Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Nëntor 2020: 

 

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË BANESAVE INDIVIDUALE DHE TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKITË DURRËS, LEZHË DHE KAMZË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 318 330 000 (treqind e tetëmbëdhjetë milionë e treqind e tridhjetë mijë) lekë, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, në bashkitë Durrës, Lezhë e Kamzë.

2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2020, dhe t’u kalojë bashkive Durrës, Lezhë dhe Kamzë, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat) për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, përkatësisht, si më poshtë vijon:

a) Bashkisë Durrës i transferohet fondi prej 63 250 000 (gjashtëdhjetë e tre milionë e dyqind e pesëdhjetë mijë) lekësh;
b) Bashkisë Lezhë i transferohet fondi prej 78 750 000 (shtatëdhjetë e tetë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë mijë) lekësh;
c) Bashkisë Kamzë i transferohet fondi prej 176 330 000 (njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë milionë e treqind e tridhjetë mijë) lekësh.

3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Durrës, Lezhë e Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.5, DATË 6.1.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR PËRFITIMET NGA PROGRAMI I GRANTEVE TË RINDËRTIMIT DHE PROJEKTET MODEL”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës dhe të neneve 18, 19, 20 e 25, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pika 8, e kreut II, të vendimit nr.5, datë 6.1.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“8. Projekt model konsiderohet edhe:

a) projekti që realizon vetë subjekti, që kërkon përfitimin e grantit, me kusht që të plotësojë kërkesat dhe standardet sipas parimeve të procesit të rindërtimit dhe sipas parashikimeve të këtij vendimi;
b) projekti që realizon vetë subjekti, kur ndërtimi do të realizohet në të njëjtin truall dhe sipërfaqja e truallit nuk lejon realizimin e projektit model, me kusht që të plotësojë kërkesat dhe standardet sipas parimeve të procesit të rindërtimit dhe sipas parashikimeve të këtij vendimi.

Vlera e grantit që përfitohet, edhe në këto raste, përllogaritet sipas parashikimeve të kreut III, të këtij vendimi, dhe miratohet me vendim të këshillit bashkiak të njësisë së vetëqeverisjes vendore.”.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ministri i Shtetit për Rindërtimin, Enti Kombëtar i Banesave dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatim të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PLANIT TË VEPRIMIT 2020-2023, NË ZBATIM TË STRATEGJISË SË EDUKIMIT LIGJOR PËR PUBLIKUN 2019-2023

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e planit të veprimit 2020-2023, në zbatim të Strategjisë së Edukimit Ligjor për Publikun 2019-2023, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, ministritë e linjës, si dhe institucionet e subjektet e përmendura në planin e veprimit për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LETËRMARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES SË HUAS (DATË 30 QERSHOR 2008, MARRËVESHJE HUAJE NR.ABA-P3), NDËRMJET QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS JAPONEZE PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR (TË ZËVENDËSUAR NGA AGJENCIA JAPONEZE E BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR, NË TETOR 2008), PËR PROJEKTIN “PËRMIRËSIMI I SISTEMIT TË KANALIZIMEVE PËR TIRANËN E MADHE”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.9964, DATË 24.7.2008

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12 e 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e letërmarrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas (datë 30 qershor 2008, marrëveshje huaje nr.ABA-P3), ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (të zëvendësuar nga Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në tetor 2008), për projektin “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e madhe”, ratifikuar me ligjin nr.9964, datë 24.7.2008, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA PROJEKTI “RIKONSTRUKSION SHESHI “ISMAIL QEMALI” DHE RRUGA “VETERANI”, BASHKIA POGRADEC”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga projekti “Rikonstruksion sheshi “Ismail Qemali” dhe rruga “Veterani”, Bashkia Pogradec”.

2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Pogradec.

3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit tokë “truall”, me vlerë 4 107 226.5 (katër milionë e njëqind e shtatë mijë e dyqind e njëzet e gjashtë pikë pesë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 4 107 226.5 (katër milionë e njëqind e shtatë mijë e dyqind e njëzet e gjashtë pikë pesë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë 3 (tre) muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, pranë Bashkisë Pogradec.

8. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Pogradec.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Pogradec.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Pogradec.

11. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Pogradec për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRTIMI I NËNSTACIONIT 400/110/20 KV TIRANA 3”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Ndërtimi i nënstacionit 400/110/20 Kv Tirana 3”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të “Operatorit të Sistemit të Transmetimit”, sh.a.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, në shumën e përgjithshme prej 18 711 640 (tetëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 18 711 640 (tetëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e njëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet) lekësh, të përballohet nga “Operatori i Sistemit të Transmetimit”, sh.a.

5. Vlera për shpenzimet procedurale, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuidim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit, në zyrat e “Operatorit të Sistemit të Transmetimit”, sh.a.

8. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me “Operatorin e Sistemit të Transmetimit”, sh.a., të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të “Operatorit të Sistemit të Transmetimit”, sh.a.

9. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën treguese të regjistrimit.

10. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, “Operatori i Sistemit të Transmetimit”, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2018, PËR PROJEKTIN “PROGRAMI I INVESTIMEVE PËR ZHVILLIM TË INTEGRUAR RAJONAL”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2018, për projektin “Programi i investimeve për zhvillim të integruar rajonal”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E RASTEVE DHE TË MËNYRËS SË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET PUSHTETIT QENDROR E NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE, PËR KRIJIMIN OSE SHTIMIN E FONDIT PUBLIK TË BANESAVE SOCIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi:

a) i rasteve të bashkëpunimit, ndërmjet pushtetit qendror e njësive të vetëqeverisjes vendore, për krijimin ose shtimin e fondit publik të banesave sociale; dhe
b) i mënyrës së bashkëpunimit, ndërmjet pushtetit qendror e njësive të vetëqeverisjes vendore, për këtë qëllim.

2. Bashkëpunimi ndërmjet pushtetit qendror e njësive të vetëqeverisjes vendore realizohet në të gjitha rastet kur njësitë e vetëqeverisjes vendore kërkojnë mbështetje financiare ose administrative nga ministria përgjegjëse për strehimin për krijimin ose shtimin e fondit publik të banesave sociale në pronësi të tyre.

3. Mbështetja financiare për krijimin ose shtimin e fondit publik të banesave sociale, sipas mënyrave të përcaktuara në pikën 1, të nenit 18, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, i akordohet njësisë së vetëqeverisjes vendore nga ministria përgjegjëse për strehimin, brenda tavaneve buxhetore të miratuara çdo vit për strehimin dhe bazuar në:
a) nevojat e evidentuara në planet vendore 5- (pesë-) vjeçare të strehimit;
b) plotësimin e nevojave nëpërmjet banesave me qira në pronësi të pronarëve socialë;
c) mundësitë e bashkëfinancimit nga të ardhurat e veta të njësisë së vetëqeverisjes vendore, të parashikuara në buxhetin vendor afatmesëm, atë vjetor e të miratuar me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore;
ç) financime të mundshme nga subjekte private fitimprurëse, jofitimprurëse dhe donacione;
d) kërkesën për mbështetje financiare, së bashku me përqindjen e bashkëfinancimit nga të ardhurat vendore, miratuar nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore;
dh) udhëzimin nr.3, datë 18.11.2019, të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, “Për procedurat standarde të aplikimit dhe kriteret për përfitimin e fondeve nga buxheti i shtetit për programet e strehimit”.

4. Ministria përgjegjëse për strehimin bashkëpunon me njësitë e vetëqeverisjes vendore në rastet kur kërkohet krijimi ose shtimi i fondit publik të banesave sociale nëpërmjet transferimit të pronave në emër të njësive të vetëqeverisjes vendore për t’u përshtatur në banesë sociale me qira.

5. Në rastin e parashikuar në pikën 4, të këtij vendimi, ndiqen procedurat e përcaktuara në vendimin nr.458, datë 3.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e kthimit në fond banese, me qëllim strehimi, të objekteve pronë shtetërore, që përshtaten nga njësitë e vetëqeverisjes vendore me grante konkurruese nga buxheti i shtetit”.

6. Njësitë e vetëqeverisjes vendore i kërkojnë mbështetje administrative ministrisë përgjegjëse për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara, në rast të kalimit të pronësisë ose të administrimit mbi pronat e konfiskuara, si pasuri të vëna me aktivitet të paligjshëm.

7. Në rastin e parashikuar në pikën 6, të këtij vendimi, ndiqet procedura e mëposhtme:

a) Njësia e vetëqeverisjes vendore, pasi ka verifikuar mundësinë e përdorimit për strehim social të objektit të konfiskuar, i drejtohet me kërkesë me shkrim ministrisë përgjegjëse në varësi të së cilës është Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara;
b) Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara përgjigjet për përgatitjen e dokumentacionit përkatës, bazuar ne kërkesën e njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe për paraqitjen e këtij dokumentacioni pranë Komitetit Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar;
c) Pasi merret miratimi nga Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar, ministria përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për strehimin, i propozojnë Këshillit të Ministrave kalimin e objektit në pronësi të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse;
ç) Në rastet kur prona destinohet të bëhet pjesë e fondit publik të banesave sociale me qira, por mbetet në pronësi të pushtetit qendror, objekti kalon në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara.

8. Mbështetja financiare i akordohet Entit Kombëtar të Banesave për krijimin ose shtimin e fondit publik të banesave sociale në pronësi të pushtetit qendror, kur ky i fundit aplikon për mbështetje financiare nëpërmjet ndërtimit ose përshtatjes së objekteve ekzistuese, sipas studimit të fizibilitetit të hartuar nga Enti Kombëtar i Banesave dhe kur ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me njësinë e vetëqeverisjes vendore, e cila parashikon, ndër të tjera:

a) kalimin e pronësisë së truallit, pronë shtetërore ose në pronësi të qeverisjes vendore, ose të objektit ekzistues, së bashku me truallin në emër të Entit Kombëtar të Banesave, me qëllim investimin në banesa sociale me qira;
b) bashkëfinancimin nga të ardhurat e Entit Kombëtar të Banesave për realizimin e projektit;
c) nivelin e qirasë, që duhet të mbulojë kthimin e pjesës së investimit të realizuar me të ardhurat e Entit Kombëtar të Banesave, si dhe kostot për administrimin e mirëmbajtjen e banesave sociale;
ç) subvencionimin nga njësitë e vetëqeverisjes vendore të qirasë për familjet që do të strehohen, sipas aftësisë së tyre përballuese.

9. Njësitë e vetëqeverisjes vendore krijojnë regjistrin e fondit të banesave sociale në pronësinë e tyre, që përdoren për t’u dhënë me qira. Për çdo banesë sociale regjistri përmban:

a) informacionin gjeohapësinor të vendndodhjes së banesave, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.359, datë 11.5.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – Tema: Ndërtesat”;
b) planvendosjen e tyre;
c) planimetrinë e apartamenteve;
ç) informacionin për gjendjen teknike të çdo apartamenti;
d) vlerën e investimit fillestar;
dh) vlerën e investuar për rehabilitimin ose rinovimin e tyre;
e) vitin kur ka përfunduar ndërtimi;
ë) vitin kur janë bërë punimet e rinovimit;
f) subjektin që është ngarkuar ose kontraktuar për menaxhimin e tyre.

10. Në një faqe të posaçme të regjistrit të fondit të banesave sociale hidhen të dhënat për banesat në pronësi të pronarit social, për aq kohë sa ato janë në përdorim si banesa sociale me qira vetëm për efekt të evidentimit të qëllimit të tyre dhe të lehtësimit të menaxhimit e mbikëqyrjes së kontratës së qirasë, për të cilën paguhet subvencioni nga njësia e vetëqeverisjes vendore, nga buxheti i shtetit ose nga të dyja bashkë. Krahas informacionit të parashikuar në pikën 8, të këtij vendimi, për banesat në pronësi të pronarit social evidentohen edhe të dhënat që lidhen me kontratën e lidhur me pronarin e tyre dhe kushtet kryesore kontraktore, të tilla si: afati e vlera e qirasë. Këto banesa vazhdojnë të mbeten në pronësi të pronarit social dhe nuk bëhen pjesë e fondit publik të banesave sociale që janë në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore. Pronarët socialë detyrohen që, me anë të personave përgjegjës të autorizuar nga drejtuesi i tyre, të depozitojnë informacionin me të dhënat e parashikuara në këtë pikë të këtij vendimi, pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore.

11. Ministria përgjegjëse për strehimin nëpërmjet strukturës përgjegjëse për strehimin monitoron mënyrën e administrimit e të përdorimit të fondeve nga buxheti i shtetit në rastet e financimeve apo bashkëfinancimeve nga buxheti i shtetit lidhur me:

a) verifikimin e përmbushjes së qëllimit të përdorimit të fondit nga buxheti i shtetit të dedikuar për krijimin ose shtimin e fondit publik të banesave sociale;
b) mbikëqyrjen e hapave ligjorë, me qëllim administrimin e këtyre fondeve;
c) mbikëqyrjen e procedurave që lidhen me ndërtimin, me blerjen ose me dhurimin e banesave që bëhen pjesë e fondit publik të banesave sociale.

12. Konkluzionet që mund të dalin nga monitorimi i përcillen kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, me qëllim përmirësimin e administrimit e të përdorimit të fondeve nga buxheti i shtetit.

13. Njësitë e vetëqeverisjes vendore i raportojnë ministrisë përgjegjëse për strehimin, brenda muajit dhjetor të çdo viti, për numrin e banesave sociale të regjistruara në regjistrin vendor e formën e sigurimit të tyre edhe kur ato janë siguruar vetëm me të ardhurat e njësive të vetëqeverisjes vendore, me anë të dhurimit ose me forma të tjera të parashikuara në ligjin për banesat sociale.
14. Njësitë e vetëqeverisjes vendore përditësojnë bazën e të dhënave gjeohapësinore për banesat sociale, duke i përcjellë informacionin, sipas shkronjës “a”, të pikës 8, të këtij vendimi, Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapsinor (ASIG) për publikim në Gjeoportalin Kombëtar që administrohet nga ASIG-u.

15. Ngarkohen ministria përgjegjëse për strehimin, ministria përgjegjëse në varësi të së cilës është Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara, Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar, Enti Kombëtar i Banesave dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PLANIT TË SHPENZIMEVE, PËR VITIN 2021, TË ENTIT RREGULLATOR TË SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE LARGIMIT E PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA (ERRU)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 11, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e planit të shpenzimeve, për vitin 2021, të Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU), në shumën 51 919 550 (pesëdhjetë e një milionë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e pesëqind e pesëdhjetë) lekë, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohet Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

LIRIMIN DHE EMËRIMIN NË DETYRË TË PREFEKTIT TË QARKUT TË TIRANËS

Në mbështetje të neneve 100 e 114, të Kushtetutës, dhe të nenit 5, të ligjit nr.107/2016, “Për prefektin e qarkut”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Znj. Suzana Jahollari, prefekt i Qarkut të Tiranës, lirohet nga kjo detyrë.

2. Z. Toni Gogu emërohet prefekt i Qarkut të Tiranës.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1128, DATË 5.8.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE ADMINISTRIMIN E MALLRAVE REZERVË MATERIALE SHTETËRORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 6 e 10, të ligjit nr.9900, datë 10.4.2008, “Për rezervat materiale të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Tabela e grupit “C”, në lidhjen nr.1, “Lista e mallrave rezervë materiale shtetërore sipas grupeve, e ndarë në lloje dhe sasi”, bashkëlidhur vendimit nr.1128, datë 5.8.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale të Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË KORÇË, TË NJË SIPËRFAQEJE TRUALLI FUNKSIONAL E TË NJË OBJEKTI, NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË MBROJTJES, BRENDA TERRITORIT TË PRONËS NR.1211, ME EMËRTIM “ISH-BATALION AT”, ME VENDNDODHJE NË DARDHË, KORÇË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin, në pronësi të Bashkisë Korçë, të një sipërfaqeje trualli funksional dhe të një objekti, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, me sipërfaqe të përgjithshme prej 1 812 (një mijë e tetëqind e dymbëdhjetë) m², nga trualli funksional i pronës nr.1211, me emërtim “Ish-batalion AT”, me vendndodhje në Dardhë, Korçë, sipas planvendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për ndërtim rruge publike, për zhvillimin e projektit “Ndërhyrje për përmirësimin e segmentit rrugor Boboshticë – Dardhë”.

2. Bashkisë Korçë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të sipërfaqes së pronës, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë atë në përdorim të tretëve.

3. Për sigurinë dhe ruajtjen e pronës, para fillimit të punimeve, Bashkia Korçë të ndërtojë rrethimin në kufijtë e rinj të pronës dhe çdo element që lidhet me rrethimin, duke i kthyer në gjendjen e tyre të mëparshme, të kryejë zhvendosjen e rrjeteve inxhinierike që prek gjurma e sipërfaqes së pronës, e cila i kalon në pronësi, sipas parametrave dhe kushteve teknike, e për këtë të hartohet aktmarrëveshje ndërmjet Bashkisë Korçë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, të përfaqësuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Komanda Mbështetëse.

4. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet sipërfaqja prej 1 812 (një mijë e tetëqind e dymbëdhjetë) m² nga trualli funksional i pronës nr.1211, me emërtim “Ish-batalion AT”, me vendndodhje në Dardhë, Korçë, sipas planvendosjes, dhe përmasat e kësaj prone të zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularin standard të inventarizimit e në planvendosjen që i bashkëlidhen këtij vendimi.

5. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë Korçë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për ndjekjen e zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

EMËRIM NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Z. Besart Kadia emërohet zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.511, DATË 24.10.2002, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KOHËZGJATJEN E PUNËS DHE TË PUSHIMIT NË INSTITUCIONET SHTETËRORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 40, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të neneve 76-108, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.511, datë 24.10.2002, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore”
2. Në kreun I bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 1, fjalët “… publike të nivelit qendror, si dhe në institucionet e tjera shtetërore” zëvendësohen me “… shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore”.
b) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Për institucionet e administratës shtetërore, orari ditor i punës fillon çdo ditë në orën 8:00 dhe përfundon në orën 16:30, ndërsa ditën e premte fillon në orën 8:00 dhe përfundon në orën 14:00. Institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore e përcaktojnë vetë orarin ditor të punës.”.
c) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Për institucionet e administratës shtetërore, në raste të veçanta dhe për arsye objektive, orari ditor i punës mund të ndryshohet me urdhër të Kryeministrit, por jo për një periudhë më të gjatë se 3 muaj.”.

3. Në kreun III shtohen pikat 4, 5 dhe 6, me këtë përmbajtje:

“4. Gjatë periudhës së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID–19:

a) Institucionet e përcaktuara në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, janë të detyruara të realizojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet kombinimit të punës në ambientet e institucionit dhe telepunës (puna në distancë on-line), me qëllim respektimin e rregullave të distancimit social ndërmjet nëpunësve/punonjësve, të përcaktuara nga Instituti i Shëndetit Publik, bazuar në sipërfaqen e institucionit;
b) Për realizimin e detyrimit të përcaktuar në shkronjën “a”, të kësaj pike, institucionet duhet të përcaktojnë në mënyrë të detajuar dhe të qartë grafikun e nëpunësve/punonjësve që do të punojnë në ambientet e institucionit dhe të atyre që do të kryejnë detyrat nëpërmjet telepunës. Grafiku duhet të miratohet nga Sekretari i Përgjithshëm/titullari i institucionit;
c) Në përcaktimin e nëpunësve/punonjësve që do të kryejnë detyrat nëpërmjet telepunës, institucionet duhet të bazohen në:

i. vlerësimin e llojit të detyrave që ushtrojnë nëpunësit/punonjësit;
ii. evidentimin e rasteve të nëpunësve/punonjësve me patologji të ndryshme, të cilët janë më të rrezikuar në rast infektimi nga COVID-19;
iii. evidentimin e nëpunësve/punonjësve që kanë në kujdestari ligjore fëmijë deri në moshën 14-vjeç.

Për rastet e parashikuara në nënndarjet “ii” dhe “iii”, të kësaj shkronje, përpara miratimit të grafikut, institucionet duhet të konsultohen me nëpunësit/punonjësit, me qëllim që të mundësohet realizimi i detyrave.

ç) Puna nëpërmjet telepunës ka të njëjtën kohëzgjatje kohore si edhe puna në ambientet e punës së institucionit.

5. Për periudhën e kohëzgjatjes së vitit shkollor 2020–2021, orari i punës për nëpunësit/punonjësit e përcaktuar në pikën 1, të kreut I, të këtij vendimi, që janë prindër apo kujdestarë ligjorë të fëmijëve që frekuentojnë/ndjekin arsimin parashkollor dhe arsimin bazë, për ditët kur ata duhet të kryejnë detyrat në ambientet e institucionit sipas grafikut të miratuar, përcaktohet nga titullari i institucionit. Orari i punës për këta nëpunës/punonjës gjatë kësaj periudhe, përcaktohet në varësi të orarit që fëmija/fëmijët e tyre do të frekuentojnë mësimin.

6. Ngarkohen Departamenti i Administratës Publike për institucionet e administratës shtetërore dhe secili institucion i pavarur e njësi e vetëqeverisjes vendore për institucionin e tyre që, brenda 10 (dhjetë) ditësh nga miratimi i këtij vendimi, të miratojnë rregullat dhe procedurat standarde të punës të harmonizuara, në përputhje me përcaktimet e pikave 4 dhe 5, të këtij kreu, dhe udhëzimet e dhëna nga Instituti i Shëndetit Publik.”.

II. Ngarkohen institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DHËNIEN ME QIRA, ME TARIFË TË REDUKTUAR, TË SALLËS OVALE “B” DHE TË ZYRAVE ME NUMRA 2/1, 3, 3/1, 6, 7 E 11, NË AMBIENTET E PALLATIT TË KONGRESEVE, KOMISIONIT TË PROKURIMIT PUBLIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 784 e 801, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 8, të kreut III, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Lejimin e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare për dhënien me qira, me tarifë të reduktuar, të sallës ovale “B” dhe të zyrave me numra 2/1, 3, 3/1, 6, 7 e 11, të ndodhura në ambientet e Pallatit të Kongreseve, Komisionit të Prokurimit Publik, për ushtrimin e veprimtarisë së tij.

2. Tarifa e qirasë së sallës ovale “B” dhe e zyrave me numra 2/1, 3, 3/1, 6, 7 e 11 të jetë në masën ekuivalente të shpenzimeve operative (furnizim me energji elektrike dhe ujë) gjatë gjithë periudhës së dhënies me qira.

3. Ngarkohen Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Komisioni i Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.