Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Shkurt 2022:

 

V E N D I M
PËR

KRIJIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE SHTETËRORE PËR TRAFIKUN DETAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e sistemit të bazës së të dhënave shtetërore, të quajtur “Baza e të dhënave shtetërore për trafikun detar”, në administrim të Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD).

2. Baza e të dhënave shtetërore për trafikun detar përmban të dhëna parësore që konsiderohen të dhënat e grumbulluara nga kjo bazë të dhënash, ku përfshihen:

a) të dhënat për hyrjen dhe daljen e mjeteve lundruese në dhe nga portet shqiptare, të dhënat e udhëtimit, data e koha e mbërritjes dhe nisjes, porti i fundit i nisjes dhe porti i mbërritjes, numri i udhëtimit, emri i agjentit ose personit të autorizuar që bën thirrjen portuale;
b) të dhënat e “IMO FAL”:

i. Deklarata e përgjithshme “General Declaration”;
ii. Deklarata e ngarkesës “Cargo Declaration”;
iii. Deklarata e furnizimeve të anijes “Ship’s Store Declaration”;
iv. Deklarata e sendeve të ekuipazhit “Personal Effects Declaration”;
v. Lista e ekuipazhit “Crew List Declaration”;
vi. Lista e pasagjerëve “Passenger List”;
vii. Manifesti i mallrave të rrezikshme “Dangerous Goods Manifest”;
c) të dhënat e formularit të mbetjeve, përkatësisht: tipi i mbetjeve dhe porti i dorëzimit të mbetjeve, kapaciteti maksimal i ruajtjes, mbetje në bord, parashikimi i mbetjeve që do të gjenerohen, mbetje nga karburanti, mbeturina ushqimesh të riciklueshme, mbeturina që dalin nga ngarkesa kargo, mbetje nga ngarkesat, ujëra të ndotura;
ç) të dhënat e formularit të sigurisë, përkatësisht: detaje të sigurisë së mjetit lundrues, niveli i sigurisë, 10 thirrjet e fundit portuale, aktiviteti anije me anije, lista e kontrollit për sigurinë e bunkerazhit dhe certifikatat e sigurisë së mjetit lundrues;
d) të dhënat e deklaratës së shëndetësisë, përkatësisht: certifikata e vlefshme e kontrollit të higjienës dhe pyetje shëndetësore mbi gjendjen e pasagjerëve;
dh) të dhënat për planin e portit, përkatësisht: planifikimi i ankorimit të mjetit lundrues në port, emri i portit, ku akostohet mjeti lundrues, kalata e akostimit, emri i pilotit (nëse ka);
e) të dhënat për lejen mujore dhe praktikën e nisjes/mbërritjes. Për lejen mujore përzgjidhen anija, porti, periudha e lejes mujore, ekuipazhi etj., ndërsa për praktikën e nisjes/mbërritjes plotësohet destinacioni dhe koha e nisjes/mbërritjes, numri i pasagjerëve, numri i ekuipazhit, si dhe një kopje e dokumentit të copyrole;
ë) të dhënat për inspektimin doganor, përkatësisht: emri i mjetit lundrues, numri i inspektimit, data e inspektimit, pjesëmarrësit në procesin e inspektimit dhe rezultatet e inspektimit;
f) të dhënat për kontrollin e Policisë Kufitare dhe Migracionit, përkatësisht: emri i mjetit lundrues, emri i kapitenit, data e kontrollit, porti dhe vendndodhja, ngarkesa, numri i ekuipazhit dhe pasagjerëve, grupi i kontrollit dhe komente;
g) të dhënat për inspektimin e shëndetësisë, përkatësisht: zona e inspektimit, data e rinspektimit, nëse u gjetën prova, rezultatet e inspektimit dhe komentet.
gj) të dhënat për inspektimin e Kontrollit Shtetëror të Flamurit dhe Kontrollit Shtetëror të Portit, përkatësisht: data e inspektimit, tipi i inspektimit, kontrollet operacionale, zonat e inspektuara, të dhëna specifike të inspektimit, certifikatat përkatëse, mangësitë, si dhe dokumente shtesë;
h) të dhënat për inspektimin e antikontrabandës, përkatësisht: emri i mjetit lundrues, data e inspektimit, ngarkesa, displamenti i llogaritur, rezultati, diferenca, grupi i antikontrabandës.

3. Të dhëna dytësore konsiderohen të dhënat që merren nga baza të tjera të dhënash, si:

a) Portali unik qeveritar e-Albania për kodin unik të përdoruesit dhe kodin e shërbimit elektronik;
b) Sistemi i Inspektoratit Qendror (e-inspektimi) për të dhënat e inspektimit të peshkimit, ku përfshihen:

i. të dhëna të inspektimit të një anijeje peshkimi në det, si: anije, objekt inspektimi, identifikimi i jashtëm, emri dhe flamuri, nr.IMO nëse ka, lloji i anijes, thirrje radioje e paraimbarkimit, shkallare litari, identifikimi i inspektorëve, inspektimi i dokumenteve dhe autorizimeve, certifikata e regjistrit detar, kontrolli i fuqisë motorike, SVA funksionuese, njoftimi paraprak, certifikata për sistemet e peshimit në bord, inspektimi i zënieve, inspektimi i mjeteve, rrjeta ose lloji, detyrime financiare/gjobë, pagesa e taksës vjetore;
ii. të dhëna të inspektimeve të anijeve të peshkimit në port ose në zbarkim, ose përpara shitjes së parë, si: identifikimi i jashtëm, emri dhe flamuri i anijes, lloji i anijes, certifikata e regjistrit detar, nr.IMO nëse ka, kontrolli i SVA-së i paraimbarkimit, njoftimi paraprak, të dhënat e lejes së peshkimit, numri i faqeve të librit të anijes së peshkimit, inspektimi i zënieve, kontrolli i dimensioneve minimale për zëniet, vegla e peshkimit në përputhje me llojin e peshkimit të përcaktuar në licencë, dimensioni i syzes së mjeteve të peshkimit, detyrime financiare dhe gjobë, pagesa e taksës vjetore;
c) Sistemi i monitorimit të anijeve të peshkimit (VMS system) për të dhënat e anijeve të peshkimit, ku përfshihen: numri VMS, vendndodhja/destinacioni i anijes;
ç) “Regjistri i mjeteve lundruese”, për të dhënat e mjeteve lundruese me flamur shqiptar, ku përfshihen: emri i anijes, nr.i matrikullit, tonazhi i anijes, gjatësia e anijes.

4. Dhënës të informacionit janë:

a) agjencitë, agjentët detarë dhe përfaqësuesit e autorizuar të mjeteve lundruese;
b) kapitenët dhe drejtuesit e mjeteve lundruese;
c) institucionet ligjzbatuese detare, si:

i. Drejtoria e Përgjithshme Detare;
ii. Policia Kufitare dhe Migracionit;
iii. Dogana dhe Antikontrabanda Detare;
iv. Roja Bregdetare;
v. Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës;
vi. Autoriteti Portual dhe portet detare shqiptare shtetërore dhe private;
vii. strukturat vendore të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH).
ç) Dispeçeria e Peshkimit.

5. Baza e të dhënave të sistemit “Baza e të dhënave shtetërore për trafikun detar” ndërvepron me baza të tjera të dhënash: sistemin e monitorimit të anijeve të peshkimit VMS (Vessel Monitoring System), sistemin qendror të inspektimeve (e-inpektimi), portalin unik qeveritar e-Albania dhe regjistrin e mjeteve lundruese.

6. Niveli i aksesit në sistemin “Baza e të dhënave shtetërore për trafikun detar” është, si më poshtë vijon:

a) Administratorët e sistemit “Baza e të dhënave shtetërore për trafikun detar” kanë të drejtë leximi, shkrimi dhe modifikimi të të dhënave në sistem vetëm në lidhje me menaxhimin e përdoruesve, roleve të përdoruesve, porteve dhe të dhënave konfiguruese dhe referencë të sistemit;
b) Agjentët detarë dhe përfaqësuesit e autorizuar të mjeteve lundruese kanë të drejtë të bëjnë kërkesë regjistrimi të përdoruesve në sistem dhe kanë të drejta leximi, shkrimi dhe modifikimi të të dhënave të praktikave mbi mjetet lundruese, për të cilat kanë autorizim të përfaqësojnë;
c) Drejtoria e Përgjithshme Detare ka të drejtë leximi, shkrimi/modifikimi, anulimi ose konfirmimi të praktikave përkatëse të mjeteve lundruese, inspektimeve (nga Kontrolli Shtetëror i Flamurit dhe Kontrolli Shtetëror Portual), si dhe të drejtë leximi të njoftimeve e të raporteve të mjeteve lundruese me risk;
ç) Autoriteti Portual/portet detare (shtetërore dhe private) kanë të drejtë leximi, shkrimi/modifikimi, anulimi ose konfirmimi të praktikave përkatëse të mjeteve lundruese, si dhe të planit të portit;
d) Dogana dhe Antikontrabanda Detare kanë të drejtë leximi, shkrimi/modifikimi, anulimi ose konfirmimi të praktikave përkatëse të mjeteve lundruese dhe të inspektimeve e të raporteve doganore të mjeteve lundruese;
dh) Policia Kufitare dhe Migracionit ka të drejtë leximi, shkrimi/modifikimi, anulimi ose konfirmimi të praktikave të mjeteve lundruese përkatëse dhe të raporteve të kontrollit të mjeteve lundruese (kryer nga PKM-ja);
e) Roja Bregdetare ka të drejtë leximi dhe shkrimi/modifikimi të të dhënave të mjeteve lundruese të RB-së, të drejtë leximi të praktikave e të raporteve të mjeteve lundruese përkatëse;
ë) Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës ka të drejtë leximi dhe shkrimi/modifikimi të të dhënave të mjeteve lundruese të peshkimit, të mjeteve lundruese të Inspektoratit të Peshkimit, të raporteve të inspektimit për mjetet lundruese të peshkimit, si dhe të drejtë leximi të raporteve të tjera për mjetet lundruese të peshkimit;
f) Inspektori i shëndetësisë (struktura vendore e OSHKSH-së apo doktori/inspektori i shëndetësisë së Autoritetit Portual) ka të drejtë leximi, shkrimi/modifikimi, anulimi ose konfirmimi të praktikave përkatëse të mjeteve lundruese dhe të raporteve të inspektimit të shëndetësisë;
g) AKU-ja (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit) ka të drejtë leximi të praktikave përkatëse të mjeteve lundruese tregtare;
gj) Struktura përgjegjëse për administrimin e informacionit dhe statistikave në mjedis ka të drejtë leximi të praktikave përkatëse të mjeteve lundruese që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit;
h) Koordinatorët institucionalë të strukturave pjesëmarrëse në QNOD, si dhe oficerët e shërbimit/civilë të turnit në sallën operacionale të QNOD-së kanë të drejtë leximi të të dhënave, praktikave të mjeteve lundruese, të raporteve të inspektimit, të riskut etj., brenda fushës së tyre të përgjegjësisë, si dhe të shkëmbejnë informacion ndërmjet tyre, në interes të nevojave operacionale;
i) Inspektorët e sallës operacionale në QNOD kanë të drejtë leximi të të gjitha të dhënave të mjeteve lundruese, praktikave të mjeteve lundruese, inspektimeve, riskut dhe raporteve;
j) Struktura përgjegjëse për përpunimin e informacionit dhe statistikave në turizëm ka të drejtë leximi të praktikave përkatëse të mjeteve lundruese turistike.

7. Çdo përdorues identifikohet në sistem nëpërmjet llogarisë së tij personale dhe ka role me nivele aksesi e të drejta, sipas rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të bazës së të dhënave shtetërore për trafikun detar”, e cila miratohet nga drejtori administrativ i QNOD-së.

8. Të gjitha ndryshimet në arkitekturën software dhe hardware të sistemit “Baza e të dhënave shtetërore për trafikun detar”, të cilat mund të ndodhin në varësi të nevojave të institucionit dhe praktikave evropiane e ndërkombëtare në fushën e mbrojtjes së të dhënave, bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

9. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, Drejtoria e Përgjithshme Detare, Roja Bregdetare, Policia Kufitare dhe Migracionit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (Dogana dhe Antikontrabanda Detare), Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës, struktura përgjegjëse për administrimin e informacionit dhe statistikave në mjedis, struktura përgjegjëse për përpunimin e informacionit dhe statistikave në turizëm, Autoriteti Portual dhe portet detare shqiptare, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKUALIFIKIMI URBAN I LULISHTES PANORAMIKE PRANË LUMIT DEVOLL, BLLOKU NR.1, QYTETI MALIQ”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Rikualifikimi urban i lulishtes panoramike pranë lumit Devoll, blloku nr.1, qyteti Maliq”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Maliq.

3. Pronarët kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 858 333 (tetëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e treqind e tridhjetë e tre) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 858 333 (tetëqind e pesëdhjetë e tetë mijë e treqind e tridhjetë e tre) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Maliq.

5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Bashkia Maliq.

6. Shpronësimi fillon menjëherë, pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e përmendur në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Maliq.

8. Bashkia Maliq kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Maliq.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe bën kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Maliq.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Maliq për pasurinë e shpronësuar.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Maliq, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Korçë, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE TË QYTETIT KAVAJË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i varrezave të qytetit Kavajë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Kavajë.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “tokë arë” me një vlerë të përgjithshme prej 3 581 823 (tre milionë e pesëqind e tetëdhjetë e një mijë e tetëqind e njëzet e tre) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 3 581 823 (tre milionë e pesëqind e tetëdhjetë e një mijë e tetëqind e njëzet e tre) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Kavajë.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Kavajë.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, përmendur në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Kavajë.

8. Bashkia Kavajë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Kavajë.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, të pasqyrojë në kartelat e pasurive të paluajtshme informacionin për miratimin e shpronësimit dhe marrjen në përdorim të përkohshëm, për interes publik, të pasurive, pronë private, të cilat preken nga realizimi i projektit. Regjistrimi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Bashkia Kavajë, të kryhet pas aplikimit nga bashkia për shërbimin përkatës.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kavajë, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes se gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësive në favor të Bashkisë Kavajë për pasuritë e shpronësuara.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Bashkia Kavajë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kavajë, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, pranë Këshillit të Qarkut Tiranë, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E STRUKTURËS E TË NIVELEVE TË PAGAVE TË POZICIONEVE KOORDINATOR TË RRJETIT TË KOORDINATORËVE KUNDËR KORRUPSIONIT NË DISA INSTITUCIONE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, dhe të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në fushën e veprimit të këtij vendimi përfshihen:

1.1. Në nivel qendror: Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Drejtoria Qendrore e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Drejtoria Qendrore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Drejtoria Qendrore e Drejtorisë së Përgjitshme të Arsimit Parauniversitar, Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Instituti i Shëndetit Publik, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”, spitali obstetrik gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, “Spitali universitar i traumës”, spitali universitar obstetrik gjinekologjik “Koço Gliozheni”, spitali universitar “Shefqet Ndroqi”, spitali psikiatrik “Ali Mihali”, Vlorë, spitali psikiatik “Sadik Dinçi”, Elbasan, Shërbimi Social Shtetëror.

1.2. Në nivel rajonal: drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, drejtoritë rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, drejtoritë rajonale të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar dhe spitalet rajonale.

2. Për pozicionin “koordinator”, pjesë të Rrjetit të Koordinatorëve kundër Korrupsionit:

a) për institucionet që janë pjesë e sistemit të shëndetësisë, të përcaktuara në nënpikën 1.1, të këtij vendimi, paga mujore është sipas lidhjes nr.1/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;

b) për institucionet e tjera të përcaktuara në nënpikën 1.1, të këtij vendimi, kategoritë e pagave janë sipas lidhjes nr.1/2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Për pozicionin “koordinator”, pjesë të Rrjetit të Koordinatorëve kundër Korrupsionit:

a) për institucionet që janë pjesë e sistemit të shëndetësisë, të përcaktuara në nënpikën 1.2, të këtij vendimi, paga mujore është sipas lidhjes nr.2/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;

b) për institucionet e tjera të përcaktuara në nënpikën 1.2, të këtij vendimi, kategoritë e pagave janë sipas lidhjes nr.2/2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

4. Vlera e pagës së grupit dhe shtesa për vjetërsi, të përcaktuara në lidhjet nr.1/1 e 2/1, të këtij vendimi, kanë të njëjtën vlerë dhe mënyrë llogaritjeje me atë të miratuar në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e personelit mjekësor dhe të punonjësve të tjerë me arsim të lartë në sistemin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

5. Elementet e strukturës së pagës për secilën kategori page të përcaktuar në lidhjet nr.1/2 dhe nr.2/2, të këtij vendimi, si dhe vlerat për secilin element janë të njëjta me ato të miratuara në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për pagat e nëpunësve civilë në institucionet e administratës shtetërore.

6. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i secilit institucion, të përcaktuar në nënpikat 1.1 e 1.2, të këtij vendimi, dhe fillojnë nga momenti i emërimit të nëpunësve në detyrë.

7. Vendimi nr.716, datë 16.9.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës e të niveleve të pagave të përfaqësuesve të disa institucioneve të administratës shtetërore, në Rrjetin e Koordinatorëve Antikorrupsion”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ 

 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.