Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, 5 Nëntor  2014

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.54,  DATË 5.2.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, PROCEDURËS DHE MËNYRËS SË DHËNIES ME QIRA, ENFITEOZË APO KONTRATA TË TJERA TË PASURISË SHTETËRORE”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, të miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, dhe të neneve 784 e 801, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

  1. Në pikën 5, të kreut I, “Pasuritë shtetërore që jepen me qira ose enfiteozë, kriteret e konkurrimit, e drejta, kompetencat dhe afatet”, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:

 

  1. Në shkronjën “dh”, fjalët “… 2 (dy) milionë euro …” zëvendësohen me  “ … 100 000 000 (njëqind milionë) lekë …”.
  2. Pas shkronjës “e” shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:

 

“ë) zgjatja e afatit të kontratës së qirasë për kontratat e lidhura  me afat më pak se përcaktimet në pikën 6, të këtij kreu, kur subjektet qiramarrëse kanë realizuar kushtet e kontratës.”.

  1. Shkronja “ç”, e pikës 1, të kreut II, “Procedurat e dhënies me qira ose enfiteozë të pasurisë shtetërore”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

 

“ç) Genplanin e objektit, në 6 (gjashtë) kopje origjinale, të hartuar nga eksperti topograf i licencuar dhe të konfirmuar nga drejtuesi i institucionit shtetëror, ndërmarrjes apo shoqërisë shtetërore, ku të jenë përcaktuar qartë sipërfaqja e truallit gjithsej, sipërfaqja nën ndërtesë dhe sipërfaqja funksionale (jo nën ndërtesë).”.

  1. Pas pikës 8, të kreut III, “Tarifat dhe vlera dysheme për pasuritë shtetërore që jepen me qira ose enfiteozë”, shtohet pika 9, me këtë përmbajtje:

 

“9. Për tunelet dhe vendstrehimet që jepen me qira, tarifa dysheme e detyrimit mujor e përcaktuar në aneksin “A”, bashkëlidhur këtij vendimi, pjesëtohet me 5.”.

  1. Në kreun V, “Kontrata me tarifën simbolike 1 euro/kontrata”, bëhen këto ndryshime:

 

  1. Pikat 2, 3, 4 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:

 

“2. Kur pas përfundimit të procedurave të konkurrimit rezulton fitues një subjekt, i cili propozon që në pasurinë shtetërore, që jepet me qira, do të zhvillojnë një prej veprimtarive të mëposhtme:

 

  1. veprimtari prodhuese, me nivele investimi mbi   300 000 000 (treqind milionë) lekë;
  2. përpunim aktiv të mallrave, që do të sigurojnë jo më pak se 50 vende pune;
  3. veprimtari të agrobiznesit, si: grumbullim, përpunim dhe shitje të produkteve bujqësore ose blegtorale, me nivele investimi mbi 100 000 000 (njëqind milionë) lekë;

Institucioni, që zhvillon procedurën dhe që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit  shtet për pasurinë shtetërore, i propozon Këshillit të Ministrave të miratojë lidhjen e kontratës së qirasë, jo me çmimin fitues, por me çmimin simbolik 1 (një) euro/kontrata. Propozimi shoqërohet me projektkontratën e negociuar ndërmjet palëve.

3. Ministria përgjegjëse për ekonominë propozon në Këshillin e Ministrave dhënien me qira të pasurisë shtetërore pa konkurrim dhe me çmimin simbolik 1 (një) euro/kontrata, kur me ofertë “të pakërkuar” ka një propozim për zhvillimin e zonave të veçanta, duke investuar vlera mbi 100 000 000 (njëqind milionë) lekë, me qëllim ngritjen e qendrave të organizuara sociale që ndikojnë për zgjidhjen e problemeve sociale ose për ushtrim të veprimtarive në fushën e sportit a të kulturës apo në fushën e turizmit ose të trashëgimisë kulturore.

4. Para nënshkrimit të kontratës së qirasë, me tarifë 1 euro/kontrata, qiramarrësi është i detyruar të kryejë pagesën e garancisë së kontratës, në masën 2 për qind të vlerës së investimit të marrë përsipër në konkurrim. Garancia kthehet pas përfundimit të çdo faze të investimit, por jo më shumë se në tri këste, sipas fazave të investimit. Forma e ngurtësimit të garancisë së kontratës  përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për ekonominë.

5. Në kontratat me tarifë 1 euro/kontrata vendosen sanksione për rastet kur qiramarrësi nuk realizon kushtet e saj. Për çdo vend pune të pahapur subjekti qiramarrës do të ndëshkohet me 50 000 (pesëdhjetë milionë) lekë në vit. Për mosrealizim të investimit në përfundim të fazës përkatëse ndëshkohet me 10 për qind të vlerës së investimit të parealizuar në atë fazë dhe nëse pas 6 muajve investimi nuk realizohet, kontrata zgjidhet nga institucioni shtetëror që e ka lidhur atë, duke marrë gjobë, në masën e garancisë së depozituar në atë periudhë.”.

  1. Pika 7 shfuqizohet.

 

  1. Në paragrafin e dytë, të pikës 6, të kreut VI, “Monitorimi i kontratave”, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

 

“Genplanet, që shoqërojnë çdo kontratë, përgatiten sipas përcaktimeve në shkronjën “ç”, të pikës 1, të kreut II, të këtij vendimi.”.

  1. Në pikën 6, të kreut VII, “Shpërndarja e të ardhurave”, paspërkufizimit “ … Autoriteti Portual Durrës … ” shtohen fjalët  “… shoqëritë e trajtimit të studentëve …”.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI  RAMA

***

V E N D I M

 

PËR

 

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES ME SHKËMBIM NOTASH, ndËrmjet KËSHILLIT TË MINISTRAVE  TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI I ARSIMIT PROFESIONAL”

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V e n d o s i:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes me shkëmbim notash, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për projektin “Programi i arsimit profesional”, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

 

K R Y E M I N I S T R I

 

EDI RAMA

***

 

V E N D I M

PËR

FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE PUBLIKE   TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PARËSOR NGA SKEMA  E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Financimin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor publik.

 

  1. Shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor publik përcaktohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe ofrohen nëpërmjet qendrave shëndetësore.

 

3.     Qendra shëndetësore është institucion i shërbimit të kujdesit shëndetësor parësor, publik, jofitimprurës, me llogari bankare të veçantë, që përfshin të gjithë rrjetin e dhënësve të shërbimit në varësi të saj.

 

4.     Qendra shëndetësore funksionon në bazë të statutit tip të saj, të miratuar nga ministri i Shëndetësisë.

 

5.     Ministria e Shëndetësisë përcakton strukturën e qendrës shëndetësore duke parashikuar personelin shëndetësor dhe atë mbështetës.

 

6.     Norma e mbulimit të popullsisë nga personeli shëndetësor i qendrave shëndetësore përcaktohet nga Ministria e Shëndetësisë.

 

7.     Qendra shëndetësore përfaqësohet në marrëdhënie me të tretët nga drejtori i qendrës shëndetësore, i cili përzgjidhet në bazë të kritereve të përcaktuara nga ministri i Shëndetësisë.

 

8.     Qendra shëndetësore e ushtron veprimtarinë e saj në përputhje me standardet e shërbimit, treguesit e cilësisë dhe të performancës dhe në përputhje me përcaktimet e udhërrëfyesve dhe protokolleve të praktikës klinike kombëtare (PKK).

 

9.     Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me qendrën shëndetësore për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore të ofruara prej tyre. Fondi nuk financon shërbime të tjera, përveç atyre që ka paketa.

 

10.   Forma e kontratës dhe kriteret për lidhjen e saj përcaktohen me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit.

 

  1.  Në kontratën dypalëshe përcaktohen:

 

  1. lista e shërbimeve që duhet të ofrojë qendra shëndetësore;
  2. mënyrat e mbajtjes të të dhënave e të raportimit;
  3. mënyra e përdorimit të buxhetit nga qendra shëndetësore dhe mënyrat e pagesës së qendrës shëndetësore;

ç)  treguesit e cilësisë dhe të performancës;

d)  procedurat për monitorimin e zbatimit të kontratës;

dh) mënyrat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve;

e)  çështje të tjera që përcaktohen në aktet ligjore e nënligjore të

Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm

të Kujdesit Shëndetësor.

 

12.   Kontrata mbështetet në parimin e së drejtës së popullatës për t’u informuar dhe për të zgjedhur lirisht ofruesin e shërbimeve shëndetësore, jo më shpesh se një herë në vit, përmes regjistrimit në qendrën shëndetësore.

 

13.      Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ushtron kontroll në qendrën shëndetësore, sipas mënyrës së përcaktuar në kontratë.

 

14.      Mënyrat e pagesës së paketave të shërbimeve shëndetësore, që ofrohen nga qendrat shëndetësore, si dhe pagat e shpërblime të tjera të personelit të qendrave shëndetësore miratohen me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit.

 

15.      Shpenzimet për investimet në qendrat shëndetësore mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë, me kërkesë të autoriteteve kontraktuese (qendrave shëndetësore), zhvillon procedura të përqendruara prokurimi për disa mallra dhe shërbime, kur blerja e përqendruar do të ishte më e leverdisshme, në përputhje me legjislacionin për prokurimin publik.

Qendrat shëndetësore mund të kryejnë investime, që mbulohen edhe nga burime të tjera, të ligjshme.

 

16.      Burime të tjera financimi për qendrat shëndetësore janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet. Përdorimi i tyre bëhet nga vetë qendra shëndetësore, si pjesë e kostos së shërbimit, sipas një udhëzimi të miratuar nga Këshilli Administrativ i Fondit.

 

17.      Qendra shëndetësore zbaton sistemin e referimit, të miratuar nga ministri i Shëndetësisë.

 

18.      Qendra shëndetësore zbaton tarifat për shërbimet me pagesë, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë.

 

19.      Ministria e Shëndetësisë monitoron dhe kontrollon, nëpërmjet strukturave të saj, zbatimin e standardeve të shërbimit, treguesit e cilësisë e të performancës së qendrës shëndetësore.

 

20.      Ministria e Shëndetësisë auditon qendrën shëndetësore nëpërmjet strukturës së saj audituese për zbatimin e standardeve të miratuara prej saj, fondet e çelura prej saj, si dhe dhurimet.

 

21.      Marrëdhëniet juridike të punës në qendrën shëndetësore rregullohen në përputhje me Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë, miratuar me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, të ndryshuar.

 

22.      Vendimi nr.857, datë 20.12.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar, shfuqizohet.

 

23.      Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

 

Për

Miratimin, në parim, të MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË KUVAJTIT, PËR HEQJEN E VIZAVE PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE, TË POSAÇME DHE TË SHËRBIMIT

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 6, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V e n d o s i:

 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Kuvajtit, për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, të posaçme dhe të shërbimit, sipas tekstit  bashkëlidhur këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

 

EDI RAMA

 

***

V E N D I M

PËR

 

PËRCAKTIMIN E FUNKSIONEVE KORRESPONDUESE  PËR GRADAT E PERSONELIT OPERACIONAL NË SHËRBIMIN PËR ÇËSHTJET E BRENDSHME DHE ANKESAT, NË MINISTRINË  E PUNËVE TË BRENDSHME

 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 72, të  ligjit nr.70/2014, “Për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Funksionet korresponduese për çdo gradë të personelit operacional të Shërbimit sipas ligjit nr.70/2014, “Për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme”,  ekuivalentimi i tyre me gradat e mëparshme të Shërbimit, si dhe me gradat e Policisë së Shtetit përcaktohen në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

 

  1. Gradat, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit dhe zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Shërbimit, janë grada funksioni, të cilat si gradë shërbimi njësohen me gradën më të lartë të shërbimit.

 

  1. Ngarkohet ministri i Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi me hyrjen në fuqi të ligjit nr.70/2014.

 

K R Y E M I N I S T R I

 

EDI RAMA

 

***

V E N D I M

 

PËR

 

PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE, KRITEREVE TË PËRDORIMIT  DHE KONTROLLIT TË FONDIT TË POSAÇËM, NË FUNKSION  TË VEPRIMTARISË HETIMORE DHE PROCESIT INFORMATIV TË SHËRBIMIT PËR ÇËSHTJET E BRENDSHME DHE ANKESAT, NË MINISTRINË E PUNËVE TË BRENDSHME

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të  ligjit nr.70/2014, “Për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

  1. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka dhe përdor fondin e posaçëm të shpenzimeve, në funksion të veprimtarisë hetimore dhe procesit informativ.

 

  1. Ky fond përdoret në funksion të:

 

  1. veprimtarisë informative dhe në këtë rast përbëhet nga shpenzimet për:

 

  1. shpërblimin e personave, që bashkëpunojnë me shërbimin;
  2. sigurimin, vërtetimin dhe dokumentimin e informacionit;
  3. blerje dhe shërbime të drejtpërdrejta të mjeteve e pajisjeve të përdorimit sekret të punës informative;
  4. marrje me qira të objekteve dhe të mjeteve në funksion të veprimtarisë operacionale;
  5. kryerjen e veprimeve informative, operacioneve dhe testit të integritetit.
  1. veprimtarisë hetimore dhe në këtë rast përbëhet nga shpenzime për oficerin dhe agjentin e Policisë Gjyqësore ose personin e autorizuar, gjatë kryerjes së operacioneve, ku përdoren teknika të posaçme hetimi (përgjime, veprime të simuluara dhe infiltrime).

 

  1. Vlera e fondit të posaçëm është 15 për qind e vlerës së buxhetit vjetor të shërbimit.

 

  1. Kontrolli për shpenzimet e kryera nga fondi i posaçëm ushtrohet jo më pak se një herë në vit nga personat e autorizuar nga ministri i Punëve të Brendshme, të cilët janë të pajisur me certifikatë sigurie të nivelit “Tepër sekret”.

 

  1. Ngarkohet ministri i Punëve të Brendshme për nxjerrjen e udhëzimit përkatës për përcaktimin e procedurave të hollësishme që duhen zbatuar dhe të dokumentacionit që duhet hartuar për përdorimin e këtij fondi.

 

  1. Ngarkohet ministri i Punëve të Brendshme për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.

 

Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi me hyrjen në fuqi të ligjit nr.70/2014.

 

K r y e m i n i s t r i

 

EDI RAMA

 

***

V E N D I M

 

PËR

 KONTRIBUTIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR QEVERINË E REPUBLIKËS SË IRAKUT

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “d”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, datë 26.6.2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1.     Dhënien e armatimit, pa shpërblim, qeverisë së Republikës së Irakut, të hequr nga armatimi e përdorimi, që është i tepërt dhe jashtë nevojave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si kontribut i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të përpjekjeve të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit, sipas llojit dhe sasisë së përcaktuar në listën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë e përbërëse e tij.

 

2.     Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

EMËRIMIN NË DETYRË TË NJË ANËTARI TË KOMISIONIT KOMBËTAR  RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE TË LARGIMIT E TË PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe të Largimit e të Përpunimit të Ujërave të Ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 

V e n d o s i:

Emërimin e znj. Fatime Imeraj në detyrën e anëtarit të Komisionit Kombëtar Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe të Largimit e të Përpunimit të Ujërave të Ndotura.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

 

K r y e m i n i s t r i

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA HAPJA DHE SISTEMIMI I SHESHIT PARA STADIUMIT “RUZHDI BIZHUTA”, TË BASHKISË SË ELBASANIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të  ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga hapja dhe sistemimi i sheshit para stadiumit “Ruzhdi Bizhuta”, të bashkisë së Elbasanit, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

  1. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Elbasanit.

 

  1. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen, sipas vlerave të mëposhtme:

 

  • Për sipërfaqen “truall” prej 1200.26 (një mijë e dyqind pikë njëzet e gjashtë) m², në vlerën 11 354 459.60 (njëmbëdhjetë milionë e treqind e pesëdhjetë e katër mijë e katërqind e pesëdhjetë e nëntë pikë gjashtëdhjetë) lekë.
  • Për sipërfaqen “njësi” prej 892.65 (tetëqind e nëntëdhjetë e dy pikë gjashtëdhjetë e pesë) m2, në vlerën 57 433 101 (pesëdhjetë e shtatë milionë e katërqind e tridhjetë e tre mijë e njëqind e një) lekë.

 

  1. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 68 787 560.60 (gjashtëdhjetë e tetë milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë pikë gjashtëdhjetë) lekësh të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Elbasanit, planifikuar në buxhetin e saj.

 

  1. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga bashkia e Elbasanit.

 

  1. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

 

  1. Afati i përfundimit të punimeve të objekteve në bashkinë e Elbasanit të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.

 

  1. Regjistrimi i ri i sipërfaqeve “truall” prej 1200.26 (një mijë e dyqind pikë njëzet e gjashtë) m², dhe “njësi” prej 892.65 ((tetëqind e nëntëdhjetë e dy pikë gjashtëdhjetë e pesë) m2, për hapjen dhe sistemimin e sheshit para stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” të bëhet në favor të bashkisë së Elbasanit.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe bashkia e Elbasanit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I RRUGËS TREBISHT-DOGANË, KOMUNA TREBISHT

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i rrugës Trebisht-Doganë, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.

 

  1. Shpronësimi të bëhet në favor të komunës Trebisht.

 

  1. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për:

 

  • sipërfaqen prej 3 018 m² tokë truall, në vlerën 374 232 (treqind e shtatëdhjetë e katër mijë e dyqind e tridhjetë e dy) lekë;
  • sipërfaqen prej  570 m² tokë arë, në vlerën 42 180 (dyzet e dy mijë e njëqind e tetëdhjetë) lekë;
  • drurë frutorë, në vlerën 67 500 (gjashtëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind) lekë;
  • drurë dekorativë, në vlerën 10 200 (dhjetë mijë e dyqind) lekë.

 

  1. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 494 112 (katërqind e nëntëdhjetë e katër mijë e njëqind e dymbëdhjetë) lekësh të përballohet nga të ardhurat e komunës Trebisht, planifikuar në buxhetin e saj.

 

  1. Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga komuna Trebisht.

 

  1. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

 

  1. Afati i përfundimit të punimeve të objektit, në komunën Trebisht, të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo komunë.

 

  1. Regjistrimi i ri i pasurisë prej 3 018 m² tokë truall dhe 570 m² tokë arë, për ndërtimin e rrugës, të bëhet në favor të komunës Trebisht.

 

  1. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe komuna Trebisht për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

V E N D I M

 

PËR

 

KALIMIN, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, TË OBJEKTIT “FAKULTETI I GJEOLOGJISË DHE MINIERAVE”, TIRANË,  NGA MINISTRIA E ARSIMIT DHE SPORTIT/UNIVERSITETI POLITEKNIK I TIRANËS, TE MINISTRIA E DREJTËSISË, PËR GJYKATËN E LARTË 

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pasuritë e paluajtshme shtetërore”, të ndryshuar, dhe të pikës 1, të nenit 82, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Kalimin, në përgjegjësi administrimi, të objektit “Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave”, Tiranë, që ndodhet në zonën kadastrale nr.8160, me numër pasurie 6/88, me sipërfaqe trualli 12 478 (dymbëdhjetë mijë e katërqind e shtatëdhjetë e tetë) m2, me sipërfaqe ndërtimi 1 839.5 (një mijë e tetëqind e tridhjetë e nëntë pikë pesë) m2dhe sipërfaqe bodrumi 1 143.5 (një mijë e njëqind e dyzet e tre pikë pesë) m2, me adresë: Rruga “Sulejman Delvina”, Tiranë, nga Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik i Tiranës, te Ministria e Drejtësisë, për Gjykatën e Lartë, sipas genplanit, planimetrive dhe planvendosjes që i bashkëlidhen këtij vendimi.

 

2.     Objekti i mësipërm të përdoret në funksion të qëllimit dhe të veprimtarisë së Gjykatës së Lartë.

 

3.     Gjykata e Lartë nuk mund ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, dhe as ta tjetërsojë atë.

 

4.     Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit/Universiteti Politeknik i Tiranës, Ministria e Drejtësisë, Gjykata e Lartë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.