Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 4 qershor 2014
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.180, DATË 13.2.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E LISTËS SË MAKINERIVE E TË PAJISJEVE QË JANË DREJTPËRDREJTË TË LIDHURA ME INVESTIMIN DHE TË PROCEDURAVE TË PËRJASHTIMEVE E TË KRITEREVE PËRKATËSE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “g”, “gj” e “i” të nenit 261/1, të ligjit nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në aneksin 1, bashkëlidhur vendimit nr.180, datë 13.2.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohen edhe kodet tarifore, sipas rendit të tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.138, DATË 12.3.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR RREGULLAT E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË SHKOLLËS SHQIPTARE TË ADMINISTRATËS PUBLIKE DHE TRAJNIMIN E NËPUNËSVE CIVILË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, 9 e 69, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.138, datë 12.3.2014, të Këshillit të Ministrave, shkronja “g”, e pikës 1, të kreut I, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“g) Një përfaqësues i shoqërisë civile, i zgjedhur nga ministri përgjegjës për administratën publike, nga radhët e organizatave jofitimprurëse me reputacion. Përvoja e këtij përfaqësuesi në organizatën përkatëse duhet të ketë qenë e lidhur me studime për administratën publike dhe/ose bashkëpunime me të.
Zgjedhja e përfaqësuesit nga shoqëria civile bëhet nga ministri përgjegjës brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.”
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE RAJONIT UMBRIA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Rajonit Umbria, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PJESËMARRJEN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË PROGRAMIN “ERASMUS+”, PROGRAM I BE-SË PËR ARSIMIN, TRAJNIMIN, RININË DHE SPORTIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 dhe 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin “Erasmus+”, program i BE-së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.173, DATË, 26.3.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE BAZË TË SEKTORËVE QË DO TË MBËSHTETEN DHE TË MASËS SË PËRFITIMIT NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL, PËR VITIN 2014”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6, pika 3, e 7, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, si dhe të ligjit nr.185/2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 3, të vendimit nr.173, datë 26.3.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Nënndarja “i”, e shkronjës “n”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“i) Ndërtimin dhe/ose rikonstruksionin e ambienteve që shërbejnë:
– për ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës dhe bimëve medicinale;
– për mbarështimin e kafshëve dhe shpendëve.”.
2. Nënndarja “i”, e shkronjës “nj”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“i) Ndërtimin dhe/ose rikonstruksionin e ambienteve që shërbejnë:
-për ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës dhe bimëve medicinale;
– për mbarështimin e kafshëve dhe shpendëve.”.
3. Pas shkronjës “nj” shtohet shkronja “o”, me këtë përmbajtje:
“o) Mbështetja e prodhimit në serra me ngrohje qendrore përmes financimit të lëndës djegëse në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë/dyn, për serrat që përdorin si lëndë djegëse naftë, dhe 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë/dyn për serrat që përdorin lëndë djegëse solar.”
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
V E N D I M
PËR
NGRITJEN E BAZËS TË TË DHËNAVE IMEI DHE REGJISTRIMIN E NUMRAVE IMEI TË APARATEVE CELULARE, QË PËRDOREN NË RRJETET E SHËRBIMEVE TË KOMUNIKIMEVE TË LËVIZSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 5, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME PËR MËNYRËN E FUNKSIONIMIT TË BAZËS TË TË DHËNAVE
1. Objekti i rregullimit të dispozitave të këtij vendimi është:
a) parashikimi i detyrimit të regjistrimit të aparateve celulare që përdoren në rrjetet që ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike të lëvizshme;
b) regjistrimi i aparateve celulare, nëpërmjet numrit IMEI që përdoret në rrjetet që ofrojnë shërbime të lëvizshme;
c) ofrimi i shërbimit vetëm për aparate me numra IMEI të regjistruar;
ç) krijimi i infrastrukturës dhe procedurave përkatëse për realizimin e këtij detyrimi.
2. Subjekt i këtij vendimi janë të gjithë personat fizikë apo juridikë, që importojnë apo tregtojnë aparate celulare, operatorët e telefonisë celulare si dhe individët, të cilët duan të blejnë apo që vihen në zotërim për përdorim vetjak të aparatit celular apo që, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, zotërojnë aparate celulare për përdorim vetjak.
3. Numri IMEI (The International Mobile Station Equipment Identity) është numri unik 15-shifror, që shërben për të identifikuar aparatet celulare. Ky numër, zakonisht, gjendet i shtypur në çdo kuti paketuese si dhe në brendësi të aparatit, poshtë vendit ku vendoset bateria ose gjenerohet automatikisht (*#06#).
4. Baza e të Dhënave për numrat IMEI ngrihet, administrohet dhe përditësohet pranë Ministrisë së Financave.
Kjo bazë do të përmbajë numrat IMEI, markën dhe tipin e aparateve celulare shoqëruar me një nga të dhënat e mëposhtme:
a) NIPT-in e importuesit në rast se aparati celular është në pronësi të importuesit;
b) NIPT-in e tregtarit, person fizik ose juridik, në rast se aparati celular është në pronësi të personit tregtar;
c) numrin personal të identifikimit për aparatet në përdorim të individëve;
ç) shënimin në lidhje me identifikimin e numrit si dhe të mungesës së elementeve identifikuese për pronësinë.
Ministria e Financave, me cilësinë e administratorit të Bazës të të Dhënave për numrat IMEI, ka të drejtën dhe detyrimin e modifikimit të të dhënave të bazës. Operatorët e telefonisë celulare furnizojnë rregullisht Bazën e të Dhënave me informacione dhe lista të reja për upload, regjistrime të reja, kërkesa për modifikime, konstatimin e ndryshimit të përdoruesit të aparatit IMEI dhe çdo të dhënë tjetër që gjykohet prej tyre e rëndësishme për këtë bazë.
5. Numrat IMEI sapo identifikohen nga Baza e të Dhënave do të grupohen në 3 (tri) kategori:
a) Listën e bardhë në të cilën janë aparate të regjistruara rregullisht dhe që përmbajnë të dhënat e përshkruara në shkronjat “a”, “b” ose “c”, të paragrafit të dytë, të pikës 4, të këtij vendimi;
b) Listën gri, në të cilën janë aparate nga individë për përdorim vetjak dhe regjistrimi i të cilave nuk është kryer ende;
c) Listën e zezë, në të cilën janë aparate të deklaruara të vjedhura apo të importuara ilegalisht.
Kompanitë e telefonisë celulare, në mënyrë periodike, kryejnë transferimin e të dhënave të reja te Baza e të Dhënave.
6. Afati maksimal për qëndrimin e një numri IMEI në listën gri është 15 (pesëmbëdhjetë) ditë.
Në rastin e identifikimit të një numri të ri IMEI, i cili operon me një prej operatorëve të telefonisë celulare, që janë të licencuar në Republikën e Shqipërisë, njoftohet menjëherë operatori i cili bën regjistrimin e numrit IMEI në listën gri.
Operatori kontakton menjëherë përdoruesin e numrit celular për të marrë në rrugë telefonike të dhënat personale të tij dhe për ta njoftuar atë për detyrimin për regjistrimin e numrit IMEI të aparatit celular të përdorur prej tij, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve duke filluar nga ai çast.
Individët, që fusin në territorin e Republikës së Shqipërise një aparat të ri celular, mund ta deklarojnë edhe vullnetarisht numrin e identifikimit personal pranë operatorit që i ofron shërbimin e telefonisë celulare, pa pritur njoftimin nga operatori. Zotëruesi i aparatit paguan një tarifë shërbimi për regjistrim prej 500 (pesëqind) lekësh pranë operatorit të telefonisë celulare, i cili i transferon këto të ardhura në llogari të Ministrisë së Financave.
Me kalimin e afatit 15 – ditor të parashikuar në paragrafin e parë, të këtij vendimi, në varësi të faktit nëse është bërë identifikimi ose jo i pronarit të aparatit, Ministria e Financave e kalon aparatin në listën e bardhë ose në të zezën.
Operatorët e telefonisë celulare ndërpresin ofrimin e shërbimit për çdo kartë të vendosur në një aparat, numri IMEI i të cilit rezulton në listën e zezë të Bazës të të Dhënave. Në rast se regjistrimi i numrit IMEI bëhet pasi aparati ka kaluar në listën e zezë të Bazës të të dhënave, atëherë transferimi në listën e bardhë bëhet pasi zotëruesi i aparatit paguan tarifë shërbimi për regjistrim prej 1 000 (një mijë) lekësh.
7. E drejta e aksesit në Bazën e të Dhënave, sipas fushës së përgjegjësisë dhe për aq sa u takon kompetencave ligjore të ushtruara prej tyre, i jepet:
a) Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe degëve doganore;
b) Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtorive rajonale tatimore;
c) operatorëve të telefonisë celulare në vend;
ç) Ministrisë së Punëve të Brendshme;
d) Policisë së Shtetit;
dh) Prokurorisë;
e) gjykatave;
E drejta e aksesit autorizohet nga ministri i Financave.
8. Të gjithë importuesit, në çastin e deklarimit dhe të pagesës së detyrimeve fiskale pranë shërbimit doganor, duhet të deklarojnë edhe listën e numrave IMEI të aparateve të importuara sipas nenit 26, të ligjit nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar.
9. Degët doganore dërgojnë rregullisht në vazhdimësi të dhënat në Bazën e të Dhënave për numrat IMEI, të deklaruar nga importuesit, në përputhje me nenin 26, të ligjit nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar.
10. Gjatë ushtrimit të kontrollit ndaj subjekteve që tregtojnë aparate celulare, administrata tatimore akseson Bazën e të Dhënave të numrave IMEI për të verifikuar nëse aparati celular ka numrin IMEI të regjistruar. Në rast se rezulton që subjekti tregton një aparat të paregjistruar, raporton menjëherë në Ministrinë e Financave për futjen e atij numri IMEI në listën e zezë dhe merr masat përkatëse në bazë të legjislacionit përkatës të procedurave tatimore.
11. Në rast të denoncimit të një aparati të vjedhur, organet e policisë njoftojnë menjëherë Bazën e të Dhënave për të dhënat që denoncuesi ka në lidhje me numrin celular që kishte në përdorim, numrin personal të identifikimit dhe numrin IMEI nëse ai dihej nga denoncuesi.
Baza e të Dhënave, në rastet kur numri IMEI nuk disponohet nga denoncuesi, bën verifikimin dhe identifikon numrin IMEI nëpërmjet të dhënave të tjera dhe, në çdo rast, e kalon numrin IMEI nga lista e bardhë në listën e zezë.
Më pas i bën njoftim operatorit përkatës për marrjen e masave të mëtejshme.
12. Në rast të identifikimit të një numri IMEI, i cili është i regjistruar në Bazën e të Dhënave, por rezulton të jetë ndryshuar nga përdoruesi ose nga një numër IMEI në zotërim të importuesit apo tregtarit të jetë bërë aparat i një karte në përdorim të një individi, atëherë operatori i shërbimit, referon menjëherë ndryshimin në Bazën e të Dhënave në mënyrë që të bëhet verifikimi dhe reflektimi i ndryshimit.
Në çdo rast të shtimit të një individi të ri si përdorues i një ose më shumë numrave IMEI, bëhet verifikimi i të dhënave personale të individit në regjistrin themeltar të shtetasve.
Ministri i Financave, për verifikimin e të dhënave të individëve, sipas parashikimeve të këtij vendimi, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me ministrin përgjegjës për administrimin e Bazës të të Dhënave për shtetasit.
13. Të ardhurat e mbledhura nga procesi i regjistrimit të numrave IMEI arkëtohen nga kompanitë e telefonisë celulare dhe derdhen në llogari të Ministrisë së Financave brenda datës 10 të çdo muaji pasardhës.
II. REGJISTRIMI I PARË I TË DHËNAVE
14. Brenda 2 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, pranë Ministrisë së Financave fillon procedura e formatimit dhe ngritjes së Bazës të të Dhënave për numrat IMEI të aparateve celulare.
Fondet buxhetore për ngritjen e kësaj Baze të Dhënash përballohen nga Ministria e Financave.
Ministria e Financave bashkëpunon me njësitë përkatëse, në varësi të ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe operatorët e telefonisë celulare në vend për të bërë plotësimin e Bazës të të Dhënave me numrat IMEI ekzistues, të cilët janë dhe në bazën e të dhënave të kompanive të telefonisë celulare.
15. Procesi i regjistrimit të numrave IMEI për çdo aparat celuar, i cili ka ofrimin e shërbimit të telefonisë celulare në vend, fillon pas ngritjes së Bazës të të Dhënave.
Ministria e Financave njofton kompanitë e telefonisë celulare për ngritjen e Bazës të të Dhënave si dhe bën njoftim në 2 gazetat me tirazh më të lartë në vend për fillimin e procesit të regjistrimit të numrave IMEI.
16. Të gjitha kompanitë e telefonisë celulare, brenda një jave nga hapja e procesit të regjistrimit të numrave IMEI, dërgojnë pranë Bazës të të Dhënave të Ministrisë së Financave të dhënat e numrave IMEI që kanë të regjistruar.
Procesi i plotësimit të Bazës të të Dhënave me numrat IMEI, të cilët nuk janë në sistemin e të dhënave të kompanive të telefonisë celulare, në zbatim të dispozitave të këtij vendimi, zgjat 90 (nëntëdhjetë) ditë, pas datës së shpalljes së njoftimit të Ministrisë së Financave për ngritjen e Bazës të të Dhënave.
17. Personi juridik, i cili, në cilësinë e importuesit, është në zotërim të aparateve celulare të dedikuara për shitje, duhet të depozitojë pranë Ministrisë së Financave listën e numrave IMEI të aparateve që ka në zotërim, markën e aparatit/aparateve si dhe tipin.
Personi fizik tregtar, i cili, në cilësinë e tregtarit, ka në zotërim në pikat e veta të shitjes aparate celulare të dedikuara për shitje, duhet të depozitojë pranë Ministrisë së Financave të dhëna për importuesin nga i cili/të cilët janë blerë aparatet celulare, listën e numrave IMEI të aparateve që ka në zotërim, markën e aparatit/aparateve si dhe tipin.
18. Kompanitë e telefonisë celulare i dërgojnë një mesazh klientit-individ në formë kërkese për regjistrimin e numrit IMEI, duke i shpjeguar të dhënat që kërkohen të regjistrohen.
Klienti mund të dërgojë SMS tek operatori (short code i dedikuar), me të cilin të japë të dhëna për: identitetin, numrin/numrat IMEI, markën e aparatit/aparateve, tipin si dhe numrin personal të identifikimit. Në rast se të dhënat e klientit janë të plota, atëherë kompania celulare i dërgon klientit “via sms” konfirmimin e marrjes të të dhënave.
Individi, pa pritur njoftimin e dërguar nga kompania celulare apo në rastet kur nuk është në gjendje që të plotësojë të dhënat vetëm nëpërmjet një teksti sms, mund të paraqitet pranë dyqaneve të operatorëve celularë përkatës për të kryer regjistrimin e aparatit/aparateve që disponon, me të dhënat me numrin IMEI, markën e aparatit/aparateve, tipin si dhe numrin personal të identifikimit.
Çdo individi i lejohet të regjistrojë, në emrin e vet, pa pagesë, më shumë se një aparat celular me kusht që të gjithë numrat IMEI të rezultojnë të regjistruar në Bazën e të Dhënave.
19. Të gjithë individët, të cilët kanë marrë mesazhin njoftues nga kompania celulare ose janë paraqitur vullnetarisht në sportelet e kompanisë për të deklaruar të dhënat dhe e bëjnë regjistrimin e numrit IMEI të aparateve celulare që disponojnë, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditësh nga hapja e procesit të regjistrimit sipas parashikimit të pikës 14, të këtij vendimi, nuk paguajnë për regjistrimin.
Pë të gjithë numrat e telefonisë celulare, të cilëve edhe pas kalimit të afatit 90-ditor të parashikuar në pikën 15, të këtij vendimi, nuk iu korrespondon numri IMEI nga Baza e të Dhënave, operatorët e telefonisë celulare i dërgojnë një sms klientit, duke e informuar se shërbimi i telefonisë celulare do të ndërpritet për arsye se nuk ka respektuar detyrimin e këtij vendimi për regjistrim të numrit IMEI. Në të njëjtën kohë, operatori i telefonisë celulare dërgon njoftim në Bazën e të Dhënave për kalimin në listën e zezë.
20. Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pas përfundimit të procesit të regjistrimit, Ministria e Financave në bashkëpunim me operatorët e telefonisë celularë kryejnë rakordimin mes numrave IMEI që gjenden në Bazën e të Dhënave me numrat e shërbimit celular të kompanive të telefonisë celulare.
Pas përfundimit të afatit 15-ditor të përcaktuar në paragrafin e parë, të kësaj pike, operatorët e telefonisë celulare do të ofrojnë shërbimet e tyre vetëm për numrat IMEI të aparateve celulare të cilët janë në Bazën e të Dhënave të Ministrisë së Financave.
Në përfundim të procesit të plotësimit të Bazës të të Dhënave, për efekt të verifikimit të të dhënave personale të deklaruara nga individët, Ministria e Financave dërgon për verifikim në regjistrin themeltar të shtetasve listën emërore të individëve.
21. Individëve, të cilët pas kalimit të afatit 90-ditor të parashikuar në pikën 15, të këtij vendimi ose në vazhdimësi paraqiten pranë sporteleve të operatorëve të telefonisë celulare për të marrë një kartë SIM, u bëhet verifikimi i regjistrimit të numrit IMEI pranë Bazës të të Dhënave.
Në rast se numri IMEI i aparatit nuk ekziston në Bazën e të Dhënave, individi paguan një tarifë shërbimi prej 500 lekësh për regjistrimin e numrit IMEI.
III. DISPOZITA TË FUNDIT
22. Ngarkohen Ministria e Financave, ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.