Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Janar 2018
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2018, MIRATUAR PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, zëri “Shërbime qeveritare”, t’i shtohet fondi prej 60 000 000 (gjashtëdhjetë milionë) lekësh, për organizimin e eventeve, në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skëndërbeut”.
2. Efekti financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2018.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.308, DATË 21.5.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PAKETAVE TË SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE QË DO TË FINANCOHEN NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR NË SHËRBIMIN SPITALOR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shtojcat 6 dhe 7, që i bashkëlidhen vendimit nr.308, datë 21.5.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohen përkatësisht me shtojcat me të njëjtin numër, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA