Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 2 Shkurt 2022:
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E BUXHETIT TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS PËR VITIN 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e buxhetit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për vitin 2022 sipas shtojcave nr.1, nr.2 dhe nr.3, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2022.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
PËRBËRJEN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT QENDROR TË STATUSIT “FËMIJË NË PËRKUJDESJE TË REPUBLIKËS” DHE SEKRETARIATIT TË TIJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 11, të ligjit nr.129/2021, “Për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Komisioni Qendror i Statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” kryesohet nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe në përbërje ka këta anëtarë:
– Zëvendësministrin e Mbrojtjes;
– Zëvendësministrin e Financave dhe Ekonomisë;
– Zëvendësministrin e Brendshëm;
– Zëvendësministrin e Arsimit dhe Sportit;
– Dy përfaqësues nga organizatat jofitimprurëse në fushën e mbrojtjes të të drejtave të fëmijëve ose të drejtave të njeriut.
2. Komisioni Qendror i Statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” mbështetet nga një sekretariat, funksionet e të cilit kryhen nga sektori përkatës për mbrojtjen e fëmijëve, pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Sekretariati kryen këto detyra:
a) Mbledh të gjitha kërkesat e depozituara për përfitimin e statusit;
b) Krijon dosje të posaçme për çdo aplikim;
c) Verifikon paraprakisht nëse dokumentacioni i depozituar nga aplikuesi është i plotë sipas përcaktimeve në udhëzimin e miratuar nga kryetari i Komisionit për përcaktimin e formatit të kërkesës, llojeve të dokumenteve që paraqiten për marrjen e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, si dhe të kushteve teknike të plotësimit të tyre dhe, nëse ka mungesë ose parregullësi, njofton aplikuesin për plotësimin e tyre;
ç) Harton projektagjendën dhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për çdo mbledhje;
d) Njofton anëtarët për datën e mbledhjes dhe u vendos në dispozicion dokumentacionin përkatës.
3. Marrja e vendimeve të Komisionit Qendror të Statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” kryhet sipas dispozitave të ligjit nr.8480, datë 27.5.1999, “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”.
4. Komisioni Qendror i Statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” mblidhet me kërkesën e kryetarit të komisionit dhe ushtron këto detyra:
a) Shqyrton dokumentacionin e dërguar nga subjektet propozuese dhe kërkuese për dhënien e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” dhe verifikon, paraprakisht, nëse janë plotësuar kriteret formale për paraqitjen e propozimit, sipas përcaktimeve në aktet nënligjore të miratuara nga Komisioni;
b) Njofton me shkresë zyrtare, brenda 5 (pesë) ditësh, subjektet propozuese për pranimin paraprak të kërkesës dhe vijimin e procedurës administrative ose për plotësimin e të metave lidhur me kriteret formale të propozimit, duke caktuar një afat prej 10 (dhjetë) ditësh pune për plotësimin e këtyre të metave;
c) Bashkëpunon me institucionet e tjera publike gjatë shqyrtimit administrativ të një çështjeje për dhënien e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”;
ç) Merr vendime të arsyetuara, brenda 30 (tridhjetë) ditësh nga depozitimi i propozimit për dhënien e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” për:
i. dhënien e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” dhe përcakton masën e shpërblimit financiar sipas kritereve ligjore;
ii. rrëzimin e kërkesës duke mos dhënë statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.
d) Njofton, me shkresë zyrtare, brenda 5 (pesë) ditëve, subjektin propozues për vendimin përfundimtar të Komisionit Qendror të Statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”;
dh) Rishqyrton vendimet e tij, të cilat, bazuar në një vendim gjykate të formës së prerë, janë anuluar apo shfuqizuar;
e) Ngarkon stafin teknik të komisionit qendror me detyra specifike administrative për çështjen që shqyrton;
ë) Miraton udhëzimin për kriteret formale të kërkesave apo propozimeve dhe dokumentacionin për dhënien e statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”, që depozitohen nga subjektet propozuese në sekretarinë e Komisionit, sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Qendror;
f) Raporton të paktën 1 (një) herë në vit pranë Këshillit të Ministrave për punën e kryer në kuadër të kompetencave të tij.
5. Shpërblimi për pjesëmarrje në mbledhje bëhet sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave për përcaktimin e masës së shpërblimit të anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore.
6. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Komisioni Qendror i Statusit “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (PËRFITUESI), TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË, DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR REHABILITIMIN ME EFIÇENCË ENERGJETIKE TË KONVIKTEVE STUDENTORE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (përfituesi), të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE DHE EKONOMISË (PËRFITUESI), DHE KFW FRANKFURT AM MAIN (KFW), PËR MASAT SHOQËRUESE PËR REHABILITIMIN ME EFIÇENCË ENERGJETIKE TË KONVIKTEVE STUDENTORE TË UNIVERSITETEVE PUBLIKE NË SHQIPËRI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë (përfituesi), dhe KfW Frankfurt am Main (KfW), për masat shoqëruese për rehabilitimin me efiçencë energjetike të konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES PËR KUSHTET PËR AKSES TË LIRË NË TREGUN E PUNËS NË BALLKANIN PERËNDIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes për kushtet për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR HAPJEN E PIKËS SË PËRBASHKËT TË KALIMIT KUFITAR SHISHTAVEC (KUKËS) – KURSHEVË (DRAGASH)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Kurshevë (Dragash), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES PËR NDËRLIDHJEN E SKEMAVE PËR IDENTIFIKIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE TË BALLKANIT PERËNDIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes për ndërlidhjen e skemave për identifikimin elektronik të shtetasve të Ballkanit Perëndimor, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR LEHTËSIMIN E PROCEDURAVE DHE KUSHTEVE PËR MARRJEN E LEJEQËNDRIMIT TË PËRKOHSHËM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e lejeqëndrimit të përkohshëm, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
PLANIN VJETOR TË PRANIMIT PËR VITIN 2022, NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i vendeve vakante të planifikuara për rekrutim gjatë vitit 2022 është gjithsej 850 (tetëqind e pesëdhjetë), të ndara sipas kategorive të mëposhtme:
a) Për trupën e nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues 3;
b) Për kategorinë e mesme drejtuese 53;
c) Për kategorinë e ulët drejtuese 190;
ç) Për kategorinë ekzekutive 604.
2. Grupet e administrimit të përgjithshëm dhe të posaçëm në kategorinë ekzekutive janë, si më poshtë vijon:
– Shkenca juridike;
– Audit i brendshëm;
– Shkenca ekonomike;
– Shkenca ekonomike/juridike;
– Shkenca shoqërore;
– Shkenca sociale;
– Histori-filologji;
– Shkenca mjekësore;
– Veterinari;
– Agronomi;
– Shkenca biologjike dhe të ngjashme me to;
– Kimi;
– Shkenca mjedisore ose të tjera të përshtatshme;
– Shkenca inxhinierike;
– Arkitekturë;
– Arkeologji dhe restaurime;
– Artet e bukura;
– Gjeodezi;
– Shkenca ekzakte;
– Shkenca edukimi;
– Mësuesi;
– Arsim i lartë ushtarak/policor;
– Arsim i lartë.
3. Institucionet e administratës shtetërore, ku planifikohen vendet vakante gjatë vitit 2022, janë sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË MASËS SË PËRFITIMIT NGA PUNONJËSIT DHE ISH-PUNONJËSIT E RAFINERISË SË NAFTËS, BALLSH
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Dhënie pagese kalimtare, në masën e pagës minimale në shkallë vendi, për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh, pas verifikimit nga zyra përkatëse e punësimit të listës emërore, sipas vendimit nr.909, datë 18.11.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh”, të ndryshuar, për çdo muaj, për periudhën janar 2022– dhjetor 2022.
2. Punonjësve, sipas pikës 1, të këtij kreu, t’u paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për pjesën e punëmarrësit e të punëdhënësit për periudhën janar 2022 – dhjetor 2022, duke iu transferuar fondi përkatës Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
II. KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE
1. Pagesa kalimtare për punonjësit, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, jepet çdo muaj për periudhën janar 2022 – dhjetor 2022, pranë zyrës së punësimit, ku kanë vendbanimin.
2. Pagesa kalimtare përfitohet nga punonjësit, sipas pikës 1, të kreut I, të këtij vendimi, pavarësisht nëse kanë përfituar apo jo më parë ndihmë financiare.
3. Pagesa kalimtare u jepet punonjësve sipas listës së miratuar me vendimin nr.909, datë 18.11.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh”, të ndryshuar, pas verifikimeve nga zyra përkatëse e punësimit, duke përjashtuar nga përfitimi personat që:
a) janë të punësuar apo vetëpunësuar;
b) kanë dalë në pension pleqërie apo invaliditeti;
c) nuk janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë.
4. Punonjësit kërkues duhet të paraqesin pranë zyrës përkatëse të punësimit të dhënat e mëposhtme identifikuese, si:
i. emrin, mbiemrin;
ii. numrin personal të identifikimit;
iii. llogarinë bankare, në të cilën ka marrëveshjen zyra e punësimit;
iv. IBAN-in e llogarisë bankare.
III. PROCEDURA E VERIFIKIMIT PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE
1. Zyra përkatëse e punësimit, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e kërkesës, bën verifikimet përkatëse në sistemin tatimor mbi të dhënat e deklaruara nga kërkuesit.
2. Zyra përkatëse e punësimit, brenda 5 (pesë) ditëve të çdo muaji, gjatë periudhës së përfitimit, bën verifikimet sipas pikës 1, të këtij kreu, përpilon listat përmbledhëse të përfituesve, të ndara për çdo bankë të nivelit të dytë, ku përfituesit kanë llogarinë rrjedhëse bankare, të cilat i dërgon pranë bankës së nivelit të dytë. Lista duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme:
a) Emrin, mbiemrin e përfituesit;
b) Numrin personal të identifikimit të përfituesit;
c) Bankën, ku ka marrëveshjen zyra përkatëse e punësimit;
ç) IBAN-in e llogarisë bankare;
d) Masën e pagesës.
3. Zyra përkatëse e punësimit ruan dhe administron dokumentacionin e përcaktuar sipas këtij vendimi, në përputhje me dispozitat ligjore e nënligjore të parashikuara për ruajtjen e dokumentacionit dhe arkivat.
IV. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Fondi prej 420 000 000 (katërqind e njëzet milionë) lekësh përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2022 për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, përkatësisht në zërin “Pagesa e papunësisë”, të programit buxhetor 10550 “Tregu i punës”.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS “JAKOV MILE”, SEGMENTI II, LAGJJA “APOLONIA”, FIER
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës “Jakov Mile”, segmenti II, lagjja “Apolonia”, Fier.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Fier.
3. Pronarët kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë të përgjithshme prej 3 145 710.50 (tre milionë e njëqind e dyzet e pesë mijë e shtatëqind e dhjetë pikë pesëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 3 145 710.50 (tre milionë e njëqind e dyzet e pesë mijë e shtatëqind e dhjetë pikë pesëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Fier për vitin 2022.
5. Shpenzimet procedurale në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë, pas botimit të këtij vendimi në fletoren zyrtare dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e përmendur në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Fier.
8. Bashkia Fier kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Fier.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Fier, fillon procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe bën kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Fier.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit për hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Fier për pasuritë e shpronësuara.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, dhe Bashkia Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.722, DATË 11.11.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS, TË KRITEREVE, PROCEDURAVE DHE DOKUMENTACIONIT PËR VLERËSIMIN DHE PËRFITIMIN E AFTËSISË SË KUFIZUAR E TË NDIHMËSIT PERSONAL DHE TË STRUKTURAVE PËRGJEGJËSE E TË DETYRAVE TË TYRE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “c”, të nenit 30, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.722, datë 11.11.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Pas pikës 1, të kreut I, shtohet pika 1/1, me këtë përmbajtje:
“1/1. Modeli bio-psiko-social i vlerësimit të aftësisë së kufizuar do të zbatohet në të gjitha qarqet e tjera, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim. Qarqet, ku do të zbatohen vlerësimi bio-psiko-social dhe afatet e nisjes së zbatimit, përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe çështjet sociale. Shërbimi Social Shtetëror përcakton rregullat e vlerësimit të aftësisë së kufizuar nga modeli mjekësor drejt atij bio-psiko-social.”.
b) Në fund të shkronjës “c”, të pikës 2, të kreut II, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në zonat, ku nuk ka qendra komunitare të shëndetit mendor, vlerësimi kryhet nga mjeku specialist i qendrës shëndetësore/spitalit që ndjek pacientin.”.
c) Në kreun III bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
i. Pas fjalisë së parë, të pikës 4, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Në mungesë të kontraktimit të punonjësve me kohë të plotë, Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror kontrakton punonjës me kohë të pjesshme, kundrejt një shpërblimi të përcaktuar nga institucioni, deri në plotësimin e pozicionit të punës.”.
ii. Në shkronjën “d”, të pikës 4, fjalët “… sipas formatit 6,…” zëvendësohen me “… sipas formateve nr.6 dhe 6/1…”.
ç) Formatet, që i bashkëlidhen vendimit, zëvendësohen me formatet bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohen të gjitha organet e administratës shtetërore shëndetësore e sociale dhe njësitë vetëqeverisjes vendore, në të cilat zbatohet kjo skemë vlerësimi, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ