Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 04 Tetor 2017
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E BUXHETIT PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE PËR VITIN 2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 189/c, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e buxhetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale për vitin 2017, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RAPORTIT TË NËNTË, TË DHJETË, TË NJËMBËDHJETË KOMBËTAR PERIODIK PËR ZBATIMIN E KONVENTËS NDËRKOMBËTARE TË OKB-SË “PËR ELIMINIMIN E TË GJITHA FORMAVE TË DISKRIMINIMIT RACOR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 25, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.7768, datë 9.11.1993, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën ndërkombëtare “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor””, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e raportit të nëntë, të dhjetë, të njëmbëdhjetë kombëtar periodik për zbatimin e konventës ndërkombëtare të OKB-së “Për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit racor”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË AUTORITETIT KOMBËTAR TË USHQIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 65, të ligjit nr.9863, datë 28.1.2008, “Për ushqimin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Dritan Sejko, drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Agim Ismaili emërohet drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS SË ITALISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN INTERREG V-B ADRIATIKO-JONIAN (ADRION) 2014-2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Republikës së Italisë dhe Komisionit Evropian, për programin Interreg V-B Adriatiko-Jonian (ADRION) 2014-2020, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI, NGA DREJTORIA E PËRGJITHSHME E TATIMEVE TEK AGJENCIA E AUDITIMIT TË PROGRAMEVE TË ASISTENCËS, AKREDITUAR NGA BASHKIMI EVROPIAN, TË DISA AMBIENTEVE TË ISH-GODINËS SË TRIKOTAZHIT, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.818, DATË 6.12.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË TATIMEVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tek Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, të ambienteve të katit IV dhe V, të ish-godinës së trikotazhit, me numër pasurie 3/40, në zonën kadastrale nr.8160, me vendndodhje në Rrugën e Elbasanit, Tiranë, sipas të dhënave të pasurisë dhe planimetrisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.818, datë 6.12.2006, të Këshillit të Ministrave.
3. Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, nuk mund ta ndryshojë destinacionin e pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë apo t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH NË BUXHETIN E VITIT 2017, MIRATUAR PËR MINISTRINË E MBROJTJES
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 18, të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Rishpërndarjen e fondeve për shpenzime korrente, ndërmjet programeve brenda buxhetit të vitit 2017, miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes, si më poshtë vijon:
a) Në programin 07340 – “Mbështetja shëndetësore”, të shtohet fondi 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) lekë;
b) Në programin 02120 – “Forcat e luftimit”, të pakësohet fondi 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë;
c) Në programin 02150 – “Mbështetja e luftimit”, të pakësohet fondi 40 000 000 (dyzet milionë) lekë;
ç) Në programin 09430 – “Arsimimi ushtarak”, të pakësohet fondi 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.
2. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.