Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Janar 2017
V E N D I M
PËR
FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.130/2016, datë  15.12.2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Financimin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të paketës së shërbimeve të ofruara në spitalet publike, sipas listës së shërbimeve, të dhënë në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Spitali është person juridik, publik, me buxhet të pavarur, me cilësinë e autoritetit kontraktor, i cili organizohet, administrohet dhe vepron sipas ligjit nr.9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
3. Spitali e ushtron veprimtarinë në përputhje me standardet, treguesit e cilësisë e të performancës, protokollet e diagnozës e të trajtimit, të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë.
4. Buxheti për mbulimin e paketës së shërbimeve spitalore, sipas listës së shërbimeve që ofron çdo spital, ndahet sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me spitalet për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore, të ofruara prej tyre.
6. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon paketën e shërbimeve spitalore të kontraktuara me metodat e mëposhtme:
a) Buxhetim me zëra shpenzimesh, për:
i. paga dhe shpenzime të tjera lidhur me pagën e personelit;
ii. kontribute për sigurime shëndetësore e shoqërore të personelit;
iii. mallra e shërbime të tjera.
b) Buxhetim global për pagesën e paketave të shërbimeve me çmime të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Buxhetimi global detajohet për çdo spital në zëra shpenzimesh me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
7. Spitali është përgjegjës për zbatimin e buxhetit të kontraktuar, sipas zërave të përcaktuar në buxhet.
8. Rishpërndarja e buxhetit midis spitaleve bëhet brenda një kufiri prej 3% të buxhetit të spitaleve, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
9. Një fond jo më i madh se 25 për qind e buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për ta shpërndarë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për:
a) financimin e shërbimit spitalor gjatë vitit;
b) pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të ofruara nga shërbimet spitalore, publike e jopublike, brenda e jashtë vendit, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
c) pagesat për kujdes shëndetësor në institucione jopublike, brenda e jashtë vendit, sipas miratimit, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) pagesat për kujdes shëndetësor, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara;
d) pagesa për referime të pacientëve në Spitalin Universitar të Traumës, në zbatim të sistemit të referimit, sipas tarifave të miratuara nga ministri i Shëndetësisë;
dh) pagesa të shërbimeve të kryera për llogari të spitaleve publike nga operatorë të kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë, sipas legjislacionit për partneritetin publik privat.
10. Shpenzimet kapitale për investimet në spitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë. Spitalet mund të kryejnë investime, me miratimin e ministrit të Shëndetësisë, edhe nga burime të tjera.
11. Burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet. Përdorimi i tyre bëhet totalisht nga vetë spitali, si pjesë e kostos së shërbimit, me miratim të Ministrisë së Shëndetësisë. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit.
12. Ministria e Shëndetësisë, për raste të vlerësuara nga ajo ose me kërkesë të autoriteteve kontraktuese (spitaleve), mund të zhvillojë procedura të përqendruara prokurimi për disa mallra, shërbime e investime.
13. Spitali zbaton sistemin e referimit dhe tarifat për shërbimet me pagesë, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë.
14. Mënyra e pagesës dhe e shpërblimit të punës së punonjësve të spitaleve, që kanë lidhur kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas këtij vendimi, përcaktohet me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
15. Ministria e Shëndetësisë auditon spitalin, nëpërmjet strukturës së saj audituese, për zbatimin e standardeve të miratuara prej saj dhe për mënyrën e përdorimit të buxhetit total të spitalit.
16. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor kontrollon dhe monitoron spitalin për buxhetin dhe aktivitetin vjetor sipas kushteve të përcaktuara në kontratën dypalëshe.
17. Marrëdhëniet juridike të punës në spitale rregullohen në përputhje me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
18. Numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve është 12 016 veta, nga të cilët141 punonjës  në Spitalin Universitar të Traumës për  Shërbimin e Urgjencës Ambulatore dhe Shërbimin e Ortopedi-Traumatologjisë. Numri dhe struktura e punonjësve për çdo spital miratohet nga ministri i Shëndetësisë.
19. Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, sipas nevojave. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë në muaj. Ky bonus, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, trajtohet sipas shkronjës “e”, të pikës 2, të kreut II, të vendimit nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar.
20. Mjekët e kontraktuar sipas pikës 19, të këtij vendimi, nuk e përfitojnë shpërblimin sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 9/1, të vendimit nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe nivelit të pagave të punonjësve me arsim të lartë në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalin Ushtarak Qendror Universitar, të punonjësve të infermieristikës në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për trajtimin e mjekëve në strukturat e Forcave të Armatosura”, të ndryshuar.
21. Numri i pedagogëve me kontratë shërbimi për spitalet universitare miratohet nga ministri i Shëndetësisë. Pagesa e tyre bëhet nga buxheti i spitalit.
22. Financimi i institucioneve dhe i shërbimeve, të përcaktuara në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, bëhet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, vetëm kundrejt shtesave përkatëse në buxhet, nga Ministria e Shëndetësisë.
23. Vendimi nr.33, datë 20.1.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2016”, i ndryshuar, shfuqizohet.
24. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2017.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
HEQJEN NGA FONDI PYJOR DHE KULLOSOR PUBLIK DHE PAKËSIMIN NË VOLUM TË SIPËRFAQES PREJ 90 HA QË DO TË PËRDORET NGA SHOQËRIA “LALA-06”, SH.P.K.,  PËR SHFRYTËZIMIN E MINERALIT TË HEKUR-NIKELIT NË OBJEKTIN “PLASË”,  BASHKIA MALIQ 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9385, datë 4.5.2005, “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, të ndryshuar, të ligjit nr.9693, datë 19.3.2007, “Për fondin kullosor”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Sipërfaqja pyjore dhe kullosore publike prej 90 (nëntëdhjetë) ha që do të përdoret nga shoqëria “Lala-06”, sh.p.k., për shfrytëzimin e mineralit të hekur-nikelit në objektin “Plasë”, të hiqet nga fondi pyjor dhe kullosor publik i Bashkisë Maliq, të pakësohet në volum dhe të çregjistrohet nga regjistri i Kadastrës së Pyjeve dhe Kullotave. Lidhja me të dhënat mbi sipërfaqet pyjore dhe kullosore që pakësohen në volum dhe hiqen nga fondi pyjor dhe kullosor publik si dhe harta topografike me koordinatat e poligonit të sipërfaqes objekt minerar, i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Vlerat përkatëse të pakësimit të volumit të lëndës drusore, produkteve të tjera pyjore dhe kullosore dhe të investimeve të kryera në vite, objekt i këtij vendimi, paguhen nga shoqëria “Lala-06”, sh.p.k., në bazë të    lidhjes 4, të vendimit nr.391 datë 21.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe kullotave”, të ndryshuar, dhe derdhen në llogarinë bankare të Bashkisë Maliq.
3. Shoqëria “Lala-06”, sh.p.k., të pyllëzojë me fondet e veta 170 (njëqind e shtatëdhjetë) ha me drurë pyjorë, dhe të përmirësojë 28 (njëzet e tetë) ha kullotë sipas afateve të përcaktuara në marrëveshjen e lidhur ndërmjet kësaj shoqërie dhe Bashkisë Maliq.
4. Bashkia Maliq dhe shoqëria “Lala-06”, sh.p.k., nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit, jo më vonë se 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Një kopje e marrëveshjes së bashku me projektet e miratuara dërgohet për monitorim në Ministrinë e Mjedisit, jo më vonë se 10 ditë nga data e nëshkrimit të saj
5. Sipërfaqet pyjore dhe kullosore, sipas lidhjes bashkëlidhur këtij vendimi, mbeten pronë publike e shtetit dhe regjistrohen në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.
6. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Publike bën çregjistrimin e sipërfaqes pyjore dhe kullosore të identifikuar sipas lidhjes bashkëlidhur këtij vendimi, nga kategoria “Tokë e zënë pyjore dhe kullosore” dhe e regjistron në kategorinë “Tokë e zënë, objekt i aktivitetit minerar të shfrytëzimit të hekur-nikelit”.
7. Me përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në planin e rehabilitimit, sipas lejes mjedisore nga shoqëria “Lala-06”, sh.p.k., sipërfaqja e rehabilituar të regjistrohet në fondin pyjor dhe kullosor publik të Bashkisë Maliq.
8. Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Bashkia Maliq dhe shoqëria “Lala-06”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E FONDIT TË EKONOMISË KREATIVE (ARTIZANATIT) 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 4, 5, 6, 7, 8 e 9, të ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, të ndryshuar, dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.10303, datë 15.7.2010, “Për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA)”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e Fondit të Ekonomisë Kreative, me vlerë të përgjithshme 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë, për periudhën 2017-2019. Vlera e fondit për secilin vit do të jetë 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.
2. Fondi i Ekonomisë Kreative u jep ndihmë financiare të drejtpërdrejtë mikrondërmarrjeve dhe ndërmarrjeve të vogla që operojnë në sektorin e artizanatit. Në varësi të projektit konkurrues, të përgatitur nga aplikantët, skema mbulon 80 për qind të kostove të miratuara, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë.
3. Fondi i Ekonomisë Kreative, përveç buxhetit të shtetit, të parashikuar si më sipër, mund të ketë si burim financimi edhe donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare. Nuk përfitojnë nga ky fond sipërmarrjet që kanë përfituar për të njëjtin projekt nga fonde të akorduara nga donatorët apo institucionet financiare ndërkombëtare.
4. Në kostot e miratuara, që mund të bashkëfinancohen, përfshihen kostot për projektet që përzgjidhen nga sektori i artizanatit dhe që mbulojnë fushat e mëposhtme:
a) Zhvillimin e produkteve të reja;
b) Blerjen e pajisjeve për nxitjen e prodhimit;
c) Marketingun e produktit;
ç)  Kualifikimin dhe ndërtimin e kapaciteteve njerëzore të ndërmarrjes aplikuese.
5. Përfitojnë nga Fondi i Ekonomisë Kreative mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla, që plotësojnë këto kushte:
a) Janë të klasifikuara si mikrondërmarrje ose ndërmarrje të vogla, sipas ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar;
b) Janë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), sipas legjislacionit në fuqi;
c) Kanë si objekt të aktivitetit një nga veprimtaritë që përfshihen në termin artizanat ose zejtari;
ç)  Kanë selinë ose vendin kryesor të prodhimit brenda territorit të vendit;
d) Prodhojnë në Shqipëri produkte, të cilat, aktualisht, tregtohen brenda vendit, eksportohen jashtë ose krijojnë vende të reja pune;
dh) Demonstrojnë se aktivitetet që propozohen për mbështetje nga Fondi i Ekonomisë Kreative (Artizanatit) janë të rëndësishme për zhvillimin e biznesit të tyre, duke treguar se ato kanë:
i. nevojë për t’u përmirësuar, gjë që do të preket nga aktivitetet e propozuara;
ii. një vlerësim mbi përfitimet e biznesit nga përmirësimi/projekti,  në bazë të të cilit do të zhvillohen aktivitetet e propozuara;
iii. një plan biznesi ose një projekt, duke provuar sa më sipër, i cili do të integrohet dhe materializohet më tej nga aktivitetet e propozuara.
e) Tregojnë që ato nuk kanë mundësi të vazhdojnë në mënyrë optimale pa asistencë;
ë) Janë në gjendje të financojnë 50 për qind të të gjitha kostove të projektit të propozuar para përfundimit të tij.
6. Për qëllime të këtij fondi, mund të merren në konsideratë vetëm produktet materiale zejtare/artizanale.
7. Pagesa e subvencionit bëhet 50 për qind me miratimin e projektit dhe 50 për qind në fund të zbatimit të tij. Pagesa në fund të projektit bëhet kundrejt faturave të shpenzimeve të kryera për vlerën e përgjithshme të projektit.
8. Ngarkohet Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) për menaxhimin e Fondit të Ekonomisë Kreative (Artizanatit).
9. Procedurat e aplikimit dhe të monitorimit përcaktohen në rregulloren e funksionimit të Fondit të Ekonomisë Kreative (Artizanatit), e cila miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për ekonominë dhe të ministrit të Financave.
10. Aplikuesit janë të detyruar të raportojnë periodikisht pranë AIDA-s lidhur me zhvillimin e projektit dhe qëllimin për të cilin është përfituar ky fond.
11. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për ekonominë, e cila krijon një zë të veçantë për këtë qëllim, për llogari të AIDA-s.
12. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUSHTEVE DHE TË PROCEDURAVE PËR NDËRTIMIN E INTERKONEKTORËVE TË RINJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 31, të ligjit nr.43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kushteve dhe të procedurave për ndërtimin e interkonektorëve të rinj, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M 
PËR
MIRATIMIN E KALENDARIT TË MENAXHIMIT TË SHPENZIMEVE PUBLIKE PËR VITIN 2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kalendarit të menaxhimit të shpenzimeve publike për vitin 2017, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Integrimit Evropian, Departamenti i Programimit të Zhvillimit, Financimeve dhe Ndihmës së Huaj, në Kryeministri, dhe të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2017.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.97, DATË 7.2.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË ORGANIKËS SË AUTORITETIT RRUGOR SHQIPTAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 3, të ligjit nr.10164, datë 15.10.2009, “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.97, datë 7.2.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Lidhja nr.1, e përmendur në pikën 1, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
b) Lidhja nr.2, e përmendur në pikën 2, zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe emërtim, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi këtij vendimi të përballohen nga buxheti i miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
3. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.648, DATË 28.7.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,  “PËR AVOKATIN E TATIMPAGUESIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 105/2, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.648, datë 28.7.2010, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Paragrafi i parë ndryshon, si më poshtë vijon:
“Ky vendim ka për qëllim të përcaktojë kompetencat, detyrat funksionale dhe mënyrën e bashkëpunimit të Avokatit të Tatimpaguesve me strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe me palët e treta.”.
2. Pika 1, “Struktura”, shfuqizohet.
3. Në pikën 2, të vendimit, bëhen këto ndryshime:
a) Në nënpikën 2.2, pas fjalëve “Avokati i Tatimpaguesit…” shtohen fjalët “…shqyrton dhe analizon ankesat e paraqitura,..”;
b) Në nënpikën 2.3 hiqen fjalët “Si anёtar i stafit ekzekutiv tё Drejtorisё sё Pёrgjithshme tё Tatimeve…”;
c) Nënpika 2.4 ndryshon, me këtë përmbajtje:
“2.4 Avokati i Tatimpaguesit analizon ankesat e paraqitura dhe rezultatet e shqyrtimeve dhe raporton te ministri i Financave, duke bërë propozime për përmirësime të mëtejshme procedurale e ligjore si dhe në administrimin tatimor e zbatimin e legjislacionit tatimor.”.
4. Në pikën 3, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Pas nënpikës 3.1 shtohen nënpikat 3.1.1 deri në 3.1.9, me këtë përmbajtje:
“3.1.1 Avokati i Tatimpaguesit ndjek e vëzhgon përmbushjen e procesit të informimit e të shërbimit të tatimpaguesit prej administratës tatimore, në respektim të së drejtës që ka çdo tatimpagues për të marrë informacion dhe për t’u asistuar, pa shpërblim, nga administrata tatimore për kuptimin dhe zbatimin e legjislacionit tatimor. Ky proces përfshin, por nuk kufizohet në, informimin dhe publikimin e informacionit të qartë e të kuptueshëm në faqen elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në funksion të informimit dhe shërbimit. Monitorimi mund të kryhet edhe nëpërmjet sondazheve, vëzhgimeve, intervistave, pyetësorëve në mënyrë elektronike ose në çdo lloj forme tjetër, për t’u siguruar që kjo e drejtë e tatimpaguesit është përmbushur nga administrata tatimore.
3.1.2   Avokati i Tatimpaguesit sigurohet për të drejtën e trajtimit të paanshëm, profesional dhe etik të tatimpaguesit nga administrata tatimore, për çështje që kanë të bëjnë me detyrimet tatimore. Ai ndjek përmbushjen e detyrimit të administratës tatimore për nxjerrjen e qëndrimeve procedurale e teknike të unifikuara në zbatimin e legjislacionit për raste të njëjta, me qëllim një paraqitje profesionale të administratës tatimore.
3.1.3   Avokati i Tatimpaguesit ndjek dhe sigurohet për zbatimin e së drejtës së tatimpaguesit për konfidencialitetin e të dhënave tatimore e financiare, të administruara nga administrata tatimore gjatë ushtrimit të funksioneve, te tatimpaguesi ose palët e treta.
3.1.4   Avokati i Tatimpaguesit sigurohet për zbatimin e së drejtës për njoftim të tatimpaguesit, sipas procedurës, mënyrës dhe formave të përcaktuara në legjislacionin tatimor. Tatimpaguesi duhet të njoftohet për çdo akt administrativ, veprim ose mosveprim, të bërë për mbledhjen e detyrimeve tatimore, i cili prek pasurinë e tij, me përjashtim të rasteve kur administrata tatimore vlerëson se ekziston rreziku real që, pas marrjes së njoftimit, tatimpaguesi ta transferojë pronësinë para përfundimit të vlerësimit tatimor.
3.1.5   Avokati i Tatimpaguesit ndjek e sigurohet për zbatimin e së drejtës për kontrolle të arsyeshme dhe në përputhje me përcaktimet, procedurat dhe afatet për kryerjen e kontrollit tatimor, periodicitetin e kryerjes së kontrolleve, kohën, vendin dhe kohëzgjatjen, sipas dispozitave të ligjit.
3.1.6   Avokati i Tatimpaguesit sigurohet për zbatimin e së drejtës së tatimpaguesit, në rastin e një mosmarrëveshjeje për një vlerësim tatimor, të kryer nga administrata tatimore, për të kërkuar dhe marrë përgjigje me shkrim, të arësyetuar, për arsyet, mënyrën e vlerësimit dhe të vendimit të marrë.
3.1.7.  Avokati i Tatimpaguesit ndjek e sigurohet për zbatimin e së drejtës së tatimpaguesit për njohjen dhe pajisjen me vërtetime ose dokumentin zyrtar, të lëshuar nga administrata, për çdo të dhënë reale mbi situatën financiare tatimore të tij. Ai monitoron, gjithashtu, respektimin e së drejtës për të kërkuar nga administrata tatimore, në rrugë elektronike apo me shkrim, kopje të njësuara me origjinalin, për çdo dokument që ndodhet në dosjen e hapur për të, apo kopje të printuara e të certifikuara të të dhënave elektronike, të lidhura me të.
3.1.8   Avokati i Tatimpaguesit sigurohet për zbatimin e së drejtës së tatimpaguesit për t’u dëgjuar, kur ai e shpreh ose e kërkon atë, apo kur legjislacioni në fuqi e detyron administratën që, përpara marrjes së një vendimi, të dëgjojë tatimpaguesin.
3.1.9   Avokati i Tatimpaguesit sigurohet për zbatimin e së drejtës së ankimit prej tatimpaguesit, si kundrejt një akti administrativ për çështje tatimore, ashtu edhe kundrejt veprimeve ose mosveprimeve të punonjësve të administratës tatimore. Administrata tatimore, në çdo rast, duhet të sigurohet që nëpërmjet procedurave ose veprimeve të saj e drejta e tatimpaguesit për t’u ankuar dhe për të siguruar një shqyrtim të pavarur administrativ të mos cenohet.”.
b) Pas nënpikës 3.3 shtohen nënpikat 3.3/1 dhe 3.3/2, me këtë përmbajtje:
“3.3/1 Avokati i Tatimpaguesve gëzon të drejtën e njohjes dhe të marrjes me shkrim, nga strukturat e administratës tatimore, të çdo informacioni të përgjithshëm apo të veçantë për një tatimpagues apo një grup tatimpaguesish, në çdo fazë të procesit administrativ. Ai mund të kërkojë informacion pranë çdo strukture të administratës tatimore, përfshirë Drejtorinë e Hetimit Tatimor, për aq sa nuk cenohen interesat e hetimit tatimor, siç përcaktohet në dispozitat ligjore në fuqi për këtë qëllim. Avokati i Tatimpaguesve gëzon të drejtën e njohjes dhe të marrjes së informacionit edhe nga strukturat përkatëse të shqyrtimit administrativ tatimor në Ministrinë e Financave.
3.3/2   Avokati i Tatimpaguesve, në bazë të kërkesës së tatimpaguesit, ka të drejtë t’i rekomandojë drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve nxjerrjen e vendimeve teknike, në përputhje me përcaktimet e nenit 10, të ligjit nr.9920/2008. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, në çdo rast, i kthen përgjigje të arsyetuar Avokatit të Tatimpaguesve për marrjen parasysh ose jo të rekomandimit, brenda një afati 30-ditor.”.
c) Nënpika 3.8 riformulohet, me këtë përmbajtje:
“3.8 Avokati i Tatimpaguesit ka autoritet të rekomandojë pёrmirёsimin e procedurave tatimore si dhe të rekomandojë lidhur me dispozitat e Kodit të Etikës.”.
ç) Pas nënpikës 3.8 shtohen nënpikat 3.8.1 dhe 3.8.2, si më poshtë vijon:
“3.8.1 Avokati i Tatimpaguesit nxjerr rekomandime me karakter të përgjithshëm, në lidhje me çështjet e identifikuara gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, dhe i përdor ato si bazë për të bërë propozime për ndryshimin e legjislacionit përkatës.
3.8.2 Avokati i Tatimpaguesit nxjerr rekomandime me shkrim, drejtuar Drejtorisë së Apelimit Tatimor ose Komisionit për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore dhe/ose i paraqet këto rekomandime në seancat dëgjimore administrative, të mbajtura nga Drejtoria e Apelimit Tatimor ose Komisioni për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore.”.
5. Në nënpikën 4.2, hiqen fjalët “Duke qenë se raporton direkt te drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve,..”.
6. Nënpikat 5.1 dhe 5.2 ndryshojnë, me këtë përmbajtje:
“5.1 Avokati i Tatimpaguesit i raporton me shkrim, periodikisht, një herë në tre muaj, ose sa herë që ai e kërkon, ministrit të Financave. Në të njëjtën kohë, ky raport i dërgohet edhe drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.
5.2 Përveç raportimit periodik, në rastet kur e gjykon të arsyeshme, për situata apo çështje të veçanta, Avokati i Tatimpaguesit i raporton ministrit të Financave.”.
Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet e tij nga data 1 janar 2017.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR 
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.953, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.92/2014, ‘PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË’, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 55, pika 2, 56, pika 38, e  159, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet e mëposhtme:
1. Pas nenit 5 shtohet neni 5/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 5/1
E drejta për të zgjedhur aplikimin e TVSH-së për furnizimin e ndërtesës ose i pjesëve të një ndërtese
1. Në zbatim të pikës 2, të nenit 55, të ligjit, personat e tatueshëm mund të ushtrojnë të drejtën të zgjedhin të aplikojnë dhe të paguajnë TVSH-në për furnizimin e ndërtesës ose pjesëve të një ndërtese, duke e trajtuar furnizimin jo si të përjashtuar, por si furnizim të tatueshëm me shkallën standarde të TVSH-së prej 20%.
2. Kjo e drejtë është e kufizuar dhe nuk mund të ushtrohet prej personave të tatueshëm që furnizojnë apartamente, ndërtesa apo ambiente për banim ose kur blerësi është një individ.
    Për qëllime të zbatimit të kësaj dispozite, me “apartamente, ndërtesa ose pjesë të saj apo ambiente për banim” kuptohen ato objekte të cilat furnizohen për qëllime banimi dhe blerësi është një person i tatueshëm, individ.
    E drejta e zgjedhjes ushtrohet për ndërtesat ose pjesë të ndërtesës, të cilat furnizohen (shiten) për qëllim përdorimi për veprimtarinë ekonomike të blerësit, subjekt i regjistruar, ose për qëllime rishitjeje prej tij, por jo për banim.
3. Kur personi i tatueshëm ushtron të drejtën e zgjedhjes sipas pikës 1, të këtij neni, ai duhet të aplikojë zgjedhjen për çdo rast, përveç nëse blerësi është një person juridik i patatueshem ose një person i tatueshëm që kryen veprimtari të përjashtuar nga TVSH-ja sipas ligjit. Në këtë rast, është kusht që në kontratën e furnizimit të ndërtesës të shkruhet e shprehur qartë zgjedhja e dëshiruar nga furnizuesi dhe pranimi i saj nga blerësi.
4. Në rastin kur e drejta e zgjedhjes ushtrohet që në fazën e ndërtimit të një ndërtese, duke plotësuar kriteret e përcaktuara në këtë vendim, ushtrimi paraprak i së drejtës së zgjedhjes detyron furnizuesin e ndërtesës që në deklaratën për zgjedhjen të përcaktojë, të identifikojë qartë ndërtesën (ambientet) /ndërtesat me destinacion përdorimi ose shitjeje për qëllime biznesi dhe ndërtesat për t’u përdorur për qëllime banimi.
5. Në rastin kur blerësi, një person juridik i patatueshëm ose i përjashtuar nuk e pranon zgjedhjen, atëherë e drejta e zgjedhjes për të aplikuar TVSH-në e humb fuqinë e saj dhe nuk mund të ushtrohet për ambientet përkatëse.
6. Në rastin kur autoriteti tatimor konstaton një situatë abuzimi ose mashtrimi, atëherë kjo përbën arsye për të rrëzuar zgjedhjen e aplikuar prej furnizuesit të ndërtesës.
7. Personat e tatueshëm, që ushtrojnë të drejtën e zgjedhjes për furnizimin e ndërtesës sipas këtij neni, duhet ta ushtrojnë atë në përputhje me këto kritere, si dhe modalitetet e rregullat e përcaktuara në nenet 6/1 dhe 7/1, të këtij vendimi.
8. Për qëllime të zbatimit të së drejtës së zgjedhjes sipas neneve 5/1, 6/1 e 7/1, kjo e drejtë ushtrohet për furnizimin e ndërtesës ose pjesë të ndërtesës, momenti i furnizimit të së cilës është pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.”.
2. Pas nenit 6 shtohet neni 6/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 6/1
Modalitetet dhe rregullat e ushtrimit të së drejtës për të zgjedhur aplikimin e TVSH-së për furnizimin e ndërtesës
1. Personi i tatueshëm ushtron këtë të drejtë duke paraqitur pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore një deklaratë me shkrim, ku deklaron se furnizimi i ndërtesës do të trajtohet si furnizim i tatueshëm me TVSH 20%. Kjo deklaratë, e cila formalizon qëllimin e personit të tatueshëm për të aplikuar regjimin normal të TVSH-së për furnizimin e ndërtesës, përmban të dhënat për çdo ndërtesë/ambient, të dhënat identifikuese të personit të tatueshëm blerës. (emri, NIPT-i adresa etj.) si dhe të dhënat mbi lejen e ndërtimit dhe qëllimin e përdorimit të ndërtesës.
2. Për qëllime të së drejtës së zgjedhjes është kriter domosdoshmëria e një kontrate noteriale midis furnizuesit dhe blerësit, në të cilën duhet të jetë shprehur qartë se palët bien dakord se furnizimin e ndërtesës do ta trajtojnë si furnizim të tatueshëm me TVSH. Furnizuesi duhet të të disponojë në çdo rast kontratën përkatëse të furnizimit, të cilën e vë në dispozicion të autoriteteve tatimore, kur i kërkohet. Mungesa e kontratës së furnizimit nuk i jep të drejtën e trajtimit të shitjes së ndërtesës si furnizim i tatueshëm. Gjithashtu, në këtë kontratë midis palëve duhet të jenë shprehur qartë lloji, natyra, qëllimi i përdorimit si dhe të dhënat identifikuese të blerësit (emri, NIPT-i, adresa etj.).
    Në rastin kur ndërtesa përdoret për qëllime të veprimtarisë ekonomike nga vetë personi i tatueshëm ndërtues ose nga investitori, në mungesë të kontratës së furnizimit, përvec kontratës së ndërtimit midis ndërtuesit dhe investitorit dhe lejes përkatëse të ndërtimit, personi i tatueshem që aplikon të drejtën e zgjedhjes, paraqet një deklaratë noteriale për qëllimin e përdorimit të ndërtesës.
3. Në rast se personi i tatueshëm ia furnizon (shet) ndërtesën personave të tatueshëm, të cilët ushtrojnë veprimtari të përjashtuar nga TVSH-ja, furnizimi i ndërtesës trajtohet me TVSH, vetëm në rast se në kontratën e furnizimit, personi i tatueshëm blerës është njohur me këtë fakt dhe ka pranuar të paguajë TVSH-në. Në këtë rast, furnizuesi disponon dhe paraqet edhe kontratën përkatëse. Mungesa e kontratës nuk i jep të drejtën e trajtimit të furnizimit si të tatueshëm.
4. Në ndërtesat ose grupet e ndërtesave, ku përfshihen ndërtesa (ambiente) për të cilat furnizuesi  zgjedh opsionin për t’i trajtuar si të tatueshme, por edhe ndërtesa (ambiente) të tjera për banim, e drejta e zgjedhjes nuk shtrihet te ndërtesat për banim, por zbatohet për të gjitha ndërtesat e tjera sipas kushteve të përcaktuara në këtë nen. Lloji i ndërtesës, natyra e saj dhe qëllimi i përdorimit përcaktohen gjithashtu në lejen e ndërtimit apo miratimet e mëvonshme të marra për zbatimin e lejes. Në rastet kur nuk është e mundur të identifikohet nëse ndërtesa është shitur për qëllime banimi ose jo, atëherë leja e ndërtimit shërben si dokument justifikues dhe vërtetues për të gjykuar mbi aplikimin e opsionit.
5. Zgjedhja nis ditën e parë të muajit në të cilin ajo formalizohet. Pas fillimit të ushtrimit, zgjedhja zbatohet për aq kohë sa nuk ka qenë objekt ndërprerjeje.”.
3. Pas nenit  7 shtohet neni 7/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 7/1
E drejta e zbritjes kur ushtrohet zgjedhja për furnizimin e ndërtesave
1. E drejta e zbritjes ushtrohet në përputhje me dispozitat dhe përcaktimet në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”.
2. Në lidhje me të drejtën e zbritjes së TVSH-së, për çdo ndërtesë ose grup ndërtesash që janë përfshirë për t’u trajtuar si të tatueshme ose për çdo ndërtesë ose grup – ndërtesash të cilat i furnizon si të përjashtuara nga TVSH-ja, furnizuesi duhet të evidentojë veçmas zbritjet e TVSH-së për secilën nga ndërtesat ose grup – ndërtesat.
3. Gjithashtu, personi i tatueshëm i cili, përveç veprimtarisë së shitjes së ndërtesave ushtron edhe veprimtari të tjera të tatueshme me TVSH ose jo, në lidhje me të drejtën e zbritjes së TVSH-së duhet të evidentojë veçmas blerjet për secilën kategori të veprimtarisë.
4. Në rastin kur ndërtesa ose grupi i ndërtesave, për të cilën është kërkuar zgjedhja, përfshin ndërtesa (ambiente) për të cilat është ushtruar e drejta e zgjedhjes për t’i trajtuar të tatueshme me TVSH, si dhe ndërtesa (ambiente) për të cilat nuk ushtrohet ose nuk është e lejuar të ushtrohet e drejta e zgjedhjes si ambientet për banim ose ambiente për nevojat e veprimtarisë së blerësve të patatueshëm ose të përjashtuar nga TVSH-ja, të cilët në kontratën e qirasë nuk kanë formuluar shprehimisht të drejtën e zgjedhjes, TVSH-ja zbritet vetëm për tërësinë e ambienteve të përfshira realisht nga e drejta e zgjedhjes së TVSH-së.
5. Nëse furnizuesi i ndërtesës ndodhet në një situatë sipas së cilës e drejta e zgjedhjes, pavarësisht nga vullneti i tij, nuk mund të ushtrohet, ose nëse veprimtaria e tij ndërpritet, ose për shkak të pushimit të efekteve të zgjedhjes ose heqjes dorë prej saj, apo çdo arsye tjetër, atëherë personi i tatueshëm duhet të procedojë me rregullimin e TVSH-së së zbritur më parë, nëse ndërprerja e transaksioneve të tatueshme ndodh para fillimit të vitit të nëntë pas vitit kur fillon e drejta e zbritjes. Rregullimi i TVSH-së përkon me shumën e TVSH-së të zbritur më parë, e cila zvogëlohet me një të dhjetën për çdo vit, pas datës në të cilën ka përfunduar ndërtesa.
6. Në rastin kur zgjedhja përfundon ose periudha për të cilën ushtrohet zgjedhja është më e shkurtër se afati për të cilin ushtrohet e drejta e zbritjes së TVSH-së për pasurinë e paluajtshme, përfundimi i zgjedhjes sjell për pasojë detyrimin për rregullimin e TVSH-së së zbritur fillimisht nga personi i tatueshëm.”.
4. Në nenin 8 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në fund të pikës 2, referenca “… sipas shkronjës “e”…” zëvendësohet me “…sipas shkronjës “d”…”.
b) Në fjalinë e parë të nënpikës 4.4, referenca “… në shkronjën “d” …” zëvendësohet me “… në shkronjën “ç” …”.
c) Në fjalinë e parë, të nënpikës 4.5, referenca “… në shkronjën “e” …” zëvendësohet me: “… në shkronjën “d” …”.
ç) Në paragrafin e dytë të nënpikës 4.5, shkronja “a”, fjala “asnjë” zëvendësohet me “një”.
5. Në aneksin 1, bashkëlidhur vendimit, shtohet aneksi 1.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1101, DATË 28.12.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KUSHTEVE DHE PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR TRANSPORTIN RRUGOR TË NXËNËSVE TË ARSIMIT PARASHKOLLOR, PARAUNIVERSITAR DHE TË STUDENTËVE” 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998, “Për transportet rrugore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në tekstin e rregullores së miratuar me vendimin nr.1101, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, fjalia e parë e pikës 6.5, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.921, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PERSONELIN E ADMINISTRATËS DOGANORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 3, 8, 11, pika 4, dhe 15, pikat 11 e 12, të ligjit nr.102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.921, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pjesët II deri X ndryshon sistemi i numeracionit, si më poshtë vijon:
a) Në pjesën II, pikat 7, 8, 9, 10 e 11 ndryshojnë, përkatësisht, në 1, 2, 3, 4, 5;
b) Në pjesën III, pikat 12, 13,14 e 15 ndryshojnë, përkatësisht, në 1, 2, 3, 4;
c) Në pjesën IV, pika 16 bëhet 1;
ç) Në pjesën V, pikat 17, 18 ndryshojnë, përkatësisht, në 1, 2;
d) Në pjesën VI, pikat 19, 20, 21, 22, 23, 24, ndryshojnë, përkatësisht, në 1, 2, 3, 4, 5, 6;
dh) Në pjesën VII, pikat 25, 26, 27, 28, 29, ndryshojnë, përkatësisht, në 1, 2, 3, 4, 5;
e) Në pjesën VIII, pikat 30 e 31, ndryshojnë, përkatësisht, në 1, 2;
ë) Në pjesën IX, pika 32, bëhet 1.
2. Në pikën 13, të pjesës III, fjalët “…në pikën 10…” bëhen “…në pikën 4, të pjesës II…”.
3. Në pikën 20, të pjesës VI, hiqen fjalët “…dhe për punonjësit administrative…”.
4. Pas pikës 20, të Pjesës VI, shtohet pika 2/1, si më poshtë vijon:
“2/1. Procedura disiplinore për punonjësit administrativë kryhet në përputhje me Kodin e Punës.”.
5. Në pikat 21, 22, 23, të Pjesës VI hiqet shprehja “apo punonjësi administrativ”.
6. Pas pikës 29, të Pjesës VII, shtohet pika 6, si më poshtë vijon:
“6. Në përputhje me shkronjën “h” të paragrafit të parë të nenit 2, të ligjit Nr.152, datë 30.05.2013 “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me pikën 4, të nenit 7, të ligjit nr. 102/2014, datë 31.7.2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, punonjësit e Drejtorisë së Hetimit, Drejtorisë së Antikontrabandës dhe Drejtorisë Antitrafik që kanë atributet e oficerit të Policisë Gjyqësore trajtohen në përputhje me Kodin e Punës, legjislacionin doganor dhe me legjislacionin specifik për këtë qëllim. Procedura e pranimit në administratën doganore të këtyre punonjësve kryhet në përputhje me pikën 6, të Pjesës I. Procedurat e tjera zbatohen mutatis mutandis sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
7. Pika 31, e pjesës VIII ndryshon si më poshtë vijon:
“2. Punonjësit, që emërohet apo transferohet larg vendbanimit a vendqëndrimit të tij të zakonshëm, i sigurohet banesë ose një pagesë si kompensim për strehimin.
a) Kur nëpunësi doganor emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, brenda vendit, i paguhet qiraja e banesës, kur nuk i sigurohet ajo.
b) Nëpunësi doganor që emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, brenda vendit, përfiton kompensim për qira banese, nëse emërohet/transferohet për shkak të detyrës dhe/ose për nevoja pune, në largësi mbi 45 km.
c) Masa e kompensimit për qira banese, të përcaktuar në pikën 2, është si më poshtë vijon:
i) Kur nëpunësi doganor nuk merr me vete në vendemërimin e ri të punës pjesëtarët e familjes, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 43.93 m²;
ii) Kur nëpunësi doganor ka në ngarkim dhe një person dhe e merr në vendemërimin e ri të punës, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 56.47 m²;
iii) Kur nëpunësi doganor ka në ngarkim dhe dy persona dhe i merr në vendemërimin e ri të punës, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 79.74 m²;
iv) Kur nëpunësi doganor, ka në ngarkim dhe tre persona a më shumë dhe i merr në vendemërimin e ri të punës, i paguhet qiraja e banesës për sipërfaqe banimi deri në 80.50 m².
ç) Numri i personave, pjesëtarë të familjes, në ngarkim të nëpunësit doganor vërtetohet me çertifikatën e gjendjes familjare.
d) Njësia shpenzuese në DPD bën kompensimin e qirasë së banesës të nëpunësit doganor, përkundrejt paraqitjes së kontratës së qirasë, në vlerë jo më të madhe se vlera minimale e qirasë, e përcaktuar në vendimin nr. 469, date 3.6.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”. Vlera minimale mujore e çmimit të shitjes për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira do të përllogaritet në bazë të vlerës mesatare të shitblerjeve të banesave në tregun e lirë, sipas njësive administrative, të përcaktuara në udhëzimin e Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit.
dh) Për përfitimin e pagesës, sipas pikës 2, nëpunësi doganor paraqet në DPD dokumentacionin e mëposhtëm:
i) Kërkesë me shkrim, pranë njësisë buxhetore ku është i punësuar;
ii) Fotokopje të kartës së identitetit, certifikatën e gjendjes familjare;
iii) Kontratën e noterizuar të qirasë së banesës ku është i transferuar;
iv) Vërtetim nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se ai nuk ka banesë në juridiksionin ku është transferuar;
v) Vërtetim nga ALUIZNI nuk ka aplikuar për legalizim banese në juridiksionin ku është transferuar.
e) Titullari i njësisë shpenzuese verifikon, kur është rasti, nëpërmjet strukturave të varësisë, vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur dhe të zbatimit të kontratës së qirasë.
ë) Përfitimi i kësaj pagese vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të nëpunësit doganor, që nënkupton sistemimin me banesë në juridiksionin territorial të structures doganore ku ai bën pjesë.
f) Fondi i përcaktuar për pagesat e qirave për strehim planifikohet çdo vit në programin buxhetor të DPD.
8. Pas pjesës VIII, shtohet Pjesa VIII/1, me përmbajtjen si më poshtë vijon:
“VIII/1. Organizimi, funksionimi, struktura e administratës doganore dhe shpenzimet për kontrollet që kryhen pranë operatorëve ekonomik të interesuar për këtë shërbim.
1. Organika e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave është 1052 punonjës, të shpërndarë në nivel qëndror dhe vendor. Struktura organike dhe analitike e administratës doganore është sipas Aneksit nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
a) Organika e administratës doganore, është e përbërë, nga:
i. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave;
ii. Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Doganave;
iii. Drejtor Kabineti;
iv. Nëpunës kategoria A;
v. Nëpunës kategoria B;
vi. Nëpunës kategoria C 1;
vii. Nëpunës kategoria C 2;
viii. Punonjës administrativ kategoria C3;
ix. Punonjës administrativ kategoria D 1;
x. Punonjës administrativ kategoria D2;
xi. Punonjës administrativ kategoria D3.
b) Funksionet dhe detyrat e personelit të administratës doganore janë, si më poshtë vijon:
i. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, është kreu dhe struktura më e lartë e administratës doganore shqiptare që siguron administrimin e efektshëm të saj dhe drejton, bashkërendon e mbikëqyr veprimtarinë e administratës doganore dhe i raporton drejtpërdrejt ministrit të Financave për ecurinë e punës.
Përveç përgjegjësive të parashikuara në legjislacionin doganor, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave miraton planin strategjik operacional të biznesit të administratës doganore, planin e menaxhimit të ndryshimeve në biznes, propozon pranë Ministrit të Financave strukturën organizative de rregulloren e brendshme të administratës doganore, si dhe zbaton strategjitë dhe adreson përgjegjësitë në të gjitha nivelet e administratës, në varësi të nevojave apo të rrethanave specifike.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave miraton, rregulloret specifike të funksionimit të drejtorive dhe degëve doganore, si dhe akte të tjera të nivelit të tretë, si, vendime, urdhra, udhëzime, etj., në varësi të nevojave të punës.
Për të siguruar administrimin efektiv dhe përmbushjen e misioneve, kompetencave dhe detyrave funksionale të administratës doganore, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave bashkëpunon dhe bashkërendon punën, nëpërmjet zëvendësdrejtorëve dhe drejtuesve, që ka në varësi të drejtpërdrejtë.
ii. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Doganave, është drejtuesi i një departamenti që siguron administrimin e efektshëm, si dhe drejton, bashkërendon punën e mbikëqyr veprimtarinë e kryer nga drejtoritë e departamentit që mbulon. Ai ushtron funksionet e kompetencat sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për këtë pozicion, si dhe funksionet e përgjegjësitë që i delegohen këtij posti.
iii. Drejtor Kabineti;
– Asiston drejtpërdrejtë Drejtorin e Përgjithshëm në hartimin e planeve të veprimit dhe i përçon ato në Strategjinë Institucionale;
– Së bashku me Drejtorin e Kabinetit të Ministrit, koordinon prioritetet që do ndikojnë tek Drejtori i Përgjithshëm;
– Asiston lidhur me përgjigjet që do u dërgohen grupeve kryesorë të interesit të iniciuara nga Drejtori i Përgjithshëm;
– Analizon kërkesat e marra të cilat kanë të bëjnë me mënyrën sesi do të veprohet dhe këshillon prioritetet në lidhje me to dhe mbi burimet të cilat mund t’i përmbushin;
– Orienton, organizon dhe harmonizon veprimtarinë në Zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm duke informuar dhe shpërndarë punën, në varësi të ekspertizës teknike të këshilltarëve;
– Kryen çdo detyrë të ngarkuar nga Drejtori i Përgjithshëm.
iv. Nëpunës Kategoria A.
Në këtë kategori përfshihen: këshilltar, drejtor drejtorie në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, kryetar i Degës Doganore Tiranë, kryetar i Degës Doganore Durrës, kryetar i Degës Doganore Vlorë, kryetar i Degës Doganore Kakavijë, kryetar i Degës Doganore Shkodër, kryetar i Degës Doganore Rinas.
Nëpunësit e kësaj kategorie, me funksionin këshilltar, kryejnë funksione këshillimore, si dhe mbështesin e ndihmojnë Drejtorin e Përgjithshëm, sipas fushave specifike që mbulojnë, bashkërendojnë punën dhe bashkëveprojnë me strukturat e tjera.
Nëpunësit e tjerë të kësaj kategorie drejtojnë, bashkërendojnë, mbikëqyrin dhe sigurojnë administrimin e efektshëm të veprimtarisë së strukturës që drejtojnë, si dhe ushtrojnë funksionet e përgjegjësitë që i delegohen këtij posti.
v. Nëpunës Kategoria B.
Në këtë kategori përfshihen: përgjegjës sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, përgjegjës sektori në degët doganore, kryetar i një Dege doganore që nuk është pëfshirë në përcaktimin e shkronjës “iii”, më sipër.
Nëpunësit e kësaj kategorie drejtojnë, bashkërendojnë punën, mbikëqyrin dhe sigurojnë administrimin e efektshëm të veprimtarisë së strukturës që drejtojnë, si dhe ushtrojnë funksionet e përgjegjësitë që i delegohen këtij posti.
vi. Nëpunës Kategoria C1.
Në këtë kategori përfshihen: specialist, auditues, përgjegjës zyre, komandant grupi/motovedete, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave; specialist, financier, përgjegjës turni, në degë doganore.
Nëpunësit e kësaj kategorie i ushtrojnë detyrat dhe funksionet e tyre në të gjithë administratën doganore bazuar në funksionet dhe specifikat e strukturës ku ato veprojnë dhe në përputhje me legjislacionin e aktet normative në fuqi, si dhe kryejnë funksionet e përgjegjësitë e deleguara.
Nëpunësit, që ushtrojnë funksionet komandant grupi, përgjegjës zyre, përgjegjës turni/grupi, kanë për detyrë, gjithashtu, të sigurojnë bashkërendimin e punës dhe sigurimin e efektshmërisë në veprimtarinë e kryer nga zyra apo sektori/grupi të cilin drejtojnë/udhëheqin.
vii. Nëpunës Kategoria C2.
Në këtë kategori përfshihen: doganier/klasifikim/vlerësim/kontroll fizik/skaner/akcize/regjime/preferenca/përjashtime, inspektor, specialist i nivelit të dytë, asistent laborant.
Nëpunësit e kësaj kategorie ushtrojnë funksione lidhur me gjithë veprimtarinë dhe procedurat doganore, kontrollet dhe mbikëqyrjen doganore në të gjithë territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, si dhe ushtrojnë funksionet e përgjegjësitë e deleguara.
viii. Punonjës administrativ Kategoria C3.
Në këtë kategori përfshihen: arkivist, sekretar, doganier peshoreje/pikë kontrolli/antikontrabande dhe përpunues informacioni.
Punonjësit e kësaj kategorie ushtrojnë funksione lidhur me administrimin e korrespondencës e të dokumentacionit, si dhe ruajtjen e tij, me procedurat e peshimit, kontrollit doganor, mbrojtjen e sigurinë dhe me përpunimin e informacionit doganor, përdorimit të mjeteve apo pajisjeve, si dhe ushtrojnë funksionet dhe përgjegjësitë e deleguara.
ix. Punonjës administrativ Kategoria D1.
Në këtë kategori përfshihen punonjësit ndihmës: magazinier, teknik marine/motorist, teknik mirëmbajtje, shofer.
Punonjësit e kësaj kategorie ushtrojnë funksione lidhur me ruajtjen e bazës materiale dhe furnizimin, kryerjen e shërbimeve të ndryshme teknike, sigurimin e lëvizjes së sigurt të personelit doganor.
x. Punonjës administrativ Kategoria D2.
Në këtë kategori përfshihen punëtor mirëmbajtje, të cilët janë punonjës të tjerë ndihmës, që ushtrojnë funksione lidhur me mirëmbajtjen e ambienteve të zyrave, si dhe kryerjen e shërbimeve të mirëmbajtjes.
xi. Punonjës administrativ Kategoria D3.
Në këtë kategori përfshihen punonjës që kryejnë shërbime sanitare në ambientet e punës.
2. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave përbëhet nga Departamenti Administrativ, Departamenti i Akcizës, Departamenti Teknik dhe Departamenti Operativ dhe Hetimor, struktura që varen drejtpërdrejt nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave (niveli qëndror) dhe Degët Doganore (niveli vendor).
a) Departamenti Administrativ përbëhet nga drejtoritë, si më poshtë vijon:
i. Drejtoria e Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, që përbëhet nga:
· Sektori i Menaxhimit të Burimeve Njerëzore;
· Sektori i Trajnimeve dhe Etikës;
· Zyra e Sekretari/Protokollit dhe Arkivës.
Kjo drejtori bashkëpunon me DAP-in, administron procedurat e rekrutimit të personelit doganor, emërimet, ngritjen në detyrë, zbatimin e masave disiplinore, shkarkimet nga detyra, administron transferimin e personelit brenda zyrave të administratës doganore, ngritjen e përkohshme në detyrë, lëshon kartat e shërbimit dhe të identitetit për personelin doganor dhe administron arkivin e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave;
Harton programe bazë për trajnimin e personelit, organizon kurse, seminare dhe veprimtari të tjera trajnuese për personelin doganor, nga fushat kryesore, organizimin dhe zbatimin e trajnimit, duke përfshirë caktimin e trajnimit të personelit, bashkërendon veprimtaritë trajnuese dhe të ndihmës teknike, që jepen nga administratat e huaja doganore dhe organizatat ndërkombëtare, kontrollon në vijimësi zbatimin e Kodit të Etikës në administratën doganore, si dhe transparencën në deklarimin e pasurive dhe konfliktin e interesave.
ii. Drejtoria e Burimeve Mbështetëse, që përbëhet nga:
· Sektori i Investimeve dhe Logjistikës;
· Sektori i Njësisë së Prokurimit.
Kjo drejtori planifikon, në bashkëpunim me të gjitha departamentet, blerjet, ndërtimet dhe rindërtimet e mjediseve dhe blerjen e makinerive e të pajisjeve të nevojshme për zhvillimin e veprimtarisë doganore, duke përfshirë kompjuterë, mjete transporti, pajisje për laboratorin e doganës, uniformat e personelit dhe orenditë e zyrave; Realizon procedurat e blerjes, qirave në bashkëpunim me Degët Doganore dhe zyrat e tjera të interesuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi; Administron dhe mirëmban mjediset e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
iii. Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit, përbëhet nga sektorët e mëposhtëm, të cilëve u janë caktuar përgjegjësitë kryesore, si më poshtë vijon:
· Sektori i Sistemeve dhe i Sigurisë
Ky sektor ofron mbështetje operative dhe mirëmbajtje në nivel qendror e lokal për të maksimizuar disponueshmërinë e infrastrukturës dhe shërbimeve të teknologjisë së informacionit; Ky sektor siguron kunsulencë dhe ndihmë të vazhdueshme teknike për stafin e teknologjisë së informacionit në degët doganore dhe ofron kornizat arkitektonike të ndërtimit të sistemit për të maksimizuar efikasitetin në mjedisin e teknologjisë së informacionit e të komunikimit; Me anë të aplikimit të metodave të sigurisë e të kanaleve të komunikimit, ky sektor realizon integritetin dhe administrimin e sistemeve informatike, me qëllim mbrojtjen nga sulmet për dëmtimin e sistemeve të kompjuterizuara të administratës doganore shqiptare.
· Sektori i Zhvillimit
Ky sektor administron projektimin, zhvillimin, implementimin dhe mirëmbajtjen e zgjidhjeve të teknologjisë së informacionit për t’u përdorur nga shërbimi doganor dhe bisnezi, si dhe jep këshilla për planifikimin, projektimin, zhvillimin dhe implementimin e shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për të ardhmen; Gjithashtu, ai ofron zgjidhje për informatizimin e të gjitha proceseve të punës në administratë, duke përdorur programe të gatshme, duke integruar zgjidhje të ndryshme dhe duke zhvilluar (programuar) zgjidhje origjinale aty ku është e nevojshme.
· Sektori i Zgjidhjeve dhe i Suportit.
Ky sektor ofron angazhimin për biznesin, menaxhim projektesh dhe shqyrtimin e aktiviteteve të teknologjisë së informacionit dhe është një pikë e vetme e hyrjes për biznesin për shërbimet e ofruara nga Departamenti i Teknologjisë së Informacionit; Ky sektor ofron shërbimin Help Desk me anë të e-mail-it ose telefonit për probleme të ndryshme që lindin gjatë përdorimit të sistemeve informatike doganore, delegon problemin në sektorët apo drejtoritë përkatëse, kur për zgjidhjen e tij kërkohet ndërhyrje më e specializuar, si dhe bashkërendon punën ndërmjet strukturave të përfshira në këto zgjidhje.
iv. Drejtoria Juridike, që përbëhet nga:
· Sektori i Legjislacionit;
· Sektori i Ankimimeve.
Kjo drejtori mbështet propozimet ligjore për çështje që kanë të bëjnë me fushën doganore apo akcizës, si dhe ndjek planin e përafrimit të legjislacionit doganor/akcizës me atë të BE-së; Jep këshillim ligjor për strukturat e tjera të departamenteve të administratës qëndrore dhe degët doganore, me kërkesë të tyre për raste specifike lidhur me çështje doganore apo të akcizës; Shqyrton ankimet administrative ndaj vendimeve të degëve doganore për pagesën e detyrimeve dhe/ose gjobave dhe ja paraqet për vendimarrje Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave; Administron proçeset gjyqësore ku palë është DPD, në të gjitha shkallët e gjykimit; Jep ndihmë ligjore për proçeset gjyqësore ku palë janë Degët Doganore.
b) Departamenti i Akcizës përbëhet nga drejtoritë, si më poshtë vijon:
i. Drejtoria Teknike e Akcizës, që përbëhet nga:
· Sektori i Autorizimeve;
· Sektori i Lehtësirave, Klasifikimit dhe Pullave Fiskale;
· Sektori i Pajisjeve, Matësve dhe Linjave Teknologjike.
Kjo drejtori administron procedurat e autorizimit e të licencimit dhe lëshon autorizimet për magazinat fiskale dhe depozituesit të miratuar, autorizon/licencon pritësit e regjistruar, dërguesit e regjistruar dhe përfaqësuesit fiskalë;
Administron procedurën e lehtësirave fiskale lidhur me përjashtimet dhe rimbursimet nga detyrimet e akcizës, si dhe lëshon autorizimet për përjashtim apo autorizon rimbursimet; Administron dhe trajton përditësimet e nevojshme dhe problematikat lidhur me çështjet e klasifikimit fiskal, administron, monitoron dhe bashkërendon të gjitha procedurat e nevojshme lidhur me pullat fiskale dhe kodet e sigurisë, si dhe trajton çështje të garancive; Përgjigjet për hedhjen dhe përditësimin e rregullave në sistemin informatik;
Kontrollon, saktëson apo përditëson normativat teknike në proçesin e prodhimit, kontrollon koeficientët e humbjeve dhe të firove; Kontrollon proçedurat e shenjimit fiskal dhe të ngjyrimit, si dhe kontrollon pajisjet e instrumentet matëse, linjat teknologjike, depozitat, rezervuarët, kalibrimin e tyre etj.
ii. Drejtoria e Metodikave dhe Kontrollit, që përbëhet nga:
· Sektori i Pijeve Alkoolike;
· Sektori i Produkteve Energjetike;
· Sektori i Produkteve të Tjera.
Kjo drejtori kryen mbikëqyrjen, kontrollin dhe monitorimin sipas produkteve specifike të magazinave fiskale të prodhimit apo stokimit, kontrollon dhe monitoron lëvizjen e produkteve të akcizës nën pezullim, monitoron zbatimin e kushteve, si dhe respektimin nga operatorët e akcizës të skemës së përjashtimeve dhe rimbursimeve; Bashkëpunon me strukturat e tjera qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme, sipas rastit, për trajtimin e operacioneve të parregullta; Kryen analizime të ndryshme, përfshirë edhe ato aposteriori lidhur me importimin, prodhimin, stokimin dhe lëvizjen e produkteve të akcizës, sipas llojit të tyre;
Kjo drejtori harton projekte dhe përditëson metodikat për kontrollin e magazinave fiskale, depozituesit e miratuar, pritësit dhe dërguesit e regjistruar, si dhe të proceseve të ndryshme të prodhimit të mallrave të akcizës, harton dhe përditëson metodikat lidhur me matjen e produkteve dhe depozitave, rezervuarëve etj., sipas produkteve specifike.
c) Departamenti Teknik, përbëhet nga drejtoritë si më poshtë vijon:
i. Drejtoria e Procedurave Doganore, që përbëhet nga:
· Sektori i Procedurave dhe Regjimeve Doganore;
· Sektori i Lehtësive, Thjeshtimeve Doganore dhe Transitit;
· Sektori i Harmonizimit të Procedurave Doganore dhe Informimit të Operatorëve.
Kjo drejtori, në përputhje me dispozitat në fuqi, administron dokumentacionin për lëvizjen e mallrave dhe të bagazheve brenda territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, deklaratat përmbledhëse, dokumentet për magazinimin e përkohshëm të mallrave dhe për deklarimin doganor; lehtësimin dhe thjeshtimin e procedurave doganore; Administron procedurat doganore dhe lëshimin e autorizimeve për to, si dhe për agjentët doganorë; Administron dokumentet për turizmin ndërkombëtar, procedurat e vendosjes në qarkullim të lirë dhe të eksportit, procedurat e transitit, të përpunimit aktiv dhe pasiv, të përpunimit nën kontroll doganor, të lejimit të përkohshëm, procedurat e magazinimit doganor, zonat e lira dhe magazinat e lira; Administron dokumentet për magazinat e furnizimit dhe “Duty Free Shops”, furnizimet dhe pajisjet për përdorim në bord të mjeteve të transportit, për ndalimet dhe kufizimet në importin dhe eksportin e mallrave me karakter fito-sanitar; Administron rregullat, si dhe procedurat e lehtësimit dhe thjeshtimit si zhdoganimin lokal, OEA, kompetencat territorial, etj.; Jep udhëzimet e nevojshme për përdoruesit në lidhje me sistemet e të dhënave, të formularëve, të regjistrave dhe të blloqeve përkatëse, të nevojshme në lidhje me procedurat doganore; Informon Operatorët Ekonomik mbi procedurat doganore, lehtësitë dhe thjeshtimet që ofron legjislacioni doganor; Harmonizon udhëzimet apo aktet e tjera të nivelit të tretë me Kodin Doganor.
ii. Drejtoria e Tarifës dhe Origjinës, që përbëhet nga:
· Sektori i Tarifës;
· Sektori i Origjinës.
Kjo drejtori harton e përditëson nomenklaturën e mallrave dhe tarifën doganore, si dhe administron shënimet (notat) shpjeguese, jep informacion tarifor të detyrueshëm (ITD), administron operacionet e privilegjuara, mbikëqyr rregullat për taksat e tjera në import; mbikëqyr rregullat për TVSH-në në import;
Gjithashtu, kjo drejtori administron origjinën e mallrave, sipas marrëveshjeve preferenciale përkatëse, procedurat e lëshimit të certifikatave të origjinës preferenciale, ndjek zbatimin e masave të politikës tregtare, të kuotave e të tavaneve tarifore dhe të masave antidumping.
iii. Drejtoria e Laboratorit Doganor, që përbëhet nga:
· Sektori i Standardeve, Metodikave dhe Administrimit;
· Sektori i Analizave;
· Sektori i Klasifikimit Tarifor.
Kjo drejtori kryen studime për metodat dhe teknikat për analizën kimike, teknologjike dhe mercologjike të mallrave; Analizon mostrat e marra nga zyrat vendore; Lëshon certifikatat përkatëse për verifikimin e llojit të mallrave, emërtimit të tyre dhe bën klasifikimin tarifor; Administron dhe mirëmban pajisjet e Laboratorit Doganor.
iv. Drejtoria e Vlerës Doganore, që përbëhet nga:
· Sektori i Mbikëqyrjes së Vlerës Doganore;
· Sektori i Metodologjisë së Vlerësimit Doganor.
Kjo drejtori administron dispozitat, që kanë të bëjnë me proçesin e vlerësimit doganor të mallrave dhe shërbimeve, si dhe ndjek përditësimin e kursit të këmbimit; Përgatit e administron udhëzimet dhe urdhrat, që kanë të bëjnë me metodologjinë e vlerësimit për qëllime doganore;
Në bashkëpunim me degët doganore dhe strukturat e tjera të administratës doganor, kjo drejtori mbikëqyr zbatimin e metodologjisë së vlerësimit doganore të mallrave;
Kjo drejtori, mbështetur në burime të miratuara, përditëson “dosjen” me të dhënat e disponueshme, si dhe sisteme apo mekanizma të tjera për qëllim të vlerësimit doganor të mallrave.
ç) Departamenti Operativ dhe Hetimor, përbëhet nga drejtoritë si më poshtë vijon:
i. Drejtoria e Antikontrabandës, që përbëhet nga:
· Sektori i antikontrabandës tokësore;
· Sektori i antikontrabandës detare;
Kjo drejtori kryen kontrolle fizike dhe dokumentare, në bazë planeve operacionale, të të dhënave dhe analizës së riskut, në çdo ambjent, brenda territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, duke kontrolluar apo shqyrtuar mallrat, personat dhe mjetet e transportit, me qëllim zbulimin dhe parandalimin e kontrabandës, prodhimit dhe tregtimit të paligjshëm të mallrave të akcizës dhe të kundërvajtjeve administrative, brenda territorit doganor shqiptar, dhe nga/apo drejt territorit të vendeve të tjera; Nëpërmjet kryerjes së kontrolleve, identifikon dhe jep të dhëna rreth veprimtarisë ose personave të dyshimtë për data base-in e informacionit, jep ndihmë në hetimin e shkeljeve të rënda doganore dhe të akcizës; Gjithashtu, kjo drejtori mbështet Degët doganore për vjeljen e borxhit dhe rikuperimin me forcë.
ii. Drejtoria e Hetimit.
Kjo drejtori ndërmerr hetime për shkelje të dyshuara apo të vërejtura nga drejtoria e antikontrabandës, drejtoria e informacionit, si dhe nga struktura të tjera, brenda dhe jashtë sistemit doganor, me kërkesë të tyre apo me inisiativë; Gjithashtu, kjo drejtori mbledh të dhëna, përgatit kallëzime penale për në organin e prokurorisë, jep dokumentacion, harton raporte dhe praktika në ndihmë të këtij organi.
iii. Drejtoria e Analizës së Riskut dhe Monitorimit, që përbëhet nga:
· Sektori i Monitorimit;
· Sektori i Analizës së Riskut.
Kjo drejtori siguron bashkërendimin, mbikëqyrjen dhe monitorimin 24-orësh të mjediseve dhe punës në terren në degët doganore të veprimtarisë së strukturave të Departamentit Operativ Hetimor;
Menaxhon mbledhjen e të dhënave për shkeljet doganore të dyshuara, faktike apo të mundshme, përgatitjen, monitorimin e analizën e riskut, me qëllim rritjen e eficencës së kontrolleve doganore dhe ushtrimin e kontrolleve me bazë indikatorët e riskut. Bashkëpunon me strukturat e tjera doganore dhe me institucione të tjera, në ushtrimin e funksioneve që kryen.
iv. Drejtoria e Informacionit, që përbëhet nga:
· Sektori i Inteligjencës Operative;
· Sektori i Përpunimit të Informacionit;
· Sektori i Shkëmbimit të Informacionit.
Kjo drejtori mbledh të dhëna për shkeljet doganore apo të akcizës të dyshuara, faktike apo të mundshme; Kryen kërkime duke shfrytëzuar marrëveshjet e asistencës administrative, të nënshkruara me administratat doganore të vendeve të tjera; Kryen përpunimin e informacionit  për përgatitjen e raporteve inteligjente dhe cilësore, duke propozuar veprime të mëtejshme nga struktura brenda institucionit apo dhe jashtë tij; Përpunon informacionin e grumbulluar nga burime të ndryshme  dhe analizon të dhënat për veprimtaritë ose personat e dyshimtë, si dhe furnizon, periodikisht, me produkte inteligjence Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave.
v. Drejtoria e Kontrollit pas Zhdoganimit, që përbëhet nga:
· Sektori i Kontrollit të Vlerës, Klasifikimit, Origjinës;
· Sektori i Kontrollit të Regjimeve Doganore.
Kjo drejtori ndërmerr kontrolle dokumentare dhe fizike, pas çlirimit të mallrave, për të verifikuar të gjithë dokumentacionin tregtar dhe çdo të dhënë tjetër, që lidhet me veprimet doganore të operatorëve ekonomikë dhe veprimet e mëtejshme tregtare, që kanë të bëjnë me këto mallra; Këto kontrolle bëhen pranë mjediseve të operatorëve ekonomikë, që kanë lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me veprimet doganore, si dhe përmes rishqyrtimit të praktikave doganore, brenda sistemit doganor;
Gjithashtu, me nismën e vet apo me kërkesën e operatorëve ekonomikë, ndërmerr rishikimin dhe verifikimin e saktësisë së të dhënave të deklaratës doganore, si dhe përpunon e analizon, përmes teknikave të menaxhimit të dhënat e siguruara nga strukturat e tjera të administratës doganore dhe administratave homologe.
vi. Drejtoria e Antitrafikut.
Kjo drejtori ka si objekt të veprimtarisë së saj zbatimin e kuadrit ligjor në fuqi, veçanërisht në funksion të përmbushjes së misionit mbrojtës për sigurinë kombëtare dhe rendin publik. Veprimtaria e Drejtorisë Antitrafik lidhet me organizimin e mbikëqyrjes së kufirit shtetëror nga strukturat e shërbimit doganor që operojnë në kufi, nëpërmjet kryerjes së kontrolleve të mallrave, të mjeteve të transportit dhe të subjekteve, për parandalimin e trafiqeve të paligjshme, përfshirë parandalimin e pastrimit të parave, kontrollit të transferimit fizik të valutës, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit. Drejtoria Antitrafik mund të shkëmbejë të dhëna me struktura të tjera doganore apo shtetërore, me kompetenca në fushën e zbatimit të ligjit, për mallra, mjete apo subjekte, me qëllim parandalimin dhe goditjen e shkeljeve të parashikuara nga legjislacioni shqiptar në fuqi kundër trafiqeve. Ajo bashkëpunon me agjenci, institucione dhe aktorë të tjerë, përfshirë ata ndërkombëtarë, të cilët kanë detyrime ligjore ose që janë të angazhuar në luftën kundër trafiqeve dhe zbatimin e masave ndaluese, kufizuese.
vii. Drejtoria për Mbrojtjen e Pronësisë Intelektuale.
Kjo drejtori ka për detyrë, administrimin e proçedurave për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale (pronësinë industriale dhe pronësinë intelektuale) për mallrat që hyjnë në/ose dalin nga territori shqiptar, me kërkesë të mbajtësve të së drejtës ose me inisiativë dhe administrimin e kërkesave për veprim në kuadër të mbrojtjes së pronësisë intelektuale.
d) Struktura që varen drejtpërdrejt nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, janë si më poshtë vijon:
i. Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave.
Kjo zyrë koordinon, mbështet, ndihmon dhe këshillon Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, lidhur me:
– Prioritetet që do ndikojnë në funksionet e Drejtorit të Përgjithshëm;
– Analizimin e kërkesave të marra dhe kontrollin e përgjigjeve që u dërgohen grupeve kryesorë të interesit të iniciuara nga Drejtori i Përgjithshëm;
– Hartimin e planeve të punës dhe Strategjinë Institucionale;
– Orientimin, organizimin dhe harmonizimin e veprimtarisë në Zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm;
– Koordinimin mbi çështjet që lidhen me elementet teknike dhe procedurale, zbatimin e projekteve, ne te cilat përfituese është administrate doganore, dhe stimulimin e shtimit te nivelit te asistences, vlerësimin dhe permiresimin e elementeve te sherbimeve te teknologjise se informacionit, dhe kryesisht komunitetin e biznesit lidhur me risite, nismat dhe zhvillimet e administrates doganore;
– Ndjekjen e problemeve të përditshme sipas detyrave te përcaktuara nga Drejtori i Përgjithshëm;
– Mbështetjen dhe ndihmën e Drejtorit të Përgjithshem për formulimin dhe zbatimin e planeve të veprimit, strategjive, sipas detyrave të institucionit, si dhe sigurimin e lidhjeve organike me strukturat organizative, komunitetin e biznesit dhe institucionet e tjera, qendrore dhe vendore.
ii. Drejtoria e Auditit të Brendshëm
Kjo drejtori ushtron auditimin e përgjithshëm të veprimtarisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, verifikon saktësinë e zbatimit të procedurave administrative të kryera nga personeli doganor dhe përgatit raporte për drejtorin e përgjithshëm ose, kur është e nevojshme, për komisionin disiplinor.
iii. Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Integrimit Europian
Kjo drejtori përgatit, në bashkëpunim me strukturat e tjera, marrëveshjet e asistencës administrative dypalëshe për çështje doganore, si dhe protokollet e bashkëpunimit me këto administrate; Ndjek dhe menaxhon marrëdhëniet me administratat doganore të vendeve të tjera e me partnerët e huaj brenda dhe jashtë vendit; Përgatit, në bashkëpunim me drejtoritë e tjera të DPD-së, sipas rastit, dokumentacionin e nevojshëm, si dhe aplikon për t’u bërë pjesë dhe/ose për të përfituar nga programe a projekte asistence, të ofruara nga organizmat e BE-së apo nga institucionet, organizmat dhe struktura të tjera, bazuar në nevojat e kërkesat e administratës doganore; Menaxhon projektet e ndryshme të financuara plotësisht a pjesërisht nga BE-ja ose nga organizma/struktura të tjera, përfituese e të cilave është administrata doganore; Organizon vizita të delegacioneve doganore të huaja në Republikën e Shqipërisë dhe të Delegacioneve të Doganës Shqiptare jashtë; administron pjesëmarrjen e personelit të administratës doganore në veprimtari të ndryshme jashtë vendit; kryen shërbime përkthimi për nevojat e administratës doganore; Ndjek dhe menaxhon marrëdhëniet me massmedian dhe me komunitetin e biznesit, si dhe përgatit e ndjek zbatimin e programeve të publikimit të çdo risie në sistemin doganor; Bashkërendon punën me strukturat respektive dhe, në bashkëpunim me drejtoritë e tjera të DPD-së, përgatit, sipas rastit, raportet periodike dhe informacionet e nevojshme, në kuadër të integrimit në BE.
iv. Drejtoria e Antikorrupsionit dhe Standardeve Profesionale.
Kjo drejtori heton shkeljet për raste të mundshme korrupsioni të denoncuara nga qytetarë, operatorë ekonomikë apo bazuar në informacione të ardhura nga sektorë të tjerë, brenda institucionit apo jashtë tij. Gjithashtu, kjo drejtori nxjerr përgjegjësitë për rastet konkrete dhe marrjen e masave të nevojshme, jep kontribut për përmirësimin e disiplinës në punë dhe rregullave të etikës në përgjithësi; Me qëllim rritjen e standardeve profesionale implementon testin e integritetit dhe metodën e dokumentimit të standardizuar.
v. Drejtoria e Buxhetit dhe Financës, që përbëhet nga:
· Sektori i Planifikim – Monitorim  Buxhetit;
· Sektori i Financë – Kontabilitetit;
· Sektori i Pagesave, Garancive dhe Kontabilitetit të të Ardhurave.
Sektori i Planifikim – Monitorim Buxhetit ndjek:
Zbatimin e legjislacionit dhe proçedurave që kanë të bëjnë me menaxhimin dhe buxhetin e financave publike, organizimin e punës në procesin e hartimit te programit buxhetor Afat – Mesëm te Institucionit si dhe hartimin e pasqyrave përmbledhëse te projekt buxhetit si dhe për detajimin e planit te buxhetit te miratuar nga Ministria e Financave për Aparatin e Drejtorisë dhe Degët Doganore;
Hartimin e raporteve të monitorimit të buxhetit dhe raportimin e tyre pranë Ministrisë së Financave brenda afateve të përcaktuara;
Rakordimin me Ministrinë e Financave të Fondeve Buxhetore te planifikuara dhe te realizuara; monitori rregullisht te transfertave nga gjobat ne dispozicion te Drejtorisë Përgjithshme si edhe përdorimin e tyre per pjesen e shpenzimeve operative dhe investime si edhe fondin per shperblimin nga gjobat, konform Kodit Doganor dhe udhezimeve perkatese per kete qellim.
Sektori Financë – Kontabilitet, kryen analizat financiare dhe të bilancit, mbajtjen e kontabilitetit, shpërndarjen dhe dhënien e fondeve te nevojshme për funksionimin e zyrave qendrore e vendore, pagimin e personelit doganor dhe administrimin e pagave e të shpërblimeve të tjera shtesë të personelit të Drejtorisë së Përgjithshme; Ndjek kontrollin dhe monitorimin e të gjitha pagesave në sistem, përgatitjen e procedurave të kreditimit të pagesave dhe të kontrollit të tyre me bankat e thesarin; Ndjek përgatitjen e raportimeve periodike, për kreditë dhe debitë e trashëguara.
Sektori i Pagesave, Garancive dhe Kontabilitetit të të Ardhurave, monitoron pagesat hyrëse në sistemin Asycuda Ëorld që të bëhen në mënyrë standarde; Siguron që pagesat të bëhen në numrin e llogarisë që i përket shoqërisë; Ndjek dhe evidenton të gjitha pasaktësitë e arkëtarëve të degëve doganore në lidhje me pagesat hyrëse në sistem; Administron rregullat dhe proçedurat e dhënies së garancive doganore dhe të akcizës, të monitorimit dhe të zhbllokimit të tyre; Përgatit raportet përkatëse në lidhje me shumat e kredituara në sistemin Asycuda Ëorld gjatë periudhës dhe bën përpunimin e këtyre raporteve; Përgatit informacionin përfundimtar në lidhje me krahasimin e shumave të kredituara në sistem, me ato të marra nga thesari dhe të dhënat e dërguara nga çdo degë doganore; Sigurohet që të marrë periodikisht nga Ministria e Financave, në format elektronik dhe në periudha një mujore informacion të detajuar nga thesari në lidhje me pagesat e bëra për shkak të veprimtarisë doganore.
vi. Drejtoria e Monitorimit, Planifikimit Strategjik dhe Analizës së të Ardhurave, që përbëhet nga:
· Sektori i Monitorimit të të Ardhurave, Analizave  dhe Statistikës;
· Sektori i Monitorimit të Borxhit.
Kjo drejtori ka për detyrë mbledhjen e të dhënave për lëvizjen e mallrave shqiptare dhe joshqiptare, që hyjnë e dalin nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, monitorimin dhe detajimin e planit të të ardhurave, analizimin e të dhënave objekt të vlerësimit nga zyrat e interesuara dhe autoritetet publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi duke e zgjeruar fushën e përgjegjësive edhe me studime e analiza të realizimit të të ardhurave dhe mallrave kryesore;
Gjithashtu, kjo drejtori administron procedurat për rregjistrimin e operatorëve në sistemin doganor, lindjen dhe rikuperimin e borxhit, përgatitjen dhe administrimin e udhëzimeve për kontabilizimin e të ardhurave nga detyrimet e importit, eksportit ose akcizës, për vjeljen e detyrimeve dhe rimbursimin ose shlyerjen e borxhit, si dhe monitoron proçedurat për rikuperimin dhe vjeljen me forcë të borxhit.
dh)  Degët doganore.
i. Degët doganore janë të vendosura në: Shkodër, Lezhë (Shëngjin), Kukës (Morinë), Peshkopi (Blladë), Tiranë (Vorë), Krujë (Rinas), Durrës, Elbasan, Pogradec (Qafë Thanë), Korçë, Kapshticë (Devoll), Berat, Fier, Vlorë, Gjirokastër (Kakavi), Sarandë (Qafë Botë) dhe Përmet (Tri Urat).
ii. Degët doganore përbëhen nga një ose disa zyra doganore sipas Aneksit 1. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave me udhëzim përcakton mbulimin territorial të degëve doganore.
iii. Degët doganore mund të organizohen, në varësi të funksioneve që kryejnë dhe të vëllimit të punës, në këta sektorë:
· Analiza e riskut dhe e kontrolleve pas zhdoganimit;
· Çështjet e përgjithshme;
· Pranimi, pika e kontrollit, peshimi;
· Zyra e kontrolleve dokumentare dhe fizike;
· Regjimet, akciza, origjina, përjashtimet;
· Zyra e skanerit.
iv. Degët Doganore kanë si detyra kryesore:
– Zbatimin e legjislacionit doganor dhe akcizës, legjislacionin lidhur me ndalimet dhe kufizimet si dhe aktet e tjera ligjore dhe nënligjore që kanë të bëjnë me veprimtarinë doganore, procedurat e kontrollit dhe mbikëqyrjes;
– Vjeljen e detyrimeve që duhen paguar në doganë;
– Parandalimin, konstatimin, verifikimin dhe luftën ndaj veprimtarisë kontrabandë, shkeljeve dhe trafikut të paligjshëm të mallrave të ndaluara;
– Parandalimin, konstatimin, verifikimin e kundërvajtjeve të parashikura nga legjislacioni doganor dhe i akcizës;
– Mbikqyrjen në të gjithë territorin doganor të Republikës së Shqipërisë të mallrave që i nënshtrohen mbikqyrjes së autoriteteve doganore;
– Mbrojtjen e interesave fiskalë, të sigurisë dhe mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë dhe çdo mbrojtje tjetër të ngarkuar sipas legjislacionit në fuqi dhe misionit të administratës doganore.
3. Shpenzimet për kontrollet që kryhen pranë operatorëve ekonomik të interesuar për këtë  shërbim.
a) Në raste specifike, kur nga operatori ekonomik paraqitet aplikim (kërkesë) për shërbime që kërkojnë prezencë të vazhdueshme të punonjësve doganorë pranë ambienteve të tyre dhe në kushtet, kur për shkak të numrit të kufizuar të punonjësve, autoritetet doganore nuk mund të ushtrojnë shërbimet pranë këtij operatori gjatë gjithë orarit të punës të kërkuar prej këtij të fundit, administrata doganore mund të ofrojë shërbime përkundrejt pagesës.
Për këtë qëllim, pranë administratës doganore, mund të punësohet/en punonjës jashtë strukturës së miratuar për administratën doganore, me kusht që operatori ekonomik kërkues në fjalë të marrë përsipër pagesat për të gjitha shpenzimet e nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi ku, pa kufizuar detyrimet e tjera ligjore, ku përfshihen paga mujore e punonjësit për gjithë periudhën e kërkuar të shërbimit, tatimi mbi të ardhurat mbi pagën, sigurimet shoqërore sipas raporteve aktuale të kontributit, pagesën e lejes së zakonshme, pagesën për pajisjen me uniformë personeli doganor, pagesën e sigurimeve shëndetësore, sipas raporteve aktuale të kontributit etj. Shpenzimet e sipërpërmendura për një punonjës të rekrutuar do të jenë të barabarta me nivelin aktual të pagesës, si dhe të kontributeve të kategorisë respektive që kërkohet për punonjësit e tjerë doganorë, të emëruar për natyrën dhe llojin e vendit të punës.
b) Operatori ekonomik i interesuar duhet të paraqesë në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave një kërkesë me shkrim, si dhe duhet të nënshkruajë një kontratë specifike për këtë qëllim në plotësim të kërkesave të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “c”, përmes së cilës merr përsipër pagesën për shërbimin e kërkuar.
c) Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me miratimin e kërkesës së operatorit ekonomik, nënshkruan kontratën me këtë të fundit për fillimin e rekrutimit të punonjësve për këtë qëllim. Kontrata duhet të jetë për një afat jo më pak se 1-vjeçar me të drejtë ripërsëritjeje. Palët mund ta zgjidhin këtë kontratë për çfarëdo arsye, duke bërë një njoftim së paku 3 (tre) muaj përpara përfundimit të saj. Në rast se palët në përfundim të kohës së vlefshmërisë së saj nuk kanë kontestime, atëherë kontrata do të konsiderohet si e lidhur edhe për një vit tjetër e kështu në vijimësi. Në rast të heqjes dorë nga autorizimi respektiv i autoriteteve doganore apo i Ministrisë së Financave prej operatorit ekonomik a revokimit ose në rast anulimi të këtyre të fundit, kontrata në fjalë do të konsiderohet automatikisht e zgjidhur.
ç) Menjëherë me nënshkrimin e kontratës së sipërpërmendur, administrata doganore fillon procedurat e rekrutimit të punonjësit/ve, nëpërmjet procedurave të konkurrimit të hapur dhe në vijimësi për gjithë periudhën e punësimit do të zbatohen të gjitha dispozitat ligjore e nënligjore, sipas të cilave rregullohen marrëdhëniet e punës së personelit doganor. Me përfundimin e procedurës së rekrutimit për këta punonjës, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton për këtë qëllim, përveç strukturave të saj, edhe operatorin ekonomik kërkues. Administrimi i procedurave të sipërpërmendura kryhet nga Drejtoria e Menaxhimit të Burimet Njerëzore.
d) Në rast të kërkesës për ndërprerje apo prishje të kontratës nga operatori ekonomik, menjëherë me marrjen e kësaj të fundit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave duhet të njoftojë punonjësin e rekrutuar se do të zgjidhen marrëdhëniet e punës ose në rast se ka vende të lira pune brenda administratës doganore mundet t’i ofrohet vendi i lirë. Në rast se vendi i ri i punës i propozuar pranohet nga punonjësi i rekrutuar, atëherë ai transferohet në pozicionin e ri të punës pa iu nënshtruar procedurave të tjera të rekrutimit.
dh) Me qëllim garantimin e pagesës korrekte të punonjësve të rekrutuar të gjitha shpenzimet tremujore (tërësia e pagesave të nevojshme) të sipërpërmendura do të parapaguhen (derdhen) nga operatori ekonomik i interesuar në llogarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, pranë Degës së Thesarit Tiranë, jo më vonë se data 25 e çdo tremujori, duke filluar që nga tremujori në të cilin bëhet efektive kontrata e punësimit dhe do të përdoren nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për mbulimin e shpenzimeve të parashikuara në pikën
e) Në rast se shpenzimet nuk parapaguhen në llogarinë e sipërpërmendur, atëherë operatori ekonomik paralajmërohet se do t’i ndërpritet menjëherë shërbimi sipas intervalit kohor të kërkuar prej tij. Nëse pagesa nuk kryhet brenda një afati 10-ditor pas afatit të pagesës së përcaktuar më lart, atëherë kontrata do të konsiderohet e zgjidhur. Çdo e ardhur e ofruar nga operatorët ekonomikë për këtë shërbim, konsiderohen si e ardhur jashtë limitit për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
ë) Për të shmangur konfliktin e interesit dhe garantimin e paanësisë së shërbimit nga autoritetet doganore, punonjësit doganorë të rekrutuar, sipas procedurave të mësipërme, nuk do të jenë të vendosur pranë operatorëve ekonomikë kërkues të shërbimit, por në struktura të tjera të shërbimit doganor. Shërbimi pranë këtyre operatorëve do të mundësohet nga punonjësit doganorë, pjesë e strukturës organike të administratës doganore.
f) Në rastet kur operatori paraqet kërkesë për shërbime doganore apo që kërkojnë prezencë periodike të punonjësve doganorë pranë ambienteve të tyre, një apo disa herë gjatë vitit, administrata doganore mund të ofrojë shërbime doganore përkundrejt pagesës së tarifave të përcaktuara nga Ministria e Financave, e cila merr në konsideratë koston e plotë të këtij shërbimi. Kjo tarifë bazohet në përcaktimet e legjislacionit të punës për këtë qëllim dhe merr në konsiderate orët e punës, shpenzimet e transportit dhe shpenzime të tjera për kryerjen e shërbimit.”
9. Pjesa X riformulohet, si më poshtë vijon:
“X. Shfuqizime
1. Nenet 3 – 9, 11 – 13 dhe 16 – 19, të vendimit nr.205, datë 13.4.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor”, të ndryshuar, shfuqizohen.
2. Në pikën 6, të nenit 15, të vendimit nr.205, datë 13.4.1999, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të Kodit Doganor”, të ndryshuar, fjalitë “…Kontrollet fizike dhe ato dokumentare nuk mundet të kryhen nga i njëjti doganier. Doganieri përgjegjës për kontrollet fizike, në rastet kur konsiderohet e nevojshme për verifikime doganore, mundet të marrë mostra për t’i dërguar për analiza pranë Laboratorit Kimik Doganor…”, ndryshojnë, me këtë përmbajtje:
“…Kontrollet fizike dhe dokumentare kryhen në përputhje me analizën e riskut. Doganieri përgjegjës, në rastet kur konsiderohet e nevojshme për verifikime doganore, mund të marrë mostra për t’i dërguar për analizim pranë Laboratorit Doganor…”.
10. Departamenti i Administratës Publike dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të marrin të gjitha masat dhe të kryejnë të gjitha procedurat për plotësimin e vendeve të punës, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
        Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT PËR SHQYRTIMIN E APELIMEVE TATIMORE, PËRBËRJEN, KRYESIMIN, SEKRETARIATIN, NDRYSHIMIN E ANËTARËVE DHE MASËN E SHPËRBLIMIT TË TYRE, TË PROCEDURAVE TË SHQYRTIMIT TË ANKIMIT E TË VENDIMMARRJES SI DHE PËRCAKTIMIN E KUFIRIT TË VLERËS OBJEKT SHQYRTIMI I KOMISIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 18, pika 3, e 108, pika 7, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Vlera, objekt ankimi dhe vendimmarrjeje pranë Komisionit të Shqyrtimit të Apelimeve Tatimore
1.1 Në Ministrinë e Financave ngrihet Komisioni për Shqyrtimin e Apelimit Tatimor, në përbërje të të cilit janë 7 (shtatë) anëtarë.
1.2 Komisioni për Shqyrtimin e Apelimit Tatimor, më poshtë referuar si KSHAT, shqyrton dhe merr vendim për ankimin administrativ tatimor që ka për objekt ankimi vlerën mbi 20 000 000 (njëzet  milionë) lekë. Ankimet administrative tatimore deri në këtë vlerë janë objekt shqyrtimi dhe vendimmarrjeje i Drejtorisë së Apelimit Tatimor.
Për qëllime të kësaj pike, vlera objekt ankimi konsiderohet vlera e detyrimit tatimor dhe/ose ulja e tepricës kreditore apo humbjes tatimore si dhe refuzimi i kërkesës për rimbursim.
2. Përbërja, caktimi dhe ndryshimi i anëtarëve të Komisionit të Shqyrtimit të Apelimit Tatimor
2.1 Komisioni i Shqyrtimit të Apelimit Tatimor përbëhet nga 7 (shtatë) anëtarë, përfshirë kryetarin, dhe mbështetet nga sekretariati teknik i KSHAT-it.
2.2 Kryetari dhe anëtarët e KSHAT-it caktohen nga ministri i Financave për një afat 2-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje jo më shumë se 2 mandate, sipas  propozimit të institucioneve përkatëse, me përbërjen e mëposhtme:
a) tre përfaqësues nga Ministria e Financave;
b) dy përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;
c) drejtori i Drejtorisë së Apelimit Tatimor;
ç) një përfaqësues nga Avokatura e Shtetit.
Sekretariati caktohet nga Drejtori i Apelimit, rast pas rasti.
Në rastet kur konstatohet pamundësia e vijimit të ushtrimit të funksioneve të njërit prej anëtarëve të Komisionit, institucioni që e ka propozuar merr masat për zëvendësimin e tij, brenda një afati prej 7 ditësh kalendarike, që nga momenti i konstatimit të këtij fakti. Anëtari i ri zgjidhet për një afat 2-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje sipas kushteve të këtij vendimi.
2.3 Anëtarët e KSHAT-it duhet të jenë diplomuar në shkencat ekonomike ose juridike, të jenë në nivel drejtues dhe të kenë eksperiencë profesionale në administratën publike, në fushën fiskale, jo më pak se 3 vjet, me përjashtim të përfaqësuesit të Avokaturës së Shtetit, i cili duhet të ketë, të paktën, 2 vjet eksperiencë pranë këtij institucioni.
2.4 Sekretariati teknik i komisionit, në çdo rast, përbëhet nga dy punonjës të Drejtorisë së Apelimit Tatimor. Ata duhet të jenë diplomuar në shkencat ekonomike ose juridike, të kenë njohuri të mira, në nivel teknik, për legjislacionin tatimor si dhe të kenë, të paktën, 2 vjet përvojë pune në Drejtorinë e Apelimit Tatimor ose, të paktën, 3 vjet eksperiencë profesionale në administratën tatimore.
2.5 Ministri i Financave, mbi bazën e propozimit me shkrim të institucionit që e propozon anëtarin, ka të drejtën e ndryshimit të kryetarit dhe anëtarëve të komisionit,  në rastet e mëposhtme:
a) Kur kryetari apo anëtari nuk marrin pjesë në tri mbledhje radhazi të komisionit, pa shkaqe të justifikuara;
b) Kur kryetari apo anëtari jep dorëheqjen;
c) Kur kryetari apo anëtari ushtron vendimmarrjen në kushtet e konfliktit të interesit, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike;
ç) Kur kryetari ose anëtari, gjatë ushtrimit të funksioneve të veta, vepron në kundërshtim me interesat e KSHAT-it;
d) Me përfundimin e marrëdhënies së punës pranë institucionit propozues;
dh) Për shkak të sëmundjeve fizike ose mendore, që e bëjnë të paaftë për të kryer funksionet e ngarkuara.
Në rastin e ndryshimit të anëtarit, ministri i Financave mund të kërkojë një vlerësim nga kryetari i KSHAT-it për arsyet e paraqitura nga institucioni propozues apo për veprimtarinë e anëtarit gjatë ushtrimit të detyrës në KSHAT.
3. Kompetencat dhe detyrat e Komisionit të Shqyrtimit të Apelimeve Tatimore
3.1 Kryetari i KSHAT-it, i cili është një nga anëtarët, ushtron këto detyra:
a) Cakton datën dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes së komisionit dhe vendos për rendin e ditës së çdo mbledhjeje;
b) Drejton zhvillimin e mbledhjeve të KSHAT-it;
c) mbikëqyr veprimtarinë e sekretariatit të komisionit;
ç) Cakton anëtarin/anëtarët që do të relatojnë ankimin për shqyrtim nga komisioni në mbledhjen e radhës;
d) Raporton për ecurinë e veprimtarisë së KSHAT-it pranë ministrit të Financave brenda muajit dhjetor të çdo viti ose sa herë i kërkohet prej tij;
dh) Ruan konfidencialitetin e informacionit të marrë gjatë ushtrimit të funksioneve të tij;
e) Nënshkruan vendimet e KSHAT-it, në përputhje me parashkimet e Kodit të Procedurave Administrative.
3.2 Anëtarët e KSHAT-it ushtrojnë këto detyra:
a) Marrin pjesë rregullisht në mbledhjet e KSHAT-it dhe njoftojnë drejtuesin e mbledhjes për mosparaqitjen e tyre dhe arsyet e mungesës;
b) Votojnë për çështjet e rendit të ditës, bazuar në parimin e profesionalitetit dhe ndershmërisë;
c) Deklarojnë në mbledhjen e radhës, para votimit të çdo çështjeje, nëse janë në kushtet e konfliktit të interesit;
ç)  Secili prej anëtarëve relaton para komisionit çështjen e caktuar;
d) Ruajnë konfidencialitetin e informacionit të marrë gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre;
dh) Nënshkruajnë vendimet e KSHAT-it, në përputhje me parashkimet e Kodit të Procedurave Administrative.
3.3 Sekretariati teknik i KSHAT-it ushtron këto detyra:
a) Merr në dorëzim, nga drejtori i Drejtorisë së Apelimit Tatimor, ankimet që janë objekt i shqyrtimit dhe vendimmarrjes së  KSHAT-it;
b) Shpërndan dhe vë në dispozicion të anëtarëve materialet për mbledhjen e radhës, brenda 5 ditëve pune para datës së mbledhjes;
c) Njofton kryetarin e komisionit për çdo ankimim të paraqitur për shqyrtim dhe u njofton anëtarëve  datën e marrjes në shqyrtim të ankimit;
ç) Njofton ankimuesin për ditën, orën dhe vendin e zhvillimit të mbledhjes së KSHAT-it;
d) Verifikon plotësimin e kushteve ligjore për shqyrtimin e apelimit: afatin e paraqitjes së kërkesës, pagesën ose vendosjen e garancisë së detyrimit, paraqitjen e aktit që apelohet dhe dokumentacionin përkatës etj;
dh)  Trajton kërkesën e subjektit për ankimin administrativ dhe aktin përkatës të kontrollit dhe bashkëpunon me relatorin për përgatitjen e relacionit;
e) Mban dhe harton procesverbalin e mbledhjes;
ë) Zbardh vendimin e arsyetuar të marrë në mbledhjen e KSHAT-it.
3.4 KSHAT-I, gjatë shqyrtimit të një ankimi, ka të drejtë të kërkojë nga palët çdo informacion shtesë ose të dhëna plotësuese, që i gjykon të nevojshme, si dhe ka të drejtë të bëjë verifikime, në funksion e për qëllime të shqyrtimit të ankimit.
4. Organizimi dhe procedura për zhvillimin e mbledhjeve
4.1 KSHAT-i mblidhet me kërkesë të kryetarit ose, të paktën, të tre anëtarëve të tij, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e depozitimit të ankimit. Data e mbledhjes caktohet nga kryetari dhe u njoftohet anëtarëve të komisionit nëpërmjet sekretariatit, të paktën 7 (shtatë) ditë pune përpara datës së caktuar për zhvillimin e saj.
4.2 Rendi i ditës përcaktohet nga kryetari dhe i dërgohet çdo anëtari, së bashku me njoftimin për datën e mbledhjes, nëpërmjet sekretariatit.
4.3 Mbledhja e komisionit zhvillohet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të tij.  Kur kjo shumicë nuk është arritur, caktohet një datë tjetër, brenda tri ditëve pune. Çdo ndryshim për datën e mbledhjes i njoftohet, pa vonesë, çdo anëtari. Komisioni mund të mblidhet më shumë se një herë për të njëjtën çështje, sipas nevojës.
4.4 Vendimet, në çdo rast, merren me shumicën absolute të votave të anëtarëve të KSHAT-it.  Komisioni merr vendime vetëm për kërkesa për apelim, të cilat janë përfshirë në rendin e ditës së mbledhjes.
4.5 Në çdo mbledhje mbahet një procesverbal me shkrim, i cili përmban një përmbledhje të gjithë procesit, por pa u kufizuar në opinione të anëtarëve, datën dhe vendin e mbledhjes, anëtarët që morën pjesë, çështjet që u diskutuan, arsyetimi, vendimet që u morën si dhe në rezultatin e votimeve.
Procesverbali mbahet nga sekretariati dhe duhet të paraqitet për nënshkrim nga të gjithë anëtarët në përfundim të mbledhjes ose në fillimin e mbledhjes pasardhëse.
4.6 Për aq sa nuk parashikohet në këtë vendim, procedura e zhvillimit të mbledhjeve të KSHAT-it rregullohet nga parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative dhe të ligjit nr.8480, datë 27.5.1999, “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”.
5. Organizimi dhe procedura e shqyrtimit të ankimimeve
5.1 Ankimi drejtuar Komisionit për Shqyrtimin e Apelimeve Tatimore dërgohet në Ministrinë e Financave dhe protokollohet pranë këtij institucioni, në regjistrin për protokollin e apelimeve tatimore të Ministrisë së Financave, i cili shërben vetëm për këtë qëllim. Ankimet merren në dorëzim nga drejtori i Drejtorisë së Apelimit Tatimor.
5.2 Drejtori i Drejtorisë së Apelimit, brenda tri ditëve, nga paraqitja e kërkesës, në rast se detyrimet objekt ankimimi janë mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, njofton dhe ia përcjell ankimimin administrativ sekretariatit të Komisionit të Shqyrtimit të Apelimit Tatimor.
5.3 Sekretariati i KSHAT-it shqyrton kërkesën dhe dokumentacionin shoqërues dhe përgatit, së bashku me relatorin, një relacion shpjegues për ankimin, për komisionin.
Relacioni përmban, në mënyrë të përmbledhur, objektin e ankimit, çështjet e paraqitura në ankimim, plotësimin ose jo të kushteve e afateve të apelimit dhe shumën totale të detyrimit të ankimuar, pretendimet e apeluesit dhe argumentimet e paraqitura në aktin e kontrollit për secilën çështje të kundërshtuar.
Relacioni, së bashku me praktikën, i përcillet komisionit brenda 20 ditëve kalendarike nga data e protokollimit.
5.4 Pas përgatitjes së relacionit dhe të dokumentacionit që shoqëron ankimimin, sekretariati njofton kryetarin, i cili, në bazë të ankimimeve të paraqitura, cakton datën dhe orën e mbledhjes së komisionit.
5.5 Sekretariati njofton anëtarët e KSHAT-it dhe përfaqësuesin/t ligjor të tatimpaguesit që ka paraqitur ankimin ose personin e caktuar prej tij, në përputhje me një nga format e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative, për datën dhe orën e mbledhjes. Konfirmimi i marrjes së njoftimit është detyrues. Barra e provës për të vërtetuar se një vlerësim tatimor ose vendim është i pasaktë ushtrohet në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.
5.6 Komisioni, në rast se lind e nevojshme, kërkon dokumente shtesë nga tatimpaguesi apo nga administrata tatimore. Komisioni, me shkresë zyrtare, i drejtohet Drejtorisë Rajonale Tatimore, në të cilën tatimpaguesi është regjistruar, për dokumente, të cilat mund të jenë të nevojshme për shqyrtimin e ankimit.
5.7 KSHAT-i verifikon, paraprakisht, kushtet formale të ankesës, lidhur me:
a) juridiksionin administrativ dhe kompetencën lëndore të KSHAT-it për marrjen në shqyrtim të ankimit të paraqitur;
b) legjitimimin e ankuesit;
c) respektimin e afateve ligjore për ankimim;
ç) elementet e domosdoshme të ankesës.
Për çështjen objekt ankimi, komisioni ka të drejtë të vendosë refuzimin e shqyrtimit të ankimimit në rast të mospërmbushjes së kushteve ligjore, të përcaktuara në kapitullin XIII, të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
5.8 Pasi vendos për marrjen në shqyrtim të ankimit, KSHAT-i dëgjon relatorin e çështjes dhe/ose përfaqësuesin e tatimpaguesit, shqyrton argumentet e faktet dhe merr vendim për ankimin. Komisioni, kur gjykon se është e nevojshme, thërret dhe dëgjon, gjatë seancës së shqyrtimit, inspektorët e kontrollit ose punonjës të administratës, përfaqësues të strukturës që kanë nxjerrë aktin.
5.9 Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe dëgjimit të palëve, KSHAT-i shqyrton çështjen dhe merr vendim, duke arsyetuar vendimin. Në rast se një ankim ka disa çështje të apeluara, atëherë komisioni ka të drejtë të marrë vendim për secilën çështje më vete.
Në varësi të problemeve, elementeve shtesë ose kërkesave që identifikohen gjatë mbledhjes për shqyrtimin e ankimit, komisioni, për shqyrtimin e një çështjeje, përpara se të marrë vendim, ka të drejtë të vendosë të zhvillojë më shumë se një mbledhje.
5.10 Komisioni, pas shqyrtimit të ankimit, në përfundim, ka të drejtë të vendosë:
a) lënien në fuqi të aktit objekt ankimi dhe rrëzimin e ankimit;
b) shfuqizimin/revokimin e aktit, objekt ankimi;
c) ndryshimin e aktit objekt ankimi, duke e pranuar pjesërisht ankimin.
5.11 Vendimi për shqyrtimin e ankimit administrativ tatimor merret me shumicë votash të KSHAT-it. Ky vendim zbardhet nga sekretariati i komisionit, duke përfshirë një shpjegim me shkrim për mbështetjen ligjore të tij  si dhe arsyetimin, i cili përmban:
a) shpjegimin e situatës faktike mbi të cilën është marrë vendimi;
b) shpjegimin e përmbledhur të rezultatit të shqyrtimit administrativ dhe të vlerësimit të provave;
c) bazën ligjore të vendimit dhe një shpjegim pse kushtet ligjore për zbatimin e tij plotësohen në këtë rast.
5.12 Në përputhje me afatet e parashikuara në ligjin për procedurat tatimore për shqyrtimin e ankimit administrativ tatimor, vendimi i nënshkruar nga KSHAT-i i dërgohet, në rrugë zyrtare, tatimpaguesit, drejtorisë rajonale tatimore, që ka nxjerrë aktin objekt ankimi dhe, për dijeni, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
6. Shpërblimi i Komisionit të Shqyrtimit të Apelimeve Tatimore
6.1 Masa e shpërblimit për kryetarin/anëtarët e KSHAT-it është 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj.
6.2 Sekretariati i KSHAT-it merr një shpërblim në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë në muaj.
6.3 Shpërblimi kryhet në rast të pjesëmarrjes, së paku, në një mbledhje në muaj. Numri maksimal i pagesave të kryera në një vit, pavarësisht numrit të mbledhjeve, të mos jetë më shumë se 12 (dymbëdhjetë).
6.4 Shpenzimet për kryerjen e pagesës së punonjësve në përbërje të këtij komisioni, të cilat vërtetohen kundrejt dokumentit të pjesëmarrjes në mbledhje, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Financave.
7. Dispozita të fundit
7.1 Ministri i Financave, me propozim të KSHAT-it, kur gjykohet e nevojshme, miraton rregulloren e brendshme.
7.2 Komisioni i Shqyrtimit të Apelimeve, në përputhje me objektin e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, shqyrton dhe merr vendim për ankimet administrative të paraqitura pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KONTROLLIN SHTETËROR PORTUAL NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 401, të ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10109, datë 2.4.2009, “Për administratën detare të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e rregullores “Për kontrollin shtetëror portual në Republikën e Shqipërisë”, sipas tekstit dhe shtojcave që i bashkëlidhen dhe janë pjesë përbërëse e këtij vendimi.
Ngarkohet ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të aneksit B/II, të kësaj rregulloreje.
Ngarkohet Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË LEGALIZIMIT TË OBJEKTEVE ME LEJE NDËRTIMI, NË TË CILAT JANË KRYER SHTESA ANËSORE DHE/OSE NË LARTËSI OSE NDRYSHIME TË FUNKSIONIT TË HAPËSIRAVE DHE TË OBJEKTEVE SHUMËKATËSHE PA LEJE, TË DESTINUARA PËR KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË APO QIRADHËNIEN

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 36 e 43/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I.     LEGALIZIMI NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE ME LEJE NDËRTIMI, NË TË CILAT JANË KRYER SHTESA ANËSORE DHE/OSE NË LARTËSI OSE NDRYSHIME TË FUNKSIONIT TË HAPËSIRAVE 

1.    Procedurat e legalizimit të objektit me leje ndërtimi, në të cilin janë kryer shtesa anësore dhe/ose në lartësi ose ndryshim i funksionit të hapësirave, kryhen në favor të poseduesve (si porositës apo pronarë trualli, sipas kontratave të porosisë/sipërmarrjes ose aktmarrëveshjes) në rastet e mëposhtme:

a)    Subjekti ndërtues/investitori është në kushtet e nenit 99 (ose 187) të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për shoqëritë tregtare”, të ndryshuar; ose
b)    Subjekti ndërtues/investitori nuk dorëzon brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga data e njoftimit dokumentacionin e kërkuar zyrtarisht nga ALUIZNI sipas ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, ose nuk shlyen, brenda të njëjtit afat, detyrimet financiare sipas nenit 43, të të njëjtit ligj. Këtu përfshihet dhe rasti kur subjekti rezulton me veprimtari të pezulluar prej të paktën 1 viti, sipas informacionit të administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit; ose
c)    Subjekti ndërtues/investitori nuk ka paraqitur aplikim për legalizim, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

2.    Kur plotësohen kushtet e pikës 1, të këtij vendimi, drejtoritë e ALUIZNI-t vijojnë legalizimin në favor të poseduesve të apartamenteve ose ambienteve me funksion social-ekonomik, në vijim të quajtura “njësi individuale”, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në këtë vendim.

3.    Drejtoritë e varësisë të ALUIZNI-t, pas kryerjes së procedurave të evidentimit në terren, hartojnë listat e ndërtimeve të ngritura nga subjektet që gjenden në kushtet e pikës 1, të këtij vendimi, si dhe listën e poseduesve të njësive individuale dhe i afishojnë ato në faqen zyrtare të ALUIZNI-t, në ambientet e drejtorive dhe të objekteve që do t’i nënshtrohen procesit të legalizimit, si dhe pranë njësive të qeverisjes vendore.

4.    Legalizimi dhe regjistrimi për objektet që trajtohen sipas këtij kreu, në varësi të gjendjes ligjore, kryhen në dy faza:

a)    Miratimi i lejes së legalizimit për objektin kryesor (sipas projektit të miratuar nga organi kompetent) së bashku me shtesat anësore dhe/ose në lartësi të realizuara dhe të deklaruara nga subjekti ndërtues dhe regjistrimi i tyre në ZVRPP në emër të ALUIZNI-t.
b)    Miratimi i lejes së legalizimit për shtesat anësore dhe/ose në lartësi të realizuara dhe të deklaruara nga vetë subjektet poseduese.

5.    U nënshtrohen kritereve kualifikuese të parashikuara në vendimin nr.280, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”, vetëm shtesat në tejkalim të lejes së ndërtimit. Nëse shtesa gjendet në kushtet e përjashtimit nga legalizimi, legalizohet dhe regjistrohet vetëm objekti kryesor.

6.    Poseduesit e njësive individuale duhet të dorëzojnë brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e afishimit publik sipas pikës 3, të këtij vendimi, dokumentacionin që provon marrëdhënien juridiko-civile me subjektin ndërtues/investitor. Miratimi i lejeve të legalizimit për njësitë individuale në favor të poseduesve kryhet pas zbatimit të procedurës së përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 4, të këtij vendimi.

7.    Nëse objekti me leje ndërtimi, në të cilin janë kryer shtesa anësore dhe/ose në lartësi ose ndryshim i funksionit të hapësirave, është ngritur në truall privat, pronarët e truallit përfitojnë pjesët përkatëse në objektin kryesor dhe në shtesat e realizuara nga subjekti ndërtues/investitor, në përputhje me shkronjën “c”, të nenit 37, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar.

8.    Njësitë individuale, për të cilat nuk janë lidhur kontrata porosie/sipërmarrjeje ose aktmarrëveshje, legalizohen në emër të subjektit ndërtues/investitor, me përjashtim të atyre që i takojnë pronarit të truallit sipas paragrafit të dytë, të shkronjës “c”, të nenit 37, të ligjit të sipërpërmendur. Në rastet e shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, kur mbi njësinë individuale nuk ka pretendime nga të tretë, ajo legalizohet në favor të shtetit.

9.    Në rastet e ekzekutimit të detyrueshëm mbi objektin apo mbi njësitë individuale zbatohen përcaktimet e pikave 8/3 deri në 8/7, të vendimit nr.280, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, procedurave e dokumentacionit të zbatueshëm për të kualifikuar ndërtimet pa leje, shtesat anësore dhe/ose në lartësi, në ndërtime me leje”, të ndryshuar.
Në çdo rast, ekzekutimi i detyrueshëm, që lidhet me pasuritë e subjektit ndërtues/investitor, nuk mund të shtrihet mbi njësitë individuale të poseduesve ose mbi shtesat e realizuara dhe të deklaruara prej tyre.

10.    Kur për të njëjtën njësi individuale ka pretendime pronësie nga dy apo më shumë persona, mosmarrëveshja zgjidhet nga gjykata. Procedurat e legalizimit pezullohen vetëm për njësinë individuale që është objekt i mosmarrëveshjes, me paraqitjen e vërtetimit gjyqësor nga pala e interesuar apo me vendim gjyqësor për vendosjen e masës së sigurimit të padisë. Këto procedura rinisin në përputhje me dispozitivin e vendimit gjyqësor të formës së prerë, të dorëzuar nga subjekti i interesuar.

11.    Procedurat e legalizimit sipas këtij kreu nuk pengohen nga detyrimet kontraktore që mund të ekzistojnë ndërmjet poseduesve dhe subjektit ndërtues/investitor lidhur me njësitë individuale dhe as nuk i shuajnë këto detyrime.

12.    Regjistrimi i njësive individuale dhe i pjesës takuese të bashkëpronësisë kryhet sipas lejes së legalizimit. Për këtë qëllim, zbatohen procedurat e parashikuara në vendimin nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës, ndërmjet ALUIZNI-t dhe ZQRPP-së, dhe të procedurave apo kufizimeve që zbatohen për efekt të regjistrimit të pasurive të legalizuara”. Poseduesit e njësive individuale, krahas pagesës së tarifës së regjistrimit për këto njësi, paguajnë solidarisht edhe tarifën e regjistrimit të objektit në tërësi sipas shkronjës “a”, të pikës 4, të këtij vendimi.

13.    Akti për qëndrueshmërinë konstruktive të objektit në tërësi, sipas nenit 37, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, depozitohet nga poseduesit e njësive individuale.

14.    Për pagesën e tarifës së shërbimit nga poseduesit zbatohen pikat 2 deri në 4/1, të vendimit nr.860, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim”, të ndryshuar.

15.    Penalitetet sipas nenit 43, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe detyrimet tatimore, të parashikuara nga nenet 11 dhe 20, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, mbarten nga subjekti ndërtues/investitor dhe nuk pengojnë legalizimin në favor të poseduesve, sipas këtij kreu.

Penalitetet llogariten nga drejtoria e ALUIZNI-t dhe i njoftohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Nëse subjekti është duke iu nënshtruar procedurave të falimentit, ato i njoftohen edhe personit të ngarkuar me likuidimin e shoqërisë tregtare dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit.

Detyrimet tatimore mbarten nga subjekti ndërtues, edhe pse kalimi i së drejtës së pronësisë mbi njësitë individuale kryhet nga ALUIZNI nëpërmjet lejes së legalizimit. Sipas kësaj pike, ALUIZNI përcjell pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve informacionin dhe dokumentacionin e nevojshëm për vlerësimin e detyrimeve tatimore.
Pagesa për taksën e ndikimit në infrastrukturë nuk pengon legalizimin sipas këtij kreu dhe kryhet në çdo rast nga subjekti ndërtues/investitor.

16.    Rastet e parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, për efekt të detyrimeve të subjektit ndërtues/investitor për pagesën e penalitetit dhe tatimit, trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi nga institucionet tatimore dhe ato të mbikëqyrjes së shoqërive tregtare.

II.    LEGALIZIMI NË EMËR TË SUBJEKTIT NDËRTUES/INVESTITOR

17.    Për objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, që nuk trajtohen sipas kreut I, të këtij vendimi, leja e legalizimit miratohet për subjektin ndërtues/investitor që rezulton i tillë nga leja e ndërtimit apo për subjektin që ka fituar të drejta mbi ndërtimin, nëpërmjet:

a)    veprimeve juridiko-civile (kontrata, akte noteriale) për kalimin e të drejtave mbi objektin, nga investitori/ndërtuesi te një subjekt tjetër;
b) vendimit gjyqësor të formës së prerë.

18.    Legalizimi nuk pengohet nga detyrimet tatimore që kanë palët si rezultat i veprimeve të kryera më parë për kalimin e të drejtave mbi objektin dhe as nuk i shuan këto detyrime. Sipas kësaj pike, ALUIZNI, në momentin e dërgimit të lejes së legalizimit për regjistrim, përcjell kopje të dokumentacionit të praktikës për vlerësimin e detyrimeve tatimore, pranë drejtorisë rajonale të tatimeve.
Kur kalimi i të drejtave mbi objektin është kryer pa kundërshpërblim, zbatohen përcaktimet e pikës 9, të udhëzimit të përbashkët të ministrit të Financave dhe ministrit të Drejtësisë nr.9, datë 26.2.2008, të ndryshuar.

19.    Rregullat e përcaktuara në pikat 4, 5 dhe 9, të këtij vendimi, zbatohen edhe për objektet që legalizohen sipas këtij kreu.

III. LEGALIZIMI I OBJEKTEVE SHUMËKATËSHE PA LEJE NDËRTIMI, TË DESTINUARA PËR KALIM PRONËSIE APO QIRADHËNIE 

20.    Evidentimi i objekteve shumëkatëshe (mbi 5 kate), të ngritura pa leje ndërtimi të organeve kompetente, për qëllim shitblerjeje apo qiradhënieje të njësive individuale të banimit apo shërbimit, kryhet nga drejtoritë e ALUIZNI-t, nëpërmjet bashkërendimit dhe shkëmbimit të informacionit me njësitë e qeverisjes vendore si dhe nëpërmjet procedurave të evidentimit në terren.

21.    Subjekti, që ka ngritur ndërtimin shumëkatësh pa leje me qëllim shitblerjeje dhe/ose qiradhënieje, paguan:

a)    taksën e ndikimit në infrastrukturë sipas ligjit për sistemin e taksave vendore. Procedura që ndiqet në zbatim të kësaj pike është ajo e përcaktuar në pikën 5, të vendimit nr.860, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim”, të ndryshuar.
b)    tarifën për legalizim, në po të njëjtën masë.

Tarifa për legalizim paguhet nga subjekti që ka ngritur ndërtimin, pranë ALUIZNI-t, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e njoftimit me shkrim, duke ndjekur të njëjtën procedurë si në pikën 4/1, të vendimit nr.860, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim”, të ndryshuar.

22.    Nëse për legalizimin e objektit shumëkatësh kanë aplikuar si ndërtuesi ashtu dhe banorët, procedurat e legalizimit për objektin kryhen vetëm në emër të ndërtuesit. Përjashtimisht, kur subjekti, që ka ngritur ndërtimin, u ka kaluar të drejtat mbi njësitë individuale përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi ose kur nuk plotëson dokumentacionin e nevojshëm për legalizim, procedurat vijojnë në favor të banorëve.

23.    Kur leja e legalizimit miratohet për banorët e njësive individuale, ata paguajnë vetëm taksën e ndikimit në infrastrukturë, në përputhje me paragrafin e tretë, të pikës 3, të nenit 27, të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.

24.    Veprimet juridiko-civile të ndërtuesit (aplikues për legalizim), të kryera pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për kalimin e të drejtave mbi objektin që legalizohet sipas këtij kreu apo mbi njësitë individuale, nuk merren parasysh nga drejtoritë e ALUIZNI-t. Përjashtim nga ky rregull bëjnë rastet kur procedurat e legalizimit kryhen për poseduesit e njësive individuale.

 

IV. DISPOZITA TË FUNDIT 

25.    Problematikat e pozicionimit të objektit me shkelje të lejes së ndërtimit dhe/ose të sheshit të ndërtimit zgjidhen duke u mbështetur në gjendjen faktike ndërtimore, të evidentuar në terren. Drejtoritë e ALUIZNI-t vijojnë legalizimin e objektit sipas këtij evidentimi, pavarësisht nga ndryshimi midis gjendjes faktike dhe dokumentacionit të lejes së lëshuar nga autoriteti vendor.

26.    Në rastin kur rezulton se objekti/sheshi i ndërtimit shtrihet jashtë truallit të përcaktuar në lejen e ndërtimit, drejtoritë e ALUIZNI-t procedojnë sipas neneve 15/1 dhe 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre, nëse nuk arrihet marrëveshje juridiko-civile mes palëve private.
Këto dispozita zbatohen edhe kur ka ndryshime të gjendjes juridike të pronësisë të sheshit të ndërtimit, në raport me dokumentacionin e lejes përkatëse të ndërtimit.

27.    Për efekt të llogaritjes dhe arkëtimit të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga njësitë e qeverisjes vendore, për të gjitha ndërtimet që trajtohen sipas këtij vendimi, drejtoritë e ALUIZNI-t zbatojnë procedurat e parashikuara në pikën 5, të vendimit nr.860, datë 10.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim”, të ndryshuar.

28.    Në fund të pikës 11, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, shtohen fjalët “… ose kur gjendja juridike e pronësisë së sheshit të ndërtimit ka ndryshuar.”.

29.    Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.