Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 12 Maj 2021:
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE “REGJISTRI I OFRUESVE TË SHËRBIMIT INOVATIV DHE SIPËRMARRJEVE TË INVESTIMEVE KOLEKTIVE TË AUTOMATIZUARA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, dhe të neneve 22 e 106, pika 1, të ligjit nr.66/2020, “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Krijimin e bazës së të dhënave shtetërore “Regjistri i Ofruesve të Shërbimit Inovativ dhe Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive të Automatizuara” (në vijim, baza e të dhënave).
2. Në zbatim të neneve 25 e 27, të ligjit nr.66/2020, “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, ky vendim përcakton:
a) bazën e të dhënave shtetërore të përbërë nga:
i. Regjistri i Ofruesve të Shërbimit Inovativ dhe
ii. Regjistri i Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive të Automatizuara.
b) kërkesat e nevojshme ligjore, sipas përcaktimeve të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”.
3. Në këtë vendim termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Autoritetet përgjegjëse”, autoritetet kombëtare me përgjegjësi të caktuara lidhur me informacionin, procedurat, asistencën që mbulon ky vendim;
b) “Administrimi i bazës së të dhënave”, menaxhimi nga autoriteti publik i bazës së të dhënave, që përmban të gjitha llojet e aksesit në sistemin e bazës së të dhënave, përfshirë përditësimin e ndryshimin e informacionit të ruajtur;
c) “Dhënës i informacionit”, një person publik apo privat, siç përcaktohet në këtë vendim, për të dhënë informacionin në bazën e të dhënave;
ç) “Institucioni administrues”, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), që është përgjegjëse për administrimin e bazës së të dhënave;
d) “Kodi unik i ofruesve të shërbimit inovativ”, kodi i gjeneruar automatikisht nga sistemi pas çdo aplikimi për licencë;
dh) “Kodi unik i sipërmarrjeve të investimeve kolektive të automatizuara”, kodi unik identifikues pas çdo aplikimi për licencë në sistem;
e) “Ndërveprim”, procesi i shkëmbimit të informacionit ndërmjet bazave të të dhënave;
ë) “Palë e interesuar”, çdo person fizik ose person juridik, i cili lejohet të ketë akses të drejtpërdrejtë në bazën e të dhënave siç përcaktohet në këtë vendim;
f) “Të dhënat parësore” dhe “Të dhënat dytësore”, i njëjti kuptim me termat e parashikuar në nenin 3, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”.
4. Të dhënat parësore janë të dhënat e mbledhura nga AKSHI, sipas ligjit nr.66/2020, “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, dhe këtij vendimi. Të dhëna parësore janë të dhënat e mëposhtme:
a) Kodi unik i ofruesve të shërbimit inovativ, referuar kërkesës për licencim;
b) Kodi unik i sipërmarrjeve të investimeve kolektive të automatizuara, referuar kërkesës për licencim;
c) Numri i protokollit/eve dhe data/t e vendimeve të marra nga autoriteti përgjegjës që ka lëshuar licencën përkatëse;
ç) Kodi unik i licencimit;
d) Referimi i çdo vendimi tek autoritetet përgjegjëse, nëpërmjet të cilit këto autoritete kanë ndërmarrë sanksione ndaj titullarit të licencës, në përputhje me këtë ligj;
dh) Konfirmimi i marrjes në kohë të deklaratës së përputhshmërisë të titullarit të licencës, nëse kërkohet.
5. Të dhëna dytësore, të cilat merren nga një bazë tjetër të dhënash, ku ato janë parësore, dhe me të cilat ndërvepron janë, si më poshtë vijon:
a) Të dhënat e individit nga baza e të dhënave shtetërore “Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile”, të administruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile;
b) Të dhënat nga regjistri i personit fizik/tregtar apo juridik nga baza e të dhënave shtetërore “Regjistri tregtar” të administruara nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
c) Të dhënat nga baza e të dhënave shtetërore “Tatimi elektronik”, të administruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për subjektet e regjistruara pranë saj;
d) Çdo bazë tjetër të dhënash, që mund të ndërveprojë me bazën e të dhënave shtetërore “Regjistri i Ofruesve të Shërbimit Inovativ dhe Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive të Automatizuara” dhe të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Bazave të të Dhënave Shtetërore.
6. Baza e të dhënave administrohet nga AKSHI.
7. Të gjitha veprimet e kryera në bazën e të dhënave janë të gjurmueshme dhe të dokumentuara.
8. Veprimet e kryera në bazën e të dhënave regjistrohen dhe ruhen nga AKSHI, duke përdorur kodin identifikues të personit të ngarkuar që ka kryer veprimin, datën e orën e konsultimit, fjalët kyç të përdorura për kërkimin, numrin e dosjes dhe të dhënat e konsultuara.
9. AKSHI është përgjegjës për menaxhimin në përputhje me këtë vendim të aksesit në bazën e të dhënave. Në rast të konstatimit të veprimeve të paligjshme, pezullon menjëherë aksesin e personit, i cili ka vepruar në kundërshtim me ligjin apo udhëzimet e procedurat për administrimin e bazës së të dhënave. Pezullimi i aksesit nuk përjashton përgjegjësinë disiplinore, civile ose penale.
10. Dhënësit e informacionit janë personat përgjegjës, të cilët kanë të drejta sipas rregullores dhe përditësimi i bazës së të dhënave do të kryhet në përputhje me rregullat specifike të parashikuara sipas ligjit nr.66/2020, “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”. Rregullat e brendshme për organizimin dhe funksionimin e bazës së të dhënave shtetërore përcaktohen me rregullore të veçantë, e cila miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t.
11. AKSHI, si institucion administrues i bazës së të dhënave, pas kryerjes dhe bazuar në rezultatet e analizës së sigurisë, përcakton nivelet e sigurisë dhe klasat/nënklasat e sigurisë së të dhënave, siç parashikohet në dispozitat e kapitullit V, të vendimit nr.945, datë 2.11.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Administrimi i Sistemit të Bazave të të Dhënave Shtetërore””, të ndryshuar.
12. Nivelet e sigurisë së të dhënave mund të jenë i lartë (L), mesatar (M) dhe i ulët (U). Niveli i sigurisë së të dhënave përcaktohet në bazë të parametrave të integritetit, konfidencialitetit dhe disponueshmërisë.
13. Niveli i aksesit në bazën e të dhënave është, si më poshtë vijon:
a) AKSHI ka të drejta të plota administrative mbi bazën e të dhënave në rolet:
i. administrator;
ii. editues;
iii. lexues.
b) Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me të drejta vetëm për shikim (lexues) të të dhënave;
c) Publiku me të drejta leximi për të dhënat të përcaktuara në nenin 22, të ligjit nr.66/2020, “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.
14. Baza e të dhënave shtetërore aksesohet nga të gjitha institucionet e interesuara nëpërmjet kërkesës drejtuar Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, në përputhje me rregulloren për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të bazës së të dhënave shtetërore të përcaktuar nga AKSHI dhe kuadrit ligjor rregullues përkatës.
15. AKSHI, në cilësinë e “kontrolluesit”, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, dokumenton masat tekniko-organizative të përshtatura e të zbatuara për garantimin e mbrojtjes së të dhënave personale.
16. Përpunimi dhe mbrojtja e të dhënave personale kryhen në zbatim të ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar.
17. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË OBJEKTIT SOCIAL-KULTUROR, PALLATI I KULTURËS, BASHKIA SHIJAK, DHE CAKTIMIN E BASHKISË SHIJAK SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 190 601 138 (njëqind e nëntëdhjetë milionë e gjashtëqind e një mijë e njëqind e tridhjetë e tetë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të objektit social-kulturor, Pallati i Kulturës, Bashkia Shijak.
2. Bashkisë Shijak, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i transferohet fondi në masën 38 120 227 (tridhjetë e tetë milionë e njëqind e njëzet mijë e dyqind e njëzet e shtatë) lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të objektit social-kulturor, Pallati i Kulturës, Bashkia Shijak, në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Caktimin e Bashkisë Shijak si njësi zbatuese për rindërtimin e objektit social-kulturor, Pallati i Kulturës, Bashkia Shijak.
4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Shijak për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE QË DUHET TË PËRMBUSHË ORGANIZATA KOMBËTARE PËRFAQËSUESE RINORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 13, të ligjit nr.75/2019, “Për rininë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Organizata Kombëtare Përfaqësuese Rinore (në vijim OKPR) të themelohet nga organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë, në përputhje me Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë dhe legjislacionin në fuqi për organizatat jofitimprurëse dhe të përfaqësojë nevojat dhe interesat e të rinjve pranë grupeve të interesit, duke nxitur gjithëpërfshirjen e të rinjve në procesin e vendimmarrjes.
2. OKPR-ja, që njihet si e tillë nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, duhet të përmbushë këto kritere:
a) Të jetë e themeluar dhe e regjistruar në gjykatën kompetente në formën e një shoqate me anëtarësi nga organizata rinore dhe/ose për të rinjtë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizatat jofitimprurëse;
b) Të ketë statut të miratuar nga gjykata kompetente;
c) Të ketë një anëtarësi prej jo më pak se 60 (gjashtëdhjetë) organizatash rinore dhe/ose për të rinjtë, të cilat duhet:
i. të kenë si objekt të veprimtarisë së tyre të parashikuar në statutin e organizatës aktivitete dhe veprimtari rinore;
ii. të kenë shlyer detyrimet tatimore në përputhje me legjislacionin në fuqi;
iii. të kenë përvojë në aktivitetet dhe veprimtaritë rinore;
iv. të mos jenë në proces falimentimi dhe/ose likuidimi;
v. të mos jenë të dënuar organizata dhe përfaqësuesi i saj ligjor, me vendim gjyqësor të formës së prerë;
vi. të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në 12 (dymbëdhjetë) qarqet e Republikës së Shqipërisë, sipas ndarjes territoriale;
vii. të kenë diversitet në fushat e veprimtarisë rinore ose për të rinjtë në të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
3. Të drejtën për të kërkuar njohjen si OKPR e kanë organizatat të cilat plotësojnë kriteret e këtij vendimi dhe përparësi kanë organizatat, anëtarët themelues të të cilave kanë eksperiencë më të gjatë, numrin më të lartë anëtarësisë së organizatave rinore, mbulojnë me veprimtari pjesën më të madhe të territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë bashkëpunime me organizata me status të ngjashëm që veprojnë në vendet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe në rast se 70% e organizatave të anëtarësuara janë organizata rinore.
4. Dokumentacioni, që duhet të depozitojë organizata jofitimprurëse pranë Agjencisë Kombëtare të Rinisë për t’u njohur si OKPR, përmban:
a) aktin e regjistrimit në gjykatë;
b) kopjen e statutit të saj;
c) kopje të statuteve të organizatave themeluese të OKPR- së, ku specifikohen si pjesë e veprimtarisë së tyre aktivitete dhe veprimtari rinore;
ç) vërtetimet nga organet tatimore që organizatat themeluese të OKPR-së i kanë përmbushur në mënyrë të rregullt detyrimet;
d) vërtetimet nga gjykata se organizatat themeluese të OKPR-së nuk janë në procedurë falimenti dhe/ose likuidimi;
dh) vërtetime nga gjykata se organizatat themeluese të OKPR-së dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë nuk janë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.
5. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Agjencia Kombëtare e Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SULLTANATIT TË OMANIT, MBI PËRJASHTIMIN E NDËRSJELLË TË VIZAVE PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE, SPECIALE DHE TË SHËRBIMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Sulltanatit të Omanit, mbi përjashtimin e ndërsjellë të vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, speciale dhe të shërbimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.26, DATË 20.1.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT/RIKONSTRUKSIONIT TË OBJEKTEVE ARSIMORE, NË BASHKITË KAMZË DHE KAVAJË DHE CAKTIMIN E TYRE SI NJËSI ZBATUESE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pika 2, e vendimit nr.26, datë 20.1.2021, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për vitin 2021, për financimin e rindërtimit/rikonstruksionit të objekteve arsimore, në bashkitë Kamzë dhe Kavajë, në masën 619 885 285 (gjashtëqind e nëntëmbëdhjetë milionë e tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e dyqind e tetëdhjetë e pesë) lekë pa TVSH, i cili përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit dhe detajohet, si më poshtë vijon:
a) Bashkisë Kamzë i transferohet fondi në masën 150 886 168 (njëqind e pesëdhjetë milionë e tetëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar;
b) Bashkisë Kavajë i transferohet fondi në masën 468 999 117 (katërqind e gjashtëdhjetë e tetë milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e shtatëmbëdhjetë) lekë pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar.”.
2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Kamzë e Kavajë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.58, DATË 27.1.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA GRAMSH, TË PRONËS NR.334, ME EMËRTIM “ISH-REPARTI USHTARAK NR.9920, GRUP DEPO”, ME VENDNDODHJE “PËRROI I ÇEKREZIT”, GRAMSH, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “gj”, 7, 11 e 12, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.58, datë 27.1.2016, të Këshillit të Ministrave, fjalët “… për ndërtimin e impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane, në territorin e Bashkisë Gramsh ….” zëvendësohen me “… në fushën e shërbimit funeral …”.
2. Ngarkohen Bashkia Gramsh dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.96, DATË 4.2.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE PROCEDURAVE TË DEKLARIMIT, RUAJTJES, REGJISTRIMIT DHE PAAFTËSIMIT PËR ARMËT E KOLEKSIONIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 45, të ligjit nr.74/2014, “Për armët”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.96, datë 4.2.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Shkronja “b”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Të jenë armë të cilat kanë kryer procedurat e regjistrimit si objekte të deklaruara pasuri kulturore pranë Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK).”.
2. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Personi fizik dhe juridik, për regjistrimin e armëve të koleksionit ose muzeut, që nuk janë paaftësuar/çaktivizuar, pajiset me autorizim për koleksionim armësh nga komisioni qendror i ngritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pasi ka plotësuar të gjitha kriteret e neneve 34 e 35, të ligjit nr.74/2014, “Për armët”, të ndryshuar, si dhe kushtet e sigurisë së objektit, kriteret e sigurisë së armëve në vendin e koleksionimit ose muzeut, sipas përcaktimit të akteve nënligjore.”.
3. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1 Për armët e koleksionit të deklaruara “pasuri kulturore”, të cilat janë të vjedhura ose të humbura, bëhet regjistrimi edhe në bazën e të dhënave të pasurive kulturore të vjedhura, sipas procedurave dhe mënyrave të parashikuara në legjislacionin në fuqi për trashëgiminë kulturore.”.
4. Në pikën 4, pas fjalës “… paraqet …” shtohet fjala “… on-line, në portalin unik qeveritar, e-Albania.”.
5. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Personi fizik dhe juridik, për të marrë autorizimin si koleksionist ose person i autorizuar për administrimin e armëve në muze, paraqet kërkesën përmes platformës on-line, dokumentacionin dhe listën me armët që zotëron, pranë IKRTK-së, sipas përcaktimeve në ligjin nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.”.
6. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Armët e koleksionit dhe armët e koleksionit të deklaruara pasuri kulturore u nënshtrohen parashikimeve të legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore, në përputhje me rregullat e ndryshimit të pronësisë së armëve, sa u përket mbajtjes, mbrojtjes, vlerësimit, administrimit dhe tjetërsimit të pronësisë të tyre.”.
7. Pas pikës 10 shtohet pika 10/1, me këtë përmbajtje:
“10/1. Për armët e koleksionit të deklaruara pasuri kulturore, importi ose eksporti i tyre kryhet përmes lëshimit të licencave të import/eksportit të pasurive kulturore.
Shitblerja e armëve të koleksionit të deklaruara pasuri kulturore i nënshtrohet procedurave të parashikuara në vendimin nr.199, datë 31.3.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për shqyrtimin ose anulimin e licencës, tarifat e kërkesës dhe kuotizacionin vjetor të licencave për veprimtari tregtare të pasurive kulturore”.”.
8. Në pikën 11, pas fjalisë së parë shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Për armët e koleksionit të deklaruara pasuri kulturore lëvizja dhe transportimi bëhet në përputhje me procedurat e parashikuara në ligjin nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.”.
9. Në pikën 12, pas fjalisë së parë shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Për armët e koleksionit të deklaruara pasuri kulturore kërkohet autorizimi i ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, në përputhje me procedurat e parashikuara në ligjin nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.”
10. Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“14. Çaktivizimi/paaftësimi i armëve të koleksionit kryhet me të njëjtën procedurë dhe të njëjtat kritere si edhe për armët e tjera. Çaktivizimi/paaftësimi bëhet nga persona fizikë ose juridikë, të pajisur me licencë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për çaktivizimin/paaftësimin e armëve të zjarrit për përdorim civil.”.
II. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.275, DATË 1.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR KUSHTET DHE RREGULLAT E SIGURISË ARMËVE””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 16, pika 3, 17, pika 4 dhe 28, pika 4, të ligjit nr.74/2014, “Për armët”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në tekstin e rregullores bashkëlidhur vendimit nr.275, datë 1.4.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 1, të nenit 1, bëhen shtesat e mëposhtme:
a) Në shkronjën “b”, pas fjalës “… pjesëve…” shtohet “…kryesore…”.
b) Në shkronjën “c”, pas fjalës “… armëve …” shtohen fjalët “… pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre …”.
c) Në shkronjën “ç”, pas fjalës “… civil …” shtohen fjalët “… të hapur, të mbyllur dhe me pjatel …”.
2. Në nenin 5 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Paragrafi i parë ndryshohet, si më poshtë si vijon:
“Kushtet e përgjithshme për ruajtjen e armëve të zjarrit, pjesëve kryesore dhe municionit të tyre bazohen e variojnë sipas numrit të armëve të zjarrit të lejuara për mbajtje, pjesëve kryesore dhe sasisë së municioneve të tyre, sipas kësaj ndarjeje:”.
b) Në shkronjën “d”, pas fjalëve “… tregtimin e armëve …” shtohen “ … pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre të kategorisë “C” dhe “D”;”.
3. Neni 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 11
Transportin e armëve, pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre mund ta bëjë çdo person fizik dhe juridik me seli në Republikën e Shqipërisë, që është licencuar nga Policia e Shtetit për këtë qëllim.”.
4. Paragrafi i parë, i nenit 12, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Subjektet e licencuara për transportin e armëve, pjesëve kryesore dhe municionit të tyre duhet të plotësojnë këto kushte:…”.
5. Në nenin 15 bëhen shtesat e mëposhtme:
a) Kudo në tekstin e nenit, pas fjalës “… poligon …” shtohet fjala “… civil …”.
b) Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) poligon civil qitjeje me pjatel.”.
c) Pas pikës b.1 shtohet pika c.1, me këtë përmbajtje:
“c.1) Poligon civil qitjeje me pjatel është pjesë terreni (territori) e përzgjedhur dhe e përgatitur sipas kritereve standarde për zhvillimin e qitjeve me armët e gjahut.”.
6. Në nenin 16 shtohen shkronjat “d”, “dh” dhe “e”, me këtë përmbajtje:
“d) Ambienti të jetë me kushte të tilla që të garantojë që predhat/saçmat të mos bien në lumenj, rezervate apo liqene;
dh) Të respektojë standardet për mbrojtjen nga ndotja akustike;
e) Të disponohet leje nga autoriteti shtetëror përkatës ku do të ndërtohet poligoni civil i hapur.”.
7. Pas nenit 16 shtohet neni 16/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 16/1
Rregullat e ndërtimit dhe shfrytëzimit të poligonit civil me pjatel
Poligoni civil i ndërtuar në natyrë duhet të plotësojë këto kushte:
a) Të jetë larg qendrave të banuara dhe drejtimi i qitjes me pjatel të jetë në drejtim të kundërt me banesat;
b) Në drejtim të qitjes, poligoni sigurohet në më se shumë 200 m në vijë ajrore dhe 100 m në të dyja krahët në këndin 90 gradë me drejtimin e qitjes;
c) Ambienti të jetë me kushte të tilla që të garantojë që saçmat të mos bien në lumenj, rezervate apo liqene;
ç) Të respektojë standardet për mbrojtjen nga ndotja akustike;
d) Të disponohet leje nga autoriteti shtetëror përkatës, ku do të ndërtohet poligoni me pjatel;
dh) Të ketë kushte të përshtatshme për menaxhimin e mbetjeve që krijohen gjatë qitjes apo gjatë shërbimeve të tjera që ofrohen në poligon, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve.”.
8. Në nenin 17 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Shkronja “b” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Ndarjet e ambienteve në poligonet e qitjes.
Çdo poligon civil ka:
i. dhomën e regjistrimit të mbrojtur me xham antiplumb;
ii. dhomën e komandës nga e cila monitorohen veprimet gjatë zhvillimit të qitjes;
iii. dy ose më shumë korsi të qitjes.”.
b) Pas shkronjës “b” shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) Lartësia e poligonit: Jo më pak se 280 cm;”
9. Në nenin 23 bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Paragrafi i parë dhe shkronja “a” e nenit 23 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“Objekti që shërben për tregtimin e armëve, pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre nga brenda duhet të pajiset me:
a) kasaforta të sigurta sipas sasisë së armëve, pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre, si në rastet e përcaktuara në këtë rregullore për armët e zjarrit.”.
b) Pas shkronjës “c” shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:
“ç) Të ketë kushte të përshtatshme për menaxhimin e mbetjeve që krijohen gjatë shërbimeve që ofrohen në objekt, në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve.”.
II. Ngarkohet Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, të kërkojë e të mbikëqyrë zbatimin e rregullave e të procedurave të përcaktuara në këtë rregullore.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.348, DATË 29.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURAT E HYRJES/DALJES, VULOSJES SË ARMËVE DHE REGJISTRIMIT TË SHTETASVE SHQIPTARË E TË HUAJ ME ARMË TË KATEGORISË “B” DHE “C” NË TERRITORIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe pikës 7, të nenit 9, të ligjit nr.74/2014, “Për armët”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.348, datë 29.4.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në kreun I, “Regjimi për hyrje/daljet dhe regjistrimin e armëve në territorin e Republikës së Shqipërisë”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Shkronjat “a”, “c”, dhe “ç”, të pikës 2, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“a) Licencë për import dhe tregtim të armëve të kategorive “C” (gjahut), pjesëve kryesore dhe municionit të tyre të lëshuar nga Komisioni Qendror në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ose licencë për import/eksport, ndërmjetësim, transit, për armët e kategorive “B”, pjesëve kryesore dhe municionit të tyre të lëshuar nga struktura përkatëse në Ministrinë e Mbrojtjes.
c) Licencë të lëshuar nga struktura përgjegjëse në Ministrinë e Mbrojtjes, për import/eksport të armëve të kategorisë “B”, pjesëve kryesore dhe municionit të tyre.
ç) Dokumentin e blerjes së armëve, pjesëve kryesore dhe municionit të tyre. Armët regjistrohen me numra serialë, numrat serialë të pjesëve kryesore, tipin, kalibrin, modelin shtetin prodhues dhe fabrikën e prodhimit.”.
b) Pika 6 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Në rastet kur punonjësi i policisë kufitare, gjatë kontrollit fizik, gjen armë, pjesë të armëve dhe municion, të cilat subjekti i licencuar, person fizik ose juridik, nuk i ka në inventarin shoqërues autorizimit të importit ose ato janë armë dhe municione që nuk përfshihen në autorizimin e importit ose kanë numra të ndryshëm serialë nga ato në autorizim, punonjësi i policisë/doganës duhet të sekuestrojë armën dhe municionin. Ai njofton vendin e eksportit/importit që të bëjë verifikimet e nevojshme dhe të ndryshojë autorizimin, duke përditësuar inventarin shoqërues ose të tërheqë armën, pjesën e armës ose municionin që nuk është në inventarin fizik shoqërues, pas kryerjes së veprimeve procedurale penale në shtetin e origjinës ose shtetet ku kanë kaluar transit. Armët, pjesët e armëve dhe municionet, të cilat nga kontrolli fizik rezultojnë se nuk kanë një numër serial, sekuestrohen nga autoritetet pas kryerjes së veprimeve procedurale penale të nevojshme nga punonjësi i policisë kufitare dhe tërhiqen më pas nga vendi i eksportit.”.
2. Titulli i kreut të dytë ndryshohet dhe bëhet “Procedurat e markimit të armëve të zjarrit”.
3. Pika 9 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Për kategorinë “B” dhe “C” të armëve dhe pjesët kryesore të tyre, të cilat importohen në Republikën e Shqipërisë duhet të kenë të shënuar një markim të dukshëm, të përhershëm dhe unik. Markimi unik përfshin emrin e prodhuesit, ose markën, shtetin ose vendin e prodhimit, numrin e serisë, vitin e prodhimit dhe modelin nëse nuk është pjesë e numrit të serisë. Markimi është detyrim i subjektit të licencuar për import/eksporti të armëve të zjarrit, pjesëve kryesore dhe municioneve të tyre.”.
4. Pas pikës 9 shtohet pika 9/1, me këtë përmbajtje:
“9/1 Municionet e prodhuara dhe të importuara duhet të përmbajnë markimin e plotë në çdo pakoje (paketimi), në mënyrë që të tregojë vendin e prodhimit, emrin e prodhuesit, numrin e identifikimit të partisë (lotit), vitin e prodhimit, kalibrin dhe llojin e municioneve.”.
5. Pika 10 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“10. Markimi i armëve të zjarrit të kategorive “B” dhe “C” bëhet për armët e importuara nga të gjitha vendet me destinacion Shqipërinë, pavarësisht shënjimit që kanë nga vendet e origjinës. Përjashtohen nga kjo procedurë armët e importuara nga vendet e BE-së, mbi të cilat një shtet anëtar ka vendosur një markim.”.
6. Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. Markimi i armëve të zjarrit realizohet nëpërmjet shtypjes me shkronja e numra. Marka e Shqipërisë shënohet AL në një rreth me diametër 6 mm. Viti i importimit shënohet jashtë rrethit me madhësi 3mm. Thellësia minimale e brazdës bëhet me të paktën 0,1 mm nëse vendoset në një pjesë metalike, dhe të paktën 0,3 mm nëse realizohet në një pjesë polimer.”.
7. Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“12. Markimi vendoset në pjesën kryesore të dukshme të armës së zjarrit dhe në pjesët kryesore të armëve. Markimi duhet të jetë i pazëvendësueshëm në asnjë rrethanë.”.
8. Pika 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“13. Subjektet e licencuara sipas shkronjës “a”, të pikës 2, të këtij vendimi, janë përgjegjëse për markimin e armëve të zjarrit të kategorisë “B”, të cilat importohen në Republikën e Shqipërisë. Markimi i armëve të kategorisë “B” dhe pjesët kryesore realizohet në vendin e origjinës nga ku importohen dhe duhet të jetë në përputhje më standardet e përcaktuara sipas pikave 11 dhe 12, të këtij vendimi. Standardet e përcaktuara sipas pikave 11 dhe 12, të këtij vendimi, kontrollohen në pikën e kalimit kufitar nga Policia e Shtetit. Armët që nuk përmbushin standardet e markimit sekuestrohen.”.
9. Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“14. Procedurat e markimit nuk aplikohen:
a) për armët e zjarrit dhe pjesët kryesore të tyre të importuara nga vendet e BE-së, nëse nga shteti eksportues janë markuar;
b) për armët e zjarrit dhe pjesët kryesore të tyre, të cilat importohen ekskluzivisht për qëllime kërkimore. Në këtë rast armët markohen me inicialet “LB”;
c) për armët e zjarrit dhe pjesët kryesore të tyre, të cilat lëvizin transit nëpërmjet territorit të Republikën së Shqipërisë;
ç) për armët e zjarrit të cilat janë pjesë e trashëgimisë kulturore (armë zjarri antike).”.
10. Pika 15 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“15. Procedurave të markimit u nënshtrohen edhe armët e zjarrit që çaktivizohen. Markimi i armëve të zjarrit dhe pjesëve kryesore të tyre bëhet nga subjekte shtetërore të licencuara për çaktivizimin e armëve të zjarrit. Modeli i markimit unik të çaktivizimit është: EU(1) Aa(2) bb(3) c(4).
(1): Vendoset në fillim të markimit për të gjitha vendet e BE-së;
(2): Shteti që kryen çaktivizimin;
(3): Simboli i strukturës që kryen çaktivizimin;
(4): Viti kur është kryer çaktivizimi.”.
11. Pika 16 shfuqizohet.
12. Pika 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“17. Armët e zjarrit të markuara sipas procedurave të pikës 15, të këtij vendimi, para se të jepen për përdorim kontrollohen nga organi përgjegjës i Policisë së Shtetit. Për të gjitha armët jepen certifikatat e markimit. Nuk lejohet të jepen për përdorim armët e zjarrit të pamarkuara.”.
II. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT DHE TË RIPARIMIT TË MJEDISEVE NË BASHKËPRONËSI OSE TË PËRBASHKËTA NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKINË MIRDITË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 25 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 326 012 468 (treqind e njëzet e gjashtë milionë e dymbëdhjetë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekë, për financimin e rikonstruksionit ose të riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat), në Bashkinë Mirditë.
2. Fondi financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe t’i trasferohet Bashkisë Mirditë në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Mirditë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR PERSONAT ME AFTËSI TË KUFIZUARA 2021-2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara 2021-2025, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen ministritë dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES PËR KLASIFIKIMIN E INFORMACIONIT “SEKRET SHTETËROR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9 e 31, të ligjit nr.8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores për klasifikimin e informacionit “Sekret shtetëror”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.123, datë 15.3.2001, i Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e procesit të klasifikimit të sekretit shtetëror, procedurat që përdoren për identifikimin e tij dhe të delegimit të autoritetit të klasifikimit”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E PËRGATITJES SË SHESHEVE TË NDËRTIMIT, NË BASHKINË MIRDITË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” e “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën prej 43 687 591 (dyzet e tre milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e një) lekësh, për financimin e prishjes së njësive individuale të banimit, në Bashkinë Mirditë.
2. Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe i transferohet Bashkisë Mirditë në formën e transfertës së pakushtëzuar.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Mirditë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.94, DATË 4.2.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PER PROCEDURAT PËR ARMËT NË RASTET E DEKLARIMIT TË VDEKJES, DEKLARIMIT TË MBYLLJES LIGJORE TË AKTIVITETIT, PËR QËLLIME STUDIMORE, TË HUMBJES SË ARMËS, VJEDHJES SË SAJ APO DOKUMENTIT/AUTORIZIMIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 44, të ligjit nr.74/2014, datë 10.7.2014, “Për armët”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.94, datë 4.2.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
1. Në kreun I bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“ 1. Në rast vdekjeje të pronarit të armës, një pjesëtar madhor i familjes së tij ose përfaqësuesi i tij ligjor, kujdestari i të miturit apo personit që i është hequr zotësia apo ka zotësi të kufizuar, personi që ka jetuar me të në të njëjtën banesë ose personi tek i cili gjendej arma në momentin e vdekjes, si edhe çdo person që ka dijeni për ekzistencën e një arme në pronësi të personit të vdekur është i detyruar që, brenda 10 (dhjetë) ditëve, të njoftojë on-line në Portalin Unik Qeveritar E-Albania ose strukturën vendore të policisë ku janë regjistruar armët, nëse dihet, ose strukturën e policisë ku ka vendbanimin personi që ka humbur jetën.”.
b) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Armët, pjesët përbërëse të tyre, tërhiqen nga punonjësi i policisë së njësisë ku janë regjistruar dhe merren në ruajtje, në pritje të trashëgimtarit për t’i marrë e regjistruar në pronësi. Në momentin e dorëzimit të tyre organi përgjegjës për armën dhe municionin e dorëzuar pajis dorëzuesin me një vërtetim.”.
c) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Trashëgimtari i vetëm i armës, pjesëve përbërëse të saj, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga momenti i pranimit të trashëgimisë apo i përfundimit të afateve për heqjen dorë nga trashëgimia, si dhe kujdestari ligjor i trashëgimtarit, të cilit i është hequr apo kufizuar zotësia për të vepruar, me vendim gjyqësor detyrohet të kryejë një nga veprimet e mëposhtme:
a) Të tjetërsojë armën, pjesët përbërëse të saj dhe municionin; ose,
b) Të paraqesë kërkesë për pajisjen me autorizim për “mbajtje arme”; ose
c) Të dorëzojë armën për ta çaktivizuar; ose
ç) T’ia dorëzojë armën, pjesët përbërëse të saj dhe municionin, Drejtorisë Vendore të Policisë ku ka vendbanimin, pa asnjë kundërshpërblim.
ç) Pas pikës 3 shtohen nënpikat 3.1, 3.2, 3.3, 3.4 dhe 3.5, me këtë përmbajtje:
“3.1 Në rast se trashëgimtari i armës dhe municionit është i mitur, arma, pjesët e tyre dhe municioni do të qëndrojnë në ruajtje pranë organit përgjegjës të Policisë së Shtetit deri sa i mituri të arrijë moshën për t’u pajisur me autorizim për armë. Trashëgimtari i armës, me arritjen e moshës 25 vjeç, është i detyruar që të veprojë sipas përcaktimeve në pikën 3, shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç”, të këtij vendimi.
3.2. Kur trashëgimtari i armës e tjetërson atë, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e shitjes, detyrohet ta çregjistrojë armën në fjalë nga regjistri i armëve, pranë organit përgjegjës të Policisë së Shtetit.
3.3. Kur trashëgimtari i armës paraqet kërkesë për pajisjen me autorizim “mbajtje arme”, organi përgjegjës i Policisë së Shtetit e pajis me autorizimin përkatës nëse përmbush kushtet e përgjithshme dhe të veçanta sipas ligjit nr.74/2014, “Për armët”, të ndryshuar.
3.4. Nëse trashëgimtari i armës dëshiron ta mbajë atë si relike, duhet ta çaktivizojë atë në mënyrë të përhershme dhe, brenda 5 (pesë) ditëve, ta çregjistrojë pranë organit përgjegjës të Policisë së Shtetit. Shpenzimet e çaktivizimit të armës mbulohen nga kërkuesi.
3.5. Arma, që trashëgimtari i dorëzon Drejtorisë Vendore të Policisë ku ka vendbanimin, pa asnjë kundërshpërblim, çregjistrohet nga regjistri i armëve pranë organit përgjegjës të Policisë së Shtetit.”.
2. Pika 5, e kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Subjekti, me mbylljen ligjore të aktivitetit, bën njoftimin on-line për strukturën e Policisë së Shtetit, e cila me marrjen dijeni nga subjekti dhe në prezencë të tij bën menjëherë, por jo më vonë se 24 orë nga marrja dijeni, bllokimin e armëve të lejuara, së bashku me municionet e tyre, kundrejt procesverbalit përkatës, ku një kopje e tij i jepet të interesuarit.”.
3. Në kreun IV bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në fund të pikës 14, shtohen fjalët “… ose on-line në Portalin Unik Qeveritar E-Albania.”.
b) Në fund të pikës 17 shtohen fjalët “… ose on-line në Portalin Unik Qeveritar E-Albania.”
II. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1088, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MËNYRËS DHE TË PROCEDURAVE TË REGJISTRIMIT DHE PUBLIKIMIT TË TË DHËNAVE PËR PRONARËT PËRFITUES, SI DHE TË NJOFTIMIT NGA AUTORITETET SHTETËRORE KOMPETENTE DHE NGA SUBJEKTET E DETYRUARA”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 7, 6, pikat 8, 9, e 10, dhe 15, pika 4, të ligjit nr.112/2020, “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.1088, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas shkronjës “b”, të pikës 1, të kreut I, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) “Kërkesa” është aplikimi që i drejtohet Qendrës Kombëtare të Biznesit për kryerjen e veprimeve në regjistër, sipas ligjit për regjistrin e pronarëve përfitues.”.
2. Kudo në vendim, fjala “… Aplikim …” zëvendësohet me “… Kërkesë …”.
3. Pika 9, e kreut II, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“9. Procedura e regjistrimit fillestar nga subjektet raportuese ekzistuese të të dhënave për pronarët e tyre përfitues realizohet sipas parashikimeve të këtij kreu dhe sipas pikës 3, të nenit 15, të ligjit për regjistrin e pronarëve përfitues. Subjektet raportuese ekzistuese, të cilat rezultojnë me status të pezulluar në regjistrin tregtar, regjistrojnë pronarin përfitues në regjistrin e pronarit përfitues, përpara kërkesës për ndryshimin e statusit të tyre në regjistrin tregtar. Ndryshimi i statusit të subjekteve raportuese ekzistuese në regjistrin tregtar kryhet pas verifikimit se është regjistruar pronari përfitues i tyre, në regjistrin e pronarëve përfitues.”.
4. Shkronjat “c” dhe “ç”, të pikës 1, të kreut III, ndryshohen, si më poshtë vijon:
“c) Dokumentacioni i përcaktuar në nënndarjet “i” dhe “iii”, të shkronjës “a”, të kësaj pike, duhet të jetë hartuar brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve kalendarike nga data e regjistrimit fillestar të subjekteve raportuese në regjistrat përkatës.
ç) Dokumentacioni i përcaktuar në nënndarjet “i” dhe “iii”, të shkronjës “b”, të kësaj pike, duhet të jetë hartuar brenda të njëjtit afat të përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 3, të nenit 5, të ligjit për regjistrin e pronarëve përfitues.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1047, DATË 16.12.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË SHKOLLËS 9-VJEÇARE “AT ZEF PËLLUMBI”, NJËSIA ADMINISTRATIVE SHËNGJIN, BASHKIA LEZHË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, të miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pas pikës 2, të vendimit nr.1047, datë 16.12.2020, të Këshillit të Ministrave, shtohet pika 2.1, me këtë përmbajtje:
“2.1 Përdorimi i fondit për vitin 2021 të jetë në masën 181 200 000 (njëqind e tetëdhjetë e një milionë e dyqind mijë) lekë pa TVSH dhe i transferohet Bashkisë Lezhë për financimin e rindërtimit të shkollës 9-vjeçare “At Zef Pëllumbi”, Njësia Administrative Shëngjin, Bashkia Lezhë, në formën e transfertës së pakushtëzuar.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2021, MIRATUAR PËR MINISTRINË E TURIZMIT DHE MJEDISIT, PËR MBËSHTETJEN E TURIZMIT SHQIPTAR PËR PROMOVIMIN NË TREGJET NDËRKOMBËTARE POST COVID-19
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, në programin “Zhvillimi i turizmit”, në artikullin 602 (shpenzime operative), për Agjencinë Kombëtare të Turizmit, i shtohet fondi prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve për mbështetjen e turizmit shqiptar për promovimin në tregjet ndërkombëtare post COVID-19 dhe prezantimin e Shqipërisë si një destinacion mikpritës COVID-free.
2. Efekti financiar, prej 100 000 000 (njëqind milionë) lekësh, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2021.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E STATUSIT TË VEÇANTË “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 5 YJE, STATUS SPECIAL”, APLIKUESIT “MARINA AL”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special”, aplikuesit “Marina AL”, sh.p.k.
2. Ngarkohet Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E TARIFAVE PËR MARRJEN E MOSTRAVE DHE KRYERJEN E ANALIZAVE LABORATORIKE TË NEVOJSHME PËR KONTROLLIN E KRIPËS SË JODIZUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 12, të ligjit nr.9942, datë 26.6.2008, “Për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Tarifa për marrjen e mostrave për përcaktimin e nivelit të jodit në kripën ushqimore të jodizuar është 8 500 (tetëmijë e pesëqind) lekë.
2. Tarifa për kryerjen e analizave laboratorike për përcaktimin e nivelit të jodit në kripën ushqimore të jodizuar është 4 000 (katër mijë) lekë.
3. Tarifa, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përfshin koston e transportit dhe koston e analizimit të mostrës së kripës ushqimore të jodizuar në laboratorët e brendshëm të saj, kur marrja e mostrës së kripës ushqimore të jodizuar sipas procedurës realizohet nga struktura rajonale e shëndetësisë në pikën e prodhimit apo në pikat doganore (degët doganore kufitare).
4. Tarifa, në rast kërkese për përsëritje të analizës laboratorike nga subjektet prodhuese ose importuese, është e njëjtë me vlerën e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË BERAT, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE BERAT, TË PASURISË ME NR.24/220, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 8502, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.834, DATË 21.11.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË BERAT, TË QARKUT TË BERATIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Berat, për njësinë administrative Berat, të pasurisë me nr.24/220, me vendndodhje në zonën kadastrale 8502, sipas formularit gjithsej 1 (një) fletë dhe planrilevimit, bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në fushën e strehimit dhe shërbimeve sociale.
2. Pasuria e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.834, datë 21.11.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Berat të Qarkut të Beratit”, të ndryshuar.
3. Ngarkohen Bashkia Berat dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË PËRMET, TË NJËSISË ADMINISTRATIVE FRASHËR, TË DISA PRONAVE, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 2822
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Përmet, të njësisë administrative Frashër, të disa pronave me vendndodhje në zonën kadastrale 2822, sipas formularit gjithsej 1 (një) fletë dhe planrilevimeve, bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në fushën e bujqësisë.
2. Ngarkohen Bashkia Përmet dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE