Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 09 Maj 2018:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR INTEGRIMIN EVROPIAN 2018–2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2018–2020 (PKIE), sipas tekstit dhe aneksit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ngarkohet të bashkërendojë dhe të monitorojë zbatimin e PKIE 2018–2020 nga grupet ndërinstitucionale të punës (GNP), për çdo kapitull, të ngritura me urdhrin nr.107, datë 28.2.2014, të Kryeministrit, “Për ngritjen, përbërjen dhe funksionimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian”.
3. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme ngarkohet të raportojë çdo 3 (tre) muaj në Këshillin e Ministrave për ecurinë e zbatimit të PKIE 2018–2020.
4. Ministritë dhe institucionet e tjera koordinuese të grupeve ndërinstitucionale të punës (GNP) raportojnë pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme çdo 3 muaj (java e tretë e muajit të fundit) për realizimin e detyrimeve që rrjedhin nga PKIE 2018–2020.
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të monitorojnë përfshirjen në programin buxhetor afatmesëm, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, të nevojave financiare për zbatimin e përparësive afatshkurtra dhe afatmesme të parashikuara në PKIE 2018–2020.
6. Vendimi nr.42, datë 25.1.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2017–2020”, shfuqizohet.
7. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore në varësi të Kryeministrit, për të cilat në PKIE 2018–2020 janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*** 
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E MASËS SË FINANCIMIT, NGA BUXHETI I VITIT 2018, PËR BASHKËSITË FETARE QË KANË NËNSHKRUAR MARRËVESHJE ME KËSHILLIN E MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4, 5 e 6, të ligjit nr.10140, datë 15.5.2009, “Për financimin nga buxheti i shtetit të bashkësive fetare që kanë nënshkruar marrëveshje me Këshillin e Ministrave”, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Masa e financimit, nga buxheti i vitit 2018, prej 109 000 000 (njëqind e nëntë milionë) lekësh, miratuar për të mbështetur financiarisht bashkësitë fetare, të përdoret, si më poshtë vijon:
a) Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfiton shumën 31 680 000 (tridhjetë e një milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë mijë) lekë, të ndarë në:
i. 11 520 000 (njëmbëdhjetë milionë e pesëqind e njëzet mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 80 punonjës të administratës;
ii. 20 160 000 (njëzet milionë e njëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 140 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
b) Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë përfiton shumën 25 776 000 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, të ndarë në:
i. 20 016 000 (njëzet milionë e gjashtëmbëdhjetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 139 punonjës të administratës;
ii. 5 760 000 (pesë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 40 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
c) Kisha Katolike në Shqipëri përfiton shumën 25 776 000 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë) lekë, të ndarë në:
i. 6 336 000 (gjashtë milionë e treqind e tridhjetë e gjashtë mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 44 punonjës të administratës;
ii. 19 440 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e katërqind e dyzet mijë) lekë, për financimin me gjysmën e pagës minimale buxhetore për 135 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar.
ç)  Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfiton shumën 25 768 000 (njëzet e pesë milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë) lekë, të ndarë në:
i. 3 744 000 (tre milionë e shtatëqind e dyzet e katër mijë) lekë, për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për 26 punonjës të administratës;
ii. 15 024 000 (pesëmbëdhjetë milionë e njëzet e katër mijë) lekë, përkatësisht:
– 12 024 000 (dymbëdhjetë milionë e njëzet e katër mijë) lekë,  për ndërtimin e Teqesë së Elbasanit;
– 3 000 000 (tre milionë) lekë, për ndërtimin e Teqesë së Shtufit, Gjirokastër.
iii. 7 000 000 (shtatë milionë) lekë për shkak të pozitës së veçantë si Kryegjyshatë Botërore me qendër në Tiranë dhe të shtrirjes së veprimtarisë së saj jashtë vendit, që do të përdoren për të mbuluar plotësisht ose pjesërisht kërkesë-preventivat e paraqitura prej saj në kërkesën e vitit 2018, sipas dokumentacionit financiar të paraqitur.
2. Kalimi i fondit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, bëhet njëherësh, brenda muajit maj të vitit 2018.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komiteti Shtetëror për Kultet për zbatimin e këtij vendimi.
        Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*** 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DËMSHPËRBLIMIT FINANCIAR PËR ISH-TË DËNUARIT POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9 e 10, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë, kategoria parësore, sipas listës “Aneksi A – Dënim me burg, izolim në hetuesi, izolim në institucion mjekësor”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Masa e dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të bëhet me këste, sipas kritereve dhe kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.
3. Shuma e llogaritur të transferohet në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në llogaritë personale të tyre, të hapura në bankat e nivelit të dytë, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9831, datë 12.11.2017, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.
4. Ngarkohen ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*** 
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.440, DATË 16.6.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI AKADEMISË SË SHKENCAVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 7 e 8, pika 3, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.440, datë 16.5.2005, të Këshillit të Ministrave, nga prona me emërtimin “Akademia e Shkencave, Tiranë”, me numër rendor 8, të hiqet komponenti përbërës me emërtimin “Fondi i librave, magazinë”, me sipërfaqe të përgjithshme 297 (dyqind e nëntëdhjetë e shtatë) m², sipas formularit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Akademia e Shkencave dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*** 
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.763, DATË 2.11.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NGJYRËS, SHENJAVE DHE PËRDORIMIN E MJETEVE TË POLICISË 
SË SHTETIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 100, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në faqen nr.6, të katalogut të lidhjes nr.1, “Ngjyra dhe disenjo e mjeteve të uniformuara të Policisë së Shtetit”, bashkëlidhur vendimit nr.763, datë 2.11.2016, të Këshillit të Ministrave, të hiqen përmasat e shprehura në numrat “2480”, “3880”, “1410” dhe “1670”.
2. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*** 
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.182, DATË 25.2.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,  “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS PËR PËRZGJEDHJEN E RREGULLUESIT KRYESOR (LEAD MANAGER) DHE/OSE HUADHËNËSIT PËR REALIZIMIN E HUAMARRJES ME INSTRUMENTE FINANCIARE NË TREGUN E HUAJ”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës e të nenit 7, shkronja “ç”, dhe të paragrafit të dytë, të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.182, datë 25.2.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në pikat 2, 7 e 8, fjalët “… struktura përgjegjëse për huamarrjen …” zëvendësohen me “… struktura përgjegjëse për borxhin publik, në bashkëpunim me struktura të tjera të ministrisë përgjegjëse për                financat …”;
b) Kudo ku referohet emërtesa “Ministria e Financave” zëvendësohet me “ministria përgjegjëse për financat”, si dhe kudo tjetër, përveç shkronjës “a” të këtij vendimi, ku referohet “struktura përgjegjëse për huamarrjen”, zëvendësohet me “struktura përgjegjëse për borxhin publik”;
c) Në pikën 3, shkronja “c”, në fund të fjalisë shtohet fjala “të ndryshuar”;
ç) Fjalia e parë e pikës 6, zëvendësohet me fjalinë, me këtë përmbajtje:
“Pas dorëzimit zyrtar në protokollin e ministrisë përgjegjëse për financat të propozimeve nga institucionet e interesuara, struktura përgjegjëse për borxhin publik në ministrinë përgjegjëse për financat, në bashkëpunim me struktura të tjera të kësaj ministrie, fillon vlerësimin e tyre.”.
2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*** 
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.58, DATË 21.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN E DISA FAMILJEVE QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “LIDHJA E RRUGËS TRANSBALLKANIKE ME SUPERSTRADËN FIER-VLORË” ME PROGRAME SOCIALE TË STREHIMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 30 e 33, të ligjit nr.9232, datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.58, datë 21.1.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:
a) Në pikën 1, fjalët “… përfitojnë nga programi social i strehimit pagesën e qirasë për një periudhë trevjeçare …” zëvendësohen me “… përfitojnë nga programi social i strehimit pagesën e qirasë deri në sistemimin me strehim në një nga programet që parashikon ligji për strehimin. …”.
b) Pas pikës 1 shtohen pikat 1.1. dhe 1.2., me këtë përmbajtje:
“1.1. Financimi i qirasë për familjet përfituese për vitin 2018 të mbulohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Për periudhën në vijim, financimi i nevojshëm të mbulohet 50% nga buxheti i shtetit që akordohet për strehimin, dhe 50% nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
1.2. Financimi i qirasë të bëhet pas verifikimit nga Bashkia Vlorë të gjendjes ekonomike dhe sociale të familjes, sipas parashikimeve të ligjit për strehimin.”.
c) Kudo në përmbajtjen e vendimit, emërtimi “Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit” zëvendësohet me “ministria përgjegjëse për strehimin”.
2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për strehimin dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*** 
V E N D I M
PËR 
PËRCAKTIMIN E MASËS DHE TË KRITEREVE PËR SHPËRBLIMIN E KRYETARIT, ANËTARËVE DHE SEKRETARIT TEKNIK  TË KËSHILLIT MBIKËQYRËS TË DREJTORISË  SË PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE (DPPI)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 189/e, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kryetari, anëtarët dhe sekretari i këshillit mbikëqyrës të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI) përfitojnë një shpërblim kundrejt pjesëmarrjes në mbledhje, përkatësisht:
a) Kryetari me 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë;
b) Anëtarët me 10 000 (dhjetë mijë) lekë;
c) Sekretari me 3 000 (tre mijë) lekë.
Në çdo rast, numri i shpërblimeve nuk duhet të jetë më shumë se 6 pagesa në vit, pavarësisht nga numri i mbledhjeve të këshillit.
2. Shpenzimet për shpërblimin e kryetarit, të anëtarëve dhe të sekretarit teknik të këshillit mbikëqyrës, të cilat vërtetohen kundrejt dokumentacionit që provon pjesëmarrjen në mbledhje, përballohen nga buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale.
3. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*** 
V E N D I M
 PËR
NJË RISHPËRNDARJE TË FONDEVE TË INFRASTRUKTURËS VENDORE DHE RAJONALE NGA FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT NË DISA NJËSI TË QEVERISJES QENDRORE 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Fondet buxhetore, të miratuara në buxhetin e vitit 2018, për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, në programin “Infrastruktura vendore dhe rajonale”, rishpërndahen në disa institucione qendrore, që janë autoritete kontraktuese, për financimin e projekteve në vazhdim të infrastrukturës vendore, sipas tabelës 1, që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Agjencia për Zhvillimin Ekonomik Rajonal, Agjencia për Zhvillimin Rajonal 2 dhe Agjencia për Zhvillimin Rajonal 3 për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*** 
V E N D I M 
PËR
MIRATIMIN E LETËRMARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT TË SIGURUARA NGA SEKRETARIATI I SHTETIT PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE (SECO) TË QEVERISË ZVICERANE, NËN FONDIN E BESIMIT ME SHUMË DONATORË, PËR FUQIZIMIN E KONTABILITETIT DHE TË MJEDISIT TË MIRËBESIMIT NË EVROPËN JUGORE DHE AZINË QENDRORE, PËR PROJEKTIN E ZHVILLIMIT TË KONTABILITETIT NË SEKTORIN PUBLIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e letërmarrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të siguruara nga Sekretariati i Shtetit për Çështjet Ekonomike (SECO) të qeverisë zvicerane, nën Fondin e Besimit me Shumë Donatorë, për fuqizimin e kontabilitetit dhe mjedisit të mirëbesimit në Evropën Jugore dhe Azinë Qendrore, për projektin e zhvillimit të kontabilitetit në sektorin publik, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*** 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR DIASPORËN 2018-2024 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2017, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Diasporën, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën 2018 – 2024 dhe të planit të veprimit të saj, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Diasporën dhe të gjitha institucionet e përmendura në strategjinë dhe planin e veprimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PËRBËRJES STRUKTURORE E TË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT TË LARTË TË SPORTIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 9, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e përbërjes strukturore të Këshillit të Lartë të Sportit, i cili kryesohet nga ministri përgjegjës për sportin dhe ka në përbërje të tij 12 (dymbëdhjetë) anëtarë dhe 1 (një) sekretar, si më poshtë vijon:
a) Përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë                        anëtar;
b) Përfaqësuesi i Federatës Shqiptare të Futbollit      anëtar;
c) Përfaqësuesi i Federatës Shqiptare të Basketbollit                                 anëtar;
ç)    Përfaqësuesi i Federatës Shqiptare të Volejbollit                                    anëtar;
d) Përfaqësuesi i Institutit të Kërkimit Shkencor të Sportit                anëtar;
  dh) Dy përfaqësues nga biznesi                     anëtar;
e) Tre personalitete të sportit                           anëtar;
ë)    Një jurist                anëtar;
f) Një gazetar sportiv                anëtar;
g) Një specialist nga MASR-ja                                                            sekretar.
2. Përbërja nominative e Këshillit të Lartë të Sportit përcaktohet me urdhër të ministrit përgjegjës për sportin.
3. Këshilli i Lartë i Sportit thirret si rregull nga ministri përgjegjës për sportin, jo më pak se 3 (tre) herë në vit.
4. Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë miraton rregulloren e organizimit dhe të funksionimit të Këshillit të Lartë të Sportit.
5. Anëtarët e Këshillit të Lartë të Sportit shpërblehen për pjesëmarrjen në mbledhje, sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi.
6. Vendimi nr.437, datë 2.7.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e përbërjes strukturore e të shpërblimit të Këshillit Kombëtar të Sportit”, shfuqizohet.
7. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, TË PROCEDURAVE DHE TË DOKUMENTACIONIT PËR SUBJEKTET QË APLIKOJNË PËR STATUSIN “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33/2, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i kritereve, i procedurave dhe i dokumentacionit që duhet të plotësojnë subjektet që duan të aplikojnë për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, strukturës që do të merret me shqyrtimin e aplikimeve si dhe i procedurës që do të ndiqet deri në paraqitjen e propozimit në Këshillin e Ministrave.
2.  Për qëllime të këtij vendimi, me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
a) “Autoriteti”, ministria përgjegjëse për turizmin.
b) “Aplikues”, çdo investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, që aplikon pranë autoritetit për marrjen e statusit “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”.
c) “Komisioni i përhershëm i vlerësimit të aplikimeve” (këtu e në vijim “Komisioni”), komisioni që ngrihet me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin, i cili shqyrton aplikimet dhe paraqet pranë ministrit vlerësimin në lidhje me dhënien ose jo të statusit special.
ç) “Sekretariati teknik i komisionit”, struktura administrative që asiston komisionin gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij. Rolin e sekretariatit teknik e luan struktura përgjegjëse për përgatitjen dhe fizibilitetin e projekteve në fushën e turizmit pranë autoritetit.
d) “Sigurimi i marrëveshjes së zhvillimit”, një sigurim në formën e një depozite bankare apo garancie financiare, të lëshuar nga një bankë ose një shoqëri sigurimi vendase apo e huaj, e licencuar nga autoritetet shtetërore për të ushtruar këtë veprimtari.
dh) “Subjekt për qëllime të veçanta (SPV)”, ka kuptimin që përcaktohet në nenin 207 e në vijim, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”.
e) Termat e tjerë të papërkufizuar, të përdorur në këtë vendim, do të kenë kuptimin që i është dhënë në ligjin nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar.
II. KRITERET QË DUHET TË PLOTËSOJË APLIKUESI PËR MARRJEN E STATUSIT TË VEÇANTË “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
1. Çdo aplikues, krahas kushteve të përcaktuara në nenin 33/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, duhet të plotësojë edhe disa kritere të tjera për kualifikim.
2. Kriteret e tjera të kualifikimit ndahen në kritere të përgjithshme dhe kritere të veçanta.
2.1 Kriteret e përgjithshme të kualifikimit që duhet të plotësohen nga aplikuesi janë, si më poshtë vijon:
a) Të investojë në ndërtimin e një strukture akomoduese me 4 ose 5 yje, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, siç janë të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi dhe struktura e ndërtuar të certifikohet si e tillë nga struktura përgjegjëse, sipas nenit 45, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar.
b) Të ketë lidhur kontratë të vlefshme gjatë gjithë kohëzgjatjes së statusit, me një operator menaxhues të strukturave akomoduese me 4 ose 5 yje, status special, i cili plotëson kriteret e mëposhtme ose, në rastin kur aplikuesi do të menaxhojë vetë këto struktura, ai duhet të paraqesë dokumentacionin që vërteton plotësimin e këtyre kritereve:
i. Nëse aplikon për statusin special për 4 yje, të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 dhe/ose 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese dhe nëse aplikon për statusin special për 5 yje të ketë ndërtuar dhe/ose menaxhon të paktën 5 (pesë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 5 yje nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese;
ii. Këto struktura akomoduese janë në pronësinë direkte të aplikuesit dhe/ose operatorit menaxhues ose administrohen nga ata nëpërmjet kontratave të menaxhimit, të qirasë, të kontratave frachising apo të ngjashme me to; si dhe
iii. Strukturat akomoduese ndodhen në të paktën 3 vende të Bashkimit Evropian; apo
iv. Në rastet kur strukturat akomoduese nuk ndodhen në të paktën 3 vende të Bashkimit Evropian, atëherë aplikuesi duhet të ketë investuar në ndërtimin dhe/ose menaxhon të paktën 8 (tetë) struktura akomoduese në fushën e turizmit, të cilat janë të licencuara me 4 apo 5 yje (sipas rastit) nga autoritetet kompetente për këtë licencim të vendeve ku ndodhen strukturat akomoduese, të cilat ndodhen në destinacione ndërkombëtare të turizimit.
c) Të mos ketë qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale të kryera me dashje.
ç) Të ketë përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni vendas/i huaj për taksat dhe tatimet.
d) Të ushtrojë veprimtarinë sipas legjislacionit në fuqi vendas/i huaj dhe të mos jetë objekt i procedurave të falimentimit dhe/ose likuidimit, apo i ndonjë procedure tjetër të ngjashme, e cila mund të cenojë ndërtimin dhe/ose operimin e strukturës akomoduese.
2.2 Kriteret e veçanta ekonomike dhe financiare të kualifikimit që duhet të plotësohen nga aplikuesi janë, si më poshtë:
a) Vlera e parashikuar e investimit është të paktën 8 000 000 (tetë milionë) euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 yje dhe të paktën 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje;
b) Të ketë pasur xhiro të paktën 40% të vlerës së investimit në 3 (tri)  vitet financiare të fundit të marra së bashku.
3. Në rast se aplikuesi është një SPV, atëherë do të duhet që të gjitha kriteret e kualifikimit të përcaktuara në këtë kre të plotësohen nga kompania mëmë. Në këtë rast, kompania mëmë është përgjegjëse solidare me detyrimet kontraktuale të SPV-së që rrjedhin nga statusi special.
4. Në rast se aplikuesi është një Joint Venture ose Consortium, atëherë të gjitha kriteret e kualifikimit të dhëna në këtë kre duhet të plotësohen nga të gjitha kompanitë e Joint Venture ose Consortium-it së bashku. Në këtë rast, të gjitha kompanitë pjesë e Joint Venture ose Consortium-it janë së bashku përgjegjëse në mënyrë solidare me detyrimet kontraktuale të Joint Venture ose Consortium-it, të cilat rrjedhin nga statusi special.
III. PROCEDURAT QË NDIQEN PËR DHËNIEN E STATUSIT “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
1. Çdo subjekt, që aplikon për marrjen e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, duhet të ndjekë procedurat dhe të plotësojë dokumentet dhe kriteret që përcaktohen në këtë vendim.
2. Me paraqitjen e aplikimit, subjekti duhet të paguajë tarifën e aplikimit, si më poshtë vijon:
a) Aplikuesit që aplikojnë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 4 yje, status special, duhet t’i paguajnë autoritetit tarifën e aplikimit prej 200 000 (dyqind mijë) lekësh.
b) Aplikuesit që aplikojnë për marrjen e statusit investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special, duhet t’i paguajnë autoritetit tarifën e aplikimit prej 300 000 (treqind mijë) lekësh.
c) Tarifa e aplikimit paguhet në llogarinë bankare të autoritetit, siç përcaktohet në dokumentet për paraqitjen e aplikimit. Tarifa e aplikimit që është paguar nuk kthehet.
3. Autoriteti është përgjegjës për pritjen e aplikimit, shqyrtimin e tij si dhe ndjekjen e të gjitha procedurave të përcaktuara në këtë vendim për propozimin e statusit.
4. Vlerësimi i aplikimit për dhënien e statusit bëhet nga Komisioni, në ministrinë përgjegjëse për turizmin.
5. Komisioni është përgjegjës për përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për pritjen e aplikimeve, përfshirë por pa u kufizuar, në përgatitjen e dokumenteve që detajojnë kërkesat dhe kriteret kualifikuese për aplikuesit, komunikimet dhe njoftimet me aplikuesit, shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve, si dhe çdo veprim tjetër të nevojshëm, deri në lidhjen e marrëveshjes së zhvillimit ndërmjet autoritetit dhe aplikuesit të suksesshëm.
6. Komisioni përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë, përfaqësues të strukturave përkatëse në ministrinë përgjegjëse për turizmin ose institucione në varësi të saj dhe asistohet nga sekretariati teknik. Përbërja nominale e komisionit dhe sekretariatit teknik si dhe mënyra e organizimit dhe e funksionimit të tyre përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për turizmin.
7. Nuk mund të marrin pjesë në këtë komision personat që kanë konflikt interesi me aplikuesit, sipas kuptimit të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar.
8. Anëtarët e komisionit kanë detyrimin të ruajnë konfidencialitetin e përmbajtjes së aplikimeve.
9. Mbledhjet e komisionit zhvillohen sa herë që ka të paktën një aplikim, dhe komisioni mblidhet brenda 10 (dhjetë) ditëve nga dita e paraqitjes së këtij aplikimi.
10. Komisioni merr vendime me shumicë të thjeshtë (50+1) dhe në mbledhjet e tij duhet të marrin pjesë të paktën 5 (pesë) anëtarë. Në rast të ndarjes në mënyrë të barabartë të votave, vota e kryetarit të komisionit merr vlerë përcaktuese. Votimet bëhen të hapura dhe abstenimi nuk lejohet.
IV. APLIKUESIT, ELEMENTET PËRBËRËSE DHE DOKUMENTACIONI PËR APLIKIMIN
1. Çdo investitor, shqiptar ose i huaj, që kërkon të aplikojë për marrjen e statusit, “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, ka të drejtë që të aplikojë për të përftuar njërin nga këta dy statuse.
2. Aplikimi përbëhet nga tërësia e dokumenteve të përcaktuara në këtë vendim, si dhe dokumente të tjera që kërkohen nga komisioni, nëpërmjet të cilave vërtetohet plotësimi i kushteve dhe i kritereve të përcaktuara në këtë vendim.
3. Dokumentacioni i aplikimit depozitohet pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin në gjuhën shqipe ose/apo në gjuhë të huaj. Dokumentet që disponohen në gjuhë të huaj duhet të paraqiten të shoqëruara me përkthimin në gjuhën shqipe të noterizuar.
4. Dokumentacioni i paraqitur duhet të jetë origjinal ose kopje e noterizuar e tij dhe çdo dokument duhet të përmbajë nënshkrimin e personit/personave të autorizuar që paraqesin aplikimin.
5. Dokumentet për aplikim mund të shkarkohen nga aplikuesit në faqen zyrtare të autoritetit ose/apo mund të tërhiqen pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin.
Këto dokumente përbëhen nga:
a) të dhënat bazë që kërkohen në lidhje me aplikimin;
b) kërkesat e kritereve të përgjithshme për kualifikim;
c) kërkesat e kritereve të veçanta ekonomike dhe financiare për kualifikim;
ç) formularët, si më poshtë vijon:
i. Formulari i aplikimit;
ii. Formulari i njoftimit të pranimit të aplikimit;
iii. Formulari i refuzimit të aplikimit;
iv. Formulari i ankesës;
v. Formulari i sigurimit të marrëveshjes;
vi. Formulari i kryerjes së pagesë së tarifës.
Formati tip i formularëve është sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
d) prokura, në formën e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi, që tregon se personi/personat që kanë nënshkruar aplikimin kanë të drejtën e nënshkrimit të saj, në rast se aplikimi nuk paraqitet nga vetë aplikuesi. Prokura duhet të jetë e vlefshme gjatë gjithë kohës së vlefshmërisë së aplikimit, nga momenti i protokollimit zyrtar të aplikimit pranë autoritetit deri në momentin e hartimit dhe të nënshkrimit të marrëveshjes së  zhvillimit.
6. Subjektet që aplikojnë për marrjen e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”, duhet të dorëzojnë pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin informacion të përmbledhur lidhur me:
a) të dhënat e subjektit aplikues dhe të kontakteve të tij;
b) përmbledhjen ekzekutive në lidhje me veprimtarinë e aplikuesit;
c) jetëshkrimin e drejtuesve dhe të stafit të kualifikuar, të cilët do të menaxhojnë strukturën akomoduese;
ç) propozimin e projektit teknik në lidhje me strukturën akomoduese, që duhet të përmbajë, të paktën:
i. projektidenë;
ii. projektin arkitekturor;
iii. të dhëna për standardin turistik që do të zbatohet;
iv. të dhëna për cilësinë e infrastrukturës dhe vlerat e investimit;
v. planin e zbatimit, planin operacional dhe metodat për funksionimin dhe mirëmbajtjen e investimit;
vi. grafikun, fazat dhe afatet e realizimit të investimit; dhe
vii. të dhëna në lidhje me të drejtën e pronësisë mbi pronën ku parashikohet ndërtimi i strukturës akomoduese me 4 ose 5 yje status special, apo të drejtën e përdorimit të pronës përgjatë gjithë kohëzgjatjes së statusit (kontratë shitblerjeje, dhurimi, shkëmbimi, qiraje, enfiteoze, huapërdorjeje apo të tjera si këto).
d) burimet e financimit të projektit;
dh) studimin e fizibilitetit;
e) vlerësimin e ndikimit mjedisor të projektit; si dhe
ë) vlerësimin e ndikimit social, ekonomik dhe të nivelit të punësimit, që parashikohen të realizohen.
7. Subjekti aplikues, së bashku me informacionin përmbledhës, duhet të dorëzojë dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Dokumentacionin që vërteton plotësimin e të gjitha kritereve të kualifikimit, të përcaktuara në pikat 2.1. dhe 2.2., të kreut II, të këtij vendimi;
b) Vërtetimet se aplikuesi është i regjistruar sipas ligjeve në fuqi dhe se ai nuk është objekt i ndonjë procedure falimentimi dhe/ose likuidimi, apo ndonjë procedure tjetër të ngjashme, e cila mund të cenojë ndërtimin dhe/ose operimin e strukturës akomoduese;
c) Vërtetimet se aplikuesi nuk është dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për vepra penale që lidhen me veprimtarinë profesionale.
ç) Vërtetimet se aplikuesi ka përmbushur detyrimet në lidhje me pagesat e taksave dhe të tatimeve;
d) Vërtetimet se aplikuesi ka përmbushur detyrimet për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore;
dh) Deklaratën e aplikuesit, me anë të së cilës merr përsipër dhe garanton vërtetësinë e të dhënave dhe të dokumenteve të paraqitura në aplikim, nuk ka pengesë ligjore për të ushtruar veprimtarinë, si dhe njeh e pranon kriteret dhe detyrimet lidhur me aplikimin për statusin “Investitor në strukturë akomoduese me 4 ose 5 yje, status special”;
e) Autorizimin me shkrim nga ana e aplikuesit, me të cilin komisioni, autoriteti apo çdo person a entitet i caktuar prej tyre, autorizohen për të kryer të gjitha verifikimet e nevojshme të të dhënave të paraqitura në materialet e aplikimit;
ë) Vërtetimin e pagesës së tarifës së aplikimit;
f) Sigurimin e marrëveshjes, në formë dhe përmbajtje, sipas përcaktimeve të bëra në marrëveshjen tip bashkëlidhur këtij vendimi.
8. Dokumentacioni dhe/ose vërtetimet e kërkuara më sipër paraqiten në format origjinal ose kopje të noterizuara. Nëse ndonjë nga dokumentet e sipërpërmendura nuk lëshohet në shtetin e origjinës, atëherë mjafton një vetëdeklarim me shkrim nga ana e subjektit të huaj të interesuar, në të cilin të  vendosen të  dhënat e  plota të kontakteve ku deklarimet e aplikuesit mund të verfikohen.
9. Komisioni dhe/ose autoriteti kanë të drejtë të verifikojnë çdo të dhënë ose dokument të paraqitur nga çdo aplikues, por pa cenuar procesin dhe afatet e trajtimit të aplikimit të përcaktuara në këtë vendim. Çdo gjetje që do të  rezultojë nga verifikimi do të trajtohet dhe do të vlerësohet mënjëherë nga komisioni, i cili do të propozojë, sipas rastit, vazhdimin e procedurës së trajtimit dhe njoftimin e aplikuesit mbi gjetjet.
V. PROCEDURA E DORËZIMIT DHE E SHQYRTIMIT TË APLIKIMIT
1. Aplikimi duhet të dorëzohet nga aplikuesit nëpërmjet shërbimit postar ose pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin, në adresën e përcaktuar në dokumentet për pranimin e aplikimeve.
2. Aplikimet, së bashku me dokumentacionin e kërkuar duhet të dorëzohen të mbyllura brenda 1 (një) zarfi, ku duhet të jetë shënuar “Aplikim për statusin e veçantë, “Investitor në strukturë akomoduese 4 ose 5 yje, status special”. Të mos hapet, përveçse në prani të komisionit”. Zarfi duhet të jetë i vulosur me vulën e aplikuesit dhe të përmbajë emrin dhe adresën e saktë të tij.
3. Shqyrtimi i aplikimit bëhet nga komisioni, bazuar në kriteret e kualifikimit të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të kreut II, dhe në dokumentacionin pjesë përbërëse e këtij vendimi.
4. Nëse komisioni konstaton se aplikimi ka mangësi informacioni apo dokumentacioni atëherë njofton aplikuesin, duke i lënë një afat kohor prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh pune për plotësimin e mangësive, nga momenti i marrjes së njoftimit. Nëse aplikuesi nuk plotëson mangësitë e aplikimit brenda afatit të përcaktuar, komisioni nuk merr në shqyrtim aplikimin dhe njofton aplikuesin. Në këtë rast dosja konsiderohet e mbyllur dhe për rihapjen e saj do të ndiqet procedura si për rastet që paraqiten për herë të parë.
5. Nëse aplikimi është cilësuar nga komisioni si jo në përputhje me kriteret e kualifikimit, do të quhet “Aplikim i refuzuar” dhe për këtë aplikim do të rekomandohet mosvijimi i procedurave të propozimit për dhënien e statusit të veçantë. Aplikimi me këtë cilësi nuk do të merret në konsideratë për shqyrtim në një kohë tjetër.
6. Komisioni shqyrton aplikimin brenda 10 (dhjetë) ditëve pune dhe i përcjell ministrit përgjegjës për turizmin raportin përmbledhës të shoqëruar me vendimmarrjen e komisionit, brenda 2 (dy) ditëve pune nga përfundimi i shqyrtimit të aplikimit të trajtuar.
7. Raporti përmbledhës duhet të përmbajë përshkrimin e procedurës së ndjekur, informacionin mbi ecurinë e shqyrtimit të aplikimit, dokumentacionin përkatës, arsyet e pranimit apo të mospranimit të aplikimit, rekomandimet për aplikimet e pranuara në lidhje me dhënien e statusit, si dhe çdo informacion tjetër që gjykon të arsyeshëm në lidhje me procedurat e ndjekura në këtë shqyrtim.
VI. PROPOZIMI PËR DHËNIEN E STATUSIT “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE 4 OSE 5 YJE, STATUS SPECIAL”
1. Ministri përgjegjës për turizmin shqyrton raportin përmbledhës të komisionit dhe nëse është dakord me vendimmarrjen e komisionit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, i propozon Këshillit të Ministrave dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese 4 ose 5 yje, status special” aplikuesit.
2. Në rast se komisioni vendos për mosvijimin e procedurave të propozimit për dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese 4 ose 5 yje, status special”, ministri përgjegjës për turizmin refuzon vijimin e procedurave dhe njofton aplikuesin mbi arsyet e kësaj vendimmarrjeje.
3 Kundër vendimit të ministrit përgjegjës për turizmin mund të bëhet ankim në gjykatë. Paraqitja dhe shqyrtimi i ankimeve bëhet sipas rregullave dhe afateve të parashikuara në ligj për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative.
VII. MARRËVESHJA E ZHVILLIMIT ME INVESTITORIN
1. Pas dhënies së statusit nga Këshilli i Ministrave (hyrjes në fuqi të vendimit përkatës), aplikuesi njoftohet autoriteti kontraktues që brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit të nënshkruajë marrëveshjen e zhvillimit me autoritetin (në vijim “Marrëveshja”).
2. Marrëveshja që do të nënshkruhet duhet, detyrimisht, të përmbajë, si më poshtë vijon:
a) Objektin e marrëveshjes dhe statusin e akorduar investitorit;
b) Vlerën e projektit;
c) Kohëzgjatjen e marrëveshjes dhe afatet e realizimit të projektit;
ç) Asistencën që mund të japë autoriteti për marrjen e licencave dhe të lejeve të nevojshme;
d) Detyrimet e ndërsjella të palëve;
dh) Ndalimet e tjetërsimit të pronësisë së strukturave të ndërtuara apo të pjesëve të tyre;
e) Të drejtën e autoritetit ose të çdo autoriteti tjetër publik të ngarkuar nga legjislacioni në fuqi për të monitoruar ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 ose 5 yje, status special dhe operimin e saj;
ë) Të drejtën për shtyrjen e afatit apo zgjidhjen e marrëveshjes;
f) Pasojat nga mosrespektimi i detyrimeve të ndërsjella, përfshirë heqjen e avantazheve si pasojë e shfuqizimit të statusit; si dhe
g) Ligjin e zbatueshëm, mekanizmat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe gjykatën kompetente.
3. Modeli i marrëveshjes tip që autoriteti do të nënshkruajë me investitorin gjendet bashkëlidhur në shtojcën 2, të këtij vendimi.
4. Në rast se investitori nuk nënshkruan marrëveshjen me autoritetin, brenda afatit 30 (tridhjetë)-ditor nga data e njoftimit sipas pikës 1, të këtij kreu, procedura e humbet vlefshmërinë.
5. Përpara nënshkrimit të marrëveshjes, investitori duhet të bëjë sigurimin e marrëveshjes në përputhje me përcaktimet e bëra në marrëveshjen tip, si garanci për institucionet shtetërore në rastet e shkeljes së marrëveshjes nga ana e tij. Sigurimi i marrëveshjes përfundon pas përfundimit të kohëzgjatjes së rregullt të marrëveshjes.
Sigurimi i marrëveshjes bëhet, si më poshtë vijon:
a) Për hotelet me 4 yje 10% e vlerës 8 milionë euro (800 mijë euro); dhe
b) Për hotelet me 5 yje 10 % e vlerës 15 milionë euro (1.5 milionë euro).
6. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, në Buletinin e Njoftimeve Publike publikohet njoftimi për lidhjen e saj. Ky njoftim duhet të përmbajë:
a) emrin, adresën e investitorit dhe statusin special që i është dhënë atij;
b) kohëzgjatjen e marrëveshjes; dhe
c) vlerën e projektit dhe afatin e realizimit të tij.
7. Marrëveshja është e vlefshme për një periudhë kohore 10 (dhjetë) vjeçare dhe nuk mund të tjetërsohet nga titullari i saj te një subjekt tjetër.
8. Marrëveshja zgjidhet menjeherë, në rastet kur autoriteti dhe/ose institucionet e ngarkuara nga ai për monitorimin e marrëveshjes konstatojnë se:
a) investitori falimenton ose ka kaluar në procedurë likuidimi;
b) në përfundimin e punimeve të strukturës akomoduese, autoriteti  kontraktues verifikon që ato nuk përmbushin kriteret dhe kushtet e duhura për statusin special me (4 ose 5) yje;
c) marrëveshjes i ka përfunduar afati i vlefshmërisë;
ç) investitori në shkelje të marrëveshjes e transferon marrëveshjen te një subjekt tjetër;
d) janë paraqitur të dhëna të rreme apo dokumente të falsifikuara në lidhje me kërkesat dhe dokumentacionin e nevojshëm për marrjen e statusit, të cilat provohen në çdo kohë;
dh) kushtet për të cilat investitori e ka përfituar statusin nuk qëndrojnë më dhe ai nuk ka marrë masat për t’u rikthyer në ato kushte apo kushte të ngjashme të pranueshme për autoritetin brenda 6 (gjashtë) muajve nga njoftimi i këtij të fundit; si dhe
e) investitori braktis ndërtimin e strukturës akomoduese me 4 ose 5 yje, status special apo në rast se investitori braktis veprimtarinë turistike që zhvillon tek kjo strukturë akomoduese, sipas përcaktimeve të bëra në marrëveshje.
VIII. SHFUQIZIMI I STATUSIT DHE EFEKTET E SHFUQIZIMIT
1. Kur konstatohet një nga rastet e listuara në pikën 8 më sipër, ministri përgjegjës për turizmin, bazuar në raportin përmbledhës të komisionit, i propozon Këshillit të Ministrave shfuqizimin e statusit.
2. Komisioni inicion hartimin e raportit përmbledhës për propozimin e shfuqizimit të statusit, pasi analizon/vlerëson dokumentacionin e paraqitur nga njësitë monitoruese respektive të ngritura nga autoriteti kontraktues.
3. Përveç rastit kur marrëveshjes i përfundon afati normal i vlefshmërisë, shfuqizimi i statusit për arsyet e tjera të listuara në pikën 8, të këtij kreu, detyron investitorin që të kthejë të gjitha avantazhet e përftuara, sipas parashikimeve të nenit 12, të marrëveshjes, e cila është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
4. Përllogaritja kryhet nga organet kompetente tatimore, në formën që parashikon legjislacioni fiskal dhe këto organe njoftojnë komisionin për detyrime që subjekti duhet të kthejë. Shuma e detyrimit është pjesë përbërëse e aktit të shfuqizimit. Për mbledhjen e këtyre detyrimeve organet tatimore kanë të gjitha të drejtat që legjislacioni në fuqi parashikon për mbledhjen e detyrimeve, përfshirë vendosjen e sekuestros ndaj pasurive të investitorit.
IX. DISPOZITA TË FUNDIT
Ngarkohet ministria përgjegjëse për turizmin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.