Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e këshillit të ministrave, datë 20 Korrik 2016
 
V E N D I M
PËR
 
FINANCIMIN NGA FONDI SHQIPTAR I ZHVILLIMIT TË FAZËS PËRGATITORE TË PROJEKTIT TË BANKËS BOTËRORE “PËR ZHVILLIMIN E INTEGRUAR URBAN DHE EKONOMIK” 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, dhe të neneve 6, pikat 2, shkronja “a”, e 4, si dhe 8, pika 1, shkronja “b”, të ligjit nr.10130, datë 11.5.2009, “Për Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Financimin në vlerën 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) lekë të kostove për hartimin e disa projekteve teknike si dhe të disa projekteve konceptuale-vizionare për zonat e Jugut të Shqipërisë, përfituese në kuadër të fazës përgatitore të projektit “Për zhvillimin e integruar urban dhe ekonomik”, që do të financohet nga Banka Botërore dhe do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
 
2. Vlera  prej 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) lekësh të përballohet nga buxheti i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe do të shtrihet në dy vite, si më poshtë vijon:
 
a) 56 000 000 (pesëdhjetë e gjashtë milionë) lekë, për vitin 2016;
b) 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, për vitin 2017.
 
3. Efekti financiar sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2016 për Fondin Shqiptar të Zhvillimit. 
 
4. Efekti financiar sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të parashikohet në projektbuxhetin e vitit 2017 për Fondin Shqiptar të Zhvillimit. 
 
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
 
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR 
 
MIRATIMIN E KONTRATËS SHTESË TË KONCESIONIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË KONTRATËN E KONCESIONIT TË FORMËS “BOT” (NDËRTIM-OPERIM-TRANSFERIM),  PËR NDËRTIMIN E HIDROCENTRALEVE NË RRJEDHËN E LUMIT MAT: “GJONI”, “BLISHTA”, “KLOSI”, “DOMI”, “LUCI”, “SHOSHAJ”, “ZENISHTI” DHE “BURRELI””, MIRATUAR ME VENDIMIN NR.673, DATË 3.10.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 50, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e kontratës shtesë të koncesionit “Për disa ndryshime dhe shtesa në kontratën e koncesionit (Nr.375 Rep.; 203 Kol., datë 21.9.2012) të formës “BOT” (ndërtim-operim-transferim), për ndërtimin e hidrocentraleve në rrjedhën e lumit Mat: “Gjoni”, “Blishta”, “Klosi”, “Domi”, “Luci”, “Shoshaj”, “Zenishti” dhe “Burreli””, miratuar me vendimin nr.673, datë 3.10.2012, të Këshillit të Ministrave, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
 
2. Ngarkohet Ministria e Energjisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij vendimi.
 
        Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 
NJË NDRYSHIM DHE DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.23, DATË 20.1.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME PËR VITIN 2016 NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE’”, TË NDRYSHUAR 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.147/2015, “Për buxhetin e vitit 2016”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
Në vendimin nr.23, datë 20.1.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimi dhe shtesat, si më poshtë vijon: 
 
1. Në pikën 1, numri i punonjësve dhe praktikantëve me kontratë të përkohshme ndryshohet dhe bëhet “… 2 196 veta …”. 
 
2. Në lidhjen nr.1, të përmendur në pikën 1, të vendimit, në ndarjet “Gr.4 Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes”, “Gr.10 Ministria e Financave” dhe “Gr.25 Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”, shtohen nënndarjet sipas tabelës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi dhe pjesë përbërëse e tij. 
 
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, fillojnë pas hyrjes në fuqi të tij dhe përballohen nga buxheti i miratuar për institucionet e përmendura në këtë vendim. 
 
       Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I   
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SEKRETARIATIT TEKNIK TË KËSHILLIT KOMBËTAR TË UJIT
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, pika 1, shkonja “b”, e 11, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Ujit, si organ ekzekutiv i Këshillit Kombëtar të Ujit, është institucion qendror, person juridik publik, me seli në Tiranë, në varësi të Kryeministrit.
 
2. Misioni i Sekretariatit është ndërtimi i një sistemi të integruar të qeverisjes dhe menaxhimit të burimeve ujore, me qëllim përmbushjen e të gjitha nevojave jetësore, duke mbajtur në vëmendje qëndrueshmërinë e ekosistemeve dhe duke nxitur konkurrueshmërinë e përdorimeve dhe prioritizimin drejt përfitueshmërisë ekonomike.
 
3. Funksionet dhe kompetencat e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit janë ato të përcaktuara në ligjin nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”.
 
4. Detyrat dhe objektivat e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit, në cilësinë e sekretariatit teknik të Grupit të Menaxhimit të Integruar të Politikave – GMIP (KKU) në fushën e menaxhimit të integruar të ujit janë, si më poshtë vijon:
 
a) Udhëheq procesin e vendosjes së objektivave strategjikë të sektorit;
b) Udhëheq procesin e menaxhimit të integruar të burimeve njerëzore, financiare dhe aseteve të sektorit;
c) Mirëmban inventarin e përditësuar të të gjitha programeve të asistencës financiare dhe projekteve të sektorit;
ç) Organizon takimet e GMIP-së dhe nëngrupeve tematike;
d) Udhëheq procesin e hartimit dhe miratimit të matricës unike të prioritizimit të projekteve të sektorit;
dh) Koordinon të gjitha palët e përfshira në procesin e përgatitjes dhe zbatimit të Planit Kombëtar Sektorial.
 
5. Sekretariati Teknik i Këshillit Kombëtar të Ujit financohet nga buxheti i shtetit dhe nga çdo burim tjetër financiar i ligjshëm.
 
6. Sekretari Kombëtar i Ujit përfaqëson sekretariatin në marrëdhëniet me të tretët. Marrëdhëniet e punës të nëpunësve të Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit rregullohen sipas legjislacionit të shërbimit civil. Për nëpunësit ekzistues zbatohen dispozitat e nenit 67, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar.
 
7. Rregullorja e Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit miratohet nga Këshilli Kombëtar i Ujit, sipas përcaktimeve të shkronjës “d”, të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”.
 
8. Vendimi nr.230, datë 23.4.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Sekretariatit Teknik të Këshillit Kombëtar të Ujit”, shfuqizohet.
 
9. Ngarkohen Ministria e Financave, Kryeministria dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M 
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “UNAZA E MADHE TIRANË (KOMUNA E PARISIT-RRUGA E KAVAJËS) SHTESA”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Unaza e madhe e Tiranës (Komuna e Parisit-Rruga e Kavajës) shtesa”.
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “truall” dhe “objekt”, me vlerë të përgjithshme shpronësimi prej 5 465 610 (pesë milionë e katërqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e dhjetë) lekësh, nga të cilat:
– tokë “truall”, me sipërfaqe 20m2, me vlerë 615 660 (gjashtëqind e pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë) lekë;          
– “objekt”, me sipërfaqe 70m2, me vlerë 4 849 950 (katër milionë e tetëqind e dyzet e nëntë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) lekë.
4. Vlera përgjithshme e shpronësimit për pasuritë “truall” dhe “objekte”, prej 5 465 610 (pesë milionë e katërqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e dhjetë) lekësh, të përballohet nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, zëri “Shpronësime”, planifikuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
6. Likuidimi i pronarëve të fillojë pas çeljes së fondit të përcaktuar në pikën 4, të këtij vendimi.
7. Pronarët e pasurive të përmendur në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilat është bërë shënimi “Konfirmuar ZVRPP”, “Vërtetim hipotekor”, “Certifikatë  pronësie”, të likuidohen, për efekt shpronësimi, në bazë të dokumentacionit të plotë të pronësisë që do të dorëzojnë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar. 
8. Autoriteti Rrugor Shqiptar të kryejë likuidimet, për efekt shpronësimi, në bazë të pikave 4, 5, 6 dhe 7, të këtij vendimi.
9. Brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojnë procedurat për hedhjen e trupit të rrugës në hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit që do t’u vihet në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, dhe, me fillimin e procesit të likuidimit, të fillojë edhe procesi i kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
10. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë të pezullojnë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së trupit të rrugës në hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
11. Ngarkohen Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.  
 
 
K R Y E M I N I S T R I 
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION DHE RIKUALIFIKIM URBAN I LULISHTES PERËNDIMORE DHE SUPLEMENTI I SHESHIT QENDROR “TEODOR MUZAKA””, BERAT
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21,  të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion dhe rikualifikim urban i lulishtes perëndimore dhe suplementi i sheshit qendror “Teodor Muzaka””, Berat. 
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Berat.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë “tokë truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 19 017 035 (nëntëmbëdhjetë milionë e shtatëmbëdhjetë mijë e tridhjetë e pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 19 017 035 (nëntëmbëdhjetë milionë e shtatëmbëdhjetë mijë e tridhjetë e pesë) lekësh, të përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2016, miratuar për Ministrinë e Zhvillimit Urban.
5. Shpronësimi të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
6. Pronarët e përmendur në listën që i bashkëlidhet këtij vendimi, të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Bashkisë Berat.
7. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Berat, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit në hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit.
8. Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit në hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e shpronësuara.
9. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Urban, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Berat dhe Bashkia Berat për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
 
 
KRYEMINISTRI 
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.336, DATË 4.5.2016, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRANSFERIMIN E AKSIONEVE TË SHOQËRIVE TË TREGJEVE TË TREGTIMIT ME SHUMICË DHE PAKICË TË FRUTA-PERIMEVE TE NJËSITË E QEVERISJES VENDORE”
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 9, pika 1.2, shkronja “a”, e 28, pika 2, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, dhe të neneve 3 e 4, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave 
 
V E N D O S I:
 
1. Në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet vendimit nr.336, datë 4.5.2016, të Këshillit të Ministrave, të hiqet nënndarja 2, “Tregu i shitjes me shumicë i fruta-perimeve, Shkodër”.
 
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Punëve të Brendshme, Qendra Kombëtare e Biznesit dhe Bashkia Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 
SHPËRBLIMIN E PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, PËR SIPËRFAQET TAKUESE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 e 3, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, pika 1, shkronja “c”, dhe 5, pika 2, të ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet Elbasan, Korçë, Kukës, Lezhë, Vlorë, Tiranë dhe Durrës.
2. Sipërfaqja që shpronësohet është 35 662,55 (tridhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e dy presje pesëdhjetë e pesë) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit është 467 582 277,94 (katërqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e tetëdhjetë e dy mijë e dyqind e shtatëdhjetë e shtatë presje nëntëdhjetë e katër) lekë, sipas listës që i bashkëlidhet këtij vendimi. 
3. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Elbasan, Korçë, Kukës, Lezhë, Vlorë, Tiranë dhe Durrës të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
4. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Trajtimit të Pronës, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 
 MIRATIMIN E STANDARDEVE TË PROJEKTIMIT TË ÇERDHEVE
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e standardeve të projektimit të çerdheve, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
 
2. Këto standarde janë të detyrueshme në projektimin e çerdheve publike apo private, që do të ndërtohen pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
 
3. Ngarkohen institucionet shtetërore dhe subjektet private të përfshira në procesin e projektimit, miratimit të lejeve të ndërtimit dhe inspektimit të çerdheve për zbatimin e këtij vendimi. 
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.  
 
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
***
V E N D I M
PËR
 
MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR PRONËSINË INTELEKTUALE 2016-2020
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave
 
V E N D O S I:
 
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Pronësinë Intelektuale 2016-2020, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi. 
 
2. Ngarkohen ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ministri i Kulturës, ministritë, institucionet qendrore dhe njësitë e qeverisjes vendore, të përmendura në tekstin e kësaj strategjie, për zbatimin e këtij vendimi. 
 
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI
 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.