Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Nëntor 2016
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SUEDISË, PËR PROGRAMIN “FORCIMI I POLICIMIT NË KOMUNITET NË SHQIPËRI” (2017-2020)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, për programin “Forcimi i policimit në komunitet në Shqipëri” (2017-2020), sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
STRUKTURËN, KRITERET E PËRZGJEDHJES DHE MARRËDHËNIET E PUNËS SË PUNONJËSVE TË NJËSISË PËRGJEGJËSE NË AUTORITETET PUBLIKE, NË ZBATIM TË LIGJIT NR.60/2016, “PËR SINJALIZMIN DHE MBROJTJEN E SINJALIZUESVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.60/2016, “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Struktura përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve në autoritetet publike me mbi 80 të punësuar përbëhet nga dy nëpunës/punonjës.
2. Njësia përgjegjëse në autoritetet publike është drejtuesi i strukturës së auditimit të brendshëm dhe një nëpunës/punonjës i saj. Në mungesë të tyre, kjo njësi përbëhet nga dy nëpunës/punonjës të njësisë së auditimit të brendshëm.
3. Në ato raste kur autoriteti publik nuk ka në strukturën e tij strukturë auditimi të brendshëm, njësia përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve është drejtuesi i strukturës së burimeve njerëzore dhe një nëpunës/punonjës i saj. Në mungesë të tyre, kjo njësi përbëhet nga dy nëpunës/punonjës të strukturës së burimeve njerëzore.
4. Autoritetet publike, të cilat në strukturën e tyre kanë njësi të posaçme, ndër të tjera, për luftën ndaj korrupsionit dhe praktikave apo veprimeve të dyshuara të korrupsionit, kryejnë edhe detyrën e njësisë përgjegjëse, në zbatim të ligjit nr.60/2016.
5. Në ato autoritete publike, në të cilat nuk mund të zbatohen pikat 2 dhe 3, të këtij vendimi, për shkak se nuk kanë strukturë auditimi apo të burimeve njerëzore ose nuk plotësohet numri, sipas pikës 1, të këtij vendimi, njësia përgjegjëse plotësohet ose përbëhet nga dy nëpunës/punonjës të përhershëm të autoritetit, të cilët, përveç detyrave që kryejnë dhe kushteve/kritereve të përgjithshme e të veçanta, të përcaktuara në legjislacionin që rregullon marrëdhënien e punës, duhet të plotësojë edhe këto kushte:
a) Të kenë vjetërsi në punë jo më pak se dy vjet;
b) Të kenë mbaruar arsimin e lartë, i preferueshëm në shkencat juridike, shkencat sociale ose shkencat ekonomike;
c) Të mos jenë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale.
6. Autoritetet publike, që kanë degë territoriale në Republikën e Shqipërisë, krijojnë njësinë përgjegjëse vetëm në strukturën qendrore të tyre.
7. Caktimi si nëpunës/punonjës i njësisë përgjegjëse për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve në autoritetin publik, krahas detyrave dhe funksioneve të pozicionit të punës, sipas aktit të emërimit, është pa afat dhe përfundon me mbarimin e marrëdhënieve në atë pozicion pune.
8. Njësia përgjegjëse për zbatimin e ligjit nr.60/2016, si strukturë që ndjek në vazhdimësi sinjalizimin e një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni si dhe mbrojtjen e sinjalizuesve nga hakmarrja në veprimtarinë e saj, mban kontakte të vazhdueshme me ILDKPKI-në. Njësia përgjegjëse në sektorin publik vepron në mënyrë të pavarur dhe jashtë çdo influence tjetër, të padrejtë, që mund të pengojë realizmin e detyrave të saj në zbatim të ligjit nr. 60/2016.
9. Për çdo ndërprerje të marrëdhënies së punës ndërmjet autoritetit publik dhe nëpunësit/punonjësit të njësisë përgjegjëse, informohet menjëherë ILDKPKI-ja. Titullari i autoritetit publik merr masat e nevojshme që të zëvendësojë menjëherë nëpunësin/punonjësin e larguar të njësisë përgjegjëse me punonjës të strukturës përkatëse ose, sipas rastit, të strukturave të tjera, duke zbatuar kriteret e përcaktuara në këtë vendim.
10. Nëpunësit/punonjësit e njësisë përgjegjëse largohen nga kjo detyrë me urdhër të titullarit të autoritetit publik, kur:
a) japin dorëheqjen me shkrim nga detyra e njësisë përgjegjëse, e cila i dërgohet, njëkohësisht, edhe ILDKPKI -së;
b) dënohen me vendim gjyqësor të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale;
c) kryejnë shkelje të rendë të legjislacionit që rregullon sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve;
ç) përfundon marrëdhënien e punës me autoritetin publik.
11. Titullarët e autoriteteve publike emërojnë nëpunësit/punonjësit në detyrën e njësisë përgjegjëse brenda 15 ditësh, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, dhe njoftojnë me shkrim inspektorin e përgjithshëm të ILDKPKI-së për krijimin e njësinë përgjegjëse, së bashku me kontaktet e saj.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I ST R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË SEKTORIALE TË TRANSPORTIT DHE PLANIT TË VEPRIMIT 2016-2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Sektoriale të Transportit dhe planit të veprimit 2016-2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, ministritë dhe institucionet përgjegjëse të përmendura në tekstin e kësaj strategjie dhe planit të veprimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR ZBATIMIN E KODIT NDËRKOMBËTAR TË MENAXHIMIT TË SIGURISË (ISM CODE)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “a”, të nenit 401, të ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9213, datë 1.4.2004, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën ndërkombëtare detare “Për shpëtimin e jetës në det (SOLAS), 1947”, të ndryshuar, dhe në protokollin e kësaj konvente, të vitit 1978, të ndryshuar”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e rregullores “Për zbatimin e Kodit Ndërkombëtar të Menaxhimit të Sigurisë (ISM Code)”, sipas tekstit dhe shtojcave që i bashkëlidhen dhe janë pjesë përbërëse e këtij vendimi.
Ngarkohet ministri përgjegjës për transportin që, brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të shkronjës “b”, të pikës 3, të nenit 10, të rregullores.
Ngarkohet Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.337, DATË 22.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË KRYERJES SË PROCESIT TË KALIMIT TË TOKËS BUJQËSORE TË ISH-NDËRMARRJEVE BUJQËSORE NË PRONËSI TË PËRFITUESVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.171/2014, “Për përfundimin e procesit të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.337, datë 22.4.2015, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Kudo në vendim, emërtimet:
a) “njësi e qeverisjes vendore” zëvendësohen me “bashkia”;
b) “këshilli i njësisë së qeverisjes vendore” zëvendësohen me “këshilli bashkiak”.
2. Shkronja “a”, e pikës 1, ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“a) Kryetari i bashkisë afishon në vendet publike të bashkisë e të njësisë administrative dhe boton në gazetën e pushtetit vendor, apo në njerën nga gazetat e përditshme vendore ose kombëtare lajmërimin publik të paraqitjes së dokumentacionit, sipas pikave 2 e 3, të këtij vendimi, për të gjithë përdoruesit faktikë të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilët nuk janë pajisur me aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi (AMTP), sipas përcaktimeve të nenit 2, të ligjit nr.171/2014, “Për përfundimin e procesit të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, në se ky lajmërim nuk është bërë më parë për gjithë territorin e bashkisë apo për njësi administrative të veҫanta;”.
3. Paragrafi i parë, i pikës 2, ndryshon, me këtë përmbajtje:
“2. Përdoruesit faktikë të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilët nuk janë pajisur me AMTP, jo më vonë se 3 muaj, nga përfundimi i afatit ligjor të plotësimit të dokumentacionit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, paraqesin në njësinë administrative, në juridiksionin territorial të së cilës gjendet toka bujqësore:”.
4. Paragrafi i pare, i pikës 3, ndryshon, me këtë përmbajtje:
“3. Subjektet e përcaktuara si bashkëthemeluese të ish-ndërmarrjes bujqësore, sipas vendimit nr.452, datë 17.10.1992, të Këshillit të Ministrave, “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve bujqësore”, të ndryshuar, të cilat nuk janë pajisur me AMTP për tokën bujqësore që kanë në përdorim faktik, jo më vonë se 3 muaj, nga përfundimi i afatit ligjor të plotësimit të dokumentacionit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, paraqesin në njësinë administrative, në juridiksionin territorial të së cilës gjendet toka bujqësore:”.
5. Pika 14 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“14. Këshilli bashkiak, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, përcakton me vendim, të marrë në përputhje me pikën 4, të nenit 55, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, emrat e përdoruesve faktikë të tokës bujqësore për çdo fshat në bashki si dhe emrat e subjekteve përfituese, që plotësojnë kushtet ligjore për t’u pajisur me AMTP, vendndodhjen e tokës, sipërfaqen, kufizimet dhe kufitarët për çdo ngastër, të shoqëruar me hartën kadastrale, si pjesë përbërëse të tij, dhe me relacion të hollësishëm.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.198, DATË 4.5.1993, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E ENTIT KOMBËTAR TË BANESAVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 3, të ligjit nr.7582, datë 13.7.1992, “Për ndërmarrjet shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.198, datë 4.5.1993, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Paragrafi i parë i pikës 3 ndryshohet, me këtë përmbajtje:
“Këshilli drejtues i EKB-së përbëhet nga 7 anëtarë:
-Përfaqësues nga aparati i Kryeministrisë 1;
-Përfaqësues nga Ministria e Zhvillimit Urban 4;
-Përfaqësues nga Ministria e Financës 1;
-Drejtori i Përgjithshëm i EKB-së 1.”.
2. Kudo në tekst, emërtimi “Ministria e Punëve Publike” zëvendësohet me “Ministria e Zhvillimit Urban”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
DISIPLINIMIN E ANGAZHIMEVE BUXHETORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 16, 40 dhe 51, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në zbatim të nenit 51, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, pas datës 15 tetor të çdo viti buxhetor, njësitë e qeverisjes së përgjithshme nuk mund të publikojnë njoftimin për prokurimin e mallrave/punëve/shërbimeve, të cilat nuk janë përfshirë në regjistrin e prokurimeve publike, deri në këtë datë.
2. Pas datës 15 tetor, procedurat e prokurimeve publike, të parashikuara në regjistrin e prokurimeve publike, mund të fillojnë/vazhdojnë vetëm për ato projekte që janë pjesë e buxhetit tre-vjeçar, të miratuar për njësinë përkatëse të qeverisjes së përgjithshme. Lidhja e kontratës në këtë rast bëhet vetëm pasi fondi të jetë vënë në dispozicion në llogarinë e autoritetit kontraktor, në buxhetin e tij, të miratuar për vitin buxhetor pasardhës.
3. Kufizimit kohor të parashikuar në pikat 1 dhe 2, të këtij vendimi, nuk i nënshtrohen:
a) fondet e akorduara nëpërmjet rishikimit të ligjit vjetor të buxhetit;
b) fondet e akorduara me vendim të Këshillit të Ministrave nga fondi rezervë dhe/ose fondi i kontingjencës, për raste emergjente/të paparashikuara;
c) fondet e akorduara me vendim të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve;
ç) fondet e rialokuara për kryerjen e një investimi/shërbimi, në zbatim të detyrimeve të parashikuara me ligj të ri;
d) prokurimet për shërbimin e ushqimit dhe/ose të medikamenteve, në ato njësi të qeverisjes së pëgjithshme që i administrojnë këto shërbime;
dh) prokurimet me vlerë të vogël, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, në rastet kur, fondet buxhetore për to janë të parashikuara në buxhetin e vitit korrent të njësisë së qeverisjes së përgjthshme dhe janë pjesë e regjistrit të prokurimeve publike.
4. Ngarkohen të gjitha institucionet e njësive të qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.608, DATË 5.9.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURËS SË KALIMIT TË PRONËSISË TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, TË NDËRTUARA DERI MË 10.8.1991, E TË TRUALLIT FUNKSIONAL TË TYRE, KUR NUK POSEDOHEN AKTE FITIMI PRONËSIE, SI DHE PËR REGJISTRIMIN E TYRE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “ç”, të nenit 25, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, të pikave 3 dhe 4, të nenit 30, dhe të pikës 2, të nenit 34, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.608, datë 5.9.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
1. Kudo në përmbajtjen e vendimit fjala “komunë”, hiqet.
2. Kudo në përmbajtjen e vendimit fjalët “Agjencia Kombëtare e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, zëvendësohen me fjalët “Agjencia e Trajtimit të Pronës”.
3. Shkronja “b”, e pikës 6, ndryshohet me këtë përmbajtje:
“b) Verifikimi i kushteve bëhet nëpërmjet inspektimit në terren nga punonjësit e tij, si dhe nga marrja e informacionit zyrtar nga institucionet shtetërore. Në çdo rast, institucioni i autorizuar kërkon detyrimisht informacion zyrtar pranë zyrës përkatëse vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Agjencisë së Trajtimit të Pronave, ALUIZNI-t, Zyrës së Gjendjes Civile dhe/apo çdo organi tjetër shtetëror që administron të dhëna apo informacion për pasurinë e paluajtshme objekt shqyrtimi, dhe për vërtetimin e gjendjes familjare të poseduesit të pasurisë së paluajtshme përpara datës 10.8.1991. Korrespondenca bëhet pjesë e dosjes. Çdo institucion shtetëror është i detyruar të kthejë përgjigje, me shkrim, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës. Në rast të moskthimit të përgjigjes brenda këtij afati, drejtuesi i institucionit të autorizuar njofton, me shkrim, ministrin e Drejtësisë dhe kabinetin e Kryeministrit.”.
4. Pika 8, ndryshohet me këtë përmbajtje:
“8. Institucioni i autorizuar, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga miratimi i këshillit të qarkut, bën kalimin e pronësisë së pasurive së paluajtshme e të truallit funksional të tyre, në emër të personave, sipas përbërjes familjare që figuron në certifikatën familjare deri më 10.8.1991, dhe e dërgon vendimin për regjistrim në ZVRPP-në kërkuese, duke vënë në dijeni dhe personat përfitues. Vendimit i bashkëlidhet kopja e njësuar e dosjes me dokumentacionin e plotë. Së bashku me dërgimin e vendimit për regjistrim institucioni i autorizuar (bashkia) njofton ZVRPP-në edhe për faktin nëse subjekti përfitues ka kryer ose jo pagesën e tarifës së shërbimit dhe pagesën e çmimit për tjetërsimin e truallit funksional.
Në rast se shqyrtimi i kërkesës në institucionin e autorizuar është iniciuar me kërkesë të individit, institucioni i autorizuar, brenda 7 (shtatë) ditëve nga miratimi i këshillit të qarkut, por përpara nënshkrimit të aktit përfundimtar të kalimit të pronësisë dhe dërgimit të tij për regjistrim, njofton zyrtarisht kërkuesin për vlerësimin pozitiv të kërkesës, si dhe për detyrimin për të paguar brenda 30 (tridhjetë) ditëve, për llogari të Agjencisë së Trajtimit të Pronës, për fondin e kompensimit financiar, çmimin e truallit, duke i treguar edhe numrin e llogarisë. Në njoftim jepen të dhëna për kufijtë, sipërfaqen në m2 dhe vendndodhjen e pasurisë objekt kalimi në pronësi, të shoqëruar me genplanin dhe planimetrinë përkatëse. Kërkuesi, me marrjen e njoftimit, paguan në numrin e llogarisë së caktuar, për llogari të fondit të kompensimit të pronave, kundërvlerën në lekë për sipërfaqen e truallit që do të kalojë në pronësi të tij.
Vlera në lekë që do të paguhet nga kërkuesi për kalimin në pronësi të truallit dhe që përfshihet në ato raste që parashikon shkronja “b”, e pikës 4, e vendimit, është sipas aneksit nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Me paraqitjen e dokumentit bankar që vërteton kryerjen e pagesës së kalimit në pronësi të truallit, institucioni i autorizuar, brenda 20 ditëve nga administrimi i tij, nënshkruan aktin përfundimtar të kalimit të pronësisë së pasurive së paluajtshme e të truallit funksional të tyre në emër të personave, sipas përbërjes familjare që figuron në certifikatën familjare deri më 10.8.1991, dhe e dërgon vendimin për regjistrim në ZVRPP-në përkatëse, duke vënë në dijeni dhe personat përkatës përfitues. Vendimit i bashkëlidhet dokumentacioni hartografik që evidenton pasurinë objekt kalimi në pronësi, kopja e njësuar e dosjes me dokumentacionin e plotë e cila përfshin dhe dokumentacionin bankar që vërteton kryerjen e pagesës së truallit.
Për ndjekjen e procedurave të kalimit në pronësi, sipas këtij vendimi, paguhet tarifa e shërbimit, e cila vilet nga institucioni i autorizuar. Masa e tarifës së shërbimit caktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe të ministrit të Drejtësisë. Në rastet kur procedura është iniciuar me kërkesë të personit të interesuar, vjelja e tarifës së shërbimit bëhet paraprakisht me paraqitjen e kërkesës dhe fillimin e shqyrtimit të saj.”.
5. Pika 10, ndryshohet më këtë përmbajtje:
“10. Në rast se procedura e kalimit të pronësisë së pasurisë së paluajtshme, sipas këtij vendimi, nuk ka nisur me kërkesë të përfituesit, dhe ndërkohë organi i autorizuar ka përcjellë dokumentacionin për regjistrim, shoqëruar dhe me të dhënat përkatëse, atëherë, përpara pajisjes me certifikatë pronësie, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, brenda 7 (shtatë) ditëve nga administrimi i akteve është e detyruar të njoftojë subjektin përfitues për:
– të realizuar pagesën e tarifës së shërbimit, për llogari të institucionit të autorizuar, në numrin e llogarisë bankare të këtij të fundit. Masa e tarifës së shërbimit caktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Financave dhe të ministrit të Drejtësisë; si dhe
– detyrimin për të realizuar pagesën për çmimin për kalimin në pronësi të truallit. Kërkuesi, me marrjen e njoftimit, paguan në numrin e llogarisë së caktuar, për llogari të Agjencisë së Trajtimit të Pronës për fondin e kompensimit të pronave, kundërvlerën në lekë për sipërfaqen e truallit që ka kaluar në pronësi të tij, sipas vendimit të institucionit të autorizuar, pagesë kjo e cila i referohet aneksit nr.3, bashkëlidhur këtij vendimi.
Pas administrimit të dokumentacionit bankar që vërteton kryerjen e këtyre pagesave, zyra e regjistrimit, nëse nuk ka vërejtje apo kundërshtime të tjera, vijon shqyrtimin e praktikës.”.
6. Në pikën 15, fjalët “Ministria e Brendshme”, hiqen.
II. Në rastin e kërkesave tashmë të paraqitura dhe për të cilat institucioni i autorizuar nuk ka dhënë ende vendim, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, shqyrtimi i kërkesës dhe i dokumentacionit do të vazhdojë duke plotësuar edhe kushtet e parashikuara nga ky vendim.
III. Ngarkohen ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave për nxjerrjen e udhëzimit të përbashkët brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË VERIFIKIMIT KUFITAR QË ZBATOHEN PËR KATEGORI TË CAKTUARA TË PERSONAVE DHE MJETEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 10, të nenit 14, të ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
RREGULLA TË VEÇANTA TË VERIFIKIMIT KUFITAR QË ZBATOHEN PËR KATEGORI TË CAKTUARA TË PERSONAVE
1. Krerët e shteteve dhe personalitetet
a) Krerët e shteteve, kryetarët e parlamenteve, kryetarët e qeverive dhe homologët e tyre, personalitetet dhe anëtarët e delegacioneve që i shoqërojnë, mbërritja dhe largimi i të cilëve është lajmëruar zyrtarisht nëpërmjet kanaleve diplomatike, kanë prioritet kundrejt udhëtarëve të tjerë.
b) Si rregull, këta persona i nënshtrohen verifikimit minimal dhe regjistrimit të hyrje-daljeve bazuar vetëm në të dhënat e njoftimit zyrtar ose dokumenteve të udhëtimit.
c) Në rastet e dyshimeve serioze mbi vërtetësinë e identitetit ose dokumentit, rojet kufitare gëzojnë të drejtën të kryejnë verifikimin përkatës.
ç) Çdo vendim, që lidhet me problematikën që mund të rezultojë nga verifikimi minimal, merret dhe zbatohet në komunikim e konsultim me Ministrinë e Punëve të Jashtme.
2. Mbajtësit e pasaportave diplomatike zyrtare ose të pasaportave të shërbimit dhe anëtarët e organizatave ndërkombëtare
a) Mbajtësve të pasaportave diplomatike, zyrtare apo të shërbimit, si dhe mbajtësve të dokumenteve të lëshuara nga organizatat ndërkombëtare, sipas përcaktimeve në pikën 2.1, të cilët udhëtojnë për qëllim dhe në zbatim të detyrave për të cilat janë pajisur me dokumentin përkatës, u jepet përparësi kundrejt udhëtarëve të tjerë gjatë verifikimit kufitar në pikat e kalimit kufitar, pavarësisht nëse, sipas rastit, u nevojitet ose jo pajisja me vizë.
b) Anëtarët e akredituar të misioneve diplomatike dhe të përfaqësive konsullore si dhe familjarët e tyre mund të kalojnë kufirin duke paraqitur kartën speciale të lëshuar nga Ministra e Punëve të Jashtme dhe dokumentin që i autorizon të kalojnë kufirin.
c) Për efekt të përjashtimit nga neni 14, i ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, personave të parashikuar në këtë pikë nuk u kërkohet të provojnë se kanë mjete të mjaftueshme financiare për jetesë.
ç) Rojet kufitare nuk refuzojnë hyrjen ose daljen e personave që përcaktohen në shkronjën “a” pa u konsultuar më parë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, qoftë edhe kur ekziston një shënim në bazat e të dhënave që konsultohen për efekt të verifikimit kufitar.
d) Në qoftë se, për efekt të verifikimit kufitar, një person kërkon privilegje, imunitete dhe përjashtime që u takojnë personave të sipërpërmendur, rojet kufitare i kërkojnë pretenduesit të paraqesë dëshmi për statusin e pretenduar, siç mund të jenë vërtetimet e lëshuara nga shteti akreditues, pasaporta diplomatike ose dokumente të tjera vërtetuese. Në raste urgjente dhe kur roja kufitare ende ka dyshime për statusin, njoftohen instancat eprore të Policisë Kufitare dhe të Migracionit, të cilat i kërkojnë konfirmim për këtë status Minstrisë së Punëve të Jashtme.
2.1. Anëtarë të organizatave ndërkombëtare, në kuptimin e kësaj pike, konsiderohen të gjithë ata persona që posedojnë dokumentet e mëposhtme:
– Leje kalimi (laissez-passer) e lëshuar nga Kombet e Bashkuara për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe agjencive në varësi, sipas Konventës për Privilegjet dhe Imunitetet e Agjencive të Specializuara, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, më 21 nëntor 1947 në Nju Jork;
– Leje kalimi (laissez-passer) e Bashkimit Evropian;
– Leje kalimi (laissez-passer) e Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike (Euratom);
– Certifikatë legjitimiteti e lëshuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës;
– Dokumentet e lëshuara sipas paragrafit 2, të nenit III, të marrëveshjes midis palëve të Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), për sa i përket statusit të Forcës së tyre (kartat ushtarake të identitetit, të shoqëruara me urdhër udhëtimi, mandate udhëtimi ose urdhër individual apo kolektiv lëvizjeje), si dhe dokumentet e lëshuara në kuadrin e partneritetit për paqe;
– Dokumente të tjera që Republika e Shqipërisë i njeh të barasvlefshme me të mësipërmet, për shkak të një vendimi të njëanshëm apo të një përcaktimi të tillë në një marrëveshje.
3. Anëtarët e shërbimeve të sigurisë
a) Anëtarëve të shërbimeve të sigurisë, të cilët hyjnë ose dalin nga Republika e Shqipërisë, duke shoqëruar apo për të shoqëruar personalitete ose delegacione zyrtare, si dhe anëtarëve të shërbimeve të sigurisë të cilët mbërrijnë ose largohen nga Republika e Shqipërisë, në kuadër të një marrëveshjeje apo të një njoftimi zyrtar, nga Ministria e Punëve të Jashtme ose Ministria e Punëve të Brendshme, për të marrë pjesë në një aktivitet që zhillohet brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, parimisht u jepet përparësi kundrejt udhëtarëve të tjerë gjatë verifikimit kufitar në pikat e kalimit kufitar, pavarësisht nëse, sipas rastit, u nevojitet ose jo pajisja me vizë.
b) E njëjta përparësi, si në shkronjën “a” u njihet edhe anëtarëve të shërbimeve të sigurisë, të cilët kalojnë transit në Republikën e Shqipërisë, kur kalojnë kufirin për arsye të kryerjes së detyrave të parashikuara në shkronjën “a”, në kuadër të një marrëveshjeje të detyrueshme për Republikën e Shqipërisë apo të një njoftimi zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme ose Ministria e Punëve të Brendshme.
c) Kur anëtarët e shërbimeve të sigurisë kërkojnë të kalojnë kufirin e Republikës së Shqipërisë të armatosur, aparati qendror i Policisë Kufitare dhe të Migracionit lëshon lejen për kalimin e kufirit nga anëtari i shërbimeve të sigurisë i armatosur, pas njoftimit paraprak nga Ministria e Punëve të Jashtme ose Ministria e Punëve të Brendshme, me kusht që kalimi të jetë në përputhje me legjislacionin e Republikës së Shqipërisë. Në lejen në fjalë përcaktohen kushtet e veçanta për hyrje.
ç) Për efekt të përjashtimit nga neni 14, i ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, këtyre personave nuk u kërkohet të provojnë se kanë mjete të mjaftueshme financiare.
d) Çdo vendim, që lidhet me problematikën që mund të rezultojë nga verifikimi minimal për këtë kategori, merret dhe zbatohet në komunikim e konsultim me Ministrinë e Punëve të Jashtme ose Ministrinë e Punëve të Brendshme, varësisht nga autoriteti që ka kryer njoftimin.
4. Anëtarët e shërbimeve të kërkim-shpëtimit, të mbrojtjes nga zjarri, policisë dhe punonjësit e kufirit
a) Punonjësve të parashikuar në këtë pikë, të cilët udhëtojnë për qëllim dhe zbatim të detyrave përkatëse, parimisht u jepet përparësi kundrejt udhëtarëve të tjerë gjatë verifikimit kufitar në pikat e kalimit kufitar, pavarësisht nëse, sipas rastit, u nevojitet ose jo pajisja me vizë.
b) Për efekt të përjashtimit nga neni 14, i ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, këtyre personave nuk u kërkohet të provojnë nëse kanë mjete të mjaftueshme financiare për jetesë, në rastet kur udhëtojnë për qëllim dhe zbatim të detyrave përkatëse.
5. Të miturit
a) Të miturit që kalojnë kufirin u nënshtrohen të gjitha verifikimeve, në hyrje dhe në dalje, si dhe të rriturit.
b) Në rastin e të miturve të shoqëruar, punonjësi i kufirit verifikon nëse personi/at shoqërues të të miturit janë përfaqësues ligjorë të tij ose e kanë atë nën kujdes prindëror, sidomos kur i mituri shoqërohet vetëm nga një person madhor.
c) Kur ka arsye serioze për të dyshuar se i mituri mund të jetë shkëputur në mënyrë të paligjshme nga kujdestaria e personit/ave që ushtron/jnë ligjërisht kujdesin prindëror apo nga përfaqësuesi ligjor i tij, rojet kufitare duhet të kryejnë dhe verifikime të mëtejshme, duke vlerësuar e zbuluar mospërputhjet apo kontradiktat në informacionin e dhënë.
ç) Në rastin e të miturve që udhëtojnë të pashoqëruar, rojet kufitare sigurojnë, me anë të shqyrtimit të imët të dokumenteve të udhëtimit, dokumenteve mbështetëse, bazave të të dhënave dhe intervistimit që të miturit të mos kalojnë kufirin kundër dëshirës së personit/ave që ka/kanë kujdestarinë prindërore apo përfaqësuesit ligjor të të miturit.
d) Pika Kombëtare e Kontaktit për konsultimin për çështje të të miturve përcaktohet me urdhër të Kryeministrit.
dh) Rojet kufitare konsultohen me Pikën Kombëtare të Kontaktit, të parashikuar në shkronjën “d”, për rastet e veçanta, kur të dhënat e informacioni që posedojnë dhe marrin gjatë verifikimit kufitar të të miturve që kalojnë kufirin nuk krijojnë mundësinë për një verifikim të plotë të situatës në fjalë.
e) Për efekt të unifikimit të procedurës së verifikimit kufitar të të miturve, ministri i Punëve të Brendshme nxjerr udhëzim për rastet e kalimit të të miturve që kushtëzojnë përcaktimin e rregullave të veçanta më të detajuara.
6. Punonjësit ndërkufitarë
a) Verifikimi i punonjësve ndërkufitarë kryhet sipas rregullave të përgjithshme për kontrollin kufitar, veçanërisht sipas neneve 6 dhe 14, të ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”.
b) Për efekt të përjashtimit nga neni 14, i ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, punonjësit ndërkufitarë, që njihen mirë prej rojeve kufitare, për shkak të kalimeve të tyre të shpeshta në kufi në të njëjtën pikë kalimi kufitar dhe për të cilët gjatë një verifikimi të mëparshëm nuk është shfaqur ndonjë njoftim nga ndonjë regjistër apo bazë të dhënash, kur kalojnë kufirin për arsye të punës së tyre, pavarësisht nga shtetësia, u nënshtrohen verifikimeve minimale.
c) Ndaj këtyre personave ushtrohen herë pas here verifikime tërësore ose dhe verifikime të detajuara, pa paralajmërim dhe jo në intervale të rregullta.
7. Pilotët dhe anëtarët e tjerë të ekuipazhit të mjeteve ajrore
a) Për efekt të përjashtimit nga neni 14, i ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, mbajtësit e licencës së pilotit ose të certifikatës së anëtarit të ekuipazhit, të lëshuara sipas parashikimeve të shtojcës 9, të Konventës për Aviacionin Civil, të datës 7 dhjetor 1944, pavarësisht nga shtetësia që mbajnë, u nënshtrohen verifikimeve minimale, kur paraqesin këto dokumente dhe kur për arsye të ushtrimit të detyrave të tyre u nevojitet:
i. të hipin dhe të zbresin në aeroportin e ndalesës ose në aeroportin e mbërritjes;
ii. të hyjnë në territorin e njësisë administrative të aeroportit të ndalesës ose të aeroportit të mbërritjes;
iii. të shkojnë, me çfarëdolloj mjeti transporti në aeroportin ku gjendet mjeti ajror në të cilin ata imbarkohen për nisje.
b) Kur është e mundur, ekuipazheve të mjeteve ajrore, që kalojnë kufirin për arsye të kryerjes së detyrave të tyre, u jepet përparësi kundrejt udhëtarëve të tjerë gjatë verifikimit kufitar në pikat e kalimit kufitar, duke kryer verifikimin përpara pasagjerëve ose në vende të veçanta të caktuara për këtë qëllim.
c) Për efekt të përjashtimit nga neni 14, i ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, ekuipazhet, që kalojnë kufirin për arsye të kryerjes së detyrave të tyre dhe që njihen nga rojet kufitare, u nënshtrohen në përgjithësi verifikimeve minimale.
ç) Në të gjitha rastet e tjera zbatohen kërkesat e verifikimeve kufitare të parashikuara nga ligji nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, si për çdo person tjetër.
8. Detarët
a) Detarët që mbajnë një dokument identifikimi detarësh, të lëshuar në përputhje me Konventën nr.108 (1958) ose nr.185 (2003) të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) për Dokumentet e Identifikimit të Detarëve, të Konventës për Lehtësimin e Trafikut Detar Ndërkombëtar (Konventa FAL), mund të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke zbritur në tokë në zonën e portit ku mbërrijnë anijet e tyre ose në njësitë administrative më të afërta apo të dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë duke u kthyer në anijet e tyre, pa u paraqitur vetë në një pikë kalimi kufitar, me kusht që të kenë emrin e regjistruar në listën e ekuipazhit të anijes së cilës i përkasin, listë kjo që u është dorëzuar më parë për verifikim rojeve kufitare.
b) Mbi bazën e vlerësimit të risqeve për sigurinë e brendshme dhe emigracionin e paligjshëm, detarët i nënshtrohen një verifikimi sipas parashikimeve të nenit 14, të ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, përpara se të zbarkojnë në breg.
9. Punonjësit e platformave në det të hapur (Offshore)
a) Për efekt të përjashtimit nga neni 14, i ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, punonjësit e platformave që gjenden në ujërat territoriale apo në zonën e shfrytëzimit ekskluziv ekonomik detar, të cilët kthehen rregullisht nga deti ose ajri në territorin e Republikës së Shqipërisë, pa hyrë apo qëndruar në territorin e një vendi tjetër, nuk verifikohen sistematikisht.
b) Rojet kufitare marrin në konsideratë vlerësimin e risqeve të migracionit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar e atij mjedisor, sidomos aty ku vija bregdetare e një vendi tjetër apo itineraret e qarkullimit gjenden në afërsi të vendndodhjes së platformës, me qëllim që të përcaktohet dendësia e verifikimeve kufitare që kryhen ndaj këtyre punonjësve.
KREU II
RREGULLA TË VEÇANTA TË VERIFIKIMIT KUFITAR QË ZBATOHEN PËR KATEGORI TË CAKTUARA TË PERSONAVE QË UDHËTOJNË ME MJETE TË NDRYSHME TË TRANSPORTIT SIPAS LLOJIT TË KUFIJVE
10. Automjetet e qarkullimit rrugor
a) Si rregull, personat që udhëtojnë në autovetura mund të qëndrojnë brenda automjetit gjatë verifikimeve kufitare.
b) Megjithatë, nëse e kërkojnë rrethanat, personave që udhëtojnë me autovetura mund t’u kërkohet të zbresin nga automjetet.
c) Verifikimet kufitare ndaj drejtuesve të automjeteve të rënda dhe personave të tjerë që gjenden në këto mjete kryhen ndërsa personat janë në automjet dhe kryhen të ndara nga udhëtarët e tjerë, atje ku ekziston mundësia fizike për një verifikim të tillë të ndarë.
ç) Personat që udhëtojnë me autobus i nënshtrohen verifikimit kufitar individual si udhëtarë këmbësorë, në terminalet përkatëse të autobuzëve apo ambientet e posaçme si dhe brenda në autobuz, kur kjo gjë vlerësohet e nevojshme nga rojet kufitare.
d) Në rast qarkullimi të rënduar i jepet përparësi verifikimit të udhëtarëve në autobuzët e linjave të rregullta.
dh) Nëse nuk parashikohet posaçërisht ndryshe në marrëveshjen përkatëse dhe nëse rethanat e mundësojnë, mënyra e verifikimit kufitar të personave që udhëtojnë me automjete është e njëjtë sipas parashikimeve të mësipërme edhe në pikat e përbashkëta të kalimit kufitar.
11. Mjetet e qarkullimit hekurudhor
a) Në trenat që kalojnë kufirin, verifikimet kufitare kryhen si te pasagjerët e trenit, ashtu edhe te personeli i hekurudhës, qofshin ata trena mallrash apo trena bosh.
b) Me qëllim lehtësimin e qarkullimit hekurudhor, bazuar në marrëveshjet përkatëse, verifikimet kufitare kryhen në cilëndo prej mënyrave të mëposhtme:
i. Në stacionin e parë të mbërritjes në territorin e Republikës së Shqipërisë në hyrje dhe në stacionin e fundit të nisjes në territorin e Republikës së Shqipërisë në dalje dhe anasjelltas në territorin e shtetit, palë në marrëveshje;
ii. Brenda në tren, gjatë udhëtimit nga stacioni i fundit i nisjes në territorin e shtetit palë në marrëveshje deri në stacionin e parë të mbërritjes në territorin e Republikës së Shqipërisë në hyrje dhe anasjelltas në dalje.
c) Për të lehtësuar qarkullimin hekurudhor të trenave të shpejtë me pasagjerë, bazuar në marrëveshjet përkatëse për verifikime kufitare të përbashkëta me palët, verifikimet kryhen nga rojet kufitare të palëve në cilëndo prej mënyrave të mëposhtme:
i. Në stacionin e parë të mbërritjes në territorin e Republikës së Shqipërisë në hyrje dhe anasjelltas në territorin e shtetit palë në dalje;
ii. Në stacionin e parë të nisjes në territorin e Republikës së Shqipërisë në dalje dhe anasjelltas në territorin e shtetit palë në hyrje;
iii. Në një stacion të vendosur bashkërisht nga palët, pavarësisht nga territori i vendndodhjes së këtij stacioni ose nga drejtimi i lëvizjes;
iv. Brenda në tren, gjatë udhëtimit nga stacioni i fundit i nisjes në territorin e shtetit palë në marrëveshje deri në stacionin e parë të mbërritjes në territorin e Republikës së Shqipërisë në hyrje dhe anasjelltas në dalje;
v. Brenda në tren, gjatë udhëtimit nga një stacion nisjeje në territorin e njërës palë deri në një stacion mbërritjeje në territorin e palës tjetër, të përcaktuar bashkërisht nga palët, pavarësisht nga drejtimi i lëvizjes, me kusht që rojet kufitare të sigurohen se udhëtarët nuk mund t’i shmangen verifikimit kufitar.
ç) Verifikimet e përbashkëta, të parashikuara në shkronjën “c” mund të zbatohen dhe në rastet e trenave të mallrave apo trenave bosh, kur synohet qarkullimi i shpejtë i mallrave dhe ka një marrëveshje përkatëse mes palëve.
d) Nëse për trenin, që kalon kufirin në hyrje, ka brenda territorit të Republikës së Shqipërisë disa stacione ku hipin pasagjerë, ata u nënshtrohen verifikimeve kur hyjnë në tren ose në stacionin e mbërritjes, me qëllimin për t’u siguruar se nuk kanë shmangur verifikimin kufitar.
dh) Personat, që dëshirojnë të marrin trenin vetëm për pjesën e mbetur të udhëtimit brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, njoftohen paraprakisht nga transportuesi hekurudhor nëse do t’u nënshtrohen verifikimeve në hyrje, gjatë udhëtimit ose në stacionin e mbërritjes sipas parashikimit të shkronjës “d”.
e) Transportuesi hekurudhor merr masat përkatëse që personat që udhëtojnë në tren të mos kenë mundësi t’u shmangen verifikimeve kufitare.
ë) Rojet kufitare mund të urdhërojnë inspektimin e hapësirave të tjera në brendësi të trenit dhe vagonave, nëse nevojitet edhe me ndihmën e kontrollorit të trenit, për t’u siguruar që personat apo sendet që duhet t’u nënshtrohen verifikimeve kufitare të mos jenë fshehur aty.
f) Kur ka arsye për të besuar se në tren janë fshehur persona që janë në kërkim ose që dyshohen se kanë kryer një vepër penale apo shtetas të huaj që synojnë të hyjnë në mënyrë të paligjshme, rojet kufitare, nëse nuk kanë mundësi të veprojnë për shkak të mungesës së juridiksionit në zbatimin e legjislacionit kombëtar, njoftojnë punonjësit e shtetit që kanë kompetencën për veprim.
12. Mjetet e qarkullimit ajror
a) Në aeroportet ndërkombëtare, verifikimi kufitar për personat, që përdorin fluturime jo të lidhura me transferta, kryhet në hyrje dhe në dalje, respektivisht në mbërritje dhe në nisje, në vendet e posaçme, të përshtatura për verifikim kufitar.
b) Në aeroportet ndërkombëtare, verifikimi kufitar për personat, që përdorin fluturime të lidhura me transferta, gjatë të cilave zbresin dhe hipin pasagjerë, kryhet respektivisht në hyrje dhe në dalje, në aeroportin e parë në mbërritje ku mundësohet ndryshimi i pasagjerëve dhe në aeroportin e fundit në nisje ku mundësohet ndryshimi i pasagjerëve, në vendet e posaçme, të përshtatura për verifikim kufitar.
c) Në aeroportet ndërkombëtare, verifikimi kufitar për personat, që përdorin fluturime të lidhura me transferta, gjatë të cilave nuk zbresin dhe nuk hipin pasagjerë, kryhet respektivisht në hyrje dhe në dalje, në aeroportin e fundit në mbërritje dhe në aeroportin e parë në nisje, në vendet e posaçme, të përshtatura për verifikim kufitar.
ç) Personat, që janë subjekt i verifikimeve kufitare dhe që gjatë fluturimeve të lidhura me transferta qëndrojnë në bordin e të njëjtit mjet ajror, pa iu dhënë mundësia për të zbritur, megjithëse në aeroportin e transfertës mundësohet ndryshim pasagjerësh, verifikohen në hyrje dhe në dalje, respektivisht në aeroportin e parë të mbërritjes ku u mundësohet zbarkimi dhe në aeroportin e fundit të nisjes ku u mundësohet imbarkimi.
d) Personat, që udhëtojnë me mjete ajrore në aerodromet që nuk kanë statusin e aeroportit ndërkombëtar, por në të cilat janë të lejueshme itineraret e lëvizjeve që bëhen subjekt i verifikimit kufitar për shkak të lidhjeve me udhëtime të tjera ndërkombëtare, u nënshtrohen verifikimeve kufitare në hyrje dhe në dalje, sipas parashikimeve përkatëse të shkronjave “b”, “c” dhe “ç”, varësisht nga lloji i transfertave.
dh) Në aerodromet e parashikuara në shkronjën “d”, të cilat nuk kanë statusin e aeroportit ndërkombëtar, nuk është e detyrueshme prania e përhershme e rojeve kufitare, por kjo garantohet brenda një kohe të arsyeshme në bazë të njoftimit nga administratori/operatori i aerodromit kur trafiku është i rrallë apo i paplanifikuar ose në bazë të parashikimeve të marrëveshjes përkatëse me administratorin e aerodromit, kur udhëtimet janë të planifikuara.
e) Si rregull, verifikimet kufitare nuk kryhen në avion apo te hyrja për në avion ose në zonën e transitit, me përjashtim të rastit kur kjo justifikohet mbi bazën e një vlerësimi të rreziqeve që lidhen me sigurinë e brendshme dhe imigrimin e paligjshëm.
ë) Në rastin e fluturimeve për qëllime private, që kalojnë kufirin dhe janë subjekt i verifikimeve kufitare, piloti në komandë u transmeton rojeve kufitare, para nisjes, një deklaratë të përgjithshme që përmban, ndër të tjera, një plan fluturimi në përputhje me shtojcën 2 të Konventës për Aviacionin Civil Ndërkombëtar dhe informacion në lidhje me identitetin e pasagjerëve.
f) Kur gjatë fluturimeve për qëllime private në hyrje bëhen disa ndalesa të llojit të fluturimeve të brendshme, rojet kufitare, në pikën ku mjeti zbret për herë të parë, kryejnë verifikime kufitare dhe vendosin një vulë hyrjeje në deklaratën e përgjithshme të përmendur në shkronjën “ë”.
g) Kur nuk është i sigurt destinacioni ose origjina apo transiti i fluturimit privat, rojet kufitare kryejnë verifikime kufitare të personave, në përputhje me parashikimet për verifikimet kufitare në aeroporte dhe aerodrome, varësisht nga lloji i fluturimit privat.
gj) Operatori i aeroportit merr masat e nevojshme për të ndarë fizikisht lëvizjen e pasagjerëve në fluturimet e brendshme nga ajo e pasagjerëve në udhëtimet që janë subjekt i verifikimit kufitar si dhe për të parandaluar hyrjen e daljen e personave të paautorizuar nga zonat e rezervuara, si zona e transitit apo zonat me status të ngjashëm, duke ngritur infrastrukturën e nevojshme për këtë qëllim, përkatësisht, në secilin aeroport ndërkombëtar.
h) Ndarja fizike e lëvizjes së udhëtarëve të linjave të brendshme nga ato të jashtme, sipas parashikimit të shkronjës “gj”, nuk është e detyrueshme në rastin e aerodromeve. Edhe në këtë rast operatori merr masat e nevojshme që verifikimi kufitar të kryhet në përputhje me kërkesat e ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, duke kanalizuar lëvizjet e udhëtarëve në zonat, hapësirat dhe drejtimet përkatëse.
i) Në rastet kur një mjet i qarkullimit ajror, për rrjedhojë të forcës madhore, të një rreziku të çastit, të një udhëzimi të autoriteteve përgjegjëse, të një uljeje pa leje, ulet në një pikë që nuk është pikë e kalimit kufitar, mund ta vijojë fluturimin vetëm pas autorizimit nga rojet kufitare dhe autoritetet përgjegjëse të doganave.
j) Hyrja dhe dalja e deltaplanëve, avionëve mikro të lehtë, helikopterëve, avionëve të vegjël që fluturojnë vetëm në distanca të afërta dhe aerostatëve rregullohen me akte të përbashkëta të ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Financave dhe sipas llojit të fluturimit, me ministrat përkatës, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.
k) Pavarësisht se verifikimi kufitar i udhëtarëve të linjave të rregullta të avionit kryhet në ambientet përkatëse të verifikimit kufitar, operatori që kryen transportin ndërkombëtar të udhëtarëve ka detyrimin që para nisjes të komunikojë paraprakisht tek autoritetet përgjegjëse listën e udhëtarëve në bord.
13. Mjetet e lundrimit
a) Verifikimet e personave në anije kryhen në portin e mbërritjes apo të nisjes ose në një zonë të caktuar për atë qëllim, e cila gjendet në afërsi të anijes ose në bord të anijes, në ujërat e Republikës së Shqipërisë, sipas detyrimeve që rrjedhin nga konventa e OKB-së “Për të drejtën e detit”.
b) Kur kjo parashikohet në një marrëveshje të veçantë, verifikimet mund të kryhen edhe gjatë udhëtimit ose me mbërritjen apo me nisjen e anijes në territorin e një vendi tjetër, duke respektuar parashikimet e ligjit nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar”, dhe të këtij vendimi, për sa u përket verifikimeve kufitare.
c) Kapiteni, agjenti i anijes, çdo person tjetër i autorizuar zyrtarisht nga kapiteni ose përfaqësuesi juridik i anijes, që në vijim referohet me termin “kapiteni”, harton listën e ekuipazhit e të pasagjerëve, e cila përmban informacionin e kërkuar në formularët 5 (lista e ekuipazhit) dhe 6 (lista e pasagjerëve) të Konventës për Lehtësimin e Trafikut Detar Ndërkombëtar (Konventa FAL) si dhe, aty ku gjen zbatim, numrat e vizave ose lejeve të qëndrimit.
ç) Në rastet e hyrjes, kapiteni u komunikon listën e parashikuar në shkronjën “c” rojeve kufitare ose, në pamundësi të kësaj, autoriteteve të kapitenerisë së portit përkatës, sipas këtyre afateve:
i. Jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë para mbërritjes në port, për udhëtimet që zgjasin mbi 24 (njëzet e katër) orë;
ii. Jo më vonë se koha e nisjes nga porti i mëparshëm, për udhëtimet që zgjasin më pak se 24 (njëzet e katër) orë;
iii. Sa më shpejt nga koha që saktësohet informacioni mbi portin destinacion, për udhëtimet që nuk është i ditur itinerari ose itinerari i të cilave ndryshon gjatë udhëtimit.
d) Kapiteni njofton autoritetin kompetent menjëherë dhe në përputhje me afatet e parashikuara në shkronjën “ç” për ndryshimet në përbërjen e ekuipazhit ose të pasagjerëve si dhe për praninë në bord të udhëtarëve të paautorizuar, të cilët, pavarësisht nga rrethanat, janë përgjegjësi e kapitenit.
dh) Kapitenit të anijes i ndalohet të marrë ose të zbresë në ujërat e brendshme dhe territoriale të Republikës së Shqipërisë persona, të cilët nuk i janë nënshtruar verifikimit në pikën e kalimit kufitar, me përjashtim të rasteve kur kërkohet ndihmë për shkak të forcës madhore.
e) Kapiteni i mjetit lundrues nuk lejohet të akostojë, të marrë ose të zbresë persona, qofshin këta me dokumentet përkatëse, jashtë vendeve që janë pikë kalimi kufitar ose jashtë zonave të lejuara nga Policia Kufitare dhe e Migracionit për akostim.
ë) Kapiteni i anijes njofton menjëherë Policinë Kufitare dhe të Migracionit, drejtpërdrejt ose nëpërmjet kapitenerisë së portit kur, për arsye të forcës madhore, anija akostohet jashtë zonës së verifikimit kufitar.
f) Konfirmimi i marrjes së listës në hyrje nga autoritetet përgjegjëse, qoftë ky shkresor ose elektronik, i dorëzohet/përcillet kapitenit, në bazë të kërkesës së këtij të fundit, jo më vonë sesa koha kur anija ka mbërritur në port.
g) Një kopje e listave të vulosura/të konfirmuara nga Policia Kufitare dhe e Migracionit i kthehet kapitenit të anijes, i cili e tregon atë sa herë që i kërkohet në port ose në raste të tjera kur kërkohet nga rojet kufitare për efekt të verifikimit kufitar.
gj) Kapiteni dhe personat e punësuar në bord, që përfshihen në listën e ekuipazhit, dhe anëtarët e familjes së tyre, të cilët jetojnë në bord të mjeteve lundruese që përdoren për qëllime sipërmarrjeje, konsiderohen si anëtarë ekuipazhi ose të barasvlefshëm me ta.
h) Ekuipazhi dhe udhëtarët e anijes shqiptare apo të huaj lejohen të zbresin në tokë vetëm pas përfundimit të procedurave të verifikimit kufitar.
i) Marinarët e huaj, të cilët janë pjesë e ekuipazhit të anijeve që mbajnë flamur të huaj, mund të zbresin në portin e ankorimit ose të bëjnë vizita në territorin e bashkive respektive apo në zonat në afërsi, me kërkesën e kapitenit të anijes dhe duke u pajisur në pikën e kalimit kufitar me leje kalimi individuale, në të cilën përcaktohen kohëzgjatja dhe vlefshmëria territoriale.
j) Në rastin e largimit, kapiteni njofton gjithashtu rojet kufitare në portin përkatës, në kohën e duhur dhe sipas rregullave në fuqi për nisjen e anijes, duke depozituar listën e ekuipazhit. Kopja e dytë e listës së plotësuar dhe të vulosur më parë i kthehet policisë kufitare ose autoriteteve të kapitenerisë.
k) Pjesëtarët e ekuipazheve të trageteve trajtohen në të njëjtën mënyrë si pjesëtarët e ekuipazheve të anijeve tregtare.
l) Përjashtimisht nga rregullat e parashikuara për listat në shkronjat “c” dhe “ç”, të kësaj pike, formati i listës së udhëtarëve dhe rregullat specifike për transmetimin e tyre përcaktohen me udhëzim të ministrit të Punëve të Brendshme.
ll) Pasagjerët e trageteve të linjave të rregullta të jashtme, të cilat janë subjekt i verifikimit kufitar, i nënshtrohen verifikimeve kufitare, si më poshtë vijon:
i. Në korsi të veçanta për udhëtarët e trageteve të linjave të rregullta, ku ekziston mundësia fizike për përshtatjen e këtyre korsive;
ii. Në korsi individuale për pasagjerët këmbësorë;
iii. Sipas parashikimeve për mjetet e qarkullimit rrugor, për pasagjerët e automjeteve.
m) Kur trageti hyn nga një linjë e jashtme që është subjekt i verifikimit kufitar dhe ka më shumë se një ndalesë në portet e brendshme, pasagjerët që imbarkojnë dhe zbarkojnë në linjat e brendshme i nënshtrohen një verifikimi kufitar në portin ku imbarkohen dhe një verifikimi kufitar në portin ku zbarkohen, pavarësisht se nuk kryejnë kalim të kufirit, ndërsa personat që qëndrojnë në bord të tragetit i nënshtrohen verifikimit kufitar në portin e fundit të mbërritjes.
n) Në dalje, verifikimet e personave në tragete kryhen anasjelltas me rregullat e parashikuara për hyrjen.
nj) Kapiteni i anijes kruazierë i përcjell rojeve kufitare ose autoritetit të kapitenerisë itinerarin dhe programin e udhëtimit menjëherë sapo ato të jenë përcaktuar dhe jo më vonë se afati i parashikuar në shkronjën “ç” për anijet tregtare.
o) Në rastin kur itinerari i një anijeje kruazierë përfshin lëvizje të jashtme, që janë objekt i verifikimeve kufitare, verifikimet kryhen, si më poshtë vijon:
i. Kur anija kruazierë mbërrin për herë të parë nga një port i jashtëm në një port që gjendet në territor ose niset nga një port i brendshëm drejt një porti të jashtëm, ekuipazhi dhe pasagjerët u nënshtrohen verifikimeve kufitare në hyrje dhe dalje në bazë të listave emërore të ekuipazhit dhe të pasagjerëve, të parashikuar në shkronjën “c”;
ii. Kur itinerari i anijes kruazierë përfshin ndërthurazi lëvizje të brendshme dhe të jashtme, ekuipazhi dhe pasagjerët u nënshtrohen verifikimeve në hyrje në bazë të listave emërore të ekuipazhit e të pasagjerëve, të parashikuara në shkronjën “c”, në përputhje me ndryshimet që mund t’u jenë bërë listave që prej momentit kur anija kruazierë ka vizituar portin e mëparshëm që gjendet në territor;
iii. Gjatë sekuencave të itinerarit, ku anija kruazierë lëviz vetëm midis porteve të brendshme, nuk kryhen verifikime kufitare në hyrje apo dalje;
iv. Pasagjerët, që zbresin në breg, sipas rasteve në nënndarjet “i” dhe “ii”, u nënshtrohen verifikimeve kufitare individuale nëse vlerësimi i rreziqeve që lidhen me sigurinë e brendshme dhe migracionin e paligjshëm tregon se verifikime të tilla janë të nevojshme.
p) Mjetet lundruese për argëtim paraqesin pranë Policisë Kufitare dhe të Migracionit kërkesën me shkrim për lundrim, ku përfshihet lista e personave në bord, rajoni i lundrimit dhe koha e qëndrimit, së bashku me dokumentin që përmban karakteristikat teknike të mjetit.
q) Dokumentacioni i parashikuar në shkronjën “p” përfshihet te dokumentacioni i mjetit lundrues, për sa kohë mjeti qëndron në ujërat e Republikës së Shqipërisë, ndërsa një kopje e tij u dorëzohet autoriteteve të Policisë Kufitare dhe Migracionit në portin e mbërritjes dhe atë të nisjes.
r) Kapiteni i mjetit lundrues, që përdoret për peshkim profesional, jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë para fillimit të gjuetisë apo peshkimit, njofton me shkrim Policinë Kufitare dhe të Migracionit për kryerjen e këtij aktiviteti individual ose në grup, në një distancë deri në 300 (treqind) metra nga bregu.
rr) Ekuipazhet e anijeve të peshkimit bregdetar, që janë të regjistruara në një port të huaj dhe që janë subjekt i verifikimit kufitar, verifikohen në përputhje me dispozitat për detarët.
s) Përveç rasteve të forcës madhore, mund të akostojnë në porte që nuk janë pika kalimi kufitar mjetet lundruese në vijim:
i. Anijet kruazierë, itinerari i të cilave përfshin vetëm porte të brendshme;
ii. Mjetet për lundrim argëtues, të cilat kryejnë vetëm lëvizje të brendshme;
iii. Mjetet për lundrim argëtues që vijnë nga një port i huaj dhe janë subjekt i verifikimit kufitar, në raste të veçanta të përcaktuara në një marrëveshje apo në një vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
sh) Si rregull, kryhen verifikime kufitare me përzgjedhje dhe josistematike, ndaj:
i. personave që qëndrojnë në bord të anijes pa pasur synim të zbresin në port;
ii. ekuipazheve të mjeteve lundruese të peshkimit bregdetar që kthehen çdo ditë ose maksimalisht brenda 36 (tridhjetë e gjashtë) orësh në portin e regjistrimit ose në çdo lloj porti tjetër që gjendet në territorin e Republikës së Shqipërisë, pa akostuar në porte të jashtme.
t) Si rregull, nuk janë subjekt i verifikimit kufitar:
i. personat në bordin e anijeve kruazierë, itinerari i të cilave përfshin vetëm porte të brendshme;
ii. personat në bord të mjeteve për lundrim argëtues, të cilat kryejnë vetëm lëvizje të brendshme;
iii. personat në bord të mjeteve të lundrimit në linjat e brendshme detare të ngarkesave që konsistojnë në transport mallrash.
th) Në rastet e veprimtarive sportive ndërkombëtare, kalimi transit i mjeteve lundruese kryhet pasi është kërkuar paraprakisht leje nga Policia Kufitare dhe e Migracionit për sa i përket kohës, numrit të mjeteve dhe itinerarit të lëvizjes.
u) Mjetet lundruese pajisen nga institucionet përgjegjëse me leje për ushtrimin e veprimtarive turistike, sportive, studimore, kërkimore – shkencore dhe veprimtarive të tjera të ngjashme dhe lundrojnë në ujërat e brendshme apo ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë me dijeninë dhe me miratimin e Policisë Kufitare dhe të Migracionit, pasi i janë nënshtruar më parë verifikimit kufitar, kur kryejnë lëvizje ndërkufitare.
v) Dispozitat për verifikimin kufitar të mjeteve lundruese në qarkullimin detar zbatohen, së bashku me ndryshimet përkatëse (mutatis mutandis) për verifikimet kufitare ndaj mjeteve që kryejnë lundrim në rrugët e brendshme ujore, ku përfshihet lundrimi për qëllime sipërmarrjeje apo turizmi i të gjitha llojeve të mjeteve lundruese në lumenj, kanale dhe liqene.
x) Për t’u siguruar që verifikimet kufitare të kryhen shpejt, operatori i portit siguron një numër të përshtatshëm korsish, portash dhe kabinash.
xh) Autoritetet e kapitenerisë së porteve njoftojnë pa vonesë rojet kufitare të pikës portuale të kalimit kufitar që ka juridiksionin territorial për njoftimet që marrin nga mjetet lundruese në të gjitha rastet kur kapiteni nuk ka mundësinë e njoftimit të drejtpërdrejtë të rojeve kufitare dhe në të gjitha rastet që evidentohet prania e panjoftuar e një mjeti lundrues në portin që këto autoritete kapitenerie administrojnë si dhe u vendosin në dispozicion rojeve kufitare listat e ekuipazhit e të pasagjerëve që janë depozituar tek ta nga mjeti lundrues.
y) Pavarësisht nga përjashtimet e parashikuara në pikën 13, të këtij vendimi, për të gjitha llojet e mjeteve lundruese, bazuar në analizën dhe vlerësimin e risqeve, në informacionet dhe dyshimet e mbështetura që lidhen me sigurinë e brendshme dhe migracionin e paligjshëm, rojet kufitare kryejnë verifikime kufitare individuale ndaj pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit si dhe inspektime fizike ndaj mjeteve të lundrimit e mjeteve e sendeve që mund të transportohen në to, në çfarëdo vendi ku mjeti lundrues ka akostuar dhe në çfarëdo zone në ujërat e brendshme apo ujërat territoriale ku mjeti lundrues gjendet.
KREU III
INSTITUCIONET E NGARKUARA PËR ZBATIMIN E KËTIJ VENDIMI
14. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Ministria e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.253, DATË 6.3.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË PLOTËSIMIT TË AKTEVE TË MARRJES SË TOKËS BUJQËSORE NË PRONËSI PËR FAMILJET BUJQËSORE NË FSHATRAT E ISH-KOOPERATIVAVE BUJQËSORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 16, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.253, datë 6.3.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
1. Kudo në vendim:
a) Emërtimi “njësi e qeverisjes vendore” zëvendësohet me “bashkia”.
b) Emërtimi “Këshilli i njësisë së qeverisjes vendore” zëvendësohet me “Këshilli Bashkiak”.
2. Paragrafi i parë i pikës 1 dhe shkronja “a” ndryshohen, si më poshtë vijon:
“1. Kryetari i bashkisë:
afishon në vendet publike të bashkisë dhe të njësisë administrative dhe boton në gazetën e pushtetit vendor apo në njërën nga gazetat e përditshme, vendore ose kombëtare, lajmërimin publik të paraqitjes së dokumentacionit, sipas pikës 2, të këtij vendimi, për të gjithë përdoruesit faktikë të tokës bujqësore të ish-kooperativës bujqësore, të cilët nuk janë pajisur me aktin e marrjes së tokës bujqësore në pronësi (AMTP), sipas përcaktimeve të pikës 1/1, të nenit 17, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, të ndryshuar, nëse ky lajmërim nuk është bërë më parë për gjithë territorin e bashkisë apo për njësi administrative të veҫanta;”.
3. Paragrafi i parë, i pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Përdoruesit faktikë të tokës bujqësore të ish-kooperativave bujqësore, të cilët nuk janë pajisur me AMTP, jo më vonë se 3 (tre) muaj nga përfundimi i afatit ligjor të plotësimit të dokumentacionit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, paraqesin në njësinë administrative, në juridiksionin territorial të së cilës gjendet toka bujqësore:”.
4. Pika 13 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“13. Këshilli Bashkiak, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, përcakton me vendim të marrë në përputhje me pikën 4, të nenit 55, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, emrat e përdoruesve faktikë të tokës bujqësore për çdo fshat, në bashki, si dhe emrat e subjekteve përfituese që plotësojnë kushtet ligjore për t’u pajisur me AMTP, vendndodhjen e tokës, sipërfaqen, kufizimet dhe kufitarët për çdo ngastër, të shoqëruar me hartën kadastrale, si pjesë përbërëse të tij, dhe me relacion të hollësishëm.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LICENCËS SË KONCESIONIT PËR RAFINERI SHOQËRISË AKSIONARE “RBH BELINE”
Në mbështetje të pikës 2, të nenit 100, të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.8450, datë 24.2.1999, “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.19, datë 14.1.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat dhe kushtet për dhënien, transferimin dhe përsëritjen e licencës së koncesionit për rafineri për kryerjen e veprimtarisë së përpunimit të naftës bruto për prodhimin e nënprodukteve të saj”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e licencës së koncesionit për rafineri shoqërisë aksionare “RBH Beline”, me NIPT L22524401A dhe seli në Balldren, Elbasan, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR TRANSPORTIN E SIGURT TË MATERIALEVE RADIOAKTIVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 9, të ligjit nr.8025, datë 9.11.1995, “Për mbrojtjen nga rrezatimi jonizues”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Për transportin e sigurt të materialeve radioaktive”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.488, datë 23.6.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për transportin e sigurt të lëndëve radioaktive”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Punëve të Brendshme, Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimet dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.