Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 30 korrik 2014
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.965, DATË 25.10.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E FINANCAVE DHE MINISTRIA E ZHVILLIMIT EKONOMIK, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES, TË PRONËS ME NR.37, ME EMËRTIMIN “MINISTRIA E MBROJTJES”, ME VENDNDODHJE NË BULEVARDIN “DËSHMORËT E KOMBIT”, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në shkronjën “b”, të pikës 1, të vendimit nr.965, datë 25.10.2013, të Këshillit të Ministrave, të shtohet shkronja “b/1”, me këtë përmbajtje:
“b/1) Nga sipërfaqja e përgjithshme, kaluar në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, objekti me sipërfaqe 673 (gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre) m2, pjesë e pronës me nr.37, me vendndodhje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë, të kalojë në përgjegjësi administrimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas planimetrisë bashkëlidhur këtij vendimi, për t’u përdorur si mjedise pune nga ky institucion.”.
2. Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E DREJTËSISË TE BASHKIA LIBRAZHD, E QARKUT TË ELBASANIT, TË SIPËRFAQES 414 M², NË ZONËN KADASTRALE NR.2446, ME NUMËR PASURIE 7/49, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1292, DATË 24.9.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË DREJTËSISË TË TROJEVE DHE NDËRTESAVE TË GJYKATAVE TË RRETHEVE GJYQËSORE DHE TË GJYKATAVE TË APELIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 3, 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, shkronja “b”, 5, 6, shkronja “a”, 7 dhe 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Drejtësisë te bashkia Librazhd, e qarkut të Elbasanit, të pronës së paluajtshme me sipërfaqe 414 (katërqind e katërmbëdhjetë) m2, në zonën kadastrale nr.2446, me numër pasurie 7/49, me emërtim “Gjykata e Rrethit Librazhd dhe sipërfaqe funksionale”, sipas planvendosjes bashkëlidhur këtij vendimi, për t’u përdorur në funksion të arsimit parashkollor e arsimit bazë.
2. Përjashtohet nga transferimi në pronësi të bashkisë Librazhd ambienti i emërtuar “Arshiva”, sipas planimetrisë që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Prona me numër pasurie 7/49, me emërtim “Gjykata e Rrethit Librazhd dhe sipërfaqe funksionale”, sipas kufizimeve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave shtetërore miratuar me vendimin nr.1292, datë 24.9.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
4. Bashkisë Librazhd i ndalohet ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
5. Ngarkohen ministri i Drejtësisë, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe kryetari i bashkisë Librazhd për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E DREJTËSISË TE MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT, TË OBJEKTIT ME EMËRTIM “ISH-GODINA E GJYKATËS SË RRETHIT GJYQËSOR GRAMSH”, ME SIPËRFAQE TOTALE 628.3 M², NË ZONËN KADASTRALE NR.1842, ME NUMËR PASURIE 9/42, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1292, DATË 24.9.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË DREJTËSISË TË TROJEVE DHE NDËRTESAVE TË GJYKATAVE TË RRETHEVE DHE TË GJYKATAVE TË APELIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Arsimit dhe Sportit, të mjediseve dhe sipërfaqes totale 628.3 (gjashtëqind e njëzet e tetë pikë tre) m2, të pronës nr.9/42, në zonën kadastrale nr.1842, me emërtim “Ish-godina e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gramsh”, me vendndodhje në lagjen “Sporti”, Gramsh, sipas planvendosjes bashkëlidhur këtij vendimi, në funksion të Zyrës Arsimore Gramsh.
2. Përjashtohen nga kalimi në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ambientet e numërtuara 5 dhe 6, sipas planimetrisë bashkëlidhur këtij vendimi.
3. Prona nr.9/42, me emërtimin “Ish-godina e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gramsh”, me sipërfaqe 628.3 (gjashtëqind e njëzet e tetë pikë tre) m2, me vendndodhje në lagjen “Sporti”, Gramsh, sipas kufizimeve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit të pronave shtetërore, e cila i bashkëlidhet vendimit nr.1292, datë 24.9.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
4. Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Zyrës së Arsimit Gramsh u ndalohet ta ndryshojnë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojnë ose ta japin në përdorim te të tretët.
5. Ngarkohen ministri i Drejtësisë, ministri i Arsimit dhe Sportit dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1088, DATË 26.12.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E BUXHETIT TË VITIT 2014 PËR ZYRËN E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 13, shkronja “b”, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të nenit 29, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Tabela nr.3, e përmendur në pikën 2, të vendimit nr.1088, datë 26.12.2013, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me tabelën me të njëjtin numër që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2014, MIRATUAR PËR MINISTRINË E MBROJTJES
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 17, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Rishpërndarjen e fondeve për shpenzime korrente, ndërmjet programeve brenda buxhetit të vitit 2014, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes, si më poshtë vijon:
a) Në programin 02120 “Forcat e luftimit” të shtohet fondi 190 000 000 (njëqind e nëntëdhjetë milionë) lekë.
b) Në programin 09430 “Arsimimi ushtarak” të pakësohet fondi 35 000 000 (tridhjetë e pesë milionë) lekë.
c) Në programin 02150 “Mbështetja e luftimit” të pakësohet fondi 129 000 000 (njëqind e njëzet e nëntë milionë) lekë.
ç) Në programin 02280 “Bashkëpunimi civilo – ushtarak (AL – CIMIC)” të pakësohet fondi 26 000 000 (njëzet e gjashtë milionë) lekë.
2. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJEN E FONDEVE NË BUXHETIN E VITIT 2014, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BUJQËSISË, ZHVILLIMIT RURAL DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE, PËR LUFTIMIN E KARKALECIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitin 2014, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, të bëhet rishpërndarja e fondeve ndërmjet programeve, si më poshtë vijon:
a) Në programin buxhetor 04220 “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”, në artikullin 602, të shtohet fondi prej 18 830 420 (tetëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tridhjetë mijë e katërqind e njëzet) lekësh, për luftimin e karkalecit;
b) Në programin buxhetor 04250 “Zhvillimi rural, duke mbështetur bujqësinë, blegtorinë, agroindustrinë dhe marketingun”, artikulli 606, “Transferta në buxhetet familjare dhe individët”, të pakësohet fondi prej 18 830 420 (tetëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tridhjetë mijë e katërqind e njëzet) lekësh.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË OBJEKTIT ME EMËRTIM “KONVIKTI I GJUHËVE TË HUAJA “ASIM VOKSHI””, TIRANË, NGA MINISTRIA E MIRËQENIES SOCIALE DHE RINISË TE MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT, PËR QENDRËN E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, 10, 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të objektit me emërtim “Konvikti i Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi”, Tiranë”, ndodhur në zonën kadastrale 8160, S-13, me numër pasurie 5/74, nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë te Ministria e Arsimit dhe Sportit, për Qendrën e Studimeve Albanologjike, sipas genplanit dhe planimetrisë që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Qendra e Studimeve Albanologjike nuk mund ta tjetërsojë apo t’ua japë në përdorim të tretëve pronën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
3. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT (QENDRA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE) TE MINISTRIA E INTEGRIMIT EVROPIAN, TË OBJEKTIT “PALESTËR SPORTIVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, 10, 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (Qendra e Studimeve Albanologjike) te Ministria e Integrimit Evropian, të objektit “Palestër sportive”, së bashku me mjediset e tjera ndihmëse, truallin e ndërtesës dhe oborrin e rrethuar, për t’u përdorur për mjedise pune për nevojat e kësaj të fundit, sipas formularit, genplanit dhe planimetrisë që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ministrisë së Integrimit Evropian i ndalohet ta tjetërsojë pronën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi apo t’ua japë në përdorim të tretëve.
3. Ngarkohen ministri i Arsimit dhe Sportit, ministri i Integrimit Evropian dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.35, DATË 29.1.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME, PËR VITIN 2014, NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.185, datë 28.12.2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.35, datë 29.1.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme, për vitin 2014, në njësitë e qeverisjes qendrore është 887 veta, sipas lidhjeve nr.1, nr.2, nr.3, nr.4, nr.5 e nr.6, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.”.
b) Pas lidhjes nr.5 shtohet lidhja nr.6, që i bashkëlidhet këtij vendimi, e cila detajon ndarjen e shtesës prej 22 punonjësish, të miratuar me këtë vendim.
2. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përballohen nga fondet buxhetore të institucioneve të përmendura në këtë vendim.
3. Ngarkohen institucionet e përmendura në këtë vendim të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshme brenda numrit të përcaktuar në lidhjen nr.6, bashkëlidhur këtij vendimi, dhe brenda kritereve të vendimit nr.1703, datë 24.12.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe aktiviteteve sezonale/të përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MBYLLJEN E PËRFAQËSISË DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KRYEQYTETIN E MALAJZISË, KUALA LUMPUR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 15, të ligjit nr.9095, datë 3.7.2003, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e Përfaqësisë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur.
2. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MBYLLJEN E PËRFAQËSISË DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KRYEQYTETIN E PORTUGALISË, LISBONË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 15, të ligjit nr.9095, datë 3.7.2003, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e Përfaqësisë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë.
2. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MBYLLJEN E PËRFAQËSISË DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KRYEQYTETIN E REPUBLIKËS SË BOSNJË-HERCEGOVINËS, SARAJEVË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 15, të ligjit nr.9095, datë 3.7.2003, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e Përfaqësisë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, Sarajevë.
2. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MBYLLJEN E PËRFAQËSISË DIPLOMATIKE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KRYEQYTETIN E INDISË, NJU DELHI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 15, të ligjit nr.9095, datë 3.7.2003, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Mbylljen e Përfaqësisë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi.
2. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E VLERËS SË PRONËS PËR SECILIN QARK TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 3, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 3, të vendimit nr.658, datë 26.9.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e metodologjisë për vlerësimin e pronave të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e vlerës së pronës, sipas llojit të pasurisë së paluajtshme, për secilin qark të Republikës së Shqipërisë, sipas hartave, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.1620, datë 26.11.2008, “Për miratimin e çmimeve të trojeve, që ndodhen në të gjitha bashkitë dhe në disa komuna”, nr.187, datë 6.3.2013, “Për miratimin e vlerës së pronës për secilin qark të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohen.
3. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2014, MIRATUAR PËR MINISTRINË E KULTURËS DHE QENDRËN KOMBËTARE TË KINEMATOGRAFISË, PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE QË DO TË KRYHEN NË KUADËR TË ORGANIZIMIT TË PUNËVE NË VIJIM TË ARDHJES SË PAPA FRANÇESKUT NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Kulturës, në kuadër të organizimit të punëve në vijim të ardhjes në Shqipëri të Papa Françeskut, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohen fondet, si më poshtë vijon:
a) Fondi 56 376 734 (pesëdhjetë e gjashtë milionë e treqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e katër) lekësh, me qëllim mbulimin e shpenzimeve që do të kryhen për pastrimin e fasadave të godinave rreth sheshit “Nënë Tereza”, prishjen dhe transportin e mbetjeve të ndërtimit;
b) Fondi prej 44 729 936 (dyzet e katër milionë e shtatëqind e njëzet e nëntë mijë e nëntëqind e tridhjetë e gjashtë) lekësh, me qëllim mbulimin e shpenzimeve që do të kryhen për rikonstruksionin e Muzeut Historik;
c) Fondi prej 32 626 127 (tridhjetë e dy milionë e gjashtëqind e njëzet e gjashtë mijë e njëqind e njëzet e shtatë) lekësh, me qëllim mbulimin e shpenzimeve për punime rehabilituese që do të kryhen në Pallatin e Kongreseve.
2. Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2014, t’i shtohet fondi prej 7 383 000 (shtatë milionë e treqind e tetëdhjetë e tre mijë) lekësh, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të produksionit të dokumentarit “Pritja” në kuadër të organizimit të punëve në vijim të ardhjes në Shqipëri të Papa Françeskut.
3. Këto fonde të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
4. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Kulturës dhe Sekretariati Teknik i Komisionit Shtetëror për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA “ALBA FILM”, SH.A.-JA, TE MINISTRIA E KULTURËS, TË PASURISË “GODINA 4-KATËSHE, MAGAZINA E KOSTUMOGRAFISË”, NË ISH-KINOSTUDIO
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 13, 15 e 16, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga “Alba Film”, sh.a.-ja, te Ministria e Kulturës, të pasurisë “Godina 4-katëshe, magazina e kostumografisë”, në ish-Kinostudio, sipas planimetrive që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1045, DATË 4.12.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DISA ANËTARËVE TË BORDIT MBIKËQYRËS TË AGJENCISË PËR MBËSHTETJEN E SHOQËRISË CIVILE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.10093, datë 9.3.2009, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 2, të vendimit nr.1045, datë 4.12.2013, të Këshillit të Ministrave, në përbërjen e Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, znj. Itena Ndroqi, anëtar, zëvendësohet me z. Endri Fuga.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.