Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Shkurt 2020:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PLANIT KOMBËTAR PËR INTEGRIMIN EVROPIAN 2020–2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2020–2022 (PKIE 2020–2022), sipas tekstit dhe anekseve që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ngarkohet të bashkërendojë dhe të monitorojë zbatimin e PKIE-së 2020–2022 me grupet ndërinstitucionale të punës (GNPIE), për çdo kapitull.
3. Ministritë dhe institucionet e tjera koordinuese të GNPIE-ve raportojnë çdo muaj pranë Kryeministrit dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për ecurinë e zbatimit të PKIE-së 2020–2022.
4. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ngarkohet të raportojë, çdo 3 (tre) muaj, në Këshillin e Ministrave, për ecurinë e zbatimit të PKIE-së 2020–2022.
5. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, të monitorojë përfshirjen, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore në programin buxhetor afatmesëm të nevojave financiare për zbatimin e përparësive afatshkurtra dhe afatmesme, të parashikuara në PKIE-në 2020–2022.
6. Legjislacioni i BE-së për masat afatmesme të planifikuara në PKIE-në 2020-2022 do t’i nënshtrohet procedurës të përkthimit nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
7. Vendimi nr.201, datë 10.4.2019, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, 2019–2021”, shfuqizohet.
8. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore në varësi të Këshillit të Ministrave, për të cilat në PKIE-në 2020–2022 janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E STATUSIT TË VEÇANTË AKADEMISË SË FORCAVE TË ARMATOSURA, SI INSTITUCIONI I VETËM PUBLIK I ARSIMIT TË LARTË, NË FUSHËN E MBROJTJES DHE TË SIGURISË KOMBËTARE, SI DHE ORGANIZIMIN E FUNKSIONIMIN E SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 5 e 6, të nenit 17, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozim të ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Akademia e Forcave të Armatosura (në vijim AFA) është institucioni i vetëm publik i arsimit të lartë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, së cilës i jepet status i veçantë dhe ka varësi nga ministri përgjegjës për mbrojtjen dhe ministri përgjegjës për arsimin.
2. Statusi i veçantë i dhënë për AFA-në konsiston në organizimin, funksionimin dhe zhvillimin e procesit mësimor, trajtimin specifik të organizimit akademik dhe administrativ, të personelit akademik, të personelit ndihmësakademik, trajnues dhe administrativ, të programeve të studimit, të kualifikimit, të trajnimit dhe të stërvitjes, sipas përcaktimeve të këtij vendimi dhe legjislacionit në fuqi.
3. AFA-ja zhvillon veprimtari mësimore e shkencore në fushën e mbrojtjes e të sigurisë kombëtare. Ajo ka si mision arsimimin, kualifikimin dhe kërkimin shkencor në fushën e mbrojtjes e të sigurisë kombëtare të personelit ushtarak e civil, për të gjitha nivelet e drejtimit të Forcave të Armatosura, si dhe të institucioneve të tjera të sigurisë kombëtare.
4. AFA-ja përbëhet nga njësitë kryesore, respektivisht:
a) Fakulteti i Mbrojtjes dhe i Sigurisë;
b) Instituti Kërkimor-Shkencor Ushtarak.
5. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të organeve kolegjiale, drejtuesit e njësive kryesore dhe të njësive bazë mësimore e kërkimore të AFA-së, përbërja e bordit të administrimit, si dhe kompetencat e administratorit të AFA-së parashikohen në statutin e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi për arsimin e lartë.
6. Rektori i AFA-së dekretohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të ministrit përgjegjës për mbrojtjen dhe të ministrit përgjegjës për arsimin.
7. AFA-ja, si institucion i arsimit të lartë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, përgjigjet për përgatitjen, arsimimin e kualifikimin e specialistëve të lartë të personelit ushtarak e civil, për të gjitha nivelet e drejtimit të Forcave të Armatosura, për fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, lidhur me:
a) arsimimin, kualifikimin dhe stërvitjen e kandidatëve për oficerë të rinj në ciklin e parë të studimeve;
b) hartimin e realizimin e programeve të studimit dhe të kualifikimit në të gjitha ciklet e studimit në arsimin e lartë, në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare;
c) arsimimin e kualifikimin, në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare;
ç) formimin, kualifikimin dhe specializimin e nënoficerëve dhe ushtarëve profesionistë;
d) ofrimin e kualifikimit të vazhduar për personelin akademik në fushat që mbulon.
8. AFA-ja, si institucion i arsimit të lartë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, përgatit dhe jep ekspertizë lidhur me fushat, si më poshtë vijon:
a) Kryerjen e studimeve të karakterit teoriko-shkencor në fushat e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, që t’i paraprijë zhvillimeve në mjedisin strategjik të mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare;
b) Dhënien e ekspertizës lidership-it civil dhe ushtarak të Republikës së Shqipërisë, për hartimin e politikës së mbrojtjes dhe formulimin e dokumenteve kryesore strategjike si: Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake, rishikimi strategjik i mbrojtjes, doktrinat e përdorimit të forcave etj.
c) Mbështetjen e Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë, të institucioneve të mbrojtjes e të sigurisë kombëtare, të vendit dhe atyre partnere, nëpërmjet përdorimit të programeve simulative, kryerjen e testimeve, eksperimenteve dhe kërkimit shkencor;
ç) Menaxhimin e procesit akademik në interes të përmirësimit të koncepteve dhe bazës doktrinare ushtarake;
d) Monitorimin dhe vlerësimin e standardeve tё NATO-s, mbi bazën e tё cilave siguron bazat teorike dhe aplikative të arkitekturës së sistemit doktrinar tё Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë si: doktrina, direktiva, manuale teknike dhe taktike, në përdorim të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë;
e) Në përmbushje të misionit dhe detyrave të saj, në aspektin doktrinar dhe të stërvitjes, AFA-ja luan edhe rolin e Komandës së Doktrinave dhe Stërvitjes.
9. AFA-ja, për përmbushjen e përgjegjësive të saj, bashkëpunon me institucionet e arsimit të lartë, brenda dhe jashtë vendit, me akademitë homologe rajonale, të NATO-s dhe atyre të vendeve partnere në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare.
10. AFA-ja, si institucion i arsimit të lartë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, ka në përbërje personel akademik, personel ndihmësakademik, personel trajnues dhe personel administrativ.
11. Personeli akademik, sipas rolit dhe veprimtarisë që kryen, kategorizohet në profesorë, lektorë, asistent-lektorë. Për personelin akademik ushtarak të AFA-së, vetëm për efekt të veprimtarisë akademike, bëhet ekuivalentimi i gradave ushtarake me gradat shkencore dhe titujt akademikë të personelit akademik.
12. Ekuivalentimi me gradat shkencore dhe me titujt akademikë, vetëm për efekt të veprimtarisë akademike në AFA, pa gëzuar të drejta të tjera, për personelin aktiv dhe rezervë, janë, si më poshtë vijon:
a) Për personelin akademik të kategorisë “Profesor”, gradat ushtarake “Gjenerallejtënant, Gjeneralmajor”, “Admiral”/“Gjeneral brigade, Kundëradmiral” janë ekuivalente me titujt akademikë “Profesor”/“Profesor i asociuar”;
b) Për personelin akademik të kategorisë “Lektor”, gradat ushtarake “Kolonel” dhe “Kapiten i rangut I”/Nënkolonel” dhe “Kapiten i rangut II”, janë ekuivalente me gradën shkencore “Doktor”;
c) Për personelin akademik të kategorisë “Asistent–Lektor”, gradat ushtarake “Major” dhe “Kapiten i rangut III”/“Kapiten” dhe “Lejtnant” janë ekuivalente me “Master i shkencave”;
ç) Për personelin ndihmësakademik, gradat ushtarake “Kryekapterr”, “Kapterr” dhe “Rreshter” janë ekuivalente me “Master profesional”.
13. Pranimi i studentëve në AFA kryhet sipas procedurës, standardeve dhe kritereve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi dhe sipas nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera të mbrojtjes e të sigurisë kombëtare.
14. Kuotat e pranimit të studentëve për çdo program studimi dhe trajnimi përcaktohen nga senati akademik, sipas rekomandimeve të bëra nga bordi i administrimit, në përputhje me nevojat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe institucionet e tjera të mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, sipas standardeve shtetërore të kapaciteteve akademike e infrastrukturore, të cilat certifikohen nga ministria përgjegjëse për arsimin.
15. Ministri përgjegjës për mbrojtjen përcakton politikat e arsimit të lartë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, në përputhje me nevojat AFA-së, si dhe garanton që veprimtaria e funksionimi i AFA-së të zhvillohen në përputhje me standardet e arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor në Republikën e Shqipërisë.
16. Akreditimi institucional i AFA-së dhe i programeve të studimit që ai ofron bëhet nga strukturat përgjegjëse, sipas legjislacionit në fuqi, duke respektuar statusin e veçantë të AFA-së dhe standardet respektive të NATO-s.
17. Ekuivalentimi/njëvlershmëria e programeve të studimit dhe kualifikimeve, të kryera në institucionet e arsimit të lartë jashtë vendit, në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare, rregullohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për mbrojtjen dhe të ministrit përgjegjës për arsimin.
18. AFA-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe të ardhura të tjera të ligjshme. Programi buxhetor i AFA-së është zë më vetë në programin buxhetor të Ministrisë së Mbrojtjes.
19. Statuti i AFA-së miratohet nga ministri përgjegjës për arsimin dhe ministri përgjegjës për mbrojtjen, bazuar edhe në statusin e veçantë të dhënë me këtë vendim.
20. Struktura dhe organika e AFA-së përfshihen në strukturën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, miratohen nga Kryeministri, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes dhe nuk mund të ndryshohen pa përfunduar viti akademik.
21. AFA-ja ka simbolet e veta identifikuese, sipas lidhjes që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.
22. Vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.445, datë 14.8.1995, “Për arsimimin e oficerëve pranë Akademisë Ushtarake”, nr.180, datë 10.4.2004, “Për dhënien e emrit “Spiro Moisiu” Akademisë së Mbrojtjes”, nr.720, datë 30.10.2003, “Për krijimin e Universitetit Ushtarak “Skënderbej””, nr.832, datë 29.7.2009, “Për mbylljen e disa programeve të studimit të Universitetit Ushtarak “Skënderbej”, Tiranë, dhe transferimin e studentëve të këtij universiteti, në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin Politeknik të Tiranës”, si dhe të gjitha aktet e tjera nënligjore, që bien ndesh me këtë vendim, shfuqizohen.
23.Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Akademia e Forcave të Armatosura për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E BUXHETIT PËR AUTORITETIN E KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE DHE POSTARE, PËR VITIN 2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 117, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e fondit të shpenzimeve të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për vitin 2020, për shumën 384 760 000 (treqind e tetëdhjetë e katër milionë e shtatëqind e gjashtëdhjetë mijë) lekë, sipas pasqyrës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
HAPJEN E KONSULLATËS SË PËRGJITHSHME TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË STRUGË, REPUBLIKA E MAQEDONISË SË VERIUT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 21, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Strugë, Republika e Maqedonisë së Veriut.
2. Shpenzimet për hapjen e këtij posti konsullor të përballohen nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
3. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË MBI PARCELAT E OBJEKTEVE TË LEGALIZUARA DHE KOMPENSIMIN E PRONARËVE TË PASURIVE QË PREKEN PREJ TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 15/1 e 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 10 e 24, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë në favor të subjekteve përfituese për 396 (treqind e nëntëdhjetë e gjashtë) parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken prej tyre, sipas shtojcës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Numri i parcelave ndërtimore, për të cilat miratohet kalimi i pronësisë sipas qarqeve, është, si më poshtë vijon:
a) Për Qarkun Tiranë, (drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë, Kavajë) numri i parcelave ndërtimore është 83 (tetëdhjetë e tre), me sipërfaqe të përgjithshme 18 631,6 (tetëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e tridhjetë e një presje gjashtë) m²;
b) Për Qarkun Elbasan, (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Elbasan) numri i parcelave ndërtimore është 205 (dyqind e pesë), me sipërfaqe të përgjithshme 54 515 (pesëdhjetë e katër mijë e pesëqind e pesëmbëdhjetë) m²;
c) Për Qarkun Gjirokastër, (Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Gjirokastër dhe Tepelenë) numri i parcelave ndërtimore është 8 (tetë), me sipërfaqe të përgjithshme 2 684 (dy mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër) m²;
ç) Për Qarkun Vlorë, (Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë dhe Sarandë) numri i parcelave ndërtimore është 18 (tetëmbëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 6 814 (gjashtë mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) m²;
d) Për Qarkun Dibër, (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Dibër) numri i parcelave ndërtimore është 45 (dyzet e pesë), me sipërfaqe të përgjithshme 10 582 (dhjetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë e dy) m²;
dh) Për Qarkun Lezhë, (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lezhë) numri i parcelave ndërtimore është 10 (dhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 6 745 (gjashtë mijë e shtatëqind e dyzet e pesë) m²;
e) Për Qarkun Kukës, (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Kukës) numri i parcelave ndërtimore është 4 (katër), me sipërfaqe të përgjithshme 716 (shtatëqind e gjashtëmbëdhjetë) m²;
ë) Për Qarkun Korçë, (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Korçë) numri i parcelave ndërtimore është 12 (dymbëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 8 796 (tetë mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) m²;
f) Për Qarkun Shkodër, (Drejtoria e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Shkodër) numri i parcelave ndërtimore është 4 (katër), me sipërfaqe të përgjithshme 1 619 (një mijë e gjashtëqind e nëntëmbëdhjetë) m²;
g) Për Qarkun Fier, (Drejtoria e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier) numri i parcelave ndërtimore është 1 (një), me sipërfaqe të përgjithshme 319 (treqind e nëntëmbëdhjetë) m²;
gj) Për qarqet Tiranë dhe Shkodër, (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Zonat e Stimuluara) numri i parcelave ndërtimore është 6 (gjashtë), me sipërfaqe të përgjithshme 2 465 (dy mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e pesë) m².
3. Masa e kompensimit është 5 519,7 (pesë mijë e pesëqind e nëntëmbëdhjetë presje shtatë) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 91 818 426,51 (nëntëdhjetë e një milionë e tetëqind e tetëmbëdhjetë mijë e katërqind e njëzet e gjashtë presje pesëdhjetë e një) lekë, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet pa leje, për numrat rendorë sipas kolonës 1, të shtojcës 1, përkatësisht, nr.316, nr.388 dhe nr.396, sipas seksionit të veçantë (kolona 17), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”.
4. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tirana Rurale 1, Tirana Rurale 2, Kamzë-Vorë, Kavajë, Elbasan, Sarandë, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Kukës, Dibër, Shkodër, Lezhë, Korçë dhe Zonat e Stimuluara, të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
5. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR NJË SHTESË NË KONTRATËN E QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.642, DATË 2.10.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të aktit normativ me fuqinë e ligjit nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros të këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të ndryshuar, dhe në vijim të shkronjës “e”, të pikës 5, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për një shtesë në kontratën e qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr.642, datë 2.10.2019, “Për dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “MTSC”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë shtetërore “Ish-ndërmarrje Metalike “Tirana” (Reparti i Orëve), prona me nr.19, me numër pasurie 7/649, zona kadastrale 8220, në përgjegjësi administrimi të Ndërmarrjes Industriale nr.1, Tiranë”, për sipërfaqen 872.6 m2 në godinën nr.1 kati i dytë, brenda sipërfaqes së pronës, dhënë me qira me vendimin e përmendur më sipër, sipas projektkontratës, planvendosjes dhe planimetrisë bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ndërmarrja Industriale nr.1, Tiranë, dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË SERBISË, PËR LËVIZJEN E NDËRSJELLË TË SHTETASVE, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.10474, DATË 27.10.2011
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Serbisë, për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve, ratifikuar me ligjin nr.10474, datë 27.10.2011, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË BJELLORUSISË, PËR HEQJEN RECIPROKE TË KËRKESAVE PËR VIZË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Bjellorusisë, për heqjen reciproke të kërkesave për vizë, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MBËSHTETJEN FINANCIARE TË STUDENTËVE TË SHKËLQYER DHE TË NËPUNËSVE CIVILË (FONDI I EKSELENCËS)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, pika 4, dhe 112, pika 4, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Financimin nga buxheti i shtetit, brenda fondeve buxhetore të miratuara për vitin përkatës për Fondin e Ekselencës, dhe nga donacione ose të ardhura të tjera, nga burime të ligjshme, për mbështetjen financiare të studentëve shqiptarë të shkëlqyer, i cili përdoret nga ministria përgjegjëse për arsimin për bursa për:
a) studentët, të cilët ndjekin studimet e ciklit të dytë apo të tretë jashtë vendit, në universitetet më të mira të botës;
b) nëpunësit civilë, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
2. Nga fondi i përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, përfitojnë mbështetje financiare kandidatët që plotësojnë kriteret, si më poshtë vijon:
a) Studentët, që ndjekin jashtë vendit programe studimi të ciklit të dytë kur:
i. janë shtetas shqiptarë;
ii. kanë përfunduar studimet e ciklit të parë me notë mesatare mbi 9, për shkencat natyrore dhe teknike, dhe mbi 9.5 për shkencat ekonomike e shoqërore;
iii. janë pranuar në njërin nga 15 universitetet më të mira të botës, sipas renditjes së përgjithshme për vitin përkatës të aplikimit dhe/ose asaj specifike, sipas fushave, nga “Times Higher Education” – Renditja botërore e universiteteve, për të ndjekur një program studimi të ciklit të dytë;
iv. pranojnë të punojnë në institucionet e administratës buxhetore shtetërore dhe institucionet e pavarura publike në Shqipëri, për së paku 2 (dy) vjet, pas përfundimit të studimeve dhe diplomimit në ciklin përkatës të studimeve, për të cilin përfitojnë bursën;
v. nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar.
b) Studentët, të cilët ndjekin studimet e plota të doktoratës, pasi kanë përfunduar ciklin e parë e të dytë të studimeve universitare, kur:
i. janë shtetas shqiptarë;
ii. janë pranuar në njërin nga 15 universitetet më të mira të botës në shkencat shoqërore dhe ekonomike ose në njërin nga 50 universitetet më të mira të botës në shkenca natyrore e teknike, sipas renditjes së fundit të përgjithshme dhe/ose asaj specifike, sipas fushave, të “Times Higher Education” – Renditja botërore e universiteteve, ose janë pranuar në njërin prej universiteteve të mirënjohura ndërkombëtare për studime në albanologji;
iii. nuk përfitojnë financim apo shpërblim të plotë ose bursë të plotë për punën kërkimore apo mësimore që bëjnë gjatë këtyre studimeve në universitetin pritës, në vlerë më të madhe se ajo e parashikuar për financim nga Fondi i Ekselencës;
iv. pranojnë të kthehen dhe të punojnë në institucionet e administratës buxhetore shtetërore dhe institucionet e pavarura publike në Shqipëri, për së paku 2 (dy) vjet, pas përfundimit të studimeve të doktoratës në fushën e studimeve të kryera;
v. nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar.
c) Nëpunësit civilë, të cilët ndjekin jashtë vendit një program 1-vjeçar, “Master” të ciklit të dytë apo të tretë, kur:
i. janë shtetas shqiptarë;
ii. janë pranuar në njërin nga 300 universitetet më të mira të botës, sipas renditjes së fundit të përgjithshme ose në njërin nga 100 universitetet më të mira të botës, sipas fushave, nga “Times Higher Education” – Renditja botërore e universiteteve, në vitin më të fundit, për të ndjekur në ciklin e dytë apo të tretë të studimit një program “Master” me kohëzgjatje 1-vjeçare në fushat: politika publike, administrim publik, politika ekonomike, politika arsimore, politika shëndetësore, urbanistikë dhe zhvillim urban, menaxhim i financave publike, e drejtë administrative/publike dhe studime evropiane;
iii. pranojnë që pas përfundimit të studimeve të kthehen dhe të punojnë për së paku 2 (dy) vjet, pas përfundimit të studimeve, në institucionin e mëparshëm;
iv. kanë marrë aprovimin e titullarit të institucionit ku punojnë për kryerjen e studimeve jashtë vendit dhe aplikimin për përfitimin financiar nga Fondi i Ekselencës;
v. nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar.
3. Për kandidatin që plotëson kriteret e njërës prej kategorive të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, në rastet kur përfiton një financim të pjesshëm nga universiteti pritës apo nga donatorë të tjerë, financimi nga Fondi i Ekselencës do të bëhet për diferencën e vlerës, deri në vlerën maksimale të parashikuar nga universiteti pritës, për vitin akademik, për shpenzime si tarifa e regjistrimit dhe/ose shpenzime të tjera të jetesës e udhëtimit, në varësi të masës së fondit në dispozicion.
4. Përfituesi ka detyrimin për të kthyer masën e bursës së përfituar në rastet kur:
a) përjashtohet nga universiteti pritës;
b) ndërpret studimet, për të cilat është mbështetur financiarisht;
c) pas përfundimit të studimeve nuk është punësuar, sipas kushteve të parashikuara në këtë vendim;
ç) nuk ka përmbyllur apo përfunduar studimet në ciklin përkatës brenda 1 viti, pas përfundimit të afatit zyrtar të studimeve, me përjashtim të rasteve të sëmundjeve, të vërtetuara, të rasteve të fatkeqësive familjare apo kur parashikohet nga universiteti pritës.
5. Rregullat e hollësishme për afatet e aplikimit, të zbatimit të kritereve e procedurave, për përcaktimin e masës dhe të mënyrës së financimit si dhe për numrin e anëtarëve dhe kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë komisioni, për secilën nga bursat e parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin, i cili miratohet brenda 30 ditëve, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
6. Përzgjedhja e kandidateve kryhet para fillimit të vitit akademik, nga komisione përzgjedhëse të ngritura me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin. Komisioni përzgjedhës kryesohet nga ministri përgjegjës për arsimin ose nga personi i deleguar prej tij, në nivel zëvendësministri ose nëpunësi civil i nivelit të lartë drejtues. Kur Fondi i Ekselencës plotësohet edhe nga donacione, në komision ka të drejtë të marrë pjesë edhe një përfaqësues i donatorëve.
7. Studentët e ciklit të dytë, të cilët nuk i japin të gjitha provimet apo e përfundojnë vitin me notë mesatare më të ulët se nota 8 (vlerësimi ndërkombëtar, sistemi anglosakson B), nuk përfitojnë bursë për vitin e dytë.
8. Studentët e ciklit të tretë “Doktoratë”, të cilët nuk i shlyejnë të gjitha detyrimet akademike të vitit përkatës, për të cilin përfitojnë bursë, nuk mbështeten nga Fondi i Ekselencës për vitet në vijim.
9. Studentët e përcaktuar në pikat 7 e 8, të këtij vendimi, depozitojnë në ministrinë përgjegjëse për arsimin certifikatën/listën e notave dhe detyrimet e shlyera për vitin e parë të studimeve si dhe dokumentacionin justifikues financiar të shpenzimeve që mbulojnë vlerën e bursës së akorduar. Afatet për dorëzimin dhe shqyrtimin e aplikimeve për këta përfitues përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.
10. Përfituesi dërgon në ministrinë përgjegjëse për arsimin diplomën e studimeve, të financuara nga programi i Fondit të Ekselencës, dhe jetëshkrimin e tij, brenda 30 ditëve, nga marrja e diplomës nga universiteti përkatës.
11. Brenda 30 ditëve, pas diplomimit, deri në përmbushjen e detyrimit për punësim, përfituesit duhet të aplikojnë për çdo pozicion të lirë pune në institucionet e administratës buxhetore shtetërore dhe institucionet e pavarura publike. Në institucionet, në të cilat marrëdhëniet e punës rregullohen me Kodin e Punës, rekrutimi në pozicionet përkatëse i përfituesve të Fondit të Ekselencës kryhet me prioritet. Përfituesit e Fondit të Ekselencës punësohen nga Departamenti i Administratës Publike, në përputhje me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për punësimin e përkohshëm të studenteve të ekselencës në institucionet e administratës shtetërore, për gjithë kohëzgjatjen e detyrimit për punësim.
12. Studentët, të cilët kanë përfituar bursë dhe nuk kanë realizuar detyrimet e programit përkatës dhe/ose i ndërpresin ato, sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim dhe në aktmarrëveshjen e lidhur ndërmjet përfituesit dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin, duhet t’i kthejnë ministrisë përgjegjëse për arsimin shumën e përfituar në formë burse nga Fondi i Ekselencës brenda 6 (gjashtë) muajve, nga dita e njoftimit. Në rast të moskthimit të shumës apo refuzimit nga ana e përfituesit brenda këtij afati, do të ndiqen procedurat ligjore për zgjidhjen e çështjes, sipas legjislacionit në fuqi.
13. Kandidatët e përcaktuar në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 2, të këtij vendimi, financohen për tarifën e studimit dhe shpenzimet e akomodimit e të ushqimit për kohëzgjatjen e vitit akademik.
14. Studentët doktorantë mbështeten financiarisht nga ky fond për shpenzimet e jetesës dhe sigurimet shëndetësore, në masë jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë në muaj. Këta studentë nuk mbështeten për tarifën e studimit. Në rastet kur studenti përfiton një financim tjetër nga universiteti pritës ose nga donatorë të tjerë, financimi nga Fondi i Ekselencës do të bëhet për diferencën e vlerës, deri në vlerën maksimale të parashikuar nga ky fond.
15. Me përjashtim të kategorisë “nëpunës civil”, për përfituesit e kategorive të tjera, të përcaktuara në këtë vendim, që angazhohen në projekte kërkimore në fushën përkatëse të diplomimit jashtë Republikës së Shqipërisë, shlyerja e detyrimit të punësimit në Shqipëri pezullohet për kohëzgjatjen e një projekti kërkimor, pasi të kenë marrë, më parë, miratimin nga ministria përgjegjëse për arsimin. Pas përfundimit të projektit kërkimor, përfituesi duhet të kthehet për t’u punësuar në Republikën e Shqipërisë, sipas afateve dhe përcaktimeve të pikës 11, të këtij vendimi.
16. Për studentët e shpallur fitues të Fondit të Ekselencës përpara datës 31.12.2019, zbatohen dispozitat e vendimit nr.483, datë 16.7.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer dhe të nëpunësve civilë të administratës shtetërore (Fondi i Ekselencës)”, dhe aktet e tjera nënligjore në zbatim të tij, deri në përfundim të studimeve përkatëse.
17. Vendimi nr.483, datë 16.7.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për mbështetjen financiare të studentëve të shkëlqyer dhe të nëpunësve civilë të administratës shtetërore (Fondi i Ekselencës)”, shfuqizohet.
18. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.837, DATË 24.12.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E PROGRAMIT TË PËRGJITHSHËM ANALITIK TË PROJEKTAKTEVE, QË DO TË PARAQITEN PËR SHQYRTIM NË KËSHILLIN E MINISTRAVE GJATË VITIT 2020”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 27, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Tabelat me emërtimet e mëposhtme bashkëlidhur vendimit nr.837, datë 24.12.2019, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohen, përkatësisht, me tabelat me të njëjtin emërtim që i bashkëlidhen këtij vendimi:
– Kryeministri/Zëvendëskryeministri;
– Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
– Ministria e Brendshme;
– Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
– Ministria e Drejtësisë;
– Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme;
– Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë;
– Ministria e Kulturës;
– Ministria e Mbrojtjes;
– Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
– Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
CAKTIMIN E NJËSIVE ZBATUESE PËR PROJEKTIMIN, RINDËRTIMIN DHE RIKONSTRUKSIONIN E OBJEKTEVE ARSIMORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “iii”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese për projektimin, rindërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti në bashkitë: Durrës, Kamzë, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë.
2. Caktimin e Bashkisë Tiranë si njësi zbatuese për projektimin, rindërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve arsimore në Bashkinë Tiranë.
3. Ngarkohen Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË TË KANDIDATURËS PËR ANËTAR TË BORDIT TË AUTORITETIT TË MBIKËQYRJES FINANCIARE, QË DO TË MBAJË FUNKSIONIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM EKZEKUTIV TË AUTORITETIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.9572, datë 3.7.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të kandidaturës së z.Ervin Mete për anëtar të bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, i cili do të mbajë funksionin e drejtorit të Pëgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN KUVENDIT TË KANDIDATURAVE PËR T’U EMËRUAR NË POZICIONIN “DREJTOR I PËRGJITHSHËM I INSTITUTIT TË STATISTIKAVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2 e 3, të nenit 16, të ligjit nr.17/2018, “Për statistikat zyrtare”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin Kuvendit për emërimin në pozicionin “Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Statistikave” të kandidaturave të renditura, si më poshtë vijon:
1. Znj. Elsa Dhuli;
2. Z. Ledjon Shahini;
3. Znj. Jola Kepi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË NEVOJSHME PËR PARANDALIMIN DHE REDUKTIMIN E NDOTJES SË MJEDISIT NGA ASBESTI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 23, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave dhe plotësimi i kuadrit nënligjor që lidhet me parandalimin dhe reduktimin e ndotjes nga asbesti, në interes të mbrojtjes së shëndetit të njeriut dhe të mjedisit.
2. Këto rregulla zbatohen në përputhje dhe pa cenuar legjislacionin specifik për mbrojtjen e punëmarrësve nga risqet që lidhen me asbestin në vendin e punës, legjislacionin që përcakton ndalimet mbi prodhimin, vendosjen në treg dhe përdorimin e fibrave të asbestit, të përzierjeve dhe produkteve që përmbajnë asbest dhe legjislacionin për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
3. Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm nënkuptojnë:
a) “Asbest”, silikatet me strukturë fibroze, si më poshtë vijon:
i. Krocidolite (asbesti blu), Nr.CAS: 12001-28-4;
ii. Aktinolite, Nr. CAS: 77536-67-5;
iii. Antofilite, Nr.CAS: 77536-66-4;
iv. Krisotile (asbesti i bardhë), Nr.CAS: 12001-29-5; Nr.CAS: 132207-32-0;
v. Amosite ( asbesti kaf), Nr.CAS: 12172-73-5;
vi. Tremolite, Nr.CAS: 77536-68-6;
b) “Trajtim i produkteve që përmbajnë asbest”, aktivitete të ndryshme nga ato që përdorin asbest, por që janë përgjegjëse për shkarkimet e asbestit në mjedis nga produktet e trajtuara;
c) “Pluhur asbesti”, pluhuri që lëshohet nga asbesti, nga produktet që përmbajnë asbest ose mbetjet e asbestit.
II. RREGULLAT PËR PARANDALIMIN DHE REDUKTIMIN E NDOTJES SË MJEDISIT NGA TRAJTIMI I PRODUKTEVE QË PËRMBAJNË ASBEST
1. Ministria përgjegjëse për mjedisin, në bashkëpunim me autoritetet shtetërore përgjegjëse për çështjet e sigurisë dhe të shëndetit në punë, përgatisin udhëzimin teknik mbi rregullat për parandalimin dhe reduktimin e ndotjes nga trajtimi i produkteve që përmbajnë asbest lidhur me:
a) shkarkimet e asbestit në ajër;
b) shkarkimet e asbestit në ujë;
c) mbetjet e ngurta, që përmbajnë asbest.
2. Çdo person fizik ose juridik, që trajton produkte që përmbajnë asbest, duhet të marrë masat dhe të sigurojë se:
a) aktiviteti që ai kryen nuk shkakton ndotje të mjedisit nga fibrat ose pluhuri i asbestit;
b) ka marë masat për të shmangur ndotjen nga produktet që përmbajnë asbest, mbetjet e tjera nga asbesti, fibrat ose pluhuri i asbestit;
c) punimet që ndërmerr, me qëllim prishjen, shëmbjen e ndërtesave, të strukturave dhe instalimeve që përmbajnë asbest, heqjen apo largimin prej tyre të asbestit ose të materialeve që përmbajnë asbest, duke përfshirë fibrat ose pluhurin e asbestit që lëshohet në ajër, nuk shkaktojnë ndotje të mjedisit nga asbesti dhe kryhen në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e punëmarrësve nga risqet që lidhen me asbestin në vendin e punës;
ç) përpara fillimit të punimeve, të parashikuara në shkronjën “c”, të hartojë planin e punës në përputhje me kërkesat e legjislacionit për mbrojtjen e punëmarrësve nga risqet që lidhen me asbestin në vendin e punës. Plani i punës përfshin të gjitha masat e nevojshme, parandaluese, që ndërmerren për të reduktuar ndotjen e mjedisit nga fibrat ose pluhuri i asbestit.
3. Fibrat e asbestit, pluhuri i asbestit, produktet e ndotura me asbest, që gjenerohen nga aktivitetet ose punimet e përcaktuara në pikën 2, të këtij kreu, konsiderohen mbetje të rrezikshme, sipas vendimit nr.99, datë 18.2.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e katalogut shqiptar të mbetjeve”, të ndryshuar.
4. Trajtimi i mbetjeve të asbestit dhe paketimeve që përmbajnë pluhur asbesti ose fibra asbesti kryhet nga persona fizikë/juridikë të pajisur me leje mjedisi, në përputhje me legjislacionin në fuqi “Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar, dhe licencën për veprimtaritë e tjera profesionale, lidhur me ndikimin në mjedis, me kodin III.2.B, të cilët duhet të marrin masat e nevojshme për të siguruar se:
a) menaxhimi i mbetjeve të asbestit bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin e integruar të mbetjeve;
b) gjatë transportimit dhe depozitimit të mbetjeve të asbestit ndalohet çlirimi në ajër i fijeve ose pluhurit të asbestit si dhe derdhja e shkarkimeve të lëngëta, që mund të përmbajnë fibra asbesti;
c) mbetjet, që përmbajnë fibra ose pluhur asbesti, të cilat transportohen dhe asgjësohen në landfill, janë të trajtuara, të paketuara dhe të etiketuara me qëllim parandalimin e lëshimit dhe të përhapjes së fibrave ose pluhurit të asbestit në mjedis.
5. Për qëllime të këtij vendimi dhe në përputhje me legjislacionin për menaxhimin e kimikateve, ministria përgjegjëse për mjedisin, ministritë e linjës, përgjegjëse për fushat që mbulojnë, dhe strukturat e tyre të varësisë bashkëpunojnë ndërmjet tyre, me qëllim parandalimin dhe reduktimin e ndotjes së mjedisit nga asbesti dhe mbrojtjen e shëndetit të njeriut.
III. SANKSIONET
Mosrespektimi i parashikimeve të këtij vendimi kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, sipas pikës 37, të nenit 40, të ligjit nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, dhe të nenit 62, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar.
IV. DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucionet në varësi të tyre për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi 2 (dy) vjet pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, NË NJËSINË ADMINISTRATIVE DURRËS, BASHKIA DURRËS, DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nënndarjeve “iii” e “iv”, të shkronjës “b”, të nenit 13, dhe të pikës 3, të nenit 16, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen si zonë e përshtatshme për zhvillimin e detyruar, sipas hartës dhe koordinatave bashkëlidhur këtij vendimi, të zonës 4, njësia administrative Durrës, Bashkia Durrës, zonë e re për zhvillim.
2. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për këtë zonë, si njësi zbatuese, për:
a) ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara;
b) ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike e kritike;
c) realizimin e ndërtimeve në këtë zonë;
ç) çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të kësaj zone.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Durrës dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “RIKONSTRUKSION I RRUGËS “DHIMITËR SHUTERIQI””, NË TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Rikonstruksion i rrugës “Dhimitër Shuteriqi””, në Tiranë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Tiranë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqiten në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit tokë “truall”, me vlerë 84 560 901 (tetëdhjetë e katër milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë mijë e nëntëqind e një) lekë.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 84 560 901 (tetëdhjetë e katër milionë e pesëqind e gjashtëdhjetë mijë e nëntëqind e një) lekësh, do të përballohet nga buxheti i Bashkisë Tiranë.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe të përfundojë brenda tre muajve, pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi të kompensohen për efekt shpronësimi pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Tiranë.
8. Bashkia Tiranë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Jug, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve, nga data e miratimit të këtij vendimi, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartat kadastrale sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Jug, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Tiranë.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Tiranë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Jug, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.71/2016, “PËR KONTROLLIN KUFITAR””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.71/2016, “Për kontrollin kufitar””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.707, DATË 21.11.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË PËRGJEGJËSE PËR TURIZMIN TË DISA PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, NË VIJËN BREGDETARE SHKODËR-FIER”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të nenit 34, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në shtojcën e vendimit nr.707, datë 21.11.2018, të Këshillit të Ministrave, pas pikës 9 shtohet pika 9/1, sipas shtojcës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA