Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 15 Korrik 2021:

 

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA VLORË, TË PRONËS NR.1186, ME EMËRTIM “HANGARË AVIONËSH”, ME VENDNDODHJE NË VLORË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Vlorë, të pronës nr.1186, me emërtim “Hangarë avionësh”, me vendndodhje në Vlorë, sipas planrilevimit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për ta përdorur për ndërtimin e një tregu publik në Vlorë.

2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes”, të ndryshuar, të hiqet prona nr.1186, me emërtim “Hangarë avionësh”, me vendndodhje në Vlorë, sipas planrilevimit, dhe të shtohet në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i kanë kaluar në pronësi ose në përdorim Bashkisë Vlorë.
3. Bashkisë Vlorë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës, të përcakuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë atë në përdorim të tretëve.

4. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes, kryetari i Bashkisë Vlorë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KRITEREVE PËR ZGJEDHJEN E ANËTARËVE SI DHE TË RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT TË EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të nenit 77, të ligjit nr.79/2020, “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Objekti

Ky vendim përcakton kriteret për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (këtu e në vijim “Komisioni”), si dhe rregullat e hollësishme për organizimin dhe funksionimin e tij.

KREU II
ORGANIZIMI I KOMISIONIT TË EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE

Neni 2
Përbërja dhe mandati i anëtarëve

1. Komisioni ka në përbërje 9 (nëntë) anëtarë, si më poshtë vijon:

a) Një anëtar i caktuar nga Presidenti i Republikës;
b) Një anëtar i caktuar nga Kryetari i Kuvendit;
c) Një anëtar i caktuar nga Kryeministri;
ç) Një anëtar i caktuar nga Prokurori i Përgjithshëm;
d) Një anëtar i caktuar nga ministria përgjegjëse për arsimin;
dh) Një anëtar i caktuar nga ministria përgjegjës për financat;
e) Një anëtar i caktuar nga ministria përgjegjës për shëndetësinë;
ë) Një anëtar i caktuar nga ministria përgjegjës për drejtësinë;
f) Një anëtar i caktuar nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë.

2. Anëtarët e Komisionit qëndrojnë në detyrë për 4 (katër) vjet, pa të drejtë ricaktimi.

Neni 3
Kriteret për caktimin e anëtarëve

Organet e emërtesës, sipas përcaktimit të nenit 2, të këtij vendimi, caktojnë anëtarë shtetasit që plotësojnë kriteret e përcaktuara nga ligji në fuqi për ekzekutimin e vendimeve penale si dhe kriteret e mëposhtme:

a) Të jenë shtetas shqiptarë;
b) Të zotërojnë diplomë të ciklit të dytë, të studimeve të larta në drejtësi ose shkenca sociale ose diplomë të barasvlefshme me to;
c) Të mos kenë masë disiplinore në fuqi;
ç) Të mos kenë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
d) Të kenë një profil të spikatur dhe eksperiencë profesionale në fushën e drejtësisë, të drejtave të njeriut ose sistemin e burgjeve;
dh) Në kohën e caktimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të legjislacionit në fuqi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë, si dhe të afërm të shkallës së parë që janë punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ose në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale;
e) Të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptim të legjislacionit në fuqi për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë;
ë) Të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës.

Neni 4
Zhvillimi i mbledhjeve dhe mbështetja administrative

1. Komisioni ngrihet pranë ministrit të Drejtësisë dhe e shtrin veprimtarinë në të gjithë vendin.
2. Ministria e Drejtësisë, nëpërmjet strukturave të saj ose Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, sipas parashikimeve të këtij vendimi, siguron mbështetjen e nevojshme organizative, administrative dhe financiare për realizimin e funksionit dhe të detyrave të Komisionit, të parashikuara në legjislacionin në fuqi për ekzekutimin e vendimeve penale dhe në këtë vendim.

Neni 5
Zgjedhja e kryetarit dhe e zëvendëskryetarit

1. Kryetari dhe zëvendëskryetari i Komisionit zgjidhen me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, për një periudhë 2-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje.

2. Mbledhja për zgjedhjen e kryetarit drejtohet nga anëtari më i vjetër në moshë.

3. Anëtarët e Komisionit shprehin interesin për t’u zgjedhur si kryetar apo zëvendëskryetar në mbledhjen e parë. Drejtuesi i mbledhjes garanton kohë të mjaftueshme dhe të barabartë për prezantimin e anëtarëve që kanë shprehur interesin.

4. Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri dhe, pas këtij, vijohet me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave. Në përfundim të këtij votimi shpallet i zgjedhur kandidati që ka marrë shumicën e votave. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave ose votat janë ndarë në mënyrë të barabartë, kryetari caktohet me short.

5. Kryetari i zgjedhur njofton ministrin e Drejtësisë.

Neni 6
Detyrimi i pjesëmarrjes në mbledhje dhe konflikti i interesave

1. Pjesëmarrja e anëtarëve të Komisionit në mbledhjet dhe veprimtaritë e tij është e detyrueshme përgjatë gjithë periudhës së ushtrimit të kësaj detyre.

2. Anëtari i Komisionit, i cili është në dijeni të një konflikti interesi ose të një pengese ligjore për veten ose për një anëtar tjetër të Komisionit lidhur me një çështje të caktuar, është i detyruar të deklarojë natyrën e interesit ose të pengesës, të mos marrë pjesë në diskutimin e çështjes përkatëse dhe në votimin e saj.

3. Anëtarët e Komisionit që janë në pamundësi objektive, papajtueshmëri, konflikt interesi ose pengesë ligjore nuk marrin pjesë në mbledhje por, në çdo rast, njoftojnë menjëherë me shkrim kryetarin për pengesën ligjore për pjesëmarrjen në mbledhje.

Neni 7
Shpërblimi i anëtarëve të Komisionit

1. Anëtarët e Komisionit ushtrojnë veprimtarinë e tyre kundrejt shpërblimit. Masa e shpërblimit për kryetarin dhe anëtarët përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve.

2. Shpenzimet për kryerjen e pagesës së anëtarëve të Komisionit, të cilat vërtetohen kundrejt dokumentit të pjesëmarrjes në mbledhje, si dhe çdo shpenzim tjetër i natyrës operative (jo shpërblim), të kryer për realizimin e detyrave të organeve kolegjiale, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë.

KREU III
FUNKSIONIMI DHE VEPRIMTARIA E KOMISIONIT TË EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE

Neni 8
Funksionet dhe veprimtaria e Komisionit

1. Komisioni ushtron kompetencat që i janë ngarkuar nga ligji në fuqi për ekzekutimin e vendimeve penale dhe veçanërisht kompetencat e mëposhtme:

a) Kryen verifikime, edhe pa paralajmërim, në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale;
b) Kontakton me të burgosur të veçantë apo kryen takime me ta;
c) Kryen këqyrje të dokumentacionit dhe të mjediseve të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale;
ç) Shqyrton dhe verifikon ankesa ose njoftime;
d) Kryen çdo verifikim tjetër të nevojshëm në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale lidhur me respektimin e të drejtave të të dënuarve, kushtet e trajtimit dhe zbatimin e ligjit;
dh) Komunikon me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës, prokurorinë dhe gjykatat;
e) Koordinon veprimtarinë e tij me Avokatin e Popullit dhe shkëmben informacione në funksion të garantimit të të drejtave në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale;
ë) Informon ministrin e Drejtësisë kur konstaton shkelje apo problematika në lidhje me funksionimin e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale;
f) Kryen çdo verifikim tjetër në përmbushje të trajtimit të ankesës ose njoftimeve të paraqitura;
g) Shqyrton dhe miraton masat e veprimet lidhur me mbështetjen dhe bashkëpunimin e Komisionit me organe shtetërore, institucione ndërkombëtare, si edhe organizata të tjera me objekt veprimtarie ose ekspertizë në fushën e mbrojtjes të të drejtave të njeriut dhe ekzekutimit të vendimeve penale;
gj) Shqyrton dhe miraton masat e nevojshme për mirorganizimin e mbledhjeve dhe të veprimtarive të Komisionit;
j) Krijon grupe pune për të përgatitur rekomandime, programe apo materiale të nevojshme për garantimin e përmbushjes së funksionit dhe kompetencave të Komisionit.

2. Mbledhja e Komisionit ushtron edhe çdo kompetencë tjetër të nevojshme për organizimin dhe funksionimin e tij.

Neni 9
Kryetari

1. Kryetari i Komisionit ushtron këto funksione:

a) Përgatit, thërret dhe drejton mbledhjet e Komisionit;
b) Përfaqëson Komisionin në marrëdhëniet me të tretët;
c) Siguron mbështetjen administrative, organizative dhe financiare të Ministrisë së Drejtësisë për funksionimin e Komisionit;
ç) Harton dhe bën publik në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë raportin vjetor mbi veprimtarinë e Komisionit, me leje të ministrit të Drejtësisë;
d) Siguron dokumentimin e mbledhjes se Komisionit dhe mbajtjen e dokumentacionit, në përputhje me legjislacionin për arkivat;
dh) Nënshkruan vendimet dhe çdo akt tjetër që lidhet me ushtrimin e kompetencave të Komisionit dhe shkresat e ndryshme për komunikimin e Komisionit me të tretët;
e) Ushtron çdo detyrë tjetër të përcaktuar në këtë vendim si dhe nga mbledhja e Komisionit.
2. Në pamundësi objektive a pengesë ligjore të kryetarit, këto funksione ushtrohen nga zëvendëskryetari i Komisionit.

Neni 10
Përgatitja e mbledhjeve të Komisionit

1. Përcaktimi i çështjeve të rendit të ditës dhe caktimi i ditës së zhvillimit të mbledhjes së Komisionit bëhet nga kryetari, duke mbajtur parasysh mendimin e anëtarëve. Në rendin e ditës përfshihen edhe çështjet që mund të propozohen, me shkrim nga secili prej anëtarëve të tjerë të Komisionit. Nëse dita e mbledhjes së Komisionit është paracaktuar në mbledhjen paraardhëse, njoftimi i anëtarit për çështje që duhet të përfshihen në rendin e ditës duhet të paraqitet jo më vonë se 3 (tre) ditë nga ajo e caktuar për zhvillimin e mbledhjes.

2. Për përgatitjen e çështjeve të rendit të ditës dhe të dokumentacionit përkatës, kryetari i Komisionit dhe anëtarët nismëtarë për çështjet përkatëse mbështeten nga nëpunës civilë të strukturës përgjegjëse ose, rast pas rasti, nga punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, sipas përcaktimit të nenit 17, të këtij vendimi.

Neni 11
Thirrja e mbledhjeve të Komisionit

1. Komisioni mblidhet sa herë është i nevojshëm shqyrtimi i një çështjeje ose rasti, por jo më pak se një herë në 3 (tre) muaj.

2. Mbledhja paraardhëse e Komisionit, përpara përfundimit të saj, diskuton dhe vendos, nëse e vlerëson të nevojshme, për rendin e ditës, ditën dhe kohën e zhvillimit të mbledhjes pasardhëse.

3. Nëse nuk është vendosur ndryshe nga mbledhja e mëparshme e Komisionit, mbi bazën e punës përgatitore dhe propozimeve të tjera të anëtarëve, Kryetari thërret mbledhjen dhe vendos rendin e ditës, datën dhe kohën e zhvillimit të saj.

4. Në rastet kur kërkohet me shkrim, nga të paktën 3 (tre) anëtarë të Komisionit, Kryetari është i detyruar të thërrasë mbledhjen e Komisionit në datën, kohën dhe me rendin e ditës të përcaktuar nga anëtarët nismëtarë.

5. Kryetari ose, kur kërkohet me shkrim nga të paktën 3 (tre) anëtarë të Komisionit, mund të ftojë të marrë pjesë në mbledhje edhe një përfaqësues i Avokatit të Popullit që merr pjesë në cilësinë e vëzhguesit.

6. Në pamundësi objektive, papajtueshmëri, konflikt interesi ose pengesë ligjore të kryetarit, veprimet përgatitore dhe thirrja e mbledhjes kryen nga zëvendëskryetari.

7. Në pamundësi objektive, papajtueshmëri, konflikt interesi ose pengesë ligjore si të kryetarit ashtu edhe të zëvendëskryetarit, mbledhja e Komisionit mund të thirret nga 3 (tre) anëtarë të tij, të cilët propozojnë edhe datën, kohën e mbledhjes dhe rendin e ditës. Në këtë rast, puna përgatitore dhe mbledhja e Komisionit drejtohen nga anëtari i Komisionit më i vjetër në moshë.

Neni 12
Njoftimet për thirrjet e mbledhjes së Komisionit

1. Nëse nuk është vendosur ndryshe në mbledhjet e mëparshme të Komisionit, njoftimi për thirrjen e mbledhjes, i cili përmban rendin e ditës, datën, kohën e zhvillimit të mbledhjes, bëhet me shkrim, së paku 15 (pesëmbëdhjetë) ditë përpara datës që caktohet për zhvillimin e saj.

2. Njoftimi për thirrjen e mbledhjes, i cili përmban rendin e ditës, datën, kohën e zhvillimit të mbledhjes, i dërgohet të gjithë anëtarëve dhe Ministrisë së Drejtësisë.

3. Së bashku me njoftimin për thirrjen e mbledhjes, sipas rasteve dhe natyrës së çështjeve të rendit të ditës, nëpërmjet mjeteve të përshtatshme të komunikimit, anëtarëve të Komisionit u dërgohet edhe dokumentacioni përkatës i përgatitur nga personeli mbështetës.

4. Njoftimi i anëtarëve të Komisionit për zhvillimin e mbledhjes bëhet në rrugë shkresore, me anë të postës, korrierit, në rrugë elektronike apo të çdo mjeti tjetër të përshtatshëm komunikimi.

5. Me të njëjtat mjete komunikimi dhe brenda të njëjtave afate, njoftimi që përmban rendin e ditës, datën dhe kohën e zhvillimit të mbledhjes i bëhet edhe Avokatit të Popullit, në rastet kur vendoset për t’u ftuar një përfaqësues i tij, sipas parashikimit të pikës 5, të nenit 11, të këtij vendimi. Së bashku me njoftimin, Avokatit të Popullit i dërgohet dokumentacioni përkatës i përgatitur nga personeli mbështetës.

Neni 13
Procedura në rast të pengesës ligjore dhe konflikti të interesit

1. Anëtari i Komisionit, nëse ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit ose të pengesës ligjore, nuk merr pjesë në veprimtaritë dhe mbledhjet e Komisionit për çështjen ose rastin për të cilin ekzistojnë kushtet e konfliktit të interesit ose pengesës ligjore.

2. Në rastin kur në lidhje me çështje të caktuara që trajtohen në veprimtaritë dhe mbledhjet e Komisionit, anëtari i Komisionit vihet në dijeni të rrethanave të tilla që, sipas ligjit, e vendosin atë vetë ose një anëtar tjetër, përpara njërit prej rasteve të konfliktit të interesit ose të pengesës ligjore, njofton menjëherë kryetarin e Komisionit dhe deklaron arsyet konkrete që sjellin pengesë për pjesëmarrjen në përgatitjen, diskutimin dhe miratimin e çështjes përkatëse.

Neni 14
Kuorumi i mbledhjes së Komisionit

1. Mbledhja e Komisionit zhvillohet kur janë të pranishëm jo më pak se 5 (pesë) anëtarë të tij dhe vendos me shumicën e votave.

2. Në rast se në ditën e caktuar nuk sigurohet kuorumi i nevojshëm, kryetari apo sipas rastit zëvendëskryetari ose anëtari që drejton mbledhjen, cakton një ditë tjetër sa më të afërt për zhvillimin e mbledhjes dhe njofton për këtë anëtarët e Komisionit që nuk ishin të pranishëm.

3. Në rast të mospjesëmarrjes pa shkaqe të justifikuara në veprimtaritë dhe mbledhjet e Komisionit, kryetari njofton menjëherë institucionet përkatëse që, sipas ligjit, kanë kompetencat për fillimin e procedimit disiplinor ndaj anëtarëve të Komisionit.

Neni 15
Punimet e mbledhjes së Komisionit

1. Kryetari deklaron fillimin e mbledhjes së Komisionit, verifikon prezencën e anëtarëve, duke informuar Komisionin për motivet e mungesës ose të pengesës së anëtarit të Komisionit që nuk është i pranishëm.

2. Kur verifikohet kuorumi i nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes, Kryetari paraqet çështjet e përcaktuara për shqyrtim në rendin e ditës. Komisioni merr vendime vetëm për çështjet të cilat janë përfshirë në rendin e ditës së mbledhjes, përveç rasteve kur të paktën 2/3 e anëtarëve vendosin për shqyrtimin dhe marrjen e vendimeve edhe për çështje që nuk janë në rendin e ditës.

3. Pas miratimit të rendit të ditës, nëse anëtarët nuk ngrenë probleme të tjera të lidhura me ndonjërin prej rasteve të konfliktit të interesit ose të pengesës ligjore, Komisioni vijon me shqyrtimin e çështjeve.

4. Kryetari i Komisionit jep fjalën, drejton debatin dhe përcakton fillimin dhe përfundimin e shqyrtimit të secilës çështje të rendit të ditës. Anëtarët e Komisionit janë të detyruar të marrin fjalën lidhur me secilën çështje të rendit të ditës.

5. Pas mbylljes së diskutimeve mes tyre, anëtarët e Komisionit shprehin qëndrimin dhe votojnë për zgjidhjen e çështjes. Kryetari i Komisionit shpreh qëndrimin dhe voton i fundit.

6. Komisioni vendos me shumicën e votave në prani të të paktën 5 (pesë) anëtarëve. Në rastet kur rezultati i votimit është i barabartë, vota e kryetarit është vendimtare.

7. Kryetari i Komisionit, përpara përfundimit të mbledhjes, propozon për diskutim ditën dhe kohën e zhvillimit të mbledhjes së ardhshme, si edhe çështjet e mundshme të rendit të ditës. Pasi Komisioni vendos për mënyrën se si do të procedohet, kryetari deklaron mbylljen e mbledhjes.

Neni 16
Dokumentimi i mbledhjes

1. Kryetari i Komisionit është përgjegjës për të siguruar që personeli mbështetës i vënë në dispozicion nga Ministria e Drejtësisë të marrë të gjitha masat e nevojshme që çdo mbledhje e Komisionit të dokumentohet në mënyrë të përshtatshme përmes procesverbalit të mbledhjes.

2. Kryetari i Komisionit ngarkon një sekretar nga personeli mbështetës i Ministrisë së Drejtësisë për të mbajtur procesverbalin e mbledhjes së Komisionit.

3. Në varësi edhe të natyrës së çështjeve të shqyrtuara në mbledhjen e Komisionit, procesverbali i mbledhjes përmban detyrimisht dhe në mënyrë të përmbledhur:

a) datën dhe orën e fillimit e të mbarimit të mbledhjes;
b) çështjet e shqyrtuara në rendin e ditës;
c) anëtarët e Komisionit të pranishëm;
ç) përfaqësuesin e Avokatit të Popullit, kur ka qenë i pranishëm;
d) veprimet procedurale të zhvilluara në mbledhjen e Komisionit;
dh) përmbledhjen e diskutimeve të anëtarëve;
e) rezultatet e votimit dhe dispozitivin e vendimeve të Komisionit për çështjet që ishin pjesë e rendit të ditës si dhe çdo qëndrim tjetër mbajtur gjatë punimeve të mbledhjes së Komisionit.

4. Procesverbali i dërgohet menjëherë për shqyrtim anëtarëve të Komisionit të pranishëm në mbledhje, të cilët, jo më vonë se 48 (dyzet e tetë) orë nga dita e nesërme e marrjes në dijeni, duhet të njoftojnë kryetarin nëse kanë vërejtje për përmbajtjen e tij.

5. Procesverbali përfundimtar iu njoftohet menjëherë pjesëmarrësve në mbledhje. Ai shqyrtohet dhe miratohet si çështje e parë e rendit të ditës në mbledhjen pasardhëse të Komisionit, pas relatimit të kryetarit mbi kërkesat dhe korrigjimin e tij. Pas miratimit, procesverbali nënshkruhet nga anëtarët që kanë marrë pjesë në mbledhje, si edhe nga personat e caktuar për mbajtjen e tij.

6. Procesverbali depozitohet për ruajte sipas legjislacionit në fuqi mbi arkivat, në sektorin e protokollit dhe arkivës të Ministrisë së Drejtësisë.

Neni 17
Personeli mbështetës dhe detyrat e tij

1. Komisioni ndihmohet në veprimtarinë e tij nga nëpunës civilë të strukturës përgjegjëse për monitorimin e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale, në Ministrinë e Drejtësisë, si dhe punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të caktuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, në bashkëpunim me kryetarin e Komisionit. Periudha e angazhimit dhe numri i tyre caktohet sipas nevojave të përcaktuara nga Komisioni. Pasi caktohen, për këtë periudhë, këta punonjës kryejnë, sipas rastit dhe nevojës, me kohë të plotë apo të pjesshme, detyrat e ngarkuara nga Komisioni.

2. Përveç sa u kërkohet, rast pas rasti nga Komisioni ose kryetari, personeli mbështetës kryen veprime lidhur me hartimin e procesverbaleve të mbledhjes, hartimin e shkresave apo akteve të ndryshme të Komisionit, njoftimin e kryetarit të komisionit për çdo ankim ose njoftim të paraqitur për shqyrtim, dërgimin dhe ndjekjen e njoftimeve, veprime të tjera të sekretarisë, si edhe krijimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin e mbledhjeve dhe veprimtarive të Komisionit.

KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 18
Zgjedhja e anëtarëve të Komisionit dhe mbledhja e parë e tij

1. Jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, organet e emërtesës fillojnë procedurën për caktimin e anëtarit, në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligjin në fuqi për ekzekutimin e vendimeve penale dhe këtë vendim.

2. Jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga data e fillimit të procedurës për caktimin e anëtarit, organi i emërtesës njofton ministrin e Drejtësisë për emrin dhe të dhënat e kontaktit të anëtarit që ka caktuar në Komision.

3. Ministri i Drejtësisë, jo më vonë se 10 (dhjetë) ditë nga data e marrjes së njoftimit nga organi i emërtesës që ka caktuar i fundit anëtarin e tij, thërret mbledhjen e parë të Komisionit. Në rast se organet e emërtesës nuk kanë njoftuar emrin e anëtarit të caktuar, pas përfundimit të afatit të përcaktuar në pikën 2, të këtij neni, ministri i Drejtësisë thërret mbledhjen e parë të Komisionit kur janë njoftuar caktimi i të paktën 5 (pesë) anëtarëve nga organet e emërtesës.

Neni 19
Shfuqizime

Vendimi nr.906, datë 19.12.2004, i Këshillit të Ministrave, “Për shpërblimin e anëtarëve të Komisionit të Mbikëqyrjes të Ekzekutimit të Vendimeve Penale”, shfuqizohet.

Neni 20
Organet zbatuese

Ngarkohen Presidenti i Republikës, kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Prokurori i Përgjithshëm, ministria përgjegjëse për arsimin, ministria përgjegjës për financat, ministria përgjegjës për shëndetësinë, ministria përgjegjës për drejtësinë dhe Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.

Neni 21
Hyrja në fuqi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E LISTËS SË ISH-KOOPERATIVAVE BUJQËSORE PËR TË CILAT NUK DISPONOHET DOKUMENTACIONI I VJETËRSISË NË PUNË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.169/2020, “Për njohjen si periudhë sigurimi për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore të kohës së punësimit në ish-kooperativat bujqësore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e listës së ish-kooperativave bujqësore për të cilat nuk disponohet dokumentacioni i vjetërsisë në punë, sipas lidhjeve nr.1, nr.2 dhe nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Ngarkohet Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

MBËSHTETJEN FINANCIARE PËR MENAXHIMIN E MBETJEVE NË BASHKITË E QARKUT TË DURRËSIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.10431, datë 9.7.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, të neneve 10 e 22, pika 3, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, të shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 28, të ligjit nr.68/2017, “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, dhe të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e min istrit të Turizmit dhe Mjedisit dhe të ministrit të Financave dhe Ekonominë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Bashkitë e Qarkut të Durrësit të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin/trajtimin e mbjetjeve urbane në këtë qark, duke mbajtur në konsideratë legjislacionin në fuqi në fushën e mbetjeve.

2. Pas studimit të tregut dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira financiare për trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të Qarkut të Durrësit, bashkia i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara.

3. Pas dërgimit të kërkesës financiare, ministritë propozuese të këtij akti i propozojnë Këshillit të Ministrave miratimin e mbështetjes financiare për bashkitë e përfshira në Qarkun e Durrësit, në përputhje me instrumentet e parashikuara në legjislacionin në fuqi.

4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkitë e Qarkut të Durrësit, këshilli i qarkut përkatës dhe prefekti i Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi me botimin në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRBËRJEN DHE DETYRAT E NJËSIVE ORGANIZATIVE QË KANË NË KOMPETENCË TË TYRE ÇËSHTJET E MBROJTJES CIVILE NË MINISTRITË E LINJËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 22, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në ministritë e linjës krijohen pozicione pune apo sektorë për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, bazuar në specifikat, fushën e përgjegjësisë shtetërore dhe kompetencat e secilës ministri.

2. Përbërja e njësive organizative që kanë në kompetencë të tyre çështjet e mbrojtjes civile është, si më poshtë vijon:

a) Në ministritë përgjegjëse për mbrojtjen civile, mbrojtjen, punët e brendshme, transportin, infrastrukturën, bujqësinë, shëndetësinë, energjetikën, arsimin, mjedisin dhe kulturën, për arsye të përgjegjësive të shtuara në lidhje me mbrojtjen civile, në nivel sektori.
b) Në ministritë e tjera të jetë 1 apo 2 pozicione në përbërje të njësive të tjera organizative, pjesë të strukturave përgjegjëse për shërbimet e brendshme mbështetëse.

3. Njësitë organizative, që kanë në kompetencë të tyre çështjet e mbrojtjes civile, kanë këto detyra kryesore:

a) Hartimin dhe përditësimin e planit për emergjencat civile, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrisë së linjës;
b) Në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse për hartimin e projektbuxhetit vjetor dhe atij afatmesëm, përgatitjen e projektbuxhetit për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, si zë më vete në buxhetin e ministrisë;
c) Organizimin dhe bashkërendimin e punës për mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit, të paralajmërimit të hershëm, të njoftimit dhe të alarmit në fushën e veprimtarisë së ministrisë;
ç) Krijimin e llogarisë së tyre në bazën e të dhënave për dëmet dhe humbjet nga fatkeqësitë në fushën e përgjegjësisë së ministrisë, të cilën e mirëmbajnë dhe e përditësojnë periodikisht, sipas fushës së përgjegjësisë të secilës ministri;
d) Përditësimin e bazës të të dhënave, duke pasqyruar gjendjen ekzistuese të kapaciteteve administrative, teknike dhe financiare që disponon ministria, në funksion të zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile;
dh) Bashkëpunimin me strukturat e tjera përgjegjëse të ministrisë për vlerësimin e dëmeve dhe humbjeve nga fatkeqësitë, sipas fushës së përgjegjësisë;
e) Koordinimin dhe bashkërendimin e veprimtarisë mes institucioneve të varësisë dhe degëve territoriale të ministrisë, si dhe angazhimin e të gjitha kapaciteteve që ka alokuar ministria për përballimin e fatkeqësive;
ë) Koordinimin dhe bashkërendimin e veprimtarisë me strukturat e tjera përgjegjëse të ministrisë për zvogëlimin e risqeve nga fatkeqësitë dhe kufizimin e atyre që mund të krijohen si pasojë e veprimtarisë së institucionit;
f) Ndjekjen dhe kontrollin e realizimit të detyrave në lidhje me masat parandaluese, mbrojtëse, reaguese dhe rehabilituese, sipas fushës së përgjegjësisë së ministrisë;
g) Përgatitjen e planeve dhe skenarëve të situatave emergjente për trajnimin e personelit të ministrisë dhe strukturave të varësisë, në funksion të zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile;
gj) Përcaktimin e rregullave të përdorimit të burimeve materiale e financiare në rastet e fatkeqësive natyrore apo fatkeqësive të tjera;
h) Hartimin e udhëzimeve që trajtojnë procedura të lidhura me mbrojtjen civile për institucionet, entet, drejtoritë rajonale, ndërmarrjet në të cilat ministria zotëron të gjithë kapitalin ose pjesë të tij;
i) Përgatitjen për dërgim pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të:

i. planeve për emergjencat civile të ministrisë së linjës, për qëllime analize dhe planifikimi;
ii. informacionit për të dhënat nga dëmet dhe humbjet e shkaktuara nga fatkeqësitë;
iii. informacionit për kapacitet administrative, operacionale, teknike dhe financiare që ka ministria, në funksion të zvogëlimit të riskut dhe mbrojtjen civile;
iv. informacionit për aktivitetet e ministrisë në fushën e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile;
v. informacionit për risqet nga fatkeqësitë në fushën e veprimtarisë së ministrisë dhe masat e marra për mbrojtjen dhe zvogëlimin e tyre.

4. Deri në krijimin e njësive organizative, ministrat përkatës ngarkojnë me detyrat e përcaktuara në pikën 3, të këtij vendimi, nëpunësit aktualë të ministrisë së linjës.

5. Vendimi nr.655, datë 18.12.2002, i Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen dhe funksionimin e strukturës së Sistemit Kombëtar të Planifikimit dhe të Përballimit të Emergjencave Civile”, shfuqizohet.

6. Ngarkohen të gjitha ministritë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.544, DATË 27.7.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LEJIMIN E PËRDORIMIT TË BRIGJEVE NË FUNKSION TË REALIZIMIT TË PROJEKTIT INVESTUES STRATEGJIK “GREEN COAST””, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 29, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.544, datë 27.7.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në pikën 2, fjalët “… 20 (njëzet) vjet …” zëvendësohen me “… 30 (tridhjetë) vjet …”.

2. Në pikën 2.1, fjalët “… brenda koordinatave të sipërfaqes së lejuar me vendim KIS-it.” zëvendësohen me “… brenda koordinatave të sipërfaqes, sipas shtojcës nr.1 bashkëlidhur, pjesë përbërëse e këtij vendimi. Pagesa kryhet çdo vit, bazuar në sipërfaqen, objekt përdorimi.”.

3. Pas pikës 2.1 shtohet pika 2.1.1, me këtë përmbajtje:

“2.1.1 Përjashtimisht, kontrata mund të rishikohet me kërkesë të investitorit strategjik “Green Coast”, në rast se kërkohen të shtohen sipërfaqe plazhi në përdorim, brenda koordinatave të sipërfaqes së lejuar, sipas shtojcës nr.1 bashkëlidhur këtij vendimi.”.

4. Në pikën 3, fjalët “15 maj – 30 shtator të çdo viti” zëvendësohen me “… të përcaktuar në aktet nënligjore në fuqi për turizmin”.

5. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Bashkia Himarë dhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.803, DATË 30.9.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR VËNIEN NË DISPOZICION TË SHOQËRISË TRANS ADRIATIC PIPELINE AG (TAP AG), NËPËRMJET MARRJES NË PËRDORIM TË PËRHERSHËM TË SIPËRFAQEVE TË TOKAVE SHTETËRORE QË PREKEN NGA NDËRTIMI I INFRASTRUKTURËS MBI TOKË TË PROJEKTIT TË GAZSJELLËSIT TRANS ADRIATIK (PROJEKTI TAP)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 16 e 27.1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës dhe të pjesëve 1 e 3, të shtojcës 1, të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), ratifikuar me ligjin nr.116/2013, “Për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), si dhe të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, në lidhje me projektin e Gazsjellësit Trans Adriatik (projekti TAP)”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr. 803, datë 30.9.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Vënien në dispozicion të shoqërisë Trans Adriatic Pipeline AG (TAP AG), nëpërmjet marrjes në përdorim të përhershëm me kompensim të sipërfaqes totale të tokës shtetërore prej 87 363.01 (tetëdhjetë e shtatë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e tre pikë zero një) m², që preken nga ndërtimi i infrastrukturës mbi tokë të projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP).”

2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Vendosja në dispozicion të shoqërisë Trans Adriatic Pipeline AG (TAP AG) e sipërfaqes së tokës shtetërore do të bëhet nëpërmjet marrjes në përdorim të përhershëm, me kompensim, sipas planit për rehabilitimin e jetesës, përcaktuar në përputhje me pikën 2, të pjesës 3, të shtojcës 1 të marrëveshjes me qeverinë e vendit pritës, ratifikuar me ligjin nr.116/2013, të sipërfaqes prej 87 363.01 (tetëdhjetë e shtatë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e tre pikë zero një) m2 dhe me vlerë totale kompensimi prej 34 387 035.69 (tridhjetë e katër milionë e treqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e tridhjetë e pesë pikë gjashtëdhjetë e nëntë) lekësh për tokat shtetërore publike, të kategorizuara si toka bujqësore, rrugë automobilistike, si dhe kanal, të përcaktuara në shtojcën 1 bashkëlidhur këtij vendimi, referuar hartave dhe planeve përkatëse të rilevimit.”.

3. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Sipërfaqja e tokës shtetërore, që do të vendoset në dispozicion të përhershëm të shoqërisë TAP AG, sipas formës së përdorimit me vlerën përkatëse të kompensimit, të përcaktuar në pikën 2 për ndërtimin e infrastrukturës mbi tokë të projektit TAP, përfshihet në territorin administrativ të njësive të qeverisjes vendore, si më poshtë vijon:

a) Në territorin administrativ të Bashkisë Skrapar, të Qarkut të Beratit, për:

i. sipërfaqen tokë bujqësore (arë dhe ledh) prej 4 185 (katër mijë e njëqind e tetëdhjetë e pesë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 696 311.00 (gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind e njëmbëdhjetë) lekësh, prej së cilës sipërfaqja e re pas përditësimeve kadastrale prej 2 883 (dy mijë e tetëqind e tetëdhjetë e tre) m², me vlerë kompensimi prej 407 267.00 (katërqind e shtatë mijë e dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë) lekë;
ii. sipërfaqen rrugë automobilistike prej 305 (treqind e pesë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 56 000.00 (pesëdhjetë e gjashtë mijë) lekësh, prej së cilës sipërfaqja e re pas përditësimeve kadastrale prej 250 (dyqind e pesëdhjetë) m² me kompensim shtesë 0 (zero) lekë duke qenë se përfshihet në minimumin e kompensimit prej 56 000.00 (pesëdhjetë e gjashtë mijë) lekësh të paguar.

b) Në territorin administrativ të Bashkisë Devoll, të Qarkut të Korçës, për:
i. sipërfaqen tokë bujqësore (arë dhe ledh) prej 4 657 (katër mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e shtatë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 2 672 659.00 (dy milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e nëntë) lekësh, prej së cilës sipërfaqja e re pas përditësimeve kadastrale prej 4 458 (katër mijë e katërqind e pesëdhjetë e tetë) m² me vlerë kompensimi prej 2 616 659.00 (dy milionë e gjashtëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e nëntë) lekësh;
ii. sipërfaqen kanal prej 18 141 (tetëmbëdhjetë mijë e njëqind e dyzet e një) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 3 555 636.00 (tre milionë e pesëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e gjashtë) lekësh, prej së cilës sipërfaqja e re pas përditësimeve kadastrale prej 12 027 (dymbëdhjetë mijë e njëzet e shtatë) m², me vlerë kompensimi prej 2 357 292.00 (dy milionë e treqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e nëntëdhjetë e dy) lekësh;
iii. sipërfaqen rrugë automobilistike prej 3 401 (tre mijë e katërqind e një) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 666 596.00 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh, prej së cilës sipërfaqja e re pas përditësimeve kadastrale prej 3 222 (tre mijë e dyqind e njëzet e dy) m², me vlerë kompensimi prej 631 512.00 (gjashtëqind e tridhjetë e një mijë e pesëqind e dymbëdhjetë) lekësh.

c) Në territorin administrativ të Bashkisë Fier, të Qarkut të Fierit, për:

i. sipërfaqen tokë bujqësore (arë) prej 31 589.01 (tridhjetë e një mijë e pesëqind e tetëdhjetë e nëntë pikë zero një) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 20 382 250.69 (njëzet milionë e treqind e tetëdhjetë e dy mijë e dyqind e pesëdhjetë pikë gjashtëdhjetë e nëntë) lekësh, e gjitha për t’u paguar sipas pikës 2.2 më sipër;
ii. sipërfaqen kanal prej 10 719 (dhjetë mijë e shtatëqind e nëntëmbëdhjetë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 2 690 469.00 (dy milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e nëntë) lekësh, prej së cilës sipërfaqja e re pas përditësimeve kadastrale prej 4 187 (katër mijë e njëqind e tetëdhjetë e shtatë) m², me vlerë kompensimi prej 1 050 937.00 (një milion e pesëdhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e shtatë) lekësh;
iii. sipërfaqen rrugë automobilistike prej 13 340 (trembëdhjetë mijë e treqind e dyzet) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 3 363 304.00 (tre milionë e treqind e gjashtëdhjetë e tre mijë e treqind e katër) lekësh, prej së cilës sipërfaqja e re pas përditësimeve kadastrale prej 2 669 (dy mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e nëntë) m², me vlerë kompensimi prej 684 883.00 (gjashtëqind e tetëdhjetë e katër mijë e tetëqind e tetëdhjetë e tre) lekësh.
ç) Në territorin administrativ të Bashkisë Korçë, të Qarkut të Korçës, për:

iv. sipërfaqen tokë bujqësore (arë) prej 741 (shtatëqind e dyzet e një) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 244 530.00 (dyqind e dyzet e katër mijë e pesëqind e tridhjetë) lekësh, e gjitha për t’u paguar sipas pikës 2.2 më sipër;
v. sipërfaqen rrugë automobilistike prej 285 (dyqind e tetëdhjetë e pesë) m2, me vlerë të përgjithshme kompensimi prej 59 280.00 (pesëdhjetë e nëntë mijë e dyqind e tetëdhjetë) lekësh, e gjitha për t’u paguar sipas pikës 2.2 më sipër.”.

4. Pika 8 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“8. E drejta e përdorimit të përhershëm dhënë shoqërisë TAP AG sipas këtij vendimi do të regjistrohet në regjistrat e pasurive të paluajtshme, administruar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkon pasqyrimin e të drejtave të përdorimit të përhershëm në regjistrat e pasurive të paluajtshme administruar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Shoqëria TAP AG paraqet gjithë dokumentacionin e nevojshëm për regjistrim pranë drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier; Berat; Skrapar; Lushnjë; Devoll dhe Korçë, në përputhje me kërkesat e ligjit 111/2018, “Për kadastrën”.

II. Vlera e kompensimit shtesë për sipërfaqet e reja prej 62 311.01 (gjashtëdhjetë e dy mijë e treqind e njëmbëdhjetë pikë zero një) m², të identifikuara pas përditësimeve kadastrale dhe që shoqëria TAP AG duhet t’i paguajë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sipas shtojcës 1 të këtij vendimi, është 28 434 610.69 (njëzet e tetë milionë e katërqind e tridhjetë e katër mijë e gjashtëqind e dhjetë pikë gjashtëdhjetë e nëntë) lekë.
Pagesa për tokën shtetërore nga ana e shoqërisë TAP AG bëhet sipas vlerës së përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, në bazë të një kontrate për pagesën e vlerës së kompensimit të lidhur ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shoqërisë TAP AG.

III. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës sipas përkatësive për bashkitë ku kalon projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), si dhe njësitë e qeverisjes vendore, ku kalon projekti i Gazsjellësit Trans Adriatik (Projekti TAP), për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME TË HARTIMIT TË PLANIT TË RILEVIMIT PËR ZONAT E STIMULUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 48, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

VE N D O S I:

1. Plan rilevimi është harta digjitale dhe manuale, e hartuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (në vijim, ASHK), që përftohet nga verifikimi në terren, ku pasqyrohet gjendja faktike ndërtimore, kufijtë e zonës së stimuluar, si dhe të dhënat e hartës kadastrale.

2. Plani i rilevimit i zonës së stimuluar pasqyron kufijtë, përmasat dhe pozicionin gjeografik për:

a) njësitë ndërtimore;
b) truallin funksional të njësive ndërtimore;
c) truallin e lirë brenda zonës së stimuluar.

3. Plani i rilevimit shoqërohet në çdo rast nga relacioni shpjegues i gjendjes juridike të pasurive brenda zonës së stimuluar, i cili përmban:

a) të dhënat kadastrale të pasurive (të dhënat e regjistrit kadastral) brenda
zonës së stimuluar;
b) të dhënat nga dokumentacioni për miratimin e zonës së stimuluar;
c) të dhënat për kërkesat e paraqitura për kalimin e pronësisë;
ç) të dhënat për vendimmarrje për njohje, kthim apo kompensim në kuadër të legjislacionit për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave.

4. Drejtoria vendore e ASHK-së, kompetente për zonat e stimuluara, harton planin e rilevimit dhe relacionin shpjegues, jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga data e përfundimit të verifikimit në terren të zonës së stimuluar.

5. Plani i rilevimit në format digjital e manual dhe relacioni shpjegues i përcillet drejtorisë vendore të ASHK-së, kompetente për territorin ku ndodhet zona e stimuluar, e cila përgatit kartelat e pasurive të paluajtshme.

6. Në zonat kadastrale, ku ka përfunduar regjistrimi fillestar, kur konstatohet se ka mospërputhje ndërmjet hartës kadastrale dhe planit të rilevimit, drejtoria vendore e ASHK-së, kompetente për territorin ku ndodhet zona e stimuluar, kryen procedurat e përmirësimit të regjistrit sipas planit të rilevimit, në përputhje me kreun VI, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.

7. Plani i rilevimit dhe lista e përfituesve me të dhënat nga kartela e pasurisë së paluajtshme, hartuar sipar pikës 5, të këtij vendimi, i nënshtrohen procesit të konsultimit publik, në përputhje me nenin 31, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”. Procedurat e konsultimit publik ndiqen nga drejtoria vendore e ASHK-së, kompetente për zonat e stimuluara.

8. Nga data e përcjelljes së planit të rilevimit nga drejtoria vendore kompetente për zonat e stimuluara, sipas pikës 5, të këtij vendimi, dhe deri në përfundimin e procedurës së konsultimit publik, drejtoria vendore e ASHK-së, kompetente për territorin ku ndodhet zona e stimuluar, duhet të pezullojë veprimet me pasuritë brenda zonës së stimuluar.

9. Pas përfundimit të konsultimit publik dhe trajtimit të ankesave, harta, kartelat e pasurive të paluajtshme dhe dokumentacioni tekniko-ligjor legjitimohen nga drejtoria vendore e ASHK-së, kompetente për territorin ku ndodhet zona e stimuluar. Me legjitimim kuptohet miratimi nga drejtoria vendore e ASHK-së, kompetente për territorin ku ndodhet zona e stimuluar, i planit të rilevimit dhe listës së përfituesve me të dhënat nga kartela e pasurisë së paluajtshme, që i është nënshtruar konsultimit publik, dhe përfshirja e tij në bazën e të dhënave.

10. Kur për shkak të sipërfaqes apo pozicionimit të zonës së stimuluar drejtoria kompetente vendore e ASHK-së e ka të pamundur kryerjen e procesit të verifikimit në terren, në kuadër të hartimit të planit të rilevimit, ky proces mund të kryhet nga subjekte private të licencuara në fushat përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik.

11. Kur gjendja faktike, e pasqyruar në planin e rilevimit të miratuar përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por të paregjistruar në regjistrat kadastralë, ka pësuar ndryshime, drejtoria vendore e ASHK-së, kompetente për zonat e stimuluara, mund të rishikojë planin e rilevimit. Plani i rishikuar do t’u nënshtrohet rregullave të hartimit të parashikuara në këtë vendim.

12. Nëse plani i rilevimit i miratuar përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi është pasqyruar në regjistrat kadastralë dhe një pjesë e pasurive në të kanë pësuar ndryshime, drejtoria vendore e ASHK-së, kompetente për zonat e stimuluara, nis procesin e përmirësimit për bllokun kadastral, i cili është prekur nga ndryshimet, proces që përfundohet nga drejtoria vendore e ASHK-së, kompetente për territorin ku ndodhet zona e stimuluar, në përputhje me kreun VI, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.

13. Paraqitja grafike e planit të rilevimit për zonat e stimuluara miratohet me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të ASHK-së.

14. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR NDËRTIMIN E BANESAVE PËR STREHIM SOCIAL, ROSKOVEC”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Për ndërtimin e banesave për strehim social, Roskovec”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Roskovec.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit “tokë truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 741 000 (shtatëqind e dyzet e një mijë) lekësh.

4. Masa e shpërblimit për pronarët që shpronësohen është 741 000 (shtatëqind e dyzet e një mijë) lekë dhe do të përballohet nga Bashkia Roskovec.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga Bashkia Roskovec.

6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Roskovec.

8. Bashkia Roskovec të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Roskovec.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të nisë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë regjistrimin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe regjistrimi i kalimit të pronësisë në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Roskovec, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.239, DATË 20.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KËRKESAT TEKNIKE DHE FUNKSIONALE TË ZGJIDHJES SOFTWARE-IKE PËR PROCEDURËN E FATURIMIT DHE TË FISKALIZIMIT SI DHE PROCEDURËN E KRITERET PËR REGJISTRIMIN E PRODHUESVE E TË MIRËMBAJTËSVE TË ZGJIDHJEVE SOFTWARE-IKE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10, të nenit 16, të ligjit nr.87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.239, datë 20.3.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa:

1. Pas pikës 12, të kreut III, “Regjistrimi i prodhuesve dhe mirëmbajtësve të software-it”, shtohet pika 12.1, me këtë përmbajtje:

“12.1 Subjektet aplikuese kanë detyrimin të dorëzojnë pranë AKSHI-it software-in me të njëjtat të dhëna si në aplikimin on-line jo më vonë se dita e nesërme e punës nga aplikimi në e-Albania. Në rast mosdorëzimi, subjekti do të duhet të riaplikojë në e-Albania.”.

2. Në kreun IV “Certifikimi i Programit (Software)” bëhen këto shtesa:

a) Pas pikës 14 shtohet pika 14.1, me këtë përmbajtje:

“14.1 Prodhuesi ose mirëmbajtësi i certifikuar i zgjidhjes software-ike, me kërkesë të AKSHI-t dhe të DPT-së dorëzon versionin e përmirësuar të software-it brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e njoftimit, në rastet kur përmirësimi i kërkuar nuk sjell ndryshime thelbësore në software. Nëse përmirësimi i kërkuar sjell ndryshime thelbësore në software, dorëzimi i versionit të përmirësuar të software bëhet brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga data e njoftimit.”.

b) Pas pikës 16 shtohet pika 16.1, me këtë përmbajtje:

“16.1 Pas marrjes së vendimit nga ana e komisionit për miratimin e aplikimit, të dhënat e certifikatës do të plotësohen me ato të dhëna që aplikuesi ka deklaruar elektronikisht në aplikim për certifikim në portalin e-Albania”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ERION BRAÇE 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.