Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 21 maj 2014
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.35, DATË 29.1.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR VITIN 2014 NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 18, pika 2, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, dhe të nenit 11, të ligjit nr.185, datë 28.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.35, datë 29.1.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2014, në njësitë e qeverisjes qendrore është 756 veta, sipas lidhjeve nr.1, nr.2 dhe nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.”.
b) Pas lidhjes 2, bashkëlidhur vendimit, shtohet lidhja nr.3, që i  bashkëlidhet këtij vendimi, e cila detajon ndarjen e shtesës prej 146 punonjësish, të miratuar me këtë vendim.
2. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përballohen nga shpenzimet korente të miratuara në buxhetin përkatës të institucioneve për vitin 2014. Përjashtimisht për Shtëpinë e Pushimit Durrës, efektet financiare përballohen nga të ardhurat e vetë institucionit.
3. Ngarkohen ministritë dhe institucionet buxhetore, sipas lidhjes nr.3, të përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit të punonjësve brenda kritereve të vendimit nr.1703, datë 24.12.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe aktiviteteve sezonale/të përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.649, DATË 8.10.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË DREJTËSISË TË NJË PJESE TË PRONËS NR.17/16, ME EMËRTIM “ISH-DREJTORIA E DOGANËS, DURRËS”, SI DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.586, DATË 10.9.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTAVE TË INVENTARËVE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT U KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI SHOQËRIVE ANONIME DHE NDËRMARRJEVE TË SISTEMIT TË TRANSPORTIT DETAR DHE AJROR”” 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.649, datë 8.10.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në fund të pikës 1, të vendimit të Këshillit të Ministrave, shtohen fjalët: “… Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Durrës, dhe Zyra Vendore e Shërbimit të Provës, Durrës, sipas planimetrisë bashkëlidhur, pjesë përbërëse e këtij vendimi.”.
b) Sipërfaqja e ndërtesës prej 172 (njëqind e shtatëdhjetë e dy) m2, me emërtim “Ish-Drejtoria e Doganës, Durrës”, pjesë e pronës nr.17/16, në zonën kadastrale nr.8514, me vendndodhje në sheshin “Mujo Ulqinaku”, për përdorim nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Durrës, dhe sipërfaqja e ndërtesës prej 111 (njëqind e njëmbëdhjetë) m2, për përdorim nga Zyra Vendore e Shërbimit të Provës, Durrës, shtohen në listën e inventarit të pronave shtetërore, e cila i bashkëlidhet vendimit nr.1292, datë 24.9.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI NGA MINISTRIA E DREJTËSISË TE PROKURORIA E PËRGJITHSHME, TË MJEDISEVE DHE SIPËRFAQES 342 M², TË PRONËS NR.3/31, NË ZONËN KADASTRALE NR.8582, ME EMËRTIM “GODINA E GJYKATËS SË RRETHIT GJYQËSOR POGRADEC”, SI DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1292, DATË 24.9.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË DREJTËSISË TË TROJEVE DHE NDËRTESAVE TË GJYKATAVE TË RRETHEVE GJYQËSORE DHE TË GJYKATAVE TË APELIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Drejtësisë te Prokuroria e Përgjithshme, të mjediseve dhe sipërfaqes 342 (treqind e dyzet e dy) m², të pronës nr.3/31, në zonën kadastrale nr.8582, të objektit dhe të truallit të ndërtesës së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, në funksion të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, sipas planimetrisë bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Prona nr.3/31, me emërtim “Godina e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec”, hiqet nga lista e inventarit të pronave shtetërore e cila i bashkëlidhet vendimit nr.1292, datë 24.9.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
3. Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec u ndalohet ta ndryshojnë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë ose ta japin në përdorim te të tretët.
4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M 
PËR
KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË SHËRBIMIT NOTERIAL SHQIPTAR, REGJISTRI NOTERIAL SHQIPTAR (RNSH)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe të nenit 71, paragrafi i dytë, të ligjit nr.7829, datë 1.6.1994, “Për noterinë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Objekt i këtij vendimi është krijimi i bazës të të dhënave shtetërore të Shërbimit Noterial Shqiptar, të quajtur Regjistri Noterial Shqiptar (RNSH).
2. RNSH-ja përmban:
a)  të dhënat e akteve dhe veprimeve noteriale;
b)  të dhënat e testamenteve;
c)   të dhënat e dëshmive të trashëgimisë;
ç)  dokumentet e skanuara të akteve dhe veprimeve noteriale;
d)  të dhënat për palët, individë dhe subjekte;
dh)  informacione të tjera plotësuese për procese të punës së noterëve;
e)  të dhëna referencare për ndërveprimin dhe baza të dhënash të tjera;
ë)  të dhëna referencare për komunikimin ndërmjet noterëve, dhomave dhe aktorëve të tjerë;
f)  të dhënat e raporteve dhe statistika.
3. Përbërësit e arkitekturës software dhe hardware të sistemit miratohen nga Autoriteti Rregullator Koordinues.
4. Të dhënat që përmban sistemi ndahen në të dhëna parësore dhe të dhëna dytësore, si më poshtë vijon:
a) Të dhëna parësore konsiderohen të dhënat e mbledhura në kohë reale nga RNSH-ja dhe që kanë të bëjnë me:
– regjistrin e akteve dhe veprimeve noteriale;
– regjistrin e testamenteve;
– regjistrin e dëshmive të trashëgimisë;
– dokumentet e skanuara të akteve dhe veprimeve noteriale;
– të dhënat për palët, individë dhe subjekte;
– kërkesat dhe miratimin për modifikimin e akteve dhe veprimeve noteriale;
– kërkesat dhe miratimin për lëshimin e dëshmive të trashëgimisë.
b) Të dhëna dytësore konsiderohen të dhënat që kanë të bëjnë me:
– të dhëna referencare të Gjendjes Civile, si nr.personal, emri, mbiemri, atësia, vendlindja, datëlindja, gjinia, bashkia/komuna, adresa;
– të dhëna referencare të QKR-së, si përfaqësuesi, roli i përfaqësuesit, emri i subjektit, tipi i subjektit, NIPT-i, bashkia/komuna, adresa, shteti;
– të dhëna referencare për ndërveprimin dhe baza të dhënash të tjera.
5. Subjektet përgjegjëse të RNSH-së janë, si më poshtë vijon:
a) Institucioni administrues i sistemit dhe i bazave të të dhënave të tjera është Ministria e Drejtësisë;
b) Institucioni, palë e interesuar dhe përgjegjëse në proceset e noterisë, është Dhoma Kombëtare e Noterisë.
6. Dhënës të informacionit janë:
a) noterët;
b) Ministria e Drejtësisë;
c) palët, individë dhe subjekte (fizike dhe juridike).
7. Subjekte të interesuara janë:
a) Ministria e Financave;
b) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
c) Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave;
ç) Policia e Shtetit, Prokuroria apo agjenci të tjera të hetimit;
d) Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive;
dh) Çdo subjekt tjetër i përcaktuar shprehimisht me vendim të Këshillit të Ministrave.
8. Niveli i aksesit në sistemin dhe bazën e të dhënave të RNSH-së është, si më poshtë vijon:
a) Noterët kanë të drejtë leximi vetëm mbi të dhënat e tyre për regjistrat e akteve, veprimeve, testamenteve dhe të dëshmive të trashëgimisë si dhe të dhëna të tjera dytësore apo të dhëna referencare;
b) Noterët kanë të drejtë leximi në regjistrat publikë, si në regjistrin e akteve të revokuara, regjistrin e dëshmive të trashëgimisë etj., sipas udhëzimeve të Ministrisë së Drejtësisë;
c) Noterët kanë të drejtë leximi, shkrimi dhe modifikimi mbi të dhënat e të gjithë individëve dhe subjekteve;
ç) Noterët kanë drejtë shkrimi/modifikimi ose anulimi vetëm për aktet/veprimet që nuk janë arkivuar;
d) Dhoma Kombëtare e Noterisë ka të drejtë leximi për raporte përmbledhëse të të gjithë noterëve;
dh)  Dhoma Kombëtare e Noterisë ka të drejtë leximi në listën e regjistrit të testamenteve dhe nuk ka të drejtë për të parë dokumentin dhe tekstin e testamentit. Dhoma shikon vetëm lëshimin ose jo të testamentit nga noteri për testamentshkruesin;
e) Dhoma Kombëtare e Noterisë ka të drejtë leximi në regjistrin e dëshmive të trashëgimisë;
ë)  Dhoma Kombëtare e Noterisë ka të drejta leximi në të dhënat dytësore për komunikim ose miratim të kërkesave të noterëve në procese aprovuese të ndryshme;
f) Ministria e Drejtësisë ka të drejta të plota administrative mbi baza të dhënash të tjera dhe sistemin në rolet:
i) administrator;
ii) raportues;
iii) auditues;
iv) zhvillues.
g) Subjektet e tjera, sipas përcaktimit me vendim të Këshillit të Ministrave, mund të kenë akses në nivelin raportues apo statistikor, për të monitoruar apo raportuar mbi veprimet noteriale.
9. Ndërveprimi me bazat e tjera të të dhënave shtetërore, proceset elektronike të punës në baza të dhënash të tjera të Shërbimit Noterial  Shqiptar, RNSH, si dhe procedurat përkatëse përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë, në përputhje me rregullat e miratuara në zbatim të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”.
10. Ngarkohen ministri i Drejtësisë dhe noterët për zbatimin e këtij vendimi.
          Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MALIT TË ZI, NË FUSHËN E TEKNOLOGJISË SË INFORMACIONIT DHE KOMUNIKIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 6, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të memorandumit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, në fushën e teknologjisë së informacionit e të komunikimit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
 EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1, DATË 8.1.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR” 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.10383,  datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 5, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.1, datë 8.1.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2.1. Ministria e Shëndetësisë, për raste të vlerësuara nga ajo ose me kërkesë të autoriteteve kontraktuese (spitaleve), mund të zhvillojë procedura të përqendruara prokurimi për disa mallra dhe shërbime.”.
2. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Buxheti për mbulimin e paketës së shërbimeve spitalore, që ofron çdo spital, bëhet sipas shtojcës nr.2/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Një fond jo më i madh se 10 për qind e buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për t’ua rishpërndarë spitaleve gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për:
a) pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të ofruara nga shërbimet spitalore publike e private, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
b) nevoja të spitaleve gjatë vitit.”.
3. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Ministria e Shëndetësisë auditon spitalin, nëpërmjet strukturës së saj audituese për zbatimin e standardeve të miratuara prej saj, si dhe për mënyrën e përdorimit të buxhetit total të spitalit.”.
4. Shtojca 2 zëvendësohet me shtojcën 2/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
REGJISTRIMIN DHE IDENTIFIKIMIN E PERSONAVE TË SIGURUAR NGA SIGURIMI I DETYRUESHËM SHËNDETËSOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 27, pikat 5 e 6, dhe 41, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor quhen personat ekonomikisht aktivë, me banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, që paguajnë kontributin e detyrueshëm të sigurimit shëndetësor, personat ekonomikisht joaktivë, pagesa e kontributeve të të cilëve financohet nga buxheti i shtetit ose burime të tjera, të përcaktuara me ligj, si dhe personat e siguruar në mënyrë vullnetare.
2. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor krijon regjistrin e të siguruarve, në të cilin regjistron të gjithë personat e siguruar në sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, sipas kategorive përkatëse, me qëllim që të evidentohen, në mënyrë të saktë, të gjithë personat e siguruar në mënyrë të detyrueshme dhe veçoritë e sigurimit të tyre (masa e kontributit, kohëzgjatja e sigurimit etj.).
3. Regjistrimi i të siguruarve bëhet duke u mbështetur në të dhënat e ofruara nga institucionet përgjegjëse, bazuar në numrin e përgjithshëm, si dhe në identitetin e personave që bëjnë pjesë në grupet e veçanta.
4. Institucionet përgjegjëse për dhënien e informacionit, sipas kategorive të të siguruarve, janë si më poshtë:
a) Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për dhënien e informacionit për kategorinë e shtetasve të huaj azilkërkues në Republikën e Shqipërisë;
b) Ministria e Arsimit dhe Sportit është përgjegjëse për dhënien e informacionit për kategoritë e nxënësve dhe të studentëve të moshës 18 deri në 25 vjeç, të regjistruar në sistemin arsimor parauniversitar apo të lartë;
c) Instituti i Sigurimeve Shoqërore është përgjegjës për dhënien e informacionit për kategorinë e personave që përfitojnë nga skema e sigurimeve shoqërore, si dhe për kategorinë e personave të vetëpunësuar në fshat;
ç) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është përgjegjëse për dhënien e informacionit të përditësuar për kategoritë e të punësuarve, të punëdhënësve, të vetëpunësuarve në qytet dhe anëtarëve të papaguar të familjes së tyre, si dhe për kategorinë e personave me të ardhura të rregullta, nga prona ose burime të tjera të krahasueshme;
d) Shërbimi Social Shtetëror është përgjegjës për dhënien e informacionit për kategorinë e personave që përfitojnë ndihmë ekonomike, të personave që përfitojnë pagesën për aftësinë e kufizuar, të verbrit dhe jetimët;
dh) Shërbimi Kombëtar i Punësimit është përgjegjës për dhënien e informacionit për kategorinë e personave të regjistruar si të papunë – punëkërkues;
e) Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile është përgjegjëse për dhënien e informacionit për kategorinë e fëmijëve nën moshën 18 vjeç, si dhe për rastet e lindjeve e të vdekjeve;
ë) Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile i vë në dispozicion Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor përbërësit e gjendjes civile (ku përfshihet dhe numri personal) nëpërmjet Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile;
f) Autoriteti shtetëror qendror përgjegjës për trajtimin e të huajve që kërkojnë të hyjnë dhe të qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë është përgjegjës për dhënien e informacionit për të huajt e pajisur me leje qëndrimi.
5. Qendrat Shëndetësore janë përgjegjëse për regjistrimin e të dhënave të popullsisë së regjistruar pranë mjekëve të familjes.
6. Të dhënat nga institucionet përgjegjëse, sipas pikave 4 dhe 5, të këtij vendimi, i jepen Fondit në mënyrë elektronike jo më pak se 2 (dy) herë në vit, brenda muajit janar dhe qershor të çdo viti. Fondi lidh marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave me institucionet e mësipërme, në të cilën parashikohen afatet konkrete të kalimit të të dhënave, modalitetet dhe detajimin e informacionit të kërkuar për nevojat e Fondit.
7. Marrja e të dhënave, përpunimi dhe ruajtja e tyre bëhen në përputhje me ligjin nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar, si dhe të udhëzimeve të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
8. Identifikimi i personave të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor bëhet me anë të kartës së shëndetit.
9. Karta e shëndetit është dokumenti që vërteton se mbajtësi i saj është person i siguruar, sipas ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
10. Karta e Shëndetit është personale dhe e patjetërsueshme. Ajo përmban numrin e identitetit të personit, i cili është edhe numri i sigurimit shëndetësor të detyruar. Për të huajt, si numër i sigurimit shëndetësor të detyruar do të shërbejë numri i lejes së qëndrimit ose i lejes provizore të qëndrimit.
11. Forma, përmbajtja, mënyra e përdorimit të kartës së shëndetit, si dhe modalitetet e zëvendësimit të librezës së shëndetit, përcaktohen me udhëzim të veçantë të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
12. Vendimi nr.86, datë 13.2.2003, i Këshillit të Ministrave, “Për librezën e shëndetit”, shfuqizohet.
13. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Shërbimi Social Shtetëror, Shërbimi Kombëtar i Punësimit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PAKETAVE TË SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE QË DO TË FINANCOHEN NGA FONDI  I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË SHËRBIMIN SPITALOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të  ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e paketave të shërbimeve shëndetësore dhe çmimet përkatëse që do të financohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, si më poshtë vijon:
a) Paketa e shërbimit të dializës, sipas shtojcës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi;
b) Paketa e shërbimeve të kardiologjisë, sipas shtojcës nr.2, bashkëlidhur këtij vendimi;
c) Paketa e shërbimeve të kardiokirurgjisë, sipas shtojcës nr.3, bashkëlidhur këtij vendimi;
ç) Paketa e shërbimit të transplantit të veshkës, sipas shtojcës nr.4, bashkëlidhur këtij vendimi;
d) Paketa e shërbimit të implantit koklear, sipas shtojcës nr.5, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon paketat e mësipërme në institucione shëndetësore publike, në përputhje me kapacitetet e tyre për ofrimin e shërbimeve të paketave.  Për rastet që janë përtej kapaciteteve mjekësore të institucioneve shëndetësore publike, Fondi lidh kontrata dhe financon shërbimet e paketave në institucione shëndetësore private.
3. Kontraktimi me insitucionet publike dhe private për financimin e shërbimeve shëndetësore të paketave të mësipërme bëhet në përputhje me legjislacionin e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
4. Çmimi i paketave të shërbimeve shëndetësore financohet nga Fondi në masë të njëjtë, si në institucionet shëndetësore publike, ashtu dhe në ato private. Personat e siguruar që përfitojnë nga këto paketa janë të përjashtuar nga bashkëpagesa.
5. Ministria e Shëndetësisë miraton protokollet e paketave të shërbimeve, sipas shtojcave  bashkëlidhur, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
6. Fondi administron regjistrin kombëtar të paketave të shërbimeve sipas shtojcave bashkëlidhur. Rregullat, kriteret dhe mënyra e organizimit të Regjistrit Kombëtar të Paketave të financuara nga Fondi hartohen nga ky i fundit në bashkëpunim me shefat e shërbimeve përkatëse universitare dhe miratohen nga këshilli administrativ i Fondit brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Fondi ngre strukturat për auditimin dhe monitorimin e ofrimit të paketave të shërbimeve nga institucionet shëndetësore publike dhe private të kontraktuara.
8. Çmimet e paketave të shërbimeve shëndetësore rishikohen çdo vit nga një komision i rishikimit të çmimeve të paketave, i cili caktohet nga Këshilli Administrativ i Fondit, me pjesëmarrës nga shërbimet shëndetësore publike dhe private, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Fondit. Ndryshimi i çmimeve bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.
9. Për të gjitha institucionet shëndetësore publike, marzhi i fitimit i përcaktuar sipas shtojcave përkatëse do të klasifikohet si e ardhur dytësore për institucionin dhe përdorimi i tij do të bëhet me udhëzim të posaçëm të Këshillit Administrativ të Fondit.
10. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për programin e financimit spitalor.
11. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRITERET E TREGTIMIT, CERTIFIKIMIT DHE TESTIMIT TË FARËS SË PANXHARIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4, pika 9, 14, pika 3, 15, pika 3, 16, pika 4, e 33, të ligjit nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi i këtij vendimi është të përcaktojë kriteret për tregtimin e farës së panxharit, kategoritë, identitetin dhe cilësinë e tyre, rregullat e paketimit dhe etiketimit, procedurën e certifikimit, kriteret e ruajtjes, marrjes së mostrave për analiza laboratorike për certifikim, si dhe procedurën e testimit e provat krahasuese për kontrollin e farës së panxharit që vendoset në treg.
2. Të  gjithë termat e përcaktuar në ligjin nr.10416, datë 7. 4. 2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim.
II. KRITERET E TREGTIMIT TË FARAVE TË PANXHARIT
1. Kriteret që duhet të plotësojnë farat e panxharit për tregtim janë:
a) Të kenë të përcaktuar kategorinë, identitetin dhe cilësinë, sipas kërkesave të këtij vendimi;
b) Të jenë të pajisura me certifikatën zyrtare, sipas modelit të përcaktuar në shtojcën IV, bashkëlidhur këtij vendimi;
c) Të jenë  të paketuara dhe të etiketuara në përputhje me kriteret e pikës 3, të këtij kreu;
ç) Të jenë të regjistruara në katalogun kombëtar varieteti ose hibridi prej të cilit është prodhuar fara;
d) Të plotësojnë kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e shëndetit të bimëve dhe mbrojtjen e biodiversitetit, lidhur me masat mbrojtëse kundër futjes apo përhapjes së organizmave të dëmshme brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
2. Kategoritë, identiteti dhe cilësia e farave të panxharit
2.1. Sipas prejardhjes, farat e panxharit ndahen në kategoritë e mëposhtme:
a) Fara  bazë;
b) Fara e certifikuar;
c) Fara monogermë;
ç) Fara me precizion.
2.2. “Fara bazë” nënkupton farën e prodhuar nën përgjegjësinë e seleksionerit, sipas praktikave për mbrojtjen e varietetit, që ka për qëllim prodhimin e farës së kategorisë “farë e certifikuar” dhe plotëson kërkesat e përcaktuara në shtojcën I, bashkëlidhur këtij vendimi.
2.3. “Fara e certifikuar” nënkupton farën e prodhuar direkt nga fara bazë, që ka për qëllim prodhimin e panxharit dhe plotëson kërkesat sipas shtojcës I, bashkëlidhur.
2.4. “Fara monogermë ose fara me një embrion” nënkupton farën gjenetikisht monogermë, që ka apo vjen nga një farë dhe zhvillon një bimë të vetme.
2.5. “Fara me precizion” nënkupton farën e kalibruar e të prodhuar për mbjelljet me precizon, e cila jep vetëm një fidan dhe plotëson kërkesat e ndarjes B, pika 3, shkronjat “b”, “bb” dhe “cc”, të shtojcës I.
2.6. Skemat e prodhimit të kategorive të farave të panxharit bëhen nën monitorimin dhe përgjegjësinë e Entit Shtetëror të Farave dhe Fidanëve (ESHFF).
2.7. Identiteti i farave të panxharit është tërësia e veçorive botanike, gjenetike, biologjike dhe morfologjike, si dhe qëllimi i përdorimit të një specieje të caktuar për ta dalluar nga speciet e tjera. Sipas këtij kriteri, farë panxhari do të konsiderohet fara që rrjedh nga bimët e panxharsheqerit (Beta vulgaris n/specia saccharifera) dhe panxharit foragjer (Beta vulgaris n/specia crassa) të species Beta vulgaris L.
2.8. Cilësia e farës së panxharit përcaktohet nga këta tregues:
a) Pastërtia e përgjithshme, që është pesha në përqindje e farave të pastra ndaj peshës së tyre të përgjithshme;
b) Fuqia mbirëse, që është aftësia e farës për të mbirë në kushte të caktuara e cila përcaktohet nga numri i farave që mbijnë në raport me numrin e farave të vëna për mbirje;
c) Energjia mbirëse, e cila është aftësia që ka fara për të mbirë brenda një periudhe kohe të caktuar, sipas ISTA-s (Shoqata Ndërkombëtare e Testimit të Farërave) dhe shprehet në përqindje;
ç) Lagështia e farave, që është përqindja e lejuar e lagështirës që mbart fara për t’u paketuar dhe tregtuar si material mbjellës.
2.9. Normat për treguesit cilësorë të farave të panxharit janë të përcaktuara në ndarjen B, pika 3, kolona “a”, e tabelës së shtojcës I, të këtij vendimi.
3. Paketimi dhe etiketimi i farës së panxharit
3.1. Paketimi i farës së panxharit, të çdo kategorie, shoqërohet me etiketën e prodhuesit dhe etiketën zyrtare, e cila përgatitet dhe lëshohet në treg nga ESHFF-ja. Etiketa zyrtare vërteton që fara e panxharit është certifikuar dhe kontrolluar  nga  sektori i certifikimit në ESHFF.
3.2. Fara e panxharit të kategorive “fara bazë” dhe “fara e certifikuar” duhet të tregtohen vetëm në lote homogjene e të paketuara.
3.3. Paketimet e “farave bazë” dhe “farave të certifikuara” duhet të kryhen në mënyrë të tillë që, nëse hapen, mbyllja ose vetë paketimi të lënë gjurmë dëmtimi mbi etiketën zyrtare ose mbi vetë paketimin.
3.4. Ripaketimi i farës së panxharit bëhet në rastin e rikontrollit laboratorik për verifikimin e cilësisë së farës, me kërkesë të furnizuesit. Nëse ripaketohet, ripaketimi dhe data e ripaketimit duhet të shënohet në etiketë nga ESHFF-ja.
3.5. Paketat e  “farave bazë” dhe të “farave të certifikuara” të çdo lloji duhet që:
a) të jenë të pajisura në pjesën e jashtme me një etiketë zyrtare, që plotëson kushtet e përcaktuara në shtojcën III, të këtij vendimi, dhe të shkruara në gjuhën shqipe;
b) të përmbajnë një dokument zyrtar, në të njëjtën ngjyrë me etiketën, që të pasqyrojë të paktën kërkesat e përcaktuara në pikat 3, 5, 6, 11 e 12, të ndarjes A, të kreut I, të shtojcës III, bashkëlidhur. Ky dokument duhet të jetë i tillë që të mos zëvendësojë etiketën zyrtare të përcaktuar në shkronjën “a”, të kësaj pike.
3.6. Gjatë certifikimit zyrtar, autoriteti certifikues verifikon që paketimi i “farës  bazë” apo “farës së certifikuar”, përmban edhe etiketën e furnizuesit, e cila duhet të jetë me ngjyrë të ndryshme nga etiketa zyrtare.
3.7. Farat e shumëzuara nga riprodhimet e “farës parabazë” mund të tregtohen si “fara bazë” dhe  “fara të certifikuara” kur plotësojnë kushtet e mëposhtme:
a) Të jenë kontrolluar zyrtarisht nga autoriteti certifikues, në përputhje me kërkesat që zbatohen për certifikimin e “farës bazë”;
b) Të jenë të paketuara, në përputhje me kërkesat e këtij vendimi;
c) Paketat të kenë një etiketë zyrtare, e cila të jetë e bardhë me një vijë diagonale vjollcë, ku të shënohen të paktën të dhënat e mëposhtme:
i. autoriteti certifikues;
ii. numri i referencës së lotit;
iii. muaji dhe viti i vulosjes; ose
iv. muaji dhe viti i marrjes së mostrave zyrtare të fundit, për qëllime certifikimi;
v. specia, duke shënuar të paktën emrin botanik, që mund të jepet në formë të shkurtuar dhe pa emrin e autorit;
vi. varieteti të shënohet të paktën me karaktere latine;
vii. të dhënat për farën “parabazë”;
viii. të dhënat për riprodhimin;
ix. numri i serisë së etiketës;
3.8. Çdo trajtim me plehrat e përdorimit për bimësinë ose produkte të mbrojtjes së bimëve që i është bërë “farave bazë” dhe “farave të certifikuara”, shënohet në etiketën zyrtare ose në etiketën e furnizuesit, sipas modelit të përcaktuar në shtojcën III, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.
III. CERTIFIKIMI I FARËS SË PANXHARIT
1. Dokumentacioni dhe procedura e certifikimit
1.1. Procedurat e certifikimit të farës së panxharit realizohen nga autoriteti certifikues ose nga subjekte publike apo private, sipas përcaktimit të bërë në  kreun IX, të ligjit nr.10416, datë 7.4.2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”.
1.2. Kërkesat që duhet të plotësohen për certifikimin e farës së panxharit të prodhuar në vend dhe procedura e certifikimit të tyre janë këto:
a) për certifikimin e farave të panxharit pranë autoritetit certifikues duhet të paraqiten dokumentet e mëposhtme:
i. Kërkesa me shkrim për certifikimin të farës së panxharit;
ii. Licenca përkatëse e lëshuar nga Qendra Kombëtare e Licencimit;
iii. Aktkontrolli për caktimin e ngastrës së farës, zbatimin e kërkesave agroteknike dhe teknologjisë së prodhimit të farave, sipas metodikave të hartuara për farën e panxharit dhe modelit të dhënë në shtojcën IV;
iv. Certifikata e origjinës, që vërteton pastërtinë gjenetike të varietetit;
 v. Certifikata  fitosanitare,  lëshuar nga shërbimi fitosanitar;
vi. Aktaprobimi fushor;
vii. Fletanaliza laboratorike e treguesve cilësorë, për çdo varietet dhe lot që certifikohet, lëshuar nga laboratori i miratuar nga ministri;
viii. etiketa e prodhuesit;
ix. deklarata e konformitetit.
b) Autoriteti certifikues  ndjek  këtë procedurë certifikimi:
i. Bën verifikimin e dokumentacionit dhe të kontingjentit të farës së panxharit që do të certifikohet dhe verifikon nëse varieteti është i regjistruar në Katalogun Kombëtar. Pasi konstaton plotësimin e kërkesave për dokumentacionin e mësipërm plotëson procesverbalin për verifikimin e specifikimeve teknike, dokumentacionin si dhe kontrollin e cilësisë së farës së panxharit;
ii. Përgatit dosjen e certifikimit për vlerësim, mbi bazën e procesverbalit dhe dokumentacionit të mësipërm;
iii. Gjatë vlerësimit të dosjes, mban parasysh që përmbajtja maksimale e lagështirës për “farat bazë” dhe “farat e certifikuara” të të gjitha llojeve, të jetë jo më shumë se 14%;
iv. Mbi bazën e vlerësimit të dosjes, lëshon certifikatën zyrtare në të cilën shënohet sasia dhe numri i serisë së etiketave zyrtare që i jepen prodhuesit;
v. Etiketa zyrtare vendoset në çdo njësi paketimi, sipas numrit të serisë, të përcaktuar në certifikatën zyrtare;
vi. Elementet dhe kriteret e etiketës duhet të jenë sipas ndarjes A, të shtojcës  III, të këtij vendimi;
vii. Certifikata zyrtare lëshohet pasi të jetë likuiduar tarifa e certifikimit dhe të jenë tërhequr e  plotësuar nga prodhuesi sasitë dhe etiketa zyrtare.
1.3 Procedura e vlerësimit të dosjes së certifikimit dhe lëshimi i certifikatës zyrtare të përfundojnë brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e dorëzimit të kërkesës për certifikim.
1.4  Për rastet kur ESHFF-ja autorizon kryerjen e procedurave të certifikimit dhe subjekti i autorizuar nuk e përfundon këtë procedurë brenda afatit të përcaktuar në pikën 1.3, të këtij kreu, atëherë të interesuarit dorëzojnë ankesë pranë ESHFF-së.
1.5  Nëse ESHFF-ja nuk e përfundon procedurën e certifikimit brenda afatit të përcaktuar në pikën 1.3, atëherë të interesuarit dorëzojnë ankesën pranë Ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave.
1.6  Forma dhe përmbajtja e dokumentacionit që i bashkëngjitet kërkesës për certifikimin e farës së panxharit janë sipas shtojcës IV, të këtij vendimi.
2. Kriteret e ruajtjes, marrja e mostrave dhe analiza e farës për certifikim
2.1. Fara e panxharit duhet të mbahet në mjedise të përshtatshme, të cilat gjatë përpunimit, paketimit, ruajtjes dhe tregtimit sigurojnë temperaturën dhe lagështirën optimale për ruajtjen e treguesve cilësorë, sipas parametrave teknikë për farat e panxharit. Mjediset e përpunimit duhet të jenë të pajisura me impiante e pajisje për pastrimin, homogjenizimin, kalibrimin, dezinfektimin, peletimin dhe paketimin e farës së panxharit. Këto mjedise duhet të jenë të pajisura me akt miratimi higjeno – sanitar, të lëshuar nga strukturat lokale të shëndetit publik, si dhe me certifikatë për dezinfektim,  deratizim, të lëshuar nga subjekte të licencuara sipas legjislacionit në fuqi. Fara e panxharit nuk duhet të mbahet në ruajtje më shumë se 3 (tre) vjet.
2.2. Fara e panxharit tregtohet si e tillë vetëm pasi të jetë përpunuar, pastruar, homogjenizuar e kalibruar. Gjatë përpunimit, farat e panxharit mund të dezinfektohen e peletohen me pesticide e lënde kimike, ushqyese, kjo e shoqëruar me shënimin përkatës në etiketë.
2.3. Furnizuesve të farës së panxharit u lejohet që në mjediset e tyre të përpunojnë, paketojnë dhe etiketojnë farë panxhari edhe për furnizues të tjerë të licencuar për prodhimin, riprodhimin, shumëzimin e tregtimin e farave të panxharit.
2.4. Procesi i analizës laboratorike të farës së panxharit për certifikim ushtrohet për:
a) lotin e farës, si një sasi e dhënë fare panxhari, e një riprodhimi dhe e një kategorie që ka pastërti varietore të caktuar;
b)  mostrën, si një sasi fare e marrë në një ose në disa pika të lotit të farës;
c) kampionin fillestar, si një sasi fare panxhari që del nga përzierja e mostrave;
c) kampionin mesatar, si një pjesë e kampionit fillestar;
ç) provën, si një pjesë e kampionit mesatar, sipas përcaktimeve të dhëna në shtojcën II, të këtij vendimi.
2.5. Mostrat për analizën e farës së panxharit për qëllim certifikimi duhet të merren zyrtarisht nga specialistët e autoritetit certifikues ose specialistë të tjerë të autorizuar nga ESHFF-ja, në përputhje me metodat teknike të përcaktuara me urdhër të ministrit.
2.6. Për ekzaminimin e farës së panxharit për certifikim, mostrat duhet të nxirren nga lote homogjene. Pesha maksimale e një loti dhe pesha minimale e një mostre përcaktohen në shtojcën  II, të këtij vendimi.
IV. PROCEDURA DHE METODAT E TESTIMIT TË VARIETETEVE QË REGJISTROHEN NË KATALOGUN KOMBËTAR
1. Procedura dhe metodat e kryerjes së testimit
1.1. Testimi i një varieteti ka për qëllim kryerjen e provave zyrtare mbi farën e panxharit për të verifikuar plotësimin e kërkesave për vlerat e kultivimit dhe përdorimit të tyre, për dallueshmëri, uniformitet dhe stabilitet, me qëllim regjistrimin në Katalogun Kombëtar.
1.2. Testimi i varietetit bëhet në kuadër të kërkesës së të interesuarit për regjistrimin e këtij varieteti në Katalogun Kombëtar dhe kryhet nga ESHFF-ja ose subjekte publike a private të autorizuara, që veprojnë në fushën e bujqësisë, në përputhje me nenin 49, të ligjit nr.10416, datë 7. 4. 2011, “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, në vijim “autoriteti testues”.
1.3. Aplikanti për regjistrim në Katalogun Kombëtar të varieteteve ose hibrideve të reja paraqet:
a) Kërkesën me shkrim pranë ESHFF-së;
b) Skedën e karakteristikave për kultivarin apo hibridin që do të testohet;
c) Rezultatet e provave të seleksionerit;
ç) Fotografinë e bimës apo të frytit;
d) Sasinë e farës për mbjellje, sipas normativave të miratuara me udhëzim të ministrit.
1.4. Procedura e testimi të varietetit e cila kryhet nga autoriteti testues, përfshin:
a) zbatimin nga ESHFF-ja të metodikave të hartuara nga UPOV-i;
b) kryerjen e provave sipas metodikave të sipërpërmendura dhe ndjekjen e fazave të zhvillimit të bimëve;
c) përpunimin e të dhënave dhe përgatitjen e raportit përfundimtar për ta paraqitur në Komisionin e Vlerësimit të Varieteteve për regjistrim në Katalogun Kombëtar.
1.5. Provat për testimin e varieteteve apo hibrideve për vlerën e kultivimit dhe përdorimit kryhen sipas këtyre afateve:
a)  për varietetet e krijuara në vend, për jo më pak se 2 (dy) vjet;
b) për varietetet ose hibridet e prodhuara në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ose në shtetet që kanë nënshkruar konventën e UPOV-it, në rastet kur bëhet testimi, kryhet për 1 (një) deri 2 (dy) vjet;
c) për varietetet ose hibridet që janë prodhuar në vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian ose të konventës së UPOV-it, në jo më pak se 2 (dy) vjet;
1.6. Provat e mostrave të farës së panxharit që hidhen në treg në bazë të kërkesave të këtij vendimi duhet të kryhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në pikat zonale të miratuara nga ministri.
1.7. Forma dhe përmbajtja e dokumentacionit që i bashkëlidhet kërkesës për testim jepen në  shtojcën V,  bashkëlidhur këtij vendimi.
V. DISPOZITA TË FUNDIT  
Ngarkohen Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanëve dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimin në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR,  SKELË  –  UJI I FTOHTË, BASHKIA E VLORËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Skelë – Uji i Ftohtë, bashkia e Vlorës.
2. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Vlorës.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë truall, me një vlerë të përgjithshme prej 125 402 689 (njëqind e njëzet e pesë milionë e katërqind e dy mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e nëntë) lekësh, për pasuritë ndërtesa, me vlerë të përgjithshme prej 99 832 942  (nëntëdhjetë e nëntë milionë e tetëqind e tridhjetë e dy mijë e nëntëqind e dyzet e dy) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 225 235 631 (dyqind e njëzet e pesë milionë e dyqind e tridhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e një) lekësh, dhe shpenzimet procedurale, në vlerën 645 000 (gjashtëqind e dyzet e pesë mijë) lekë, të përballohet nga “Fondi i Zhvillimit të Rajoneve”, planifikuar në buxhetin e vitit 2014, për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës.
5. Shpronësimi të fillojë më 2.6.2014.
6. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë bashkisë së Vlorës.
7. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me bashkinë e Vlorës, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën treguese të regjistrimit sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar nga bashkia e Vlorës dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Vlorë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën treguese të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
9. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Financave, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Vlorë, dhe bashkia e Vlorës për zbatimin e këtij vendimi.
               Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUASË NR. ALB-0028, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS ISLAMIKE PËR ZHVILLIM (IDB), PËR PJESËMARRJEN NË FINANCIMIN E PROJEKTIT TË RINDËRTIMIT TË RRUGËVE DYTËSORE DHE LOKALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 26, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 5, 7 e 27, të  ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së  huasë nr.ALB-0028, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim (IDB), për pjesëmarrjen në financimin e projektit të rindërtimit të rrugëve dytësore dhe lokale, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Rauf Dimraj emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDËRMJET, KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BASHKIMIT EVROPIAN, PËR PJESËMARRJEN E SHQIPËRISË NË PROGRAMIN EVROPIAN “CREATIVE EUROPE 2014 – 2020 ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin evropian “Creative Europe 2014 – 2020”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.