Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 07 Dhjetor 2016
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E SHOQËRISË “ALBGAZ”, SH.A., DHE PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT PUBLIK QË PËRFAQËSON SHTETIN SI PRONAR TË AKSIONEVE TË SHOQËRIVE “ALBPETROL”, SH.A., DHE “ALBGAZ”, SH.A.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 36, pikat 2 e 5, 50, pikat 2 e 4, 57 e 80, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.7926, datë 20.4.1995, “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shkëputjen e njësisë së gazit nga shoqëria “Albpetrol”, sh.a., dhe krijimin e shoqërisë “Albgaz”, sh.a., me kapital 100 % shtetëror.
2. Shoqëria “Albgaz”, sh.a., duhet të funksionojë si një operator i kombinuar duke kryer veprimtarinë e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të gazit natyror.
Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë “Albagaz”, sh.a., të jetë 359 068 000 (treqind e pesëdhjetë e nëntë milionë e gjashtëdhjetë e tetë mijë) lekë. Kjo vlerë e kapitalit fillestar përfaqëson vlerën me të cilën do të zvogëlohet kapitali i shoqërisë “Albpetrol”, sh.a., pas shkëputjes së njësisë së gazit, në përputhje me urdhrin nr.550/3, datë 5.5.2016, të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, “Për sistemimin e kapitalit të Albpetrol, sh.a-së”.
3. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100% të aksioneve të shoqërisë “Albgaz”, sh.a., është Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
4. Ministria e Energjisë dhe Industrisë ushtron të drejtat mbi shoqërinë “Albgaz”, sh.a., në përputhje me parashikimet e ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, dhe fushën e tij të përgjegjësisë shtetërore.
5. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të aksioneve të shoqërisë “Albpetrol”, sh.a., është Ministria e Energjisë dhe Industrisë.
6. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndjekin procedurat e nevojshme për:
a) regjistrimin e zvogëlimit të kapitalit të shoqërisë “Albpetrol”, sh.a., transferimin e vlerës së kapitalit të zvogëluar te shoqëria “Albgaz”, sh.a., si dhe përmbylljen e procedurave për regjistrimin e shoqërisë “Albgaz”, sh.a., në Qendrën Kombëtare të Biznesit;
b) emërimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të shoqërive “Albgaz”, sh.a., dhe “Albpetrol”, sh.a., duke respektuar kufizimet e përcaktuara në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”.
7. Me regjistrimin në QKB, shoqëria “Albgaz”, sh.a., të aplikojë pranë Entit Rregullator të Energjisë për certifikim, si operator transmetimi, sipas procedurave të përcaktuara në nenin 37, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, si dhe për pajisjen me licencë për transmetimin e shpërndarjen e gazit natyror, në përputhje me procedurat e përcaktuara në nenet 22, 23 dhe 24, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”.
8. Aktiviteti i shoqërisë “Albgaz”, sh.a., për periudhën nga krijimi i saj deri më 31 dhjetor 2017, të financohet nëpërmjet fondeve që do të sigurohen nga marrëveshja e huas, e lidhur me shoqërinë “Albpetrol”, sh.a., dhe/ose fondet që siguron mbi bazën e marrëveshjeve me institucione financiare dhe/ose donatorë vendas apo ndërkombëtarë.
9. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe shoqëria “Albpetrol”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN E TË DHËNAVE MBI SHTRIRJEN E RRJETIT TË INFRASTRUKTURËS INXHINIERIKE TE BASHKITË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, dhe të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe të ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Të dhënat mbi shtrirjen dhe kapacitetin e rrjeteve e të linjave të infrastrukturave inxhinierike ekzistuese në zonë përbëjnë informacion publik dhe u jepen palëve të interesuara nga bashkia përgjegjëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Ngarkohen institucionet përgjegjëse për infrastrukturën rrugore, ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve, OSHEE, sh.a-ja., OST, sh.a-ja., si dhe shoqëri të tjera që operojnë në fushën e ujësjellës – kanalizimeve dhe rrjeteve elektrike, që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, të dorëzojnë pranë bashkive përgjegjëse të gjitha të dhënat dhe materialin e përditësuar hartografik mbi shtrirjen dhe kapacitetin e rrjeteve e të linjave infrastrukturore si dhe të njoftojnë bashkitë për çdo ndryshim të këtyre rrjeteve në vijimësi. Për dhënien e informacionit të sipërpërmendur nuk aplikohet tarifë.
3. Të dhënat për rrjetet e telekomunikacionit merren nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), i cili u siguron bashkive akses në sistemin e përqendruar të informacionit për rrjetet e komunikimeve elektronike, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
4. Dhënia e informacionit mbi shtrirjen dhe kapacitetin e rrjeteve e të linjave të infrastrukturave inxhinierike ekzistuese si dhe mbi pikat e lidhjes me këtë rrjet është pa pagesë.
5. Deri në kalimin e të dhënave, sipas pikës 2, të këtij vendimi, operatorët e shërbimeve publike kanë detyrimin t’u japin bashkive të dhënat dhe konfirmimet e nevojshme mbi rrjetet përkatëse, përfshirë përmes sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit, sipas legjislacionit në fuqi.
6. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe subjektet juridike të përmendura në pikën 2 për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT ME SHKËMBIM NOTASH TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR REALIZIMIN E PROGRAMIT “PROJEKTI PILOT PËR KRIJIMIN DHE EKSPERIMENTIMIN E NJË SISTEMI SIGURIMESH TË LEHTËSUARA PËR MBULIMIN E RREZIQEVE NË BUJQËSI”, NËNSHKRUAR NË TIRANË, MË 12.12.2012, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10/2014
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe neneve 10 dhe 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të ndryshimit me shkëmbim notash të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për realizimin e programit “Projekti pilot për krijimin dhe eksperimentimin e një sistemi sigurimesh të lehtësuara për mbulimin e rreziqeve në bujqësi”, nënshkruar në Tiranë, më 12.12.2012, ratifikuar me ligjin nr.10/2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe njësia e menaxhimit të projektit për krijimin dhe eksperimentimin e një sistemi sigurimesh të lehtësuara për mbulimin e rreziqeve në bujqësi për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË KONVENTËS SË KËSHILLIT TË EVROPËS, PËR NJË QASJE TË INTEGRUAR PËR RENDIN, SIGURINË DHE SHËRBIMET NË NDESHJET E FUTBOLLIT DHE AKTIVITETET E TJERA SPORTIVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të Konventës së Këshillit të Evropës, për një qasje të integruar për rendin, sigurinë dhe shërbimet në ndeshjet e futbollit dhe aktivitetet e tjera sportive, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË NDRYSHIMIT ME SHKËMBIM NOTASH TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, PËR PROGRAMIN “ZHVILLIMI I QËNDRUESHËM I SEKTORIT TË ULLISHTARISË SHQIPTARE (ZHQSU)”, NËNSHKRUAR NË TIRANË, MË 12.12.2012, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.11/2014
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të ndryshimit me shkëmbim notash të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për programin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullishtarisë shqiptare (ZHQSU)”, nënshkruar në Tiranë, më 12.12.2012, ratifikuar me ligjin nr.11/2014, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Njësia e Menaxhimit të Projektit për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Ullishtarisë Shqiptare (ZHQSU) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E BAZËS TË TË DHËNAVE SHTETËRORE TË POLICISË SË SHTETIT PËR MENAXHIMIN ELEKTRONIK TË GJOBAVE (E-GJOBA)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe të nenit 127, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e bazës të të dhënave shtetërore të Policisë së Shtetit për Sistemin e Menaxhimit Elektronik të Gjobave (E-gjoba).
2. Institucioni administrues i Sistemit të Menaxhimit Elektronik të Gjobave (E-gjoba) është Policia e Shtetit.
3. Dhënësi i informacionit për këtë sistem është Drejtoria e Financës, në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.
4. Sistemi i Menaxhimit Elektronik të Gjobave ka për qëllim automatizimin e procesit të administrimit të gjobave si dhe përqendrimin e të dhënave të gjobave, për të gjitha njësitë e Policisë Rrugore, duke i ofruar organeve përkatëse informacion të saktë dhe të shpejtë mbi:
a) gjendjen e gjobave të një mjeti (paguar/pa paguar), së bashku me të dhënat e mjetit;
b) historikun e mjetit dhe të veprimtarisë së plotë të përdoruesit;
c) raporte për gjobat, agjentin, vendimet e komisionit, mjetin, operatorët;
ç) statistika për gjendjen e gjobave, performancën e operatorit dhe pasqyrën e rezultateve;
d) plotësimin e një gjobe të re me të dhënat e punonjësit që vendos gjobën dhe të dhënat e shkelësit të dispozitave të Kodit Rrugor.
5. Të dhënat parësore të Sistemit të Menaxhimit Elektronik të Gjobave (E-gjoba) janë të dhënat e gjobës në të cilën vendoset numri serial i gjobës, koha e vendosjes së gjobës, vendndodhja, vlera e gjobës, shuma dhe arsyeja e vendosjes së gjobës.
6. Të dhënat dytësore janë të dhënat që merren nga:
a) DPSHTRR-ja, si: targa e mjetit, modeli i mjetit, shasia, pronari si dhe të dhënat për lejen e drejtimit dhe historikun e zotëruesit, të dhënat e plota të regjistrimit të mjetit dhe drejtuesit e mjeteve (pronar dhe përdorues);
b) sistemi i RMIS (Sistemi i Menaxhimit të Burimeve të Brendshme të Policisë së Shtetit), emër/mbiemër i punonjësit të Policisë që vendos gjobën, funksioni, struktura organizative ku ky punonjës bën pjesë, grada.
7. Baza e të dhënave E-gjoba ndërvepron me:
a) sistemin e DPSHTRR-së, ku merren të dhënat e mjeteve në bazë të targës (Targa, modeli, shasia, pronari etj);
b) sistemin RMIS (Sistemi i Menaxhimit të Burimeve të Brendshme të Policisë së Shtetit), ku merren të dhënat e punonjësit të Policisë që vendos gjobën (Emër, mbiemër, struktura organizative së cilës i përket).
8. Shtetasi ka nivel aksesi vetëm për konsultimin e informacioneve të vëna në dispozicion, nëpërmjet faqes së internetit të Policisë së Shtetit, www.asp.gov.al, (rubrika Shërbime/ Kontrolloni gjobat tuaja).
9. Për punonjësit e Drejtorisë së Policisë së Shtetit, niveli i aksesit, përcaktohet në rregulloren e brendshme të bazës të të dhënave shtetërore të E-gjoba, e cila miratohet me urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit.
10. Sistemi E-gjoba ka 6 nivele përdoruesish:
a) Niveli “Gjobë” i përdoruesit;
b) Niveli “Raporte”;
c) Niveli “Menaxhim”;
ç) Niveli “Komision”;
d) Niveli “Financë”;
dh) Niveli “Supervizor”.
11. Funksionet dhe të drejtat e secilit përdorues janë në përputhje me pozicionin e punës dhe përcaktohen në procedurat e punës, të cilat miratohen nga Drejtori i Policisë së Shtetit për secilin punonjës.
12. Subjektet e interesuara për Sistemin e Menaxhimit Elektronik të Gjobave (E-gjoba), janë, si më poshtë:
a) Policia e Shtetit;
b) Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF);
c) Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR);
ç) Autoriteti Kombëtar i Shoqërisë së Informacionit (AKSHI);
d) Institucionet financiare jobankare;
dh) Bankat e nivelit të dytë.
Aksesi i subjekteve të përcaktuara në këtë pikë, në Sistemin e Menaxhimit Elektronik të Gjobave, është i kufizuar, sipas legjislacionit që rregullon veprimtarinë e tyre dhe qëllimin e përpunimit.
13. Të gjitha ndryshimet në arkitekturën software dhe hardware të Sistemit E-gjoba të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, të cilat mund të ndodhin në varësi të nevojave të institucionit dhe praktikave evropiane dhe ndërkombëtare, në fushën e standardizimit, do të jenë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
14. Organizimi dhe funksionimi i brendshëm i bazës të të dhënave shtetërore për Sistemin e Menaxhimit Elektronik të Gjobave (E-gjoba) përcaktohet në rregulloren për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të bazës të të dhënave shtetërore, të miratuar nga Drejtori i Policisë së Shtetit.
15. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.1481, DATË 12.11.2008; NR.1657, DATË 24.12.2008; NR.100, DATË 27.1.2009; NR.167, DATË 19.2.2009; NR.286, DATË 18.3.20096; NR.450, DATË 6.5.2009; NR.611, DATË 11.6.2009; NR.677, DATË 18.6.2009; NR.706, DATË 23.6.2009; NR.805, DATË 22.7.2009; NR.1038, DATË 14.10.2009; NR.1134, DATË 18.11.2009; NR.1283, DATË 23.12.2009; NR.125, DATË 17.2.2010; NR.247, DATË 13.4.2010; NR.404, DATË 26.5.2010; NR.549, DATË 7.7.2010; NR.646, DATË 28.7.2010; NR.118, DATË 17.2.2011; NR.359, DATË 4.5.2011; NR.822, DATË 23.11.2011; NR.513, DATË 1.8.2012; NR.490, DATË 18.6.2013; NR.686, DATË 16.8.2013; NR.501, DATË 10.6.2015; NR.474, DATË 3.6.2015; NR.882, DATË 30.10.2015; NR.235, DATË 30.3.2015; NR.446, DATË 15.6.2016; NR.649, DATË 14.9.2016, PËR MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE, TË NDRYSHUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimet e Këshillit të Mnistrave nr.1481, datë 12.11.2008; nr.1657, datë 24.12.2008; nr.100, datë 27.1.2009; nr.167, datë 19.2.2009; nr.286, datë 18.3.2009; nr.450, datë 6.5.2009; nr.611, datë 11.6.2009; nr.677, datë 18.6.2009; nr.706, datë 23.6.2009; nr.805, datë 22.7.2009; nr.1038, datë 14.10.2009; nr.1134, datë 18.11.2009; nr.1283, datë 23.12.2009; nr.125, datë 17.2.2010; nr.247, datë 13.4.2010; nr.404, datë 26.5.2010; nr.549, datë 7.7.2010; nr.646, datë 28.7.2010; nr.118, datë 17.2.2011; nr.359, datë 4.5.2011; nr.822, datë 23.11.2011; nr.513, datë 1.8.2012; nr.490, datë 18.6.2013; nr.686, datë 16.8.2013; nr.501, datë 10.6.2015; nr.474, datë 3.6.2015, nr.882, datë 30.10.2015; nr.235, datë 30.3.2016; nr.446, datë 15.6.2016; nr.649, datë 14.9.2016, të ndryshuara, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 16/97, 15/19, 17/275, 158/285, 18/218, 18/75, 8/265, 14/121, 14/120, 14/102 e 12/51, në drejtoritë e ALUIZNI-t Durrës dhe Tirana Veri, të jenë sipas lidhjes A, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 12/150 e 12/180, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Durrës, të jetë sipas lidhjes B, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 3/45, 15/134, 15/133, 5/1060 e 153/126, në drejtoritë e ALUIZNI-t Elbasan dhe Durrës, të jenë sipas lidhjes C, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 150/203, 151/26, 152/40 e 151/59, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Durrës, të jenë sipas lidhjes D, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 12/151, 17/124 e 12/238, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Durrës, të jenë sipas lidhjes E, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 10/129, 12/107, 10/50, 12/127, 11/113 e 4/267, në drejtoritë e ALUIZNI-t Durrës dhe Tirana 2, të jenë sipas lidhjes F, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
7. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 120/38, 9/437, 11/96, 5/31, 9/272, 9/521 e 7/500, në drejtoritë e ALUIZNI-t Durrës dhe Tirana Veri, të jenë sipas lidhjes G, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8. Gjenealitetet e poseduesve të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 5/668, 5/482 e 8/766, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana Veri, të jenë sipas lidhjes H, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
9. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 400/619, 1/197, 10/397, 6/553 e 2/310, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana Veri, të jenë sipas lidhjes I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
10. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 23/62, 92/115, 92/65, 15/7 e 9/67, në drejtoritë e ALUIZNI-t Durrës dhe Tirana Veri, të jenë sipas lidhjes J, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
11. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 3/627, 14/206, 14/207, 5/893, 5/312, 8/560, 7/216, 5/205, 7/391, 7/421, 7/274, 433/294, 433/253, 436/150, 8/1134, 5/426 e 8/1136, në drejtoritë e ALUIZNI-t Fier, Durrës, Tirana Jug dhe Tirana Veri, të jenë sipas lidhjes K, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
12. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 3/196, 3/118, 24/239, 2/333, 17/177, 17/173, 3/197, 27/98 e 27/41, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Durrës, të jetë sipas lidhjes L, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
13. Gjenealitetet e poseduesve të objekteve informale dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 8/371, 4/430, 10/223, 4/546, 4/544, 136/212, 51/27, 136/239 136/237 e 98/70, në drejtoritë e ALUIZNI-t Durrës dhe Tirana Veri, të jenë sipas lidhjes M, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
14. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 4/762, 4/241 e 4/449, në drejtoritë e ALUIZNI-t Durrës, Tirana 2 dhe Tirana Jug, të jenë sipas lidhjes N, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
15. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 7/857, 14/71, 13/187 e 2/572, në drejtoritë e ALUIZNI-t Durrës dhe Tirana 2, të jenë sipas lidhjes O, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
16. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 45/73, 37/149, 20/20, 6/241 e 37/245, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Durrës, të jenë sipas lidhjes P, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
17. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 13/266, 1/309, 5/644, 1/308, 15/418, 1/32, 12/18, 16/9 e 8/270, në drejtoritë e ALUIZNI-t Fier, Durrës dhe Tirana 2, të jenë sipas lidhjes Q, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
18. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 15/222, 2/63, 9/48, 2/461, 45/107, 11/309, 630/114, 11/334, 7/599, 7/444, 10/254, 6/405, 3/641, 3/738, 3/714, 630/265 e 3/703, në drejtoritë e ALUIZNI-t Fier, Durrës dhe Tirana Veri, të jenë sipas lidhjes R, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
19. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 16/204, 3/218, 22/93, 1/227 e 9/71, në drejtoritë e ALUIZNI-t Elbasan dhe Durrës, të jenë sipas lidhjes S, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
20. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 3/174, 3/194 e 6/74, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Durrës, të jenë sipas lidhjes T, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
21. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 9/341, 14/272, 29/212, 119/15, 25/25 e 7/464, në drejtoritë e ALUIZNI-t Fier, Durrës dhe Tirana 2, të jenë sipas lidhjes U, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
22. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 1/712, 1/464, 4/509, 28/192 e 5/287, në drejtoritë e ALUIZNI-t Shkodër, Tirana 2, Durrës dhe Tirana Veri, të jenë sipas lidhjes V, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
23. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 45/90, 41/8 e 4/691, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Durrës, të jenë sipas lidhjes AC, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
24. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 92/45, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Elbasan, të jetë sipas lidhjes AE, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
25. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 8/107, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Kukës, të jetë sipas lidhjes AG, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
26. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 5/470, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 2, të jetë sipas lidhjes AJ, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
27. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 10/330, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Elbasan, të jenë sipas lidhjes AN, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
28. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelat ndërtimore me nr.pasurie 4/1054, 14/907 e 14/910, në drejtoritë e ALUIZNI-t Korçë dhe Fier, të jenë sipas lidhjes AO, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
29. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 5/8/1, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Elbasan, të jetë sipas lidhjes AP, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
30. Gjenealitetet e poseduesit të objektit informal dhe të dhënat e pasurisë për parcelën ndërtimore me nr.pasurie 6/500, në Drejtorinë e ALUIZNI-t Tirana 2, të jetë sipas lidhjes AQ, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
II. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPËRBLIMIN E PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, PËR SIPËRFAQET TAKUESE QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Lezhës, Vlorës dhe Shkodrës.
2. Sipërfaqja që shpronësohet është 50 627,1 (pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e njëzet e shtatë presje një) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit është 848 339 674,55 (tetëqind e dyzet e tetë milionë e treqind e tridhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e katër presje pesëdhjetë e pesë) lekë, sipas listës që i bashkëlidhet këtij vendimi, në formatin tabela nr.1.
3. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përkatësisht, në Tiranë, Elbasan, Durrës, Lezhë, Vlorë dhe Shkodër, të kryejë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
4. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Trajtimit të Pronës, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË PËR EFIÇENCËN E ENERGJISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të nenit 25, të ligjit nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. KRIJIMI I AGJENCISË PËR EFIÇENCËN E ENERGJISË
1. Agjencia për Efiçencën e Energjisë (AEE) është person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për energjinë (Ministri), me seli në Tiranë.
2. AEE-ja është përgjegjëse për zbatimin e politikave dhe nxitjen e masave për efiçencën e energjisë.
II. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I AEE-së
1. AEE-ja ka statusin e drejtorisë së përgjithshme dhe organizohet në nivel qendror.
2. AEE-ja drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e kësaj agjencie dhe përgjigjet para ministrit.
3. AEE-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme. AEE-ja administron të ardhurat nga buxheti i shtetit dhe ato të siguruara nga donacionet dhe shërbimet ndaj palëve të tjera, sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
4. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të AEE-së miratohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të kësaj agjencie.
5. Struktura dhe organika e punonjësve të AEE-së miratohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.
6. Marrëdhëniet e punës së drejtorit të Përgjithshëm dhe nëpunësve të AEE-së rregullohen në bazë të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
III. PËRGJEGJËSITË DHE DETYRAT E AEE-së
1. AEE-ja ushtron juridiksionin dhe veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet zyrës së saj qendrore në Tiranë.
2. AEE-ja ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Të përgatisë, të zbatojë dhe të monitorojë politikat dhe programet për përdorimin efiçent të energjisë në sektorët rezidencialë të shërbimeve, të industrisë, të transportit dhe të bujqësisë;
b) Të përgatisë dhe të monitorojë Planin Kombëtar të Veprimit për Efiçencën e Energjisë;
c) T’i paraqesë, çdo vit, ministrit një raport të hollësishëm lidhur me zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Efiçencën e Energjisë;
ç) Të bashkëpunojë me autoritetet qendrore dhe vendore, shoqëritë që operojnë në objektet industriale dhe organizatat e ndryshme jofitimprurëse për krijimin dhe përditësimin e bazës së nevojshme të të dhënave të energjisë, përfshirë llogaritjen e treguesve të efiçencës së energjisë, si dhe për zbatimin e masave për nxitjen e efiçencës së energjisë;
d) Të përgatisë dhe t’i propozojë ministrit aktet e nevojshme nënligjore për nxitjen e efiçencës së energjisë, siç parashikohet në ligjin për efiçencën e energjisë dhe në ligjin për performancën e energjisë në ndërtesa;
dh) Të përgatisë standardet, normat dhe rregulloret teknike, me qëllim rritjen e efiçencës së energjisë së pajisjeve, aparaturave dhe makinerive që përdoren për prodhimin, transportin, shpërndarjen dhe konsumin e energjisë në sektorët rezidencialë të shërbimeve, të industrisë, të transportit e të bujqësisë;
e) Të vlerësojë teknikisht projektet e investimeve në fushën e efiçencës së energjisë, të paraqitura pranë Fondit të Eficencës nga subjektet e interesuara;
ë) Të lidhë marrëveshje vullnetare, sipas përcaktimeve të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë”;
f) T’i propozojë Fondit dhënien e mbështetjes financiare për projektet që aplikojnë për financime nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të brendshme ose të jashtme për marrjen e masave për efiçencën e energjisë, sipas parashikimeve të pikës 3, të nenit 12, të ligjit nr.124/2015, “Për efiçencën e energjisë”;
g) Të përgatisë kontrata standarde për shërbime energjetike që financohen nga Fondi, të cilat miratohen nga ministri, dhe t’i publikojë ato në faqen e saj zyrtare;
gj) Të koordinojë programet e efiçencës së energjisë, të financuara nga institucionet ose organizatat ndërkombëtare, mbështetur në marrëveshjet qeveritare;
h) Të bashkëpunojë me institucionet dhe organizatat vendase e ndërkombëtare, me qëllim përdorimin me efiçencë të energjisë dhe reduktimin e ndikimit negativ në mjedis;
i) Të këshillojë autoritetet e administratës publike vendore, administratorët e ndërtesave publike dhe atyre me destinacion banimi për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të efiçencës së energjisë;
j) Të bashkëpunojë me organet akredituese për marrjen e informacionit për rezultatet e testeve dhe të matjeve, për përmbushjen e standardeve kombëtare të efiçencës së energjisë;
k) Të zhvillojë dhe të koordinojë programet e trajnimit;
l) Të këshillojë konsumatorët fundorë për programet e efiçencës së energjisë, të ndërmarra prej tyre;
ll) Të mbështesë dhe të këshillojë kryerjen e fushatave të ndërgjegjësimit publik dhe veprimtarive të tjera edukative, lidhur me nxitjen e efiçencës dhe kursimit të energjisë;
m) Të verifikojë, në rast se e çmon të nevojshme, saktësinë e të dhënave të raporteve të hartuara nga një auditues energjetik;
n) Të mbikëqyrë dhe të verifikojë, në rast se e çmon të nevojshme ose në rast se indentifikohen parregullsi, saktësinë e të dhënave të raporteve të hartuara nga një auditues energjetik;
nj) Të mbledhë dhe të administrojë të dhëna të monitorimit;
o) Të mbajë dhe të përditësojë bazën e të dhënave me regjistrin e audituesve të energjisë, të kompanive të shërbimit të energjisë, kopje të certifikatave të energjisë, të raporteve të auditimit, të raporteve të verifikimit, bilance të konsumit të energjisë të ardhura nga deklarimi i konsumatorëve të mëdhenj;
p) Të kryejë aktivitete të tjera me interes publik, në bazë të dispozitave ligjore dhe të akteve të tjera ligjore në fuqi;
q) Të vendosë masa administrative, sipas ligjit për efiçencën e energjisë dhe ligjit për performancën e energjisë në ndërtesa;
r) Të lajmërojë organet shtetërore kompetente, në rastet kur vërehen shkelje administrative, veprime apo mosveprime në kundërshtim me ligjin, duke u propozuar organeve përkatëse marrjen e masave disiplinore ndaj personave përgjegjës, si dhe përgatitjen e kallëzimit penal për veprat penale të vëna re gjatë ushtrimit të kontrollit dhe paraqitjen e tyre pranë organeve përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi;
rr) Çdo detyrë tjetër të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi.
IV. STEMA DHE VULA ZYRTARE E AEE-së
1. AEE-ja ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare, të cilat miratohen me urdhër nga titullari. Stema përbëhet nga Stema e Republikës së Shqipërisë me shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Energjise dhe Industrisë, Agjencia për Efiçencën e Energjisë”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të Stemës së Republikës si dhe raportin e përmasave të saj”.
2. Vula zyrtare e AEE-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2, të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula e AEE-së prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
V. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Ngarkohet ministri që të marrë masa për sistemimin e AEE-së në mjedise të përshtatshme pune si dhe për financimin me fonde buxhetore të AEE-së për vitin buxhetor 2016.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i shtetit.
3. Ngarkohen Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe AEE-ja për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E KULTURËS (QENDRA NDËRKOMBËTARE E KULTURËS “ARBNORI”) TE BASHKIA TIRANË, TË PRONËS ME NUMËR PASURIE 1/53, TË NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 8160, ME SIPËRFAQE TRUALLI DHE NDËRTESE 4 294 M², DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.286, DATË 8.8.1991, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E QENDRËS NDËRKOMBËTARE TË KULTURËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, shkronja “d”, 5, 8, 17 e 18, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, të ministrit të Kulturës dhe të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Kulturës (Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori”) te Bashkia Tiranë, të pronës me numër pasurie 1/53, të ndodhur në zonën kadastrale 8160, me sipërfaqe trualli dhe ndërtese 4 294 (katër mijë e dyqind e nëntëdhjetë e katër) m2, sipas planimetrisë bashkëlidhur, për t’u përdorur si qendër shumëfunksionale për organizimin e eventeve sociale, promovimin e artit, të kulturës dhe të teknologjisë.
2. Pika 2, e vendimit nr.286, datë 8.8.1991, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Kulturës, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, kryetari i Bashkisë Tiranë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2016, MIRATUAR PËR MINISTRINË E BUJQËSISË, ZHVILLIMIT RURAL DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE, PËR DISA NDËRHYRJE EMERGJENTE PËR INFRASTRUKTURËN E MBROJTJES NGA PËRMBYTJET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, në programin buxhetor 04240 “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes”, shtohet fondi i investimeve prej 141 840 000 (njëqind e dyzet e një milionë e tetëqind e dyzet mijë) lekësh, për ndërhyrje emergjente në infrastrukturën e mbrojtjes nga përmbytjet për objektet, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “TIRANË-ELBASAN (SHTESA)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 dhe 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Tiranë-Elbasan (shtesa)”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “arë”, “truall” dhe “objekte”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 40 547 395 (dyzet milionë e pesëqind e dyzet e shtatë mijë e treqind e nëntëdhjetë e pesë) lekësh, nga të cilat:
– për pasuritë “arë” dhe “truall”, me sipërfaqe shpronësimi 10 019 m2, me vlerë 5 967 169 (pesë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekë;
– për pasuritë “objekte” me vlerë 34 580 226 (tridhjetë e katër milionë e pesëqind e tetëdhjetë mijë e dyqind e njëzet e gjashtë) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë “arë”, “truall” dhe “objekte”, prej 40 547 395 (dyzet milionë e pesëqind e dyzet e shtatë mijë e treqind e nëntëdhjetë e pesë) lekësh, të përballohet nga fondi i shpronësimeve, në llogarinë e shpronësimeve, në Bankën e Shqipërisë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të listës, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar, do të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6, dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë, për pasuritë e shpronësuara, në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin që do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së trupit të rrugës mbi hartat kadastrale si dhe kalimi i pronësisë, për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës dhe Këshilli i Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RAPORTIT KOMBËTAR PËR ZBATIMIN E KONVENTËS NDËRKOMBËTARE TË OKB-SË “PËR MBROJTJEN E TË DREJTAVE TË TË GJITHË PUNËTORËVE MIGRANTË DHE ANËTARËVE TË FAMILJEVE TË TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 25, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.9703, datë 2.4.2007, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën ndërkombëtare “Për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre””, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e Raportit Kombëtar për zbatimin e konventës ndërkombëtare të OKB-së “Për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë punëtorëve migrantë dhe anëtarëve të familjeve të tyre”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.284, DATË 13.4.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT NË KATEGORINË E ULËT DHE TË MESME DREJTUESE EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË, JASHTË SHËRBIMIT CIVIL, PËR VITIN 2016”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 3, të vendimit nr.284, datë 13.4.2016, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Në nënndarjen I “Niveli i mesëm drejtues dhe të barasvlefshëm” bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Numri rendor 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”.
b) Numri rendor 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Koordinator (kategoria II-b), në Departamentin e Inovacionit dhe Mirëqeverisjes, në Kryeministri.”.
c) Numri rendor 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“8. Drejtor i Drejtorisë së Financave, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.”.
ç) Numri rendor 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“13. Drejtor i Repartit të Inspektim Shpëtim Minierave.”.
2. Në nënndarjen II “Niveli i ulët drejtues dhe të barasvlefshëm” bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Numri rendor 22 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“22. Sekretar i Përgjithshëm në administratën e Prefektit Fier”.
b) Numri rendor 23 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“23. Kapiteni i Portit Vlorë, në Kapiteneritë e Porteve dhe Kontrollin Shtetëror Portual, në Drejtorinë e Përgjithshme Detare.”.
c) Numri rendor 24 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“24. Inspektor në sektorin e inspektimit, në Drejtorinë e Inspektimit të Përgjithshëm, në Ministrinë e Punëve të Brendshme.”.
ç) Numri rendor 25 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“25. Drejtor i Drejtorisë së Sporteleve, në Qendrën Kombëtare të Biznesit.”.
d) Numri rendor 26 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“26. Drejtor i Drejtorisë së Shërbimit të Tatimpaguesve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.”.
dh) Numri rendor 27 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“27. Përgjegjës i sektorit të çështjeve sociale dhe koordinimit të projekteve, në Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë.”.
e) Numri rendor 34 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“34. Drejtori i Drejtorisë së Kontrollit Tatimor, në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj.”.
ë) Numri rendor 35 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“35. Drejtor i Drejtorisë së Mbledhjes me Forcë, në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë.”.
f) Numri rendor 36 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“36. Përgjegjës i sektorit të sigurisë të të dëenave, në Drejtorinë e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.”.
g) Numri rendor 37 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“37. Përgjegjes i sektorit teknik, në Drejtorinë Ligjore dhe Teknike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.”.
gj) Numri rendor 38 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“38. Drejtor i Drejtorisë së Rimbursimit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.”.
h) Numri rendor 39 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“39. Përgjegjës i sektorit të çështjeve jotatimore, në Drejtorinë Ligjore dhe Teknike, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.”.
i) Numri rendor 40 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“40. Drejtor i Drejtorisë së Kontrollit Tatimor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.”.
j) Numri rendor 41 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“41. Përgjegjës i sektorit të administratës, në Drejtorinë e Administratës dhe Prokurimeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.”.
k) Numri rendor 42 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“42. Përgjegjës i sektorit të përmbushjes, në Drejtorinë e Menaxhimit të Riskut, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.”.
l) Numri rendor 43 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“43. Përgjegjës i sektorit të analizës së riskut, në Drejtorinë e Menaxhimit të Riskut, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.”.
ll) Numri rendor 45 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“45. Përgjegjës i sektorit të transfermit të çmimit, në Drejtorinë e Kontrollit Tatimor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.”.
m) Numri rendor 46 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“46. Përgjegjës i sektorit të kontrollit tatimor, në Drejtorinë e Kontrollit Tatimor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.”.
n) Numri rendor 47 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“47. Përgjegjës i sektorit të cilësisë dhe standardizimit, në Drejtorinë e Kontrollit Tatimor, në Drejtorine e Përgjithshme të Tatimeve.”.
nj) Numri rendor 48 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“48. Drejtor i Drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.”.
o) Numri rendor 49 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“49. Drejtor i Drejtorisë së Analizës dhe IT, në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tatimpaguesve të Mëdhenj.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMA : SISTEMI I ADRESAVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11, pika 2, shkronja “dh”, e 16, pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: Sistemi i adresave”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT SHTESË 5, TË MARRËVESHJES PËR AMENDIMIN DHE ADERIMIN NË MARRËVESHJEN E TREGTISË SË LIRË TË EVROPËS QENDRORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës si dhe nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të protokollit shtesë 5, të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore, sipas tekstit dhe anekseve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E BONUSIT NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË PËR DHËNIEN ME KONCESION PËR NDËRTIM LANDFILLI E INCENERATORI DHE REHABILITIM TË VENDDEPOZITIMEVE EKZISTUESE, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 25, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e bonusit prej 8 (tetë) % të pikëve, që i jepet shoqërisë “Integrated Energy B.V.”, sh.p.k., për rezultatin teknik dhe financiar në procedurën përzgjedhëse konkurruese për dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese të Tiranës.
2. Ngarkohet Ministria e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.