Vendime të miratuara në mbledhjen e këshillit të ministrave, datë 06 Korrik 2016
V E N D I M
PËR
MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË QENDRËS KOMBËTARE TË TRANSFUZIONIT TË GJAKUT DHE NIVELET E SHËRBIMIT TË TRANSFUZIONIT NË INSTITUCIONET SHËNDETËSORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12, pika 1 e 15, pika 1, të ligjit nr.9739, datë 21.5.2007, “Për shërbimin e transfuzionit të gjakut në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Nivelet e shërbimit të strukturave të transfuzionit të gjakut kategorizohen, si më poshtë vijon:
a) Niveli I: Komiteti Kombëtar i Transfuzionit të Gjakut (KKGJ);
b) Niveli II: Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit të Gjakut.
2. Komiteti Kombëtar i Transfuzionit të Gjakut është organ këshillimor, i cili funksionon në bazë të rregullores së miratuar nga ministri i Shëndetësisë.
3. Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit të Gjakut përbëhet nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut dhe strukturat e shërbimit të transfuzionit në institucionet shëndetësore publike të shërbimit spitalor.
4. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut është person juridik publik në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, e specializuar për kryerjen e shërbimeve të transfuzionit të gjakut në Republikën e Shqipërisë. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut kryen këto shërbime:
a) Shërbime prodhuese, në të cilat përfshihen promovimi i dhurimit vullnetar falas të gjakut, seleksionimi dhe kontrolli periodik i dhuruesit të gjakut, mbledhja e gjakut, përpunimi dhe testimi i tij, ruajtja, transporti i gjakut/produkteve të tij, kontrolli i cilësisë të gjakut si dhe i produkteve të tij;
b) Shërbime ndaj spitalit, në të cilat përfshihen shpërndarja e gjakut dhe e produkteve të tij pacientëve në nevojë dhe testet imunohematologjike.
5. Strukturat e shërbimit të transfuzionit në institucionet shëndetësore publike të shërbimit spitalor janë, si më poshtë vijon:
a) Bankat rajonale të gjakut në të cilat kryhen:
i. shërbime prodhuese, ku përfshihen promovimi i dhurimit vullnetar falas të gjakut, seleksionimi dhe kontrolli periodik i dhuruesit të gjakut, mbledhja e gjakut, përpunimi, ruajtja, transporti i gjakut/produkteve të tij;
ii. shërbime ndaj spitalit, ku përfshihen shpërndarja e gjakut dhe produkteve të tij pacientëve në nevojë dhe testet imunohematologjike.
b) Bankat mbledhëse dhe shpërndarëse të gjakut në të cilat kryhen:
i. shërbime prodhuese, ku përfshihen promovimi i dhurimit vullnetar falas të gjakut, seleksionimi dhe kontrolli periodik i dhuruesit të gjakut, mbledhja e gjakut, ruajtja, transporti i gjakut/produkteve të tij;
ii. shërbime ndaj spitalit, ku përfshihen shpërndarja e gjakut dhe produkteve të tij pacienteve në nevojë dhe testet imunohematologjike.
c) Bankat shpërndarëse të gjakut, në të cilat kryhen vetëm shërbime ndaj spitalit, ku përfshihen shpërndarja e gjakut dhe e produkteve të tij pacientëve në nevojë dhe testimet imunohematologjike.
6. Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit të Gjakut ofron produktet e mëposhtme:
a) Produktet eritrocitare:
i. Gjak i plotë;
ii. Qeliza të kuqe;
iii. Qeliza të kuqe në SAGM (salinë, adeninë, glukozë, manitol);
iv. Qeliza të kuqe pa buffy-coat pa solucion shtesë;
v. Qeliza të kuqe pa buffy-coat me solucion shtesë;
vi. Qeliza të kuqe të leukodepletuar;
vii. Qeliza të kuqe të shpëlara.
b) Produktet plazmatike:
i. Plazëm e freskët e ngrirë;
ii. Plazëm e varfër në krioprecipitat;
iii. Kriprecipitat.
c) Produktet trombocitare:
i. Trombocite të prodhuara nga plazma e pasur në trombocite;
ii. Trombocite të prodhuara nga buffy-coat.
7. Produktet e gjakut të prodhuara nga Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit të Gjakut duhet të plotësojnë standardet e paraqitura në aneksin I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut kryen detyrat e ngarkuara nga ligji, si dhe kryen funksionet e bashkërendimit të punës e të kontrollit tekniko-administrativ, në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar të Transfuzionit të Gjakut.
9. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut ka edhe këto përgjegjësi:
a) Siguron mbështetje për zbatimin e programin kombëtar të veprimeve të shërbimit të transfuzionit;
b) Në bashkëpunim me Komitetin Kombëtar të Transfuzionit të Gjakut është përgjegjëse për hartimin dhe shpërndarjen e akteve nënligjore e të udhëzuesve përkatës për Shërbimin Kombëtar të Transfuzionit të Gjakut, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë;
c) Përllogarit koston e shërbimeve e të produkteve të ofruara nga Shërbimi Kombëtar i Transfuzionit të Gjakut;
ç) Siguron zbatimin sistematik të programit për kontrollin e cilësisë e atë mikrobiologjik të procedurave të mbledhjes e të përpunimit të gjakut, kontrollin dhe vlerësimin e metodave diagnostike e të procedurave të zbatuara në shërbimin e transfuzionit;
d) Raporton për aktivitetin e saj në Drejtorinë e Administrimit Spitalor, pranë Ministrisë së Shëndetësisë, në mënyrë periodike dhe vjetore brenda 10-ditëshit të parë të muajit pasardhës, sipas rregullores përkatëse, të miratuar me urdhër të ministrit të Shëndetësisë.
10. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut rregullohen nga dispozitat e ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
11. Mënyra dhe procedurat për punësimin, lëvizjet dhe transferimin e stafit të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut miratohen nga ministri i Shëndetësisë.
12. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut drejtohet nga drejtori, i cili emërohet dhe lirohet nga ministri i Shëndetësisë.
13. Drejtori i Qendrës Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut ka këto përgjegjësi kryesore:
a) Drejton dhe bashkërendon detyrat e punonjësve me qëllim përmbushjen me sukses të rolit të Qendrës;
b) Përgatit programin e vetëmjaftueshmërisë kombëtare dhe e paraqet atë për miratim në Ministrinë e Shëndetësisë, në Drejtorinë e Administrimit Spitalor, në fillim të çdo viti kalendarik, mbështetur në nenin 18, të ligjit nr.9739, datë 21.5.2007, “Për shërbimin e transfuzionit të gjakut në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
c) Drejton punën për hartimin e projektbuxhetit ekonomik dhe financiar, miraton buxhetin e zbërthyer për çdo shërbim dhe repart, miraton programin e buxhetit në të gjithë zërat e tij;
ç) Administron fondet buxhetore dhe fondet e tjera të krijuara sipas legjislacionit në fuqi për funksionimin normal të Qendrës;
d) Bashkëpunon ngushtë me institucionet e ndryshme dhe organizatat që operojnë në fushën e transfuzionit të gjakut brenda dhe jashtë vendit;
dh) Përfaqëson Qendrën në marrëdhënie me të tretët;
e) I propozon Komitetit Kombëtar të Transfuzionit të Gjakut, për miratim nga ministri i Shëndetësisë, të rregullores së brendshme të funksionimit të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut;
ë) Siguron që çdo njësi gjak apo komponent është mbledhur, testuar, përpunuar, ruajtur dhe shpërndarë sipas të gjitha ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi;
f) Siguron informacionin e duhur për ngritjen, akreditimin ose licencimin e çdo strukture transfuzionale;
g) I propozon ministrit të Shëndetësisë emërimin dhe lirimin nga detyra të zëvendësdrejtorit teknik e ekonomik;
gj) Siguron bazën pedagogjike për specializimin e mjekëve në specialitetin “Mjekësi transfuzive” dhe bashkëpunimin me Fakultetin e Mjekësisë për trajnimin e vazhdueshëm të specialistëve që punojnë në strukturat e shërbimit të transfuzionit në vend.
14. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut kryen shërbime të transfuzionit sipas tarifave të miratuara me udhëzim të përbashkët të ministrit të Shëndetësisë dhe të ministrit të Financave.
15. Të ardhurat e mbledhura nga tarifat për shërbimin e transfuzionit derdhen në buxhetin e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe përdoren me miratim të ministrit te Shëndetësisë.
16. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.796, DATË 22.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NDRYSHIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE MINISTRIA E DREJTËSISË, PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË BURGJEVE, TË PRONËS NR.98, ME EMËRTIM “GRUP DEPO (ISH-REPARTI USHTARAK NR.5011)”, ME VENDNDODHJE NË BRAR, TIRANË, PËR DHËNIEN NË PËRDORIM TË PËRKOHSHËM TË DISA OBJEKTEVE E TË NJË SIPËRFAQEJE TRUALLI FUNKSIONAL, BRENDA TERRITORIT TË PRONËS NR.6, ME EMËRTIM “INSTITUTI GJEOGRAFIK I USHTRISË”, ME VENDNDODHJE NË RRUGËN “MYSLYM KETA”, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, QË I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12, 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 1, të vendimit nr.796, datë 22.9.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, fjalët “… dhe dhënien në përdorim të përkohshëm, për një periudhë 30-vjeçare, të disa objekteve si dhe të një sipërfaqeje trualli funksional, me sipërfaqe të përgjithshme prej 5 931,2 (pesë mijë e nëntëqind e tridhjetë e një presje dy) m2, brenda territorit të pronës nr.6, me emërtim “Instituti Gjeografik i Ushtrisë”, me vendndodhje në rrugën “Myslym Keta”, Tiranë, sipas planvendosjeve që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij, për t’u përdorur për vendosjen e administratës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe për plotësimin e nevojave institucionale të këtij institucioni…” shfuqizohen.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË RINOVUAR, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHOQËRISË “MICROSOFT CORPORATION”, PËR PROJEKTIN E PARTNERITETIT STRATEGJIK NË FUSHËN E TEKNOLOGJISË SË INFORMACIONIT DHE PËR NJË SHTESË FONDI AGJENCISË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 17 e 27, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 10 e 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, si dhe të ligjit nr.9380, datë 28.4.2005, “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”, me propozimin e ministrit tё Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e marrëveshjes së rinovuar, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “Microsoft Corporation”, për projektin e partneritetit strategjik në fushën e teknologjisë së informacionit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Fondi total prej 1 976 400 000 (një miliard e nëntëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë e katërqind mijë) lekësh për realizimin e projektit të partneritetit strategjik në fushën e teknologjisë së informacionit të përballohet nga buxheti i shtetit.
3. Fondi prej 295 354 773,79 (dyqind e nëntëdhjetë e pesë milionë e treqind e pesëdhjetë e katër mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e tre presje shtatëdhjetë e nëntë) lekësh, i parashikuar për realizimin e projektit të partneritetit strategjik në fushën e teknologjisë së informacionit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2016, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ky fond i alokohet Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
4. Autorizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për të lidhur marrëveshjet e parashikuara për zbatimin e projektit strategjik në fushën e teknologjisë së informacionit, sipas përcaktimeve në marrëveshjen bazë të partneritetit, bashkëlidhur këtij vendimi.
5. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministria e Financave dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETIT TË IZRAELIT, PËR BASHKËPUNIM NË FUSHAT E SHËNDETIT E MJEKËSISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shtetit të Izraelit, për bashkëpunim në fushat e shëndetit e mjekësisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE URDHRIT SOVRAN USHTARAK SPITALOR TË SHËN GJONIT TË JERUZALEMIT TË RHODES DHE MALTËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran Ushtarak Spitalor të Shën Gjonit të Jeruzalemit të Rhodes dhe Maltës, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
HAPJEN E KONSULLATËS SË PËRGJITHSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MYNIH, NË REPUBLIKËN FEDERALE TË GJERMANISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 21, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Mynih, në Republikën Federale të Gjermanisë.
2. Shpenzimet për hapjen e kësaj përfaqësie të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme.
3. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS POPULLORE TË KINËS, PËR AKORDIMIN E GRANTIT EKONOMIKO-TEKNIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, për akordimin e grantit ekonomiko-teknik, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË UJËSJELLËS- KANALIZIMEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK).
2. AKUK-u është person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës.
3. AKUK-u është organ shtetëror i specializuar në fushën e ujësjellës- kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura. Ajo mbështet teknikisht politikat e ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën, në përputhje me legjislacionin dhe politikat e përcaktuara në strategjitë sektoriale, si dhe politikat përkatëse për administrimin e ujërave dhe mbrojtjen mjedisore të cilësisë së ujërave.
4. AKUK-u ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare, të cilat miratohen nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës- Kanalizimeve”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës si dhe raportin e përmasave të saj”.
II. ORGANIZIMI I AKUK-ut
1. AKUK-u ka statusin e agjencisë kombëtare në nivel qendror, me seli në Tiranë.
2. AKUK-u ka në përbërjen e saj edhe tre drejtori rajonale, si pjesë të strukturës brenda organikës së saj.
3. AKUK-u drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj agjencie dhe përgjigjet para ministrit përgjegjës për infrastrukturën.
4. Marrëdhëniet e punës të drejtorit të Përgjithshëm të AKUK-ut dhe nëpunësve të saj rregullohen sipas legjislacionit për shërbimin civil. Për punonjësit që zbatojnë projektet e huaja respektohen aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Marrëdhëniet e punës të punonjësve administrativë rregullohen sipas dispozitave të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
5. Struktura dhe organika e AKUK-ut miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës për infrastrukturën.
6. Metodat e brendshme të punës dhe sjellja e personelit të AKUK-ut miratohen nga ministri përgjegjës për infrastrukturën.
III. PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT E AKUK-ut
1. AKUK-u, nëpërmjet autoritetit të saj ligjor dhe teknik, koordinon dhe monitoron të gjitha aktivitetet sektoriale për sigurimin e shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm, kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura, në bashkëpunim me të gjitha institucionet e vendit, në nivel qendror dhe vendor.
2. AKUK-u ushtron këto kompetenca:
a) Mbështet teknikisht zbatimin e politikave dhe strategjive në fushën e ujësjellës-kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura;
b) Mund t’i propozojë ministrisë së linjës ndryshimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor e nënligjor për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve e trajtimit të ujërave të ndotura dhe është pjesë e grupeve të punës për hartimin e politikave dhe strategjive kombëtare për sektorin;
c) I propozon ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën planifikimin e nevojave për investime për ndërtimin/rehabilitimin e sistemeve të ujësjellësve, rrjeteve të kanalizimeve, impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura (ITUN), bazuar në programet e qeverisë dhe në masterplanin kombëtar sektorial;
ç) Kontrollon dhe miraton, nga pikëpamja teknike, të gjitha projektet e ujësjellës-kanalizimeve dhe ITUN-eve, të financuara nga buxheti i shtetit, buxheti i bashkisë, buxheti i shoqërisë UK apo institucione financiare ndërkombëtare, me qëllim garantimin dhe zbatimin e rregullave teknike të projektimit, ndjek zbatimin e projekteve me financim të huaj, në këtë fushë, si dhe të kontratave të lidhura, duke qenë përgjegjëse edhe për monitorimin e ecurisë së tyre;
d) Koordinon, nxit dhe bashkëpunon me institucionet shtetërore, institucionet financiare ndërkombëtare, investitorët dhe palët e interesuara për zbatimin e strategjive të sektorit për shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura;
dh) Është përgjegjëse për metodologjinë dhe shpërndarjen e subvencioneve të planifikuara në buxhetin e shtetit, në përputhje me ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi;
e) Është institucioni përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e procedurave dhe programit të monitorimit për shërbimet e furnizimit me ujë, të kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura;
ë) Ka të drejtë të ushtrojë kontrolle, me karakter teknik, në çdo subjekt që është ofrues i shërbimeve të furnizimit me ujë, të kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura, dhe dorëzon të dhënat për përdorimin e ujit në Kadastrën Kombëtare të Ujit, pranë ministrisë përgjegjëse;
f) Ka të drejtën e përcaktimit të treguesve dhe kritereve që duhet të arrijë çdo ofrues i shërbimeve në këtë sektor në kontratën e performancës, e cila firmoset nga palët. Këto kritere miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për infrastrukturën;
g) Mbështet politikëbërësit për hartimin e zbatimin e akteve nënligjore dhe procedurave, për procesin e kalimit të administrimit të shërbimeve të furnizimit me ujë, kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura, nga pushteti vendor në atë qendror, në rastet e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale;
gj) Planifikon nevojat për trajnime dhe koordinon punën për realizimin e trajnimeve e certifikimit, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi;
h) Ngre një sistem informacioni, nëpërmjet krijimit të një regjistri elektronik dhe shkresor publik, i cili përmban informacionin lidhur me:
i. planifikimin e investimeve që bën secila shoqëri;
ii. projektakte dhe akte për miratimin e projekteve;
iii. kërkesa për finacime, etj.;
i) Koordinon nismat për investime në fushën e ujësjellës-kanalizimeve, në bazë të rëndësisë strategjike, si dhe merr pjesë dhe ofron këshillime gjatë procesit të hartimit të projekteve në fushën e ujësjellës-kanalizimeve. Përgatit, gjithashtu, projekte zhvillimore dhe projekte pilot, me kërkesë të bashkive, qarqeve dhe ministrive apo institucioneve të tjera qendrore.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, transformohet në Agjenci Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve. Të gjitha të drejtat, detyrimet dhe funksionet e DPUK-së do të vazhdojnë të ushtrohen prej saj, deri në fillimin e veprimtarisë së organeve të Agjencisë. Për nëpunësit civilë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve, zbatohen dispozitat e përcaktuara në legjislacionin e nëpunësit civil, në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucioneve.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i shtetit, nëpërmjet Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës.
3. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN DHE KONTROLLIN E FONDIT OPERATIV TË POLICISË USHTARAKE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 16, të ligjit nr.13/2015, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Policia Ushtarake përdor fondin operativ, që i vihet në dispozicion për realizimin e veprimtarive specifike, brenda fondeve të miratuara në buxhetin vjetor për Ministrinë e Mbrojtjes.
2. Fondi operativ i Policisë Ushtarake përdoret për:
a) shpenzime për sigurimin e informacionit dhe mbështetjen e veprimtarisë operative;
b) shpenzime për marrje me qira të objekteve dhe të mjeteve në funksion të veprimtarive operative;
c) shpenzime për veprimtarinë procedurale penale për oficerin dhe agjentin e Policisë Gjyqësore ose personin e autorizuar prej tyre, gjatë kryerjes së operacioneve, ku përdoren metoda të posaçme hetimi (përgjime, veprime simuluese dhe infiltrime).
3. Vlera e fondit operativ është deri në 2% e vlerës së buxhetit vjetor të Policisë Ushtarake.
4. Kontrolli mbi përdorimin e fondit operativ ushtrohet, jo më pak se një herë në vit, nga ministri i Mbrojtjes ose personat e autorizuar prej tij, të cilët duhet të jenë të pajisur me certifikatë sigurie. Kontrolli ushtrohet duke respektuar legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”.
5. Ministri i Mbrojtjes nxjerr udhëzim për përcaktimin e procedurave e të dokumentacionit të nevojshëm për përdorimin e këtij fondi.
6. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH NDËRMJET PROGRAMEVE BRENDA BUXHETIT TË VITIT 2016, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BUJQËSISË, ZHVILLIMIT RURAL DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE, PËR MARRJEN E MASAVE URGJENTE PËR PARANDALIMIN E SËMUNDJES SË DERMATOZËS NODULARE TË GJEDHIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, dhe të pikës 1, të nenit 46, të ligjit nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Rishpërndarje fondesh ndërmjet programeve brenda buxhetit të vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, për marrjen e masave urgjente për parandalimin e sëmundjes së dermatozës nodulare të gjedhit, si më poshtë vijon:
- Në programin buxhetor “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit” shtohen 84 000 000 (tetëdhjetë e katër milionë) lekë, shpenzime korente.
- Në programin buxhetor “Zhvillimi rural duke mbështetur bujqësinë, blegtorinë, agroindustrinë dhe marketingun” pakësohen 84 000 000 (tetëdhjetë e katër milionë) lekë, shpenzime korente nga skema mbështetëse për bujqësinë.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.