Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.199, DATË 11.1.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MASËN E FINANCIMIT, KRITERET DHE PROCEDURAT E ZBATIMIT TË NXITJES SË PUNËSIMIT TË PUNËKËRKUESVE TË PAPUNË TË RINJ”,  TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të neneve 4 e 8, të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.199, datë 11.1.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Përfitues të këtij programi janë punëkërkues të rinj, të diplomuar me arsim të lartë në nivelin “Bachelor” apo “Master”, nën moshën 30 vjeç. Punëkërkuesit do të përfitojnë formim nëpërmjet punës dhe punësim, sipas fushës së diplomimit. Zyra përkatëse e punësimit financon punëdhënësin:
a) në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj, për trajnimin nëpërmjet punës për çdo person, për një periudhë 3-mujore;
b) për çdo punëkërkues të papunë të përfshirë në program me një pagesë pjesëmarrjeje në kurs, në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, për të gjithë kohëzgjatjen e trajnimit. Zyra përkatëse e punësimit kryen edhe derdhjen e kontributit për sigurimin nga aksidentet në punë, në masën 0.3 për qind të pagës minimale, i cili derdhet në degën përkatëse;
c) me një financim mujor, në masën e sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore mbi pagën 25 000 (njëzet e pesë mijë lekë) për 9 muaj, me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se  15 muaj. Ky financim bëhet nga zyra e punësimit në degën përkatëse të tatimeve sipas procedurave përkatëse. Në rast se punëdhënësi paguan më shumë se 25 000 (njëzet e pesë) mijë lekë në muaj, është i detyruar të mbulojë sigurimet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore përtej kësaj vlere;
ç) për çdo punëkërkues të papunë të përfshirë sipas këtij programi, me katër paga, në vlerën 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë, në muajin e tretë e të katërt dhe në muajin e tetë e të nëntë të kontratës. Ndërsa për muajt e tjerë financon punëdhënësi.”.
2. Në fund të pikës 1 shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Punëdhënësit e rinj, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë të përfshijnë në program deri në 40% të numrit të punonjësve të punësuar.”.
3. Në shkronjën “d”, të pikës 4, fjalia “Bëjnë përjashtim nga ky rregull personat juridikë/fizikë, të cilët kanë detyrime ndaj organeve tatimore, por në momentin e aplikimit në këtë program:” zëvendësohet me “Për personat juridikë apo fizikë, të cilët kanë detyrime ndaj organeve tatimore, por vërtetojnë se në momentin e aplikimit në këtë program:”.
4. Në pikën 8 bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjën “b”, fjalët “… numri і të punësuarve dhe i atyre, që kërkohen për t’u punësuar nga punëdhënësi është jo më shumë se 50 (pesëdhjetë)                        persona …” zëvendësohen me “… aplikuesit janë persona fizikë …”.
b) Në shkronjën “c”, fjalët “… numri і të punësuarve dhe i atyre, që kërkohen për t’u punësuar nga punëdhënësi, është më shumë se 50 (pesëdhjetë) persona …” zëvendësohen me “… aplikuesit janë persona juridikë …”.
5. Në pikën 11, pas emërtimit “Shërbimit Kombëtar të Punësimit” shtohen fjalët     “… pas hedhjes në sistemin përkatës,…”.
6. Në pikën 14 , fjalët “… zyrave përkatëse të punësimit …” zëvendësohen me emërtimin “Shërbimit Kombëtar të Punësimit”.
7. Në pikën 18 shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
         “Punëdhënësit i vazhdohet kompensimi për periudhën e mbetur.”.
      Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
***
V E N D I M
           
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.786, DATË 19.11.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I MUZEUT TË BASHKËJETESËS”, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.1/2014, TË KOMITETIT SHTETËROR TË MUZEVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik” me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 4, e vendimit nr.786, datë 19.11.2014, të Këshillit të Ministrave ndryshohet, si më poshtë vijon:
 “4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 173 091 780 (njëqind e shtatëdhjetë e tre milionë e nëntëdhjetë e një mijë e shtatëqind e tetëdhjetë) lekësh, të përballohet nga llogaria e Ministrisë së Financave  në Bankën e Shqipërisë, “Fondi i shpronësimeve.”.
2. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR IDENTIFIKIMIN ELEKTRONIK DHE SHËRBIMET E BESUARA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 14, 19, 28, 52 e 54, të ligjit nr.9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik”, dhe të neneve 5, 17 e 35, të ligjit nr.107/2015, “Për identifikimin  elektronik dhe shërbimet e besuara”, me propozimin e ministrit tё Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, sipas tekstit të rregullores dhe aneksit 1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Tё gjitha subjektet qё kanё filluar aktivitetin para hyrjes nё fuqi tё kёsaj rregulloreje, brenda 30 (tridhjetë) ditёve nga data e miratimit të saj, duhet tё fillojnё procedurat e regjistrimit tё parashikuara nё ligjin nr.107/2015, datë 1.10.2015, “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, dhe nё kёtё rregullore.
         Përjashtohen nga ky detyrim ato subjekte të regjistruara pranë Autoritetit   për ofrimin e nënshkrimit elektronik, sipas ligjit nr.9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik”.
3. Vendimi nr.525, datë 13.5.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për nënshkrimin elektronik”, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik për zbatimin e këtij vendimi.
         Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.138, DATË 12.3.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR RREGULLAT E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË SHKOLLËS SHQIPTARE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE DHE TRAJNIMIN E NËPUNËSVE CIVILË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8 e 9, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.138, datë 12.3.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 1, të kreut I, bëhen ndryshimet dhe shtesa, si më poshtë vijon:
a) Shkronja “gj” ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“gj. Një përfaqësues i qeverisjes vendore, që është nëpunës civil i organeve të qeverisjes vendore, i propozuar nga shoqatat e qeverisjes vendore dhe i zgjedhur nga ministri përgjegjës për çështjet vendore.”.
b) Pas shkronjës “gj” shtohet shkronja “h”, me këtë përmbajtje:
“h. Drejtori i Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA).”.
2. Në pikën 7, pas fjalëve “… dhe “e”..” shtohen fjalët “… dhe “h”…”.
3. Pika 1, e kreut II, ndryshohet me këtë përmbajtje:
“1. Buxheti i ASPA-s është zë i veçantë në programin e miratuar për administratën publike në buxhetin e shtetit.”.
4. Në pikën 4, të kreut IV, fjalët “… jo më shumë se një muaj…” zëvendësohen me fjalët “… jo më shumë se tre muaj…”.
5. Në kreun V bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Pika 2 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“2. Trajnimi jashtë vendit, i organizuar nga institucioni, është me shkëputje nga puna. Gjatë periudhës së trajnimit deri në tre muaj, nëpunësi merr pagën e plotë, përjashtuar shtesat për vështirësi dhe kushte pune.”.
b) Në pikën 3, fjalët “… që kalon një muaj…” zëvendësohen me fjalët “… që kalon tre muaj…”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR 
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.503, DATË 13.5.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E TARIFAVE PËR SHËRBIMET QË OFROHEN NGA AUTORITETI KOMBËTAR PËR CERTIFIKIMIN ELEKTRONIK”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 55, të ligjit nr.9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik”, dhe të nenit 35, të ligjit nr.107/2015, “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, me propozimin e ministrit tё Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.503, datë 13.5.2009, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Ngarkohet Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik për zbatimin e këtij vendimi.”.
2. Në tabelën bashkëlidhur vendimit, emërtimi “Ofrues i shërbimit të certifikimit” zëvendësohet me “Ofrues i kualifikuar i shërbimit të besuar”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit nё “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN Nr.48, datë 16.1.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MASËN DHE KRITERET E PËRFITIMIT NGA PROGRAMI I NXITJES SË PUNËSIMIT TË PUNËKËRKUESVE TË PAPUNË NË VËSHTIRËSI”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 8, të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Në vendimin nr.48, datë 16.1.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
5. Në të gjithë përmbajtjen e vendimit, fjalët “…në vështirësi,…” zëvendësohen me fjalët “…nga grupet e veçanta…”.
6. Pas shkronjës “c”, të pikës 1, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) Punëdhënësit e rinj, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë të përfshijnë në program deri në 40 për qind të numrit të punonjësve të punësuar.”.
7. Pas shkronjës “e”, të pikës 3 shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:
“f) viktima të trafikimit.”.
8. Në shkronjën “d”, të pikës 7, fjalët “…Bëjnë përjashtim nga ky rregull, personat juridikë/fizikë, të cilët kanë detyrime ndaj organeve tatimore, por në momentin e aplikimit në këtë program:…” zëvendësohen me fjalët “…Për personat juridikë apo fizikë, të cilët kanë detyrime ndaj organeve tatimore, por vërtetojnë se, në momentin e aplikimit në këtë program,:…”.
9. Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
a) Në shkronjën “b”, fjalët “…numri і të punësuarve dhe i atyre, që kërkohen për t’u punësuar nga punëdhënësi, është jo më shumë se 50 (pesëdhjetë) persona…” zëvendësohet me fjalët “…aplikuesit janë persona fizikë…”.
b) Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit miraton projektet, kur aplikues janë personat juridikë.”.
6. Në pikën 13, pas fjalëve “… Shërbimit Kombëtar të Punësimit,…” shtohen fjalët “…pas hedhjes në sistemin përkatës,…”.
7. Në pikën 15, fjalët “…zyrave përkatëse të punësimit…” zëvendësohen me fjalët “… Shërbimit Kombëtar të Punësimit.”.
8. Në pikën 17, fjalët “…nuk і vazhdohet kompensimi për pagën minimale, në shkallë vendi, por vetëm sigurimet e detyrueshme shoqërore për pjesën e punëdhënësit, për periudhën në vazhdim…” zëvendësohen me fjalët “…i vazhdohet kompensimi për periudhën e mbetur…”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR 
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME Në VENDIMIN Nr.47,  datë 16.1.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROGRAMIN E NXITJES SË PUNËSIMIT, NËPËRMJET FORMIMIT NË PUNË”,
TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të neneve 4 e 8, të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Në vendimin nr.47, datë 16.1.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
10. Në pikën 1 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
a) Pas fjalës “… financon …” shtohen fjalët “… tarifën me bazë koston, në masën 19 000 (nëntëmbëdhjetë mijë) lekë për çdo muaj trajnim për çdo person …”.
b) Shkronjat “a” dhe “b”,shfuqizohen.
11. Në pikën 4 fjalët “… mësimi profesioni,…” zëvendësohen me fjalën                       “… punë …”.
12. Pika 6 shfuqizohet.
13. Në shkronjën “b”, të pikës 9, fjalët “… jo më shumë se 50 …” zëvendësohen me “… deri në 100 …”.
14. Në shkronjën “d”, të pikës 10, fjalia “Bëjnë përjashtim nga ky rregull personat juridikë/fizikë, të cilët kanë detyrime ndaj organeve tatimore, por në momentin e aplikimit në këtë program:…” zëvendësohet me “Për personat juridikë apo fizikë, të cilët kanë detyrime ndaj organeve tatimore, por vërtetojnë se në momentin e aplikimit në këtë program:…”.
15. Në pikën 14 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Në shkronjën “b”, fjalët “… punëdhënësit, që kanë jo më shumë se 50 persona të punësuarish dhe të trajnuarish …” zëvendësohen me                          “… personat fizikë …”.
b) Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit miraton projektet, kur aplikues janë personat juridikë.”.
16. Në pikën 16, pas emërtimit “… Shërbimit Kombëtar të Punësimit …” shtohen fjalët “… pas hedhjes në sistemin përkatës,…”.
17. Në pikën 18, fjalët “… zyrave përkatëse të punësimit …” zëvendësohen me emërtimin “… Shërbimit Kombëtar të Punësimit …”.
18. Pika 19 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“19. Punëdhënësi dhe punëkërkuesi, si punëmarrës, nënshkruajnë një kontratë individuale pune, në të cilën përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve, sipas përcaktimeve të bëra në ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në këtë vendim.”.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR 
PROGRAMIN E NXITJES SË PUNËSIMIT TË TË RINJVE QË KANË FITUAR STATUSIN E JETIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4 e 8, të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Përfitues të këtij programi janë punëkërkues të rinj nën moshën 30 vjeç, të cilët kanë statusin e jetimit. Punëkërkuesit do të përfitojnë formim nëpërmjet punës dhe punësim. Zyra përkatëse e punësimit financon punëdhënësin:
a) në masën 10 000 (dhjetë) mijë lekë në muaj për trajnimin nëpërmjet punës, për çdo person, për një periudhë 3-mujore;
b) për çdo punëkërkues të papunë të përfshirë në program, me një pagesë pjesëmarrjeje në kurs, në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, për të gjithë kohëzgjatjen e trajnimit. Zyra përkatëse e punësimit kryen edhe derdhjen e kontributit për sigurimin nga aksidentet në punë, në masën 0.3 për qind të pagës minimale, i cili derdhet në degën përkatëse;
c) për çdo punëkërkues të papunë me një financim mujor në masën 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi për 9 muaj dhe në masën 50 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo person, për 6-mujorin pasardhës, me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se 21 muaj.
ç) me një financim mujor, në masën 100 për qind të kontributeve të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, për një periudhë 15-mujore nga data e nënshkrimit të kontratës së punës. Ky financim bëhet nga zyra e punësimit, sipas procedurave përkatëse.
2. Skema të fillojë të zbatohet në vitin 2016 dhe kohëzgjatja e saj të jetë 5 (pesë) vjet.
3. Punëdhënësit, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë  përfshirjen në program deri në 50 për qind të numrit mesatar të të siguruarve në tre muajt e fundit.
    Punëdhënësit e rinj, persona juridikë apo fizikë, kanë të drejtë të kërkojnë  përfshirjen në program deri 40% të numrit të punonjësve të punësuar.
4. Punëdhënësit, që aplikojnë për këtë program, duhet të kenë një trajnues për deri 15 kursantë.
5. Për të përfituar nga ky program, punëdhënësi duhet të paraqesë pranë zyrës përkatëse të punësimit, ku ai zhvillon veprimtarinë, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Ekstraktin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit për regjistrimin, si person juridik apo fizik;
b) Numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT-in);
c) Vërtetimin për shlyerjen e kontributeve për sigurimet shoqërore e shëndetësore, që lëshohen nga organi tatimor përkatës, për aq kohë sa ushtrojnë veprimtarinë, por jo më shumë se për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimit;
ç) Numrin e llogarisë bankare;
d) Vërtetimin nga dega e tatim-taksave, ku personi juridik ushtron veprimtarinë, për shlyerjen e detyrimeve tatimore për aq kohë sa kryen veprimtarinë, por jo më shumë se për një periudhë kohore njëvjeçare nga çasti i aplikimit. Për personat juridikë apo fizikë, të cilët kanë detyrime ndaj organeve tatimore, por vërtetojnë se në momentin e aplikimit në këtë program:
i. kanë lidhur marrëveshjet përkatëse për shlyerjen e këtyre detyrimeve dhe janë të rregullt në shlyerjen e tyre;
ii. kanë shlyer detyrimet, por kanë ende pa paguar gjobat;
iii. kanë shlyer detyrimet ose kanë vendosur garanci bankare për shumën e plotë të detyrimit, në përputhje me nenin 107, të  ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe janë në proces të apelimit administrativ dhe në procese gjyqësore me organet tatimore.
Këta persona duhet të jenë të pajisur me vërtetimet e lëshuara nga organet tatimore, si dhe me dokumentet përkatëse të pagesës së detyrimeve.
dh) Buxhetin analitik të trajnimit;
e) Informacion për:
i. numrin e fuqisë punëtore;
ii. listën e të siguruarve;
iii. nivelin e pagës së dhënë për çdo person;
iv.  profesionin, për të cilin do të trajnohen punëkërkuesit e papunë;
v. dobinë social-ekonomike, që do të sjellë aplikimi і këtij programi në zonën përkatëse, mbështetur në mundësitë reale, kapacitetet e lira që ofron subjekti, kushtet e punës e të trajnimit, në përputhje me sipërfaqen, makineritë, pajisjet etj;
vi. akte të inspektimit në punë, të kryera nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
6. Punëdhënësi, në bashkëpunim me zyrën përkatëse të punësimit dhe në mbështetje të të dhënave të dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi, plotëson formularin përkatës, sipas modelit të miratuar nga Shërbimi Kombëtar і Punësimit.
7. Punëdhënësit mund të aplikojnë për programin në mënyrë elektronike apo pranë zyrave të punësimit.
8. Zyra përkatëse e punësimit і paraqet këshillit vendor tripalësh, të ngritur pranë saj, projektet që kërkohen të zbatohen aty ku ajo ushtron veprimtarinë. Këshilli vendor tripalësh shqyrton dhe vlerëson dobinë social-ekonomike të projekteve të paraqitura dhe і miraton ato në parim.
9. Pasi projektet të jenë miratuar, në parim, në këshillin vendor tripalësh, ato dërgohen për miratim nga zyra përkatëse e punësimit, si më poshtë vijon:
a) Zyra vendore e punësimit, sipas rastit, ia dërgon Zyrës Qendrore të Punësimit ose Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit;
b) Zyra rajonale e Punësimit miraton projektet, kur aplikuesit janë persona fizikë;
c) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit miraton projektet, kur aplikuesit janë persona juridikë.
10. Për zbatimin e pikës 8, të këtij vendimi, në zyrat rajonale të punësimit dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit ngrihen komisionet e miratimit të projekteve, me jo më pak se 5 persona.
11. Mënyra e organizimit, vlerësimit të projekteve dhe e funksionimit të punës, si dhe përbërja e komisioneve përcaktohen  me rregullore të këshillit administrativ tripalësh të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
12. Komisionet e miratimit të projekteve në zyrën rajonale të punësimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, pas hedhjes në sistemin përkatës, vendosin miratimin ose jo të projektit brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.
13. Për projektet e miratuara, zyra përkatëse e punësimit, në bashkëpunim me punëdhënësin, plotësojnë listën e punëkërkuesve të papunë, që do të përfshihen në program, të cilët duhet të jenë të regjistruar në zyrat e punësimit.
14. Personat punëkërkues të papunë, që kundërshtojnë ofertën e zyrës përkatëse të punësimit për pjesëmarrjen në formim, si më sipër, hiqen nga lista e punëkërkuesve të papunë.
15. Ndërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe punëdhënësit nënshkruhet një kontratë, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet, në përputhje me programin për secilën palë.
16. Kontratat lidhen vetëm për vitin buxhetor, për të cilin është miratuar projekti.
17. Për vazhdimin e projektit në vitin pasardhës do të lidhet një kontratë shtesë, në përputhje me fondet e miratuara atë vit.
18. Punëdhënësit dhe punëmarrësit nënshkruajnë një kontratë individuale për mësimin e profesionit, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin e Punës dhe në këtë vendim.
19. Punëdhënësi, në rastet e largimit të punëkërkuesve të papunë që trajnohen, mund të bëjë zëvendësimin e tyre, brenda dy muajve të parë të zbatimit të programit.
20. Ky zëvendësim bëhet nga zyra përkatëse e punësimit, pas njoftimit nga punëdhënësi.
21. Në zbatim të pikës 1, të këtij vendimi, lidhet kontrata individuale, ndërmjet punëdhënësit dhe punëkërkuesit, si punëmarrës, ku përcaktohen të drejtat e detyrimet e palëve deri në përfundim të programit.
22. Një kopje e kontratës së punës depozitohet në zyrën përkatëse të punësimit, e cila ndjek zbatimin e kontratës deri në përfundim të projektit.
23. Nëse punëdhënësi nuk respekton kushtin e punësimit pas formimit në punë, atij i hiqet e drejta për të riaplikuar në projekte të nxitjes së punësimit.
24. Nëse punëdhënësi, në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të arsyeshme, bën zgjidhje të kontratës së punës për punëmarrësin e trajnuar, është i detyruar ta kthejë të gjithë financimin e marrë për punëkërkuesin e punësuar, që nga data e parë e dhënies së tij, së bashku me interesat e llogaritur sipas normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.
25. Kontratat tip, sipas përcaktimeve të dhëna në pikat 14, 15 e 17, të këtij vendimi, hartohen nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga zyrat përkatëse të punësimit.
26. Zyra përkatëse e punësimit harton dhe dërgon, çdo muaj, në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, informacion për zbatimin e projekteve, personat e trajnuar, përfituesit e programeve të mbështetjes me të ardhura, punëkërkuesit e papunë etj.
27. Shërbimi Kombëtar i Punësimit analizon efektshmërinë e programit dhe përgatit raporte vjetore, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, të cilat ia paraqet Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Drejtorisë së Ndihmës Shtetërore, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
28. Shërbimi Kombëtar i Punësimit i ruan të dhënat për skemën deri në 10 (dhjetë) vjet pas dhënies së fundit të ndihmës individuale.
29. Programi vlerësohet në vitin pasardhës nga ekspertë ose organizata të pavarura me përvojë në këtë fushë dhe që kanë njohuri për tregun e punës sipas procedurave përkatëse.
30. Kostoja dhe vlerësimi i këtij programi përballohen nga fondet vjetore të buxhetit të shtetit, zëri “Nxitja e punësimit”, miratuar për Ministrinë e  Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
31. Ngarkohet Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR 
RIORGANIZIMIN E OPERATORËVE QË OFROJNË SHËRBIMIN E FURNIZIMIT ME UJË TE PIJSHËM, GRUMBULLIMIN, LARGIMIN DHE TRAJTIMIN E UJËRAVE TË NDOTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 213 e vijues të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të shkronjave “a” e “b”, të nënndarjes I, të pikës 3, të nenit 10, dhe të pikës 3, të nenit 70 e vijues të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
RIORGANIZIMI I SHËRBIMIT TË FURNIZIMIT ME UJË TË PIJSHËM, GRUMBULLIMIT, LARGIMIT DHE TRAJTIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA
1. Riorganizimin e të gjitha shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura në Republikën e Shqipërisë, sipas ndarjes së re administrativo-territoriale, në përputhje me ligjin nr.115/2014, “Për ndarjen administrativeo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
2. Të gjitha njësitë e shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura organizohen si shoqëri aksionare, sipas sistemit me një nivel administrimi dhe funksionojnë në bazë të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.”
3. Bashkive u transferohen aksionet e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, sh.a., aktuale, në pronësi të ish-njësive të qeverisjes vendore të shkrira, sipas ndarjes së re administrativo-territoriale. Bashkitë ndjekin procedurat e kalimit të aksioneve në përputhje me këtë vendim dhe legjislacionin përkatës në fuqi.
4. Në ato bashki, ku ka njësi të shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura, të cilat nuk kanë qenë të organizuara në formën e shoqërive aksionare të ujësjellës- kanalizimeve, bashkia, brenda datës 31 dhjetor 2016, është përgjegjëse për inventarizimin fizik, vlerësimin dhe regjistrimin e këtyre njësive të shërbimit në strukturën e aseteve dhe kontabilitetin e ujësjellës-kanalizimeve, sh.a., në pronësi të bashkisë, sipas ndarjes administrativo-territoriale.
5. Bashkitë dhe shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve, sh.a., janë të detyruara të respektojnë marrëveshjet, detyrimet kontraktore, kontratat e shërbimit, si dhe çdo të drejtë/detyrim që rrjedh prej tyre, të nënshkruara ndërmjet Këshillit të Ministrave, ministrive dhe institucioneve qendrore, shoqërive të ujësjellës- kanalizimeve dhe ish-njësive të qeverisjes vendore me institucionet financiare ndërkombëtare dhe me shoqëritë kontraktuese.
6. Në rastet kur në dy ose më shumë bashki ekziston vullneti i përbashkët për krijimin e një shoqërie të ujësjellës-kanalizimeve, sh.a., të përbashkët, në bazë të nevojave për këtë bashkim e të studimit përkatës, ato do të mbështeten me investime nga qeverisja qendrore.
7. Në rastet kur një shoqëri e ujësjellës-kanalizimeve, sh.a., ekzistuese, mbulon me shërbim më shumë se një bashki apo në rastin e parashikuar në pikën 6, të këtij vendimi, organet themeluese të shoqërisë përbëhen nga përfaqësuesit e bashkive përkatëse, pesha e vendimarrjes të të cilëve është në raport të drejtë me përqindjen e aksioneve që disponon secila bashki. Këshillat bashkiakë përkatës bëjnë miratimin e përqindjeve takuese të aksioneve sipas pikës 3, të këtij vendimi, dhe organet e shoqërisë bëjnë regjistrimin e aksioneve sipas legjislacionit në fuqi.
8. Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve, sh.a., kanë detyrimin të raportojnë pranë ministrisë përgjegjëse për sektorin e furnizimit me ujë e të kanalizimeve dhe prefektit të qarkut për të gjitha të dhënat dhe informacionet sipas formateve e afateve të përcaktuara prej saj. Formatet e dhënies së informacionit miratohen me udhëzime të ministrit të linjës. Gjithashtu, shoqëritë kanë detyrimin për të raportuar për pjesën e tyre të të dhënave që duhet të hidhen në Kadastrën Kombëtare të Burimeve Ujore.
9. Ministria përgjegjëse për sektorin e furnizimit me ujë e të kanalizimeve, në planifikimin e fondeve për investime nga buxheti i shtetit dhe institucionet financiare ndërkombëtare udhëhiqet nga dokumentet strategjike sektoriale të miratuara si dhe nga performanca e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, sh.a.
10. Stafi menaxherial dhe operacional i shoqërivë të ujësjellës-kanalizimeve, sh.a., i nënshtrohet procesit të trajnimit dhe certifikimit sipas programeve të miratuara nga ministria përgjegjëse për sektorin e furnizimit me ujë e të kanalizimeve.
KREU II
DISPOZITA KALIMTARE 
E TË FUNDIT
1. Shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve, sh.a., organizohen në përputhje me statutin tip, sipas lidhjes 1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Të gjitha bashkitë dhe shoqëritë aksionare ekzistuese të ujësjellës- kanalizimeve, në përputhje me procedurat e parashikuara në ligjin nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, bëjnë zgjerimin dhe zvogëlimin e kapitalit, sipas rastit, duke shtuar ose hequr kapitalet e sistemeve publike të ujësjellës-kanalizimeve që i bashkohen ose që i hiqen.
3. Të gjitha shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve, sh.a., brenda 3 (tre) muajve nga riorganizimi, aplikojnë për t’u pajisur me licencë për kategoritë përkatëse të shërbimeve dhe për rishikim të tarifave pranë ERRU-së.
4. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.660, datë 12.9.2007, “Për transferimin e aksioneve të shoqërive të ujësjellësve dhe kanalizimeve njësive të qeverisjes vendore”, nr.677, datë 3.10.2007, “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.642, datë 11.10.2005, të Këshillit të Ministrave “Për këshillat mbikëqyrës të shoqërive anonime shtetërore””,  nr.678, datë 3.10.2007,      “Për një shtesë në vendimin nr.271, datë 9.5.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e statutit tip të shoqërive anonime, shtetërore””, shfuqizohen.
5. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Enti Rregullator i Ujit, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimive, Agjencia e Zbatimit të Reformës Territoriale, njësitë e qeverisjes vendore, shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve, sh..a., për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E ZBATIMIT TË PROCEDURËS SË THJESHTUAR PËR NDRYSHIMIN E PLANIT KOMBËTAR SEKTORIAL PËR GAZSJELLËSIN TRANS ADRIATIK (PROJEKTI TAP), TË MIRATUAR ME VENDIMIN NR.1, DATË 4.7.2013, TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË TERRITORIT, “PËR MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR SEKTORIAL PËR GAZSJELLËSIN TRANS ADRIATIK (PROJEKTI TAP)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 17 e 26, pika 3, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të nenit 3, të ligjit nr.73/2015, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të pikës 27.1, të nenit 27, dhe të pikës 6.1.b, nënndarja “iii”, e pjesës 1, të shtojcës 1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatik Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP)”, ratifikuar me ligjin nr.116/2013, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e zbatimit të procedurës së thjeshtuar për përgatitjen, shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimit të Planit Kombëtar Sektorial për Gazsjellësin Trans Adriatik (Projekti TAP), të miratuar me vendimin nr.1, datë 4.7.2013, të Këshillit Kombëtar të Territorit, “Për miratimin e Planit Kombëtar Sektorial për Gazsjellësin Trans Adriatik (Projekti TAP)”.
2. Miratimi i ndryshimeve të Planit Kombëtar Sektorial për projektin TAP bëhet sipas procedurave të mëposhtme:
a) Komisioni i Vlerësimit Teknik në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, si ministria përgjegjëse për koordinimin në përgatitjen e shtesës së Planit Kombëtar Sektorial për projektin TAP, kryen shqyrtimin teknik të Planit Kombëtar Sektorial, brenda 15 ditëve nga data e përfundimit të përgatitjes së dokumentit.
b) Në përfundim të procedurave të shqyrtimit, Komisioni i Vlerësimit Teknik harton raportin e vlerësimit teknik të ndryshimit të Planit Kombëtar Sektorial, të cilin, pas miratimit të ministrit, ia përcjell  sekretariatit teknik të KKT-së dhe e boton vendimin në regjistër.
3. Procedurat e thjeshtuara për përgatitjen dhe shqyrtimin e ndryshimit të Planit Kombëtar Sektorial për Gazsjellësin Trans Adriatik (Projekti TAP) kanë për qëllim të shkurtojnë afatet e procesit të hartimit dhe konsultimit të dokumenteve respektive të planifikimit sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi, si  dhe të përfshijnë çështje që nuk prekin qëllimet e përmbajtjen e këtij plani dhe nuk cenojnë vlerat natyrore, cilësinë e mjedisit, zonat e mbrojtura, tokat bujqësore, biodiversitetin dhe trashëgiminë natyrore e kulturore në zonat ku do të bëhen ndryshimet e PKS-së për projektin TAP.
4. Përgatitja e ndryshimit të Planit Kombëtar Sektorial për projektin TAP bëhet nën koordinimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, si ministria përgjegjëse për sektorin energjetik, e cila përgatit planin e veprimit dhe grafikun kohor, bën vlerësimin e kompletimin e dokumentacionit të ndryshimit të PKS-së për projektin TAP, mbi bazën e materialit “Të dhëna për një ndryshim në Planin Kombëtar Sektorial të Projektit TAP” e të materialit grafik përkatës, të paraqitura nga TAP AG, si dhe siguron një proces konsultimi me palët e interesuara përpara fillimit dhe gjatë hartimit të dokumentit të ndryshimit të PKS-së.
5. Gjatë hartimit të ndryshimit të Planit Kombëtar Sektorial për projektin TAP, dokumenti duhet të konsultohet me AKPT-në, e cila mbështet procesin duke verifikuar përputhshmërinë me instrumentet e planifikimit dhe legjislacionin në fuqi.
6. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe Ministria e Zhvillimit Urban për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.149, DATË 29.2.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË NIVELEVE TË PAGAVE PËR PUNONJËSIT  E DREJTORISË SË SHËRBIMEVE QEVERITARE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.149, datë 29.2.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Lidhja nr.1, e përmendur në pikën 1, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numërtim dhe titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
b) Shkronjat “a” e “b”, të pikës 1, riformulohen, si më poshtë vijon:
“a) Kategoria ose klasa për çdo funksion, kolona 2, e lidhjes nr.1. Vlera mujore e pagës për çdo kategori dhe klasë është e njëjtë me vlerën e pagës për kategorinë dhe klasën, të përcaktuara me vendimin përkatës për nëpunësit civilë dhe për punonjësit mbështetës të administratës publike.
  b) Paga e grupit, kolona 3, e lidhjes nr.1, e cila përfitohet vetëm për nëpunësit me arsim të lartë universitar në funksionet e përcaktuara në këtë lidhje. Vlera mujore e pagës së grupit është e njëjtë me vlerën e pagës së grupit, e përcaktuar me vendimin përkatës për nëpunësit civilë.”.
c) Lidhja nr.2 dhe lidhja nr.3, përmendur në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të vendimit, shfuqizohen.
2. Efektet financiare të këtij vendimi fillojnë në datën 1 janar 2016 dhe përballohen nga fondet e planifikuara për vitin 2016, për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
   
PËR
MIRATIMIN E KALENDARIT TË MENAXHIMIT TË SHPENZIMEVE PUBLIKE PËR VITIN 2016
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të nenit 22, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kalendarit të menaxhimit të shpenzimeve publike për vitin 2016, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Integrimit Evropian, Departamenti i  Zhvillimit, Financimeve dhe Ndihmës së Huaj, në Kryeministri, dhe të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, botohet në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2016.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2016, MIRATUAR PËR MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME, PËR MARRJEN  E MASAVE PARANDALUESE, SI PASOJË E SITUATËS EMERGJENTE TË KRIJUAR NGA RRËSHQITJA E TOKËS, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE FARKË, BASHKIA TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, dhe të shkronjës “dh”, të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.8756,  datë 26.3.2001, “Për emergjencat civile”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Punëve të Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2016, t’i shtohet fondi prej 30 023 451 (tridhjetë milionë e njëzet e tre mijë e katërqind e pesëdhjetë e një) lekësh, për Bashkinë Tiranë, për marrjen e masave parandaluese, si pasojë e situatës emergjente të krijuar nga rrëshqitja e tokës, në njësinë administrative Farkë, në zonën pranë Xhamisë së Selitës, nga reshjet e datës 22.11.2015.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit të vitit 2016.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PARAQITJES, FORMËS DHE SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË GRADAVE, SIMBOLEVE, UNIFORMAVE DHE SHENJAVE TË POLICISË SË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 62, 97, 98, pika 1, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e paraqitjes, formës dhe specifikimeve teknike të gradave, simboleve, uniformave dhe shenjave të Policisë së Shtetit, sipas albumit me 54 faqe, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Paraqitja, forma dhe specifikimet teknike të gradave janë përcaktuar në lidhjen nr.1, të albumit.
3. Simbolet e Policisë së Shtetit janë flamuri dhe stema, të përcaktuara e të përshkruara në lidhjen nr.2, të albumit.
4. Llojet e uniformës, që do të kenë në përdorim punonjësit e Policisë së Shtetit, do të jenë:
4.1 . Uniforma bazë në detyrë:
a) dimërore;
b) verore.
4.2 . Uniforma për stërvitje e shërbime;
4.3 . Uniformat e veçanta;
4.4 . Uniforma ceremoniale;
4.5 . Veshja civile, e cila konvertohet në vlerë monetare.
Llojet e uniformave, të përshkruara në pikat 4.1, 4.2, 4.3 dhe 4.4, të këtij vendimi, janë përcaktuar në lidhjen nr.3, të albumit.
5. Shenjat dalluese të Policisë së Shtetit janë:
5.1.  Shenja e mbiemrit/numri i identifikimit;
5.2.  Shenja e kapelës;
5.3. Shenjat që vendosen në objektet e uniformës, sipas shërbimeve të Policisë së Shtetit, të përcaktuara, si më poshtë vijon:
a) Shenja e krahut e Policisë së Rendit;
b) Shenja e krahut për Shqiponjat;
c) Shenja e krahut e Policisë së Kufirit dhe Migracionit;
ç) Shenja e krahut e Policisë Rrugore;
d) Shenja e krahut e Forcave Speciale “RENEA”;
dh) Shenja e krahut e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë;
e) Shenja për kursantë/studentë;
ë) Shenja e jakës, përkrenare e Skënderbeut e stilizuar;
f) Shiriti i kapelës dhe kopsat me ngjyrë “të artë”.
Shenjat dalluese, të cituara më sipër, përcaktohen në lidhjen nr.4, të albumit.
6. Ministri i Punëve të Brendshme, me urdhra apo udhëzime, miraton:
6.1. normat e furnizimit me veshmbathje të punonjësve të Policisë së Shtetit;
6.2. rregulloren e uniformës së punonjësve të Policisë së Shtetit;
6.3. ndryshimet e mundshme të elementeve të veçanta të uniformës dhe shenjave dalluese etj., sipas ndryshimeve të strukturës e perspektivës së policisë, pa prekur, në tërësi, themelin e tyre;
6.4. normat me veshje civile të punonjësve të Policisë, që trajtohen me këtë veshje, kompensimin e tyre në vlerë monetare;
6.5. normat e materialeve të veshmbathjes, që janë në inventar të njësive shpenzuese;
6.6. normat e pajisjeve për qentë e policisë;
6.7. normat e materialeve të konsumit dhe të mirëmbajtjes;
6.8. normat e veshmbathjes së posaçme dhe të rrobave të punës, falas;
6.9. normat e veshmbathjes së punonjësve të Policisë së Shtetit që shkojnë me misione jashtë shtetit, etj.
7. Drejtori i Policisë së Shtetit ka në kompetencë të miratojë:
7.1. specifikimet dhe kushtet teknike të zbatimit të objekteve të uniformës, shenjave dhe elementeve të tjera të Policisë së Shtetit;
7.2. zëvendësimin e materialeve të objekteve të uniformës, brenda vlerës së normës.
8. Gradat, simbolet, uniformat dhe shenjat e Policisë së Shtetit, të miratuara sipas këtij vendimi, për nga qëllimi i përdorimit, janë pronë e Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe përdoren vetëm gjatë shërbimit ose për shkak të tij nga punonjësit e Policisë së Shtetit.
9. Gradat, simbolet, uniformat dhe shenjat e Policisë së Shtetit janë të patjetërsueshme. Ndalohet shumëfishimi dhe realizimi i modeleve e ngjyrave të tyre për përdorues të institucioneve apo subjekteve të tjera që trajtohen me uniformë, të cilat nuk kanë të njëjtin mision dhe detyra që ka Policia e Shtetit.
10. Vendimi nr.79, datë 21.1.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e stemës, të uniformës, gradave, emblemës, flamurit dhe shenjave të Policisë së Shtetit”, të ndryshuar, shfuqizohet.
11. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për programin buxhetor “Policia e Shtetit”.
12. Ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË BULLGARISË, NË FUSHËN E INTEGRIMIT EVROPIAN 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të memorandumit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bullgarisë, në fushën e integrimit evropian, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.737,  DATË 9. 9. 2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E TARIFAVE TË AKREDITIMIT DHE PËR TRAJNIMET E ORGANIZUARA NGA DREJTORIA E PËRGJITHSHME E AKREDITIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të pikave 2, 3 e 8, të nenit 5, të ligjit nr.116/2014, “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 20, të vendimit nr.737, datë 9.9.2015, të Këshillit të Ministrave, fjalët  “25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë” zëvendësohen me “2 500 (dy mijë e pesëqind) lekë”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT NDRYSHUES TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF013972, NDËRMJET SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM/SHOQATËS NDËRKOMBËTARE PËR ZHVILLIM QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT, TË SIGURUARA NGA DHURUES TË NDRYSHËM, NËN FONDIN E DYTË TË BESIMIT SHUMËDHURUES PËR SHQIPËRINË, PËR MBËSHTETJEN PËR NGRITJEN E KAPACITETEVE PËR ZBATIMIN E SISTEMIT TË PLANIFIKIMIT TË INTEGRUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e dokumentit ndryshues të marrëveshjes së grantit nr.TF013972, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim/Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga dhurues të ndryshëm, nën fondin e dytë të besimit shumëdhurues për Shqipërinë, për mbështetjen për ngritjen e kapaciteteve për zbatimin e sistemit të planifikimit të integruar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA GRAMSH, TË PRONËS NR.334, ME EMËRTIM “ISH-REPARTI USHTARAK NR.9920, GRUP DEPO”, ME VENDNDODHJE “PËRROI I ÇEKREZIT”, GRAMSH, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Gramsh, të pronës nr.334, me emërtim “Ish-reparti ushtarak nr.9920, Grup Depo”, me vendndodhje “Përroi i Çekrezit”, Gramsh, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane, në territorin e Bashkisë Gramsh.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të hiqet prona nr.334, me emërtim “Ish-reparti ushtarak nr.9920, Grup Depo”, me vendndodhje “Përroi i Çekrezit”, Gramsh, dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i janë transferuar në pronësi ose në përdorim Bashkisë Gramsh.
3. Bashkisë Gramsh i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë Gramsh, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave të Paluajtshme dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMANDËS SUPREME TË FUQIVE ALEATE NË EVROPË (SHAPE), PËR PATRULLIMIN E HAPËSIRËS AJRORE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komandës Supreme të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE), për patrullimin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.718, DATË 29.10.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LISTËN E PERSONAVE TË SHPALLUR SI FINANCUES TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 14, pika 1, 18, pika 1, 25, pika 1 dhe 28, pika 1, të ligjit nr.157/2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në listën e personave të shpallur sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit (“Lista e OKB-së”), që i bashkëlidhet vendimit nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhet ndryshimi, si më poshtë vijon:
Në listën e shkronjës “C”, “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida”, çregjistrohet individi i renditur në shkronjën “a”, të listës  që i bashkëlidhet këtij vendimi, sipas shtesave në listën e konsoliduar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për personat që janë anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues për organizatën Al-Qaida.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIM DHE EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të pikës 1, të nenit 65, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
VE N D O S I:
1. Z. Afrim Bakaj, drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Isuf Shehu emërohet drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROGRAMIT TË REFORMAVE EKONOMIKE (ERP) 2016-2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
Miratimin e Programit të Reformave Ekonomike (ERP) 2016-2018, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.