Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Janar 2018
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KRITEREVE PËR CERTIFIKIMIN E VEPRIMTARISË SË AGROTURIZMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. PARIME TË PËRGJITHSHME
1. Agroturizëm është veprimtaria pritëse, që zhvillohet në një fermë ose njësi tjetër agrikulturore, me qëllimin për të tërhequr vizitorë, shpeshherë duke u mundësuar atyre pjesëmarrjen në veprimtaritë bujqësore ose veprimtari të tjera ndihmëse, që zhvillohen në atë mjedis bujqësor.
2. Agroturizmi mbështet zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm të zonave rurale nëpërmjet mbrojtjes së mjedisit, ruajtjes së traditave dhe promovimit të produkteve tipike të zonës.
3. Çdo subjekt, që kërkon të ofrojë veprimtari pritëse të certifikuar si “Agroturizëm”, duhet të plotësojë kriteret e përcaktuara në këtë vendim. Vetëm subjektet e certifikuara sipas këtij vendimi kanë të drejtë të përdorin në emrin e tyre tregtar ose në ambientet e tyre emërtimin “Agroturizëm”.
II. KRITERET PËR CERTIFIKIMIN E VEPRIMTARISË PRITËSE SI “AGROTURIZËM”
4. Agroturizmi, si veprimtari, mund të zhvillohet në ferma, që plotësojnë këto kritere:
– Ferma bujqësore duhet të ketë, të paktën, 1 ha tokë të mbjellë me kultura bujqësore ose, minimalisht, 0,5 hektarë sera;
– Ferma blegtorale duhet të mbarështojë, minimalisht, 10 krerë gjedh ose 100 krerë dele/dhi apo 200 krerë shpendë. Te fermat blegtorale klasifikohen edhe stanet;
– Ferma peshkimi/akuakulture.
5. Agroturizmi mund të zhvillohet edhe në njësi agrikulturore, që kanë si aktivitet përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit e akuakulturës (si p.sh. pika përpunimi të vajit të ullirit, kantina të përpunimit të rrushit/frutave, pika përpunimi të bulmetit/baxho, peshkut, ferma akuakulture etj.), të cilat janë të përshtatshme për zhvillimin e veprimtarive të agroturizmit.
6. Subjektet, që zhvillojnë veprimtari pritëse të klasifikuar si “Agroturizëm”, duhet të ofrojnë, minimalisht, njërin nga shërbimet e mëposhtme:
a) Akomodim;
b) Ushqim dhe pije;
c) Veprimtari argëtuese/çlodhëse, të lidhura me fermën ose mjedisin përreth.
7. Subjektet agroturistike, që ofrojnë akomodim, duhet të kenë një kapacitet nga 6 deri 30, por jo më shumë, dhoma pritëse.
8. Strukturat, në të cilat ofrohet shërbimi i akomodimit, sipas klasifikimit të ligjit për turizmin në fuqi, duhet të respektojnë kriteret urbanistike dhe kriteret e tjera në fuqi për ndërtimin, të përcaktuara në planet e përgjithshme vendore. Atje ku është e mundur, godinat duhet të respektojnë traditat lokale të ndërtimit.
9. Akomodimi mund të ofrohet edhe në formën e fushimit, me ambiente për vendosjen e çadrave apo të makinave të fushimit. Në këto raste, subjekti agroturistik garanton kushtet minimale higjieno-sanitare (si p.sh. tualet, ujë të pijshëm, pikë grumbullimi të mbeturinave, lidhje me energjinë elektrike) për një kapacitet maksimal prej 15 makinash fushimi.
10. Ofrimi i ushqimit dhe i pijeve bëhet në ambiente të përshtatshme dhe që plotësojnë normat në fuqi për ushqimin dhe kushtet higjieno-sanitare. Struktura pritëse, ku ofrohet ushqim dhe pije, duhet të ketë, minimalisht, 6 deri në 60, por jo më shumë, tavolina.
11. Ushqimi dhe pijet e ofruara në subjektet agroturistike duhet të jenë me origjinë nga ferma (të prodhuara ose të përpunuara në fermë/njësinë agrikulturore), minimalisht në 30% të sasisë së tyre. Nga 30% deri në 70% të produkteve ushqimore/pijeve lejohet të jenë me origjinë lokale, të prodhuara apo të përpunuara nga prodhues lokalë, që kryejnë aktivitet në bashkinë ku ka selinë agroturizmi.
12. Subjektet agroturistike ofrojnë/mundësojnë për vizitorët e turistët veprimtari argëtuese/çlodhëse, që lidhen me fermën (si p.sh., por pa u kufizuar në, mbjellje/vjelje të produkteve bujqësore, aktivitete të lidhura me kafshët, peshkim artizanal, degustim të produketeve etj.) ose jashtë fermës (si p.sh., por pa u kufizuar në, hipizëm, alpinizëm, ecje në natyrë etj.)
III. ORGANET CERTIFIKUESE
13. Për certifikimin e subjekteve dhe dhënien e certifikatës “Subjekt i certifikuar agroturizmi”, pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin ngrihet një komision vlerësues, i përbërë nga 5 anëtarë, 3 prej të cilëve janë përfaqësues të caktuar nga ministri përgjegjës për turizimin dhe 2 nga ministri përgjegjës për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
14. Brenda 3 (tre) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ministri përgjegjës për turizmin dhe ministri përgjegjës për bujqësinë dhe zhvillimin rural përcaktojnë, me urdhër të përbashkët, rregulloren e funksionimit të komisionit si dhe procedurat e aplikimit e të vlerësimit.
15. Subjektet, që aplikojnë për marrjen e certifikatës “Subjekt i certifikuar agroturizmi”, paguajnë një tarifë prej 500 (pesëqind) lekësh në llogarinë e ministrisë përgjegjëse për turizmin.
16. Bazuar në vendimmarrjen e komisionit, ministri përgjegjës për turizmin lëshon certifikatën “Subjekt i certifikuar agroturizmi”. Certifikata lëshohet për një periudhë 5-vjeçare.
17. Modeli i certifikatës miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për turizmin dhe ministrit përgjegjës për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
18. Në rast konstatimi të shkeljes së kritereve të këtij vendimi nga organet përkatëse të bashkive, inspektoratit të turizmit ose organeve kompetente të inspektimit të ushqimit dhe kushteve higjieno-sanitare, komisioni, bazuar në kërkesën e organeve konstatuese të shkeljes, mund të marrë vendim për pezullimin dhe/ose revokimin e certifikatës “Subjekt i certifikuar agroturizmi”.
19. Subjekti, të cilit i pezullohet/revokohet certifikata, nuk mund ta përdorë atë në ambientet e tij ose në emërtimin tregtar. Subjekti mund të aplikojë sërish për marrjen e certifikatës në rast se plotëson kriteret e përcaktuara nga ky vendim.
IV. DISPOZITA PËRFUNDIMTARE
20. Ministria përgjegjëse për turizmin mban regjistrin e subjekteve të certifikuara si “Subjekt i certifikuar agroturizmi” dhe e përditëson atë në mënyrë periodike.
21. Subjektet, që, aktualisht, përdorin në emërtimin tregtar dhe ambientet e tyre emërtimin “agroturizëm”, detyrohen që brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të aplikojnë për marrjen e certifikatës “Subjekt i certifikuar agroturizmi”.
22. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimin në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR PËR VITIN 2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Financimin nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të paketës së shërbimeve të ofruara në spitalet publike, sipas listës së shërbimeve, të dhënë në shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Spitali është person juridik, publik, me buxhet të pavarur, me cilësinë e autoritetit kontraktor, i cili organizohet, administrohet dhe vepron sipas ligjit nr.9106, datë 17.7.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
3. Spitali e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me standardet, treguesit e cilësisë e të performancës, protokollet e diagnozës e të trajtimit, të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
4. Buxheti për mbulimin e paketës së shërbimeve spitalore, sipas listës së shërbimeve që ofron çdo spital, ndahet sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor lidh kontratat me spitalet për financimin e paketave të shërbimeve shëndetësore, të ofruara prej tyre.
6. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor financon paketën e shërbimeve spitalore të kontraktuara me metodat e mëposhtme:
a) Buxhetim me zëra shpenzimesh, për:
i. paga dhe shpenzime të tjera lidhur me pagën e personelit;
ii. kontribute për sigurime shëndetësore e shoqërore të personelit;
iii. mallra e shërbime të tjera;
b) Buxhetim global për pagesën e paketave të shërbimeve me çmime të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Buxhetimi global detajohet për çdo spital në zëra shpenzimesh me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
7. Spitali është përgjegjës për zbatimin e buxhetit të kontraktuar, sipas zërave të përcaktuar në buxhet.
8. Rishpërndarja e buxhetit ndërmjet spitaleve bëhet brenda një kufiri prej 3 % të buxhetit të spitaleve, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
9. Një fond jo më i madh se 25 % e buxhetit vjetor, i planifikuar për shërbimet spitatore, mbahet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për ta shpërndarë gjatë vitit, me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për:
a) financimin e shërbimit spitalor gjatë vitit;
b) pagesat e paketave të shërbimeve të veçanta, të ofruara nga shërbimet spitalore, publike e jopublike, brenda e jashtë vendit, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
c) pagesat për kujdes shëndetësor në institucione jopublike, brenda e jashtë vendit, sipas miratimit, rast pas rasti, me vendim të Këshillit të Ministrave;
ç) pagesat për kujdes shëndetësor, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara;
d) pagesa të shërbimeve të kryera për llogari të spitaleve publike nga operatorë të kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, sipas legjislacionit për partneritetin publik privat;
dh) transferta për individët (mjekë specialistë).
10. Shpenzimet kapitale për investimet në spitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
11.Burime të tjera financimi për spitalet janë fondet e krijuara nga të ardhurat e realizuara gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet. Përdorimi i tyre bëhet totalisht nga vetë spitali, si pjesë e kostos së shërbimit, bazuar në procedurat e miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit.
12. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për raste të vlerësuara nga ajo ose me kërkesë të autoriteteve kontraktuese (spitaleve), mund të zhvillojë procedura të përqendruara prokurimi për disa mallra, shërbime e investime.
13. Spitali zbaton sistemin e referimit dhe tarifat për shërbimet me pagesë, të miratuara nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
14. Mënyra e pagesës dhe e shpërblimit të punës së punonjësve të spitaleve, që kanë lidhur kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, sipas këtij vendimi, përcaktohet me vendim të Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
15. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale auditon spitalin, nëpërmjet strukturës së saj audituese, për zbatimin e standardeve të miratuara prej saj dhe për raste të tjera me urdhër të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
16. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor kontrollon dhe monitoron spitalin për buxhetin dhe aktivitetin vjetor, sipas kushteve të përcaktuara në kontratën dypalëshe.
17. Marrëdhëniet juridike të punës në spitale rregullohen në përputhje me ligjin nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
18. Numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve është 12 016 (dymbëdhjetë mijë e gjashtëmbëdhjetë) veta, nga të cilët 141 punonjës në Spitalin Universitar të Traumës për Shërbimin e Urgjencës Ambulatore dhe Shërbimin e Ortopedi-Traumatologjisë. Numri dhe struktura e punonjësve, për çdo spital, miratohen nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
19. Për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale e bashkiake, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë, sipas nevojave. Këta mjekë të specialiteteve të ndryshme, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus deri në 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë në muaj. Vlera e bonusit përcaktohet rast pas rasti nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ky bonus, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, trajtohet sipas shkronjës “e”, të pikës 2, të kreut II, të vendimit nr.77, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, të ndryshuar.
20. Mjekët e kontraktuar sipas pikës 18, të këtij vendimi, nuk e përfitojnë shpërblimin sipas shkronjave “a” dhe “b”, të pikës 9/1, të vendimit nr.555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe nivelit të pagave të punonjësve me arsim të lartë në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalin Ushtarak Qendror Universitar, të punonjësve të infermieristikës në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për trajtimin e mjekëve në strukturat e Forcave të Armatosura”, të ndryshuar.
21. Numri i pedagogëve me kontratë shërbimi për spitalet universitare miratohet nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Pagesa e tyre bëhet nga buxheti i spitalit.
22. Financimi i institucioneve dhe i shërbimeve, të përcaktuara në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, bëhet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, vetëm kundrejt shtesave përkatëse në buxhet, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
23. Vendimi nr.18, datë 18.1.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2017”, i ndryshuar, shfuqizohet.
24. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2018.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KALENDARIT TË MENAXHIMIT TË SHPENZIMEVE PUBLIKE PËR VITIN 2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kalendarit të menaxhimit të shpenzimeve publike për vitin 2018, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, njësia përgjegjëse për planifikimin strategjik dhe zhvillimin në Kryeministri si dhe të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2018.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË VEPRIMTARIVE QË USHTROJNË NDËRMARRJET SOCIALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 10, të ligjit nr.65/2016, “Për ndërmarrjet sociale në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Veprimtaritë e ushtruara nga ndërmarrjet sociale kontribuojnë në përmbushjen e objektivave sociale të sipërmarrjes, si promovimi i përfshirjes sociale të kategorive në nevojë në këto veprimtari, inkurajimi i punës vullnetare, përfshirja e të rinjve në këto veprimtari, përmirësimi i kapaciteteve të shoqërisë për të ndërmarrë veprimtari novatore, që adresojnë çështjet sociale, ekonomike dhe mjedisore.
2. Veprimtaritë e ushtruara nga ndërmarrjet sociale krijojnë mundësi të reja për punësim dhe një mjedis inkurajues për integrimin social e riintegrimin profesional të grupeve të pafavorizuara në tregun e punës.
3. Ndërmarrjet sociale e ushtrojnë veprimtarinë në nivel lokal, duke ofruar mallra e shërbime në përputhje me nevojat e komunitetit dhe në kuadër të parimit të deinstitucionalizimit të funksioneve të njësisë së qeverisjes vendore.
4. Veprimtaria e ndërmarrjeve sociale përfshin fushën e shërbimeve shoqërore, shëndetësore, kulturore e arsimore, të promovimit të turizmit e mbrojtjes mjedisore, si dhe veprimtari të ndërmjetësimit e kualifikimit për punësim. Këto veprimtari zhvillohen, si më poshtë vijon:
a) Në fushën e shërbimeve shoqërore, veprimtari që lidhen me shërbime të kujdesit shoqëror, të cilat ofrohen në qendrat rezidenciale, qendrat ditore, në shtëpi dhe në komunitet, sipas parashikimeve ligjore përkatëse;
b) Në fushën e shërbimeve shëndetësore, veprimtari për mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit, të aktiviteteve fizike e sporteve amatore, për qëllim socializimi e argëtimi;
c) Në fushën e promovimit të turizmit, shërbime në bar-restorante-hoteleri, guida turistike dhe shërbime të turizmit social për personat, të cilët nuk kanë mundësi të vizitojnë atraksionet turistike për shkak të kushteve shëndetësore ose të jetesës;
ç) Në fushën e veprimtarive kulturore, veprimtari që lidhen me artin, trashëgiminë kulturore dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre;
d) Në fushën e mbrojtjes mjedisore, veprimtari që lidhen me ruajtjen e mjedisit nga ndotja e dëmtimi nga aktiviteti njerëzor dhe veprimtaritë ekonomike, për të garantuar një mjedis të shëndetshëm për qytetarët;
dh) Në fushën e kualifikimit dhe ndërmjetësimit për punësim, veprimtari për promovimin e trajnimit profesional, veprimtari edukative e të ndërmjetësimit për punësim për personat që përfshihen në kategoritë e grupeve të pafavorizuara.
5. Ndërmarrjet sociale kryejnë edhe veprimtari tregtimi mallrash apo shërbimesh, të ofruara nga veprimtari të ndërmarrjeve të tjera sociale, produkte për personat e pafavorizuar, produkte të prodhuesve të vegjël nga zona të thella apo të pafavorshme nga ana mjedisore, si dhe të tjera veprimtari në mbështetje të ndërmarrjeve të tjera sociale.
6. Në fushën e prodhimit, ndërmarrjet sociale kryejnë veprimtari që lidhen me prodhimin artizanal të një game të gjerë mallrash e produktesh që i shërbejnë komunitetit dhe, veçanërisht, produktesh që kanë për qëllim krijimin e lehtësive për personat e pafavorizuar.
7. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.426, DATË 15.5.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR NGRITJEN, FUNKSIONIMIN DHE DETYRAT E KOMISIONIT KOMBËTAR PËR NOMENKLATURËN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12/2, të ligjit nr.9180, datë 5.2.2004, “Për statistikat zyrtare”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.426, datë 15.5.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, e mëposhtme:
a) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Komisioni Kombëtar për Nomenklaturën kryesohet nga drejtori i Përgjithshëm i INSTAT-it dhe në përbërje ka përfaqësues nga:
a) Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme 1;
b) Ministria e Brendshme 1;
c) Ministria e Financave dhe Ekonomisë 1;
ç) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë 1;
d) Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë 1;
dh) Ministria e Drejtësisë 1;
e) Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural 1;
ë) Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale 1;
f) Ministria e Turizmit dhe Mjedisit 1;
g) Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes 1;
gj) Banka e Shqipërisë 1;
h) Shërbimi Kombëtar i Punësimit 1;
i) Drejtoria e Përgjithshme e Doganave 1;
j) Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve 1;
k) Instituti i Sigurimeve Shoqërore 1;
l) Qendra Kombëtare e Biznesit 1;
ll) INSTAT-i 2.”.
b) Në fund të pikës 3 shtohen fjalët “… dhe brenda 10 (dhjetë) ditëve njoftojnë INSTAT-in …”.
2. Ngarkohen Instituti i Statistikave dhe institucionet e përmendura në pikën 2 për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.501, DATË 13.9.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË MBROJTJES”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 3, e vendimit nr.501, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Ministria e Mbrojtjes planifikon e përballon emergjencat civile dhe vendos bazën juridike e administrative për rregullimin e marrëdhënieve që lindin, ekzistojnë dhe shuhen gjatë administrimit, mirëmbajtjes e kontrollit të pronësisë në rezervat materiale të shtetit.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.502, DATË 13.9.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË BRENDSHME”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Shkronja “e”, e pikës 3, të vendimit nr.502, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.83, DATË 28.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË PËR ZBATIMIN E REFORMËS TERRITORIALE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të ligjit nr.130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.83, datë 28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Në titull dhe kudo në vendim, emërtimi “Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale” zëvendësohet me “Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore” dhe shkurtimi “AZRT” zëvendësohet me fjalën “… agjencia …”.
2. Në pikën 1, fjalët “… në varësi të ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore …” zëvendësohen me “… në varësi të ministrit përgjegjës për çështjet vendore …” dhe kudo në vendim, emërtimi “Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore” zëvendësohet me fjalët “… ministri përgjegjës për çështjet vendore …”.
3. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Agjencia ka këto detyra dhe përgjegjësi:
a) Mbështet ministrin përgjegjës për çështjet vendore në koordinimin e punës për zbatimin e politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e decentralizimit dhe qeverisjes vendore;
b) Monitoron zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore, 2015-2020, si dhe planit të veprimit përkatës;
c) Informon periodikisht institucionet publike, grupet e interesit dhe qytetarët mbi çështjet që lidhen me qeverisjen vendore;
ç) Bashkëpunon me strukturën përkatëse të ministrisë përgjegjëse për çështjet vendore për propozimin dhe përmirësimin e akteve ligjore e nënligjore në zbatim të Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore, 2015-2020;
d) Mbështet ministrin përgjegjës për çështjet vendore për krijimin dhe administrimin e një sistemi kombëtar unik, me synim zbatimin e funksioneve të deleguara të vetëqeverisjes vendore;
dh) Siguron informacione lidhur me çështjet e vetëqeverisjes vendore, me qëllim koordinimin e institucioneve publike qendrore e vendore, dhe harton raporte, analiza periodike mbi këto çështje;
e) Ofron këshillim ligjor dhe teknik për njësitë e vetëqeverisjes vendore në procesin e ushtrimit të funksioneve të tyre;
ë) Shërben si qendër e evidentimit dhe promovimit të praktikave më të mira dhe/ose modeleve rekomanduese për çështjet e vetëqeverisjes vendore;
f) Bashkërendon me strukturën përkatëse të ministrisë përgjegjëse për çështjet vendore për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare;
g) Mbështet ministrinë përgjegjëse për çështjet vendore (në rolin e një sekretariati teknik) në koordinimin e punës me organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë që mbështesin zhvillimin e njësive të vetëqeverisjes vendore;
gj) Raporton periodikisht pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore mbi veprimtarinë e saj dhe për realizimin e detyrave e të përgjegjësive të përcaktuara në këtë vendim.”.
4. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Organigrama dhe struktura e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.”.
5. Pika 7 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“7. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të ministrit përgjegjës për çështjet vendore.”.
II. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.198, DATË 4.5.1993, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E ENTIT KOMBËTAR TË BANESAVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 3, të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992, “Për ndërmarrjet shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.198, datë 4.5.1993, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Paragrafi i parë i pikës 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Këshilli drejtues i EKB-së përbëhet nga 7 anëtarë:
– 1 (një) përfaqësues nga aparati i Kryeministrisë;
– 2 (dy) përfaqësues nga ministria përgjegjëse për strehimin;
– 1 (një) përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet vendore;
– 1 (një) përfaqësues nga ministria përgjegjëse për infrastrukturën;
– 1 (një) përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale;
– Drejtori i Përgjithshëm i Entit Kombëtar të Banesave.”.
b) Kudo në vendim, emërtimi “Ministria e Zhvillimit Urban” zëvendësohet me fjalët “… ministria përgjegjëse për strehimin …”.
2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për strehimin dhe Enti Kombëtar i Banesave për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E DOKUMENTIT TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2018 – 2020, TË RISHIKUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e dokumentit të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2018 – 2020, të rishikuar, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E TARIFAVE PËR SHËRBIMET ELEKTRONIKE TË AGJENCISË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të shkronjës “ë”, të pikës 5, të kreut II, të vendimit nr.673, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për riorganizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shërbimet elektronike në favor të organeve dhe institucioneve të administratës publike dhe subjekteve private ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit kundrejt aplikimit të tarifave përkatëse.
2. Tarifat, që aplikohen për shërbimet elektronike ndaj organeve dhe institucioneve të administratës publike dhe subjekteve private, janë:
a) Tarifa e kostove dhe e shërbimeve administrative për nënshkrimin elektronik, së bashku me pajisjen përkatëse;
b) Tarifa për përdorimin e modulit të administratës publike në portalin e-Albania, sipas shkronjës “e”, të pikës 6, të kreut II, të vendimit nr.673, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për riorganizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”.
3. Tarifa e kostove dhe e shërbimeve administrative për nënshkrimin elektronik, së bashku me pajisjen përkatëse, mbulon kostot e shpenzimet për të gjitha shërbimet e kryera nga Agjencia, që nga momenti i paraqitjes së aplikimit, deri në momentin e marrjes së pajisjes me nënshkrim elektronik nga aplikanti.
Këto shërbime përfshijnë:
a) shkëmbimet e informacionit;
b) komunikimet postare;
c) kopjet e akteve shkresore dhe/ose elektronike;
ç) shqyrtimin dhe verifikimin e dokumentacionit të paraqitur nga aplikanti;
d) analizën paraprake;
dh) vlerësimin teknik të pajisjes;
e) gjenerimin e nënshkrimit elektronik;
ë) revokimin e certifikatës;
f) mirëmbajtjen e sistemit;
g) asistencën teknike, në rast problematikash, konfigurimesh apo humbjeje të pajisjes kriptografike (e-Token).
4. Tarifa e kostove dhe e shërbimeve administrative për nënshkrimin elektronik, së bashku me pajisjen përkatëse për organet dhe institucionet e administratës publike, do të ofrohet me tarifë 0 (zero) lekë.
Për subjektet private do të ofrohet me tarifë fikse prej:
– 6 400 (gjashtë mijë e katërqind) lekësh, përfshirë TVSH-në për pajisje me usb Token;
– 7 300 (shtatë mijë e treqind) lekësh, përfshirë TVSH-në për asistencë teknike 12-mujore.
Pagesa e kësaj tarife kryhet nga subjektet private në momentin e aplikimit on-line për kryerjen e veprimeve dhe procedurave, nëpërmjet pagesës elektronike në portalin e-Albania.
5. Të ardhurat e realizuara derdhen tërësisht në buxhetin e shtetit, në përputhje me vendimin nr.432, datë 28.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijohen nga institucionet buxhetore”.
6. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA