Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave 30 Tetor 2015

 

V E N D I M

PËR 

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF014999, NDËRMJET SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTAREPËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT TË AKORDUAR NGA FONDI I MIRËBESIMIT ME SHUMË DONATORË, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË ZBATIMIT TË NISMËS PËR TRANSPARENCË NË INDUSTRINË NXJERRËSE NË SHQIPËRI (EITI)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit nr.TF014999, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të akorduar nga Fondi i Mirëbesimit me Shumë Donatorë, për financimin e projektit të zbatimit të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri (EITI), me një shumë prej 300 000 (treqind mijë) USD-sh sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI  

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF018931, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (IBRD), QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE GRANT TË SIGURUARA NGA QEVERIA E KONFEDERATËS ZVICERANE, PËRFAQËSUAR NGA SEKRETARIATI SHTETËROR ZVICERAN PËR CËSHTJET EKONOMIKE (SECO), NË KUADËR TË FONDIT TË MIRËBESIMIT  SECO, PËR FUQIZIMIN E KAPACITETEVE MBIKËQYRËSE TË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES FINANCIARE NË SHQIPËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit nr.TF018931, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga qeveria e Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), në kuadër të fondit të mirëbesimit SECO, për fuqizimin e kapaciteteve mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në Shqipëri, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN DHE MARRJEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM, PËR INTERES PUBLIK, TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I URAVE DHE RRUGËVE HYRËSE TË PROJEKTIT TË GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIK (PROJEKTI TAP)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 7 e 8, të pjesës së parë e të dytë të shtojcës 1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), ratifikuar me ligjin nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG,” dhe neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Shpronësimin dhe marrjen në përdorim të përkohshëm, për interes publik, të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i urave dhe rrugëve hyrëse në Fier, Korçë e Skrapar, të projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), sipas listave bashkëlidhur këtij vendimi.

2.    Shpronësimi të bëhet në favor të shtetit, përfaqësuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë.

3.    Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen dhe merren në përdorim të përkohshëm, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të kompensimit që paraqitet në tabelat bashkëlidhur, për sipërfaqet 7 511.75 (shtatë mijë e pesëqind e njëmbëdhjetë pikë shtatëdhjetë e pesë) m2, e cila merret në përdorim të përkohshëm, dhe 3 600.07 (tre mijë e gjashtëqind pikë zero shtatë) m2, e cila shpronësohet, me vlerë të përgjithshme prej 6 009 028.03 (gjashtë milionë e nëntë mijë e njëzet e tetë pikë zero tre) lekësh.

4.    Vlera e përgjithshme e kompensimit për shpronësimin dhe marrjen në përdorim të përkohshëm si dhe vlera e shpenzimeve procedurale të përballohen nga shoqëria TAP AG, si subjekti kërkues i këtij shpronësimi.

5.    Për likuidimin, për efekt të shpronësimit dhe marrjes në përdorim të përkohshëm, të procedohet, si më poshtë vijon:

a)    Për të gjitha pasuritë, për të cilat, në kolonën përkatëse, është bërë shënimi “ZVRPP konfirmon ndryshim midis sipërfaqes së dokumentit nga ajo fakt”, pronarët do të likuidohen pas saktësimit, pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, të sipërfaqes që kanë në pronësi, në bazë të dokumentacionit të pronësisë që do të lëshohet nga kjo zyrë;
b)    Për të gjitha pasuritë, për të cilat, në kolonën përkatëse, është bërë shënimi “ZVRPP konfirmon se për këtë pronë mungon AMTP”, pronarët do të likuidohen pas plotësimit të dokumentacionit të kërkuar nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në bazë të dokumentacionit të pronësisë që do të lëshohet nga kjo zyrë;
c)    Për të gjitha pasuritë, për të cilat, në kolonën përkatëse, është bërë shënimi “ZVRPP konfirmon se për këtë pronë ka kufizim”, pronarët do të likuidohen pas heqjes së kufizimit të vendosur mbi pronën, në bazë të dokumentacionit të pronësisë që do të lëshohet nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
ç) Për të gjitha pasuritë, për të cilat, në kolonën përkatëse, është bërë shënimi “ZVRPP konfirmon se mbi pronën është vendosur garanci kredie”, pronarët do të likuidohen pas heqjes së garancisë së vendosur, në bazë të dokumentacionit të pronësisë që do të lëshohet nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
d)    Për të gjitha pasuritë, për të cilat, në kolonën përkatëse, është bërë shënimi “ZVRPP konfirmon se për këtë pronë ka kufizim, pasi ka vendim sekuestro”, pronarët do të likuidohen pas heqjes së vendimit të sekuestros, në bazë të dokumentacionit të pronësisë që do të lëshohet nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
dh)     Për të gjitha pasuritë, për të cilat, në kolonën përkatëse, është bërë shënimi “ZVRPP konfirmon se mbi pronën ka vendim të ndërmjetëm për sigurim padie”, pronarët do të likuidohen pas marrjes dhe sipas vendimit të formës së prerë të Gjykatës si dhe në bazë të dokumentacionit të pronësisë, që do të lëshohet nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
e)    Për të gjitha pasuritë, për të cilat, në kolonën përkatëse, është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP”, pronarët do të likuidohen në bazë të dokumentacionit të pronësisë.

6.    Çdo pronar, për t’u likuiduar për efekt shpronësimi dhe marrjeje në përdorim të përkohshëm, të dorëzojë dokumentacionin e plotë të pronësisë, vërtetimin  nga banka, për numrin e llogarisë dhe IBAN, si dhe kopje të kartës së identitetit pranë shoqërisë TAP AG.

7.    Çdo përdorues të likuidohet, për efekt shpronësimi, në bazë të kopjes së dokumentit të identifikimit, vërtetimit nga banka, për numrin e llogarisë dhe IBAN, si dhe certifikatës familjare, që do të dorëzojë pranë shoqërisë TAP AG.

8.    Procesi i shpronësimit të fillojë brenda muajit nëntor 2015.
9.    Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Fier, Korçë e Skrapar, në bashkëpunim me shoqërinë TAP AG, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë që do t’u vihet në dispozicion nga shoqëria TAP AG, si dhe procesin e kalimit të pronësisë dhe marrjes në përdorim të përkohshëm, në favor të shtetit, duke pezulluar të gjitha transaksionet për pasuritë, sipas listave bashkëlidhur këtij vendimi.
10.    Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, shoqëria TAP AG, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Fier, Korçë e Skrapar për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI  

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.692, DATË 29.7.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN DHE MARRJEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM, PËR INTERES PUBLIK, TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I URAVE DHE RRUGËVE HYRËSE TË PROJEKTIT TË GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIK (PROJEKTI TAP)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të       ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Në vendimin nr.692, datë 29.7.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto  ndryshime:

a)    Në tabelat 1 dhe 2 bëhen ndryshimet në numrat rendorë përkatës, sipas të dhënave të përcaktuara në tabelat 1 dhe 2, bashkëlidhur këtij vendimi.

b)    Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Pronarët dhe përdoruesit e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen dhe merren në përdorim të përkohshëm, të kompensohen në vlerë të plotë për sipërfaqen 29 074.72 (njëzet e nëntë mijë e shtatëdhjetë e katër pikë shtatëdhjetë e dy) m2, e cila shpronësohet, dhe për sipërfaqen 38 214.21 (tridhjetë e tetë mijë e dyqind e katërmbëdhjetë pikë njëzet e një) m2, e cila merret në përdorim të përkohshëm, me një vlerë totale kompensimi prej 21 061 715.06 (njëzet e një milionë e gjashtëdhjetë e një mijë e shtatëqind e pesëmbëdhjetë pikë zero gjashtë) lekësh, ku përfshihen vlera e shpronësimit, vlera e marrjes në përdorim të përkohshëm, vlera e kulturave bujqësore dhe vlera e objekteve, sipas të dhënave të përcaktuara në tabelat 1, 2 dhe 3, bashkëlidhur këtij vendimi.”.

2.    Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Korçë, Devoll, Skrapar dhe shoqëria Trans Adriatic Pipeline (TAP AG) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI  

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E PLANIT TË SHPENZIMEVE, PËR VITIN 2016, TË ENTIT RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 11, të  ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Miratimin e planit të shpenzimeve të Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura, për vitin 2016, në shumën 40 258 000 (dyzet milionë e dyqind e pesëdhjetë e tetë mijë) lekë, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2.    Ngarkohet Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI  

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR SIGURIMIN E BURIMEVE RADIOAKTIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 9, të ligjit nr.8025, datë 9.11.1995, “Për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Miratimin e rregullores “Për sigurimin e burimeve radioaktive në Republikën e Shqipërisë”, sipas tekstit e shtojcave që i bashkëlidhen dhe janë pjesë përbërëse e këtij vendimi.

2.    Vendimi nr.344, datë 29.4.2011, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Për sigurimin fizik të materialeve radioaktive në Republikën e Shqipërisë””, shfuqizohet.

3.    Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe të gjitha institucionet që përmenden në rregullore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI

***

V E N D I M

PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.593, DATË 10.9.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E FONDIT NË MBËSHTETJE TË SIPËRMARRJEVE TË REJA “START-UP””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, shkronjat “a”, “c”, “ç”, “d” e “dh”, 7, pika 2, dhe 8, të ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.10303, datë 15.7.2010, “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA)”, dhe të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Paragrafi i dytë, në pikën 4, të vendimit nr.593, datë 10.9.2014, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, me këtë përmbajtje:

“Gëzojnë të drejtën për të përfituar nga kjo skemë të gjitha sipërmarrjet e reja që zhvillojnë veprimtari për një periudhë nga 0 (zero) deri në 2 (dy) vjet dhe janë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA  

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI

***
V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.592, DATË 10.9.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E FONDIT NË MBËSHTETJE TË GRAVE SIPËRMARRËSE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, shkronjat “a”, “c”, “ç”, “d” e “dh”, 7 e 8, të ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar, të neneve 5 e 7, të ligjit nr.10303, datë 15.7.2010, “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA)”, dhe të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.592, datë 10.9.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1.    Shkronja “d”, e  pikës 6, shfuqizohet.

2.    Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“9. Ngarkohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) për menaxhimin e fondit që do të përdoret për subvencionimin e interesave të kredive dhe për të lidhur marrëveshje me qëllim disbursimin e Fondit në Mbështetje të Grave Sipërmarrëse, me institucionet e mikrokredisë, si:

a)    Institucionet financiare jobankare;
b)    Shoqëritë e kursim-kreditit;
c)    Bankat e nivelit të dytë që ofrojnë mikrokredi”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9482,  datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Sipërfaqet maksimale, për të cilat miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën e ndërtimit pa leje, të jenë sipas listës emërore dhe evidencës që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2.    Numri i parcelave ndërtimore dhe sipërfaqja e përgjithshme e truallit për secilin qark janë, si më poshtë vijon:

a)    Qarku Durrës, 106 (njëqind e gjashtë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 41 908 (dyzet e një mijë e nëntëqind e tetë) m²;
b)    Qarku Elbasan, 28 (njëzet e tetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 6 744 (gjashtë mijë e shtatëqind e dyzet e katër) m²;
c)    Qarku Lezhë, 144 (njëqind e dyzet e katër) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 36 424 (tridhjetë e gjashtë mijë e katërqind e njëzet e katër) m²;
ç) Qarku Kukës, 52 (pesëdhjetë e dy) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 14 891 (katërmbëdhjetë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e një) m²;
d)    Qarku Fier, 1 (një) parcelë ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 500 (pesëqind) m²;
dh)    Qarku Tiranë, 62 (gjashtëdhjetë e dy) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 14 297 (katërmbëdhjetë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e shtatë) m²;
e)    Qarku Shkodër, 46 (dyzet e gjashtë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 7 771 (shtatë mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e një) m²;
ë)    Qarku Korçë, 1 (një) parcelë ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 15.3 (pesëmbëdhjetë pikë tre) m²;
f)    Qarku Gjirokastër, 5 (pesë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 1 758 (njëmijë e shtatëqind e pesëdhjetë e tetë ) m²;

3.    Ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë së parcelave ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesit e ndërtimeve pa leje.

4.    Deri në momentin e regjistrimit të ndërtimit të legalizuar, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të mos kryejnë ndryshime të gjendjes juridike të pasurive të listuara në këtë vendim.

5.    Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***
V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.100, DATË 27.1.2009; NR.167, DATË 19.2.2009; NR.450, DATË 6.5.2009; NR.611, DATË 11.6.2009; NR.677, DATË 18.6.2009; NR.706, DATË 23.6.2009; NR.805, DATË 22.7.2009; NR.1038, DATË 14.10.2009; NR.1134, DATË 18.11.2009; NR.1283, DATË 23.12.2009; NR.125, DATË 17.2.2010; NR.247, DATË 13.4.2010; NR.404, DATË 26.5.2010; NR.549, DATË 7.7.2010; NR.646, DATË 28.7.2010; NR.118, DATË 17.2.2011; NR.359, DATË 4.5.2011; NR.513, DATË 1.8.2012; NR.686, DATË 16.8.2013; NR.42, DATË 21.1.2015; NR.474, DATË 3.6.2015; NR.615, DATË 7.7.2015; NR.699, DATË 29.7.2015 DHE NR.512, DATË 1.8.2012, TË NDRYSHUARA, PËR MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.100, datë 27.1.2009; nr.167, datë 19.2.2009; nr.450, datë 6.5.2009, nr.611, datë 11.6.2009; nr.677, datë 18.6.2009; nr.706, datë 23.7.2009; nr.805, datë 22.7.2009; nr.1038, datë 14.10.2009; nr.1134, datë 18.11.2009; nr.1283, datë 23.12.2009; nr.125, datë 17.2.2010; nr.247, datë 13.4.2010; nr.404, datë 26.5.2010; nr.549, datë 7.7.2010; nr.646, datë 28.7.2010; nr.118, datë 17.2.2011; nr.359, datë 4.5.2011; nr.513, datë 1.8.2012; nr.686, datë 16.8.2013; nr.42, datë 21.1.2015; nr.474, datë 3.6.2015; nr.615, datë 7.7.2015; nr.699, datë 29.7.2015 dhe nr.512, datë 1.8.2012, të ndryshuara, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1.    Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 7/20, 11/95, 13/60, 174/46, 274/5, 13/11, 213/6, 6/410, 7/281 e 4/604 në drejtoritë e ALUIZNI-t Elbasan e Tirana 1 të jenë sipas lidhjes C, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2.    Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 2/312 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 të jenë sipas lidhjes D, që i bashkëlidhet këtij vendimi

3.    Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 4/326 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 të jenë sipas lidhjes F, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

4.    Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 16/519, 16/287, 37/194, 33/78, 31/127, 64/14, 79/22, 7/701, 7/695, 13/259, 13/297, 9/304, 9/56, 11/495, 11/361, 2/400, 13/93, 5/634, 9/247, 9/268, 2/651, 5/497 e 2/598 në drejtoritë e ALUIZNI-t Elbasan dhe Tirana 1 të jenë sipas lidhjes G, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

5.    Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 3/481, 4/325, 3/537, 7/500, 4/194, 7/481, 11/497, 7/576, 11/335, 440/845, 8/818 e 6/412 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 të jenë sipas lidhjes H, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

6.    Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 11/723, 1/739, 1/737, 2/332, 400/220, 343/199, 13/688, 400/329, 3/182, 2/518, 2/543, 6/529, 400/553, 2/535, 14/391, 13/623 e 15/481 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 të jenë sipas lidhjes I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

7.    Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 11/728, 4/281, 11/278, 4/287, 178/14, 3/357, 3/358 e 178/38 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 të jenë sipas lidhjes J, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

8.    Gjenealitetet e poseduesve të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 6/433, 433/248, 1/330, 438/41, 438/43, 8/1037, 5/421, 8/1077, 3/212, 8/884 e 4/597 në drejtoritë e ALUIZNI-t e Tirana 1 të jenë sipas lidhjes K, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

9.    Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 5/233, 35/44, 11/163 e 1/417 në drejtoritë e ALUIZNI-t Elbasan, Tirana 1 dhe Tirana 2 të jenë sipas lidhjes L, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

10.    Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 5/530, 114/134, 114/135 e 3/426 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 të jenë sipas lidhjes M, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

11.    Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 5/718 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Shkodër të jenë sipas lidhjes N, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

12.    Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 40/113 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Berat të jenë sipas lidhjes O, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

13.    Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 8/1355, 8/1336 e 111/120 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 1 të jenë sipas lidhjes P, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

14.    Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 13/174, 6/349 e 8/384 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Elbasan të jenë sipas lidhjes Q, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

15.    Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 2/421, 400/1400, 400/1500, 8/419 e 8/219 në drejtoritë e ALUIZNI-t Tirana 1 dhe Tirana 2 të jenë sipas lidhjes R, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

16.    Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 4/365, 10/669 e 10/58 në drejtoritë e ALUIZNI-t Tirana 1 dhe Korçë të jenë sipas lidhjes S, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

17.    Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 5/338 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 2 të jetë sipas lidhjes T, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

18.    Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 51/229 e 4/625 në drejtoritë e ALUIZNI-t Kukës dhe Korçë të jenë sipas lidhjes V, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

19.    Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 3/1000 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Korçë të jenë sipas lidhjes AE, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

20.    Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 3/877 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Korçë të jenë sipas lidhjes AH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

21.    Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 6/637, 3/975 e 5/218 në drejtoritë e ALUIZNI-t Korçë dhe Tirana 2 të jenë sipas lidhjes AJ, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

22.    Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 3/1000 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Korçë të jenë sipas lidhjes AK, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

23.    Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 3/434 e 1/235 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 2 të jenë sipas lidhjes AL, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

24.    Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 27/213 në Drejtorinë e ALUIZNI-t Durrës të jenë sipas lidhjes ZH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “KORÇË – QAFË PLLOÇË (SHTESA)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Korçë – Qafë Plloçë (shtesa)”.

2.    Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

3.    Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “arë”, “truall” dhe “kultura bujqësore”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 1 334 830 (një milion e treqind e tridhjetë e katër mijë e tetëqind e tridhjetë) lekësh, nga të cilat:

⦁    tokë “arë”, me sipërfaqe 5 415 (pesë mijë e katërqind e pesëmbëdhjetë) m2, me vlerë 998 700 (nëntëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind) lekë;
⦁    tokë “truall”, me sipërfaqe 97 (nëntëdhjetë e shtatë) m2, me vlerë 144 530 (njëqind e dyzet e katër mijë e pesëqind e tridhjetë) lekë;
⦁    “kultura bujqësore”, me vlerë 191 600 (njëqind e nëntëdhjetë e një mijë e gjashtëqind) lekë.

4.    Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë “arë”, “truall” dhe “kultura bujqësore”, prej 1 334 830 (një milion e treqind e tridhjetë e katër mijë e tetëqind e tridhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

5.    Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

6.    Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.

7.    Pronarët e pasurive të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar nga ZVRPP-ja”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, pasi të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

8.    Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimin e pronarëve, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 e 7, të këtij vendimi.

9.    Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Korçë dhe Pogradec, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.

10.    Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Korçë dhe Pogradec të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.

11.    Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të  paluajtshme Korçë dhe Pogradec për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI

***
V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMETIT RRUGOR “SISTEMIM ASFALTIM RRUGA SHKOZET – DURRËS (ZONA E KËNETËS)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

12.    Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Sistemim asfaltim rruga Shkozet – Durrës (zona e kënetës)”.

13.    Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

14.    Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë tokë “arë”, me sipërfaqe 680 (gjashtëqind e tetëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 2 120 920 (dy milionë e njëqind e njëzet mijë e nëntëqind e njëzet) lekësh.

15.    Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 2 120 920 (dy milionë e njëqind e njëzet mijë e nëntëqind e njëzet) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2015, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.

16.    Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
17.    Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.

18.    Pronarët e pasurive të listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë  pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.

19.    Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në      bazë të pikave 4, 5, 6 e 7, të këtij vendimi.

20.    Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i  kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.

21.    Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.

22.    Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të  Paluajtshme Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.