Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 2 Maj 2018:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT PËR STUDIME FIZIBILITETI, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (PËRFITUESI), DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE TË EKSPERTIT NDAJ PËRFITUESIT, NË KUADËR TË STUDIMEVE TË FIZIBILITETIT PËR “PROGRAMIN E INFRASTRUKTURËS BASHKIAKE V” / PROGRAMI I INVESTIMIT DHE PERFORMANCËS NË SEKTORIN E UJIT, QË FINANCOHEN NGA NJË FOND I VEÇANTË ME NR.13078, I SIGURUAR NGA QEVERIA FEDERALE E GJERMANISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe nenit 10, të ligjit nr.43/2016, datë 21.4.2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit për studime fizibiliteti, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (përfituesi), dhe KfW, Frankfurt am Main (KfW), për financimin e shërbimeve të ekspertit ndaj përfituesit, në kuadër të studimeve të fizibilitetit për “Programin e infrastrukturës bashkiake V” / programi i investimit dhe performancës në sektorin e ujit, që financohen nga një fond i veçantë me nr.13078, i siguruar nga Qeveria Federale e Gjermanisë, me një grant në shumën prej 1 950 000 (një milion e nëntëqind e pesëdhjetë mijë) eurosh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, NË EMËR TË BASHKIMIT EVROPIAN, PËR IPARD II 2014-2020, ASISTENCA PËR ZHVILLIMIN BUJQËSOR DHE RURAL, SIPAS INSTRUMENTIT PËR ASISTENCËN E PARAADERIMIT, IPA II
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, në emër të Bashkimit Evropian, për IPARD II 2014-2020, asistenca për zhvillimin bujqësor dhe rural, sipas Instrumentit për Asistencën e Paraaderimit, IPA II, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË KONTRIBUTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), DHE AGJENCISË SUEDEZE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR (SIDA), PËR MBËSHTETJEN E PROJEKTIT “ZBATIMI I TAKSËSSË PASURISË MBI BAZËN E VLERËS SË TREGUT, VERSIONI 0.93, DATË 20 SHKURT 2018”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së kontributit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Marrësi), dhe Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), për mbështetjen e projektit “Zbatimi i taksës së pasurisë mbi bazën e vlerës së tregut, versioni 0.93, datë 20 shkurt 2018”, nëpërmjet një granti në vlerën 36 281 000 SEK (tridhjetë e gjashtë milionë e dyqind e tetëdhjetë e një mijë) korona suedeze, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PËRCAKTIMIN E OFRUESIT TË SHËRBIMIT UNIVERSAL POSTAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, shkronja “c”, dhe 4, të nenit 13, të ligjit nr.46/2015, “Për shërbimet postare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullave për përcaktimin e ofruesit të shërbimit universal postar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SISTEMIM, ASFALTIM I BLLOKUT TË BANIMIT NË LAGJEN “XHEVDET NEPRAVISHTA”, LUSHNJË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit së Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Sistemim, asfaltim i bllokut të banimit në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, Lushnjë”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Lushnjë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën përfundimtare të shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, me të dhënat e pronarëve që shpronësohen për pasuritë “ndërtesë”, me vlerë totale 1 459 196 (një milion e katërqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit për pasuritë “ndërtesë”, me vlerë 1 459 196 (një milion e katërqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë, të përballohet nga buxheti i Bashkisë Lushnjë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
7. Pronarët e përmendur në tabelën përfundimtare të shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Bashkisë Lushnjë.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnjë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
9. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnjë të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lushnjë dhe Bashkia Lushnjë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR STATUSIN E DËSHMORIT TË ATDHEUT”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.