Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Janar 2022:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E BUXHETIT PËR DREJTORINË E PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE, PËR VITIN 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 189/c, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I
1. Miratimin e buxhetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, për vitin 2022, sipas tabelës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EKUIVALENTIMIN E GRADAVE TË POLICISË SË SHTETIT ME ADMINISTRATËN PUBLIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 45/1, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekuivalentimin e gradave të Policisë së Shtetit me administratën publike, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
EMËRIMIN E TRE ANËTARËVE TË KOMISIONIT KOMBËTAR TË PËRZGJEDHJES PËR TND-NË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 31, të ligjit nr.152/2013 “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Emërimin e tre anëtarëve të Komisionit Kombëtar të Përzgjedhjes për TND-në, si më poshtë vijon:
1. Z. Erind Mërkuri për një mandat 5-vjeçar;
2. Znj. Valbona Treska për një mandat 5-vjeçar;
3. Z. Erald Pashaj për një mandat 5-vjeçar.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN E AVOKATIT TË PËRGJITHSHËM TË SHTETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 21, pika 1, 26, pika 5, shkronja “a”, të ligjit nr.10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Znj. Brunilda Lilo, Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, lirohet nga kjo detyrë.
2. Z. Odise Moçka emërohet Avokat i Përgjithshëm i Shtetit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E VETERINARISË, SIGURISË USHQIMORE DHE USHQIMIT PËR KAFSHË DHE FITOSANITARE NË BALLKANIN PERËNDIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore dhe ushqimit për kafshë dhe fitosanitare në Ballkanin Perëndimor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM NOTASH, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË ITALISË, MBI NJOHJEN E NDËRSJELLË TË LEJEVE TË DREJTIMIT ME QËLLIM KONVERTIMI, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.209, DATË 29.3.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim notash, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit me qëllim konvertimi, miratuar me vendimin nr.209, datë 29.3.2021, të Këshillit të Ministrave, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROGRAMIN “PROMOVIMI I ENERGJIVE TË RINOVUESHME DHE EFIÇENCËS SË ENERGJISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e ndryshimit të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (marrësi), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për programin “Promovimi i energjive të rinovueshme dhe efiçencës së energjisë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË PROJEKTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, DHE KONFEDERATËS ZVICERANE, TË PËRFAQËSUAR NGA SEKRETARIATI I SHTETIT ZVICERAN PËR ÇËSHTJET EKONOMIKE, MBI DHËNIEN E ASISTENCËS TEKNIKE DHE FINANCIARE NË KUADRIN E “PROJEKTIT TË BASHKIVE ME ENERGJI INTELIGJENTE (SEMP)”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së projektit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Konfederatës Zvicerane, të përfaqësuar nga Sekretariati i Shtetit Zviceran për Çështjet Ekonomike, mbi dhënien e asistencës teknike dhe financiare në kuadrin e “Projektit të bashkive me energji inteligjente (SEMP)”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.207, DATË 10.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIE SHPËRBLIMI PËR PERSONELIN, MJEKË, INFERMIERË DHE PUNONJËS TË TJERË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 4, e vendimit 207, datë 10.3.2020, të Këshillit të Ministrave, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Lista emërore e përfituesve dhe dokumentacioni justifikues, përfshirë ditët e angazhimit, sipas pikave 1, 2 dhe 3, të këtij vendimi, me qëllim përfitimin e shpërblimit, miratohet periodikisht me urdhër të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bazuar në analizën e shkallës së ngarkesës së veprimtarisë dhe të riskut, që mbart aktiviteti i strukturës shëndetësore, e cila vlerësohet nga sekretariati i ngritur pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Sekretariati përbëhet nga:
a) 2 përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
b 1 përfaqësues i Institutit të Shëndetit Publik;
c) 1 përfaqësues i Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
ç) 1 përfaqësues i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2022.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.554, DATË 31.7.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, MËNYRËN E ORGANIZIMIT DHE TË FUNKSIONIMIT TË AGJENCISË KOMBËTARE TË PUNËSIMIT DHE AFTËSIVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 14, pika 3, dhe 15, pika 6, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.15/2017, “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në kreun III, të vendimit nr.554, datë 31.7.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen disa ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“11. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve në drejtorinë qendrore të AKPA-së rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë në drejtorinë qendrore të AKPA-së rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.”.
b) Pas pikës 11 shtohen pikat 11/1, 11/2, 11/3 dhe 11/4, me këtë përmbajtje:
“11/1. Drejtori i Përgjithshëm i AKPA-së emërohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për punën. Drejtori i Përgjithshëm i AKPA-së duhet të plotësojë kriteret, si më poshtë vijon:
a) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
b) Të ketë diplomë të nivelit “Master shkencor” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 (njëqind e njëzet) kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 (dy) vite akademike ose të barasvlershme me to, sipas legjislacionit për arsimin e lartë;
c) Të ketë përvojë në profesion të paktën 3 (tri) vite;
ç) Të shquhet për figurë të pastër etiko-morale;
d) Të mos jetë i angazhuar në funksione drejtuese partiake;
dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi;
e) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
ë) Të mos ketë konflikt interesi me detyrën në përputhje me legjislacionin në fuqi për konfliktin e interesave.
11/2. Procedura e përzgjedhjes së kandidaturës për t’u propozuar për emërim nga Këshilli i Ministrave si drejtor i Përgjithshëm i AKPA-së, miratohet si pjesë e rregullores për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të AKPA-së.
11/3. Drejtori i Përgjithshëm i AKPA-së lirohet nga detyra, kur:
a) plotëson moshën për pensionin e plotë të pleqërisë;
b) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
c) deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor;
ç) gjendet në një situatë të konfliktit të vazhdueshëm të interesit;
d) jep dorëheqjen nga detyra.
11/4. Drejtori i Përgjithshëm i AKPA-së shkarkohet nga detyra, kur:
a) konstatohen shkelje të dispozitave të legjislacionit në fuqi, përfshirë legjislacionin specifik mbi bazë të të cilit ushtron veprimtarinë AKPA-ja;
b) kryen veprimtari që krijon konflikt interesi;
c) zbulohen raste të papajtueshmërisë së funksionit të tij;
ç) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës;
d) vërtetohet se ka përgjegjësi për mosrealizimin e objektivave të vendosur për AKPA-në.”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN E PËRGJEGJËSISË SË ADMINISTRIMIT, NGA DREJTORIA E PËRGJITHSHME E TATIMEVE TEK AGJENCIA SHTETËRORE E KADASTRËS, TË NJË PJESE TË PASURISË 8/114, ZONA KADASTRALE 8330, TIRANË, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR. 818, DATË 6.12.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË TATIMEVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës, të mjediseve të katit të katërt teknik, me sipërfaqe ndërtimi 1 132 (një mijë e njëqind e tridhjetë e dy) m2 dhe të katit të pestë teknik, me sipërfaqe ndërtimi 1 132 (një mijë e njëqind e tridhjetë e dy) m2, të pronës me emërtimin “Dega e Tatimeve, Tiranë”, pjesë të pasurisë 8/114, zona kadastrale 8330, Tiranë, sipas planimetrive bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim ushtrimin e funksioneve administrative të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
2. Prona me emërtimin “Dega e Tatimeve, Tiranë”, e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, hiqet nga lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.818, datë 6.12.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme, shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, të ndryshuar.
3. Vendimi nr.536, datë 4.8.2006, i Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të disa mjediseve të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të cilat i kalojnë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Dega e Tatim-Taksave, Tiranë”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË KULTURËS TË PRONËS, ME EMËRTIMIN “TEATRI KOMBËTAR I KUKULLAVE”, ME NUMËR PASURIE 6/163, ZONA KADASTRALE 8380, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Kulturës të pronës, me emërtimin “Teatri Kombëtar i Kukullave”, me numër pasurie 6/163, zona kadastrale 8380, Tiranë, me sipërfaqe “truall” 853.9 (tetëqind e pesëdhjetë e tre pikë nëntë) m2, dhe me sipërfaqe “ndërtesë” 853.9 (tetëqind e pesëdhjetë e tre pikë nëntë) m2, sipas formularit dhe planrilevimit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2022, MIRATUAR PËR AGJENCINË PËR DIALOG DHE BASHKËQEVERISJE DHE INSTITUTIN E STATISTIKAVE, PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT TË “KËSHILLIMIT KOMBËTAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Me qëllim vijimin e financimit të aktiviteteve mbështetëse, në funksion të programit të “Këshillimit Kombëtar”, të miratuar me vendimin nr.813, datë 24.12.2021, të Këshillit të Ministrave, Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në llogarinë ekonomike 602 ‘Shpenzime operative’, i shtohet fondi prej 19 700 000 (nëntëmbëdhjetë milionë e shtatëqind mijë) lekësh, për aktivitetet e mëposhtme:
a) 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë, për fushatën promovuese të informimit publik për programin e “Këshillimit Kombëtar” në median audiovizive, të shkruar dhe/ose në mjetet e tjera elektronike të komunikimit masiv/rrjete sociale;
b) 4 700 000 (katër milionë e shtatëqind mijë) lekë, për realizimin e materialeve promocionale për programin e “Këshillimit Kombëtar”, të cilat do të përdoren në sheshet dhe/ose ambiente të tjera publike, ku kryhet plotësimi i pyetësorit gjatë kohëzgjatjes së procesit.
2. INSTAT-it, në buxhetin e miratuar për vitin 2022, në llogarinë ekonomike ‘Shpenzime korente”, i shtohet fondi prej 5 300 000 (pesë milionë e treqind mijë) lekësh, për hedhjen në format digjital të të dhënave të pyetësorëve fizikë (të mbledhur nga posta dhe nga pikat e dedikuara për plotësimin e tyre në sheshet dhe/ose ambientet e tjera publike), në funksion të programit të “Këshillimit Kombëtar”, të miratuar me vendimin nr.813, datë 24.12.2021, të Këshillit të Ministrave.
3. Fondi total prej 25 000 000 (njëzet e pesë milionë) lekësh, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2022.
4. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe INSTAT-i për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË KRUJË, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE BUBQ, TË PASURISË 143/1, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 1294
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 5, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Krujë, për njësinë administrative Bubq, të pasurisë 143/1, me vendndodhje në zonën kadastrale 1294, sipas formularit dhe planit të rilevimit bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur për zhvillimin e zonës në kuadër të procesit të rindërtimit.
2. Ngarkohen Bashkia Krujë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA