Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

V E N D I M 

PËR

PËRCAKTIMIN E MËNYRËS E TË KRITEREVE TË PËRZGJEDHJES SË OPERATORIT QË DO TË NDËRTOJË SISTEMIN QENDROR TË MONITORIMIT ON-LINE (SQMO) DHE TË AUTORITETIT PËRGJEGJËS PËR ZHVILLIMIN E PROCEDURAVE TË PËRZGJEDHJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 48, pika 2, dhe 70, pika 12,  të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I.    DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1.    Operatori, që ndërton Sistemin Qendror të Monitorimit On-line (SQMO) të lojërave të fatit, kryen edhe procesin e shfrytëzimit e të mirëmbajtjes së tij duke garantuar procesin e monitorimit on-line të të dhënave që do të përdoren nga AMLF-ja. Operatori merr vlerën e investimit nga tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojrave të fatit për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e sistemit.

2.    Operatori duhet të garantojë mirëmbajtjen dhe mirëfunksionimin e sistemit nga çdo defekt në Sistemin Qendror të Monitorimit On-line. 

II.    PROCEDURA E HAPJES SË GARËS PËR PËRZGJEDHJEN E OPERATORIT

1. Autoriteti publik, që shpall hapjen e garës për përzgjedhjen e operatorit që do të ndërtojë SQMO-në, është Ministria e Financave, referuar më poshtë autoriteti përgjegjës, e cila e shpall atë jo më vonë se 45 (dyzet e pesë) ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

2.    Ministria e Financave miraton kriteret e vlerësimit të garës, dokumentet standarde të procedurës konkurruese, strukturën e Komisionit të Ngritjes së Sistemit Qendror të Monitorimit On-line të lojërave të fatit.
 
3.    Në dokumentet standarde të procedurës konkurruese jepet informacion që ka lidhje me objektin  dhe llojin e procedurës konkurruese, përfshirë informacione të përgjithshme dhe specifike.

    Informacioni i përgjithshëm përmban:
 
– njoftimin e shpalljes së procedurës konkurruese;
– udhëzimet për kandidatët/ofertuesit;
– kriteret e përgjithshme të kualifikimit/pjesëmarrjes;
– formularin për deklarimin e konfliktit të interesit;
– përshkrimin e projektit;
– njoftimin e skualifikimit të ofertuesve/kandidatëve;
– ankesa;
– njoftimin e fituesit;
– kushtet e përgjithshme dhe kushtet e veçanta të kontratës.

    Informacioni specifik përmban: 

– propozimin teknik;
– propozimin financiar.

4. Komisioni i Ngritjes së Sistemit Qendror të Monitorimit On-line të lojërave të fatit përbëhet nga 7 anëtarë, ku një përfaqësues do të jetë nga AMLF-ja dhe një përfaqësues nga AKSHI. Komisioni është përgjegjës për:

–    hartimin dhe dërgimin e njoftimit për publikim;
–    hartimin e dokumenteve të procedurës konkurruese dhe mbledhjen e të gjitha materiale të nevojshme që u bashkëlidhen atyre, përfshirë hartimin e kritereve të veçanta për kualifikim dhe përgatitjen e termave të referencës etj.;
–    hartimin dhe administrimin e të gjitha procesverbaleve për dokumentet e procedurës konkurruese dhe çdo dokumenti tjetër që lidhet me procedurat e përcaktimit të fituesit, përfshirë edhe procesverbalet e mbledhjeve, kur është rasti;
–    llogaritjen e çmimit të shitjes së dokumenteve të procedurës konkurruese që u jepet operatorëve me kërkesën e tyre, kur është rasti;
–    vlerësimin dhe shqyrtimin e propozimeve të paraqitura, si dhe çdo procedurë tjetër në lidhje me shpalljen e operatorit fitues për ngritjen e këtij sistemi.

5. Autoriteti publikon njoftimin për konkurrim për ndërtimin e sistemit në të paktën një gazetë të huaj me qarkullim ndërkombëtar në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, si dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike. Afati për paraqitjen e ofertave është jo më pak se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike nga data në të cilën është botuar formulari për njoftimin e kontratës në Buletinin e Njoftimeve Publike.

6. Njoftimi duhet të përmbajë:

–    vendin, datën dhe orën e paraqitjes së propozimit për këtë procedurë;
–    gjuhën e paraqitjes së propozimit;
–    mënyrën e paraqitjes së propozimit;
–    vendin, orën dhe datën e shqyrtimit të propozimit.

7. Çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, vendas ose të huaj, pas shpalljes së ftesës për konkurrim nga autoriteti përgjegjës ka të drejtë të aplikojë pranë kësaj strukture për të paraqitur propozimin e tij.

8. Propozimi shoqërohet me dokumentet e mëposhtme:

–    Statutin dhe aktin e themelimit të personit juridik apo personave juridikë, pjesëmarrës në një bashkim shoqërish;
–    vetëdeklarimin se shoqëria nuk është në proces falimentimi apo likuidimi;
–    deklaratën për burimin e kapitalit që do të investohet për ndërtimin e sistemit SQMO;
–    dokumente që provojnë eksperienca të ngjashme në ndërtimin e sistemeve qendrore të monitorimit on-line të lojërave të fatit në Shqipëri ose në një nga vendet evropiane;
–    vërtetimin se ka personel të kualifikuar për ndërtimin e sistemeve të ngjashme, të vërtetuara me dokumentacionin përkatës;
–    planbiznesin për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemit SQMO.
 
9.    Propozimi duhet të përmbajë gjithashtu çdo informacion tjetër që mund t’i kërkohet aplikantit në dokumentet e procedurës së konkurrimit apo nga komisioni, të cilat do të gjykohen të nevojshme për veprimtarinë që do të ushtrohet. Propozimi duhet të paraqitet në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe angleze.

10. Çdo propozues, që kërkon sqarime rreth udhëzimeve, kritereve kualifikuese ose për ndonjë kërkesë tjetër të përcaktuar, i drejtohet me shkrim Ministrisë e Financave brenda 10 (dhjetë ditëve) nga data e shpalljes së procedurës konkurruese në Buletninin e Njoftimeve Publike. Përtej këtij afati, kërkesa për sqarim nuk do të pranohet. Komisioni i Ngritjes së Sistemit të Monitorimit On-line të lojërave të fatit merr në shqyrtim kërkesën dhe  përgjigjet brenda 7 (shtatë) ditëve nga data e paraqitjes së saj.
 

III.    KRITERET KUALIFIKUESE DHE VLERËSUESE PËR  PËRZGJEDHJEN E OPERATORIT QË DO TË NDËRTOJË SISTEMIN QENDROR TË MONITORIMIT ON-LINE (SQMO)

1.    Kriteret administrativo-ligjore që duhet të përmbushë çdo kandidat/ofertues për t’u kualifikuar në procedurat e vlerësimit janë, si më poshë vijon:
 
–    Të mos jetë në proces falimentimi dhe kapitalet e tij të mos jenë në proces ekzekutimi nga përmbaruesit;
–    Të mos jetë subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe të mos ketë një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata ose të mos ketë një marrëveshje me kreditorët, ose ndonjë procedurë tjetër të ngjashme;
–    Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale;
–    Të ketë përmbushur detyrimet për pagimin e tatimeve në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës;
–    Të ketë përmbushur detyrimet për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës.
  Kandidati/ofertuesi i huaj duhet të vërtetojë se i plotëson të gjitha kërkesat e renditura më sipër. Nëse dokumentet e sipërpërmendura nuk i lëshohen në shtetin e origjinës, atëherë kandidati/ofertuesi lejohet t’i paraqesë ato në formën e deklaratave me shkrim, nën përgjegjësinë e tij të plotë. Çdo e dhënë e deklaruar dhe që rezulton e rremë përbën një kusht të mjaftueshëm për të skualifikuar aplikantin. 
  Sipas rastit, Komisioni i Ngritjes së Sistemit të Monitorimit On-line të lojërave të fatit nëse ka dyshime, mund  të kryejë verifikime nëse këto vërtetime lëshohen apo jo nga institucionet përkatëse në vendin e origjinës dhe në rast se konstaton zyrtarisht se në shtetin e origjinës ekziston një institucion i cili mund të lëshojë një vërtetim të tillë të paraqitur nga aplikanti i huaj në formën e vetëdeklarimit, atëherë Komisioni do ta quajë të pavlefshëm dokumentin vetëdeklarues të paraqitur dhe aplikanti për këtë shkak skualifikohet. Në rastet e verifikimit të vërtetësisë së vetëdeklarimeve të aplikuesve të huaj, afati i vlerësimit i parashikuar shtyhet derisa ky verifikim të përfundojë.
  Dokumentet e paraqitura duhet të jenë origjinale, fotokopje të noterizuara ose në një formë tjetër në të cilën ato lëshohen nga organi kompetent, si dhe me apostil, në rastin kur bëhet fjalë për dokumente të lëshuara nga autoritete apo institucione të një shteti tjetër. Kriteret e përcaktuara më lart duhet të vërtetohen nëpërmjet dokumenteve të lëshuara jo më parë se tre muaj nga dita e dorëzimit të aplikimit. 

  Dokumentet e paraqitura nga çdo aplikant i huaj, të lëshuara nga një vend i ndryshëm nga ai i Republikës së Shqipërisë, duhet të jenë të legalizuara ose të mbajnë vulën apostile në përputhje me ligjin nr.9060, datë 8.5.2003. Në rastin e aplikantit të huaj, përveç dokumenteve të tjera të kërkuara duhet të paraqitet edhe certifikata e rezidencës, e lëshuar nga shteti ku ka rezidencën aplikanti. 

2.    Kriteret teknike që duhet të përmbushë çdo kandidat/ofertues janë, si më poshë vijon:

a)    Operatori ekonomik duhet të vërtetojë me të paktën një referencë të një projekti të ngjashëm, të zhvilluar dhe të realizuar me sukses, të lëshuar nga një ent publik/privat. 
b)    Operatori ekonomik dhe/ose nënkontraktori/ët e tij duhet të kenë përfunduar me sukses projektin e përcaktuar në referencat përkatëse. 
c)    Operatori ekonomik dhe/ose nënkontraktori/ët e tij duhet të provojnë se kanë eksperiencë të ngjashme për të paktën 3 (tre) vite pune dhe për të paktën 1 (një) ose më shumë projekte të ngjashme në industrinë e lojërave të fatit. 
ç)     Operatori ekonomik, në emër të tij dhe/ose nënkontraktorit/ëve të tij, duhet të dorëzojë listën e mëposhtme të certifikimeve apo deklaratave: 

–    software-in e përdorur apo që propozohet të përdoret; 
–    listën dhe versionet e hardware-it të përdorur apo të propozuar për t’u përdorur; 
–    modele të licencave, të dhënat e kodit në burim dhe certifikimet (nëse ka); 
–    çdo standard apo certifikim të njohur ndërkombëtarisht (p.sh. ISO etj);
–    kualifikimet dhe eksperiencën e stafit kryesor;
–    çdo dokument tjetër mbështetës apo që vlerësohet si i nevojshëm.

3.    Kriteret financiare që duhet të përmbushë çdo kandidat/ofertues janë, si më poshë vijon:

Operatori ekonomik duhet të paraqesë:

–    kopje të vërtetuara të bilanceve financiare të të paktën 3 (tri) viteve të fundit, të miratuara nga autoritetet zyrtare përkatëse, sipas përcaktimit të bërë në legjislacionin e vendit të origjinës;
–    kopje të deklaratës së xhiros vjetore e të raporteve financiare të audituara për të paktën 3 (tri) vitet e fundit financiare, të certifikuara nga një auditues i jashtëm.
 
4.    Kriteret për vlerësim që duhet të përmbushë çdo kandidat/ofertues janë:

Kriteret e përgjithshme, në bazë të të cilave bëhet vlerësimi i ofertës dhe metodologjia e përllogaritjes janë të njëjta për të gjithë ofertat. Metodologjia e vlerësimit bazohet në parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit. Komisioni vlerëson ofertat teknike dhe financiare në bazë të këtyre kritereve:

a)    Ekspertiza profesionale, 0-300 pikë (30%);
b)    Propozimi teknik, 0-400 pikë (40%), nga të cilat: 
 
–  zgjidhja teknike, 265 pikë (26.5%); 
–  jetëgjatësia e implementimit të projektit, 100 pikë (10%);
–  vlerësimi i riskut, 35 pikë (3.5%).
 
c)    Propozimi financiar, 0-300 pikë (30%).
 
Institucioni përgjegjës për shqyrtimin e dokumenteve të konkurrimit publikon metodologjinë e vlerësimit dhe krahasimit të kandidatëve/ofertuesve për pëzgjedhjen e fituesit.
Kostot e organizimit të procedurave konkurruese, shpenzimet për mbulimin e kostove për procedurat e publikimit e hartimit të dokumentacionit përballohen nga kandidati/ofertuesi fitues.

IV.    PËRZGJEDHJA E SUBJEKTIT/OPERATORIT

1.    Përzgjedhja e subjektit, që do të ndërtojë SQMO-në, bëhet nga autoriteti përgjegjës në përputhje me kriteret e vlerësimit, të përcaktuara në këtë vendim dhe në dokumentet e procedurës konkurruese të bëra publike.

2.    Anëtarët e Komisionit të Ngritjes së Sistemit të Monitorimit On-line të lojërave të fatit duhet të vetëdeklarojnë, nën përgjegjësinë tyre, se pjesëmarrja në këtë komision nuk përbën shkak për lindjen e një konflikti interesi me subjektet pjesëmarrëse në konkurim. Për mosdeklarim zbatohen masat e parashikuara në ligjin nr.9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Anëtarët e Komisionit kanë detyrimin të ruajnë konfidencialitetin e përmbajtjes së çdo propozimi.
 
3. Komisioni i Ngritjes së Sistemit të Monitorimit On-line të lojërave të fatit vlerëson brenda 30 (tridhjetë) ditëve punë nga dita e hapjes së propozimeve të paraqitura. Nëse propozimi plotëson të gjitha kërkesat për dorëzimin e dokumentacionit të përcaktuara në dokumentet e procedurës konkurruese, komisioni deklaron listën e propozueseve që kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar dhe që kalojnë në fazën e vlerësimit të propozimeve. Vetëm propozimet që përmbajnë të gjitha dokumentet kualifikuese të parashikuara në dokumentet e procedurës konkurruese do të kualifikohen.

4.    Kryetari i Komisionit, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së vendimit nga ky komision për pranimin apo refuzimin e propozimit, njofton të gjithë propozuesit për këtë vendim. Njoftimi mbi këtë vendim bëhet publik edhe ne faqen zyrtare të Ministrisë së Financave.

5. Çdo propozues pjesëmarrës në garë mund të kërkojë rishikim administrativ të procesit të konkurrimit kur gjykon se vendimi i institucionit përgjegjës është marrë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Propozuesit kanë të drejtë të ankimojnë vendimin e Komisionit për refuzimin e propozimit pranë Ministrisë së Financave brenda 7 (shtatë) ditëve nga data e shpalljes së njoftimit në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave. Me marrjen e ankesës me shkrim, komisioni pezullon vazhdimin e procedurës derisa ankesa të jetë shqyrtuar plotësisht, përfshirë edhe nxjerrjen e një vendimi përpara përfundimit të afatit kohor. Komisioni i Ngritjes së Sistemit të Monitorimit) On-line të lojërave të fatit, brenda 7 (shtatë) ditëve nga data e paraqitjes së ankesës, përfundon shqyrtimin administrativ dhe njofton ankuesin për vendimin e marrë.
 
6. Kur propozuesi i renditur i pari në listë nuk vazhdon procedurat për lidhjen e kontratës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e shpalljes së tij fitues, skualifikohet dhe shpallet fitues konkurrenti i renditur i dyti sipas listës së miratuar.

7.    Në rast se edhe konkurrenti i dytë nuk vazhdon procedurën për lidhjen e kontratës, autoriteti përgjegjës urdhëron përsëritjen e garës.

8.    Që të vazhdojë procesi i përzgjedhje së operatorit fitues për ndërtimin e sistemit të monitorimit on-line të sistemit të lojërave të fatit, duhet të pranohet  të paktën 1 (një) ofertë e vlefshme, në rast të kundërt autoriteti përgjegjës anulon vazhdimin e garës dhe fillon një procedurë të re konkurruese.

V. NJOFTIMI I FITUESIT/ LIDHJA E KONTRATËS

1.    Me miratimin e listës së pjesëmarrësve në konkurrim, autoriteti përgjegjës urdhëron publikimin e njoftimit të fituesit në faqen zyrtare të Buletinit të Njoftimeve Publike.
 
2. Me përfundimin e afatit për paraqitjen e ankesave, autoriteti përgjegjës fton aplikantin e shpallur fitues për negociimin e kontratës për ndërtimin e sistemit SQMO, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e tij.

VI. MIRËMBAJTJA E SISTEMIT

1. Subjekti i shpallur fitues duhet të parashikojë dhe të realizojë investime për krijimin e Sistemit Qendror të Monitorimit On-line SQMO dhe të ruajtjes së informacionit, me qëllim mundësimin e ofrimit të shërbimit pa ndërprerje dhe parandalimin e humbjes ose shkatërrimit aksidental të të dhënave.
 
2.    Tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojërave të fatit përmban vlerën fikse për çdo pajisje/lojë fati për mirëmbajtjen e sistemit si dhe vlerën në përqindje mbi të ardhurat bruto nga lojërat e fatit për shlyerjen e investimit dhe për ngritjen e përditësimin e sistemit SQMO. Formula, e cila do të shërbejë për llogaritjen e tarifës, do të jetë pjesë e dokumenteve standarde të tenderit. 

3.    Tarifa, që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojërave të fatit, e propozuar nga subjekti i shpallur fitues, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

VII. DISPOZITA TË FUNDIT

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI

***

 

V E N D I M  

PËR

DHËNIE NDIHME FINANCIARE FAMILJES SË INSPEKTOR ADRIAN HALIL KODRA, ISH-PUNONJËS POLICIE, I VRARË NË KRYE TË DETYRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave 

V E N D O S I:

1.    Dhënien e ndihmës financiare, prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, familjes së inspektor Adrian Halil Kodra, ish-punonjës policie në Repartin e  Ndërhyrjes së Shpejtë, Shkodër, i vrarë në krye të detyrës.

2.    Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

3.    Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

         Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I 

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI

***

V E N D I M

PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE”, BASHKIA KORÇË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i varrezave publike”, Bashkia Korçë. 

2.    Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Korçë.

3.    Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë “tokë arë”, me sipërfaqe 13 380 (trembëdhjetë mijë e treqind e tetëdhjetë) m², me vlerë të përgjithshme prej 1 338 044 (një milion e treqind e tridhjetë e tetë mijë e dyzet e katër) lekësh.

4.    Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 1 338 044 (një milion e treqind e tridhjetë e tetë mijë e dyzet e katër) lekësh, të përballohet nga të ardhurat e Bashkisë Korçë, planifikuar në buxhetin e saj.  

5.    Vlera e shpenzimeve procedurale të përballohet nga Bashkia Korçë.
 
6.    Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7.    Afati i përfundimit të punimeve të objektit në Bashkinë Korçë të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga kjo bashki.

8.    Regjistrimi i ri i pasurisë prej 13 380 (trembëdhjetë mijë e treqind e tetëdhjetë) m² “tokë arë”, për projektin “Zgjerim i varrezave publike”, të bëhet në favor të Bashkisë Korçë.

9.    Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Korçë, Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së tokës në Këshillin e Qarkut Korçë dhe Bashkia Korçë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 
K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, INTENSITETIT DHE TË PROCEDURËS PËR DHËNIEN DHE AUTORIZIMIN E NDIHMËS SHTETËRORE NË FORMËN E KOMPENSIMIT TË SHËRBIMEVE ME INTERES TË PËRGJITHSHËM EKONOMIK DHE PUBLIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 13/3, të ligjit nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I.    DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1.    Ky vendim përcakton kriteret, intensitetin e ndihmës dhe procedurat për dhënien e autorizimin e ndihmës shtetërore në formën e kompensimit të shërbimeve me interes të përgjithshëm ekonomik dhe publik.

2.    Termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me termat e përkufizuar ose përdorur në ligjin nr.9374, datë 21.4.2005, “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar.

3.    Përveç sa parashikohet në pikën 2, të këtij kreu, për qëllime të zbatimit të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a)    “Shërbim i interesit të përgjithshëm publik dhe ekonomik”, çdo shërbim në interesin e përgjithshëm, të cilin ndërmarrja përfituese ngarkohet ose detyrohet ta ofrojë, në bazë të një mandati të shërbimit publik (në vijim shërbim publik). 
b)    “Mandat i shërbimit publik”, akti juridik, në formë ligji, vendimi, koncesioni apo kontrate, private ose publike, partneriteti publik privat, në bazë të të cilit ndërmarrja ngarkohet ose detyrohet të ofrojë një shërbim publik dhe që përmban të dhënat e përcaktuara në kreun II, të këtij vendimi. 
c)    “Marzh fitimi i arsyeshëm”, norma e kthimit të kapitalit për nivelin e rrezikut që ka ndërmarrja për aktivitetin që kryen, e llogaritur për të gjithë periudhën e mandatit, pavarësisht nëse ofron ose jo shërbime publike.
ç)  “Rrezik”, çdo faktor që mund të shkaktojë uljen e të ardhurave të pritshme ose rritjen e kostove të pritshme, faktorë, këta, që varen nga sektori ekonomik ose shërbimi publik dhe që nuk janë marrë parasysh në parametrat e llogaritjes së kompensimit.
d)    “Kompensim”, çdo lloj ndihme, në kuptimin e ligjit për ndihmën shtetërore, që i jepet një ndërmarrjeje në formë kompensimi për shërbimet publike të ofruara.
dh)  “Kosto neto”, diferenca ndërmjet kostos së shërbimeve publike dhe të ardhurave të pritshme ose të realizuara.
e)    “Të ardhura”, të ardhurat dhe përfitimet e çdo natyre, të përfituara në kuadrin e ofrimit të shërbimit dhe të përfituara nga aktivitete të tjera, që nuk përbëjnë shërbime publike, kur ndërmarrja ka të drejta ekskluzive ose të veçanta apo kur mandati i shërbimit publik vendos që të ardhurat e fituara në kuadrin e aktiviteteve që nuk përbëjnë shërbime publike të përdoren për financimin e shërbimeve publike. 
ë) “Aktivitet tjetër, që nuk përbën shërbim publik”, çdo aktivitet, të cilin ndërmarrja përfituese nuk është e ngarkuar ose e detyruar ta ofrojë në bazë të një mandati të shërbimit publik.

II.    KUSHTET DHE KRITERET PËR DHËNIEN E LEJIMIN E NDIHMËS SHTETËRORE NË FORMËN E KOMPESIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE 

1.    Në çdo rast, ndihma shtetërore në formën e kompensimit të shërbimeve publike jepet dhe lejohet vetëm nëse ndërmarrja ka një mandat për ofrimin e shërbimit me interes të përgjithshëm ekonomik dhe publik, i cili përmbush kushtet e parashikuara në pikën 2, të këtij kreu. 

2.    Mandati i shërbimit publik duhet të përmbajë, në veçanti,: 

a)    përmbajtjen dhe përcaktimin sa më të detajuar të detyrimeve të shërbimit publik dhe, kur është e mundur, listën e shërbimeve publike që ndërmarrja përfituese duhet të kryejë; 
b)    ndërmarrjen përfituese dhe territorin në të cilin duhet të ofrohet shërbimi publik;
c)    kohëzgjatjen e detyrimeve të shërbimit publik. Në parim, mandati nuk e kalon një periudhë dhjetëvjeçare, përveç rasteve kur ofruesi i shërbimit detyrohet ose angazhohet të kryejë një investim të rëndësishëm, të papërdorshëm, i cili ka nevojë të amortizohet për një kohë më të gjatë, në përputhje me parimet kontabël përgjithësisht të pranuara;
ç) mekanizmin e kompensimit dhe të parametrave për llogaritjen, monitorimin dhe rishikimin e kompensimit. Parametrat për llogaritjen e kompensimit duhet të jenë objektivë dhe të matshëm;
d)    masat për shmangien dhe kthimin e çdo mbikompensimi;
dh)     çdo të drejtë ekskluzive apo të veçantë që i është caktuar ndërmarrjes, të cilat duhet të parashikohen paraprakisht me ligj.

3.    Dhënia e ndihmës shtetërore në formën e kompensimit për shërbime publike duhet të jetë proporcionale.

4.    Shuma e kompensimit për shërbime publike nuk duhet të kalojë koston neto të ofrimit të shërbimit publik, përfshirë dhe një marzh fitimi të arsyeshëm. Llogaritja e kostos neto, marzhit të fitimit dhe kontrolli i mbikompensimit kryhet sipas parashikimeve të bëra në kreun III, të këtij vendimi.

5.    Ndalohet financimi i aktiviteteve të tjera, që nuk përbëjnë shërbime publike, me anë të shumës së marrë për të kompensuar shërbimet publike. 

6.    Çdo ndërmarrje përfituese, që kryen shërbime publike dhe aktivitete të tjera, të cilat nuk përbëjnë shërbime publike, është e detyruar të pasqyrojë në kontabilitetin e ndërmarrjes, të ndara, kostot dhe të ardhurat e shërbimeve publike nga kostot e të ardhurat e aktiviteteve të tjera, që nuk përbëjnë shërbime publike. Kontabiliteti pasqyron, gjithashtu, edhe metodën e përdorur për ndarjen e kostove dhe të ardhurave.
7.    Shërbimet publike mund të financohen me të ardhura të vjela nga aktivitete të tjera, që nuk përbëjnë shërbime publike.

8.    Ndihma në formë kompensimi për shërbimet publike është e lejueshme për periudhën e kohëzgjatjes së mandatit të shërbimit, në rastet kur: 
a)    kompensimi për shërbimet publike nuk e kalon shumën vjetore prej 2 085 000 000 (dy miliardë e tetëdhjetë e pesë milionë) lekësh. Në rastin kur mandati jepet për një periudhë më të gjatë se një vit, shuma vjetore llogaritet si mesatare e shumës vjetore të kompensimit gjatë periudhës së mandatit;
b)    kompensimi jepet për ofrimin e shërbimeve publike nga spitalet që ofrojnë shërbime mjekësore, përfshirë shërbimet e urgjencës;
c)    kompensimi jepet për ofrimin e shërbimeve publike, me qëllim përmbushjen e nevojave sociale, të shëndetit, përkujdesjes ndaj fëmijëve, integrimit social, integrimit në tregun e punës apo banesave sociale;
ç)     kompensimi jepet për ofrimin e shërbimeve publike, nga linjat ajrore ose detare të brendshme, në rastin kur trafiku mesatar vjetor, në dy vitet e mëparshme financiare, nuk i ka kaluar 300 000 (treqind mijë)  pasagjerë; 
d)    kompensimi jepet për ofrimin e shërbimeve publike për aeroportet, në rastin kur trafiku mesatar vjetor, gjatë dy viteve financiare të mëparshme, nuk i ka kaluar 200 000 (dyqind mijë) pasagjerë, si dhe për portet, për të cilat trafiku mesatar vjetor, gjatë dy viteve financiare të mëparshme, nuk i ka kaluar 300 000 (treqind mijë)  pasagjerë. 

9.    Ndihmat në formën e kompensimit të shërbimeve publike, që nuk përfshihen në rastet e parashikuara në pikën 1, të këtij kreu, mund të autorizohen nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore, pas vlerësimit, në bazë të kritereve të përgjithshme, të përcaktuara në këtë vendim dhe në ligjin për ndihmën shtetërore.

III.    LLOGARITJA E KOMPENSIMIT 

1.    Dhënia e ndihmës shtetërore në formën e kompensimit për shërbime publike nuk duhet të kalojë koston neto të ofrimit të shërbimit publik, përfshirë edhe një marzh fitimi të arsyeshëm.
 
2.    Kostoja neto llogaritet si diferenca ndërmjet kostos së përcaktuar në pikën 3 dhe të ardhurave të përcaktuara në pikën 4, të këtij kreu, ose si diferenca ndërmjet kostos neto të ndërmarrjes, përfshirë shërbimet publike, dhe kostos së po kësaj ndërmarrjeje, pa përfshirë shërbimet publike (kosto e evitueshme).

3.    Kostot që lidhen me shërbimin publik janë kosto direkte të ofrimit të shërbimit publik dhe një pjesë e përpjesëtueshme e kostove të përbashkëta të ofrimit të shërbimit publik e të një aktiviteti tjetër, që nuk përbën shërbim publik. Llogaritja e kostos bëhet, si më poshtë vijon:
a)    Në rastin kur ndërmarrja ofron vetëm shërbime publike, për të cilat kompensohet, për llogaritjen e kostos neto merren parasysh të gjitha kostot e ofrimit të shërbimit publik; 
b)    Në rastin kur ndërmarrja, përveç shërbimeve publike ushtron edhe një aktivitet tjetër, që nuk përbën shërbim publik, merren parasysh, për efekt llogaritjeje të kostos neto, vetëm kostot që lidhen me ofrimin e shërbimit publik.  

4.    Të ardhurat e ndërmarrjes janë të gjitha të ardhurat e vjela gjatë ofrimit të shërbimit publik. Në rastin kur ndërmarrja gëzon të drejta speciale, ekskluzive apo avantazhe të tjera nga shteti, për aktivitete të tjera, që nuk përbëjnë shërbim publik, të gjitha të ardhurat e vjela në ofrimin e këtyre aktiviteteve merren parasysh (përfshihen) për llogaritjen e kostos neto, pas zbritjes së një marzhi fitimi të arsyeshëm, i cili i mbetet ndërmarrjes. Në mandatin e shërbimit publik mund të përcaktohet që të gjitha ose një pjesë e të ardhurave që vilen nga një aktivitet tjetër i ndërmarrjes, i cili nuk përbën shërbim publik, të përdoren plotësisht apo pjesërisht për llogari të  financimit të shërbimit me interes të përgjithshëm ekonomik.

5.    Për përcaktimin e marzhit të fitimit të arsyeshëm zbatohen këto rregulla: 
a)    Në rastin kur e gjithë kostoja neto e shërbimeve publike kompensohet ex post, norma e kthimit të kapitalit, që përcakton marzhin e fitimit të arsyeshëm, nuk e kalon normën e bonos së thesarit me maturitet periudhën e mandatit, të shprehur në lekë, dhe 100 pikë bazë shtesë; 
b)    Në rastin kur ofrimi i shërbimit publik paraqet një rrezik financiar, i cili nuk merret parasysh në parametrat e llogaritjes së kompensimit të përcaktuar paraprakisht (ex ante), norma e kthimit të kapitalit, që përcakton marzhin e fitimit të arsyeshëm, përbëhet nga norma e bonos së thesarit me maturitet periudhën e mandatit, të shprehur në lekë, dhe 100 pikë bazë shtesë. Kur rreziku financiar lidhur me aktivitetin e shërbimit publik konsiderohet si i madh, në vend të normës së bonos së thesarit merret parasysh norma e obligacioneve të emetuara nga Banka e Shqipërisë, me maturitet periudhën e mandatit, të shprehur në lekë dhe 100 pikë bazë shtesë. 

6.    Dhënësi i ndihmës duhet të garantojë që shuma e kompensimit për ofrimin e shërbimit publik të mos tejkalojë shumën e llogaritur sipas pikës 1, të këtij kreu. 

7.    Shuma e dhënë për shërbime publike, e cila nuk kalon 10% të kompensimit mesatar të lejueshëm, në përputhje me këtë vendim, mund të mbartet në periudhën e ardhshme të mandatit, me kusht që të zbritet nga kompensimi i periudhës së ardhshme. 

8.    Çdo shumë e dhënë, që kalon kompensimin e llogaritur sipas këtij vendimi, duhet t’i kthehet dhënësit. 

9.    Dhënësi i mandatit të shërbimit publik ose i kompensimit për shërbimin publik kontrollon rregullisht nëse kompensimi i dhënë llogaritet dhe përdoret në përputhje me këtë vendim. Ky kontroll kryhet, të paktën, çdo tre vjet. 

IV.    PROCEDURA PËR AUTORIZIMIN DHE MONITORIMIN E NDIHMËS NË FORMËN E KOMPENSIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE

1.    Çdo plan për dhënien e ndihmës shtetërore në formën e kompensimit të shërbimeve publike njoftohet pranë strukturës përgjegjëse për ndihmën shtetërore, në përputhje me legjislacionin për ndihmën shtetërore, e cila kontrollon nëse përmbushen kushtet e parashikuara në  këtë vendim, dhe ia përcjell njoftimin, për shqyrtim, Komisionit të Ndihmës Shtetërore.
 
2.    Ndihma njoftohet nga dhënësi para dhënies dhe, në njoftimin e saj, dhënësi jep një vlerësim të rrezikut financiar lidhur me aktivitetin e shërbimit publik. Komisioni i Ndihmës Shtetërore vendos vlerën e normës së kthimit të kapitalit që shërben si marzh fitimi të arsyeshëm, në rastin konkret, duke marrë parasysh vlerësimin e dhënësit dhe vlerën e normës së kthimit të kapitalit për aktivitete të ngjashme.

3.    Komisioni merr vendim, në të cilin konstatohet që ndihma e dhënë përmbush kushtet e përcaktuara në pikën 8, të kreu II, të këtij vendimi, dhe, si rrjedhim, autorizon dhënien e ndihmës.
4.    Komisioni merr vendim për pezullimin e ndihmës nëse konstaton se një ose më shumë kushte nuk përmbushen ose kur ka dyshime serioze për pajtueshmërinë e ndihmës me legjislacionin e ndihmës shtetërore.

5.    Struktura përgjegjëse për kontrollin e ndihmës shtetërore mban një regjistër të ndihmave në formën e kompensimit të shërbimit publik, në përputhje me detyrën e përcaktuar në ligjin për ndihmën shtetërore.

6.    Me kërkesë të Komisionit të Ndihmës Shtetërore, dhënësi e përfituesi japin çdo informacion për natyrën, qëllimin, shumën dhe llogaritjen e grantit ose ekuivalentit bruto të grantit, për çdo lloj ndihme tjetër të marrë nga ndërmarrja përfituese dhe për çdo informacion të kërkuar në lidhje me ndihmat e marra ose të planifikuara për t’u marrë. 

V.    DISPOZITA TË FUNDIT

Ngarkohet ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për zbatimin e këtij vendimi
     
 Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI

***

V E N D I M

PËR

RREGULLAT DHE KRITERET PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE NGA GOMAT E PËRDORURA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 41, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave

VENDO S I:

1.    Menaxhimi i mbetjeve nga gomat e përdorura nënkupton rregullat dhe kriteret që përfshijnë mbledhjen/grumbullimin, transportimin, ruajtjen/magazinimin dhe trajtimin e gomave të përdorura në mënyrë të tillë që të sigurohet mbrojtja e shëndetit të njeriut dhe e mjedisit. 

2.    Në kuptim të këtij vendimi me termat e mëposhtëm nënkuptohet: 

a) “Grumbullues”, personi që kryen grumbullimin e mbetjeve të gomave të përdorura.
b) “Magazinues”, personi që kryen ruajtjen e përkohshme të mbetjeve.
c) “Trajtues”, personi që kryen trajtimin e mbetjeve.

3.    Të gjithë termat e tjerë të përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me termat e ligjit  nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar. 

4.    Ky vendim zbatohet për mbetjet e gomave të përdorura të mjeteve rrugore (ciklomotor, motomjete, automjete, trojlebuse, rimorkio, makina bujqësore, makina teknologjike dhe mjete rrugore të veçanta), avionë dhe produkte të tjera të ngjashme, pas ciklit të jetës, të cilat zotëruesi i tyre i nxjerr nga puna ose kanë qëllim t’i heqin për shkak të dëmtimeve, fërkimit/gërryerjes ose arsye të tjera.

5.    Zotëruesi i gomave të përdorura i dorëzon pa pagesë gomat e përdorura te grumbulluesi dhe/ose te magazinuesi dhe/ose te trajtuesi i gomave të përdorura. Në rastin e zëvendësimit të gomave të përdorura me goma të reja në pikat e servisit, zotëruesi i gomave të përdorura i dorëzon ato tek servisi.

6. Grumbulluesi dhe/ose magazinuesi i mbetjeve të gomave të përdorura i dorëzon ato te trajtuesi i gomave të përdorura duke plotësuar dokumentin e transferimit të mbetjeve, në përputhje me legjislacionin në fuqi për transferimin e mbetjeve jo të rrezikshme.

7. Vendet e magazinimit të gomave të përdorura duhet të jenë të hapura dhe të kenë sipërfaqe betoni e të jenë të rrethuara nga një mur rrethues të paktën 2 (dy) m i lartë. Vendet e magazinimit për mbetjet e gomave të përdorura duhet të jenë të mbyllura.

8. Vendmagazinimi duhet të jetë nën mbikëqyrje për të parandaluar hyrjen e personave të paautorizuar dhe duhet të ketë një sistem për mbrojtjen nga zjarri, në përputhje me legjislacionin në fuqi. 

9. Menaxhimi i gomave të përdorura kryhet nga persona fizikë/juridikë, të pajisur me lejen e mjedisit sipas fushës III.1, të shtojcës së ligjit nr.10081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, dhe me licencën III.2.B, të fushës III, sipas vendimit nr.538, datë 26.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga/apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL) dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar. 

10.    Trajtimi i gomave të përdorura dhe mbetjeve të tyre përfshin operacione, si më poshtë vijon:

a)    Riveshjen për ritregtim, me qëllim përdorimin origjinal të tyre;
b)    Riciklimin e gomave të patregtueshme, nëpërmjet grirjes së tyre dhe përdorimit të granulave si lëndë e parë për industrinë  e prodhimit të gomave; 
c)    Rikuperimin e gomave të patregtueshme me qëllim përfitimin e energjisë;
ç)     Përdorimin e gomave të përdorura si lëndë djegëse shtesë për veprimtari të caktuara industriale.

11.    Trajtuesi i gomave të përdorura dërgon pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve informacion në lidhje me sasitë e gomave/mbetjeve të gomave të përdorura, të trajtuara sipas dokumenteve të transferimit, brenda datës 30 tetor të çdo viti. Agjencia informon ministrinë në lidhje me të dhënat e trajtimit të mbetjeve nga gomat e përdorura brenda muajit janar të vitit pasardhës.

12.    Grumbulluesi, magazinuesi dhe trajtuesi i gomave/mbetjeve të gomave të përdorura mbajnë regjistrime ditore për sasitë e gomave të përdorura të mbledhura, të magazinuara dhe të trajtuara. Regjistrimet ditore shënohen në një regjistër të posaçëm i cili ruhet për të paktën 3 (tre) vjet. Formati i regjistrit miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për mjedisin, brenda 30 (tridhjetë) ditëve pune nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

13.    Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet juridike 3 muaj pas botimit.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI
***

V E N D I M 

PËR 

MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT TË APELIMIT TË GJOBAVE, PROCEDURAT E EMËRIMIT, TË SHKARKIMIT DHE MASËN E SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 54, pika 3, dhe 70, pika 13, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Miratimin e rregullores “Për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Komisionit të Apelimit të Gjobave, procedurat e emërimit, të shkarkimit dhe masën e shpërblimit të anëtarëve”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2.    Anëtarët dhe sekretari i Komisionit të Apelimit të Gjobave emërohen brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

3.    Urdhri nr.18, datë 11.2.2009, i ministrit të Financave, “Për funksionimin e Komisionit të Apelimit të Gjobave” shfuqizohet.

4.    Ngarkohen Ministria e Financave, Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Komisioni i Apelimit të Gjobave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

***

V E N D I M 

PËR

MIRATIMIN, NЁ PARIM, TЁ NDRYSHIMIT TЁ MARRËVESHJES SË FINANCIMIT DHE PROJEKTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, DHE NDЁRMARRJES UJËSJELLËS KANALIZIME, KORҪЁ, SI AGJENCI E ZBATIMIT TË PROJEKTIT, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “KANALIZIMET E UJËRAVE TË ZEZA, KORҪЁ III”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të  ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

Miratimin, në parim, të ndryshimit të marrëveshjes së financimit dhe projektit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime, Korçë, si agjenci e zbatimit të projektit, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e projektit “Kanalizimet e ujërave të zeza, Korçë III”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. 

K R Y E M I N I S T R I
EDI  RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE, SI MARRËS, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE TË EKSPERTIT NDAJ MARRËSIT, NË KUADËR TË NJË STUDIMI PËR MENAXHIMIN E INTEGRUAR TË MBETJEVE TË NGURTA NË SHQIPËRI, FINANCUAR NGA NJË FOND I VEÇANTË (NR.11469), DHËNË NGA QEVERIA GJERMANE 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I : 

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave, si marrës, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e shërbimeve të ekspertit ndaj marrësit, në kuadër të një studimi për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta në Shqipëri, financuar nga një fond i veçantë (nr.11469), dhënë nga qeveria gjermane, me një grant në shumën 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) euro, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. 
Ky vendim hyn në fuqi menjёherё. 
  
K R Y E M I N I S T R I
    EDI  RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI 
***

V E N D I M
PËR 

 

ZBATIMIN E LIGJIT NR.10139, DATË 15.5.2009, “PËR PENSIONET SHTETËRORE SUPLEMENTARE TË PUNONJËSVE  TË UNIVERSITETEVE, TË SHKOLLAVE TË LARTA, QENDRËS SË STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE, AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE TË GJITHA INSTITUCIONEVE TË TJERA KËRKIMORE PUBLIKE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË, TË CILËT KANË TITUJ SHKENCORË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 2, 7, 12 e 15, të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilët kanë tituj shkencorë”, të ndryshuar, dhe ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Në zbatim të shkronjës “c”, të pikës 3, të nenit 2, të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, të ndryshuar, institucionet jopublike, të cilat përfshihen në këtë skemë për efekt të këtij ligji, janë universitetet, akademitë, kolegjet universitare, kolegjet profesionale të larta si dhe institutet, qendrat e agjencitë e kërkimit shkencor të akredituara.

2.    Lista e institucioneve të arsimit të lartë hartohet dhe përditësohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, sipas kërkesës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

3.    Në zbatim të pikës 4, të nenit 2, të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, të ndryshuar, “paga referuese” është paga bazë për titullin në institucionet publike, duke përjashtuar shtesat për funksion. Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të ushtrimit të titullit. Si pagë bazë do të jetë ajo e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.  

Për efekt të llogaritjes së përfitimit, për titujt:

a)    “Profesorë” dhe “Drejtues kërkimesh”, të cilët kanë periudhë ushtrimi të titullit, sipas pikës 3, të nenit 2, të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, të ndryshuar, pagë referuese e titullit do të merret ajo për titullin “Profesor” në institucionet e arsimit të lartë;
b)    “Profesorë të asociuar” dhe “Mjeshtër kërkimesh”, të cilët kanë periudhë ushtrimi të titullit, sipas pikës 3, të nenit 2, të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, të ndryshuar, pagë referuese e titullit do merret ajo për titullin “Profesor i asociuar” në institucionet e arsimit të lartë;
c)    “Docent” dhe “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor”, të cilët i kanë pasur këta tituj para vitit 1994 dhe i kanë përfituar pasi është fituar më parë grada shkencore “Kandidat i shkencave”, pagë referuese e titullit do merret ajo e pozicionit “Lektor” në institucionet e arsimit të lartë;

4.    Në zbatim të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, të ndryshuar, masa e pensionit suplementar plus pensionin e pleqërisë nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i masës së pensionit të caktuar sipas nenit 31/1 ose masës së pensionit të caktuar sipas nenit 32 e 33, të  ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. 

Për personat, të cilëve e drejta për pension suplementar, sipas këtij ligji, u lind pas hyrjes në fuqi të tij, ndërsa pensioni i pleqërisë u llogaritet sipas dispozitave në fuqi deri në 31.12.2014, shuma e pensionit të pleqërisë plus pensionin suplementar nuk mund të jetë më e lartë se dyfishi i masës mujore të pensionit të pleqërisë dhe shtesës së pensionit të pleqërisë sipas nenit 33, në momentin e lindjes së të drejtës për pension suplementar. 

5.    Kontributet suplementare, sipas masës së përcaktuar në nenin 4, të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, të ndryshuar, llogariten nga subjekti punëdhënës dhe derdhen në organet tatimore sipas procedurave dhe afateve të përcaktuara për mbledhjen e kontributeve nga skema e sigurimit shoqëror të detyrueshëm.

6.    Organet tatimore dhe të sigurimeve shoqërore nuk do të pranojnë kontribute suplementare për persona që gëzojnë titullin, por e ushtrojnë atë duke punuar në institucione kërkimore publike apo institucione jopublike, të cilat nuk janë të përcaktuara sipas pikës 2, të këtij vendimi.

7.    Personat e interesuar për të përfituar pension suplementar sipasligjit nr.10139, datë 15.5.2009, të ndryshuar, duhet të paraqesin pranë organeve të sigurimeve shoqërore ku kanë qendrën e tyre të banimit kërkesën për përfitim, të shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm për këtë qëllim, si më poshtë vijon:

a)    Fotokopje të kartës së identitetit;
b)    Fotokopje të noterizuar të dëshmisë për dhënien e titullit ose vërtetim për dhënie titulli nga komisioni i kualifikimit shkencor apo nga komisioni i vlerësimit të titujve;
c)    Vërtetim, lëshuar nga qendra e punës, për pagën referuese si dhe kohën e gëzimit të titullit, në zbatim të ligjit nr.10139, datë 15.5.2009, të ndryshuar.  

8.    Shpenzimet administrative për funksionimin e kësaj skeme të përballohen nga buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

9.    Ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I 

                                         
EDI  RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI

***

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.584, DATË 28.8.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË KËSHILLIT TË MINISTRAVE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, pika 4, 22, pika 2, 23, pika 2, 24, pika 4, e 25, pika, 4, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në kreun III, “Përgatitja e projektaktit”, të rregullores së Këshillit të Ministrave, miratuar me vendimin nr.584, datë 28.8.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

1.    Pika 18 ndryshohet, si më poshtë vijon: 

“18. Projektakti i dërguar për mendim duhet të shoqërohet me relacionin shpjegues me të gjitha elementet e tij si dhe çdo dokument tjetër, sipas përcaktimeve të kësaj VKM-je.

 a)    Në rastin e projektakteve në zbatim të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, projektakti duhet të shoqërohet me tabelat e përputhshmërisë dhe me aktin ligjor të Bashkimit Evropian, i cili synohet të përafrohet, i përkthyer në gjuhën shqipe.
 b)    Në rastin e projektakteve që duhet të konsultohen me publikun, relacioni duhet të shoqërohet me të dhënat për procesin e njoftimit e të konsultimit publik, sipas formatit në shtojcën 1, bashkëlidhur këtij vendimi.”.

2.    Shkronja “ë”, e pikës 19,  ndryshohet, si më poshtë vijon: 

    “ë) Personat dhe institucionet që kanë kontribuar në hartimin e projektaktit, shpjegime në lidhje me identifikimin e grupeve të interesit, pjesëmarrës në konsultim, kohëzgjatjen e procesit të konsultimit, çështjet e diskutuara dhe opinionet e shprehura nga grupet e interesit si dhe reflektimin ose jo në projektakt të opinioneve të grupeve të interesit.”. 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI
***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 17, të ligjit nr.9482,  datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850,datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave. 

V E N D O S I:

1.    Sipërfaqet maksimale, për të cilat miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën e ndërtimit pa leje, të jenë sipas listës emërore dhe evidencës që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2.    Numri i parcelave ndërtimore dhe sipërfaqja e përgjithshme e truallit për secilin qark janë, si më poshtë vijon:

a)    Qarku Tiranë, 163 (njëqind e gjashtëdhjetë e tre) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 35 658 (tridhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë) m²; 
b)    Qarku Vlorë, 55 (pesëdhjetë e pesë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 17 025 (shtatëmbëdhjetë mijë e njëzet e pesë) m²; 
c)    Qarku Fier, 417 (katërqind e shtatëmbëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 134 580 (njëqind e tridhjetë e katër mijë e pesëqind e tetëdhjetë) m²;
ç) Qarku Berat, 12 (dymbëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 3 599 (tre mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e nëntë) m²;
d)    Qarku Shkodër, 102 (njëqind e dy) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 39 841 (tridhjetë e nëntë mijë e tetëqind e dyzet e një ) m²; 
 dh)    Qarku Kukës, 45 (dyzet e pesë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 14 013 (katërmbëdhjetë mijë e trembëdhjetë) m²; 
e)    Qarku Gjirokastër, 39 (tridhjetë e nëntë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 10 122 ( dhjetë mijë e njëqind e njëzet e dy) m²; 
ë)    Qarku Elbasan, 102 (njëqind e dy) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 27 219 (njëzet e shtatë mijë e dyqind e nëntëmbëdhjetë) m²; 
f)    Qarku Korçë, 13 (trembëdhjetë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 3 749 (tre mijë e shtatëqind e dyzet e nëntë) m²;
g)    Qarku Lezhë, 74 (shtatëdhjetë e katër) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 18 348 (tetëmbëdhjetë mijë e treqind e dyzet e tetë) m².

3.    Ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për kryerjen e procedurave të kalimit të pronësisë së parcelave ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesit e ndërtimeve pa leje.

4.    Deri në momentin e regjistrimit të ndërtimit të legalizuar, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të mos kryejnë ndryshime të gjendjes juridike të pasurive të listuara në këtë vendim.

5.    Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

NIKO PELESHI
***

V E N D I M 
PËR

MIRATIMIN E STRUKTURËS DHE TË ORGANIKËS SË AGJENCISË SË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE PUBLIKE TË INTEGRUARA (ADISA)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 17, të ligjit nr.13, datë 18.2.2016, “Për mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike në sportel në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.    Miratimin e strukturës së Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) sipas shtojcës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2.    Organika e Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) të jetë sipas shtojcës II, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. 

3.    Numri i punonjësve të Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) të jetë, gjithsej, 117 veta.

4.    Ngarkohet Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) për zbatimin e këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.