Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJEVE TË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, ISH-REPUBLIKËS JUGOSLLAVE TË MAQEDONISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR SHQIPËRI-MAQEDONI 2014-2020, ALOKIMET E VITEVE 2014-2015, NË KUADËR TË ASISTENCËS SË PARAADERIMIT, IPA II

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjeve të financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri-Maqedoni 2014-2020, alokimet e viteve 2014-2015, në kuadër të Asistencës së Paraaderimit, IPA II, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.682, DATË 29.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDEVE PUBLIKE PËR TRANSPORTIMIN E PUNONJËSVE ARSIMORË QË PUNOJNË DHE TË NXËNËSVE QË MËSOJNË JASHTË VENDBANIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 6, 19 e 28, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, nenit 11, të ligjit nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, kreut II, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportin rrugor”, të ndryshuar, ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.682, datë 29.7.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Shkronja “a”, e pikës 1 të vendimit, ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“a) punonjësve mësimorë të arsimit parauniversitar, ku përfshihen punonjësit e arsimit parashkollor, arsimit fillor, arsimit të mesëm të ulët dhe arsimit të mesëm të lartë (drejtor, nëndrejtor, mësues, edukator), të institucioneve arsimore publike që punojnë jashtë qendrave urbane, qytetit/fshatit, në largësinë mbi 5 km nga kufiri i njësisë përbërëse administrative të vendbanimit të tyre të përhershëm dhe kthehen brenda ditës në vendbanim;”.
2. Pika 2 ndryshohet,  me këtë përmbajtje:
“2. Njësitë e qeverisjes vendore, mbështetur në numrin e punonjësve arsimorë dhe nxënësve që planifikohen të përfitojnë nga shërbimi i transportit, në bashkëpunim me njësitë arsimore vendore përkatëse, miratojnë hartën e linjave, sipas largësive të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi.”.
3. Pika 3 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“3. Njësitë e qeverisjes vendore, mbështetur në ligjin nr.9643,  datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, prokurojnë fondet publike për shërbimin e transportit të nxënësve dhe punonjësve arsimorë, sipas linjave rrethqytetëse të shërbimit të transportit publik, të licencuara në bazë qarku nga njësitë e qeverisjes vendore ose qendrore.”.
4. Pika 4 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“4. Në rastet kur njësitë e qeverisjes vendore nuk realizojnë me sukses procedurat e prokurimit publik të shërbimit të transportit të punonjësve arsimorë dhe nxënësve, të parashikuara në pikën 3, të këtij vendimi, realizojnë mbulimin e shpenzimeve për shërbimin e transportit të punonjësve arsimorë dhe nxënësve përfitues drejtpërdrejt, nëpërmjet llogarive bankare, në bankat e nivelit të dytë ose pranë zyrave të Postës Shqiptare, në përputhje me pikën 4, të këtij vendimi.
Masa e shpenzimeve përllogaritet mbi bazën e numrit të nxënësve dhe mësuesve, numrit të ditëve mësimore, çmimit mesatar të biletës për linjat ndërqytetëse apo rrethqytetëse të shërbimit të transportit, të miratuara me vendimin nr.146, datë 26.2.1998, të Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e tarifave të transportit të udhëtarëve”, të ndryshuar, dhe të indeksimit të çmimeve të shërbimit të transportit, të botuara çdo vit nga INSTAT-i, si dhe në bazë të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi. Specifikisht, për periudhën nga 1 janari 2016 e deri në realizimin me sukses të procedurave të prokurimit, njësitë e qeverisjes vendore kryejnë mbulimin e shpenzimeve për shërbimin e transportit, sipas procedurës së parashikuar në paragrafin e parë, të pikës 4, të këtij vendimi.”.
5. Pika 5 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“5. Punonjësit arsimorë, që përfitojnë transport sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij vendimi, bazuar në vendimin nr.194, datë 22.4.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës së pagës së punonjësve arsimorë në arsimin parauniversitar”, të ndryshuar:
a) nuk përfitojnë shpërblim mujor, kur largësia nga vendbanimi i përhershëm i tyre është deri në 10 km;
b) përfitojnë shpërblim 1 000 (një mijë) lekë në muaj, kur largësia është mbi 10 km, deri në 20 km;
c) përfitojnë shpërblim 1 800 (një mijë e tetëqind) lekë në muaj, kur largësia është mbi 20 km.”.
6. Pas pikës 5 shtohet pika 5/ 1, me këtë përmbajtje:
“5/1. Njësitë arsimore vendore dhe njësitë e qeverisjes vendore bashkëpunojnë dhe koordinojnë të dhënat për numrin e përfituesve dhe largësitë nga vendbanimi dhe raportojnë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në mënyrë periodike, çdo tre muaj, sipas udhëzimeve të ministrit përgjegjës për arsimin dhe sportin.”.
7. Pika 6 ndryshon, me këtë përmbajtje:
“6. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi të përballohen nga buxheti i përvitshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e cila transferon fondet përkatëse te njësitë e qeverisjes vendore, dhe nga buxheti i vetë njësisë së qeverisjes vendore, në rastet kur tejkalohet numri i përfituesve, sipas pikës 5/1, të këtij vendimi.”.
Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2016.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT TE MINISTRIA E BUJQËSISË, ZHVILLIMIT RURAL DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE, TË SIPËRFAQES SË TOKËS BUJQËSORE 21.4 HA, ZONA KADASTRALE 1323, FSHATI BURONJË, DELVINË, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.820, DATË 13.10.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE TË INSTITUCIONEVE TË VARËSISË, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË BUJQËSISË DHE MBROJTJES SË KONSUMATORIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave.
V E N D O S I:
Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit te Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të sipërfaqes së tokës prej 21.4 (njëzet e një pikë katër) ha, tokë arë, ngastrat me numrat kadastralë 4, 8, 10 e 12, të ndodhura në zonën kadastrale 1323, fshati Buronjë, Delvinë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi, për t’u përdorur nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave në kuadër të politikave dhe strategjisë së këtij institucioni për shfrytëzimin e sipërfaqes së tokës bujqësore dhe vënien në efiçencë të tokave të pakultivuara dhe të lëna djerrë.
1. Prona e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.820, datë 13.10.2010, të Këshillit të Ministrave, për nxitjen e investimeve në bujqësi dhe blegtori, nëpërmjet shfrytëzimit të tokës bujqësore.
2. Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave nuk mund të ndryshojë destinacionin e pronës së përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, funksioni kryesor i së cilës është prodhimi bujqësor.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Arsimit dhe Sportit si dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E KËRKESAVE PËR PARANDALIMIN E SHKARKIMIT TË MBETJEVE, TË KRIJUARA NGA ANIJET DHE TEPRICAT NGA NGARKESAT, NË DET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 40, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin, vendosjen dhe miratimin e kërkesave për parandalimin e shkarkimit të mbetjeve, të krijuara nga anijet dhe tepricat nga ngarkesat e tyre, në det, me synim mbrojtjen e mjedisit detar nga anijet, gjatë përdorimit të porteve të Republikës së Shqipërisë.
2. Rregullat e përcaktuara në këtë vendim do të zbatohen për:
a) të gjitha anijet, përfshirë mjetet e peshkimit dhe mjetet lundruese për argëtim, pavarësisht nga flamuri, shenja e thirrjes apo veprimtaria e tyre brenda një porti shqiptar;
b) të gjitha portet e Shqipërisë që ankorohen nga anijet e përcaktuara në shkronjën “a”, më sipër.
3. Drejtoria e Përgjithshme Detare siguron që anijet e përfshira në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij vendimi, të dorëzojnë mbetjet e krijuara nga anijet dhe tepricat nga ngarkesat e tyre, në mënyrë të vazhdueshme, tek operatoret e licencuar për grumbullimin dhe trajtimin e tyre, referuar legjislacionit në fuqi.
4. Përkufizimet e nenit 3, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, të ligjit nr.9130, datë 8.9.2003, “Për autoritetin portual”, ligjit nr.10109, datë 2.4.2009, “Për administratën detare të Republikës së Shqipërisë”, dhe ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim, ndërsa termat e mëposhtëm nënkuptojnë:
a) “Certifikata e dorëzimit të mbetjeve”, formulari (që jepet në aneksin IV, të këtij vendimi) i plotësuar, që vërteton se anija ia ka dorëzuar mbetjet operatorit të instalimeve marrëse, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim.
b) “Marpol 73/78”, Konventa Ndërkombëtare për parandalimin e ndotjes nga anijet, 1973, të ndryshuar nga Protokolli i 1978 në lidhje me të, i miratuar me ligjin nr.9594, datë 27.7.2006, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare Detare për Parandalimin e Ndotjeve nga anijet, 1973, të ndryshuar me Protokollin e vitit 1973”.
c) “Mjet lundrues për argëtim”, mjet lundrues i çdo lloji, pavarësisht mënyrës së forcës shtytëse, që përdoret për qëllime sportive ose jo.
ç) “(Mjet) Anije peshkimi”, çdo anije e pajisur me mjete përkatëse ose që përdoret për kapjen e gjallesave ujore.
d) “IMO”, Organizata Ndërkombëtare Detare.
dh) “Operator”, në kuptim të këtij vendimi, çdo person fizik ose juridik, mbajtës i lejeve dhe licencave, referuar legjislacionit në fuqi, për ushtrimin e veprimtarisë së tërheqjes së mbetjeve në portet dhe radat e tyre.
e) “Tepricat nga ngarkesat”, tepricat nga ngarkesat detare, përfshirë mbetjet e çdo lloji të ngarkesës në bord, nga mbajtëset e ngarkesave ose çisternat, të cilat teprojnë pas përfundimit të procedurave të shkarkimit dhe pastrimit.
ë) “Tarifë ekologjike e mbetjeve”, pagesa e detyrueshme që kryen çdo anije dhe mjet lundrues që prek portet e hapura dhe radat e tyre, për mbulimin e kostove të instalimeve marrëse portuale për mbetjet e krijuara nga anijet, përfshirë trajtimin dhe asgjësimin e tyre nga operatorët e licencuar, të kontraktuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, që ofrojnë shërbimin e tërheqjes së mbetjeve, referuar aneksit VI, bashkëngjitur.
5. Drejtoria e Përgjithshme Detare sigurohet që kapacitetet e instalimeve marrëse portuale, të instaluara nga operatorët e licencuar, të jenë të mjaftueshme dhe të plotësojnë nevojat e anijeve, pa i shkaktuar atyre vonesa të pajustifikuara. Për këtë gjë, kapiteneritë e porteve ngarkohen për verifikimin e kapaciteteve të instalimeve portuale marrëse dhe, në rastet e verifikimit të mosefikasitetit të tyre, detyrohen të njoftojnë Drejtorinë e Përgjithshme Detare për marrjen e masave.
6. Drejtoria e Përgjithshme Detare ngarkohet për transportin, në përputhje me kërkesat e IMO-s, duke përcaktuar, me urdhër, procedurat e raportimit në Kapitenerinë e Portit, në rastet kur pretendohet për efikasitet të pamjaftueshëm të instalimeve marrëse portuale.
7. Operatoret e licencuar, të kontraktuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, duhet të zotërojnë kapacitetet e nevojshme për të tërhequr sasinë dhe llojet e mbetjeve, të krijuara nga anijet që përdorin atë port normalisht, dhe tepricat nga ngarkesat e tyre, duke marrë parasysh nevojat funksionale të përdoruesve të portit, madhësinë dhe pozicionin gjeografik të portit, llojin e anijeve që japin shenjën e thirrjes në atë port, si dhe të garantojnë trajtimin e këtyre mbetjeve në impiantet e tyre, të certifikuar dhe licencuar sipas legjislacionit mjedisor në fuqi dhe standardeve e normave të lejuara evropiane.
8. Drejtoria e Përgjithshme Detare, në konsultim me palët e interesuara, veçanërisht me përdoruesit e porteve, harton dhe zbaton, për çdo port, një plan të përshtatshëm për marrjen dhe trajtimin e mbetjeve, duke kontraktuar operatorë të licencuar, që plotësojnë standardet, referuar kërkesave të pikave 5 deri 24, të këtij vendimi. Kërkesat specifike për hartimin e këtyre planeve përcaktohen në aneksin I, bashkëlidhur këtij vendimi.
9. Plani, referuar në pikën 8, më sipër, hartohet në nivel rajonal ose kombëtar, me përfshirjen e çdo porti, duke siguruar që nevojat për instalimet marrëse dhe disponibiliteti i tyre të specifikohen individualisht, për çdo port, dhe miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për transportin.
10. Ministria përgjegjëse për transportin vlerëson dhe monitoron më tej zbatimin e planit, referuar në pikat 8 e 9. Plani rishikohet dhe miratohet, të paktën, çdo tre vjet si dhe pas ndryshimeve të rëndësishme në funksionimin e portit, apo në rastet kur operatorët e licencuar prezantojnë një projekt të ri, sipas standerdeve më të fundit të teknologjisë, i cili garanton menaxhimin më të mirë të mundshëm të mbetjeve portuale të anijeve dhe mjeteve lundruese.
11. Kapiteni i anijes, që detyrohet të ankorohet në një port në Shqipëri, duhet të plotësojë, me anë të vetdeklarimit, me vërtetësi dhe saktësi, formularin e paraqitur në aneksin II, dhe t’ia njoftojë Kapitenerisë së Portit, nëpërmjet agjencive detare,:
a) të paktën 24 orë para mbërritjes, në qoftë se porti i thirrjes është i njohur;
b) sapo të njihet porti i thirrjes, në qoftë se informacioni i kërkuar sigurohet në më pak se 24 orë përpara mbërritjes;
c) pak kohë pas largimit nga porti i mëparshëm, në qoftë se kohëzgjatja e udhëtimit është më pak se 24 orë.
12. Kapiteneria e Portit i dërgon një kopje të njoftimit, të përcaktuar në pikën 11, të këtij vendimi, Autoritetit Portual dhe operatorit të instalimeve marrëse portuale. Operatori është i detyruar të mbajë një regjistër për njoftimet dhe certifikatat e dorëzimit të mbetjeve dhe t’ia përcjellë ato, çdo muaj, Drejtorisë së Përgjithshme Detare.
13. Kapiteni i anijes ruan kopje të informacionit, të përcaktuar në pikën 11, të këtij vendimi, për një periudhë dyvjeçare, në bordin e anijes, dhe, me kërkesën e tyre, ua vë në dispozicion  Drejtorisë së Përgjithshme Detare ose organeve të tjera, të caktuara për këtë qëllim nga ministria përgjegjëse për transportin dhe ministria përgjegjëse për mjedisin.
14. Kapiteni i anijes që ankorohet në një port shqiptar, përpara largimit nga porti, i dorëzon të gjitha mbetjet e krijuara nga anija, sipas aneksit IV, të këtij vendimi.
15. Anija nuk është e detyruar të dorëzojë çdo ditë mbetjet e krijuara, por mund të vazhdojë për në portin tjetër të thirrjes pa i dorëzuar ato, në qoftë se, sipas informacionit të dhënë, në përputhje me aneksin II, ka kapacitet magazinimi të mjaftueshëm për të gjitha mbetjet e krijuara dhe ato të mundshme të krijohen gjatë udhëtimit të planifikuar të anijes deri në portin e dorëzimit.
16. Drejtoria e Përgjithshme Detare, kur ka arsye të mjaftueshme për të besuar se porti i planifikuar për dorëzimin e mbetjeve nuk disponon instalimet e duhura ose në qoftë se ky port është i panjohur dhe, si pasojë, ka rrezik që mbetjet të shkarkohen në det, merr të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar ndotjen detare dhe/ose i kërkon anijes të dorëzojë mbetjet e saj përpara largimit nga porti.
17. Ministria përgjegjëse për transportin, pas konsultimeve me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, sigurojnë që kostot e instalimeve marrëse portuale për mbetjet e krijuara nga anijet, përfshirë trajtimin dhe largimin e tyre, të mbulohen përmes mbledhjes së tarifës ekologjike, të detyruar për anijet dhe mjetet lundruese për mbetjet.
18. Ministri përgjegjës për transportin dhe ministri përgjegjës për financat, me propozim të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, bazuar në modelet e ngjashme të porteve të rajonit, në përputhje me procedurat e përcaktuara në nenin 84, të ligjin nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, miratojnë, me udhëzim të përbashkët, vlerën e tarifës ekologjike te detyruar për anijet dhe mjetet lundruese, me qëllim marrjen e shërbimit, referuar në pikën 17, më sipër. Përllogaritja e përcaktimit të vlerës së kësaj tarife ekologjike bëhet bazuar në tonazhin përkatës të çdo  mjeti lundrues, referuar parimit “Ndotësi paguan”.
19. Tarifën ekologjike të marrjes dhe përpunimit të mbetjeve e paguajnë të gjitha anijet dhe mjetet e lundrimit që ankorohen në portet e hapura dhe radat e tyre, pranë Drejtorisë së Përgjithshme Detare dhe, më pas, kjo e fundit likuidon, për çdo rast shërbimi, operatorin e instalimeve marrëse portuale, referuar kontratës përkatëse.
20. Tarifa ekologjike dhe sistemi i mbulimit të kostos, për përdorimin e instalimeve marrëse portuale, duhet të mos stimulojnë anijet dhe mjetet lundruese që të shkarkojnë mbetjet e tyre në det.
21. Tarifa ekologjike për anijet e peshkimit, anijet e shërbimit detar (rimorkiator, pilotina dhe bargat e ndryshme, që përdoren për punime në port), si dhe mjetet që përdoren për argëtim (jahtet, skafet sprotive, mjetet e vogla për gjueti amatore si dhe mjetet e vogla detare me më pak se 12 pasagjerë) do të jetë e ndryshme nga ajo e përcaktuar në pikën 20, të këtij vendimi. Ajo do t’i nënshtrohet një regjimi tjetër, për vet llojin e aktivitetit që ato ushtrojnë, sipas modelit më të përshtatshëm që do të propozohet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, dhe do të miratohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për transportin dhe ministrit përgjegjës për financat.
22. Kapiteni i anijes që akomodohet në portet e hapura dhe radat e tyre në Republikën e Shqiperisë duhet të sigurojë që tepricat nga ngarkesat të dorëzohen në një instalim marrës portual, në përputhje me dispozitat Marpol 73/78. Përdoruesi i instalimeve marrëse paguan tarifën për dorëzimin e tepricave nga ngarkesat.
23. Kontrolli Shtetëror Portual/Kapiteneria e Portit duhet të sigurojë që çdo anije të jetë objekt inspektimi për verifikimin e përputhshmërisë së saj me rregullat e përcaktuara në pikat 14, 15, 16 e 24, të këtij vendimi.
24. Kontrolli Shtetëror Portual/Kapiteneria e Portit, kur inspekton anijet e autorizuara për të mbajtur jo më shumë se 12 pasagjerë, përveç mjeteve të peshkimit dhe mjeteve lundruese për argëtim, gjatë inspektimit:
a) vepron në kuadër të ligjit nr.9852, datë 26.12.2007, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Memorandumin e Mirëkuptimit, “Për Kontrollin Shtetëror Portual”;
b) në qoftë se nuk bindet nga rezultatet e këtij inspektimi, duhet të sigurojë që anija të mos largohet nga porti pa dorëzuar, sipas pikave 14, 15 e 16, të këtij vendimi, mbetjet e krijuara dhe tepricat nga ngarkesat e saj në instalimin marrës portual;
c) informon autoritetin kompetent të portit tjetër të thirrjes, kur ka të dhëna të sigurta se anija ka dalë në det pa plotësuar rregullat e përcaktuara në pikat 14, 15 e 16, të këtij vendimi. Ky i fundit, përveç sa parashikohet në pikën 30, të këtij vendimi, nuk duhet ta lejojë anijen të largohet nga ai port derisa të kryejë një vlerësim më të detajuar të zbatimit të këtij vendimi, veçanërisht të saktësisë së çdo informacioni të dhënë, sipas pikave 11, 12 e 13, të këtij vendimi.
25. Drejtoria e Përgjithshme Detare përcakton procedurat e kontrollit që sigurojnë plotësimin e kërkesave të këtij vendimi nga mjetet e peshkimit dhe mjeteve lundruese për argëtim, të autorizuara të mbajnë jo më shumë se 12 pasagjerë, anijet e shërbimit detar, rimorkiatorët, pilotazhet,bargat etj.
26. Ministria përgjegjëse për transportin duhet të:
a) marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që kapitenët e anijeve, operatorët e instalimeve marrëse portuale dhe personat e tjerë të interesuar të informohen në mënyrën e duhur dhe të plotësojnë detyrimet që u burojnë nga ky vendim;
b) bashkëpunojë me autoritetet përkatëse ndërkombëtare, përfshirë IMO-n, dhe çdo ent tjetër tregtar, për të siguruar zbatimin efektiv të këtij vendimi;
c) sigurojë që informacioni i njoftuar nga kapitenët e anijeve, në përputhje me pikat 11, 12 e 13, të këtij vendimi, të shqyrtohet në mënyrën e duhur;
ç) sigurojë që formalitetet, në lidhje me përdorimin e instalimeve marrëse portuale, të jenë të thjeshta e të shpejta dhe nxitin kapitenët e anijeve të përdorin instalimet marrëse portuale e të shmangin vonesat e pajustifikuara të anijeve;
d) sigurojë që trajtimi, nxjerrja ose largimi i mbetjeve të krijuara nga anijet dhe tepricat nga ngarkesat e tyre të kryhen vetem nga operatorë të licencuar dhe të miratuar nga Ministria e Mjedisit, me lejet dhe licencat përkatëse, referuar legjislacionit në fuqi.
dh) informojë të gjitha palët e përfshira në dorëzimin ose marrjen e mbetjeve të krijuara nga anijet ose tepricat nga ngarkesat e tyre, për efekt kompesimi për dëmin e shkaktuar nga vonesa të pajustifikuara, në përputhje me Kodin Civil dhe Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë.
27. Anija që ka dorëzuar mbetjet e krijuara prej saj mund të largohet nga porti.
28. Ministria përgjegjëse për transportin bashkëpunon me autoritetet përkatëse ndërkombëtare, përfshirë IMO-n, për ngritjen e një sistemi të përshtatshëm informacioni, identifikimi të anijeve dhe monitorimi, që:
a) lehtëson identifikimin e anijeve që nuk kanë dorëzuar mbetjet e krijuara dhe tepricat nga ngarkesat e tyre, sipas këtij vendimi;
b) lejon të vlerësohet nëse ëshë arritur qëllimi i përcaktuar në pikën 27, të këtij vendimi.
29. Ministria përgjegjëse për transportin bashkëpunon me autoritetet përkatëse ndërkombëtare, përfshirë IMO-n, për përcaktimin e kritereve të përbashkëta për identifikimin e anijeve.
30. Shkeljet e dispozitave të këtij vendimi, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen sipas pikës 38, të nenit 62, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar.
31. Drejtoria e Përgjithshme Detare paraqet çdo vit, në ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe në ministrinë përgjegjëse për transportin, raportin për zbatimin e këtij vendimi.
32. Ministria përgjegjëse për mjedisin dhe ministria përgjegjëse për transportin bashkëpunojnë me Drejtorinë e Përgjithshme Detare për të siguruar përputhshmëri me parashikimet në fuqi të IMO-s, në qoftë se është i nevojshëm përmirësimi i regjimit të përcaktuar nga ky vendim, por pa zgjeruar objektin e këtij vendimi, referencat në instrumentet IMO dhe anekset e këtij vendimi.
33. Ngarkohen ministria përgjegjëse për transportin, ministria përgjegjëse për mjedisin dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA “NDËRTIMI I RRJETIT TË KANALIZIMEVE TË VLORËS, FAZA 2, IPA 2012”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga “Ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të Vlorës faza 2, IPA 2012”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës – Kanalizimeve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë “truall”, me sipërfaqe 30 (tridhjetë) m2 dhe vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 198 570 (njëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekësh.
4. Vlera përgjithshme e shpronësimit, prej 198 570 (njëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekësh, të përballohet, si më poshtë vijon:
–  Vlera 30 000 (tridhjetë mijë) lekë, nga buxheti i vitit 2015, zëri “Kosto lokale”, me kod (M063148).
     –   Pjesa tjetër e vlerës, nga buxheti vitit 2016, zëri “Kosto lokale”.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës – Kanalizimeve.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive që përmenden në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë  pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë, që do të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës – Kanalizimeve.
8. Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës – Kanalizimeve të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës – Kanalizimeve, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, që do t’u vihet në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës – Kanalizimeve dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi  i  kalimit  të pronësisë  për  pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës – Kanalizimeve, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e  Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
           Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN DHE PUBLIKIMIN ZYRTAR TË NOMENKLATURËS  SË KOMBINUAR TË MALLRAVE, 2016
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 1 e 12, të ligjit nr.9461, datë 21.12.2005, “Për Nomenklaturën e Mallrave dhe Tarifën Doganore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin dhe publikimin zyrtar të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave 2016, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.920, datë 29.12.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin dhe publikimin zyrtar të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, 2015”, si dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.
       Ky vendim hyn në fuqi më 1 janar 2016 dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROCEDURAVE, KRITEREVE DHE PËRPARËSIVE PËR DHËNIEN E BONUSIT TË STREHIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1/1, të nenit 14, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e procedurave, kritereve dhe përparësive për dhënien e bonusit të strehimit nëpërmjet fondeve të buxhetit të shtetit, sipas shtojcës që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
2. Përparësi në përfitimin e bonusit të strehimit, me fondet e buxhetit të shtetit, kanë kategoritë e përcaktuara në pikën 2, të nenit 24, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, si më poshtë vijon:
a) Personat me statusin e jetimit;
b) Personat me aftësi të kufizuar, të cilët trajtohen në mbështetje të vendimit nr.526, datë 6.8.2014, “Për kategoritë e personave me aftësi të kufizuara që trajtohen me përparësi nga programet sociale të strehimit”;
c) Familjet e policëve të rënë në detyrë;
ç)  Familjet e komunitetit rom;
d) Emigrantët e rikthyer;
dh) Punëtori emigrant;
e) Punonjësit e Policisë së Shtetit.
3. Përfitues të bonusit të strehimit janë të gjitha njësitë e qeverisjes vendore që aplikojnë pranë ministrisë që mbulon çështjet e strehimit, bazuar në aplikimin e tyre për:
a) kërkesat e paraqitura për banesa sociale me qira;
b) mundësitë financiare të njësive të qeverisjes vendore;
c) listën e miratuar me vendim të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore për familjet përfituese, me vlerën respektive financiare të bonusit.
4. Njësitë e qeverisjes vendore, të cilat paraqesin kërkesën për bonus strehimi pranë ministrisë që mbulon çështjet e strehimit, duhet të plotësojnë kriteret, si më poshtë vijon:
a) Nuk disponojnë në pronësi banesa sociale me qira ose, nëse ka të tilla, t’u jenë shpërndarë përfituesve;
b) Të argumentojnë se buxheti vjetor i tyre nuk është i mjaftueshëm për të financuar bonusin e strehimit;
c) Kanë mundësi të financojnë bonusin e strehimit, por pagesa që duhet të bëjë familja, për diferencën ndërmjet qirasë së tregut dhe vlerës së bonusit, kalon 30 për qind të të ardhurave të familjes.
5. Njësitë e qeverisjes vendore llogaritin vlerën e bonusit të strehimit që financohet nga ministria që mbulon çështjet e strehimit, bazuar në përcaktimet e nenit 15 dhe shtojcës B, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar.
6. Njësitë e qeverisjes vendore, brenda datës 30 janar, të çdo viti, paraqesin pranë ministrisë që mbulon çështjet e strehimit kërkesat për bonus strehimi, sipas shtojcës A, të këtij vendimi, të shoqëruar me kostot financiare për çdo familje, si dhe listën e detajuar të familjeve përfituesve.
7. Ministria që mbulon çështjet e strehimit trajton kërkesat për bonus strehimi, të depozituara nga njësitë e qeverisjes vendore, në mbështetje të kritereve të përcaktuara në pikat 3, 4 dhe 6, të këtij vendimi.
8. Ministria që mbulon çështjet e strehimit financon bonusin e strehimit, të barabartë me diferencën ndërmjet qirasë minimale në tregun e lirë, bonusit të financuar nga njësia e qeverisjes vendore dhe qirasë së përballueshme nga familja, në rastet kur diferenca ndërmjet qirasë së tregut dhe vlerës së bonusit kalon 30 për qind të të ardhurave të familjes.
9. Ministria që mbulon çështjet e strehimit, brenda muajit mars, të çdo viti, planifikon fondet për vitin pasardhës, për bonusin e strehimit, bazuar në tavanet vjetore, të përcaktuara në projektbuxhetin afatmesëm, kërkesat vjetore të njësive të qeverisjes vendore si dhe përcaktimeve të nenit 14, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar.
10. Ngarkohen ministria që mbulon çështjet e strehimit dhe njësitë e qeverisjes vendore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sipërfaqet maksimale, për të cilat miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën e ndërtimit pa leje, të jenë sipas listës emërore dhe evidencës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Numri i parcelave ndërtimore dhe sipërfaqja e përgjithshme e truallit, për secilin qark, janë, si më poshtë vijon:
a) Qarku Shkodër, 158 (njëqind e pesëdhjetë e tetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 49 585 (dyzet e nëntë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e pesë) m²;
b) Qarku Berat, 3 (tri) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 965 (nëntëqind e gjashtëdhjetë e pesë) m²;
c) Qarku Dibër, 88 (tetëdhjetë e tetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 23 193 (njëzet e tre mijë e njëqind e nëntëdhjetë e tre) m²;
ç) Qarku Tiranë, 218 (dyqind e tetëmbëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 62 546 (gjashtëdhjetë e dy mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë ) m²;
d) Qarku Korçë, 10 (dhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 2 192 (dy mijë e njëqind e nëntëdhjetë e dy) m²;
dh) Qarku Elbasan, 73 (shtatëdhjetë e tre) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 18 612 (tetëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e dymbëdhjetë) m²;
e) Qarku Kukës, 67 (gjashtëdhjetë e shtatë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 20 402 (njëzet mijë e katërqind e dy) m²;
ë) Qarku Vlorë, 50 (pesëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 14 989 (katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e nëntë) m²;
f) Qarku Durrës, 102 (njëqind e dy)  parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 48 663 (dyzet e tetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e tre) m²;
g) Qarku Fier, 360 (treqind e gjashtëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 111 955 (njëqind e njëmbëdhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e pesë ) m²;
gj) Qarku Gjirokastër, 41 (dyzet e një) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 12 922 (dymbëdhjetë mijë e nëntëqind e njëzet e dy) m².
3. Ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë së parcelave ndërtimore, të objekteve informale, nga shteti te poseduesit e ndërtimeve pa leje.
4. Deri në momentin e regjistrimit të ndërtimit të legalizuar, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të mos kryejnë ndryshime të gjendjes juridike të pasurive të listuara në këtë vendim.
5. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
  Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.205, DATË 13.4.1999,  TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN  E DISPOZITAVE ZBATUESE TË KODIT DOGANOR”,  TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 82, të ligjit nr.8449, datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.205, datë 13.4.1999, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 5, e nenit 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
      “5. Për qëllime të titullit IX:
1. Pa cenuar legjislacionin në fuqi, “E drejtë e pronësisë intelektuale” nënkupton:
a) një markë tregtare;
b) një disenjo industriale;
c) të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të, siç përcaktohet në legjislacionin në fuqi;
ç) një tregues gjeografik;
d) një patentë për shpikje, sipas përcaktimit të legjislacionit në fuqi;
dh) një certifikatë mbrojtjeje shtesë për barnat, sipas përcaktimit në legjislacionin në fuqi në lidhje me certifikatën e mbrojtjes shtesë për barnat;
e) një certifikatë mbrojtjeje shtesë për produktet e mbrojtjes së bimëve, sipas përcaktimit në legjislacionin në fuqi në lidhje me krijimin e një certifikate mbrojtjeje shtesë për produktet e mbrojtjes së bimëve;
ë) një e drejtë e varietetit bimor siç përcaktohet në legjislacionin në fuqi;
f) një topografi e produkteve gjysmëkonduktorë sipas përcaktimit në legjislacionin në fuqi;
g) një model përdorimi i njohur si e drejtë e pronësisë intelektuale e mbrojtur nga legjislacioni në fuqi;
gj) një emër tregtar i njohur si e drejtë ekskluzive e pronësisë intelektuale e mbrojtur nga legjislacioni në fuqi.
2. “Markë tregtare” nënkupton:
a) një markë tregtare të regjistruar në Republikën e Shqipërisë;
b) një markë tregtare të regjistruar, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.
3. “Disenjo industriale” nënkupton:
a) një disenjo industriale të regjistruar në Republikën e Shqipërisë;
b) një disenjo industriale të regjistruar, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.
4. “Tregues gjeografik” nënkupton:
a) një tregues gjeografik të mbrojtur, sipas legjislacionit në fuqi;
b) një tregues gjeografik për verërat, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;
c) një tregues gjeografik për pijet e aromatizuara të bazuara në produktet e verës, sipas përcaktimit në legjislacionin në fuqi;
ç) një tregues gjeografik për pijet alkoolike, sipas përcaktimit në legjislacionin në fuqi;
d) një tregues gjeografik, sipas përcaktimeve në marrëveshjet ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shteteve të tjera.
5. “Mallra të falsifikuara” nënkupton:
a) mallra, të cilat janë objekt i një veprimi që shkel një markë tregtare dhe pa lejen e mbajtësit të së drejtës mbajnë një shenjë identike me markën tregtare të regjistruar rregullisht për të njëjtat lloje mallrash ose që në thelb është e padallueshme nga kjo markë;
b) mallra, të cilat janë objekt i një veprimi që shkel një tregues gjeografik dhe mbajnë ose janë të përshkruara me një emër ose term të mbrojtur në lidhje me atë tregues gjeografik;
c) çdo paketim, etiketë, ngjitës, broshurë, udhëzues përdorimi, dokument garancie ose artikull tjetër i ngjashëm, edhe nëse paraqitet veçmas, që është objekt i një veprimi që shkel një markë tregtare ose një tregues gjeografik, që përfshin një shenjë, emër ose term që është identik me një markë tregtare të regjistruar rregullisht ose tregues gjeografik të mbrojtur, ose që në thelb është e padallueshme nga një markë tregtare apo tregues gjeografik i tillë dhe që mund të përdoret për të njëjtin lloj mallrash si ai për të cilin është regjistruar marka tregtare ose treguesi gjeografik.
6. “Mallra pirate” nënkupton mallrat, të cilat janë objekt i një veprimi që shkel të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të ose me një disenjo industriale në Republikën e Shqipërisë dhe të cilat janë/ose përmbajnë kopje të bëra pa pëlqimin e mbajtësit të të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të ose me disenjon industriale apo të një personi të autorizuar prej mbajtësit, në vendin e prodhimit.
7. “Mallra që dyshohet se shkelin një të drejtë të pronësisë intelektuale”, nënkupton mallrat e identifikuara në Republikën e Shqipërisë, të cilat në pamje të parë kanë tregues të arsyeshëm se:
a) janë objekt i një veprimi që shkel një të drejtë të pronësisë intelektuale në  Republikën e Shqipërisë;
b) kanë pajisje, produkte apo komponentë që janë projektuar, prodhuar apo përshtatur kryesisht, me qëllim për të mundësuar apo lehtësuar shmangien nga çdo teknologji, pajisje apo komponent, që në rrjedhën normale të operacionit të tij parandalon apo kufizon veprime lidhur me vepra të paautorizuara nga mbajtësi i të drejtave të autorit dhe çdo të drejte tjetër lidhur me të dhe e cila lidhet me një veprim që shkel këto të drejta në Republikën e Shqipërisë;
c) kanë çdo format apo matricë të dizenjuar apo të përshtatur specifikisht për prodhimin e mallrave që shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale, nëse këto formate apo matrica lidhen me një veprim që shkel të drejtën e pronësisë intelektuale në Republikën e Shqipërisë.
    8.  “Mbajtës i së drejtës” nënkupton mbajtësin e një të drejte të pronësisë intelektuale.
  9. “Aplikim” nënkupton kërkesën që paraqitet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për të ndërmarrë veprime në lidhje me mallra që dyshohet se shkelin një të drejtë të pronësisë intelektuale.
10.  “Aplikues” nënkupton një person, sipas përcaktimit në pikën 1, të nenit 8, të ligjit nr.8449, datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, në emër të të cilit paraqitet një aplikim.
11. “Mbajtës i vendimit” nënkupton një person ndaj të cilit është dhënë vendimi në bazë të aplikimit.
12.  “Mbajtës i mallrave” nënkupton personin që ka në pronësi mallrat që dyshohet se shkelin një të drejtë të pronësisë intelektuale apo që ka të drejta të ngjashme për tjetërsimin/shkatërrimin ose kontrollin fizik të këtyre mallrave.
13.  “Deklarues” nënkupton deklaruesin sipas përcaktimit në pikën 19, të nenit 8, të ligjit nr.8449, datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
14.  “Shkatërrim” nënkupton shkatërrimin fizik, riciklimin ose asgjësimin e mallrave jashtë kanaleve tregtare në një mënyrë të tillë që të parandalojë dëmtimet ndaj mbajtësit të vendimit.
15. “Territor doganor” nënkupton territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, sipas përcaktimit në nenin 3, të ligjit nr.8449, datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
16.  “Çlirim i mallrave” nënkupton çlirimin e mallrave, sipas përcaktimit në pikën 21, të nenit 8, të ligjit nr.8449, datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
 17.  “Dërgesa të vogla” nënkupton dërgesa postare apo me korrier ekspres që:
a) përmbajnë tre apo më pak njësi; ose
b) kanë një peshë bruto prej më pak se 2 kilogramë.
Për qëllim të shkronjës “a”, “njësi” nënkupton mallra sipas klasifikimit në Nomenklaturën e Kombinuar të Mallrave në fuqi, të paketuar ose jo, për mallra të shitura me pakicë ndaj konsumatorit përfundimtar.
Për qëllim të këtij përkufizimi, mallrat e ndara që përfshihen në të njëjtin kod të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave do të konsiderohen si njësi të ndryshme dhe mallrat e paraqitura si grup i klasifikuar në një kod të Nomenklaturës së Kombinuar do të konsiderohen si një njësi.
18. “Mallra që prishen shpejt” nënkupton mallrat që vlerësohen nga autoritetet doganore si mallra që prishen nga qëndrimi deri në 20 ditë, nga data e pezullimit të çlirimit të tyre apo ndalimit.
        19. “Licencë ekskluzive” nënkupton një licencë (të përgjithshme ose të kufizuar) që autorizon personin e licencuar, duke përjashtuar çdo person tjetër, përfshirë edhe personin që e lëshon atë, për të përdorur një të drejtë të pronësisë intelektuale në mënyrën e autorizuar nga licenca.”.
2. Në pjesën II, “Destinacionet doganore”, titulli IX ndryshohet, si më poshtë vijon:
“TITULLI IX
MBROJTJA E TË DREJTAVE TË PRONËSISË 
INTELEKTUALE NË DOGANË
KREU 1
OBJEKTI, FUSHA E ZBATIMIT, APLIKIMET 
DHE VENDIMET
SEKSIONI 1
Të përgjithshme
Neni 118
Objekti dhe fusha e zbatimit
1. Titulli IX përcakton kushtet dhe procedurat lidhur me veprimet që ndërmerren nga autoritetet doganore, kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme dyshimi se shkelet një e drejtë e pronësisë intelektuale nga mallra, të cilat janë ose duhet të ishin objekt i mbikëqyrjes doganore apo kontrollit doganor, brenda territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me Kodin Doganor, në veçanti për mallrat në rrethana, si më poshtë:
a) Kur deklarohen për çlirim për qarkullim të lirë, eksport apo rieksport;
b) Kur hyjnë apo dalin nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë;
c) Kur vendosen në regjim pezullimi apo në zonë ose magazinë të lirë.
2. Pa cenuar nenet 120 dhe 120/1 sipas këtij vendimi, në përputhje me kriteret e analizës së riskut, me qëllim parandalimin e veprimeve që shkelin ligjin për pronësinë intelektuale në territorin e Republikës së Shqipërisë, autoritetet doganore kryejnë kontrollet e nevojshme doganore në lidhje me mallrat, objekt i mbikëqyrjes doganore ose kontrollit doganor, dhe marrin masat e duhura të identifikimit, siç parashikohet në pikat 13 e 14, të nenit 8, nenet 23 dhe 97, të ligjit nr.8449, datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe nenit 10, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
3. Ky titull nuk zbatohet për:
a) mallra, të cilat janë çliruar për qarkullim të lirë nën regjimin e përdorimit të veçantë përfundimtar (end use);
b) mallrat e natyrës jotregtare të mbajtura në bagazhet personale të udhëtarëve;
c) mallra, të cilat janë prodhuar nga një person me pëlqimin e mbajtësit të së drejtës apo për mallra, të cilat janë prodhuar nga një person i autorizuar ligjërisht nga mbajtësi i së drejtës për prodhimin e një sasie të caktuar të mallrave, në tejkalim të sasive për të cilat është rënë dakord ndërmjet personit në fjalë dhe mbajtësit të së drejtës.
SEKSIONI 2
Aplikimet
Neni 118/1
 E drejta e paraqitjes së aplikimit
Paraqesin aplikim, në masën që legjitimohen, për të filluar një procedurë që ka si qëllim të përcaktojë nëse është shkelur një e drejtë e pronësisë intelektuale në Republikën e Shqipërisë personat fizikë dhe juridikë, si më poshtë vijon:
a) Mbajtësit e së drejtës;
b) Organet që administrojnë të drejtat kolektive të pronësisë intelektuale, sipas përcaktimeve të ligjit “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”;
c) Organet e mbrojtjes profesionale, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi;
ç) Grupet e prodhuesve të produkteve të mbrojtura si tregues gjeografikë apo përfaqësuesit e këtyre grupeve, personat me të drejtë për të përdorur treguesin gjeografik në fjalë;
d) Personat fizikë apo juridikë të autorizuar për të përdorur të drejtat e pronësisë intelektuale, të cilët janë autorizuar zyrtarisht nga mbajtësi i të drejtave për të filluar një procedurë me qëllim që të përcaktojnë nëse është shkelur një e drejtë e pronësisë intelektuale.
Neni 118/2 
Paraqitja e aplikimeve
1. Aplikimet paraqiten pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, duke përdorur formularin  specifik për këtë qëllim, i cili përmban informacionin e përcaktuar në nenin 118/3.
2. Kur aplikimi paraqitet pas njoftimit nga autoritetet doganore për pezullimin e çlirimit apo ndalimin e mallrave, në përputhje me pikën 3, të nenit 120/1, aplikimi në fjalë duhet:
a) të paraqitet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, brenda 4 ditëve pune nga data e njoftimit për pezullimin e çlirimit apo ndalimin e mallrave;
b) të jetë sipas formularit të përmendur në pikën 1, të nenit 118/3;
c) të përmbajë informacionin e përcaktuar në pikën 2, të nenit 118/3. Megjithatë, aplikuesi mund të mos përfshijë informacionin e përmendur në shkronjat “dh”, “e” apo “ë”, të  pikës 2, të nenit 118/3.
3. Kur është e mundur, marrja dhe përpunimi i aplikimeve si dhe dokumentet shoqëruese të nevojshme paraqiten duke përdorur teknika elektronike të përpunimit të të dhënave.
Neni 118/3 
Formulari i aplikimit
1. Formulari i aplikimit është sipas aneksit 62, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Në formularin e aplikimit duhet të përfshihet të paktën informacioni i mëposhtëm:
a) Detaje në lidhje me aplikuesin;
b) Statusi i aplikuesit, sipas kuptimit të nenit 118/1;
c) Dokumente që i vërtetojnë se aplikuesi ka të drejtë të paraqesë aplikimin;
ç) Kur aplikuesi paraqet aplikimin me anë të një përfaqësuesi, detajet e personit që e përfaqëson dhe provën se personi ka kompetenca të veprojë në cilësinë e përfaqësuesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
d) E drejta apo të drejtat e pronësisë intelektuale që zbatohen;
dh) Të dhëna teknike dhe specifike për mallrat origjinale, përfshirë shenjat, si bar-kodi dhe imazhet nëse është e nevojshme;
e) Informacioni i nevojshëm për t’u mundësuar autoriteteve doganore të identifikojnë menjëherë mallrat në fjalë;
ë) Informacioni që u duhet autoriteteve doganore për analizën dhe vlerësimin e riskut të shkeljeve të së drejtës apo të të drejtave të pronësisë intelektuale, i tillë si informacioni për distributorët e autorizuar;
f) Detajet e çdo përfaqësuesi të caktuar nga aplikuesi për të marrë përgjegjësi për çështjet teknike dhe ligjore;
g) Një deklaratë e aplikuesit që njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për një nga situatat e parashikuara në nenin 119/8;
 gj) Një deklaratë dhe përditësimin e çdo informacioni që i duhet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për analizën dhe vlerësimin e riskut të shkeljeve të të drejtave apo të së drejtës së pronësisë intelektuale në fjalë;
h) Një deklaratë e aplikuesit, sipas së cilës ai merr përgjegjësitë sipas kushteve të përcaktuara në nenin 120/11;
i) Një deklaratë e aplikuesit, sipas së cilës ai merr përsipër kostot e referuara sipas kushteve të përcaktuara në nenin 120/12;
j) Një marrëveshje e aplikuesit, sipas së cilës të dhënat e vëna në dispozicion nga ai mund të përpunohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;
k) Nëse aplikuesi kërkon përdorimin e procedurës së referuar në nenin 120/9 dhe në vijim të  kërkesës së autoriteteve doganore, aplikuesi bie dakord të mbulojë kostot që lidhen me shkatërrimin e mallrave sipas kësaj procedure.
3. Ministri i Financave, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, miraton udhëzimin për plotësimin e formularit të aplikimit.
SEKSIONI 3
Vendimet për aplikimet 
Neni 119 
Përpunimi i aplikimeve të paplota 
1. Kur, pas marrjes së aplikimit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave vlerëson se aplikimi nuk përmban të gjithë informacionin e kërkuar sipas pikës 2, të nenit 118/3, i kërkon aplikuesit të vërë në dispozicion informacionin që mungon brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e njoftimit të kërkesës. Në këto raste, afati përfundimtar i referuar në pikën 1, të nenit 119/2, pezullohet deri sa të merret informacioni i nevojshëm.
2. Kur aplikuesi nuk vë në dispozicion informacionin e munguar brenda afatit të referuar në paragrafin e parë, të pikës 1, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave refuzon aplikimin.
Neni 119/1 
Pagesat 
Aplikuesit nuk i kërkohet asnjë pagesë për të mbuluar kostot administrative për shqyrtimin e aplikimit.
Neni 119/2 
Njoftimi i vendimeve të miratimit ose refuzimit 
të aplikimit 
1. Aplikimi shqyrtohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e cila merr vendim për miratimin apo refuzimin e aplikimit, që i njoftohet me shkrim kërkuesit brenda 30 (tridhjetë) ditëve pune nga data e marrjes të aplikimit. Në rast refuzimi, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave jep arsyet mbi të cilat është bazuar vendimi si dhe vë në dukje të drejtën për ankim.
2. Nëse aplikuesi është njoftuar për pezullimin e çlirimit apo ndalimin e mallrave nga autoritetet doganore përpara paraqitjes së aplikimit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave duhet të njoftojë aplikuesin për vendimin e miratimit apo refuzimit të aplikimit, brenda 2 (dy) ditëve pune nga data e marrjes së aplikimit.
Neni 119/3
Vendime në lidhje me aplikimet 
1. Vendimi për miratimin e aplikimit dhe çdo vendim për revokimin apo ndryshimin e tij kanë efekt nga e nesërmja e datës së marrjes së vendimit.
2. Vendimi, që zgjat afatin gjatë së cilit autoritetet doganore ndërmarrin veprime, ka efekt nga e nesërmja e datës së përfundimit të afatit që do të zgjatet.
Neni 119/4 
Periudha gjatë së cilës autoritetet doganore 
ndërmarrin veprime
1. Kur miratohet një aplikim, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave specifikon afatin gjatë së cilit autoritetet doganore do të ndërmarrin veprime. Ky afat fillon ditën në të cilën fillon efektet vendimi i miratimit të aplikimit, sipas nenit 119/3, dhe nuk duhet të kalojë një vit nga e nesërmja e datës së marrjes të vendimit.
2. Kur aplikimi i paraqitur, pas njoftimit të autoritetit doganor për pezullimin e çlirimit apo ndalimit të mallrave në përputhje me pikën 3, të nenit 120/1, nuk përmban informacionin e përmendur në shkronjat “dh”, “e” apo “ë”, të pikës 2, të nenit 118/3, aplikimi miratohet vetëm për pezullimin e çlirimit apo ndalimin e mallrave në fjalë, përveçse kur ky informacion vihet në dispozicion brenda 10 (dhjetë) ditëve pune, pas njoftimit për pezullimin e çlirimit apo ndalimin e mallrave.
3. Kur e drejta e pronësisë intelektuale nuk ka më efekt ligjor/pushon së qeni e vlefshme ose kur aplikuesi, për arsye të tjera, nuk ka më të drejtë të paraqesë aplikim, autoritetet doganore nuk ndërmarrin asnjë veprim. Vendimi për miratimin e aplikimit revokohet apo ndryshohet nga  Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në përputhje me rrethanat.
Neni 119/5 
Zgjatja e afatit gjatë të cilit autoritetet doganore 
ndërmarrin veprime
1. Me përfundimin e afatit gjatë të cilit autoritetet doganore duhet të ndërmarrin veprime dhe nëse paraprakisht është shlyer çdolloj detyrimi ndaj autoriteteve doganore, sipas këtij vendimi, në ngarkim të mbajtësit të vendimit, ky i fundit mund të kërkojë zgjatjen e afatit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, që ka miratuar vendimin fillestar, mund të zgjatë afatin në fjalë.
2. Nëse kërkesa për zgjatje të afatit, gjatë të cilit autoritetet doganore ndërmarrin veprime, paraqitet në më pak se 30 (tridhjetë) ditë pune përpara përfundimit të afatit të miratuar me vendimin fillestar për ndërmarrjen e veprimeve, kërkesa mund të refuzohet.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave i njofton mbajtësit të vendimit vendimin për zgjatjen e afatit brenda 30 (tridhjetë) ditëve pune nga data e marrjes së kërkesës së referuar në pikën 1.
    Drejtoria e Përgjithshme e Doganave specifikon në vendim afatin gjatë të cilit do të ndërmarrë veprime.
4. Afati i zgjatur gjatë të cilit autoritetet doganore ndërmarrin veprime fillon datën vijuese të datës së përfundimit të periudhës së mëparshme dhe nuk duhet të kalojë një vit.
5. Kur e drejta e pronësisë intelektuale nuk ka më efekt ligjor/pushon së qeni e vlefshme ose kur aplikuesi, për arsye të tjera, nuk ka më të drejtë të paraqesë aplikim, autoritetet doganore nuk marrin asnjë masë mbrojtëse. Vendimi që lejon zgjatjen e afatit revokohet ose ndryshohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në përputhje me rrethanat.
6. Mbajtësit të vendimit nuk i kërkohet asnjë pagesë për të mbuluar kostot administrative për shqyrtimin e kërkesës për zgjatje të afatit.
7. Formulari i aplikimit është sipas aneksit 63, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Ministri i Financave, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, miraton udhëzimin për plotësimin e formularit të aplikimit për zgjatjen e afatit.
Neni 119/6 
Ndryshimi i vendimit lidhur me të drejtat e 
pronësisë intelektuale
1. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me kërkesë të mbajtësit të vendimit, mund të ndryshojë listën e të drejtave të pronësisë intelektuale të miratuara në atë vendim.
2. Kur shtohet një e drejtë e re e pronësisë intelektuale, kërkesa duhet të përmbajë informacionin e referuar në shkronjat “c”, “d”, “dh”, “e”, “ë”, të pikës 2, të nenit 118/3.
Neni 119/7 
Detyrimet për njoftim të Drejtorisë së Përgjithshme 
të Doganave
1. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pranë të cilës është paraqitur një aplikim apo një kërkesë, menjëherë pas miratimit, njofton degët doganore për vendimet për:
a)  miratimin e aplikimit;
b)   revokimin e vendimeve që miratojnë aplikimin;
c)   ndryshimin e vendimeve që miratojnë aplikimin;
ç) zgjatjen e afatit gjatë të cilit autoritetet doganore ndërmarrin veprime.
2. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton degët doganore për vendimin për pezullimin e veprimeve, menjëherë pas miratimit, sipas pikës 2, të nenit 119/9.
Neni 119/8
Detyrimet për njoftim të mbajtësit 
të vendimit
Mbajtësi i vendimit duhet të njoftojë menjëherë Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për secilin nga rastet e mëposhtme:
a) Kur një e drejtë e pronësisë intelektuale, për të cilën është miratuar aplikimi, pushon së qeni e vlefshme;
b) Kur mbajtësi i vendimit, për arsye të tjera, nuk ka më të drejtë të paraqesë një aplikim;
c) Kur ka ndryshime në informacionin e përmendur në pikën 2, të nenit 118/3.
Neni 119/9
Pamundësia e mbajtësit të vendimit për të 
përmbushur detyrimet e tij
1. Kur mbajtësi i vendimit përdor informacionin e vënë në dispozicion nga autoritetet doganore, për qëllime të ndryshme nga ato të parashikuara në nenin 120/4 ose e keqpërdor atë, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mund të revokojë vendimin me të cilin është miratuar një aplikim ndaj mbajtësit të vendimit dhe të refuzojë zgjatjen e afatit për ndërmarrjen e veprimeve nga autoritetet doganore.
2. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mund të vendosë pezullimin e ndërmarrjes së veprimeve nga autoritetet doganore deri në përfundimin e afatit të kryerjes së këtyre veprimeve, kur mbajtësi i vendimit:
a)  nuk përmbush detyrimet e njoftimit, të përcaktuara në nenin 119/8;
b) nuk përmbush detyrimet e kthimit të mostrave, të përcaktuara në pikën 3, të nenit 120/2;
c) nuk përmbush detyrimet për kostot dhe përkthimin, të përcaktuara në pikat 1 dhe 3, të nenit 120/12;
ç) nuk fillon asnjë procedurë sipas përcaktimeve të pikës 3, të nenit 120/6, apo pikës 9, të nenit 120/9 pa arsye të bazuar.
KREU II
VEPRIMET E AUTORITETEVE DOGANORE
SEKSIONI 1
Pezullimi i çlirimit apo ndalimi i mallrave që dyshohet 
se shkelin një të drejtë të pronësisë intelektuale
Neni 120
Pezullimi i çlirimit apo ndalimi i mallrave pas miratimit të aplikimit
1. Kur autoritetet doganore identifikojnë mallra që dyshohet se shkelin një të drejtë të pronësisë intelektuale, për të cilën është miratuar një vendim për aplikimin në lidhje me këto mallra, ato pezullojnë apo ndalojnë çlirimin e mallrave në fjalë.
2. Përpara pezullimit të çlirimit apo ndalimit të mallrave, autoritetet doganore mund t’i kërkojnë mbajtësit të vendimit që t’i vërë në dispozicion atyre informacionin e nevojshëm në lidhje me mallrat. Autoritetet doganore mund, gjithashtu, t’i vënë në dispozicion mbajtësit të të drejtave informacion për sasinë reale apo të vlerësuar të mallrave, imazhin dhe natyrën e tyre aktuale apo të supozuar, sipas nevojës.
3. Autoritetet doganore njoftojnë deklaruesin apo mbajtësin e mallrave për pezullimin e çlirimit të mallrave apo ndalimin e tyre, brenda 1 (një) ditë pune nga data e pezullimit apo ndalimit.
Kur autoritetet doganore vendosin të njoftojnë mbajtësin e mallrave dhe nëse dy apo më shumë persona konsiderohen si mbajtës të tyre, autoritetet doganore nuk kanë detyrim të njoftojnë më shumë se një nga personat në fjalë.
Autoritetet doganore njoftojnë mbajtësin e vendimit për pezullimin e çlirimit të mallrave apo ndalimin e tyre në të njëjtën ditë ose menjëherë pas njoftimit të deklaruesit apo mbajtësit të mallrave.
Njoftimet duhet të përfshijnë informacion për procedurën e përcaktuar në nenin 120/6.
4. Autoritetet doganore njoftojnë mbajtësin e vendimit dhe deklaruesin ose mbajtësin e mallrave për sasinë dhe natyrën reale apo të vlerësuar të mallrave, përfshirë imazhet e disponueshme, sipas nevojës, çlirimi i të cilave është pezulluar apo nëse mallrat në fjalë janë ndaluar. Autoritetet doganore, sipas kërkesës dhe kur është e mundur, njoftojnë mbajtësin e vendimit për emrat dhe adresat e marrësit të ngarkesës, dërguesin dhe deklaruesin apo mbajtësin e mallrave, për procedurat doganore dhe origjinën, prejardhjen dhe destinacionin e mallrave, për të cilat është pezulluar çlirimi ose që janë ndaluar.
Neni 120/1
Pezullimi i çlirimit apo ndalimi i mallrave përpara 
miratimit të aplikimit
       1.  Kur autoritetet doganore identifikojnë mallra që dyshohet se shkelin një të drejtë të pronësisë intelektuale, por që nuk përfshihen në vendimin me të cilin është miratuar aplikimi, ato mund, përveç se në rastet e mallrave që prishen shpejt, të pezullojnë çlirimin e këtyre mallrave apo t’i ndalojnë ato.
 2. Përpara pezullimit të çlirimit apo ndalimit të mallrave që dyshohet se shkelin një të drejtë të pronësisë intelektuale, autoritetet doganore mund t’i kërkojnë çdo personi fizik apo juridik, që mund të ketë të drejtë të paraqesë aplikim në lidhje me shkeljen e dyshuar të të drejtave të pronësisë intelektuale, për t’i ofruar atyre informacionin e nevojshëm, pa dhënë informacion tjetër përveç të dhënave për sasinë dhe natyrën reale apo të vlerësuar të mallrave, përfshirë imazhet e disponueshme, kur është e duhur.
3. Autoritetet doganore duhet të njoftojnë deklaruesin apo mbajtësin e mallrave për pezullimin e çlirimit të mallrave apo ndalimin e tyre brenda një dite pune nga data e pezullimit apo ndalimit.
Kur autoritetet doganore vendosin të njoftojnë mbajtësin e mallrave dhe nëse dy apo më shumë persona konsiderohen si mbajtës të tyre, autoritetet doganore nuk kanë detyrim të njoftojnë më shumë se një nga personat në fjalë.
Autoritetet doganore njoftojnë personat fizikë apo juridikë, që kanë të drejtë të paraqesin aplikim në lidhje me shkeljen e dyshuar të të drejtave të pronësisë intelektuale, për pezullimin e çlirimit të mallrave apo ndalimin e tyre në të njëjtën datë apo menjëherë pasi kanë njoftuar deklaruesin apo mbajtësin e mallrave.
Autoritetet doganore mund të konsultohen me autoritetet publike përgjegjëse, me qëllim identifikimin e personave fizikë apo juridikë që kanë të drejtë të paraqesin aplikim.
Nw njoftime duhet të përfshihet informacion për procedurën e përcaktuar në nenin 120/6.
4. Autoritetet doganore çlirojnë mallrat ose heqin masën e ndalimit të tyre menjëherë pas përfundimit të tw gjitha formaliteteve doganore, në rastet  e mëposhtme:
a) Kur nuk kanë identifikuar asnjë person fizik apo juridik që ka të drejtë të paraqesë aplikim në lidhje me shkeljen e pretenduar të të drejtave të pronësisë intelektuale, brenda një dite pune nga data e pezullimit të çlirimit apo ndalimit të mallrave;
b) Kur nuk kanë marrë aplikim në përputhje me pikën 2, të nenit 118/2, apo nëse e kanë refuzuar një aplikim të tillë.
5. Kur miratohet aplikimi, autoritetet doganore, sipas kërkesës dhe kur është e mundur, njoftojnë mbajtësin e vendimit për emrat dhe adresat e marrësit të ngarkesës, dërguesin dhe deklaruesin apo mbajtësin e mallrave, për procedurat doganore dhe origjinën, prejardhjen dhe destinacionin e mallrave, për të cilat është pezulluar çlirimi ose që janë ndaluar.
Neni 120/2 
Inspektimi dhe marrja e mostrave të mallrave për të cilat 
është pezulluar çlirimi apo që janë ndaluar
1. Autoritetet doganore i japin mundësi mbajtësit të vendimit dhe deklaruesit apo mbajtësit të mallrave që të kontrollojnë/të inspektojnë mallrat për të cilat është pezulluar çlirimi apo që janë ndaluar.
2. Autoritetet doganore mund të marrin mostra që përfaqësojnë mallrat. Ato mund t’ia dorëzojnë apo t’ia dërgojnë mostrat në fjalë mbajtësit të vendimit, në bazë të kërkesës së tij dhe vetëm për bërjen e analizave e përshpejtimin e procedurave në lidhje me mallrat e falsifikuara apo pirate. Çdo analizë e këtyre mostrave kryhet vetëm nën përgjegjësinë dhe me shpenzimet e mbajtësit të vendimit.
3. Mbajtësi i vendimit duhet, përveçse kur nuk e lejojnë rrethanat, t’ua kthejë mostrat e referuara në pikën 2 autoriteteve doganore, pas bërjes së analizave dhe jo më vonë se periudha kur mallrat janë çliruar apo  ka përfunduar ndalimi i tyre.
Neni 120/3
Kushtet e magazinimit
Kushtet e magazinimit të mallrave gjatë periudhës së pezullimit të çlirimit apo ndalimit të tyre përcaktohen nga autoritetet doganore.
Neni 120/4
Përdorimi i lejuar i një informacioni të caktuar 
nga mbajtësi i vendimit
Kur mbajtësi i vendimit ka marrë informacionin e përmendur në pikën 4, të nenit 120, pikën 5, të nenit 120/1, nenin 120/2 ose pikën 8, të nenit 120/9, ai mund ta japë apo ta përdorë informacionin në fjalë vetëm për qëllimet e       mëposhtme:
a) Për të filluar një procedim gjyqësor, që përcakton nëse është shkelur një e drejtë e pronësisë intelektuale si dhe gjatë kohëzgjatjes së procedimit;
b) Në lidhje me hetimet penale për shkelje të një të drejte të pronësisë intelektuale, të kryera nga autoritete të tjera proceduese kompetente;
c) Për të filluar një procedim penal dhe gjatë procedimit;
ç) Për të kërkuar kompensim nga shkelësi apo persona të tjerë;
d) Për të rënë dakord me deklaruesin apo mbajtësin e mallrave që mallrat të shkatërrohen në përputhje me pikën 1, të nenit 120/6;
dh) Për të rënë dakord me deklaruesin apo mbajtësin e mallrave për shumën e garancisë, të referuar në shkronjën “a”, të pikës 2, të nenit 120/7.
Neni 120/5
Shkëmbimi i informacionit dhe të dhënave ndërmjet 
autoriteteve doganore
 1. Pa cenuar legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave dhe me qëllim dhënien e kontributit për shmangien e tregtisë ndërkombëtare të mallrave që shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale, autoritetet doganore mund të shkëmbejnë informacionin dhe të dhënat që disponojnë me autoritetet përgjegjëse të vendeve të tjera, sipas përcaktimeve në marrëveshjet ndërkombëtare në fuqi.
 2. Informacioni dhe të dhënat e referuara në pikën 1 shkëmbehen për të lejuar zbatimin efikas të ligjit për dërgesat e mallrave që shkelin një të drejtë të pronësisë intelektuale. Informacioni dhe të dhënat e tilla mund të lidhen me konfiskime, tendencat dhe informacion të përgjithshëm për riskun, duke përfshirë edhe mallrat transit në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë dhe që kanë origjinën nga/apo destinacion një vend tjetër jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë. Në këto të dhëna mund të përfshihet, kur është e nevojshme, informacion për:
a) natyrën dhe sasinë e mallrave;
b) të drejtën e pronësisë intelektuale që dyshohet se shkelet;
c) origjinën, prejardhjen dhe destinacionin e mallrave;
ç) lëvizjet e mjeteve të transportit, në veçanti,:
i. emri i anijes dhe regjistrimi i mjetit të transportit;
ii.numrat e referencës së faturës së ngarkesës apo dokumente të tjera transporti;
iii.numri i kontejnerëve;
iv. pesha e ngarkesës;
v. përshkrimi dhe/ose kodi i mallrave;
vi.  numri i rezervimit;
vii.  numri i vulës;
viii.  vendi i ngarkimit të parë;
ix.  vendi i shkarkimit të fundit;
x.  vendet e transbordimit;
xi.  data e parashikuar e mbërritjes në vendin e shkarkimit të fundit.
d) lëvizjet e kontejnerëve, në veçanti,:
i. numri i kontejnerit;
ii. statusi i ngarkesës së kontejnerit;
iii. data e lëvizjes;
iv. lloji i lëvizjes (ngarkim, shkarkim, transferim, hyrje, dalje etj.);
v. emri i anijes ose regjistrimi i mjetit të transportit;
vi. numri i udhëtimit/lundrimit;
vii. vendi;
viii. fatura e ngarkesës apo dokumente të tjera transporti.
3. Rregullat për shkëmbimin e të dhënave, të referuara në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, përcaktohen në marrëveshjet ndërkombëtare dy-dhe shumëpalëshe.
SEKSIONI 2 
Shkatërrimi i mallrave, fillimi i procedurave dhe 
çlirimi i hershëm i mallrave
Neni 120/6
Shkatërrimi i mallrave dhe fillimi i procedurave 
 1. Mallrat që dyshohet se shkelin një të drejtë të pronësisë intelektuale mund të shkatërrohen nën mbikëqyrje doganore, pa qenë e nevojshme të vërtetohet nëse është shkelur një e drejtë e pronësisë intelektuale, kur plotësohen të gjitha kushtet e mëposhtme:
a) Mbajtësi i vendimit u konfirmon me shkrim autoriteteve doganore, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune ose 3 (tri) ditëve pune në rastet e mallrave që prishen shpejt, nga data e njoftimit për pezullimin e çlirimit ose ndalimin e mallrave se, sipas bindjes së tij, është shkelur një e drejtë e pronësisë intelektuale;
b) Mbajtësi i vendimit u jep me shkrim autoriteteve doganore, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune, ose 3 (tri) ditëve pune në rastet e mallrave që prishen shpejt, nga data e njoftimit për pezullimin e çlirimit ose ndalimin e mallrave, pëlqimin e tij për shkatërrimin e mallrave;
c) Deklaruesi apo mbajtësi i mallrave u jep me shkrim autoriteteve doganore, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune ose 3 (tri) ditëve pune në rastet e mallrave që prishen shpejt, nga data e njoftimit për pezullimin e çlirimit ose ndalimin e mallrave, pëlqimin e tij për shkatërrimin e mallrave. Kur deklaruesi apo mbajtësi i mallrave nuk ka dhënë pëlqimin e tij për shkatërrimin e mallrave dhe as nuk ka njoftuar kundërshtimin e tij pranë autoriteteve doganore brenda këtyre afateve, autoritetet doganore mund të vlerësojnë se deklaruesi apo mbajtësi i mallrave ka dhënë pëlqimin për shkatërrimin e mallrave.
  Autoritetet doganore çlirojnë mallrat apo përfundojnë ndalimin e tyre, menjëherë pas përfundimit të të gjitha formaliteteve doganore, kur brenda afateve të përcaktuara në shkronjat “a”, dhe “b”, të pikës 1, ata nuk i kanë marrë të dyja, konfirmimin me shkrim nga mbajtësi i vendimit se, sipas bindjes së tij, është shkelur një e drejtë e pronësisë intelektuale dhe pëlqimin e tij me shkrim për shkatërrimin e mallrave, përveçse kur këto autoritete janë informuar ligjërisht për fillimin e procedimit gjyqësor, nëpërmjet paraqitjes së një kopjeje të aktpadisë, të paraqitur pranë gjykatës kompetente për të vendosur nëse është shkelur një e drejtë e pronësisë intelektuale.
2. Shkatërrimi i mallrave kryhet nën kontrollin doganor dhe nën përgjegjësinë e mbajtësit të vendimit. Autoritetet doganore mund të marrin mostra përpara shkatërrimit të mallrave. Mostrat që merren mund të përdoren për qëllime edukative.
3. Kur deklaruesi apo mbajtësi i mallrave nuk ka dhënë me shkrim pëlqimin e tij për shkatërrimin e mallrave dhe kur nuk vlerësohet se ai ka dhënë pëlqimin e tij për shkatërrimin, brenda afatit të përcaktuar në shkronjën “c”, të paragrafit të parë, të pikës 1, autoritetet doganore njoftojnë për këtë menjëherë mbajtësin e vendimit. Mbajtësi i vendimit, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune ose 3 (tri) ditëve pune në rastin e mallrave që prishen shpejt, nga njoftimi i pezullimit të çlirimit apo ndalimit të mallrave, duhet të fillojë procedimin gjyqësor, nëpërmjet paraqitjes së një kopjeje të aktpadisë, të paraqitur pranë gjykatës kompetente për të vendosur nëse është shkelur një e drejtë e pronësisë intelektuale.
 4.  Përveçse në rastin e mallrave që prishen shpejt, autoritetet doganore, në raste të përshtatshme, mund të zgjatin afatin e përcaktuar në pikën 3, deri në 10 (dhjetë) ditë pune, me kërkesë të justifikuar nga mbajtësi i vendimit.
 5.  Autoritetet doganore çlirojnë mallrat apo përfundojnë ndalimin e tyre, menjëherë pas përfundimit të të gjitha formaliteteve doganore, nëse, brenda afateve të përcaktuara në pikat 3 dhe 4, nuk janë informuar ligjërisht, në përputhje me pikën 3, për fillimin e procedimit gjyqësor, nëpërmjet paraqitjes së një kopjeje të aktpadisë, të paraqitur pranë gjykatës kompetente për të vendosur nëse është shkelur një e drejtë e pronësisë intelektuale.
Neni 120/7 
Çlirimi i hershëm i mallrave
1. Kur autoritetet doganore janë njoftuar për fillimin e procedurës gjyqësore për të përcaktuar nëse një disenjo industriale, patentë për shpikje, model përdorimi, topografi e një produkti gjysmëpërçues apo varieteti bimor është shkelur, deklaruesi apo mbajtësi i mallrave mund t’u kërkojë autoriteteve doganore çlirimin e mallrave përpara përfundimit të procedurave në fjalë.
 2. Autoritetet doganore çlirojnë mallrat apo përfundojnë ndalimin e tyre vetëm kur plotësohen të gjitha kushtet e mëposhtme:
a) Deklaruesi apo mbajtësi i mallrave depoziton një garanci me një vlerë të mjaftueshme për të mbrojtur interesat e mbajtësit të vendimit;
b) Gjykata kompetente, që përcakton nëse është shkelur një e drejtë e pronësisë intelektuale, nuk ka dhënë një masë për sigurim padie për mallrat në fjalë;
c) Kur janë kryer të gjitha formalitetet doganore.
3. Depozitimi i garancisë së referuar në shkronjën “a”, të pikës 2, nuk cenon mjetet  juridike në dispozicion të mbajtësit të vendimit.
Neni 120/8
Mallrat për shkatërrim
1. Mallrat, që do të shkatërrohen sipas nenit 120/6 ose nenit 120/9, nuk duhet:
a) të çlirohen për qarkullim të lirë, përveçse kur autoritetet doganore, me pëlqimin e mbajtësit të vendimit, vendosin se është e nevojshme, në rastin kur mallrat do të riciklohen apo do të asgjësohen/do të shkatërrohen jashtë kanaleve tregtare, përfshirë për qëllime ndërgjegjësimi dhe edukative. Kushtet sipas të cilave mallrat mund të çlirohen për qarkullim të lirë përcaktohen nga autoritetet doganore;
b) të largohen nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë;
c) të eksportohen;
ç) të rieksportohen;
d) të vendosen nën një regjim/procedurë pezullimi;
dh) të vendosen në zonë të lirë apo magazinë të lirë.
2. Autoritetet doganore mund të lejojnë që mallrat e referuara në pikën 1 të lëvizin nën mbikëqyrje doganore brenda territorit doganor të Republikës së Shqipërisë me qëllim shkatërrimin e tyre nën mbikëqyrje doganore.
Neni 120/9 
Procedura për shkatërrimin e mallrave 
në dërgesa të vogla
 1. Ky nen zbatohet kur mallrat përmbushin të gjitha kushtet e mëposhtme:
a) Dyshohet se mallrat janë të falsifikuara apo pirate;
b) Janë mallra që nuk prishen shpejt;
c) Ka një vendim që miraton aplikimin për mallrat;
ç) Mbajtësi i vendimit ka aplikuar për përdorimin e procedurës të përcaktuar në këtë nen;
d) Mallrat janë transportuar në dërgesa të vogla.
 2. Kur zbatohet procedura e përcaktuar në këtë nen, pikat 3 dhe 4, të nenit 120, dhe pikat 2 dhe 3, të nenit 120/2, nuk zbatohen.
3.  Autoritetet doganore njoftojnë deklaruesin apo mbajtësin e mallrave për pezullimin e çlirimit të mallrave apo ndalimin e tyre brenda 1 (një) dite pune nga data e pezullimit apo ndalimit në fjalë. Në njoftimin e pezullimit të çlirimit apo ndalimit të mallrave duhet të përfshihet:
a) informacioni se autoritetet doganore kanë për qëllim të shkatërrojnë mallrat;
b) të drejtat e deklaruesit apo të mbajtësit të mallrave sipas pikave 4, 5 dhe 6.
4. Deklaruesit apo mbajtësit të mallrave i jepet mundësia për t’u shprehur brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e njoftimit të pezullimit të çlirimit apo ndalimit të mallrave.
5. Mallrat në fjalë mund të shkatërrohen kur, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e njoftimit të pezullimit të çlirimit të mallrave apo ndalimit të tyre, deklaruesi apo mbajtësi i mallrave ka dhënë pëlqimin e tij për shkatërrimin e mallrave, pranë autoriteteve doganore.
6. Kur deklaruesi apo mbajtësi i mallrave nuk ka dhënë pëlqimin e tij për shkatërrimin e mallrave, por as nuk ka njoftuar kundërshtimin e tij pranë autoriteteve doganore, brenda afatit të referuar në pikën 5, autoritetet doganore mund të vlerësojnë se deklaruesi apo mbajtësi i mallrave ka dhënë pëlqimin e tij për shkatërrimin e tyre.
7. Shkatërrimi duhet të kryhet nën mbikëqyrje doganore. Autoritetet doganore, sipas kërkesës dhe kur është e mundur, i vënë në dispozicion mbajtësit të vendimit informacion për sasinë reale apo të vlerësuar të mallrave të shkatërruara dhe natyrën e tyre.
8.  Kur deklaruesi apo mbajtësi i mallrave nuk ka dhënë me shkrim pëlqimin e tij dhe kur nuk vlerësohet se ka dhënë pëlqimin e tij për shkatërrimin e mallrave në përputhje me pikën 6, autoritetet doganore njoftojnë menjëherë mbajtësin e vendimit për këtë dhe për sasinë e natyrën e mallrave, përfshirë imazhet nëse është e nevojshme. Autoritetet doganore, gjithashtu, në bazë të një kërkese dhe nëse i disponon, i njoftojnë mbajtësit të vendimit emrat dhe adresat e pritësit të mallit, të dërguesit dhe deklaruesit apo mbajtësit të mallrave, procedurën doganore dhe origjinën, prejardhjen dhe destinancionin e mallrave, çlirimi i të cilave është pezulluar apo që janë ndaluar.
9. Autoritetet doganore çlirojnë mallrat apo përfundojnë ndalimin e tyre menjëherë pas përfundimit të të gjitha formaliteteve doganore, kur nuk kanë marrë informacion nga mbajtësi i vendimit për fillimin e procedimit gjyqësor, nëpërmjet paraqitjes së një kopjeje të aktpadisë, të paraqitur pranë gjykatës kompetente për të vendosur nëse është shkelur një e drejtë e pronësisë intelektuale, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e  njoftimit të referuar në pikën 8.
SEKSIONI 3
Përgjegjësia, kostot dhe sanksionet
Neni 120/10
Përgjegjësia e autoriteteve doganore
Vendimi që miraton një aplikim nuk i jep të drejtë mbajtësit të vendimit për të kërkuar kompensim nëse mallrat që dyshohen për shkelje të një të drejte të pronësisë intelektuale nuk janë zbuluar nga zyra doganore dhe, si rrjedhojë, janë çliruar apo nuk është kryer asnjë veprim për ndalimin e tyre.
Neni 120/11
Përgjegjësia e mbajtësit të vendimit
Kur një procedurë gjyqësore e filluar sipas këtij vendimi ndërpritet/pushohet për shkak të një veprimi apo mosveprimi nga mbajtësi i vendimit, kur mostrat e marra sipas pikës 2, të nenit 120/2, nuk kthehen apo janë dëmtuar dhe janë jashtë përdorimit, për shkak të një veprimi apo mosveprimi nga mbajtësi i vendimit, apo kur vërtetohet se mallrat në fjalë nuk shkelin një të drejtë të pronësisë intelektuale, mbajtësi i vendimit është përgjegjës kundrejt çdo mbajtësi të mallrave apo deklaruesi, i cili ka pësuar dëm nga kjo situatë, në përputhje me legjislacionin specifik në fuqi.
Neni 120/12
Kostot
 1. Kur kërkohet nga autoritetet doganore, mbajtësi i vendimit duhet të kompensojë kostot e përballuara nga autoritetet doganore apo palët e tjera që veprojnë për llogari të autoriteteve doganore, nga momenti i pezullimit të çlirimit të mallrave apo ndalimit të tyre, përfshirë magazinimin dhe trajtimin e mallrave, në përputhje me pikën 1, të nenit 120, pikën 1, të nenit 120/1, dhe pikat 2 e 3, të nenit 120/2, dhe kur përdoren masa korrigjuese, siç është shkatërrimi i mallrave, në përputhje me nenet 120/6 dhe 120/9.
Mbajtësi i vendimit, të cilit i është njoftuar pezullimi i çlirimit të mallrave apo ndalimi i tyre, në bazë të kërkesës së tij, informohet nga autoritetet doganore për vendin dhe mënyrën e magazinimit të këtyre mallrave dhe për koston e parashikuar të magazinimit, referuar në këtë pikë. Informacioni për kostot e vlerësuara mund të shprehet në terma të kohës, produkteve, volumit, peshës ose shërbimit në varësi të rrethanave të magazinimit dhe natyrës së mallrave.
2. Ky nen nuk cenon të drejtën e mbajtësit të vendimit për të kërkuar kompensim nga shkelësi apo personat e tjerë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3.  Mbajtësi i vendimit paguan çdo përkthim që kërkohet nga autoritetet doganore në lidhje me mallrat që dyshohet se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale.
Neni 120/13
Sanksionet 
1. Autoritetet doganore duhet të garantojnë se mbajtësit e vendimeve veprojnë në përputhje me detyrimet e përcaktuara në këtë vendim. Sanksionet e vendosura për shkeljet e të drejtave të pronësisë intelektuale duhet të jenë efektive, proporcionale e dekurajuese.
2. Për shkeljet e të drejtave të pronësisë intelektuale në doganë zbatohen sanksionet e parashikuara në Kodin Doganor.
SEKSIONI 4
Baza e të dhënave qendrore dhe mbrojtja 
e të dhënave 
Neni 120/14
Krijimi dhe administrimi i bazës elektronike 
së të dhënave 
1. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave krijon dhe mirëmban bazën e të dhënave në formë elektronike. Baza e të dhënave përmban të dhëna që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, përfshirë informacionin e përmendur në pikën 2, të nenit 118/3, dhe nenin 119/7.
2. Personeli doganor, që administron bazën e të dhënave, është përgjegjës për hedhjen dhe/ose ndryshimin e të dhënave, saktësinë, përshtatshmërinë, rëndësinë dhe konfidencialitetin e tyre. Nëse është e nevojshme, ajo ndryshon, shton apo korrigjon të dhënat në fjalë. Të dhënat personale trajtohen në përputhje me dispozitat në fuqi, në veçanti, me dispozitat për mbrojtjen e të dhënave.
3. Drejtori i Përgjithshëm miraton strukturat doganore dhe pozicionet e punës së punonjësve që kanë akses në bazën e të dhënave, sipas përgjegjësive dhe funksionave që ato/ata kanë.
4. Baza e të dhënave është konfidenciale dhe në të kanë të drejtë të regjistrojnë të dhëna apo t’i përdorin ato vetëm punonjësit doganorë të autorizuar për këtë qëllim nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave.
Neni 120/15 
Dispozitat për mbrojtjen e të dhënave
1. Përpunimi i të dhënave personale nga autoriteti doganor kompetent do të kryhet në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave në Republikën e Shqipërisë.
2. Të dhënat personale merren dhe përdoren vetëm për qëllimet e këtij vendimi. Të dhënat personale të mbledhura duhet të jenë të sakta dhe të përditësuara.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, që përfshin të dhëna personale në bazën e të dhënave, kontrollon përpunimin e këtyre të dhënave.
4. Një subjekt të dhënash ka të drejtë aksesi për të dhënat personale në lidhje me atë vetë, të cilat përpunohen nëpërmjet bazës të të dhënave, nëse është e nevojshme, si dhe ka të drejtë të ndryshojë, të fshijë apo të ndalojë të dhënat personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
5. Kërkesat për ushtrimin e të drejtave të aksesit, ndryshimit, fshirjes apo ndalimit të të dhënave duhet të paraqiten pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, e cila është organi kompetent që i shqyrton ato.
 6.  Të dhënat personale nuk ruhen për më shumë se gjashtë muaj nga data e revokimit të vendimit që miraton aplikimin apo nga data e përfundimit të afatit, gjatë të cilit autoritetet doganore duhet të kryejnë veprimet për mbrojtjen e një të drejte të pronësisë intelektuale.
7. Kur mbajtësi i vendimit ka filluar një procedim gjyqësor, në përputhje me pikën 3, të nenit 120/6, ose pikën 9, të nenit 120/9, dhe ka njoftuar autoritetet doganore për fillimin e procedurës në fjalë, të dhënat personale ruhen gjashtë muaj pas vendimit gjyqësor të formës së prerë, që përcakton nëse ka pasur shkelje të një të drejte të pronësisë intelektuale.
II. Dispozita kalimtare dhe të fundit
1. Aplikimet e miratuara, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.205, datë 13.4.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e dispozitave zbatuese Kodit Doganor”, të ndryshuar, të cilat nuk kanë përfunduar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, vazhdojnë të jenë të vlefshme vetëm për periudhën e specifikuar në vendimin e miratimit të aplikimit, gjatë së cilës autoritetet doganore duhet të kryejnë veprime.
2. Aktet e nivelit të tretë të miratuara nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave, që rregullojnë mbrojtjen e pronësisë intelektuale në doganë, për aq sa nuk bien ndesh me përcaktimet e këtij vendimi, zbatohen deri në shfuqizimin e tyre në mënyrë nominative me akt të posaçëm.
3. Pika 3, e nenit 118/2, dhe nenet 120/14 e 120/15, të këtij vendimi, fillojnë të zbatohen sapo të jenë funksionale sistemet apo baza e të dhënave elektronike.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
Edi RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË BASHKËRENDIMIT TË PUNËS, NDËRMJET ALUIZNI-T DHE ZQRPP-SË, DHE TË PROCEDURAVE APO KUFIZIMEVE QË ZBATOHEN PËR EFEKT TË REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË LEGALIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe nenit 30, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. RREGULLAT DHE PROCEDURAT E SHKËMBIMIT TË INFORMACIONIT NDËRMJET ALUIZNI-T DHE ZRPP-SË
1. ALUIZNI dhe ZRPP-ja bashkërendojnë aktivitetin për:
a) verifikimin e gjendjes juridike të pronës ku janë ngritur ndërtimet informale;
b) përmirësimin/përditësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme, kartelave dhe hartave kadastrale, sipas blloqeve kadastralë ku janë ngritur ndërtimet informale;
c) regjistrimin e lejes së legalizimit dhe të pasurisë së legalizuar.
2. Kërkesa për informacion, për verifikimin e gjendjes juridike të pronës (statusit juridik), dërgohet nga ALUIZNI pranë ZVRPP-së, jo më vonë se 10 ditë nga data e evidentimit faktik në terren (data e “Procesverbalit të evidentimit në terren”) dhe shoqërohet nga harta vektoriale në format shkresor dhe elektronik.
3. ZVRPP-ja, brenda 15 ditëve nga administrimi i kërkesës, dërgon informacionin mbi gjendjen juridike të pronave në bllokun kadastral, në të cilin përfshihen:
a) të dhënat mbi pronarin e pasurisë,
b) harta kadastrale, në format shkresor dhe elektronik,
c) kartelat.
4. Informacioni mbi gjendjen juridike shërben vetëm për përcaktimin e titullarit të së drejtës së pronësisë, mbi parcelën ndërtimore të objektit informal, dhe për procedurën e kualifikimit, vetëm për ndërtimin informal që gjendet në kushtet e nenit 35, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.
5. Kur ZVRPP-ja nuk dërgon informacion, sipas përcaktimeve të pikës 3, ALUIZNI vijon procedurat administrative për legalizimin e ndërtimit, duke kërkuar regjistrimin e tij, sipas krerëve II e III, të këtij vendimi.
6. Kur zona kadastrale nuk i është nënshtruar regjistrimit fillestar dhe poseduesi i ndërtimit nuk disponon dokumetacion që provon pronësinë mbi truallin, ALUIZNI vijon procedurat e kalimit të së drejtës së pronësisë, si në rastin e ndërtimeve informale të ngritura mbi truall “shtet”.
7. Përcaktimet e pikës 6, të këtij vendimi, në asnjë rast nuk cenojnë të drejtën e pronarit joposedues të truallit për kompensim, sipas nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Nëse, gjatë procedurave të regjistrimit fillestar, ka pretendime pronësie mbi truallin, të mbështetura mbi tituj më të hershëm se leja e legalizimit, atëherë ZVRPP-ja i kërkon ALUIZNI-t hartimin e propozimeve për procedurat e kompensimit për pronarin joposedues.
8. Përcaktimet e pikave 5 e 6 nuk zbatohen për territoret ku dokumentet e miratuara të planifikimit të territorit parashikojnë ngritjen e ndërtimeve mbi gjashtë kate.
II. PARAQITJA E KËRKESËS PËR REGJISTRIMIN E LEJES SË LEGALIZIMIT
9. Kërkesa për shërbimin e regjistrimit të lejes së legalizimit dhe për lëshimin e certifikatës së pronësisë, për pasurinë e legalizuar, paraqitet nga ALUIZNI, në emër të përfituesit të lejes, sipas formularit të kërkesës, të miratuar nga ZRPP-ja.
10. Kërkesa për regjistrim paraqitet në ZVRPP nga ALUIZNI, brenda 5 ditëve nga data e miratimit të lejes së legalizimit, dhe shoqërohet me dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Leje legalizimi;
b) Genplan i pasurisë së legalizuar, si fragment i hartës vektoriale të bllokut kadastral;
c) Planimetri e ndërtimit informal (për çdo kat);
ç) Kopje e certifikatës së gjendjes familjare të poseduesit, që disponon ALUIZNI, nga momenti i aplikimit për legalizim.
11. Në rastin kur poseduesi i ndërtimit të legalizuar gjendet në kushtet e nenit 16, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, apo kur ka lidhur me ALUIZNI-n kontratën e kalimit të pronësisë mbi parcelën ndërtimore, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, bashkë me dokumentacionin e pikës 10, të këtij vendimi, pranë ZVRPP-së dërgohet edhe dokumentacioni i pronësisë mbi parcelën ndërtimore.
12. Trajtimi i kërkesës së paraqitur nga ALUIZNI, sipas pikës 10, të këtij vendimi, nuk i nënshtrohet afateve dhe procedurave standarde, të përcaktuara në vendimin nr.376, datë 6.6.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e lëshimit të dokumenteve nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar.
III. PROCEDURAT E REGJISTRIMIT TË LEJES SË LEGALIZIMT
13. Regjistruesi, me paraqitjen e kërkesës, sipas pikës 10, të këtij vendimi, kryen, brenda 10 ditëve, regjistrimin e lejes së legalizimit, në përputhje me nenin 49, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Përcaktimi nëse pasuria (objekti i legalizuar) është individuale, familjare apo në bashkëpronësi (I/F/B) kryhet nga ZVRPP-ja, mbi bazën e lejes së legalizimit dhe certifikatës së gjendjes familjare, që përcillet nga ALUIZNI.
Procedurat e hollësishme të ofrimit nga ZVRPP-ja të shërbimit të regjistrimit dhe të lëshimit të certifikatës së pasurisë së paluajtshme të legalizuar përcaktohen me udhëzim të përbashkët të kryeregjistruesit dhe drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t.
14. Leja e legalizimit, e miratuar pa marrëdhënie pronësie me parcelën ndërtimore (truallin), regjistrohet nga ZVRPP-ja në një kartelë tjetër pasurie, nga ajo e truallit, duke bërë shënimet përkatëse në kartelë.
15. Heqja e shënimeve në kartelë dhe regjistrimi i pronësisë mbi parcelën ndërtimore, për lejen e regjistruar, sipas pikës 14, kryhet nga ZVRPP-ja menjëherë, me hyrjen në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave që miraton kalimin e të drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore dhe kompensimin e pronarëve.
16. Krahas procedurave të përcaktuara në pikat 14 e 15, të këtij vendimi, ZVRPP-ja bën edhe regjistrimin e hipotekës ligjore, sipas pikës 2/1, të nenit 30, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizmin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Regjistrimi i hipotekës ligjore bëhet në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë së legalizuar.
17. Për ndërtimet që posedohen nga më shumë se një subjekt, në rast mospagese të pjesës takuese të detyrimit për parcelën ndërtimore, hipoteka ligjore vendoset për pjesën takuese të pasurisë së legalizuar.
18. Fshirja e hipotekës ligjore nga ZVRPP-ja kryhet jo më vonë se 5 ditë, nga data e njoftimit të ALUIZNI-t për shlyerjen e pagesave, njoftim që shoqërohet nga dokumentacioni provues.
19. Leja e legalizimit, e lëshuar për ndërtime, për të cilat subjekti disponon të drejtën e pronësisë mbi parcelën ndërtimore (truallin), sipas formës së kërkuar nga ligji, regjistrohet nga ZVRPP-ja në regjistrin e pasurive të paluajtshme, në përputhje me afatin e parashikuar në pikën 13, të këtij vendimi.
20. Leja e legalizimit regjistrohet në përputhje me dispozitat e Kodit të Familjes mbi regjimet pasurore martesore.
Për këtë qëllim, personat e interesuar, që përfitojnë lejen e legalizimit, dorëzojnë pranë ALUIZNI-t dokumentin që provon regjimin e veçantë martesor, i cili përcillet pranë ZVRPP-së. Në të kundërt, regjistrimi kryhet sipas regjimit të bashkësisë ligjore.
21. Kur leja e legalizimit është nxjerrë në favor të më shumë se një personi (fizik/juridik), për regjistrimin e saj zbatohen përcaktimet e pikës 2, të nenit 30, të ligjit nr.9482/2006, ““Për legalizimin, urbanizmin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
22. Në zbatim të pikës 11, të vendimit nr.488, datë 22.7.2014, të Këshillit të Ministrave, ALUIZNI i kërkon zyrtarisht Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike konfirmim për përmbushjen ose jo të detyrimeve nga ana e subjekteve përfitues të lejeve të legalizimit. Nëse OSHEE-ja nuk kthen përgjigje brenda 10 ditëve nga administrimi i kërkesës, ALUIZNI njofton Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë.
23. Subjektet përfitues të lejeve të legalizimit, që konfirmohet se kanë shlyer pagesat e furnizimit me energji elektrike, gjatë një viti, nga momenti i njoftimit të pagesës së parcelës ndërtimore, përfitojnë faljen e 10% të vlerës. Për subjektet debitorë, ALUIZNI i kërkon ZVRPP-së vendosjen e kufizimit mbi pasurinë e legalizuar.
24. Leja e legalizimit, e lëshuar për projeksionin e soletës ose të volumit të mbështetur vetëm në një krah (konsolës), regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme, në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi.
25. Për regjistrimin e shtesës informale në lartësi, në pallatet me leje, ZVRPP-ja procedon sipas përcaktimeve të këtij vendimi. Për këtë qëllim, ZVRPP-ja kryen shënimet përkatëse në regjistrin e pasurive të paluajtshme, për rishpërndarjen e kuotave të pjesëmarrjes mbi truallin e ndërtesës ekzistuese, si dhe mbi hapësirën e përbashkët (në bashkëpronësi të detyrueshme).
26. Vendimi nr.258, datë 4.5.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme të legalizuara”, shfuqizohet.
27. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.54, DATË 21.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE  TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I OBJEKTIT “STUDIM, PROJEKTIM, LIDHJA E RRUGËS TRANSBALLKANIKE ME SUPERSTRADËN FIER – VLORË”,  TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.54, datë 21.1.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Në pikat 3 dhe 4, vlera 582 942 635.82 (pesëqind e tetëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e dyzet e dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë e pesë pikë tetëdhjetë e dy) lekë, ndryshon dhe bëhet 582 288 595.82 (pesëqind e tetëdhjetë e dy milionë e dyqind e tetëdhjetë e tetë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e pesë pikë tetëdhjetë e dy) lekë.
2. Në tabelën bashkëlidhur vendimit bëhen ndryshimet në numrat rendorë përkatës, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA 
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR. 488,  DATË 22.7.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,   “PËR PËRCAKTIMIN E ÇMIMIT FAVORIZUES TË SHITJES  SË PARCELËS NDËRTIMORE PËR NDËRTIMET PA LEJE  ME FUNKSION BANIMI DHE TË PËRZIER, TË SUBJEKTEVE QË PËRFITOJNË FALJE TË PAGESËS, SI DHE TË MËNYRËS  E AFATEVE TË PAGESËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.488, datë 22.7.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Në pikën 2, fjalët “…territorit administrativ të komunave…” dhe “…territorit administrativ të bashkive…” zëvendësohen, përkatësisht, me “…territorit të njësive administrative fshat…” dhe “…territorit të njësive administrative qytet…”.
2. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Për ndërtimet pa leje, me funksion banimi, dhe për shtesat, me funksion banimi, çmimi i shitjes së parcelës ndërtimore, deri në/dhe përfshirë 500 m², llogaritet sipas pikave 1 e 2, të këtij vendimi.”.
3. Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:
“4/1. Për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë statusin e invalidit të punës ose që kanë bashkëshortë me këtë status, në kuptim të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidëve të punës”, me paraqitjen e dëshmisë zyrtare përkatëse, pranë drejtorisë së ALUIZNI-t, detyrimi financiar për parcelën ndërtimore zbritet në masën 50%, nga vlera e llogaritur në bazë të kreut I, të këtij vendimi.”.
4. Pas pikës 5 shtohen pikat 5/1, 5/2 e 5/3, me përmbajtje, si më poshtë vijon:
“5/1. Subjektet e parashikuara në pikat 4, 4/1 dhe 5, të këtij vendimi, përfitojnë vetëm një herë faljen apo zbritjen nga detyrimi për parcelën ndërtimore, cilido qoftë funksioni i ndërtimit. Lehtësitë, sipas pikave të mësipërme, përfitohen për ato ndërtime për të cilat nuk është shlyer ende detyrimi financiar për parcelën ndërtimore. Këto lehtësi aplikohen pavarësisht nëse subjektet kanë përfituar legalizim të ndërtimeve të tjera, përpara datës 4 gusht 2014.
5/2. Përfitojnë faljen apo zbritjen e detyrimit për parcelën ndërtimore subjektet që janë aplikues për legalizim ose që u janë njohur të drejta mbi ndërtimin pa leje, me vendim gjyqësor të formës së prerë. Nuk përfitojnë lehtësitë, për shkak të statusit të veçantë, të parashikuara në pikat 4, 4/1 e 5, të këtij vendimi, subjektet të cilëve u është transferuar e drejta e legalizimit të ndërtimit pa leje përmes një veprimi juridiko-civil.
5/3. Bashkësitë fetare, që kanë lidhur marrëveshje me Këshillin e Ministrave, për objektet e kultit, institucionet e arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar, objektet me destinacion për shërbime sociale a shëndetësore, përjashtohen nga pagesa për parcelën ndërtimore, në përputhje me nenin 12, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare, që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”.
Ky përjashtim vlen edhe për objektet e tjera, në kuptim të nenit 25, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.”.
5. Pas pikës 6 shtohen pikat 6/1 e 6/2, me përmbajtje, si më poshtë vijon:
“6/1. Njoftimi dërgohet në rrugë postare ose i jepet në dorëzim subjektit, nga drejtoria përkatëse e ALUIZNI-t, pas miratimit të kalimit të së drejtës së pronësisë me vendim të Këshillit të Ministrave.
6/2. Kur njoftimi nuk mund të dërgohet në rrugë postare, për shkak të mungesës së adresës, apo kur subjekti refuzon të marrë në dorëzim njoftimin, ai afishohet për 30 ditë në një vend të dukshëm, pranë njësisë administrative ku ndodhet ndërtimi pa leje. Llogaritja e afatit për pagesën, në këtë rast, fillon të nesërmen e ditës së fundit të afishimit.”.
6. Pika 10 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“10. Deri në shlyerjen e detyrimit financiar të parcelës ndërtimore, ndërtimi i legalizuar regjistrohet me hipotekë ligjore, sipas nenit 54, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.”.
7. Pas pikës 10 shtohet pika 10/1, me këtë përmbajtje:
“10/1. Kur kalimi i së drejtës së pronësisë është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përpara datës 31.12.2015, dhe nuk është lëshuar ende leja e legalizimit, ALUIZNI njofton subjektin për detyrimin financiar, sipas procedurës së përcaktuar në këtë vendim. Subjekti ka 60 ditë afat për shlyerjen e detyrimit financiar.
Për subjektet posedues të ndërtimeve pa leje, që janë njoftuar nga ALUIZNI për detyrimin financiar deri në datën 31.12.2015, për të cilët nuk është lëshuar ende leja e legalizimit, do të respektohet afati 6-mujor për shlyerjen e detyrimit, duke filluar nga data e njoftimit.
Në rast mospagese të detyrimit financiar, sipas afateve të përcaktuara në këtë pikë, ALUIZNI miraton lejen e legalizimit dhe e dërgon për regjistrim me hipotekë ligjore, sipas nenit 54, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme””.
8. Pas pikës 11 shtohet pika 11/1, me këtë përmbajtje:
“11/1. Të drejtat, detyrimet dhe procedurat e parashikuara në krerët II e III, të këtij vendimi, zbatohen si për objektet pa leje edhe për shtesat në ndërtime me leje, që i nënshtrohen kalimit të pronësisë mbi parcelën ndërtimore.”.
9. Kudo në tekst, fjalët “…anësore dhe/ose në lartësi…” shfuqizohen.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA
***
V E N D I M
PËR  
MIRATIMIN E KUSHTEVE DHE PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR TRANSPORTIN RRUGOR TË NXËNËSVE TË ARSIMIT PARASHKOLLOR, PARAUNIVERSITAR DHE TË STUDENTËVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, nenit 24, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, dhe nenit 19, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kushteve dhe përcaktimin e rregullave për transportin rrugor të nxënësve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe të studentëve, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Urdhri i përbashkët nr.417, datë 29.8.2012, “Për marrjen e masave për mbarëvajtjen e transportit rrugor të mësuesve, nxënësve dhe të studentëve”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
  Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
***

V E N D I M

PËR

SHPËRBLIMIN DHE KOMPENSIMIN E DISA KATEGORIVE TË VEÇANTA PËR FESTAT E FUNDVITIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të neneve 10 e 13, të ligjit  nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Në sistemin e arsimit publik jepen shpërblime për kategoritë e mëposhtme:

a)    Për 500 mësuesit më të spikatur jepet shpërblimi, në masën 40 000 (dyzet mijë) lekë.
b)    Për nxënësit e shkëlqyer në ciklin e dytë të sistemit e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm jepet shpërblimi prej 5 000 (pesë mijë) lekësh.
c)    Për studentët e ekselencës në sistemin e arsimit të lartë jepet shpërblimi prej 5 000 (pesë mijë) lekësh.

Efektet financiare përballohen nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, miratuar për vitin 2015.

2.    Për 300 mjekët më të spikatur jepet shpërblimi, në masën 40 000 (dyzet mijë) lekë. Efekti financiar përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, miratuar për vitin 2015.

3.    Përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë përfitojnë kompensimin financiar në masën 2 000 (dy mijë) lekë, të ndarë sipas kategorive të mëposhtme:

a)    Familje të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike;
b)    Familje që kanë në përbërjen e tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”;
c)    Individët përfitues të statusit sipas ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar;
ç) Individët përfitues të statusit sipas ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar.

Efektet financiare përballohen nga zëri “Ndihma ekonomike dhe pagesa e paaftësisë”, miratuar në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për vitin 2015.

4.    Pensionistët përfitojnë kompensimin financiar, në masën 2 000 (dy mijë) lekë, të ndarë sipas kategorive të mëposhtme:

a)    Personat, që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social, sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e  Shqipërisë”, të ndryshuar.
b)    Personat, që marrin pension, sipas ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”, dhe sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
c)    Personat, që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, dhe personat, që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar.
ç) Personat, që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakeve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe personat që marrin pension sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”.

Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2015 për skemën e sigurimeve shoqërore në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

5.    Ngarkohen Ministria e Financave dhe ministritë e institucionet e përmendura në këtë vendim për detajimin e fondeve sipas strukturës përkatëse buxhetore dhe përcaktimin e procedurës së dhënies së shpërblimeve dhe të kompensimit financiar.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RREGULLAVE, KUSHTEVE E PROCEDURAVE PËR PËRDORIMIN DHE MENAXHIMIN E HAPËSIRËS PUBLIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4/1, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e rregullave, kushteve e procedurave për përdorimin dhe menaxhimin e hapësirës publike, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletore zyrtare”

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

RREGULLAT, KUSHTET E PROCEDURAT PËR PËRDORIMIN DHE MENAXHIMIN E HAPËSIRËS PUBLIKE

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Ky vendim përcakton rregullat, kushtet e procedurat për përdorimin dhe menaxhimin e hapësirës publike.

Neni 2
Objekti

Ky vendim rregullon hapësirat publike ekzistuese si dhe ato që krijohen në zbatim të dokumenteve të planifikimit.

Neni 3
Përkufizime

1. Në këtë akt, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a)    Marrëveshja e PDV-së, marrëveshja që lidhet ndërmjet palëve private dhe autoritetit vendor të planifikimit, për miratimin e një plani të detajuar vendor (PDV), dhe që ka si objekt përcaktimin e të drejtave të zhvillimit të pronave të njësisë strukturore përkatëse, shpërndarjen e drejtë të detyrimeve dhe përfitimeve të palëve të përfshira si dhe kushtet për krijimin e infrastrukturës dhe hapësirës publike; marrëveshja e PDV-së përmban detyrimisht, të paktën, dispozitat e përcaktuara në modelin bashkëlidhur këtij vendimi, në shtojcën A, të tij.
b)    Mobilimi urban, procesi i projektimit, ndërtimit dhe/ose vendosjes në hapësirë publike të objekteve apo ndërtimeve të lëvizshme ose jo, me qëllim përmirësimin e cilësisë funksionale dhe estetike të saj, rritjen e sigurisë publike dhe, sipas rastit, zbutjen e trafikut. Objektet e mobilimit urban përfshijnë vegjetacion, shtresat në sipërfaqen e hapësirave publike, stola, shatërvane, instalime artistike, skulptura, tabela për emërtime të rrugëve apo reklamime, kabina telefonike, kosha për mbeturina, ndriçues, semaforë, trarë dhe objekte kufizimi të parkimit ose për ngadalësimin e automjeteve, kuti postare etj.
c)    Pallat, një ndërtesë apo grup ndërtesash që shërbejnë për banim dhe që mund të kenë lokale shërbimesh e tregtie, i përbërë nga, të paktën, 5 njësi, sipas përkufizimit të termit “njësi” në legjislacionin për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit.
ç) Shërbimet e lejuara, shërbimet që autoriteti vendor lejon të kryhen në hapësirë publike, sipas kategorive të lejuara të përdorimit të tokës, dhe që janë të përputhshme me ndërtimet rreth hapësirës ku ato krijohen, sipas ligjit dhe dokumenteve të planifikimit.
d) Studime urbanistike të miratuara, dokumente planifikimi të detajuara për një zonë të caktuar (si PDV, studime urbanistike pjesore), të miratuara përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.
dh) Zona e vlerësimit të veçantë, një zonë në të cilën zbatohet një program për investime të reja/përmirësuese në infrastrukturë publike, të cilat ndikojnë në rritjen e vlerës së pasurisë së paluajtshme. Në zbatim të këtij programi, autoriteti publik ngarkon, të paktën, një pjesë të kostos së investimit publik te pronarët e zonës. Kërkesa për klasifikimin e zonës si zonë e vlerësimit të veçantë mund t`i vijë autoritetit publik vendor nga vetë pronarët dhe/ose banorët e zonës.

2. Termat e tjerë, të përdorur në këtë vendim, kanë të njëjtin kuptim me ata të përcaktuar në ligjin nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”,  të ndryshuar, dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

KREU II
HAPËSIRA PUBLIKE EKZISTUESE

Neni 4
Regjimi i hapësirave publike ekzistuese 

1.    Hapësirat publike ekzistuese, si trotuarë, rrugë, sheshe, lulishte, parqe,  shëtitore, rrugëkalime e mjedise të tjera në përdorim publik, janë të pacenueshme dhe nuk mund të ndryshojnë destinacionin e tyre në shërbim të përdorimit publik, përveçse përmes dokumenteve të planifikimit, të parashikuara nga ligji.

2.    Pjesa e parcelës apo parcelave të ndërtuara jashtë gjurmës së ndërtimit të pallateve është hapësirë publike dhe përdoret si e tillë nga bashkësia e qytetarëve. Kjo hapësirë nuk rrethohet, me përjashtim të rasteve kur është parashikuar ndryshe në lejen e ndërtimit. Bashkia mbulon shpenzimet e mirëmbajtjes së saj.

3.    Në rastet kur hapësira, sipas pikës 2, më sipër, është në shërbim të bashkësisë së pronarëve, sipas ligjit për bashkëpronësinë, asambleja e bashkëpronarëve kryen mirëmbajtjen dhe përmirësimin, sipas rregullave të përcaktuara nga bashkia, dhe mbulon shpenzimet përkatëse. Në të kundërt, mirëmbajtja dhe përmirësimet kryhen nga autoriteti vendor, në mënyrë të detyrueshme, dhe shpenzimet e ndërhyrjes i ngarkohen asamblesë së bashkëpronarëve.

Neni 5
Hapësirat publike sipas PDV-ve

1.    Hapësirat publike, të parashikuara në një plan të detajuar vendor, të hartuar dhe miratuar sipas ligjit, kalojnë në pronësi të autoritetit publik, sipas marrëveshjes së PDV-së, që hartohet sipas modelit bashkëlidhur në shtojcën A, dhe mirëmbahen prej tij.

2.    Hapësirat publike, të parashikuara në studime urbanistike të miratuara, ku kanë gjetur trajtim të drejtat e zhvillimit që u përkasin pronave të përfshira në studim, mirëmbahen dhe përmirësohen nga autoriteti publik, me shpenzimet e veta.

KREU III
KRIJIMI I HAPËSIRËS PUBLIKE 

Neni 6
Instrumentet për krijimin e infrastrukturës
dhe hapësirës publike

1.    Instrumentet që mund të përdorë autoriteti vendor i planifikimit për krijimin  e financimin e infrastrukturës dhe hapësirës publike, bazuar në legjislacionin në fuqi, janë si më poshtë vijon:

a) intensiteti i ndërtimit me kushte;
b) transferimi i së drejtës për zhvillim midis parcelave;
c) zona për zhvillimin e biznesit (BID);
ç) pagesa, nga pronarët e zonës përfituese, të pjesës së përfitimit që rrjedh nga vlera e rritur e tokës;
d)     riorganizimi i parcelave;
dh)     zona e vlerësimit të veçantë (SAD–Special Assessment Districts), nëpërmjet së cilës subjektet private financojnë përmirësime të infrastrukturës së një zone të caktuar, ku kanë interes;
e)  instrumente të tjera, sipas ligjit.

2.    Zbatimi i instrumenteve të mësipërme për krijimin e hapësirës publike paraprihet nga hartimi dhe realizimi i programeve përkatëse.

3.    Subjektet private dhe autoriteti publik, në marrëveshje ndërmjet tyre, mund të zbatojnë një ose më shumë nga instrumentet e mësipërme, në kuadrin e një partneriteti publik privat.

4.    Hapësirat publike të krijuara janë, në çdo rast, lirisht të aksesueshme nga publiku.

5.    Lejet e ndërtimit për pallate, në rastet kur Plani i Përgjithshëm Vendor nuk përcakton detyrimin e hartimit të një plani të detajuar vendor, duhen të përmbajnë kushtet për krijimin e hapësirës publike në pjesën e parcelës që mbetet jashtë gjurmës së ndërtimit. Rregullat për administrimin dhe kalimin në pronësi publike të hapësirës dhe infrastrukturës publike përcaktohen në marrëveshjen e lidhur nga zhvilluesi me autoritetin publik, që miraton lejen e ndërtimit.

Neni 7
Programi për krijimin e hapësirës
publike

1.    Programi për krijimin e hapësirës publike nëpërmjet instrumenteve të përmendura në pikën 1, të nenit 6, zbatohet nga autoriteti vendor i planifikimit, përmes PDV-ve ose lejeve të ndërtimit, sipas rastit. Në rastin kur në Planin e Përgjithshëm Vendor zhvillimi i zonës përcaktohet të paraprihet nga hartimi i një plani të detajuar vendor, programi mund të zbatohet përmes PDV-ve.

2.    Programi, sipas rastit, mund të përmbajë, si më poshtë vijon:

a) qëllimin dhe strategjinë e komunikimit publik;
b) instrumentet që do të përdoren për krijimin e hapësirës publike, sipas nenit 6, më sipër;
c) shpërndarjen e detyrimeve e përfitimeve ndërmjet palëve private, si dhe ndërmjet palës private dhe asaj publike, përfshirë, sipas rastit, pjesën e  përfitimit të autoritetit vendor nga vlera e rritur e tokës, që vjen si rezultat i krijimit të infrastrukturave publike nga vetë autoriteti publik, apo i ndryshimeve përmirësuese të kushteve zhvillimore;
ç)  studim fizibiliteti për zbatimin e programit;
d) buxhetin, afatin e zbatimit si dhe mënyrën dhe/ose strukturën e administrimit të programit.

Neni 8
Përmbajtja e PDV-së në funksion të krijimit
të hapësirave publike

Në rastin kur programi zbatohet nëpërmjet një PDV-je, kjo e fundit duhet të përmbajë, detyrimisht,:

a) hapat për krijimin e hapësirave publike për zonën e trajtuar me PDV, përfshirë përcaktimin e kontributit publik e privat për ndërtimin e infrastrukturës dhe hapësirës publike, sipas nenit 9, në vijim;

b) identifikimin e parcelave në pronësi private, ose pjesëve të tyre, që kalojnë në pronësi të bashkisë, pa shpërblim, me qëllim dhe destinacion krijimin e rrugëve, shërbimeve, infrastrukturës publike si dhe të hapësirës publike, në përgjithësi;
c)  fazat e zbatimit të projektit;
ç) sanksionet që do të zbatohen, në rast shkeljeje të detyrimeve të përcaktuara në PDV, në përputhje me ligjet në fuqi;
d) marrëveshjen e PDV-së për ndarjen e drejtë të detyrimeve dhe përfitimeve të palëve të përfshira, sipas nenit 9, në vijim.

Neni 9
Përmbajtja e marrëveshjes
së PDV-së

1. Marrëveshja e PDV-së, ndërmjet subjekteve private dhe autoritetit publik, sipas neneve 5 e 8, më sipër, duhet të përmbajë detyrimisht, të paktën,:

a) detyrimin për financimin dhe kryerjen e punimeve të infrastrukturës e hapësirës publike nga subjektet e përfshira;
b) mënyrën e financimit dhe afatet përkatëse nga ana e subjekteve të përshira në marrëveshje (si p.sh. përmes dhënies së kontributeve në natyrë, formave të taksimit, fondeve të përbashkëta, bonove, në përputhje me ligjin).
c) kalimin pa shpërblim në pronësi, në favor të bashkisë, në territorin e së cilës do të kryhet zhvillimi, të pronave ose pjesëve të tyre ku do të krijohen infrastruktura dhe hapësira publike, sipas marrëveshjes;
ç) afatet për zbatimin, sipas rastit, të PDV-së ose programit të krijimit të hapësirës publike dhe lëshimin e lejeve të zhvillimit, ndërtimit e përdorimit nga bashkia, përfshirë fazat përkatëse;
d) garancitë financiare, të siguruara nga zhvilluesit për zbatimin, sipas rastit, të PDV-së, programit të krijimit të hapësirës publike dhe/ose lejes së ndërtimit;
dh) sanksionet për rastet e mosrespektimit të detyrimeve të ndërmarra nga zhvilluesi, sipas marrëveshjes.

2. Nënshkrimi i marrëveshjes, si më sipër, është kusht për miratimin e PDV-së përkatëse.

KREU IV
RREGULLA PËR PËRDORIMIN E
HAPËSIRËS PUBLIKE 

Neni 10
Veprimtari të lejuara

Në hapësirat publike lejohen të kryhen vetëm aktivitete që janë në përputhje me qëllimin e krijimit të tyre, duke respektuar funksionin, kushtet e përdorimit dhe shërbimet e lejuara, të përcaktuara nga autoriteti i planifikimit.

Neni 11
Zënia e hapësirës publike

1.    Është e ndaluar zënia, edhe përkohësisht, me çfarëdo lloj objekti, e hapësirës publike dhe hapësirave mbi ose nën të, pa lejen apo autorizimin e bashkisë apo autoritetit përgjegjës për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e tyre.

2.    Përjashtohen nga rregulli i mësipërm rastet e mëposhtme:

a)    stacionimi i automjeteve, publike a private, në vendqëndrimet e përcaktuara;
b)    stacionimi i mjeteve të transportit në rrugë dhe sheshe, për kohën ngushtësisht të nevojshme për operacionet e ngarkim/shkarkimit;
c)    vendosja e shkallëve të lëvizshme jashtë dyqaneve, për pastrimin e vitrinave, sipas orareve të përcaktuara nga njësia vendore për kryerjen e kësaj veprimtarie.

3.    Ndalohet, në çdo rast, dhënia e autorizimit për zënien e hapësirave të parqeve apo lulishteve me çdo lloj objekti, nga privatët, përfshirë elemente të lëvizshme, si tryeza e karrike, me përjashtim të rasteve kur dokumentet e planifikimit e lejojnë, me kritere të përcaktuara qartësisht. Deri në hartimin e dokumenteve të planifikimit për territoret administrative të bashkive, lejohet dhënia e autorizimeve për zënien e përkohshme të hapësirës së parqeve për ofrimin e shërbimeve qytetarëve (bar, kafe, restorant), që nuk duhet të tejkalojë, në total, masën 0,5% të sipërfaqes së parkut.

Neni 12
Hedhja e mbeturinave

Është e ndaluar vendosja, braktisja ose hedhja, në hapësira publike, e  mbeturinave dhe çdo lloj lënde tjetër, të ngurtë ose të lëngshme.

Neni 13
Mbrojtja e monumenteve, ndërtesave, parqeve
dhe lulishteve publike

Është e ndaluar prishja, dëmtimi apo përlyerja, edhe me postera, e monumenteve, ndërtesave publike dhe private, mureve, në hapësira publike, parqeve dhe lulishteve, gjetjeve arkeologjike, rrethimeve, shatërvaneve, mobilimit urban, vitrinave, qepenave të bizneseve tregtare dhe të tjera objekteve prezente në hapësira publike.

Neni 14
Sanksionet

Shkelja e detyrimeve të mësipërme, kur nuk përbën vepër penale apo kundërvajtje administrative sipas ligjeve të veçanta, dënohet në bazë të akteve të këshillit bashkiak, brenda juridiksionit të caktuar territorial.

Neni 15
Rregulla shtesë

Autoritetet vendore përgjegjëse mund të miratojnë rregulla shtesë për përdorimin e hapësirës publike, sipas nevojave përkatëse.

KREU V
MENAXHIMI I HAPËSIRËS PUBLIKE 

Neni 16
Hapësira publike në pronë private

1.    Hapësirat publike që krijohen sipas kreut III, të këtij vendimi, të cilat janë në pronë private, mund të administrohen nga vetë pronarët, në përputhje me vendimmarrjen e autoritetit publik përgjegjës, sipas dispozitave të këtij vendimi, ose nga autoriteti vendor përgjegjës, sipas nenit 17, në vijim. Në çdo rast, pronarët përfitojnë nga të ardhurat që vijnë nga administrimi i hapësirave pulike, në përputhje me tarifat e shërbimit publik, nëse janë përcaktuar të tilla nga autoriteti vendor i planifikimit.

2.    Administruesi i hapësirës publike është përgjegjës për përcaktimin dhe zbatimin e mënyrave të administrimit, në përputhje me funksionin, kushtet e përdorimit dhe shërbimet e lejuara të  përcaktuara nga autoriteti i planifikimit.

3.    Administruesi është përgjegjës për mirëmbajtjen e hapësirës publike, që përfshin, por nuk kufizohet në mirëmbajtjen e elementeve të mobilimit urban, gjelbërimit, largimin e mbeturinave, sigurimin e ndriçimit dhe detyrime të tjera të nevojshme.

Neni 17
Hapësira publike në pronë publike 

1.    Hapësira publike në prona publike administrohet nga autoriteti publik përgjegjës, drejtpërdrejt ose përmes dhënies në administrim një subjekti privat, në bazë të një marrëveshjeje të partneritetit publik privat.

2.    Subjekti që ka në administrim hapësirën publike është përgjegjës për mirëmbajtjen e saj dhe, në bazë të kushteve të marrëveshjes, mund të ketë përgjegjësi edhe për zhvillimin, promovimin, organizimin e aktiviteteve sociale dhe mbledhjen vullnetare të fondeve nga publiku i gjerë, në funksion të mirëmbajtjes dhe përmirësimit të hapësirës publike.

KREU VI
DISPOZITA KALIMTARE
DHE TË FUNDIT

Neni 18
Hyrja në fuqi

Këto rregulla hyjnë në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

Shtojca A

MODEL
MARRËVESHJE PËR MIRATIMIN E PLANIT
TË DETAJUAR VENDOR ME NISMË PRIVATE

Bazuar në ligjin 107/2014, datë 31.7.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, vendimit  të Këshillit të Ministrave nr.408, datë 13.5.2015, “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit” dhe vendimit të Këshillit të Ministrave, nr.671, datë 29.7.2015, “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit”.

Sot, më datë ___/___/_____, përpara meje noterit ….,  anëtar i Dhomës së Noterëve të qytetit ….., me zyrë në adresën ….., NUIS …., u paraqitën personalisht:

–    z. …., lindur në …. më …., në cilësinë e tij si përfaqësues i bashkisë sipas vendimit …., në vijim “bashkia” dhe
–    zotërinjtë …., në cilësinë e pronarëve të ligjshëm të pasurive të paluajtshme të identifikuara si më poshtë brenda njësisë strukturore që parashikon hartimin e PDV-së, në vijim bashkërisht “Subjekti zbatues”.

DUKE QENË SE:

–    zonat/pasuritë në bashki që përfshihen brenda njësisë strukturore nr. ….., identifikohen nga ZRPP-ja si më poshtë vijon:

o    pasuria nr. …., fleta …. me sipërfaqe …. me pronar/ë …., (nëse shoqëri tregtare) me seli në adresën ….. NUIS …
o    pasuria nr. …., fleta …. me sipërfaqe …. me pronar/ë …., (nëse shoqëri tregtare) me seli në adresën ….. NUIS …

–    për zonat/njësinë strukturore në fjalë Plani i Përgjithshëm Vendor i bashkisë parashikon përdorim/funksion….;
–    dispozitat ligjore dhe Plani i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë, miratuar më datë ___/__/__ kushtëzojnë realizimin e ndërtimeve në këtë njësi strukturore me hartimin dhe miratimin e një planit të detajtuar vendor, mbi bazën e kritereve të përcaktuara në rregulloren e planifikimit;
–    z./znj. …. lindur në …. më …. dhe banues në…. (ose) shoqëria tregtare …., me seli në adresën ….., NUIS …., në cilësinë e përfaqësuesit të pronarëve të pasurive të paluajtshme të njësisë strukturore …., që përfaqësojnë …% të sipërfaqes së zonës për PDV-në, për një sipërfaqe totale prej …. m2, i ka paraqitur bashkisë kërkesë për miratimin e Planit të Detajuar Vendor me nismë private për këtë njësi strukturore;

–    kërkesa për miratimin e PDV-së është depozituar në bashki më datë …., dhe ka marrë nr. protokolli …. dhe ka pasur bashkëlidhur materialin hartografik të projektit, me firmë të arkitektit ….;
–    më datë …., përgjegjësi i zyrës së planifikimit në bashki, ka verifikuar se dokumentacioni i paraqitur është i plotë dhe i saktë dhe i ka kaluar kërkesën dhe dokumentacionin përkatës për shqyrtim kryetarit të bashkisë, së bashku me raportin teknik përkatës;
–    më datë ….., Plani i Detajuar Vendor u botua në mjediset e bashkisë, në portalin on-line të bashkisë si dhe u afishua në mjediset e njësisë strukturore në studim,  duke u lënë palëve të interesuara një afat 30 ditor për t’u njohur dhe paraqitur vërejtjet e tyre;
–    gjatë afatit 30 ditor nuk u paraqitën vërejtje apo kundërshtime; ose gjatë afatit 30 ditor u paraqitën vërejtje dhe / ose kundërshtime të cilat u morën në konsideratë nga kryetari / nuk u morën në konsideratë për arsye të bëra publike;
–    më datë ….., u paraqitën ndryshimet e projektit, bazuar në komentet / vërejtjet…;
–    Kryetari i bashkisë, duke marrë parasysh raportin teknik të përgatitur nga Drejtoria e Planifikimit,  dhe pasi ka shqyrtuar vërejtjet dhe komentet e palëve të interesuara, ka miratuar PDV-në për njësinë strukturore nr. …. me vendimin nr. …., datë ….;

DUKE QENË SE EKZISTOJNË KËTO KUSHTE PARAPRAKE:

Palët bien dakord të nënshkruajnë këtë marrëveshje me termat si më poshtë vijon:

Neni 1
Kushtet paraprake

Kushtet paraprake janë pjesë përbërëse dhe thelbësore e kësaj marrëveshje.

Neni 2
Objekti i marrëveshjes

Kjo marrëveshje ka si objekt përcaktimin e të drejtave të zhvillimit të pronave në njësinë strukturore nr. …., shpërndarjen e drejtë të detyrimeve dhe përfitimeve të palëve të përfshira si dhe kushtet për ndërtimin dhe kalimin në pronësi të shtetit, pa kundërshpërblim, të infrastrukturës dhe hapësirës publike nga ana e subjektit zbatues, në zbatim të Planit të Detajuar Vendor për njësinë strukturore në fjalë.

Neni 3
Përmbajtja e PDV-së

PDV-ja përbëhet nga dokumentet si vijon:

–    Teksti
–    Materiali hartografik
–    ……. (të specifikohet sipas rastit).

Neni 4
Zbatimi dhe mirëmbajtja e punimeve
të infrastrukturës 

4.1. Punimet e infrastrukturës dhe hapësirës publike përcaktohen dhe rregullohen në planimetritë bashkëlidhur kësaj kontrate.
4.2. Punimet e infrastrukturës dhe hapësirës publike përbëhen nga:

a) rrjeti rrugor, trotuare dhe rrugëkalime këmbësore ose për biçikleta;
b) parkime publike;
c) hapësira për kontejnerët e grumbullimit të mbeturinave;
ç) rrjeti i shkarkimit të ujrave të zeza e të bardha;
d) rrjeti i shkarkimit të ujrave të shiut;
dh) ndriçimi publik;
e) rrjeti për furnizimin me ujë (dhe gaz);
ë) rrjeti për furnizimin me energji elektrike;
f) rrjeti telefonik;
g) lidhjet me rrjetet publike ekzistuese dhe ato që do të realizohen në të
ardhmen;
gj) gjelbërimi publik dhe lulishte dhe/ose mobilimi i hapësirës publike.
h)  të tjera (për t’u specifikuar, sipas rastit).

4.3. Subjekti zbatues merr përsipër, për vete dhe personat që fitojnë të drejta prej tij:

–  të realizojë me shpenzimet e tij të gjitha punimet e infrastrukturës dhe hapësirave publike, të përcaktuara në pikën 4.2., më sipër, sipas planimetrive bashkëlidhur:

a) zonat me ngjyrë … me sipërfaqe totale …. m2, me destinacion “rrugë”;
b) zonat me ngjyrë …. me sipërfaqe totale …. m2, me destinacion “trotuare”;
c) zonat me ngjyrë …. me sipërfaqe totale …. m2, me destinacion “rrugë ciklo-pedonale”;
ç) zonat me ngjyrë …. me sipërfaqe totale …. m2, me destinacion “hapësira të gjelbra”;
d) zonat me ngjyrë ….. me sipërfaqe totale …. m2, me destinacion “parkime / vendqëndrime publike”;
dh) …….. (të tjera për t’u specifikuar, sipas rastit).

–     të përballojë, sipas rastit, shpenzimet që lidhen me realizimin e punimeve të mëposhtme të infrastrukturës që janë jashtë zonës së ndërhyrjes si vijon:

a) _____________
b) _____________

Parkimet publike duhet të realizohen të kompletuar me të gjitha instalimet e nevojshme, sipas projektit të miratuar.

4.4. Subjekti zbatues merr përsipër, edhe për llogari të subjekteve të mundshme ndërtuese, të zbatojë punimet në përputhje me standardet më të mira teknike dhe profesionale në BE.

Neni 5
Lejet e ndërtimit për realizimin e
ndërhyrjeve në territor

5.1. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është kusht paraprak dhe një nga dokumentet e nëvojshëm për miratimin e lejeve të ndërtimit për ndërhyrjet e parashikuara në Planin e Detajuar Vendor përkatës.

5.2. Fillimi i punimeve për ndërtesat e parashikuara në Planin e Detajuar Vendor duhet të paraprihet nga realizimi i punimeve të infrastrukturës kryesore dhe dytësore, sipas nenit 45, të ligjit nr.107/2014, datë 31.7.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar.

Neni 6
Afatet për realizimin dhe kolaudimin
e punimeve

6.1. Punimet e infrastrukturës dhe hapësirës publike duhet të përfundojnë dhe të kolaudohen jo më vonë se …. muaj nga data e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.  Bashkia, pasi të ketë vlerësuar interesin publik dhe në rast se nuk është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, ka të drejtën të zgjasë afatin e përcaktuar si më sipër. Në çdo rast, afati për përfundimin e punimeve të infrastrukturës dhe hapësirës publike, duke përfshirë edhe mundësinë e shtyrjes së tij, nuk mund të tejkalojë …. vjet nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje.
6.2. Kolaudatori caktohet nga bashkia brenda …. ditëve nga njoftimi i fillimit të punimeve nga ana e subjektit zbatues dhe duhet të kryejë kolaudimin e veprave të realizuara brenda …… ditëve nga kërkesa zyrtare e subjektit zbatues, që duhet të paraqitet jo më vonë se 3 muaj pas njoftimit të përfundimit të punimeve.

Neni 7
Kalimi në pronësi të bashkisë i infrastrukturës
dhe hapësirës publike

7.1. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, subjekti zbatues i kalon në pronësi, pa shpërblim, bashkisë (ose bashkëpronarëve, në rastin e lagjeve të gardhuara dhe vetëadministruara), në bazë të nenit 706, të Kodit Civil pronësinë e truallit dhe të gjitha infrastrukturat e hapësirat publike që do të ndërtohen mbi të në momentin që këto të fundit të jenë kolauduar, sikurse parashikohen në planimetrinë bashkëlidhur, dhe konkretisht:
a)    rrugë për rreth …. m2;
b)    parkime publike për rreth …. m2, për një total prej nr. …. vendqëndrime automjetesh;
c)    gjelbërim publik për parqe dhe lulishte dhe /ose arredim urban sipas udhëzimeve të kushteve teknike të identifikuara (të specifikohen rast pas rasti);
ç)     sheshe për vendosjen e kontejnerëve për grumbullimin e mbeturinave të ngurta urbane dhe për rreth …. m2;
d)    ……(të tjera për t’u specifikuar, sipas rastit).

7.2. Subjekti zbatues garanton se zonat dhe/ose objektet që i kalojnë bashkisë, sipas pikës 7.1. më sipër, janë të lira nga barra, kufizime, servitute, të drejta reale në favor të tij apo të personave të tretë. Në momentin e kalimit të pronësisë, që përkon me aktin e kolaudimit të punimeve të kryera, këto pasuri kategorizohen si pronë e paluajtshme e shtetit, në përdorim/pronësi të bashkisë përkatëse.

7.3. Brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, subjekti zbatues regjistron në ZVRPP-në kompetente kopje të kësaj marrëveshjeje për kryerjen e regjistrimeve përkatëse.

Neni 8
Garancitë

8.1. Për të garantuar zbatimin në kohë dhe me përpikmëri, të të gjitha punimeve të infrastrukturës dhe hapësirës publike e respektimin e të gjitha dispozitave ligjore dhe kërkesave të kësaj marrëveshjeje, subjekti zbatues paraqet përpara nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, garanci në formën e garancisë/dorëzanisë bankare ose siguruese, të vlefshme deri në marrjen në dorëzim të veprave nga ana e bashkisë, në përfundim të inspektimit, në vlerën ….. (….) lekë, të përcaktuar sipas kostos totale të punimeve plus ….% TVSH. Dorëzania duhet të parashikojë shprehimisht që bashkia të ketë të drejtën e tërheqjes së menjëhershme të garancisë, brenda 15 ditëve nga kërkesa me shkrim e bashkisë, në rast se shkelen nga zhvilluesi kushtet e marrëveshjes.

8.2. Në rast shkeljeje të detyrimeve të marra përsipër me këtë marrëveshje, bashkia ka të drejtën të tërheqë shumat e lëna në garanci nga subjekti zbatues, sipas pikës 8.1. më sipër, në vlerë proporcionale me mospërmbushjen.

8.3. Garancia mund të hiqet me kërkesë të palës së garantuar (bashkisë), pas marrjes në dorëzim nga kjo e fundit të punimeve të realizuara.

Neni 9
Zbatimi i detyrueshëm

9.1. Bashkia rezervon të drejtën për të vënë në zbatim ose për të përfunduar punimet e infrastrukturës dhe hapësirës publike, në zëvendësim të subjektit zbatues dhe me shpenzimet e këtij të fundit, në rast se ky nuk i përmbush detyrimet e tij. Për këtë qëllim, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dhe me anë të saj, subjekti zbatues autorizon bashkinë që, në rast shkelje të afateve të kësaj marrëveshjeje, kjo e fundit të ketë akses në zonat ku kryhen punimet e infrastrukturës me subjektet ndërtuese përkatëse.

9.2. Realizimi i punimeve të infrastrukturave dhe hapësirave publike dhe kolaudimi i tyre ose, në rastet kur bashkia i ekzekuton ato vetë, pagesa e shpenzimeve të nevojshme për kryerjen e këtyre punimeve, duke përfshirë këtu edhe mbajtjen e tyre nga garacia sipas nenit 8, të marrëveshjes, është parakusht për marrjen e lejes së përdorimit për të gjitha veprat e realizuara sipas PDV-së përkatëse.

Neni 10
Afati i marrëveshjes 

10.1. Kjo marrëveshje ka vlefshmëri për një afat …. vjeçar nga nënshkrimi i saj, për përfundimin e të gjitha ndërhyrjeve /punimeve të parashikuara në PDV. Për arsye të justifikuara mund të pranohet një shtyrje e afatit për një periudhë të mëtejshme … vjeçare.

Neni 11
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe ligji
i zbatueshëm

11.1. Palët do të bëjnë çdo përpjekje që t’i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet që mund të lindin nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje me mirëkuptim ndërmjet tyre.
11.2. Nëse dështon kjo mënyrë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes ose konfliktit, palët do t’i drejtohen gjykatës kompetente.

11.3. Për sa nuk parashikohet në këtë marrëveshje, do të gjejnë zbatim dispozitat ligjore në fuqi.

Bashkia …..                                Subjekti Zbatues

NOTERI

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.