Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 04 Shtator 2019:

 

V E N D I M
PËR

KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË SISTEMIT INFORMATIK TË MENAXHIMIT TË NDIHMËS SË HUAJ (SIMNH)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, 7 e 8, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e bazës të të dhënave shtetërore të Sistemit Informatik të Menaxhimit të Ndihmës së Huaj (SIMNH).
2. Sistemi Informatik i Menaxhimit të Ndihmës së Huaj përbëhet nga modulet e mëposhtme:
a) Moduli i projekteve të partnerëve për zhvillim;
b) Moduli i investimeve të huaja direkte;
c) Moduli i PPP-ve dhe koncesioneve;
ç) Moduli i analitikës;
d) Moduli i burimit të financimit;
dh) Moduli i treguesve busan.
3. Sistemi Informatik i Menaxhimit të Ndihmës së Huaj ndërvepron me sistemet qeveritare, si më poshtë vijon:
a) Sistemin Informatik të Menaxhimit Financiar (SIMF), në administrim të ministrisë përgjegjëse për financat;
b) Sistemin Informatik të Planifikimit të Integruar (SIPI), në administrim funksional të njësisë përgjegjëse për zhvillimin dhe mirëqeverisjen, në Kryeministri;
c) Regjistrin elektronik të koncesioneve/Partneritetit Publik Privat në administrim të Agjencisë për Trajtimin e Koncesioneve.
4. Sistemi Informatik i Menaxhimit të Ndihmës së Huaj përmban të dhëna, të cilat ndahen në të dhëna parësore dhe dytësore, si më poshtë vijon:
4.1. Të dhëna parësore konsiderohen të dhënat e grumbulluara nga vetë SIMNH-ja, që përfshijnë të dhënat mbi projektet, si:
a) informacion i përgjithshëm i projektit (titulli, kodi identifikues i projektit, objektivi, përshkrimi, statusi i zbatimit, data e fillimit dhe e përfundimit, kohëzgjatja, sektorët e BE-së, sektorët e Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD), sektorët e integruar, shënjuesit tematikë, vendndodhja gjeografike etj.);
b) organizatat dhe kontaktet (agjencia financuese, agjencia zbatuese, kontaktet e projektit etj.);
c) informacioni financiar (kostoja e projektit, komponentët, angazhimet, pagesat e planifikuara, pagesat e realizuara etj.);
ç) monitorimi dhe vlerësimi (lidhja me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) dhe treguesit kryesorë të performancës, treguesit e objektivave të zhvillimit strategjik, treguesit busan etj.);
d) shënime dhe dokumentacioni bashkëngjitur.
4.2. Të dhëna dytësore përfshijnë informacionin, si më poshtë vijon:
a) Të dhënat për projektet me financim të huaj, të aprovuara në programin buxhetor afatmesëm;
b) Të dhënat mbi shpenzimet e projekteve, të cilat mbulohen nga fondet e ndihmës së huaj;
c) Të dhënat e projekteve me koncesion/Partneritet Publik Privat (PPP);
ç) Treguesit e SKZHI-së dhe të strategjive sektoriale;
d) Masat prioritare lidhur me programet zhvillimore dhe projektet kombëtare strategjike;
dh) Referenca me standardet dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.
5. Sistemi Informatik i Menaxhimit të Ndihmës së Huaj shkëmben informacion me institucionet publike, sipas parashikimeve të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, lidhur me shërbimet që ofrohen në bazë të legjislacionit përkatës, nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit.
6. Bazat e të dhënave shtetërore të institucioneve publike, nga të cilat SIMNH-ja merr të dhëna, janë, si më poshtë vijon:
a) Baza e të dhënave shtetërore të Sistemit Informatik të Menaxhimit Financiar (SIMF), që administrohet nga ministria përgjegjëse për financat, e cila ofron të dhënat:
i. për projektet me financim të huaj, të aprovuara në programin buxhetor afatmesëm;
ii. mbi shpenzimet e projekteve, të cilat mbulohen nga fondet e ndihmës së huaj.
b) Baza e të dhënave mbi projektet me koncesion/PPP, që administrohet nga Agjencia e Trajtimit të Koncensioneve (ATRAKO);
c) Baza e të dhënave të Sistemit Informatik të Planifikimit të Integruar (SIPI), në administrim funksional të njësisë përgjegjëse për sistemet e mirëqeverisjes, në Kryeministri, e cila ofron:
i. treguesit e SKZHI-së dhe të strategjive sektoriale;
ii. masat prioritare lidhur me programet zhvillimore dhe projektet kombëtare strategjike;
iii. referenca me standardet dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.
7. Përbërësit e arkitekturës software dhe hardware të sistemit miratohen nga autoriteti rregullator koordinues.
8. Subjektet përgjegjëse të SIMNH-së janë, si më poshtë vijon:
a) Institucioni administrues i sistemit SIMNH është ministria përgjegjëse për financat;
b) Institucionet, palë të interesuara, janë: ministria përgjegjëse për financat, Kryeministria, ministritë e linjës dhe institucionet buxhetore të qeverisjes së përgjithshme.
9. Dhënës të informacionit për bazën e të dhënave të SIMNH-së janë Banka Botërore, Bashkimi Evropian, Republika Federale e Gjermanisë, Suedia, Zvicra dhe partnerët e tjerë për zhvillim dhe integrim, me të cilët është lidhur marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave publike për financimet e huaja në Shqipëri.
10. Niveli i aksesit në sistemin dhe bazën e të dhënave të SIMNH-së pasqyrohet, si më poshtë vijon:
a) Administratorët e SIMNH-së kanë të drejtë leximi, shkrimi e modifikimi të të dhënave në sistem si dhe menaxhimi të përdoruesve;
b) Kryeministria dhe ministritë e linjës kanë të drejtë aksesi si lexues informacioni në bazën e të dhënave për projektet me financim të huaj në SIMNH;
c) Publiku ka nivel aksesi si lexues informacioni dhe merr informacion si vizitor i sistemit, në lidhje me një pjesë të të dhënave parësore dhe dytësore;
ç) Ministria përgjegjëse për financat gëzon dhe disponon të drejta të plota administrative mbi SIMNH-në, në rolet:
i. Administrator;
ii. Raportues;
iii. Auditues;
iv. Lexues i informacionit.
d) Struktura përgjegjëse për menaxhimin e sistemit SIMF, në ministrinë përgjegjëse për financat, gëzon të drejtën e lexuesit të informacionit lidhur me pagesat e projekteve të financuara nëpërmjet ndihmës së huaj, të regjistruara në SIMNH;
dh) Banka Botërore dhe partnerët për zhvillim dhe integrim gëzojnë të drejtën e raportuesit të të dhënave për projektet me financim të huaj.
11. Organizimi dhe funksionimi i brendshëm i sistemit dhe bazës të të dhënave të SIMNH-së përcaktohen dhe miratohen me rregullore të brendshme të institucionit administrues, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazën e të dhënave shtetërore”.
12. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MODELIT TË KONTRATËS PËR KUALIFIKIMIN PROFESIONAL NDËRMJET NDIHMËSIT DHE SUBJEKTIT ZEJTAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 13, të ligjit nr.70/2016, “Për zejtarinë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e modelit të kontratës për kualifikimin profesional ndërmjet ndihmësit dhe subjektit zejtar, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE AGJENCISË AUSTRIAKE TË ZHVILLIMIT, PËR PROJEKTIN “MBËSHTETJA E BASHKIMIT EVROPIAN PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË UJIT NË SHQIPËRI”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D OS I:

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Austriake të Zhvillimit, për projektin “Mbështetja e Bashkimit Evropian për menaxhimin e integruar të ujit në Shqipëri”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM TEKNIK 2018 PËR PROJEKTIN “SHËRBIMET E FURNIZIMIT ME UJË DHE KANALIZIMEVE TË ORIENTUARA DREJT KONSUMATORIT DHE PERFORMANCËS (RRITJE FONDESH)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim teknik 2018 për projektin “Shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të orientuara drejt konsumatorit dhe performancës (rritje fondesh)”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM NOTASH, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN E SHËRBIMEVE MJEDISORE, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.151/2014

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.151/2014, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e shërbimeve mjedisore”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim notash, të marrëveshjes së huas, të datës 25 korrik 2014, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e shërbimeve mjedisore, ratifikuar me ligjin nr.151/2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE,ME SHKËMBIM NOTASH, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, (GRANT NR.TF017364), NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI AGJENCI ZBATUESE PËR FONDIN GLOBAL TË MJEDISIT (GEF), PËR PROJEKTIN E SHËRBIMEVE MJEDISORE, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.152/2014

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12, e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim notash, të marrëveshjes së grantit (grant nr.TF017364), ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si agjenci zbatuese për Fondin Global të Mjedisit (GEF), për projektin e shërbimeve mjedisore, ratifikuar me ligjin nr.152/2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM NOTASH, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATOR I FONDEVE GRANT, TË SIGURUARA NGA AGJENCIA SUEDEZE PËR ZHVILLIMIN E BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR (SIDA), NËN FONDIN SUEDEZ TË BESIMIT, PËR FONDIN E BESIMIT NR.TF072239, PËR PROJEKTIN E SHËRBIMEVE MJEDISORE ME SHQIPËRINË, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.64/2015

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim notash të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administrator i fondeve grant, të siguruara nga Agjencia Suedeze për Zhvillimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA), nën Fondin Suedez të Besimit, për fondin e besimit nr.TF072239, për projektin e shërbimeve mjedisore me Shqipërinë, ratifikuar me ligjin nr.64/2015, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.328, DATË 12.4.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I QENDRËS SË QYTETIT KOPLIK””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.328, datë 12.4.2017, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Tabela që i bashkëlidhet vendimit nr.328, datë 12.4.2017, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohet me tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
b) Në pikat 3 dhe 4, vlera e përgjithshme e shpronësimit të pronarëve nga 42 580 307 (dyzet e dy milionë e pesëqind e tetëdhjetë mijë e treqind e shtatë) lekë bëhet 29 696 959 (njëzet e nëntë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e nëntë) lekë.
2. Shpenzimet procedurale shtohen në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë dhe do të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Malësi e Madhe dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Malësi e Madhe për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.639, DATË 7.9.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË PROCEDURAVE E TË LLOJEVE TË TESTEVE EKZAMINUESE MJEKËSORE, QË DO TË KRYHEN NË VARËSI TË PUNËS SË PUNËMARRËSIT, SI DHE TË MËNYRËS SË FUNKSIONIMIT TË SHËRBIMIT MJEKËSOR NË PUNË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 2, dhe 23, pika 3, të ligjit nr.10237, datë 18.2.2010, “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.639, datë 7.9.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
1. Shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të vendimit, ndryshojnë, me këtë përmbajtje:
“a) punëson punëmarrësin e tij, bazuar në raportin e lëshuar nga mjeku i familjes pranë çdo qendre shëndetësore, sipas shtojcës V, që i bashkëlidhet këtij vendimi, i cili dorëzohet në momentin e fillimit të punës;
b) kërkon kontroll paraprak shëndetësor në momentin e punësimit dhe/ose gjatë tremujorit të parë të punës nga mjeku i punës, për të siguruar që shëndeti i punëmarrësve nuk vihet në rrezik nga ekspozimi ndaj risqeve profesionale. Mjeku i punës duhet të kartelizojë çdo punonjës në fillim të punës e duhet të dokumentojë në kartelën shëndetësore të punëmarrësit dhe të vlerësimit të riskut të gjitha vizitat dhe ekzaminimet që do të kryejë punëmarrësi në vazhdim, sipas shtojcës VI, që i bashkëlidhet këtij vendimi.”.
2. Pas pikës 36 shtohet pika 37, me këtë përmbajtje:
“37. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor është autoriteti përgjegjës për zbatimin e kontrollit të pajisjes me raportin e aftësisë në punë nga mjekët e familjes pranë çdo qendre shëndetësore.”.
3. Kudo në përmbajtjen e vendimit fjalët “… raporti mjekoligjor …” zëvendësohen me fjalët “… raport i aftësisë në punë …”.
4. Pas shtojcës IV, bashkëlidhur vendimit, shtohen shtojcat V dhe VI, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PROJEKTDOKUMENTIT TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2020 –2022

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e projektdokumentit të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2020-2022, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT TË PROTOKOLLIT II TË MARRËVESHJES SË TREGTISË SË LIRË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE REPUBLIKËS SË TURQISË, TË RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9733, DATË 14.5.2007, NË LIDHJE ME PËRKUFIZIMIN E KONCEPTIT “PRODUKTE ORIGJINUESE” DHE “METODA TË BASHKËPUNIMIT ADMINISTRATIV”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të ndryshimit të protokollit II të marrëveshjes së tregtisë së lirë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë, të ratifikuar me ligjin nr.9733, datë 14.5.2007, në lidhje me përkufizimin e konceptit “produkte origjinuese” dhe “metoda të bashkëpunimit administrativ”, sipas tekstit, vendim i komitetit të përbashkët, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KRIJIMIN E QENDRËS SË STUDIMEVE DHE PUBLIKIMEVE PËR ARBËRESHËT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.7893, datë 22.12.1994, “Për shkencën dhe zhvillimin teknologjik”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Krijimin e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, në vijim “QSPA”, si person juridik publik, buxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për diasporën.
2. Misioni i QSPA-së është kryerja e studimeve të specializuara për historinë, letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh.
3. Burimet e financimit të QSPA-së janë:
a) buxheti i shtetit;
b) donacionet;
c) të ardhura të tjera, të ligjshme.

II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I QENDRËS SË STUDIMEVE DHE PUBLIKIMEVE PËR ARBËRESHËT

4. QSPA-ja drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e qendrës dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për diasporën. Ai emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të ministrit përgjegjës për diasporën.=
5. Marrëdhëniet e punës së titullarit, nëpunësve dhe punonjësve të QSPA-së rregullohen sipas parashikimeve të Kodit të Punës.
6. QSPA-ja kryen detyrat dhe funksionet, si më poshtë vijon:
a) Kryen studime për historinë, letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëresh;
b) Boton studimet në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
c) Promovon ruajtjen e gjuhës dhe të identitetit kulturor të komunitetit arbëresh;
ç) Organizon aktivitete, seminare dhe konferenca shkencore me fokus komunitetin arbëresh.
7. Pranë QSPA-së funksionon Këshilli Koordinues, si organ këshillimor, për:
a) projektet e studimeve e të publikimeve të QSPA-së, në përputhje me dokumentet strategjike për marrëdhëniet me diasporën si dhe me programet kërkimore-shkencore;
b) përcaktimin e planit të aktiviteteve dhe çdo lloj organizimi tjetër, me specialistë të fushës, që ofrojnë ekspertizë të specializuar në zbatim të fushës së përgjegjësisë së QSPA-së.
8. Këshilli Koordinues i QSPA-së është organ kolegjial, i përbërë nga nëntë anëtarë, i cili ka përfaqësues nga:
a) Akademia e Shkencave;
b) Akademia e Studimeve Albanologjike;
c) ministria përgjegjëse për politikën e jashtme;
ç) ministria përgjegjëse për kulturën;
d) Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës;
dh) Agjencia Kombëtare e Diasporës;
e) Tre përfaqësues të komunitetit Arbëresh, njëri prej të cilëve nga komuna e Zarës, në Kroaci.
9. Mandati i anëtarëve të Këshillit Koordinues të Studimeve të QSPA-së është 4 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.
10. Anëtarët e Këshillit Koordinues të QSPA-së duhet të jenë drejtues të nivelit të lartë të institucioneve të përfaqësuara, të cilët emërohen dhe shkarkohen me urdhër të ministrit përgjegjës për diasporën, me propozim të titullarit të institucionit përkatës. Përfaqësuesit e komuniteteve të arbëreshëve jashtë vendit propozohen nga ambasadorët e akredituar në vendet që kanë komunitete të arbëreshëve. Ministri përgjegjës për diasporën cakton njërin nga anëtarët si kryetar të këtij këshilli.
11. Kryetari dhe anëtari i Këshillit Koordinues të QSPA-së shkarkohet para mbarimit të mandatit 4-vjeçar:
a) kur lirohet ose shkarkohet nga funksioni drejtues, që ushtronte në institucionin që përfaqëson;
b) me propozim të titullarit të institucionit të përfaqësuar, për shkak të ndryshimit të misionit e të detyrave që ai kryen në atë institucion;
c) kur neglizhon kryerjen e detyrave dhe pjesëmarrjen e rregullt në mbledhjet e Këshillit Koordinues.
12. Ministri përgjegjës për diasporën, 30 (tridhjetë) ditë para mbarimit të mandatit 4-vjeçar ose menjëherë pas shkarkimit të anëtarit, i kërkon institucionit të përfaqësuar në Këshillin e Koordinimit paraqitjen e emrit të kandidatit për anëtar të këtij këshilli.
13. Struktura dhe organika e QSPA-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
14. Rregullorja e brendshme e punës e QSPA-së miratohen nga ministri përgjegjës për diasporën, pas propozimit të drejtorit të saj.
15. QSPA-ja ka stemën dhe logon e saj zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë”, “Ministri i Shtetit për Diasporën”, “Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët”, në përputhje me përcaktimet e vendimit të Këshillit të Ministrave për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë. Logoja e QSPA-së, sipas modelit që i bashkëlidhet këtij vendimi, vendoset në çdo publikim dhe studim të këtij institucioni.
16. Vula e QSPA-së ka formën dhe elementet sipas përcaktimit të vendimit të Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, të administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vula prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

III. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

17. Ngarkohet ministri i Shtetit për Diasporën, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Kulturës, Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë (Universiteti i Tiranës) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2020.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.145, DATË 18.2.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I IMPIANTIT TË TRAJTIMIT TË UJËRAVE TË PËRDORURA NË QYTETIN E KORÇËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.145, datë 18.2.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Tabelës bashkëlidhur vendimit i shtohet lista sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
b) Në pikën 3, të vendimit, sipërfaqja e përgjithshme nga 62 491.7 (gjashtëdhjetë e dy mijë e katërqind e nëntëdhjetë e një pikë shtatë) m2 bëhet 62 813.9 (gjashtëdhjetë e dy mijë e tetëqind e trembëdhjetë pikë nëntë) m2.
c) Në shkronjën “b”, të pikës 3, të vendimit, sipërfaqja totale për tokën “truall” nga 369 (treqind e gjashtëdhjetë e nëntë) m2 bëhet 691.2 (gjashtëqind e nëntëdhjetë e një pikë dy) m2.
ç) Në pikat 3 e 4, të vendimit, vlera e përgjithshme e shpronësimit të pronarëve nga 28 944 862 (njëzet e tetë milionë e nëntëqind e dyzet e katër mijë e tetëqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë bëhet 31 695 482 (tridhjetë e një milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e katërqind e tetëdhjetë e dy) lekë.
2. Vlera shtesë prej 2 750 620 (dy milionë e shtatëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e njëzet) lekësh të përballohet nga “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
3. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
4. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.
5. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, shoqëria “Ujësjellës-Kanalizime”, sh.a., Korçë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2019, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BRENDSHME, PËR AKOMODIMIN DHE FUNKSIONIMIN E STRUKTURËS SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, dhe të ligjit nr.95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ministrisë së Brendshme, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në programin buxhetor “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, në zërin “shpenzime kapitale”, i shtohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, për përshtatjen e mjediseve të punës për Prokurorinë e Posaçme të Luftës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byronë Kombëtare të Hetimit si dhe për sigurimin e mjeteve e të pajisjeve të nevojshme për funksionimin e tyre.
2. Fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë, për vitin 2019.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË MASËS MUJORE TË PËRFITIMIT TË NDIHMËS EKONOMIKE DHE PËRDORIMIT TË FONDIT SHTESË MBI FONDIN E KUSHTËZUAR PËR NDIHMËN EKONOMIKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 12, pikat 1, 4, e 5, 16, pika 2, dhe 21 të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. SUBJEKTET, KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS EKONOMIKE

1. Ndihma ekonomike shpërndahet sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim.
2. Përfituesit e ndihmës ekonomike janë:
a) familjet në nevojë, që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme;
b) jetimët, të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesjes shoqërore;
c) prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;
ç) viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre;
d) viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore.
3. Ndihma ekonomike për familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme, është një pagesë që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, e cila kufizohet në kohë për një periudhë jo më shumë se 5 (pesë) vjet. Kufizimi në kohë i ndihmës ekonomike nuk aplikohet për:
a) familjet, anëtarët e së cilës janë mbi moshë pune;
b) familjet me kryefamiljare gra, me të paktën një fëmijë që ndjek arsimin bazë.
4. Për të përfituar ndihmë ekonomike, subjektet e përcaktuara në pikën 2, të këtij kreu, paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:
4.1. Për familjet në nevojë, kryetari i familjes/njëri nga anëtarët madhorë, së bashku me bashkëshortin/en ose i vetëm kur nuk ka bashkëshort/e, kërkojnë të aplikojnë pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe të shërbimeve shoqërore në bashkinë/njësinë administrative, ku kanë vendbanimin, duke paraqitur, si më poshtë vijon:
a) Kopjen e kartës së identitetit të aplikantëve.
b) Certifikatën e pronësisë, të lëshuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës /vërtetimin e lëshuar nga Zyra e Kadastrës, apo aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës, për zonat ku regjistrimi i pronësisë nuk ka përfunduar ende.
c) Për rastet që janë në proces zgjidhjeje martese dhe ende nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, dokumentacioni i përcaktuar në pikën 4.1, të këtij kreu paraqitet i ndarë nga secili bashkëshort. Krahas këtij dokumentacioni paraqitet edhe vërtetimi i gjykatës që bashkëshortët janë në proces zgjidhjeje martese.
ç) Për familjet në nevojë, që në përbërje të tyre kanë invalidë pune apo persona me aftësi të kufizuara, që përfitojnë pagesë për aftësinë e kufizuar, krahas dokumentacionit të përcaktuar në pikën 4.1, të këtij kreu paraqesin edhe kopjen e vërtetimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë.
d) Për fëmijët e familjeve në nevojë, që ndjekin arsimin bazë, paraqesin edhe vërtetimin për ndjekjen e shkollës të lëshuar nga shkolla, i cili është i detyrueshëm për t’u dorëzuar dy herë brenda një viti shkollor, për të përfituar pagesën shtesë.
dh) Për fëmijët e familjeve në nevojë që vaksinohen, paraqesin edhe fotokopje nga libri i shëndetit të fëmijës për vaksinën e kryer, sipas kalendarit të detyrueshëm për grupmoshat e fëmijëve, për të përfituar pagesën shtesë.
e) Për familjet në nevojë, që në përbërje të tyre kanë anëtarë në moshë aktive pune, që ndjekin arsimin e mesëm të lartë apo të lartë, krahas dokumentacionit të përcaktuar në pikën 4.1, paraqesin edhe vërtetimin e lëshuar nga institucioni arsimor, i cili është i detyrueshëm për t’u dorëzuar një herë brenda një viti shkollor.
4.2.Jetimët, të cilët nuk janë në institucione të përkujdesjes shoqërore, paraqesin pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe të shërbimeve shoqërore në bashkinë/njësinë administrative:
a) kopjen e kartës së identitetit;
b) kopjen e noterizuar për statusin e jetimit, sipas kërkesave të parashikuara në ligjin për statusin e jetimit, të ndryshuar;
c) për jetimët që ndjekin arsimin bazë, paraqesin edhe vërtetimin për ndjekjen e shkollës, të lëshuar nga shkolla, i cili paraqitet 2 (dy) herë brenda vitit akademik, për të përfituar pagesën shtesë;
ç)për jetimët që vaksinohen paraqesin edhe fotokopje nga libri i shëndetit të fëmijës për vaksinën e kryer, sipas kalendarit të detyrueshëm për grupmoshat e fëmijëve për të përfituar pagesën shtesë.
4.3.Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë, plotësojnë dokumentacionin e përcaktuar në pikën 4.1, të këtij kreu. Dokumentacioni duhet të përfshijë edhe vlerësimin e situatës social-ekonomike të kryer nga administratori shoqëror që vërtetoon se është familje në nevojë.
4.4.Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre, paraqesin:
a) kopjen e kartës së identitetit;
b) vërtetimin e trajtimit në institucionet e përkujdesjes shoqërore, të lëshuar brenda 30 (tridhjetë) ditëve të fundit.
4.5.Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, paraqesin:
a) kopjen e kartës së identitetit;
b) urdhrin e mbrojtjes ose urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, për rastet e parashikuara në shkronjën “d”, të pikës 2, të këtij kreu.

II. PROCEDURA E APLIKIMIT PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS EKONOMIKE

1. Administratori shoqëror identifikon familjet dhe individët në nevojë, i informon ata mbi procedurat e aplikimit dhe të përfitimit të ndihmës ekonomike dhe i fton ata për aplikim. Administratori shoqëror, në prani të kryetarit të familjes/anëtarit madhor, së bashku me bashkëshortin/en, ose të vetëm kur nuk ka bashkëshort/e, kur aplikon për ndihmë ekonomike, hedh në Regjistrin Elektronik Kombëtar, brenda 10 (dhjetë) ditëve të para të muajit, të dhënat e mëposhtme:
a) Formularin për aplikim për ndihmë ekonomike, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si pjesë përbërëse e tij, dhe që përmbledh informacionin për:
i. demografinë e familjes, arsimin dhe punësimin;
ii. llojin e banesës;
iii. pasuritë/asetet familjare;
iv. të ardhurat nga programet e mbrojtjes shoqërore dhe të ardhurat e tjera.
2. Administratori shoqëror, pasi verifikon situatën social ekonomike të familjeve në nevojë nëpërmjet vizitave në familje dhe në terren, brenda muajit të aplikimit për familjet që aplikojnë për herë të parë si dhe dy herë në vit për të gjitha familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, hedh në Regjistrin Elektronik Kombëtar të dhënat sipas formularit në shtojcën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Administratori shoqëror paraqet pranë strukturës përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki, nëpërmjet Regjistrit Elektronik Kombëtar, listën e familjeve/individëve në nevojë që kanë aplikuar për ndihmë ekonomike;
4. Anëtarët madhorë të familjes/individët përfitues paraqiten çdo 3 (tre) muaj pranë administratorit shoqëror për të deklaruar lidhur me gjendjen social-ekonomike të familjes. Administratori shoqëror hedh në Regjistrin Elektronik Kombëtar deklaratën lidhur me ndryshimet e situatës social-ekonomike të familjes, sipas shtojcës 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për përfitimin e ndihmës ekonomike.
5. Administratorët shoqërorë janë të detyruar që dokumentet e përcaktuara në pikën 4, të kreut I, dhe në pikat 1, 2, 3 dhe 4, të kreut II, të këtij vendimi, t’i ruajnë ato sipas legjislacionit në fuqi për ruajtjen e dokumentacionit.
6. Ndryshimi i vendbanimit të përfituesve të ndihmës ekonomike shoqërohet me transferimin e dokumentacionit pranë bashkisë/njësisë administrative të vendbanimit të ri.
7. Struktura përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki dërgon, në formë shkresore dhe elektronike, nëpërmjet Regjistrit Elektronik Kombëtar, listën e plotë të familjeve/individëve në nevojë nën juridiksionin e bashkisë pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror për trajtim me ndihmë ekonomike, brenda datës 15 të çdo muaji, sipas formatit në shtojcën 4, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8.Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, për realizimin e procesit të vendimmarrjes për përfituesit e ndihmës ekonomike, ka këto përgjegjësi:
a) verifikon të dhënat e regjistruara nga administratori shoqëror për familjet/individët në nevojë në Regjistrin Elektronik Kombëtar si dhe konfirmon saktësinë e tyre pranë autoriteteve shtetërore përgjegjëse dhe në bazë të aplikimit të formulës së pikëzuar për familjet në nevojë;
b) merr vendime për caktimin e familjeve/individëve në nevojë, përfitues të ndihmës ekonomike, masën e përfitimit të tyre si edhe refuzon kërkesën për dhënien e përfitimit të ndihmës ekonomike të shoqëruar me arsyet e refuzimit, sipas formatit në shtojcën 5, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
c) ia dërgon vendimin kryetarit të bashkisë:
i. për të njoftuar kërkuesit për përfitimin e ndihmës ekonomike;
ii. për të kryer veprimet financiare për pagesën për përfituesit e ndihmës ekonomike.
9. Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror realizon procesin e vendimmarrjes brenda muajit të aplikimit të qytetarëve për ndihmë ekonomike.
10. Strukturat e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, mjeku i familjes dhe administratori shoqëror koordinojnë procesin e dhënies së ndihmës ekonomike, duke bërë të mundur dhënien e informacionit për kryerjen e kontrollit mjekësor bazë, për personat e grupmoshës 35–70 vjeç. Administratori shoqëror ka detyrimin të njoftojë 3 (tri) muaj rresht, para muajit të lindjes, personat e grupmoshës 35–70 vjeç që përfitojnë ndihmë ekonomike për kryerjen e kontrollit mjekësor bazë, në një nga ditët e muajit të lindjes. Personi i njoftuar është i detyruar të paraqitet në muajin pasardhës të muajit të lindjes me një vërtetim nga qendra shëndetësore që ka kryer kontrollin mjekësor bazë. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike, nëpërmjet strukturave rajonale të tij, dërgon informacionin e nevojshëm pranë administratorit shoqëror.
11.Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike, për një periudhë gjashtëmujore, familjet të cilat kanë në përbërje të tyre edhe një anëtar të vetëm që plotëson kushtet e mëposhtme:
a) Kryen ndarje të qëllimshme të anëtarëve të familjes që jetojnë në të njëjtën strehë, kur nuk krijohet një kurorë e re, me përjashtim të rastit vajzë-nënë;
b) Nuk tërheq ndihmën ekonomike brenda afateve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme, si shëndetësore apo fatkeqësi;
c) Refuzon verifikimin e situatës social-ekonomike në familje;
ç) Fsheh informacionin apo kryen deklarim të rremë;
d) Nuk paraqiten për deklarim dhe/ose nuk deklarojnë ndryshimet e situatës social-ekonomike çdo tre muaj pranë administratorit shoqëror, me përjashtim të rasteve kur kjo ka ndodhur për shkaqe të arsyeshme, si shëndetësore apo fatkeqësi, dhe të anëtarëve të familjes, të cilët janë persona me aftësi të kufizuara, invalidë pune ose të moshuar, të cilët janë në pamundësi lëvizjeje;
dh) Refuzojnë përfshirjen në kurset e formimit profesional për anëtarët në moshë aktive pune të familjeve përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nxitjen e punësimit;
e) Kanë anëtarët në moshë aktive pune të aftë për punë, që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, me përjashtim të rasteve të familjeve që zotërojnë tokë bujqësore në pronësi/përdorim dhe banojnë në fshat;
ë) Anëtarët në moshë aktive pune, të aftë për punë, që nuk rezultojnë punëkërkues të papunë pranë zyrave të punës apo të vetëpunësuar pranë strukturave të tatimeve, me përjashtim të familjeve që kanë anëtarë, që ndjekin arsimin e mesëm të lartë apo të lartë, por jo më shumë se deri në moshën 25 vjeç.
12.Përjashtohen nga përfitimi i ndihmës ekonomike për një periudhë njëvjeçare familjet, të cilat kanë në përbërje të tyre qoftë edhe një anëtar të vetëm që plotëson kushtet e mëposhtme:
a) Është në moshë aktive pune dhe refuzon ofertat e përshtatshme për punë të zyrave të punës, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për nxitjen e punësimit;
b) Punësohen dhe ndërpresin marrëdhëniet e punës pa shkaqe të arsyeshme, me përjashtim të rasteve kur zgjidhja e kontratës bëhet nga ana e punëdhënësit;
c) Ka kryer më shumë se një deklarim të rremë;
ç) Ato familje, të cilat rezultojnë me të ardhura dhe kushte të mira social-ekonomike.
13. Pagesat e ndihmës ekonomike, në masën e përcaktuar në kreun III, të këtij vendimi, paguhen nga shërbimet bankare ose Posta Shqiptare, pranë bashkive/njësive administrative ku ka vendbanimin përfituesi. Bashkia merr masa që këto pagesa të merren të plota nga përfituesit dhe të mos tarifohen/komisionohen.
14. Njësia administrative, me kërkesë të qytetarit, e pajis atë me dokument që vërteton se trajtohet me ndihmë ekonomike, duke përcaktuar masën e përfitimit dhe periudhën e trajtimit.

III. MASA E NDIHMËS EKONOMIKE

1. Ndihma ekonomike, që përfitojnë familjet dhe individët në nevojë, është e plotë dhe masa nuk kufizohet për shkak të numrit të anëtarëve. Ndihmë ekonomike përfitojnë familjet që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme nga programet e mbrojtjes shoqërore, remitancat, qiraja, asetet, bujqësia apo të ardhura të tjera, dhe individët e përcaktuar në pikën 2, të kreut I të këtij vendimi.
2. Masa e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë përcaktohet sipas strukturës së familjes dhe shkon deri në 150 për qind e masës së pensionit social dhe e indeksuar. Masa e ndihmës ekonomike indeksohet nga Shërbimi Social Shtetëror sa herë indeksohet pensioni social dhe në bazë të këtij indeksi.
3. Ministri përgjegjës për çështjet sociale nxjerr udhëzim për mënyrën e përllogaritjes së masës së ndihmës ekonomike, sipas strukturës së familjes.
4. Kur në përbërjen e strukturës së familjes, për efekt të llogaritjes së masës së ndihmës ekonomike, mbetet vetëm një anëtar, masa e ndihmës ekonomike për këtë të fundit është ajo e llogaritur për këtë anëtar.
5.Për bashkëshortët në proces zgjidhjeje martese, kur ende nuk ka një vendim gjykate të formës së prerë, masa e ndihmës ekonomike për secilin bashkëshort do të jetë e përllogaritur në bazë të strukturës së familjes, sipas pikës 2, të kreut III, të këtij vendimi.
6. Masa e ndihmës ekonomike, në muaj, për prindërit e fëmijëve të lindur është, si më poshtë vijon:
a) Trinjakë 3 000 (tre mijë) lekë, për çdo fëmijë;
b) Katërnjakë 4 000 (katër mijë) lekë, për çdo fëmijë;
c) Pesënjakë 5 000 (pesë mijë) lekë, për çdo fëmijë.
Kjo ndihmë ekonomike përfitohet deri në mbarimin e arsimit bazë, por jo më shumë se 18 vjeç.
7. Masa e ndihmës ekonomike për viktimat e trafikimit është 3 000 (tre mijë) lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore, deri në çastin e punësimit të tyre.
8. Masa e ndihmës ekonomike për çdo viktimë të dhunës në marrëdhëniet familjare që nuk trajtohet në institucionet e përkujdesjes shoqërore, të përcaktuar në urdhrin e mbrojtjes apo urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, është 3 000 (tre mijë) lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet gjatë periudhës së vlefshmërisë të urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të përcaktuar në vendimin e gjykatës.
9. Masa e ndihmës ekonomike për çdo jetim është 3 000 (tre mijë) lekë në muaj. Kjo ndihmë ekonomike përfitohet nga jetimët që nuk janë në institucione deri në çastin e punësimit të tyre.
10. Anëtarët e familjes, fëmijë/jetimët që nuk janë në institucione për të cilët vërtetohet që ndjekin arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç, marrin një shtesë në masën 300 (treqind) lekë në muaj gjatë vitit shkollor.
11. Anëtarët e familjes, fëmijë/jetimët që nuk janë në institucione për të cilët vërtetohet se janë vaksinuar sipas kalendarit të vaksinimit, marrin një shtesë në masën 100 (njëqind) lekë, për çdo vaksinë të kryer.
12. Anëtarit të familjes në nevojë, që është person me aftësi të kufizuara, invalid pune apo individ, përfitues i ndihmës ekonomike, nuk i llogaritet masë ndihme ekonomike në strukturën e masës së ndihmës ekonomike për familjen.
13. Anëtarit të familjes në nevojë, që, me vendim të formës së prerë të gjykatës, vuan dënimin me heqje lirie ose që trajtohet me mjekim të detyruar me vendim gjykate, në institucionet mjekësore të posaçme, nuk i llogaritet masë ndihme ekonomike në strukturën e masës së ndihmës ekonomike për familjen.
14. Të drejtën për ta tërhequr dhe marrë në dorëzim ndihmën ekonomike për familjet në nevojë e ka bashkëshortja e kryefamiljarit. Për rastet kur në strukturën e familjes bashkëshortja mungon, të drejtën e tërheqjes e ka kryetari i familjes.

IV.PËRDORIMI I FONDIT SHTESË MBI FONDIN E KUSHTËZUAR PËR NDIHMËN EKONOMIKE

1. Këshilli bashkiak miraton në fillim të vitit kriteret për dhënien e ndihmës ekonomike për familjet aplikuese për ndihmë ekonomike, të cilat nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit dhe që do të trajtohen me fondin shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike.
2. Këshilli bashkiak ka të drejtë të miratojë dhënien e ndihmës ekonomike për familjet aplikuese, të cilat nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit, duke përdorur fondin shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike.
3. Fondi shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike është 6 për qind e këtij fondi dhe mbi këtë fond mund të shtohen ose jo edhe fonde të buxhetit vendor.
4. Akordimi i fondit deri në 6 për qind do t’i shtohet çeljes faktike të çdo 2-mujori që transferohet për përfituesit e ndihmës ekonomike të përzgjedhur nga sistemi i pikëzimit.
5. Familjet në nevojë, në momentin që do të përzgjidhen nga lista e familjeve, duhet të kenë aplikuar brenda tre muajve të fundit nëpërmjet Regjistrit Elektronik Kombëtar për ndihmë ekonomike dhe që nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit.
6. Familjet në nevojë, që do të trajtohen me ndihmë ekonomike, do të miratohen me vendim të këshillit bashkiak.
7. Për familjet që do të trajtohen me ndihmë ekonomike duhet të jetë kryer paraprakisht vlerësimi social-ekonomik në familje nga administratori shoqëror, sipas shtojcës 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8. Administratori shoqëror, gjatë periudhës së trajtimit me fondin deri në 6 për qind, nëse verifikon që ka ndryshime të situatën social ekonomike, referon familjen për të aplikuar në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Ndihmës Ekonomike apo ndërpret periudhën e përfitimit në rast të punësimit të anëtarëve të familjes.
9. Struktura përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki harton projektvendimin për familjet në nevojë nën juridiksionin e bashkisë, në bazë të propozimeve dhe të vlerësimeve social-ekonomike të ardhura nga administratori shoqëror, për trajtim me ndihmë ekonomike nga fondi shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike.
10. Struktura përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki përllogarit fondin për mbulimin e familjeve në nevojë që do të trajtohen nga fondi shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike dhe e dërgon për miratim në këshillin bashkiak.
11. Masa e ndihmës ekonomike për familjet përfituese nga ky fond llogaritet në të njëjtën mënyrë sipas përllogaritjes së masës së strukturës së familjes, për familjet përfituese të ndihmës ekonomike.
12.Struktura përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki grumbullon dhe përgatit informacione, statistika për numrin e familjeve përfituese të trajtuara nga ky fond dhe fondin e realizuar të cilat i dërgojnë pranë strukturave rajonale të Shërbimit Social Shtetëror.
13. Nuk mund të trajtohen nga fondi shtesë mbi fondin e kushtëzuar për ndihmën ekonomike:
a) familjet të cilat nuk kanë aplikuar për ndihmë ekonomike nëpërmjet Regjistrit Elektronik Kombëtar;
b) familjet të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike sipas krerëve I, II dhe III, të këtij vendimi.

V. PROCEDURA E ANKIMIMIT ADMINISTRATIV

1. Aplikuesit për përfitimin e ndihmës ekonomike, kur gjykojnë se vendimi zyrtar i organit përkatës është i padrejtë, mund të paraqesin ankesë me shkrim pranë bashkisë/njësisë administrative, brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga marrja e njoftimit. Struktura vendore shqyrton ankesën dhe njofton me shkrim ankuesin brenda 7 (shtatë) ditëve kalendarike nga marrja e ankesës.
2. Aplikuesit për përfitimin e ndihmës ekonomike kanë të drejtë të paraqesin ankesë me shkrim pranë strukturës rajonale të Shërbimit Social Shtetëror brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga marrja e përgjigjes nga struktura vendore, pas ezaurimit të ankimit, të përcaktuar në pikën 1, të këtij kreu.
3. Struktura rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, pas shqyrtimit dhe verifikimit të ankesave, njofton me shkrim të interesuarin dhe njësinë e vetëqeverisjes vendore brenda 14 (katërmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga marrja e ankesës.
4. Aplikuesit për përfitimin e ndihmës ekonomike, që pretendojnë se u është shkelur dhe/ose mohuar një e drejtë ligjore, gëzojnë të drejtën për të ngritur padi në gjykatë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.

VI. DISPOZITA TË FUNDIT

1. Vendimi nr.955, datë 7.12.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave, dokumentacionit dhe masës së përfitimit të ndihmës ekonomike”, të ndryshuar, shfuqizohet.
2. Ngarkohet ministri përgjegjës për çështjet sociale të nxjerrë udhëzimet në zbatim të vendimit.
3. Ngarkohen të gjitha organet e administratës shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.