Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 30 prill 2014
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE, TË KËRKESAVE E TË PROCEDURAVE PËR INFORMIMIN DHE PËRFSHIRJEN E PUBLIKUT NË VENDIMMARRJEN MJEDISORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 17, të ligjit nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e rregullave, të kërkesave e të procedurave për informimin dhe përfshirjen e publikut gjatë vlerësimit të ndikimit në mjedis (VNM).
2. Për qëllim të këtij vendimi, do të zbatohen përkufizimet përkatëse të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, dhe ligjit nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.
KREU I
INFORMIMI I PUBLIKUT GJATË PROCEDURËS PARAPRAKE TË VNM-SË
1. Procesi i informimit dhe i përfshirjes së publikut gjatë procedurës paraprake të VNM-së përfshin këto faza:
a) Informimin dhe marrjen e mendimit të publikut nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) për projektin, shoqëruar me sqarimet për procedurën në zbatim;
b) Shpalljen dhe publikimin e vendimit të AKM-së në faqen e saj të internetit.
2. AKM-ja, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së aplikimit për procedurën paraprake të VNM-së, publikon në faqen e saj të internetit, për 20 (njëzet) ditë rresht, informacionin e plotë për projektin, siç është paraqitur nga zhvilluesi.
3. Në publikimin e saj, AKM-ja sqaron:
a) procedurën që do zbatohet dhe afatin e parashikuar të marrjes së vendimit e të publikimit të tij në faqen e saj të internetit;
b) mënyrën dhe afatin kohor (20 ditë) të dhënies së mendimeve të publikut përpara marrjes së vendimit;
c) mënyrën dhe afatin e ankimimit ndaj vendimit.
4. Në përfundim të procedurës paraprake të VNM-së, vendimi i AKM-së publikohet i plotë në faqen e saj të internetit, ku publiku dhe palët e tjera të interesuara sigurojnë një kopje të plotë të tij.
KREU II
INFORMIMI, KONSULTIMI DHE DËGJESA PUBLIKE
GJATË PROCEDURËS SË THELLUAR TË VNM-SË
1. Informimi dhe përfshirja e publikut gjatë procedurës së thelluar të VNM-së përfshin këto faza:
a) Informimin e publikut për projektin e propozuar dhe marrjen e mendimit të tij në fazën e përcaktimit të çështjeve që do të trajtohen në raportin e thelluar të VNM-së, shoqëruar me sqarimet për procedurën në zbatim;
b) Informimin e publikut për komunikimin që AKM-ja bën me zhvilluesin për çështjet që duhet të trajtohen në raportin e thelluar të VNM-së;
c) Informimin, ndërgjegjësimin dhe konsultimin e publikut nga ana e zhvilluesit gjatë hartimit të raportit të thelluar të VNM-së;
ç) Informimin dhe përfshirjen e publikut për organizimin dhe realizimin e dëgjesës publike;
d) Informimin e publikut dhe marrjen e mendimit të tij nga AKM-ja në fazën e shqyrtimit dhe miratimit të Deklaratës Mjedisore;
dh) Informimin e publikut gjatë monitorimit të ndikimeve në mjedis të projektit.
2. Informimi i publikut për projektin e propozuar dhe marrja e mendimit të tij në fazën e përcaktimit të çështjeve që do të trajtohen në raportin e thelluar të VNM-së
2.1. Për të bërë të mundur informimin dhe marrjen e mendimit nga publiku dhe OJF-të, AKM-ja, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës nga zhvilluesi, publikon në faqen e saj të internetit, për 20 (njëzet) ditë rresht, informacionin e plotë të paraqitur nga zhvilluesi. Në publikim AKM-ja sqaron:
a) procedurën që do të zbatohet për informimin, konsultimin dhe dëgjesën publike për projektin deri në miratimin e Deklaratës Mjedisore;
b) mënyrën dhe afatin kohor (20 ditë), duke sqaruar që brenda këtij afati mund të jepen mendime për çështjet, që duan të trajtohen në raportin e thelluar të VNM-së;
c) afatin e parashikuar për miratimin e Deklaratës Mjedisore dhe publikimit të saj në faqen e saj të internetit;
ç) mënyrën dhe afatin e ankimit ndaj procedurës së pjesëmarrjes së publikut dhe Deklaratës Mjedisore.
2.2. Publiku dhe OJF-të japin mendimin e tyre brenda afatit të përcaktuar në pikën 2.1., të këtij kreu.
2.3. Në rast se projekti i propozuar ka karakter kombëtar, AKM-ja, në komunikimin që bën me zhvilluesin, lidhur me kërkesat për raportin e thelluar të VNM-së, i thekson atij nevojën e informimit dhe përfshirjes së publikut, duke përfshirë të gjitha njësitë administrative vendore që ndikohen nga projekti.
2.4. AKM-ja publikon menjëherë në faqen e saj të internetit komunikimin me zhvilluesin për çështjet që duhet të trajtohen në raportin e thelluar të VNM-së, ku përfshihen edhe mendimet e kërkesat e dhëna nga publiku.
3. Informimi, ndërgjegjësimi dhe konsultimi i publikut nga ana e zhvilluesit gjatë hartimit të raportit të thelluar të VNM-së
3.1. Me qëllim ndërgjegjësimin e publikut për ndikimet e mundshme të projektit në mjedis, zhvilluesi, gjatë hartimit të raportit të thelluar të VNM-së, informon dhe konsultohet në mënyrë të pavarur me publikun për këto ndikime duke kryer:
a) publikimin e informacionit të plotë për projektin që është paraqitur në AKM, ekspozimin e informacionit që disponon për projektin në një zyrë të posaçme në zonën ku propozohet projekti ose në zyrën e njësisë së qeverisjes vendore (NJQV) përkatëse;
b) anketimin direkt të publikut të qendrave të banuara në zonën e ndikimit të mundshëm të projektit në mjedis;
c) gjatë publikimit dhe anketimit, sqarimin nga zhvilluesi të qëllimit dhe përcaktimin e mënyrës së kontaktit se ku mund të dërgohen mendimet (adresën postare, numrin e telefonit dhe postën elektronike).
3.2. Mendimet dhe kërkesat e dhëna nga publikut merren në konsideratë gjatë hartimit të raportit të thelluar të VNM-së.
3.3. Zhvilluesi dokumenton materialet e përdorura dhe evidencat përkatëse të procesit të informimit dhe konsultimit me publikun, duke i ruajtur dhe paraqitur ato si pjesë e dokumentacionit të aplikimit për Deklaratën Mjedisore.
4. Procedura e organizimit dhe kryerjes së dëgjesës publike dhe përgjegjësitë e zhvilluesit, AKM-së, ARM-së, NJQV-së për organizimin e dëgjesës
4.1. Zhvilluesi ka këto përgjegjësi:
a) Njofton AKM-në për dëgjesën publike, duke i dërguar programin për organizimin e saj, raportin e thelluar të VNM-së dhe përmbledhjen joteknike të tij;
b) Realizon njoftimin e publikut për organizimin e dëgjesës publike;
c) I dërgon NJQV-së dhe ARM-së nga 30 copë kopje të printuara të raportit të VNM-së dhe të përmbledhjes joteknike të tij, të cilat i vihen në dispozicion publikut të interesuar;
ç) Siguron mjediset ku do të mbahet dëgjesa me publikun;
d) Siguron pjesëmarrjen e ekspertit/ekspertëve, që kanë hartuar raportin e thelluar të VNM-së, ditën që organizohet dëgjesa publike;
dh) Merr në konsideratë mendimet dhe kërkesat e dhëna nga publiku ditën e dëgjesës dhe i pasqyron ato në raportin e thelluar të VNM-së ose argumenton arsyet e pamundësisë së marrjes në konsideratë.
4.2. AKM-ja ka këto përgjegjësi:
a) Pas njoftimit nga zhvilluesi, udhëzon ARM-në përkatëse për rolin e saj në realizimin e dëgjesës publike;
b) Publikon në faqen e saj të internetit njoftimin për organizimin e dëgjesës publike;
c) I dërgon zyrtarisht një kopje të njoftimit strukturës përkatëse për komunikimin me publikun në ministri;
ç) Bashkëpunon me zhvilluesin duke i ofruar adresa e kontakte të OJF-ve dhe palëve që mund të kenë interes për dëgjesën publike;
d) Merr mendimin e publikut në fazën e shqyrtimit të projektit për Deklaratën Mjedisore;
dh) Merr në konsideratë rezultatet dhe kërkesat e publikut gjatë shqyrtimit për Deklaratën Mjedisore dhe procesit të VNM-së;
e) Publikon në faqen e saj të internetit informacionin që disponon për pjesëmarrjen e publikut gjatë procesit të VNM-së për projektin.
4.3. ARM-ja ka këto përgjegjësi:
a) Bashkëpunon me zhvilluesin dhe NJQV-në për organizimin e dëgjesës publike;
b) Afishon në ambientet e saj të punës dhe publikon në faqen e saj të internetit njoftimin përkatës për dëgjesën publike;
c) Ekspozon në ambientet e saj të punës kopjet e përmbledhjes joteknike të raportit të VNM-së;
ç) Merr pjesë ditën e dëgjesës dhe mban shënim diskutimet e bëra nga të pranishmit;
d) I dërgon AKM-së raportin për diskutimet e bëra gjatë dëgjesës publike brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dëgjesa publike;
dh) Bashkëpunon me zhvilluesin duke i ofruar adresa e kontakte që disponon të OJF-ve dhe palëve që mund të kenë interes për dëgjesën.
4.4. Njësia e qeverisjes vendore ka këto përgjegjësi:
a) Publikon në ambientet dhe faqen e saj elektronike njoftimin përkatës për dëgjesën publike;
b) Ekspozon pranë zyrave të saj kopjet e përmbledhjes joteknike të raportit të VNM-së;
c) Bashkëpunon me zhvilluesin, duke i ofruar adresa e kontakte që disponon të OJF-ve dhe palëve që mund të kenë interes për dëgjesën publike;
ç) Nxit përfshirjen e komunitetit në pjesëmarrjen për dëgjesën publike;
d) Merr pjesë në ditën e zhvillimit të dëgjesës publike.
5. Bashkërendimi paraprak për organizimin e dëgjesës publike
5.1. Zhvilluesi, mbasi ka hartuar raportin e thelluar të VNM-së, njofton AKM-në për organizimin e dëgjesës, duke i dërguar:
a) planin e punës për organizimin e dëgjesës;
b) informacionin për konsultimet e kryera gjatë hartimit të raportit të thelluar të VNM-së;
c) kopjen e njoftimit të hartuar sipas shtojcës I, bashkëlidhur këtij vendimi;
ç) kopjen elektronike të përmbledhjes joteknike të raportit të thelluar të VNM-së.
5.2. AKM-ja, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit, udhëzon ARM-në përkatëse të bashkëpunojë me NJQV-në dhe me zhvilluesin e projektit për realizimin e dëgjesës publike, duke i dërguar informacionin e paraqitur nga zhvilluesi sipas pikës 5.1.
5.3. ARM-ja, brenda 3 (tri) ditëve nga data e marrjes së njoftimit prej AKM-së, komunikon me NJQV-në në zonën ku propozohet projekti, duke i dërguar një kopje të plotë të informacionit që ka marrë prej AKM-së, si dhe e informon për përgjegjësinë që ka në:
a) publikimin dhe afishimin e njoftimit për dëgjesën publike;
b) ekspozimin e përmbledhjes joteknike të raportit të thelluar të VNM-së, pranë zyrave të NJQV-së;
c) garantimin e pjesëmarrjes së stafit përkatës të NJQV-së në dëgjesën publike;
ç) nxitjen e komunitetit për pjesëmarrje në dëgjesën publike.
5.4. AKM-ja, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit, i dërgon strukturës përkatëse për komunikimin me publikun në ministri një kopje të plotë të tij, e cila e publikon në rrjetet e mundshme të informimit.
5.5. Zhvilluesi, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e njoftimit që i bën AKM-së sipas pikës 5.1, dërgon në NJQV të paktën 100 kopje të shtypura të përmbledhjes joteknike të raportit të VNM-së.
5.6. Nëse zhvilluesi i projektit, mbasi ka njoftuar AKM-në, tërhiqet nga organizimi i seancës dëgjimore, atëherë ai informon menjëherë AKM-në dhe NJQV-në, por jo më vonë se 20 (njëzet) ditë nga data që ka njoftuar AKM-në sipas pikës 5.1.
5.7. Nëse AKM-ja njoftohet nga zhvilluesi, sipas pikës 5.6., atëherë ajo informon ARM-në për ndërprerjen e procesit të organizimit të dëgjesës publike.
5.8. Nëse zhvilluesi rifillon procedurën e organizimit të dëgjesës publike, atëherë procesi dhe afatet e parashikuara sipas këtij vendimi fillojnë nga e para.
6. Informimi i publikut për dëgjesën publike
6.1. Zhvilluesi i projektit, paralel me njoftimin e AKM-së, realizon, me shpenzimet e veta, informimin për zhvillimin e seancës dëgjimore. Informimi zgjat 20 (njëzet) ditë rresht dhe përfshin:
a) publikimin e njoftimit, me informacionin që kërkohet sipas shtojcës I, në median audiovizive e median e shkruar lokale dhe, në rast se projekti ka karakter kombëtar, edhe në median kombëtare;
b) vendosjen e një tabele informuese në vendin ku do të zhvillohet projekti, ku njoftimi për dëgjesën publike afishohet për 20 (njëzet) ditë rresht në mënyrë dhe vend të dukshëm;
c) ekspozimin e materialeve të dëgjesës në zyrat e NJQV-së përkatëse.
6.2. AKM-ja, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e njoftimit që merr nga zhvilluesi sipas pikës 5.1., kryen këto veprime:
a) Publikon në faqen e saj elektronike njoftimin dhe përmbledhjen joteknike të raportit të thelluar të VNM-së;
b) Afishon në hapësirën e informimit të publikut një kopje të njoftimit për dëgjesën publike.
6.3. ARM-ja, brenda 3 (tri) ditëve nga data e njoftimit të AKM-së, sipas pikës 5.2., kryen këto veprime:
a) Publikon në faqen e saj elektronike njoftimin dhe përmbledhjen joteknike të raportit të thelluar të VNM-së;
b) Afishon në zyrën e informimit të publikut një kopje të njoftimit për dëgjesën publike;
c) Ekspozon në zyrën e saj kopje të shtypura të raportit të thelluar të VNM-së dhe të përmbledhjeve joteknike të tij.
6.4. NJQV-ja, brenda 3 (tri) ditëve nga data e njoftimit të ARM-së, sipas pikës 5.3., kryen këto veprime:
a) Afishon në mjediset e saj, deri në datën e mbajtjes së seancës dëgjimore, njoftimin për dëgjesën publike;
b) Publikon në faqen e saj elektronike njoftimin dhe përmbledhjen joteknike të raportit të thelluar të VNM-së;
c) Ekspozon në zyrën e saj kopje të shtypura të raportit të thelluar të VNM-së dhe të përmbledhjeve joteknike të tij.
6.5. Publiku dhe palët e interesuara mund të japin mendimet e tyre në formë elektronike apo me shkrim deri ditën e organizimit të dëgjesës publike. Mendimet duhet të dërgohen në kontaktet e adresat e përcaktuara nga AKM-ja në njoftimin përkatës.
6.6. Mendimet e dhëna nga publiku, vetëm pranë AKM-së, i dërgohen nga AKM-ja të plota zhvilluesit të projektit, jo më vonë se 4 (katër) ditë nga data e mbajtjes së dëgjesës publike.
7. Zhvillimi i seancës dëgjimore
7.1. Seanca dëgjimore me publikun organizohet në një vend të përshtatshëm, sa më pranë vendndodhjes së projektit dhe jo më herët se dita e 30-të kalendarike nga data e njoftimit të AKM-së prej zhvilluesit, sipas pikës 5.1.
7.2. Ditën e zhvillimit të seancës dëgjimore janë të pranishëm:
a) zhvilluesi i projektit me ekspertin/ekspertët që kanë hartuar raportin e thelluar të VNM-së;
b) përfaqesuesi i ARM-së në qark/AKM-së;
c) përfaqësues të NJQV-së së zonës ku propozohet projekti;
ç) përfaqësues dhe palë të tjera të interesuara.
7.3. Përfaqesuesit e zhvilluesit prezantojnë rezultatet e raportit të thelluar të VNM-së për projektin, duke mbajtur shënim edhe mendimet dhe kërkesat e dhëna nga publiku.
7.4. Publiku dhe palët e tjera të interesuara shprehin mendimet e tyre për rezultatet e raportit të thelluar të vlerësimit të ndikimit në mjedis.
7.5. Përfaqesuesit e ARM-së mbajnë shënim në mënyrë të pavarur diskutimet e plota të seancës dëgjimore dhe i pasqyrojnë ato në një raport të posaçëm, që i dërgohet AKM-së brenda 5 (pesë) ditëve nga dita e mbajtjes së seancës dëgjimore.
7.6. Raporti i dërguar në AKM nga ARM-ja publikohet menjëherë në faqen e internetit të AKM-së.
8. Informimi dhe tërheqja e mendimit të publikut gjatë shqyrtimit për Deklaratën Mjedisore
8.1. AKM-ja, brenda 5 (pesë) ditëve mbas marrjes së aplikimit për
Deklaratën Mjedisore, publikon në faqen e saj të internetit njoftimin, ku
sqaron:
a) se projekti ka hyrë në fazën e shqyrtimit përfundimtar për lëshimin e Deklaratës Mjedisore;
b) se publiku dhe palët e interesuara gjatë 20 (njëzet) ditëve mund të shprehnin mendime për ndikimet në mjedis të projektit;
c) postën dhe adresën elektronike të AKM-së, ku mund të dërgohen mendimet;
ç) se çdo koment, informacion, analizë apo mendim i paraqitur nga publiku vlerësohet i vlefshëm gjatë hartimit të Deklaratës Mjedisore dhe argumenton arsyet kur nuk janë marrë parasysh.
8.2. Deklarata Mjedisore publikohet menjëherë në faqen e internetit të AKM-së, ku publiku dhe palët e interesuara mund të sigurojnë një kopje të plotë të saj.
KREU III
INFORMIMI GJATË MONITORIMIT, ANKIMIMIT DHE DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
1. Pjesëmarrja e publikut në procesin e monitorimit të ndikimeve në mjedis të projektit
1.1. Zhvilluesi monitoron ndikimet në mjedis të projektit, në përputhje me kushtet e përcaktuara në Deklaratën Mjedisore dhe të dhënat ia dërgon AKM-së, ARM-së dhe NJQV-së;
1.2. AKM-ja, ARM-ja dhe NJQV-ja i publikojnë menjëherë të dhënat e monitorimit të dërguara nga zhvilluesi i projektit në faqen e tyre të internetit;
1.3. Me kërkesë nga palët e interesuara, ARM-ja dhe AKM-ja u sigurojnë kopje të shtypura të të dhënave të monitorimit të paraqitura nga zhvilluesi;
1.4. Publiku mund të dërgojë mendime dhe komente për të dhënat e monitorimit pranë AKM-së dhe ARM-së.
2. Ankimimi dhe dispozita përfundimtare
2.1. Çdo palë e interesuar ka të drejtë të ankohet ndaj akteve, veprimeve apo mosveprimeve gjatë zhvillimit të procedurës së informimit dhe pjesëmarrjes së publikut në procesin paraprak dhe të thelluar të VNM-së, në zbatim të legjislacionit në fuqi. Ankimi i drejtohet ministrit.
2.2. Për përmbushjen e afateve kohore të kësaj procedure, institucionet me rol e përgjegjësi në këtë procedurë shkëmbejnë informacionin nëpërmjet komunikimit elektronik, në përputhje me përcaktimet në legjislacionin përkatës në fuqi.
2.3. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, kreu IV, i vendimit nr.994, datë 2.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për tërheqjen e mendimit të publikut në vendimmarrje”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, agjencitë rajonale të mjedisit dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LARGIMIN NGA DETYRA TË NJË ANËTARI TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të pikës 1, të nenit 5, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Arjan Jovani, anëtar i Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, largohet nga kjo detyrë, për shkak të dorëheqjes.
2. Marrëdhëniet financiare t’i ndërpriten nga data 16.4.2014.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
CAKTIMIN E ANËTARIT TË EKIPIT PËRZGJEDHËS PËR ZGJEDHJEN E KANDIDATËVE, ANËTARË TË KOMISIONIT KOMBËTAR RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
3. Znj. Eralda Methasani (Çani) caktohet anëtar i ekipit përzgjedhës për përzgjedhjen e kandidatëve, anëtarë të Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura.
4. Vendimi nr.373, datë 14.6.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e anëtarit të ekipit përzgjedhës për përzgjedhjen e kandidatëve, anëtarë të Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.718, DATË 23.6.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PAGAT E PUNONJËSVE TË PERSONELIT TË HETIMIT, TË INSPEKTIMIT DHE TË SHËRBIMEVE MBËSHTETËSE NË SHËRBIMIN E KONTROLLIT TË BRENDSHËM, NË MINISTRINË E BRENDSHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 51, të ligjit nr.10002, datë 6.10.2008, “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, në Ministrinë e Brendshme”, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Punëve Brendshme, të ministrit të Financave dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.718, datë 23.6.2009, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Kudo në titull dhe në përmbajtjen e vendimit, emërtimi “Ministria e Brendshme” zëvendësohet me “Ministria e Punëve të Brendshme”.
b) Lidhja nr.1, “Struktura dhe nivelet e pagave për punonjësit e personelit hetues të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm”, e përmendur në pikën 1, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtën numër dhe titull, që bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondi për politikat e reja të pagave për vitin 2014.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2014.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE DHE TË PROCEDURAVE PËR PËRMIRËSIMIN E PËRDITËSIMIN E TË DHËNAVE TË REGJISTRIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 64, të ligjit nr. 33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e kushteve dhe procedurave për kryerjen e përmirësimit dhe përditësimit të të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme që administrohet në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në formate digjitale dhe manuale.
2. Përmirësimi dhe përditësimi i të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme është proces që ka për qëllim:
a) aktualizimin dhe garantimin e informacionit për pasuritë e paluajtshme, të regjistruara;
b) saktësimin e të dhënave të regjistrimit fillestar;
c) përditësimin e të dhënave të regjistrimit fillestar, në bazë të transaksioneve të kryera nga ZVRPP-ja, pas procesit të regjistrimit fillestar;
ç) regjistrimin e pasurive të paluajtshme që ndodhen brenda kufirit të zonës kadastrale, të paregjistruara më parë;
d) rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj klientit.
3. Përmirësimi dhe përditësimi i të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme është një proces që lidhet me:
a) indeksimin dhe sistemimin e arkivit digjital të dokumentacionit tekniko-ligjor;
b) saktësimin e pozicionit gjeografik e të kufijve të pasurive të paluajtshme si dhe të elementeve matematike të hartës kadastrale;
c) saktësimin e të dhënave në kartelën digjitale të pasurisë së paluajtshme.
4. Përmirësimi dhe përditësimi i të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme kryhet në rastet kur:
a) të dhënat e pasqyruara në to nuk përputhen me ato të aktit të fitimit të pronësisë apo të së drejtës reale, të përdorur për kryerjen e regjistrimit;
b) nuk ekziston lidhja mes një kartele dhe një harte kadastrale;
c) pozicioni gjeografik i pasurive, i pasqyruar në hartën kadastrale, nuk përkon me pozicionin gjeografik faktik të këtyre pasurive, sipas aktit të fitimit të pronësisë;
ç) pozicioni i kufirit të zonës kadastrale, i pasqyruar në hartën kadastrale, nuk përkon me pozicionin gjeografik faktik;
d) pasuri të paluajtshme, të ndodhura brenda kufirit të zonës kadastrale, nuk janë të regjistruara;
dh) elementet matematike të hartës kadastrale nuk janë të sakta;
e) indeksimi i dokumentacionit tekniko-ligjor nuk është në përputhje me standardet digjitale të miratuara.
5. Përmirësimi dhe përditësimi i të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme është një proces që përfshin të gjitha pasuritë e paluajtshme në territorin brenda kufirit të një zone kadastrale dhe do të quhet përmirësim sistematik.
6. Përmirësimi dhe përditësimi i të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme mund të kryhet edhe për pasuri apo grup pasurish të paluajtshme, të cilat kërkojnë përmirësime për raste të tjera të ngjashme, por që nuk renditen në mënyrë specifike në nenet 30, 31 dhe 63, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe do të quhet përmirësim sporadik.
7. Përmirësimi dhe përditësimi i të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme do të kryhet me kërkesë të subjektit të interesuar ose me nismën e regjistruesit dhe/ose të kryeregjistruesit.
8. Procesi i përmirësimit dhe përditësimit të të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme do të kryhet nga ZRPP-ja ose nga çdo person apo grup i autorizuar, me urdhër nga kryeregjistruesi, pas propozimit të regjistruesit. Urdhri i kryeregjistruesit publikohet dhe njoftohet sipas rregullave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
9. Kur kërkesa për përmirësimin sistematik të të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme bëhet me nismën e regjistruesit dhe të kryeregjistruesit, procesi do të kryhet sipas pikës 8, të këtij vendimi, bazuar në produktet digjitale dhe manuale të regjistrit të pasurive të paluajtshme të administruara në ZVRPP deri në momentin e fillimit të këtij procesi, dhe në produktet fotogrametrike e programin ALBSReP.
10. I ngarkuari për kryerjen e procesit të përmirësimit, sipas pikës 8, të këtij vendimi, paralelisht me kryerjen e këtij procesi bën dhe verifikime në terren për pasurinë e paluajtshme, pjesë e procesit të përmirësimit. Të gjitha fondet që do të nevojiten për këtë proces do të sigurohen nga ZRPP-ja, në bazë të buxhetit të saj.
11. Kur kërkesa për përmirësimin e të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme bëhet nga subjekte apo institucione të interesuara, me qëllim kryerjen e përmirësimit sistematik, procesi do të mbulohet financiarisht nga kërkuesi, duke aplikuar standardet e miratuara, në bazë të një marrëveshjeje me ZRPP-në, e cila monitoron e kontrollon procesin dhe konkluzionet përfundimtare.
12. Kur kërkesa për përmirësimin e të dhënave të regjistrit të pasurive të paluajtshme bëhet, sipas pikës 6, të këtij vendimi, nga subjekte të interesuara për kryerjen e përmirësimit sporadik, në ZVRPP, në të cilën ndodhet pasuria, objekt i kësaj kërkese, kërkesa shoqërohet me dokumentacionin përkatës mbi të cilin bazohet. Aplikimi bëhet duke kryer pagesën e tarifës përkatëse për çdo pasuri që preket në procesin e përmirësimit sporadik.
13. Regjistruesi i ZVRPP-së përkatëse i propozon kryeregjistruesit fillimin e procesit për përmirësimin sporadik, duke i bashkëlidhur kërkesën e palës së interesuar dhe dokumentacionin shoqërues të saj.
14. Kryeregjistruesi, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pas marrjes së propozimit, urdhëron ZVRPP-në për fillimin e procesit të përmirësimit sporadik, duke i vënë në dispozicion pjesë të produktit fotogrametrik ku ndodhet zona kadastrale përkatëse si dhe modulet përkatëse të programit ALBSReP.
15. ZVRPP-ja, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së urdhrit të kryeregjistruesit, kryen verifikimet përkatëse për produktin fotogrametrik dhe hartën kadastrale, duke përcaktuar numrin e pasurive që përfshihen në përmirësimin sporadik. Pavarësisht se kërkesa mund të jetë për përmirësimin e një pasurie të paluajtshme, procesi i përmirësimit sporadik do të përfshijë edhe pasuritë e tjera, të cilat preken nga përmirësimi i të dhënave të regjistrimit për pasurinë e paluajtshme që është objekt i kërkesës.
Në këtë numër pasurish do të përfshihen ato pasuri që ndodhen brenda parcelës bujqësore mëmë ose brenda një territori minimal me kufij natyrorë apo pasuri të paluajtshme, që dallohen qartë në produktet fotogrametrike dhe në terren.
16.Regjistruesi, bazuar në informacionin e nxjerrë pas verifikimeve të kryera, nxjerr urdhër për kryerjen e shënimit “Mbi pasurinë A/B po kryhet procesi i përmirësimit sporadik, sipas kërkesës së (emri i subjektit), me nr.__, datë___”, në seksionin “D” të kartelave të pasurive të paluajtshme, që preken nga përmirësimi, dhe njofton të gjithë pronarët përkatës për këtë shënim.
17. Pas verifikimit të kryer nga ZVRPP-ja, regjistruesi informon palën e interesuar për sa është verifikuar dhe i kërkon asaj të kryejë studimin hartografik të zonës ku do të kryhet procesi i përmirësimit sporadik, nëpërmjet inxhinierëve gjeodet të licencuar, duke i bashkëlidhur fragmente të hartës kadastrale ekzistuese dhe pjesë të produktit fotogrametrik.
18. Pala e interesuar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve pas marrjes së shkresës nga regjistruesi i ZVRPP-së, duhet të paraqesë në ZVRPP studimin topografik në format manual dhe digjital.
19.Me paraqitjen e studimit topografik, ZVRPP-ja kryen procesin e përmirësimit të të dhënave digjitale dhe manuale të regjistrit të pasurive të paluajtshme që janë përfshirë në procesin e përmirësimit sporadik. Procesi i përmirësimit sporadik të pasurive në formatin digjital do të kryhet në programin ALBSReP.
20. Nëse studimi nuk paraqitet brenda 30 (tridhjetë) ditëve, atëherë regjistruesi refuzon kryerjen e procesit të përmirësimit sporadik, nxjerr urdhrin për heqjen e shënimit të vendosur mbi pasuritë që do të ishin pjesë e përmirësimit sporadik, duke njoftuar kryeregjistruesin.
21. Kartela e pasurisë/pasurive të paluajtshme dhe harta kadastrale e përmirësuar, në zbatim të urdhrit të kryeregjistruesit, afishohen për një periudhë 45- ditore në mjediset e ZVRPP-së dhe të organit të qeverisjes vendore, ku ndodhet e pozicionuar zona apo pasuria, e cila i nënshtrohet përmirësimit dhe/ose përditësimit të të dhënave.
Brenda afatit të afishimit publik, personat e interesuar kanë të drejtë të paraqesin pretendimet për përmirësimin e të dhënave pas periudhës së afishimit publik. Të gjitha pasuritë e paluajtshme, për të cilat nuk ka asnjë pretendim, do të regjistrohen siç janë në kartelat dhe hartat kadastrale të përmirësuara.
22. Pretendimet e paraqitura gjatë afishimit publik shqyrtohen nga regjistruesi. Mosmarrëveshjet, që nuk zgjidhen ndërmjet palëve, zgjidhen nga organet gjyqësore dhe fakti i ekzistencës së kësaj mosmarrëveshjeje pasqyrohet në kartelën e pasurisë/ve të paluajtshme, objekt shqyrtimi.
23. Urdhri i kryeregjistruesit për fillimin e procesit të përmirësimit sistematik/sporadik publikohet në faqen zyrtare të internetit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, me qëllim informimin e publikut.
24. Ngarkohet Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E NORMAVE TË CILËSISË SË MJEDISIT PËR UJËRAT SIPËRFAQËSORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 29, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Dispozita të përgjithshme
1. Qëllimi i këtij vendimi është vendosja e normave të cilësisë së mjedisit të trupave ujorë sipërfaqësore, për substancat prioritare dhe ndotës të tjerë, me qëllim arritjen e statusit të mirë kimik të ujërave sipërfaqësorë dhe në përputhje me objektivat mjedisorë, sipas nenit 25, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”.
2. Të gjithë termat e përdorur në këtë vendim kanë kuptimin që u është dhënë nga ligji nr.111/2012, datë 15.12.2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”.
II. Normat e cilësisë së mjedisit
3. Për ujërat sipërfaqësore zbatohen normat e cilësisë së mjedisit, të përcaktuara në pjesën A, të aneksit I, bashkëlidhur këtij vendimi.
4. Normat e cilësisë së mjedisit për trupat ujorë sipërfaqësorë zbatohen në përputhje me kërkesat e pjesës B, të aneksit I, bashkëlidhur këtij vendimi.
5. Për kategori të caktuara të ujërave sipërfaqësore, si alternativë e normave të cilësisë së mjedisit të përmendura në pjesën A, të aneksit I, mund të zbatohen normat e cilësisë së mjedisit për sedimentin dhe/ose biotën. Në raste të tilla:
a) Normat e cilësisë së mjedisit për indet e kafshëve të gjahut (peshë e njomë) zbatohen, duke zgjedhur atë indikator që është më i përshtatshëm për peshqit, molusqet, krustacet dhe llojet e tjera të biotës, si më poshtë vijon:
i. për mërkurin dhe përbërësit e tij, 20 mg/kg;
ii. për hekzaklorobenzenin, 10 mg/kg;
iii. për hekzaklorobutadienin, 55 mg/kg.
b) Përveç normave të cilësisë së mjedisit të referuara në shkronjën “a”, për sedimentin dhe/ose biotën, për substanca të tjera, të specifikuara sipas shkronjës “d”, mund të përcaktohen dhe të zbatohen edhe norma të tjera të cilësisë së mjedisit. Normat e tjera duhet të ofrojnë, të paktën, të njëjtin nivel mbrojtjeje si ato që përcaktohen në pjesën A, të aneksit I.
c) Agjencia Kombëtare e Mjedisit përcakton shpeshtësinë e monitorimit të biotës dhe/ose sedimentit për substancat e referuara në shkronjat “a” dhe “b”, të paktën, një herë në vit, në qoftë se, në bazë të gjykimit dhe njohurive teknike të saj, nuk justifikohet një shpeshtësi tjetër monitorimi.
ç) Në planin e menaxhimit të basenit ujor specifikohen substancat për të cilat do të përcaktohen normat e cilësisë së mjedisit, në përputhje me shkronjën “b”, arsyet dhe bazat për përdorimin e kësaj përqasjeje, normat alternative të vendosura për cilësinë e mjedisit, përfshirë të dhënat dhe metodologjinë nga ku e kanë origjinën, kategoritë e ujërave sipërfaqësore ku zbatohen këto norma, shpeshtësinë e planifikuar të monitorimit dhe justifikimin për atë shpeshtësi.
III. Monitorimi dhe analiza
6. Agjencia Kombëtare e Mjedisit kryen analizën e tendencës afatgjatë për substancat prioritare të listuara në pjesën A, të aneksit I, të cilat kanë tendencë të akumulohen në sediment dhe/ose në biotë, bazuar në monitorimin e statusit të ujërave, të kryer në përputhje me nenin 85, të ligjit nr.111/2012, datë 15.12.2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”.
7. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në kryerjen e analizës së referuar në pikën 6, i kushton kujdes të veçantë substancave me numër 2, 5, 6, 7, 12, 15, 16, 17, 18, 20, 21, 26, 28 dhe 30, të përmendura në pjesën A, të aneksit I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në përputhje me objektivat mjedisorë, të përcaktuar në nenin 25, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, merr masat e nevojshme për të siguruar që përqendrimet e substancave prioritare, të listuara në pjesën A, të aneksit I, që i bashkëlidhet këtij vendimi, në sediment dhe/ose biotën përkatëse, të mos rriten shumë.
9. Agjencia Kombëtare e Mjedisit monitoron sedimentin dhe/ose biotën në mënyrë që të japë të dhëna të mjaftueshme për një analizë të besueshme të tendencës afatgjatë.
10. Agjencia Kombëtare e Mjedisit siguron që monitorimi i referuar në pikën 9 të kryhet të paktën çdo tre vjet, në qoftë se, në bazë të gjykimit dhe njohurive teknike të saj, nuk justifikohet një shpeshtësi tjetër monitorimi.
IV. Inventari i emetimeve, shkarkimeve dhe humbjeve
11. Agjencia Kombëtare e Mjedisit harton inventarët, përfshirë hartat e emetimeve, shkarkimeve dhe humbjeve të të gjitha substancave prioritare dhe ndotësve të tjerë të listuar në pjesën A, të aneksit I, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përfshirë përqendrimet e tyre në sediment dhe biotë, sipas rastit, në qoftë se janë të disponueshme.
12. Inventarët e përmendur në pikën 11, hartohen për çdo basen ujor që shtrihet brenda Republikës së Shqipërisë.
13. Inventarët e përmendur në pikën 11 hartohen në bazë të informacionit të grumbulluar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.
14. Periudha e referencës për vlerësimin e vlerave të ndotësve, që duhen përfshirë në inventarët e përmendur në pikën 11, janë vitet 2012 dhe 2013.
15. Inventarët e përmendur në pikën 12 përditësohen, si pjesë e rishqyrtimit të analizës së karakteristikave të basenit ujor përkatës, në përputhje me nenin 36, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”.
16. Periudha e referencës për përcaktimin e vlerave në inventarët e përditësuar, të përmendur në pikën 14, është viti përpara të cilit duhet të kryhet analiza.
17. Inventarët e përditësuar, të përmendur në pikën 15, përditësohen edhe në planin e menaxhimit të basenit ujor përkatës.
18. Inventarët dhe të gjitha përditësimet e tyre, përfshirë periudhat përkatëse të referencës, vihen në dispozicion të publikut, në përputhje me nenin 43, të ligjit nr.10 431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”.
19. Ministri miraton udhëzimet teknike për hartimin e inventarëve.
V. Ndotja ndërkufitare
20. Sipas rastit, në planin e menaxhimit të basenit ujor për trupat ujorë të ndikuar nga ndotja ndërkufitare specifikohet:
a) nëse normat e cilësisë së mjedisit janë tejkaluar, për shkak të një burimi ndotjeje jashtë juridiksionit të Republikës së Shqipërisë;
b) nëse si rezultat i një ndotjeje të tillë ndërkufitare, nuk mund të merren masa efektive për të respektuar normat përkatëse të cilësisë së mjedisit;
c) një përmbledhje e masave që janë ndërmarrë në lidhje me ndotjen ndërkufitare.
VI. Dispozita të fundit
21. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Ujit dhe këshillat e baseneve ujore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROGRAMIN E NXITJES SË PUNËSIMIT TË PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 8, të ligjit nr.7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Zyra përkatëse e punësimit financon për punësimin e personave me aftësi të kufizuara:
a) Punëdhënësin, me një financim mujor në masën deri në 100 për qind të sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, të pjesës së kontributit të punëdhënësit, me kusht që kohëzgjatja e kontratës së punës të mos jetë më e shkurtër se një vit. Ky financim bëhet nga zyra e punësimit në degën e sigurimeve shoqërore sipas procedurave përkatëse;
b) Punëdhënësin, me një financim për të pajisuar siç duhet vendin e punës/transport (përshtatja e arsyeshme) të personit me aftësi të kufizuar dhe për t’i siguruar atij/asaj një përgatitje thelbësore për punën deri në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë, por jo më shumë se 200 000 (dyqind mijë) lekë, nëse punëson më shumë se dy persona. Për këtë, punëdhënësit duhet të paraqesin një projekt për përshtatjen e arsyeshme;
c) Punëmarrësin, punëkërkuesin e papunë person me aftësi të kufizuar, sipas këtij programi, me një financim mujor në masën deri 100 për qind të nivelit të pagës minimale në shkallë vendi deri për 6 (gjashtë) muajt e parë të punësimit;
ç) Punëmarrësin, punëkërkuesin e papunë person me aftësi të kufizuar, me një financim mujor në masën deri në 50 për qind të nivelit të pagës minimale në shkallë vendi deri për 6 (gjashtë) muajt e dytë të punësimit.
2. Zyra përkatëse e punësimit financon për formimin në punë të personave me aftësi të kufizuara:
a) Punëdhënësin, deri në 70 për qind të tarifave me bazë koston e trajnimit;
b) Kursantin, punëkërkuesin e papunë, të përfshirë sipas këtij programi, në masën deri në 50 për qind të pagës minimale në shkallë vendi;
c) Derdhjen e kontributit për sigurimin nga aksidentet në punë, në masën 0.5 për qind të pagës minimale, i cili derdhet në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, sipas procedurave përkatëse.
3. Pas përfundimit të kontratës së punës, sipas pikës 1, të këtij vendimi, në rastin e vazhdimit të punësimit me kontratë, punëdhënësi ka të drejtë të riaplikojë për këtë program në vitin pasardhës, pas shprehjes së vullnetit të të dyja palëve për zgjatjen e kontratës, sipas kushteve të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Pas përfundimit të kontratës së punës, sipas pikës 1, të këtij vendimi, në rastin e vazhdimit të punësimit me kontratë dhe me pagesë të plotë nga ana e punëdhënësit, në lidhje me pagesat e aftësisë së kufizuar zbatohet legjislacioni në fuqi.
5. Kohëzgjatja e programit të formimit në punë, sipas pikës 2, të këtij vendimi, është jo më shumë se 6 (gjashtë) muaj për të gjitha profesionet. Në përfundim të periudhës së formimit, punëdhënësit duhet të punësojnë jo më pak se 30 për qind të të trajnuarve, për një periudhë 6-mujore.
6. Pjesëmarrësit në formim, sipas pikës 2, të këtij vendimi, duhet të jenë persona të pakualifikuar profesionalisht.
7. Tarifat për kostot e formimit nëpërmjet punës vendosen nga komisioni i përcaktuar në vendimin nr.47 datë 16.1.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për programin e nxitjes së punësimit, nëpërmjet formimit në punë”, të ndryshuar.
8. Punëkërkuesit e papunë me aftësi të kufizuara të përfshirë në program sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, nuk e humbasin pagesën që përfitojnë për shkak të aftësisë së kufizuar.
9. Një punëdhënës mund të aplikojë për të përfituar financimin e përcaktuar sipas pikës 1 ose sipas pikës 2, të këtij vendimi, por jo për të dyja pikat njëkohësisht.
10. Financimi sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, ndërpritet në rastin kur punëdhënësi, pas përfitimit të financimit, në zbatim të këtij vendimi, zgjidh pa shkaqe të arsyeshme kontratat e punës së punëmarrësve të tjerë, të punësuar pranë tij.
11. Zyra përkatëse e punësimit bën njoftimin në Buletinin e Njoftimeve Publike, çdo vit, për fondin e vënë në dispozicion dhe kriteret e përfitimit nga ky program. Publikimi i programit bëhet gjithashtu me të gjitha mjetet e mundshme elektronike dhe joelektronike.
12. Punëdhënësi që aplikon për programin e punësimit nuk duhet të ketë shkelur në të kaluarën legjislacionin e punës dhe duhet të ketë derdhur, rregullisht, tatimet e sigurimet e detyrueshme shoqërore, për aq kohë sa kryen veprimtarinë.
13. Për të përfituar nga ky program, punëdhënësi duhet të paraqesë pranë zyrës përkatëse të punësimit, ku ai zhvillon veprimtarinë, dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Vendimin e gjykatës për regjistrimin si person juridik apo fizik ose vendimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit;
b) Numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT-in);
c) Vërtetimin për shlyerjen e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që lëshohen nga organi tatimor përkatës, për aq kohë sa ushtron veprimtarinë, për subjektet me kohëzgjatje aktiviteti më pak se një vit, dhe për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimi, për subjektet me kohëzgjatje aktiviteti prej më shumë se një viti;
ç) Numrin e llogarisë bankare;
d) Vërtetimin nga dega e tatim-taksave, ku personi juridik ushtron veprimtarinë, për shlyerjen e detyrimeve tatimore për aq kohë sa kryen veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimit;
dh) Informacion për:
i) numrin e fuqisë punëtore;
ii) listën e të siguruarve;
iii) llojin e veprimtarisë që kryen;
iv) nivelin e pagës së dhënë, për çdo person;
v) planbiznesin për shtimin e fuqisë punëtore.
vi) akte të inspektimit në punë, të kryera nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
14. Punëdhënësit mund të aplikojnë për programin në mënyrë elektronike apo pranë zyrave të punësimit.
15. Zyra përkatëse e punësimit ia paraqet këshillit vendor tripalësh, të ngritur pranë saj, projektet që kërkohen të zbatohen aty ku ajo ushtron veprimtarinë, i cili, pasi shqyrton dhe vlerëson dobinë social-ekonomike të tyre, i miraton ato në parim.
16. Pas miratimit, në parim, të projekteve në këshillin vendor tripalësh, zyra përkatëse e punësimit іa dërgon, për miratim, Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
17. Për zbatimin e pikës 15, të këtij vendimi, në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit ngrihet komisioni i miratimit të projekteve, me jo më pak se 5 (pesë) persona. Mënyra e organizimit, vlerësimit të projekteve dhe e funksionimit të punës, si dhe përbërja e komisioneve përcaktohen në rregulloren e këshillit administrativ tripalësh të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
18. Komisioni і miratimit të projekteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit vendos miratimin ose jo të projektit, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune.
19. Për projektet e miratuara, zyra përkatëse e punësimit, në bashkëpunim me punëdhënësin, plotësojnë listën e punëkërkuesve të papunë persona me aftësi të kufizuara, që do të përfshihen në program.
20. Ndërmjet zyrave përkatëse të punësimit dhe punëdhënësit nënshkruhet një kontratë, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrimet, në përputhje me programin, për secilën palë. Kontratat lidhen vetëm për vitin buxhetor për të cilin është miratuar projekti. Për vazhdimin e projektit në vitin pasardhës do të lidhet një kontratë shtesë, në përputhje me fondet e miratuara atë vit.
21. Punëdhënësi dhe punëkërkuesi si punëmarrës, nënshkruajnë një kontratë individuale pune, në të cilën përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin e Punës dhe në këtë vendim. Një kopje e kontratës së punës së çdo punëkërkuesi punëmarrës, depozitohet në zyrën përkatëse të punësimit, e cila ndjek zbatimin e kontratës deri në përfundim të projektit.
22. Në rastet kur punëkërkuesi si punëmarrës, pjesëmarrës në këtë program, largohet përpara afatit të përcaktuar në kontratë, për shkaqe të arsyeshme, zëvendësimi bëhet nga zyra përkatëse e punësimit, pas njoftimit nga punëdhënësi për shkaqet e zgjidhjes së kontratës.
23. Nëse punëdhënësi në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të arsyeshme bën zgjidhjen e kontratës së punës me punëkërkuesin e punësuar, është і detyruar ta kthejë të gjithë financimin e marrë për punëkërkuesin e punësuar, që nga data e parë e dhënies së tij, së bashku me interesat, të llogaritura sipas normës bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë.
24. Kontratat tip, sipas përcaktimeve të dhëna në pikat 20 e 21, të këtij vendimi, hartohen nga Shërbimi Kombëtar і Punësimit dhe janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga zyrat përkatëse të punësimit.
25. Shërbimi Kombëtar i Punësimit analizon efektshmërinë e programit dhe përgatit raporte vjetore, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, të cilat ia paraqet Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Drejtorisë së Ndihmës Shtetërore, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
26. Shërbimi Kombëtar i Punësimit ruan të dhënat për skemën deri në 10 (dhjetë) vjet, pas dhënies së fundit të ndihmës individuale.
27. Programi vlerësohet, në vitin pasardhës, nga ekspertë ose organizata të pavarura që kanë përvojë në këtë fushë dhe njohuri për tregun e punës.
28. Kostoja dhe vlerësimi i këtij programi përballohen nga fondet vjetore të buxhetit të shtetit, zëri “Nxitja e punësimit”, miratuar për Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
29. Skema të fillojë të zbatohet me hyrjen në fuqi të këtij vendimi dhe kohëzgjatja e saj të jetë 5 (pesë) vjet.
30. Ngarkohen Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për nxjerrjen e udhëzimeve për zbatimin dhe mbikëqyrjen e programit, dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit për zbatimin e programit nëpërmjet zyrave të punësimit.
31. Vendimi nr.353, datë 24.4.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për programin e nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë të rinj”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.396, DATË 31.3.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KUFIJVE DHE RREGULLORES SË ADMINISTRIMIT TË PARQEVE ARKEOLOGJIKE TË SHKODRËS, LEZHËS, APOLONISË, BYLISIT, AMANTIAS, ORIKUMIT, ANTIGONESË, FINIQIT DHE BUTRINTIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në rregulloren e administrimit të parqeve arkeologjike, miratuar me vendimin nr.396, datë 31.3.2005, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Pika 3, e kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Strukturat përgjegjëse të administrimit të parqeve arkeologjike janë, si më poshtë vijon:
– Struktura përgjegjëse për administrimin e Parkut Arkeologjik Shkodër – Lezhë, sipas kësaj rregulloreje është Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër;
– Struktura përgjegjëse për administrimin e Parkut Arkeologjik Antigone, sipas kësaj rregulloreje është Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Gjirokastër;
– Struktura përgjegjëse për administrimin e Parkut Arkeologjik Amantia – Orikum – Finiq, sipas kësaj rregullore është Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë;
– Struktura përgjegjëse për Administrimin e Parkut Arkeologjik, Apoloni, është Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkelogjik, Apoloni.
– Struktura përgjegjëse për administrimin e Parkut Arkeologjik, Bylis, është Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkelogjik, Bylis.”.
2. Në kreun II bëhen këto ndryshime:
a) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Krijohet Bordi Kombëtar i Parqeve Arkeologjike (BKPA), organ vendimmarrës i cili mbikëqyr veprimtarinë e ZAKPA-ve dhe strukturave përkatëse pranë drejtorive rajonale të kulturës kombëtare. BKPA-ja kryesohet nga ministri i Kulturës dhe përbëhet nga përfaqësues të:
– Ministrisë së Mjedisit;
– Ministrisë për Çështjet Vendore;
– Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit;
– Drejtorisë së Përgjithshme të Planifikimit Strategjik për Trashëgiminë dhe Diversitetin Kulturor;
– Institutit të Monumenteve të Kulturës;
– Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik.
Drejtorët e drejtorive rajonale të kulturës kombëtare të Gjirokastrës, Shkodrës, Vlorës dhe drejtori i ZAPA-së Apoloni-Bylis marrin pjesë në mbledhjet e Bordit, pa të drejtë vote.”.
b) Pika 7 shfuqizohet.
3. Në kreun III bëhen këto ndryshime:
a) Pika 11 shfuqizohet.
b) Pikat 13 dhe 14 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“13. ZAKPA-të janë struktura buxhetore në varësi të ministrit të Kulturës. Struktura dhe organika e tyre miratohet me urdhër të Kryeministrit.
14. Drejtori i ZAKPA-së emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra nga ministri i Kulturës.”.
4. Ngarkohen zyrat e administrimit të Parkut Arkeologjik Shkodër – Lezhë, të Parkut Arkeologjik Amantia – Orikum – Finiq dhe të Parkut Arkeologjik Antigone të dorëzojnë të gjithë dokumentacionin ligjor pranë drejtorive rajonale të kulturës kombëtare Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër.
5. Dorëzimi i dokumentacionit të bëhet brenda 15 ditëve nga data e miratimit të strukturës dhe të organikës për secilën drejtori rajonale të kulturës kombëtare përgjegjëse.
6. Fondi i buxhetit i parashikuar për strukturat e parqeve që transferohen pranë drejtorive rajonale të kulturës kombëtare do t’i rialokohet institucionit të cilit i transferohen të drejtat.
7. Në të gjithë përmbajtjen e vendimit emërtimet “Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve” dhe “ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve” zëvendësohen përkatësisht me “Ministria e Kulturës” dhe “ministri i Kulturës”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN NGA DETYRA TË KRYETARIT TË QENDRËS KOMBËTARE TË ARTIT DHE KULTURËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.10352, datë 18.11.2010, “Për artin dhe kulturën”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Frok Çupi, kryetar i Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
funksionimin, të drejtat dhe detyrat e komisionit të vlerësimit të titujve akademikë
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 67, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë (KVTA) funksionon si organ kolegjial vendimmarrës, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
2. Ky komision, në ushtrim të funksioneve dhe të përgjegjësive të përcaktuara në ligjin nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kryen dhe ka këto detyra e të drejta:
a) Vlerëson dhe merr vendim për propozimet e institucioneve të arsimit të lartë për dhënien e titullit akademik “Profesor”. Propozimet dhe vendimet për dhënien e titujve regjistrohen nga sekretariati i KVTA-së në regjistrin e krijuar për këtë qëllim. Procedura e shqyrtimit dhe formati i regjistrimit të titujve akademikë përcaktohen me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Sportit.
b) Kryen njohjen zyrtare në Republikën e Shqipërisë të gradave ose titujve shkencorë, të lëshuar nga institucione të huaja të arsimit të lartë, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Sportit. Kërkesat dhe vendimet për njohjen e titullit regjistrohen nga sekretariati i KVTA-së në regjistrin e krijuar për këtë qëllim. Formati i regjistrimit të të dhënave përcaktohet me udhëzim të ministrit të Arsimit dhe Sportit.
c) U bën rekomandime institucioneve të arsimit të lartë për organizimin e studimeve të doktoratës dhe promovimin për titujt akademikë.
ç) Vlerëson, me kërkesë të ministrit të Arsimit dhe Sportit, zbatimin e kritereve dhe të procedurave për kualifikimin shkencor nga institucionet e arsimit të lartë dhe, kur vëren shkelje të kuadrit ligjor dhe nënligjor, propozon masat përkatëse.
d) Gëzon të drejtën të dërgojë përfaqësuesit e vet për të mbikëqyrur procedurat për mbrojtjen e doktoratave, si dhe për shqyrtimin e titujve akademikë, të cilat zhvillohen nga institucionet e arsimit të lartë në mbledhjet (seancat) e hapura.
KVTA-së mund t’i ngarkohen edhe detyra të tjera për kualifikimin shkencor, në përputhje me ligjin nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
3. KVTA-ja merr vendim me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje.
4. Komisioni mblidhet me njoftim të kryetarit, sipas rendit të ditës, të përcaktuar prej tij.
5. Mbledhjet zhvillohen sipas rregullores, të miratuar nga vetë KVTA-ja.
6. Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë (KVTA) përbëhet nga 15 anëtarë, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
7. Pagesa e kryetarit dhe e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë të jetë, përkatësisht, 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë për mbledhje, për kryetarin, dhe nga 13 000 (trembëdhjetë mijë) lekë për mbledhje, për anëtarët. Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë mblidhet jo më shumë se 9 (nëntë) herë në vit.
8. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
9. Vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.633, datë 23.5.2008, “Për funksionimin, të drejtat dhe detyrat e Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë”, dhe nr.599, datë 31.8.2006, “Për përbërjen e Komisionit të Kualifikimit Shkencor”, shfuqizohen.
10. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I ST R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.