 (një milion e tetëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e dyqind e njëzet e nëntë) lekësh.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 197 000 (njëqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës – Kanalizimeve.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 858 229 (një milion e tetëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e dyqind e njëzet e nëntë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2014, miratuar për Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës – Kanalizimeve, zëri “Investime”.
6. Shpronësimi të fillojë më 21.4.2014.
7. Pronarët e pasurive për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja” të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës – Kanalizimeve.
8. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës – Kanalizimeve, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e planit të objektit në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’i vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës – Kanalizimeve dhe, me nisjen e procesit të likuidimit, të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
9. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës, të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së planit të objektit mbi hartat kadastrale, si dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1015, DATË 27.11.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, OBJEKTE, QË PREKEN NGA REHABILITIMI MJEDISOR I VIJËS SË MBROJTUR BREGDETARE UJË I FTOHTË – TUNELI, BASHKIA VLORË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.1015, datë 27.11.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pikat 3, 4 dhe 6 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e ligjshëm të pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen e përgjithshme 7 739,8 (shtatë mijë e shtatëqind e tridhjetë e nëntë presje tetë) m2 ndërtim, të vlerësuar në shumën e përgjithshme prej 441 168 600 (katërqind e dyzet e një milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind) lekësh.”.
4.Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 441 168 600 (katërqind e dyzet e një milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind) lekësh, të përballohet, përkatësisht, 341 168 600 (treqind e dyzet e një milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë e gjashtëqind) lekë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 100 000 000 (njëqind milionë) lekë nga fondi i kontingjencës.
…
6.Afati i përfundimit të shpronësimit është data 30.4.2014.”.
2. Pas pikës 6 shtohet pika 6.1, me këtë përmbajtje:
“6.1. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Bashkia Vlorë.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R YE M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.559, DATË 16.8.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SKEMËN E SHTYRJES SË PAGESËS SË TVSH-SË PËR MAKINERITË DHE PAJISJET E IMPORTUARA, SI DHE ENERGJINË ELEKTRIKE TË IMPORTUAR NGA KESH, SH.A.-JA”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 26, të ligjit nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pikat 12.1; 12.2; 12.3; 12.4; 12.5; 12.6 e 12.7, të kreut I/I, të vendimit nr.559, datë 16.8.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për skemën e shtyrjes së TVSH-së për makineritë dhe pajisjet e importuara si dhe energjinë elektrike, të importuar nga KESH, sh.a.-ja”, të ndryshuar, shfuqizohen.
2. Procesi i kompensimit të detyrimeve për kërkesat e protokolluara në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe të pranuara prej saj të përfundojë deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PER
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË KATARIT, PËR BASHKËPUNIM NË FUSHËN E SHËNDETËSISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së shtetit të Katarit, për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË KREDISË PËR EKSPORT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, QË VEPRON NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE UNICREDIT BANK AUSTRIA AG, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË FURNIZIMIT ME UJË TË PESHKOPISË, “KONTRATË ME ÇELËSA NË DORË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së kredisë për eksport, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që vepron në emër të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe UniCredit BankAustria AG, për financimin e projektit të furnizimit me ujë të Peshkopisë, “Kontratë me çelësa në dorë”, nëpërmjet një kredie prej 4 000 000 (katër milionë) eurosh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA HAPJA DHE NDËRTIMI I UNAZËS VERIORE, SEGMENTI A-B NË LAGJEN “11 NËNTORI”, HAPJA DHE SISTEMIMI I ZGJATIMIT TË UNAZËS SË BRENDSHME, SEGMENTI QË BASHKON RRUGËN “28 NËNTORI” ME RRUGËN “RINIA”, SI DHE HAPJA E SISTEMIMI I ZGJATIMIT TË RRUGËS “LEF NOSI”, LAGJJA “5 MAJI”, SEGMENTI B-C, TË BASHKISË SË ELBASANIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga hapja dhe ndërtimi i unazës veriore, segmenti A-B në lagjen “11 Nëntori”, hapja dhe sistemimi i zgjatimit të unazës së brendshme, segmenti që bashkon rrugën “28 Nëntori” me rrugën “Rinia”, hapja dhe sistemimi i zgjatimit të rrugës “Lef Nosi”, lagjja “5 Maji”, segmenti B-C”, të bashkisë së Elbasanit, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Elbasanit.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen sipas vlerave të mëposhtme:
a) Për sipërfaqet 1 595.4 (një mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e pesë pikë katër) m², truall, dhe 799.56 (shtatëqind e nëntëdhjetë e nëntë pikë pesëdhjetë e gjashtë) m2, banesë, në segmentin A-B, në lagjen “11 Nëntori”, në vlerën 50 263 894.4 (pesëdhjetë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e katër pikë katër) lekë.
b) Për sipërfaqet 1 278.55 (një mijë e dyqind e shtatëdhjetë e tetë pikë pesëdhjetë e pesë) m², truall, dhe 99.3 (nëntëdhjetë e nëntë pikë tre) m², banesë, në segmentin që bashkon rrugën “28 Nëntori” me rrugën “Rinia”, në vlerën 15 251 225.9 (pesëmbëdhjetë milionë e dyqind e pesëdhjetë e një mijë e dyqind e njëzet e pesë pikë nëntë) lekë.
c) Për sipërfaqet 556.28 (pesëqind e pesëdhjetë e gjashtë pikë njëzet e tetë) m2, truall, dhe 549.25 (pesëqind e dyzet e nëntë pikë njëzet e pesë) m2, banesë, në segmentin B-C, në lagjen “5 Maji”, në vlerën 27 295 701.7 (njëzet e shtatë milionë e dyqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e shtatëqind e një pikë shtatë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 92 810 822.05 (nëntëdhjetë e dy milionë e tetëqind e dhjetë mijë e tetëqind e njëzet e dy pikë zero pesë) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Elbasanit, planifikuar në buxhetin e saj.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale përballohet nga bashkia e Elbasanit.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas miratimit të projektit.
7. Regjistrimi i ri i pasurive për sipërfaqet 1 595.4 m², truall, dhe 799.56 m2 , banesë, për segmentin A-B në lagjen “11 Nëntori”, sipërfaqet 1 278.55 m², truall, dhe 99.3 m², banesë, për segmentin që bashkon rrugën “28 Nëntori” me rrugën “Rinia”, dhe sipërfaqet 556.28 m2, truall, dhe 549.25 m2, banesë, për segmentin B-C në rrugën“Lef Nosi”, lagjja “5 Maji”, të bashkisë së Elbasanit, të bëhet në favor të kësaj bashkie.
8. Afati i përfundimit të punimeve të objekteve në bashkinë e Elbasanit të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkia e Elbasanit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË KRITEREVE PËR EKSPORTUESIT PËR QËLLIM TË RIMBURSIMIT TË TVSH-SË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 4 e 5, të nenit 50, të ligjit nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin si eksportues, për qëllime të rimbursimit të TVSH-së, të personit të tatueshëm:
a) që eksporton sipas kuptimit të neneve 181 dhe 182, të ligjit nr.8449, datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”;
b) nëse vlera e eksporteve të bëra në periudhën/at tatimore, për të cilën/at kërkohet rimbursim, përbën më shumë se 60% të vlerës së përgjithshme të shitjeve, përfshirë eksportet;
c) nëse ka tepricë kreditore që tejkalon shumën 400 000 (katërqind mijë) lekë.
2. a) Eksportues me risk zero është personi i tatueshëm eksportues, sipas pikës 1, që plotëson kushtet e mëposhtme:
i. Vlera e eksporteve të bëra në periudhën/at tatimore, për të cilën/at kërkohet rimbursim, përbën 100% të vlerës së përgjithshme të shitjeve;
ii. Ka aktivitet eksportues mbi dy vjet;
iii. Paraqet si dokument prove të kryerjes së eksportit deklaratën doganore të eksportit, lëshuar sipas legjislacionit doganor në Republikën e Shqipërisë;
iv. Nuk ka detyrime të papaguara të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
b) Për personat e tatueshëm, të klasifikuar me risk zero sipas kësaj pike, miratimi i rimbursimit nga Drejtoria Rajonale Tatimore bëhet pavarësisht nga kontrolli tatimor, i cili mund të kryhet në çdo moment, sipas planifikimit për kontroll. Procedura e rimbursimit kryhet sipas përcaktimeve të bëra në nenin 50, të ligjit nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, dhe të udhëzimit nr.17, datë 13.5.2008, të ministrit të Financave, “Për TVSH-në”, të ndryshuar.
3. Eksportuesi, që nuk plotëson kushtet e pikës 2, të këtij vendimi, rimbursohet për TVSH-në brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, sipas procedurës së përcaktuar në udhëzimin nr.17, datë 13.5.2008, të ministrit të Financave, “Për TVSH-në”, të ndryshuar.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.229, DATË 23.4.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E CEREMONIALIT ZYRTAR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, pika 2, e 49, të ligjit nr.9095, datë 3.7.2003, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 2, “Përdorimi i sallës vip të aeroportit”, të kapitullit V, “Vizita dhe takime”, të ceremonialit zyrtar të Republikës së Shqipërisë, bashkëlidhur vendimit nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas pikës 2.11 shtohen pikat 2.12, 2.13, 2.14, 2.15 e 2.16, me këtë përmbajtje:
“2.12. Në sallën VIP të aeroportit “Nënë Tereza” funksionon salla nr.3 e cila vihet në funksion të kërkuesit të shërbimit VIP kundrejt pagesës së tarifës së shërbimeve të kryera.
2.13. Tarifat për përdorimin e sallës VIP nr.3 janë sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2.14. Modalitetet e përdorimit të sallës VIP nr.3 për personat, që e përfitojnë këtë shërbim sipas pikës 2.12, përcaktohen me urdhër të përbashkët të Drejtorisë së Protokollit të Shtetit dhe Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.
2.15. Të ardhurat neto që realizohen nga përdorimi i sallës VIP nr.3 ndahen, si më poshtë vijon:
– 20 për qind kalojnë në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Jashtme;
– 80 për qind kalojnë në buxhetin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare.
2.16. Tarifat për pijet, ushqimet dhe shërbimet e tjera në sallën VIP nr.3 përcaktohen nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare. Të ardhurat që rrjedhin nga ofrimi i këtyre shërbimeve kalojnë në buxhetin e kësaj drejtorie.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.