Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 10 shtator 2014
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR MBROJTJEN E NDËRSJELLË TË INFORMACIONIT TË KLASIFIKUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT NR. 3, TË MARRËVESHJES SË NDIHMËS PËR OBJEKTIVA ZHVILLIMI, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR FORCIMIN E SHTETIT TË SË DREJTËS DHE QEVERISJEN E MIRË DHE KRIJIMIN E KUSHTEVE PËR NJË RRITJE EKONOMIKE ME BAZË TË GJERË DHE TË QËNDRUESHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të ndryshimit nr.3, të marrëveshjes së ndihmës për objektiva zhvillimi, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “Për forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjen e mirë dhe krijimin e kushteve për një rritje ekonomike me bazë të gjerë dhe të qëndrueshme”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.846, DATË 27.9.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË, TË DISA OBJEKTEVE DHE TRUALLIT FUNKSIONAL, PJESË E PRONËS NR.84, ME EMËRTIM “ISH-REGJIMENTI I KIMISË”, ME VENDNDODHJE NË SHTISH-TUFINË, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.846, datë 27.9.2013, të Këshillit të Ministrave, fjalët “… për t’i përdorur për ngritjen e një vendqëndrimi për strehimin e familjeve të komunitetit rom …” zëvendësohen me “… për t’i përdorur për ngritjen e funksionimit të Qendrës Kombëtare Transitore të Emergjencës …”.
2. Ngarkohen ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI UNIVERSITETIT TË ARTEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, pika 3, 10, 12 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të nenit 82, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Universitetit të Arteve.
Lista me 2 (dy) fletë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përfundon me numrin rendor 1 (një).
Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Arsimit dhe Sportit, Universiteti i Arteve dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SERBISË DHE ANËTARËVE TË TJERË TË NISMËS PËR REFORMËN ARSIMORE TË EVROPËS JUGLINDORE (ERI SEE), PËR SELINË E SEKRETARIATIT TË ERI SEE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të neneve 5, 7 dhe 17, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet qeverisë së Republikës së Serbisë dhe anëtarëve të tjerë të Nismës për Reformën Arsimore të Evropës Juglindore (ERI SEE), për selinë e sekretariatit të ERI SEE, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “BY-PASS, FIER – LEVAN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “By-pass, Fier-Levan”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për: tokë arë dhe truall, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 90 346 779 (nëntëdhjetë milionë e treqind e dyzet e gjashtë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 90 346 779 (nëntëdhjetë milionë e treqind e dyzet e gjashtë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekësh të përballohet nga buxheti i vitit 2014, zëri “Shpronësimet”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 3, 4, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe me fillimin e procesit të likuidimit të fillojë dhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.12, DATË 6.1.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR QAFËTHANË – LIN – POGRADEC, LOTI I”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.12, datë 6.1.2011, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pikat 3, 4 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për sipërfaqen 6 017 (gjashtë mijë e shtatëmbëdhjetë) m2, tokë arë, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 1 590 293.1 (një milion e pesëqind e nëntëdhjetë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e tre pikë një) lekësh.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 652 500 (gjashtëqind e pesëdhjetë e dy mijë e pesëqind) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, sipas pikës 3, të këtij vendimi, të përballohet përkatësisht:
a) Vlera 1 371 981.3 (një milion e treqind e shtatëdhjetë e një mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e një pikë tre) nga “Llogaria e veçantë” e Ministrisë së Financave në Bankën e Shqipërisë “Fondi i shpronësimeve”;
b) Vlera 218 311.8 (dyqind e tetëmbëdhjetë mijë e treqind e njëmbëdhjetë pikë tetë) lekë nga buxheti i vitit 2014, zëri “Detyrimet e prapambetura” (detyrimet e infrastrukturës).”.
2. Në tabelën e të shpronësuarve, bashkëlidhur vendimit, të shtohet nënndarja sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË EVIDENTIMIT FAKTIK, NË TERREN, TË NDËRTIMEVE PA LEJE/SHTESAVE NË NDËRTIME ME LEJE, TË ORGANEVE DHE DOKUMENTACIONIT PËR PROPOZIMIN DHE MIRATIMIN E ZONAVE INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 45/1, pika 1, të ligjit nr.9482 datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Përcaktimin e procedurave të evidentimit faktik në terren të ndërtimeve pa leje, shtesave në ndërtime me leje, të organeve dhe dokumentacionit për propozimin dhe miratimin e zonave informale.
I. EVIDENTIMI FAKTIK NË TERREN I NDËRTIMEVE PA LEJE/SHTESAVE NË NDËRTIME ME LEJE
1. Drejtoritë e varësisë të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) të kryejnë evidentimin në terren dhe hartimin e dokumentacionit në bazë të gjendjes faktike të ndërtimeve pa leje, shtesave në ndërtimet me leje, në vijim të quajtura “ndërtime informale”, sipas njësive strukturore të përcaktuara prej tyre, rast pas rasti.
Në procedurat e evidentimit e të hartimit të dokumentacionit të gjendjes faktike përfshihen:
a) përditësimi i të dhënave të gjendjes ndërtimore të ndërtimeve informale;
b) plotësimi i procesverbalit të konstatimit, sipas modelit të miratuar me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI);
c) harta e përditësuar e ndërtimeve informale në formatin elektronik dhe “hard copy”, si dhe dokumentacioni teknik (genplan, planimetri).
2. Për ndërtimet informale, që përfshihen për herë të parë në procedurat e legalizimit, sipas pikave 1 dhe 2, të nenit 2, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, plotësohet deklarata për përfshirje në këtë proces nga subjektet poseduese.
Forma, mënyra e administrimit dhe afati kohor i plotësimit të deklaratës përcaktohen me udhëzim të drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI).
3. Verifikimi i ndërtimeve informale, brenda periudhave kohore të përcaktuara në ligjin nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, bëhet nëpërmjet të paktën njërës prej formave të mëposhtme:
a) Përdorimit të produktit të fotografimit ajror të territorit të Republikës së Shqipërisë, për periudhën kohore që ai mbulon.
b) Imazheve satelitore ose ajrore të përdorimit të përgjithshëm, sipas kushteve dhe detyrimeve të përcaktuara nga subjektet disponuese.
c) Përdorimit të planrilevimeve në kuadër të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme, të administruara nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
ç) Vërtetimit me mënyra alternative, nëpërmjet çdo dokumenti tjetër, juridikisht të vlefshëm, që provon ekzistencën e ndërtimit informal në momentin kohor të dhënë (në një datë dhe vend të caktuar).
Dokumentacioni, i cili provon periudhën në të cilën është ngritur ndërtimi informal, administrohet në praktikën dokumentare të legalizimit.
4. Për kryerjen e procedurave të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) mund të autorizojë subjekte private, të licencuara, në fushat përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik.
II. MIRATIMI I ZONAVE INFORMALE DHE DOKUMENTACIONI I ZBATUESHËM
5. Drejtoritë në varësi të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) duhet të kryejnë procedurat e evidentimit në terren, të përgatitin dokumentacionin e gjendjes faktike të ndërtimeve informale, si dhe të hartojnë dokumentacionin teknik e ligjor për zonën informale.
6. Zonë informale do të konsiderohet territori me sipërfaqe mbi 2 hektarë, i zënë nga ndërtime informale, procesi i legalizimit të të cilave nuk u nënshtrohet kushteve të instrumenteve të planifikimit të territorit.
Drejtoritë në varësi të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), për propozimin e zonës informale, orientohen nga:
a) evidentimi faktik i ndërtimeve informale në territorin përkatës;
b) vija kufizuese administrative e njësive të qeverisjes vendore;
c) morfologjia dhe kushtet e relievit;
ç) gjendja e pronësisë dhe cilësitë juridike të territorit.
7. Propozimi i zonës informale përbëhet nga dokumentacioni, si më poshtë vijon:
a) Harta e zonës informale e përditësuar në shkallën 1:1000 deri 1:2500 ku të pasqyrohet:
i. vija kufizuese e re e propozuar;
ii. vija kufizuese e rishikuar e zonës informale në lidhje me atë të mëparshme;
iii. vija kufizuese administrative e njësisë/ve së/të qeverisjes vendore;
iv. kufiri i zonave kadastrale;
v. kufiri i territoreve dhe objekteve që gëzojnë cilësi juridike të veçanta.
b) Tabela përmbledhëse, ku pasqyrohen të dhënat për ndërtimet informale;
c) Harta e shkallës 1:2500 deri në 1:25000, ku paraqitet zona e propozuar në raport me kufijtë administrativë.
ç) Relacioni përshkrues dhe argumentues i propozimit me të dhëna statistikore për zonën informale.
8. Propozimi për zonën informale dhe dokumentacioni i hartuar, sipas pikës 7, të këtij vendimi, depozitohet për shqyrtim në këshillin teknik, organ kolegjial pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI).
9. Këshilli teknik ushtron përgjegjësitë e përcaktuara në këtë vendim dhe në aktet e tjera nënligjore. Përbërja dhe organizimi i tij përcaktohen me urdhër të Kryeministrit.
10. Kontrolli dhe vlerësimi i dokumentacionit sipas pikës 7, të këtij vendimi, kryhen nga këshilli teknik brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e depozitimit të tij.
11. Dokumentacioni i përpunuar nga këshilli teknik paraqitet për shqyrtim dhe miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit, sipas përcaktimeve të nenit 11, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.
12. Vendimi nr.515, datë 13.5.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e afateve, të mënyrës dhe kohës së ushtrimit nga ALUIZNI të përgjegjësive të zyrave të urbanistikës dhe këshillave të qarqeve gjatë procedurave të legalizimit të objekteve informale”, të ndryshuar, dhe udhëzimi nr.6 datë 8.11.2006, i ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, shfuqizohen.
13. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Këshilli Kombëtar i Territorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E TRANSPORTIT DHE INFRASTRUKTURËS TE MINISTRIA E ZHVILLIMIT EKONOMIK, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, TË OBJEKTIT “ISH-KOMBINATI I TEKSTILEVE”, BERAT, ME NUMËR PASURIE 19/59, NË ZONËN KADASTRALE 8501, DHE SIPËRFAQE 8 117 M², DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.226 , DATË 23.4.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË SHËRBIMIT TË TRANSPORTIT RRUGOR, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË TRANSPORTIT DHE TELEKOMUNIKACIONIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës te Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, të objektit “Ish-Kombinati i Tekstileve”, Berat, me numër pasurie 19/59, në zonën kadastrale 8501, dhe sipërfaqe 8 117 (tetë mijë e njëqind e shtatëmbëdhjetë) m².
2. Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave në administrim të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, miratuar me vendimin nr.226, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave.
3. Vendimi nr.1079, datë 10.12.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për kalimin e objektit “Ish-Kombinati i Tekstileve”, Berat, me numër pasurie 19/95, në zonën kadastrale 8501, me sipërfaqe 8 117 m², në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, si dhe për një ndryshim në vendimin nr.226, datë 23.4.2004 të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor””, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT TË VEPRIMIT PËR PËRMIRËSIMIN DHE MONITORIMIN E INDIKATORËVE “TË BËSH BIZNES”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e planit të veprimit për përmirësimin dhe monitorimin e indikatorëve “Të bësh biznes”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për ndjekjen e zbatimit të këtij plani veprimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E FONDIT NË MBËSHTETJE TË GRAVE SIPËRMARRËSE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, shkronjat “a”, “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, 7 e 8, të ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.10303, datë 15.7.2010, “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA)”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e Fondit në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse, me vlerë të përgjithshme 26 500 000 (njëzet e gjashtë milionë e pesëqind mijë) lekë, për një periudhë zbatimi për 4 (katër) vjet. Fondi i krijuar fillon të zbatohet në vitin 2014 me këtë shtrirje kohore dhe sipas vlerave të mëposhtme:
a) Për vitin 2014, vlera e fondit të jetë 2 500 000 (dy milionë e pesëqind mijë) lekë.
b) Për vitin 2015, vlera e fondit të jetë 5 000 000 (pesë milionë) lekë.
c) Për vitin 2016, vlera e fondit të jetë 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.
ç) Për 2017, vlera e fondit të jetë 9 000 000 (nëntë milionë) lekë.
2. Fondi në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse, përveç buxhetit të shtetit të parashikuar si më sipër, mund të ketë si burim financimi edhe donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare.
3. Fondi në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse ka për qëllim subvencionimin e normës së interesit të kredive për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të cilat drejtohen nga gratë si pronare apo administratore.
4. Kjo skemë konsiston në pagesën e interesave për kreditë e marra nga gratë dhe që do të përdoren për investime në biznes. Ndihma financiare do të mbulojë 50 % të normës së interesit, për 4 (katër) vite radhazi, dhe jo më shumë se 1 000 000 (një milion) lekë për një kredi, për ndërmarrjet që do të ushtrojnë veprimtaritë e tyre në:
a) sektorët prodhues dhe të shërbimit;
b) sektorin e industrisë së lehtë, kryesisht në industrinë e përpunimit aktiv (fason);
c) sektorin e turizmit;
ç) fushën e kërkimit dhe të zhvillimit;
d) procesin e agropërpunimit;
dh) fushën e disenjimit, modelimit, artizanatit.
5. Përfitimi i këtyre ndërmarrjeve nga fonde të akorduara nga donatorët apo institucione financiare ndërkombëtare nuk përbën pengesë për përfitim edhe nga ky fond.
6. Gëzojnë të drejtën për të përfituar nga kjo skemë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, të drejtuara nga gratë, të cilat janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit e zhvillojnë veprimtari në fushat e përcaktuara sipas pikës 4, të këtij vendimi, dhe që plotësojnë, veçanërisht, kushtet e mëposhtme:
a) Të jenë ndërmarrje, të klasifikuara si mikro ose të vogla, sipas ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar.
b) Të kryejnë aktivitet tregtar për jo më pak se 12 muaj nga data e paraqitjes së kërkesës.
c) Të kenë selinë ose vendin kryesor të prodhimit brenda territorit të vendit.
ç) Në planin e tyre të biznesit të parashikohet krijimi minimalisht i 1 (një) deri në 3 (tre) vendeve të reja të punës brenda 12 muajve nga momenti i përfitimit të fondit.
d) Të prodhojnë produkte ose të ofrojnë shërbime, që tregtohen apo që mund të tregtohen në nivel ndërkombëtar dhe që gjatë procesit i japin një vlerë të shtuar, të konsiderueshme, produktit përfundimtar.
dh) Të argumentojnë se aktivitetet që propozohen për mbështetje nga fondi janë të rëndësishme për zhvillimin e biznesit të tyre, nëpërmjet:
i. një vlerësimi mbi përfitimet e biznesit nga përmirësimi, në bazë të të cilit do të zhvillohen aktivitetet e propozuara;
ii. një plani biznesi ose një projekti duke argumentuar sa më sipër, i cili do të integrohet dhe do të materializohet më tej nga aktivitetet e propozuara.
e) Të garantojnë për zbatimin e duhur dhe në kohë të aktiviteteve të propozuara.
7. Në projektet që aplikohen duhet të identifikohen dhe të përshkruhen detyrimisht:
a) qëllimi i projektit;
b) termat e referencës për të gjitha aktivitetet që duhen nënkontraktuar;
c) mënyra e menaxhimit të projektit, sistemit të monitorimit dhe vlerësimit;
ç) në mënyrë të hollësishme veprimtaritë që do të kryejnë;
d) indikatorët e verifikueshëm;
dh) buxheti i detajuar, duke përfshirë burimet financiare dhe/ose të ardhurat;
e) rezultatet e pritshme.
8. Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, përfitojnë nga kjo skemë vetëm një herë.
9. Ngarkohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) për menaxhimin e fondit që do të përdoret për subvencionin e interesave të kredive dhe për të lidhur marrëveshje me institucionet e mikrokredisë si:
a) institucionet financiare jobankare;
b) dhe/ose shoqëritë e kursim-kreditit me qëllim disbursimin e Fondit në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse.
10. Procedurat dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve përcaktohen në rregulloren e funksionimit të Fondit në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse, e cila miratohet me urdhër të ministri përgjegjës për ekonominë.
11. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, parashikohen në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për ekonominë, e cila krijon një zë të veçantë për këtë qëllim, për llogari të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
12. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E FONDIT NË MBËSHTETJE TË SIPËRMARRJEVE TË REJA “START-UP”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, shkronjat “a”, “c”, “ç”, “d” dhe “dh”, 7, pika 2, dhe 8, të ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.10303, datë 15.7.2010, “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA)”, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e Fondit në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja “Start-up”, për një periudhë zbatimi 4 (katër) vjet, me vlerë të përgjithshme 25 000 000 (njëzet e pesë milionë) lekë. Fondi i krijuar të fillojë në vitin 2014 dhe të zbatohet në këtë shtrirje kohore me vlerat e mëposhtme:
a) Për vitin 2014, me vlerë fondi gjithsej 2 000 000 (dy milionë) lekë.
b) Për vitin 2015, me vlerë fondi gjithsej 4 000 000 (katër milionë) lekë.
c) Për vitin 2016, me vlerë fondi gjithsej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.
ç) Për vitin 2017, me vlerë fondi gjithsej 9 000 000 (nëntë milionë) lekë.
2. Sipërmarrje e re ose “Start-up” do të konsiderohet një kompani e sapokrijuar dhe në kërkim të tregjeve.
3. Fondi në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja, i krijuar në zbatim të këtij vendimi, do të financohet nga buxheti i shtetit dhe mund të ketë si burime financimi edhe fonde nga donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare.
Përfitimi nga fonde të akorduara nga donatorët apo institucionet financiare ndërkombëtare, për këto sipërmarrje, nuk përbën pengesë për përfitim edhe nga ky fond.
4. Fondi ka për qëllim dhënien e ndihmës financiare në mbështetje të sipërmarrjeve të reja, ndërmarrje mikro dhe të vogla, që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në:
a) sektorët prodhues dhe të shërbimit;
b) sektorin e industrisë së lehtë;
c) sektorin e turizmit;
ç) fushën e kërkimit dhe të zhvillimit;
d) procesin e agropërpunimit;
dh) fushën e disenjimit, modelimit, artizanatit.
Gëzojnë të drejtën e përfitimit nga ky fond ato sipërmarrje të reja, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë në sektorët e sipërpërmendur dhe janë të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, për një periudhë nga 1 (një) deri në 2 (dy) vjet.
5. Fondi mbulon 70% të kostove të pranuara dhe të miratuara nga Komisioni Vlerësues, në varësi të projektit konkurrues, por jo më shumë se 300 000 (treqind mijë) lekë.
6. Në kostot e pranuara, sipas pikës 5, të këtij vendimi, përfshihen kostot për:
a) investime në pajisje dhe teknologji për nxitjen e prodhimit/shërbimit;
b) marketing të produktit dhe promovim;
c) kualifikim dhe trajnim për rritjen e aftësive sipërmarrëse;
ç) krijim faqeje interneti e publikime materialesh promovuese;
d) pjesëmarrje në panair ose ekspozitë brenda apo jashtë shtetit, si vizitor apo ekspozues.
7. Sipërmarrjet e reja, për të përfituar nga fondi i përmendur në pikën 1, duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) Të jenë ndërmarrje të klasifikuara si mikro ose të vogla, sipas ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar.
b) Të kenë selinë ose vendin kryesor të prodhimit brenda territorit të vendit.
c) Të kenë një plan biznesi ose një projekt dhe të jenë të afta për zbatimin e duhur dhe në kohë të aktiviteteve të propozuara.
ç) Të krijojnë minimalisht 1-3 vende të reja pune brenda 12 muajve nga momenti i përfitimit të fondit.
d) Të jenë në gjendje të financojnë 50% të të gjitha kostove të projektit në fazën e aplikimit.
8. Pagesa e fondit të përfituar të bëhet 50% në fillim të projektit dhe 50% në fund të përfundimit të projektit, kundrejt faturës/faturave e cila/të cilat vërteton/vërtetojnë shpenzimet e kryera. Fondi i përfituar nuk mund të jepet më tepër se një herë për të njëjtën sipërmarrje.
9. Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) është përgjegjëse për menaxhimin e Fondit në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja dhe ngritjen e Komisionit Vlerësues sipas procedurave dhe kritereve që përcaktohen në rregulloren e funksionimit të këtij fondi, e cila miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë.
10. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përfshihen në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për ekonominë, e cila krijon një zë të veçantë për këtë qëllim, për llogari të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
11. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR CILËSINË E AJRIT TË MJEDISIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 21, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Cilësinë e Ajrit të Mjedisit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.938, DATË 17.11.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË KLUBIT SPORTIV “DINAMO” NGA MINISTRIA E BRENDSHME TE MINISTRIA E TURIZMIT, KULTURËS, RINISË DHE SPORTEVE, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.250, DATË 24.4.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË RENDIT PUBLIK”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13,14 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.938, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, në titull dhe kudo në vendim, emërtimi “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve”, zëvendësohet me “Ministria e Arsimit dhe Sportit”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2014, MIRATUAR PËR DISA INSTITUCIONE, PËR FESTIMET E 70-VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË VENDIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e miratuar për vitin 2014, në kuadër të festimeve të 70-Vjetorit të Çlirimit të Vendit, të shtohet fondi prej 94 000 000 (nëntëdhjetë e katër milionë) lekësh, i cili të ndahet për disa institucione, si më poshtë vijon:
a) Ministrisë së Mbrojtjes, në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”, zëri “Shpenzime korrente”, fondi prej 7 000 000 (shtatë milionë) lekësh, për kryerjen e punimeve restauruse në objektin 0774, vendkomanda taktike e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pranë Batalionit të Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, nr.8010 dhe për mbështetjen e aktiviteteve të shoqatave të veteranëve.
b) Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”, zëri “Shpenzime korrente”, fondi prej 23 000 000 (njëzet e tre milionë) lekësh, për organizimin e koncertit të madh përmbyllës dhe të fushatës publicitare, me rastin e 70-Vjetorit të Çlirimit të Vendit.
c) Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”, zëri “Shpenzime korrente”, fondi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, për:
i. organizimin e kampionatit sportiv mes shkollave “Kupa e 70-Vjetorit të Çlirimit”;
ii. organizimin e ekspozitës kombëtare mes shkollave 9-vjeçare dhe të mesme me imazhin e lirisë;
iii. konferencën shkencore për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
ç) Ministrisë së Kulturës, në programin “Arti dhe kultura”, zëri “Shpenzime korrente”, fondi prej 47 000 000 (dyzet e shtatë milionë) lekësh, për:
i. organizimin e ekspozitës “Albanian artists after the fall”, në hollin e Kryeministrisë;
ii. Festivalin e Dritave;
iii. ndërhyrjen restauruese në 20 objekte përkujtimore të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare;
iv. ekspozitën në “Bunkerin antibërthamor të Linzës” (Objekti 0774, vendkomanda taktike e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pranë Batalionit të Mbështetjes së Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, nr.8010).
d) Prefekturës Tiranë, në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”, zëri “Shpenzime korrente”, fondi prej 1 000 000 (një milion) lekësh, për kryerjen e punimeve restauruse në Varrezat e Dëshmorëve, Tiranë, në përgatitje të ceremonisë zyrtare të nderimit.
dh) Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”, zëri “Shpenzime korrente”, fondi prej 1 000 000 (një milion) lekësh, për organizimin e pritjes zyrtare në Pallatin e Kongreseve, me rastin e 70-Vjetorit të Çlirimit të Vendit.
e) Kryeministrisë, në programin “Planifikim, menaxhim, administrim”, zëri “Shpenzime korrente”, fondi prej10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, për organizimin e aktiviteteve me rastin e 70-Vjetorit të Çlirimit të Vendit.
2. Efektet financiare të këtij vendimi prej 94 000 000 (nëntëdhjetë e katër milionë) lekësh përballohen nga fondi i kontingjencës, miratuar në buxhetin e vitit 2014.
3. Ngarkohen Kryeministria, Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Kulturës, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Prefektura Tiranë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2014, NDËRMJET MINISTRISË SË KULTURËS DHE DREJTORISË SË SHËRBIMEVE QEVERITARE, PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE PËR SHTESË PUNIMESH NË ZBATIM TË PROJEKTEVE “PËR RIKONSTRUKSIONIN E PALLATIT TË KONGRESEVE” DHE “PËR REALIZIMIN E QENDRËS MEDIATIKE NË PALLATIN E KONGRESEVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit 185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e miratuar për vitin 2014 të bëhet rishpërndarja e fondeve ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, si më poshtë vijon:
a) Ministrisë së Kulturës t’i shtohen fondi prej 6 303 004 (gjashtë milionë e treqind e tre mijë e katër) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve për shtesë punimesh në zbatim të projektit “Për rikonstruksionin e Pallatit të Kongreseve”, dhe fondi prej 10 439 196 (dhjetë milionë e katërqind e tridhjetë e nëntë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve për projektin “Për realizimin e Qendrës Mediatike në Pallatin e Kongreseve”.
b) Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare t’i pakësohet fondi prej 16 742 200 (gjashtëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e dyzet e dy mijë e dyqind) lekësh, për rishpërndarjen e tij në buxhetin e Ministrisë së Kulturës.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
SHTESË FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2014, MIRATUAR PËR MINISTRINË E KULTURËS, PËR PËRBALLIMIN E SHPENZIMEVE, NË KUADËR TË ORGANIZIMIT TË PUNËVE NË VIJIM TË ARDHJES SË PAPA FRANÇESKUT NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
3. Ministrisë së Kulturës, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohet fondi prej 29 400 000 (njëzet e nëntë milionë e katërqind mijë) lekësh, i ndarë, si më poshtë vijon:
a) 8 748 128 (tetë milionë e shtatëqind e dyzet e tetë mijë e njëqind e njëzet e tetë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve të shtesës së punimeve në zbatim të projektit “Për ndërhyrje rehabilituese në sheshin “Nënë Tereza””;
b) 10 578 262 (dhjetë milionë e pesëqind e shtatëdhjetë e tetë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë, për mbulimin e shpenzimeve për shtesë fondi në zbatim të projektit “Për realizimin e dekorit të qytetit të Tiranës në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri” si dhe aspektet organizative e protokollare të ceremonialit të vizitës së Papa Franceskut;
c) 1 673 610 (një milion e gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e dhjetë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve “Për realizimin e altarit të meshës që do të mbajë Papa Françesku”;
ç) 8 400 000 lekë (tetë milionë e katërqind mijë) lekë, për mbulimin e shpenzimeve që do të kryhen për realizimin ekspozitës në Muzeun Historik Kombëtar, në kuadër të ardhjes në Shqipëri të Papa Françeskut.
4. Ky fond të përballohet nga fondi i kontingjencës, i miratuar në buxhetin e vitit 2014.
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 1139, DATË 20.11.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, ” PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË AUTOMJETEVE DHE SHOFERËVE NË DISPOZICION TË MINISTRIVE DHE INSTITUCIONEVE QENDRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.10160, datë 15.10.2009, “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në lidhjen nr.1, bashkëlidhur vendimit nr.1139, datë 24.11.2009, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Numri i automjeteve të Kuvendit të përmendur në pikën 1, bëhet, në total, 16.
2. Emërtesa “Avokati i prokurimeve” shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.459, DATË 23.9.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E KOMITETIT SHTETËROR PËR KULTET”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.459, datë 23.9.1999, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Paragrafi i dytë, i pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Komiteti Shtetëror për Kultet është institucion qendror, person juridik, në varësi të Kryeministrit.”.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Komiteti Shtetëror për Kultet përbëhet nga kryetari dhe katër anëtarë. Kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet dhe anëtarët e këtij komiteti, të cilët propozohen nga kryetari, emërohen nga Kryeministri. Gjatë emërimit të përbërjes së Komitetit Shtetëror për Kultet, Kryeministri dhe kryetari i komitetit marrin parasysh dhe ruajnë parimet e asnjanësisë shtetërore dhe të barazisë së bashkësive fetare, si dhe faktin që struktura e komitetit të reflektojë, realisht, identitetin dhe vlerat e bashkësive fetare.
Struktura, organika dhe rregullorja e veprimtarisë së Komitetit Shtetëror për Kultet miratohen nga Kryeministri, me propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.