Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Shtator 2018:

V E N D I M

PËR

RISHPËRNDARJE FONDESH BUXHETORE BRENDA PROGRAMEVE TË MIRATUARA NË BUXHETIN E VITIT 2018 PËR MINISTRINË E SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 18, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Në buxhetin e vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bëhet rishpërndarja e fondeve, si më poshtë vijon:

a) Në programin buxhetor 07220, “Shërbimet e kujdesit parësor”, në artikullin 604, “Të tjera transferime korrente të brendshme”, të pakësohet fondi prej 300 000 000 (treqind milionë) lekësh;
b) Në programin buxhetor 07330, “Shërbimet e kujdesit dytësor”, në artikullin 604, “Të tjera transferime korrente të brendshme”, të shtohet fondi prej 300 000 000 (treqind milionë) lekësh.

2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA 

 

***

 

V E N D I M

PËR

ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SHKOLLËS SË DREJTORËVE TË INSTITUCIONEVE TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR DHE MËNYRËN E TRAJNIMIT E TË CERTIFIKIMIT TË TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 27/1, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Organizimin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar, publik ose privat, si person juridik, që gëzon pavarësi administrative, financiare, teknike e vendimmarrëse, me seli në Tiranë, Shqipëri.

2. Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar bashkëthemelohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, me emërtimin zyrtar “Albanian-American Development Foundation” (AADF). Marrëveshja e themelimit të Shkollës së Drejtorëve, e nënshkruar ndërmjet MASR-it dhe AADF-së, dhe akti i themelimit të Shkollës së Drejtorëve përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet e palëve themeluese të Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar.

3. Forma ligjore e organizimit të Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar është organizatë jofitimprurëse, pa anëtarësi, në formën “Qendër”. Ajo krijohet dhe regjistrohet në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizatat jofitimprurëse.

4. Organet dhe autoritetet drejtuese të Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar janë:

⦁ Bordi drejtues, i përbërë nga jo më pak se 5 (pesë) anëtarë;
⦁ Drejtori ekzekutiv.

5. Përbërja, procedura e emërimit, shkarkimit dhe kompetencat e bordit drejtues dhe të drejtorit ekzekutiv përcaktohen në statutin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar, të miratuar nga bashkëthemeluesit e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizatat jofitimprurëse. AADF-ja gëzon të drejtën e shumicës së thjeshtë të anëtarëve në bordin drejtues. Kryetar i bordit është njëri prej anëtarëve të emëruar nga ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

6. Pranë Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar krijohet bordi këshillimor, si një organ konsultativ i drejtorit ekzekutiv, pa funksione vendimmarrëse. Përbërja, procedura e emërimit, shkarkimit dhe funksionet e bordit këshillimor përcaktohen në statutin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar.

7. Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar kryen veprimtarinë e saj në bazë të ligjit nr.69/2012, të ndryshuar, akteve nënligjore në fuqi, aktit të themelimit dhe statutit të saj. Ajo ka për qëllim zhvillimin profesional të drejtorit/nëndrejtorit në detyrë dhe kandidatit për drejtor/nëndrejtor të institucionit arsimor parauniversitar, publik ose privat, nëpërmjet administrimit të procesit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor për pajisjen me certifikatë për drejtimin e institucioneve arsimore parauniversitare, të procesit të trajnimit të vazhdueshëm e trajnimeve të tjera dhe të procesit të provimit e të certifikimit të drejtorit/nëndrejtorit në detyrë dhe kandidatit për drejtor/nëndrejtor të institucionit arsimor parauniversitar, publik ose privat.

8. Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar gëzon ekskluzivitetin për administrimin e trajnimit e të certifikimit të detyrueshëm të drejtorëve/nëndrejtorëve, sipas parashikimeve të përcaktuara në ligj dhe në këtë vendim.
9. Funksionet e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar janë: trajnimi, certifikimi i drejtorëve/nëndrejtorëve në detyrë, i kandidatëve për drejtor/nëndrejtor të institucioneve të arsimit parauniversitar, si dhe zhvillimi i projekteve në fushën e edukimit, të cilat synojnë të përmirësojnë cilësinë e performancës së drejtimit të institucioneve të arsimit parauniversitar.

10. Në ushtrimin e funksioneve të përmendura në pikën 9, të këtij vendimi, Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar kryen këto detyra:

a) Vlerëson nevojat për trajnim të drejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar;
b) Përcakton llojin e trajnimeve, si proces përgatitor për certifikim, trajnimeve të vazhdueshme dhe trajnimeve të tjera si dhe krijon kurrikulat e programet përkatëse;
c) Lëshon certifikatën përkatëse të trajnimit për drejtimin e institucioneve të arsimit parauniversitar;
ç) Përcakton kriteret e përzgjedhjes dhe përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët trajnohen nga Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar;
d) Përzgjedh institucionet e arsimit të lartë apo të subjekteve të tjera për realizimin e objektit të veprimtarisë së Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar;
dh) Monitoron zhvillimin e trajnimit;
e) Ofron trajnimin e vazhduar ose trajnime të tjera, nëpërmjet kontraktimit të trajnerëve nga institucionet e arsimit të lartë apo subjekte të tjera vendase ose të huaja;
ë) Monitoron drejtorët/nëndrejtorët e institucioneve arsimore parauniversitare në vendet e tyre të punës, në veprimtarinë e përditshme;
f) Krijon rrjetin e drejtorëve/nëndrejtorëve të trajnuar nga Shkolla e Drejtorëve;
g) Bashkëpunon me institucione homologe të huaja dhe organizma ndërkombëtarë;
gj) Koncepton, zbaton e monitoron projektet dhe aktivitetet në fushën e drejtimit të arsimit parauniversitar;
h) Propozon politikat dhe zhvillimin e studimeve, në bashkëpunim me institucionet e arsimit parauniversitar, për të gjitha fazat që ndikojnë në cilësinë e formimit e të punës së drejtorit/nëndrejtorit të institucionit të arsimit parauniversitar, si: sistemin e formimit e të certifikimit të drejtorëve/nëndrejtorëve, sistemin e përzgjedhjes e të punësimit të drejtorëve/nëndrejtorëve, sistemin e zhvillimit profesional, sistemin e vlerësimit të performancës e të standardeve të punës së drejtorëve/ nëndrejtorëve.

11. Organizimi i programit të zhvillimit profesional të drejtorëve/nëndrejtorëve, kriteret e përzgjedhjes së trajnerëve dhe detyrat e tyre, kushtet e kriteret e përzgjedhjes së kandidatit për drejtor/nëndrejtor në programin e zhvillimit profesional të drejtorëve/nëndrejtorëve, organizimi i trajnimeve dhe vlerësimi i pjesëmarrësve, certifikimi, llojet, afatet e vlefshmërisë, aspektet përkatëse financiare dhe tarifat përcaktohen në rregulloren “Për zhvillimin profesional dhe kualifikimin e drejtorëve/nëndrejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri”, të miratuar nga bordi drejtues i Shkollës së Drejtorëve.

12. Kushtet dhe kriteret e përzgjedhjes për drejtorët/ nëndrejtorët në detyrë, në programin e zhvillimit profesional të drejtorëve/nëndrejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri, miratohen nga ministri përgjegjës për arsimin, pas konsultimit paraprak me Shkollën e Drejtorëve. Trajnimi i drejtorit/nëndrejtorit në detyrë zhvillohet me kohë të pjesshme, pa shkëputje nga puna.

13. Pas kalimit me sukses të provimit përfundimtar, drejtorët/nëndrejtorët në detyrë dhe kandidatët për drejtor/nëndrejtor pajisen me certifikatën për drejtimin dhe administrimin e institucionit arsimor parauniveristar, e cila lëshohet nga Shkolla e Drejtorëve.

14. Për sigurimin e cilësisë në drejtimin e institucionit arsimor parauniversitar, ministria përgjegjëse për arsimin siguron trajnimin pranë Shkollës së Drejtorëve të punonjësve përgjegjës për inspektimin e punës së drejtorëve, në lidhje me menaxhimin dhe administrimin e këtyre institucioneve si dhe mbulon të gjitha kostot e trajnimit të tyre.

15. Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar ka buxhetin e vet, të cilin e miraton dhe e administron bordi drejtues i Shkollës së Drejtorëve, në përputhje me statutin e saj.

16. Buxheti i Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar përbëhet nga:

a) të ardhura nga veprimtaria e saj ekonomike, përfshirë, por pa u kufizuar në të ardhurat e përfituara nga tarifat për shërbimet e ofruara;
b) të ardhura në formën e dhurimeve, granteve etj., të përfituara nga themeluesit e saj apo donatorë të tjerë, vendas e të huaj;
c) fonde të përfituara nga buxheti i shtetit, institucionet shtetërore, persona juridikë privatë dhe/ose individë, vendas e të huaj, për zhvillimin dhe zbatimin e projekteve të lidhura me drejtimin në arsim;
ç) burime të tjera financiare, të lejuara nga legjislacioni në fuqi.

17. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe AADF-ja mbështesin themelimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar nëpërmjet kontributeve të përcaktuara në marrëveshjen e themelimit, të nënshkruar ndërmjet AADF-së dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Ministria kontribuon duke vënë në dispozicion të Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar ambientet e nevojshme të zyrave për ushtrimin e veprimtarisë së saj.

18. Të ardhurat e krijuara nga Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar derdhen dhe mbahen në llogarinë e saj, në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, dhe përdoren vetëm për kryerjen e veprimtarisë së shkollës, për të përmbushur misionin, qëllimin, funksionet dhe objektivat e saj, në përputhje me legjislacionit në fuqi, këtë vendim, aktin e themelimit dhe statutin e Shkollës së Drejtorëve.

19. Çdo financim i AADF-së dhe çdo e ardhur e gjeneruar nga Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar, sipas përcaktimeve të ligjit, të këtij vendimi dhe në statutin e saj, nuk konsiderohen fonde publike. Fondet e financuara nga AADF-ja nuk janë objekt i kontrollit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

20. Struktura dhe organika e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar përcaktohen në rregulloren e brendshme të Shkollës së Drejtorëve dhe miratohen nga bordi drejtues.

21. Punonjësit e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar përzgjidhen nga Shkolla e Drejtorëve, sipas procedurave të saj të brendshme. Drejtori ekzekutiv i Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar emërohet nga bordi drejtues dhe përfaqëson Shkollën e Drejtorëve në marrëdhënie me palët e treta si dhe është përfaqësuesi ligjor i saj në marrëdhëniet e punës me punonjësit e Shkollës së Drejtorëve.

22. Produktet e pronësisë intelektuale dhe industriale të Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar gëzojnë mbrojtje nga legjislacioni për pronësinë intelektuale dhe industriale.

23. Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar ka markën tregtare dhe vulën e saj, të cilat miratohen nga bordi drejtues i shkollës dhe përcaktohen në statutin e saj.

24. Të gjitha aktet nënligjore apo dispozitat e tjera të parashikuara në akte nënligjore, që vijnë në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohen.

25. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.72, DATË 7.2.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE BAZË TË SEKTORËVE QË DO TË MBËSHTETEN DHE TË MASËS SË FINANCIMIT NGA FONDI I PROGRAMIT PËR BUJQËSINË DHE ZHVILLIMIN RURAL, PËR VITIN 2018”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 6, të ligjit nr.9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, të nenit 18, të ligjit nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

I. Në vendimin nr.72, datë 7.2.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

1. Në nënndarjen “iii”, të shkronjës “c”, të nënpikës 2.1, hiqen fjalët “… sipas specifikimeve të shkronjës “b”, të nënpikës 2.1…”.

2. Në shkronjën “a”, të nënpikës 2.2, pas fjalëve “… për krerë të lindur …” shtohen “… dhe tufën bazë …”.

3. Pas nënpikës 2.7 shtohet nënpika 2.8, me këtë përmbajtje:

“2.8. Përfituesve të financimit nga masat e mbështetjes të përcaktuara në shkronjat “b” e “ç”, të nënpikës 2.1, në nënndarjet “i”, “ii”, “iii”, “iv” dhe “v”, të nënpikës 2.2, në shkronjën “b”, të nënpikës 2.4, dhe në nënpikën 2.7, pas lidhjes së kontratës u paguhet paraprakisht 30% e masës së financimit të kontraktuar, kundrejt garancisë së parapagesës, të lëshuar nga shoqëri sigurimi dhe/ose banka, si dhe situacione pjesore të punimeve të kryera dhe/ose blerje të makinerive dhe pajisjeve, të vërtetuara kundrejt dokumentacionit përkatës.”.

II. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË KOMBËTARE TË FALIMENTIMIT

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 202, të ligjit nr.110/2016, “Për falimentimin”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Agjencia Kombëtare e Falimentimit, më poshtë Agjencia, është person juridik publik, në varësi të ministrit të Drejtësisë.

2. Agjencia ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema e Agjencisë përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë dhe ka shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Drejtësisë, Agjencia Kombëtare e Falimentimit”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës së Shqipërisë si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.

Vula e Agjencisë ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjen e vulave zyrtare”. Vulat prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

3. Agjencia ka si mision sigurimin dhe përdorimin e mjeteve efikase për të ruajtur ligjshmërinë e procedurave të falimentimit, duke mbikëqyrur aktivitetin e administratorëve të falimentimit.

4. Agjencia, për të realizuar misionin e përcaktuar në pikën 3, të këtij vendimi, kryen funksione administrative dhe detyrat e mëposhtme:

a) Siguron zbatimin e kuadrit ligjor dhe rregullator që është efikas dhe efiçent në fushën e falimentimit;
b) Zhvillon ndërgjegjësimin në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e të gjithë aktorëve të përfshirë në fushën e falimentimit;
c) Mbikëqyr dhe drejton procesin e falimentimit duke inkurajuar zbatimin efiçent e të shpejtë në përputhje me ligjin;
ç) Kthimin e Agjencisë në institucionin e vetëm publik informues për çështjet e falimentimit në Shqipëri.

5. Agjencia përmbush objektivat, kryen detyrat dhe ushtron përgjegjësitë në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.110/2016, “Për falimentimin”.

6. Agjencia drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori i Agjencisë, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e Agjencisë, dhe i raporton ministrit të Drejtësisë.

7. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

8. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të Agjencisë miratohet nga ministri i Drejtësisë, pas propozimit të drejtorit të Agjencisë.

9. Marrëdhëniet e punës së drejtorit dhe të nëpunësve të Agjencisë rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë.

10. Në rastin e mbylljes dhe të ristrukturimit të institucionit, për nëpunësit civilë aktualë të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit zbatohen dispozitat e legjislacionit për nëpunësin civil.

11. Për realizimin e detyrave, Agjencia ka buxhetin e saj, si zë i veçantë në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.

12. Buxheti krijohet dhe përdoret sipas legjislacionit në fuqi për menaxhimin e sistemit financiar dhe buxhetor. Të gjitha donacionet ose të ardhurat e tjera të ligjshme përdoren sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për menaxhimin e sistemit financiar dhe buxhetor.
13. Agjencia mban dhe përditëson në formë shkresore dhe elektronike, regjistrin e administratorëve të certifikuar të falimentimit. Formati dhe përmbajtja e regjistrit përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Agjencisë.

14. Agjencia, nën kujdesin e Ministrisë së Drejtësisë, organizon dhe zhvillon provimin për administratorët e falimentimit. Rregulla më të hollësishme për procedurat dhe afatet e organizimit të provimit përcaktohen me urdhër të ministrit të Drejtësisë.

15. Agjencia ka të drejtë të mbikëqyrë dhe të kontrollojë, periodikisht, në çdo kohë, subjektet e licencuara prej saj, si dhe të kërkojë të verifikojë çdo informacion, të cilin e konsideron të nevojshëm për ushtrimin e funksioneve të ngarkuara me ligj. Rregulla më të hollësishme për procedurat e mbikëqyrjes dhe të kontrollit miratohen nga ministri i Drejtësisë, me propozimin e drejtorit të Agjencisë.

16. Numri i punonjësve dhe fondet e miratuara për Agjencinë e Mbikëqyrjes së Falimentimit i kalojnë Agjencisë, sipas këtij vendimi.

17. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Agjencisë Kombëtare të Falimentimit, sipas këtij vendimi, Agjencia e Mbikëqyrjes së Falimentimit të vazhdojë funksionimin e saj, sipas strukturës dhe organikës që është aktualisht në fuqi.

18. Vendimi nr.852, datë 21.10.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentimit”, shfuqizohet.

19. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Falimentimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E KODIT TË ETIKËS PËR ADMINISTRATORËT E FALIMENTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 204, të ligjit nr.110/2016, “Për falimentimin”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e Kodit të Etikës për Administratorët e Falimentimit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Vendimi nr.125, datë 6.2.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Kodit të Etikës për Administratorët e Falimentimit”, shfuqizohet.

3. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Falimentimit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I
 

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË SË DREJTËSISË PËR TË MITUR DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT 2018-2021

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e Strategjisë së Drejtësisë për të Mitur dhe të Planit të Veprimit 2018-2021, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, ministritë e linjës dhe institucionet e drejtësisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (MARRËSI), DHE SHOQËRISË RAJONALE TË MENAXHIMIT TË MBETJEVE TË KORÇËS (AGJENCIA E ZBATIMIT TË PROJEKTIT), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR PROJEKTIN “MENAXHIMI I MBETJEVE TË NGURTA NË SHQIPËRINË JUGLINDORE, MASA SHOQËRUESE, FAZA 2 (RAJONI KORÇË)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (Marrësi), dhe Shoqërisë Rajonale të Menaxhimit të Mbetjeve të Korçës (Agjencia e zbatimit të projektit), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për financimin e projektit “Menaxhimi i mbetjeve të ngurta në Shqipërinë Juglindore, masa shoqëruese, faza 2 (Rajoni Korçë)”, nëpërmjet një granti në shumën 1 200 000 (një milion e dyqind mijë) euro, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË PASURIVE ME NUMËR 11/50 DHE 11/52, ZONA KADASTRALE 1159, BASHKIA SHKODËR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr.8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurive me numër 11/50 dhe 11/52, zona kadastrale 1159, Bashkia Shkodër, sipas certifikatave të pasurive dhe hartave treguese që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Shkodër, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurive me numër 11/50 dhe 11/52, zona kadastrale 1159, Bashkia Shkodër.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Shkodër dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.408, DATË 8.5.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DËMSHPËRBLIMIN PËR KAFSHËT E ELIMINUARA”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 49, të ligjit nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.408, datë 8.5.2013, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

1. Në të gjithë tekstin e vendimit, emërtimi “Struktura përgjegjëse për veterinarinë në institucionin përkatës” zëvendësohet me “Agjencia Rajonale e Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve (ARSHVMB)”.

2. Pika 1.1. ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1.1. Pronarët e kafshëve, që kanë ngordhur si pasojë e prekjes nga sëmundja e Dermatozës Nodulare të Gjedhit, gjatë viteve 2016 e 2017, dhe nuk janë dëmshpërblyer fizikisht me kafshë, do të shpërblehen në masën e vlerës së dëmit, sipas pikës 13, të këtij vendimi.”.
3. Në pikën 6, fjalët “… në shërbimin veterinar të qeverisjes vendore …” zëvendësohen me “…. në strukturën përgjegjëse të njësive të vetëqeverisjes vendore …”.

4. Në pikën 9, fjalia “Ky komision kryen edhe vlerësimin e dokumentacionit në rastin e dëmshpërblimit fizikisht me kafshë” shfuqizohet.

5. Në pikën 13, fjalia “Dëmshpërblimi fizik me kafshë do të bëhet në përputhje me procedurat e prokurimit publik, sipas legjislacionit në fuqi” shfuqizohet.

6. Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“14. Titullari i ARSHVMB-së nxjerr aktin për dëmshpërblimin e pronarit të kafshës, që duhet të zbatohet nga ARSHVMB-ja brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga dalja e aktit të dëmshpërblimit.”.

7. Pika 17 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“17. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, agjencitë rajonale të shërbimit veterinar dhe mbrojtjes së bimëve dhe strukturat përgjegjëse të njësive të vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2018, MIRATUAR PËR MINISTRINË E TURIZMIT DHE MJEDISIT DHE MINISTRINË E KULTURËS, PËR PAGESËN E KUOTAVE TË ANËTARËSIMIT NË ORGANIZATAT NDËRKOMBËTARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.190/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

1. Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, në programin “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, në kategorinë e shpenzimeve korrente, i shtohet kundërvlefta në lekë e fondit prej 21 500 (njëzet e një mijë e pesëqind) eurosh, për kryerjen e pagesave të kuotave të anëtarësimit në Zyrën Ndërkombëtare të Ekspozitave (BIE).

2. Ministrisë së Kulturës, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, në programin “Planifikim, menaxhim dhe administrim”, në kategorinë e shpenzimeve korrente, i shtohet kundërvlefta në lekë e fondit prej 48 664 (dyzet e tetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e katër) eurosh, për kryerjen e pagesave të kuotave të anëtarësimit në Observatorin Evropian të Medias.

3. Efekti financiar i parashikuar në pikat 1 dhe 2, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2018.

4. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Kulturës dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

 

***

 

V E N D I M

PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR IPA II, SHQIPËRI – KOSOVË 2014-2020, ALOKIMET PËR VITIN 2016”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Shqipëri – Kosovë 2014-2020, alokimet për vitin 2016”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.